Nga Qerim LITA dhe Halim PURELLKU
Pjesa e tretë
Memorie.al / Rënia e Dibrës në duart e forcave komuniste, shkaktoi pakënaqësi tek shqiptarët e këtij qyteti sepse, pushteti nuk administrohej nga shqiptarët, por nga maqedonasit. Tempo mbajti një fjalim në Kërçovë, ku pohoi se; “së shpejti do të ngrihet flamuri Maqedhonas dhe, në rast se do të kundërshtojnë reaksionarët, atë do ta mbrojë Ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare”. Këtë deklaratë, Haxhi Lleshi e konsideronte se; ishte “shumë me vend”, por shprehte shqetësimin se; “reaksionarët gjetën rast, për të bë propagandë kundra nesh, si komunista që bashkohemi me kombe tjera”.
Në kohën kur po zhvilloheshin luftime të ashpra në rrethinën e Kërçovës, në Peshkopi, me ndihmën e Faik Shehut, ishin futur njësitë partizane. Numri më i madh i partizanëve, ishin malazezë e italianë. Më 9 tetor, 1943, drejtuesit e Komitetit “Bashkimi Dibran”, i kërkuan Faik Shehut që; “komunistët të lëshojnë qytetin deri në orët e para të mëngjesit, përndryshe forcat shqiptare, do të futen në qytet”. Ky ultimatum nuk u përfill.
Krerët e Komitetit, më 13 tetor u futën në Peshkopi, me forcat e veta. Po atë ditë, formuan Komitetin Nacional, nën udhëheqjen e Fiqiri Dines, Riza Drinit dhe Selim Jegenit. Me këtë rast, Riza Drini, mbajti një fjalim ku, ndër të tjera, deklaroi: “Ne do të luftojmë kundra Gjermanisë. Jemi miq me Aleatët e Mëdhenj, Angli e Amerikë të cilët, do t’u japin liri popujve të shtypin dhe paqe e drejtësi botës”. Më pas, u zgjodhën organet e prefekturës: Prefekti, kryetari i bashkisë, komandanti i qarkut e i rrethit dhe u bë grumbullimi i xhandarmërisë.
Forcave partizane, ju erdhi në ndihmë çeta e Esat Ndreut dhe një batalion i Brigadës Maqedono-Kosovare, i përbërë nga partizanë serbë e malazezë. Vendosja e forcave serbo-malazeze në Peshkopi, i acaroi edhe më tepër marrëdhëniet midis dy krahëve politik shqiptarë. Krerët nacionalistë, kërkuan nga Faik Shehu i cili mbante anën e Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar, që të tërhiqeshin urgjentisht forcat serbo-malazeze, nga qarku i Peshkopisë.
Ky premtoi se këto forca do të largoheshin, por kjo tërheqje nuk u bë. Kështu, Qark-komandanti i Prefekturës së Peshkopisë, Miftar Kaloshi, urdhëroi mobilizimin e mbarë popullsisë së Dibrës, për dëbimin e forcave armike nga kjo krahinë shqiptare. Në këtë situatë tejet dramatike, ndërhyri përfaqësuesi i misionit ushtarak anglez, i cili ju dha ultimatum komunistëve shqiptarë, që t’i largonin partizanët e huaj nga kjo krahinë.
Mirëpo, drejtuesit komunistë shqiptarë edhe këtë herë nuk e mbajtën fjalën.
Si rezultat, më 18 tetor, shpërtheu lufta midis forcave nacionaliste shqiptare dhe forcave komuniste shqiptaro-jugosllave. Më 19 tetor, përsëri ndërhyri kapiteni anglez, i cili i kërkoi Esat Ndreut, që të ndalohej menjëherë lufta vëllavrasëse; të dorëzonte topat e kazermat; si dhe të largonte të huajt nga Peshkopia. Ai paralajmëroi Esatin se, nëse nuk zbatohej kjo kërkesë, “përgjegjësinë e luftës, e mbante ai (Esati) dhe se për këtë do të lajmëroj Londrën”.
Ndërhyrja e tij ndihmoi për arritjen e armëpushimit. Më tej kapiteni anglez, ndërmjetësoi në bisedimet që u zhvilluan midis dy palëve. Komitetin shqiptar e përfaqësuan Abaz Kupi dhe Fiqiri Dine, ndërsa, Frontit Nacional-Çlirimtar Shqiptar, Esat Ndreu. Si përfundim, u arrit marrëveshja që forcat partizane të lëshonin Peshkopinë dhe më 21 tetor, forcat partizane u vendosën në Dibër të Madhe. Këtu qëndronin, Svetozar Vukmanoviq-Tempo dhe Haxhi Lleshi. Para shtabit të Batalionit në Dibër, mbajtën fjalime, Haxhi Lleshi, Tempo e Faik Shehu.
Sipas një raporti të Sotir Vullkanit, “në këto fjalime që u duartrokitën shumë, u theksua sidomos bashkëpunimi dhe vëllazërimi në luftë me popujt fqinjë jugosllav, grek e bullgar, u demaskua sheshazi Parija, e u popullarizua lufta Nacional-Çlirimtare…”! Meqë situata në Dibër po acarohej, me kërkesë të parisë nacionaliste dibrane, Xhemë Gostivari, Mefail Zajazi, Aqif Reçani, me forcat e tyre, u shkuan në ndihmë dibranëve. Më 27 tetor, Aqif Lleshi, me forcat e veta, u nis për në Radastush dhe kërkoi që xhandarmëria shqiptare, të tërhiqej prej kësaj komune, me qëllim që aty të vendosej pushteti komunist maqedonas.
Pasi xhandarmëria shqiptare refuzoi të tërhiqej, shpërtheu lufta e cila zgjati rreth 8 orë. Në përfundim të saj Radastushi ra në duart e komunistëve. Posa u informuan për marrjen e Radastushit nga Aqif Lleshi, forcat nacionaliste shqiptare, me në krye Xhemë Gostivarin, Mefail Zajazin, Shahin Camin dhe Fik Maliqin, me 28 tetor sulmuan Radastushin dhe, pas një luftimi të shkurtër, përsëri kjo komunë ra në duart e parisë nacionaliste shqiptare.
Në momentin kur forcat shqiptare ishin të përqendruara në Dibër, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, me dy batalionet partizane dhe me çetën shqiptare të Hamdi Demës, u fut përsëri në Kërçovë. Në kazermat ushtarake, u zhvilluan luftime të rrepta mes dy forcave kundërshtare. Luftëtarët nacionalistë shqiptarë, i mbrojtën heroikisht kazermat. Në këto luftime, u dalluan në mënyrë të veçantë; Halim Sali Rexhja, Begzat Vuli, Sulçja i Aranjelit, Shefki Jagodina, Elez Jagodina, Habib Kaleshi dhe Medi Letniku.
Për sulmin që do të bënte mbi Kërçovë, Tempo njoftoi Haxhi Lleshin të cilit, i kërkoi që në këtë sulm, të merrnin pjesë edhe forcat e tij. Në raportin e shtabit të batalionit të Dibrës, dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, thuhej se: “Haxhiu ishte përgatitur me 120 partizanë, për të shkue në ndihmë te shokët maqedhonas, të cilët donin ta sulmonin Kërçovën, por mbas kësaj situate, niset për në Radastush dhe, po atë mbrëmje, me 80 partizanë të komanduar prej tij, fillojnë luftën që zgjati gjithë natën dhe të nesërmen deri nga ora 4 mbas dite. Shumë partizanë, të lodhur e të rraskapitur nga luftimet dhe pa ushqim, tërhiqen për në Dibër, ku mbërrijnë në mëngjesin e datës 31”.
Forcat nacionaliste kishin korrur suksese të njëpasnjëshme në luftimet e zhvilluara në Radastush. Luftime të ashpra zhvilloheshin edhe në qytetin e Dibrës. Sipas të njëjtit raport, forcat nacionaliste shqiptare, “të inkurajuara nga sukseset e atjeshme (Radastushit), sulmojnë me të gjitha fuqitë dhe fare në befasi (me që nuk e prisnim një sulm aq të shpejtë), thuajse pa rezistencë, hynë në pjesën lindore të qytetit, ku hynë nëpër shtëpia dhe, prej andej, vazhdojnë të luftojnë. Sulmi qe i ashpër dhe zgjati gjithë natën në këtë pjesë; nga ana tjetër, d.m.th. nga V.P.(Veri-perëndimi) sulmon Sabri Bej Maqellara; ndërsa nga jugu, sulmon Ukë Cami”.
Në kohën, kur zhvillohej luftë e ashpër në qytetin e Dibrës, Xhemë Gostivarit, i erdhi lajmi për rënien e Kërçovës në duart e forcave komuniste jugosllave. Ai, bashkë me Mefailin dhe Aqif Reçanin, lanë Dibrën dhe u nisën për në Kërçovë. Xhema dhe Mefaili, u futen në Kërçovë nga ana e Gostivarit, ndërsa Aqif Reçani, u vendos në anën e poshtme, duke u dalë partizanëve pas shpine.
Luftimet zgjatën deri në orët e mbrëmjes dhe përfunduan me disfatën e forcave partizane, të cilat u tërhoqën në drejtim të Poreçes, duke lënë disa dhjetëra ushtarë të vrarë, midis tyre edhe komandantin e batalionit maqedono-kosovar, një malazez. Nga radhët e shqiptarëve, u vranë Begzat Vuli, Sulçja i Aranjelit, Habib Kaleshi dhe disa ushtarë tjerë.
Me rivendosjen e pushtetit shqiptar në Kërçovë e Peshkopi, u dobësuan shumë pozicionet e forcave komuniste jugosllav-shqiptare, të cilat tani kishin në duart e veta vetëm qytetin e Dibrës. Kjo situatë zgjati deri më 16 nëntor 1943, kur forcat vullnetare të Komitetit “Bashkimi Dibran”, u futën triumfalisht në këtë qytet, duke i dëbuar partizanët në drejtim të Karaormanit. Më 14 gusht të vitit 1944, në Kërçovë u formua njësia partizane shqiptare.
Asaj shpejt ju bashkuan një numër i konsiderueshëm i vullnetarëve shqiptarë nga rajoni i Strugës, Dibrës dhe Kërçovës. Më 26 gusht, në malet e Karaormanit nga kjo njësi u formua brigada e IV-të shqiptare e cila, fillimisht, numëronte rreth 450 luftëtarë ndërsa, me kalimin e kohës, ky numër të shkoi deri në 5000. Kjo brigadë shqiptare mori pjesë aktive në luftimet e zhvilluara midis forcave partizane jugosllave dhe atyre vullnetare shqiptare për marrjen e Strugës, Kërçovës, Gostivarit e Tetovës. Më pas, brigada u vendos në rajonin e Preshevës e të Kumanovës, ku mori pjesë në çarmatosjen e popullsisë.
Gjatë vjeshtës së vitit 1944, udhëheqja e Partisë Komuniste Jugosllave, dhe veçanërisht Partia Komuniste e Maqedonisë , përmes parullave demagogjike, tentonte të krijonte përçarje brenda strukturave politike e ushtarake nacionaliste shqiptare në këto hapësira, të cilat në atë kohë, kishin krijuar një bashkim të fuqishëm politik dhe ushtarak. Gjatë muajit shtator, u zhvilluan luftime të ashpra mes brigadave komuniste jugosllave dhe forcave vullnetare shqiptare.
Forcat komuniste jugosllave, ndonëse ishin superiore në numrin e ushtarëve dhe në armatime, nuk arritën t’i pushtonin tokat e liruara shqiptare. I vetëdijshëm për këtë situatë, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacional-Çlirimtare të Maqedonisë, Mihajllo Apostolski, në pjesën e dytë të shtatorit, udhëtoi për në Sofje, ku arriti një marrëveshje me udhëheqësin e Partisë Komuniste të Bullgarisë, që brigadat partizane bullgare, të vendoseshin në Maqedoni.
Sipas marrëveshjes, këto brigada duhej të vepronin nga Kriva- Pallanka, në drejtim të Kumanovës. Veç kësaj, Apostolski, me pëlqimin e udhëheqjes komuniste bullgare, në Sofje, bëri mobilizimin e ushtarëve të ish-armatës fashiste bullgare, me prejardhja nga territori i Maqedonisë. Shtabi i Përgjithshëm i LNÇM-së, më 27 shtator 1944, njoftonte Shtabin e zonës IV Operative, se: “Gjeneral Apostolski në Sofje, ka bërë pranimin e të gjithë maqedonasve, të cilët kanë qenë në ushtrinë bullgare, i ka armatosur me armatim sovjetik dhe ka bërë organizimin e shumë njësive”.
Më herët, midis Shtabit të Përgjithshëm të LNÇJ-së dhe atij të LNÇSh-së, ishte arritur marrëveshje që në këto treva, të vendoseshin brigadat partizane shqiptare. Dërgimi i brigadave partizane shqiptare në krahinat e lartpërmendura, ishte kërkesë e kahershme e kreut udhëheqës të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Brigada XVIII e UNÇSH që vepronte në qarkun e Dibrës, për spastrimin e saj nga nacionalistët, me kërkesë të shtabit maqedonas, mori pjesë në luftimet e Kërçovës në shtator 1944. Rreth 1.300 partizanë shqiptarë të kësaj Brigade dhe partizanë maqedonas të Brigadës III-të, sulmuan më 21 shtator, 2000 nacionalistë shqiptarë, të drejtuar nga Xhemë Gostivari dhe Mefail Zajazi.
Komandanti i Brigadës XVIII-të, Petrit Dume, raportonte: “Në udhëtim për gjithë natën, mbërritëm mbi kodrat e katundeve Garant, Shutovë e Mahmutaj. Në anën tjetër të këtyre katundeve, operonin forcat e Brigadës së sipërpërmendur (Brigadës III maqedone). Katundet rreth ishin reaksionarë…forcat e batalionit tonë mësyjnë dhe avancojnë me luftë e me zjarr të dendur, deri në katundin Kastriot, të cilin e morëm me pak luftë, duke i ndjekur reaksionarët që e mbronin”.
Gjithashtu në Historinë e Luftës Nacionalçlirimtare, shkruhet se; më 23 shtator “forcat e batalionit IV-të të brigadës XVIII-të, kaluan në sulm nga të gjitha drejtimet, por, ashtu si parashikohej, qëndresa e armiqve ishte shumë e fortë, sidomos kur mbroheshin brenda nëpër shtëpi”. Në këtë rast “armiqtë” ishin shqiptarët vendas, që mbronin shtëpitë e tyre. Luftimet ishin të përgjakshme. Midis partizanëve të vrarë, ishte edhe Ibe Palikuqi, e cila në mënyrë të falsifikuar, është paraqitur nga historiografia komuniste, se u vra në përleshje me gjermanët, por ajo ishte viktimë e luftës civile.
Këto luftime zgjatën deri më 17 nëntor të atij viti, kur forcat e koalicionit komunistë, jugosllavo -shqiptarë, e morën Kërçovën me rrethinë. Është e rëndësishme të vihet në dukje fakti se, disa ditë para se të merrej Kërçova, qenë zhvilluar luftime të ashpra, ndërmjet njësive kreshnike (vullnetare) shqiptare të udhëhequra nga Xhemë Gostivari dhe Mefail Zajazi, nga njëra anë dhe forcave të koalicionit komunistë jugosllavo-shqiptarë.
Sipas një plani të hartuar nga Korparamata e XVI-të jugosllavo-maqedonase, ishte paraparë që ndërmjet datës 7-8 nëntor 1944, njësitë ushtarake të Divizionit 48 maqedonas, së bashku me Brigadën e IV-të shqiptare dhe batalionin e IV-të të Brigadës së XVIII-të Sulmuese të Shqipërisë, të futeshin në fshatrat Tuhin, Dolencë, Papradishtë; Brigada e XV-të maqedonase, duhej të sulmonte fshatrat Sërbicë, Aranjell dhe Novosellë, kurse Brigadae VI-të maqedonase, fshatrat Prenkë, Goranë dhe Shutovë.
Fillimisht, forcat partizane përparuan duke u futur në disa fshatra shqiptar,e ku nisën të djegin shtëpitë si dhe të ushtrojnë terror mbi popullatën civile, gjë që revoltoi popullsinë shqiptare, e cila u mobilizua anembanë vendbanimeve shqiptare dhe me një kundërsulm të fuqishëm, i detyroi brigadat e shumta maqedono-shqiptare, të tërhiqeshin me humbje të mëdha.
Në telegramin që shtabi i Divizionit 48, ia dërgoi shtabit të Korparmatës XVI-të, thuhej se; në luftimet e ashpra që u zhvilluan në drejtim të fshatit Sërbicë, njësitë partizane u thyen shumë shpejt, sepse forcat shqiptare, me ndihmën e madhe që u erdhi nga Gostivari, i detyroi brigadat maqedonase të tërhiqeshin prej vendbanimeve shqiptare…”!
Krahas zonës së Kërçovës, luftime të ashpra asaj kohe u zhvilluan edhe në zonën e Treskës, përkatësisht në Karshijakë dhe Derven të Shkupit. Shtabi i Divizionit 42 të LNÇJ-ës për Maqedoni, më 27 tetor 1944, i raportonte Shtabit të Korparmatës I-rë, se ndërmjet datës 24-25 tetor 1944, njësitë e këtij divizioni, kishin zhvilluar luftime të ashpra me forcat vullnetare shqiptare, në sektorin Gllumovë-Shishovë, Kushapek-Gërçec, si dhe në sektorin Sallarevë-Gurgunicë-Zhelinë. “…Luftimet, – theksohej në raport, – kanë qenë shumë të ashpra dhe se shqiptarët ishin dominues, si në njerëz, po ashtu edhe në armatim…”!
Nga e mësipërmja, mund të kuptohet edhe shkaku për tërheqjen e brigadave VI-të dhe VIII-të…! Luftimet në këtë zone, zgjatën deri më 15 nëntor, kur një delegacion i parisë shqiptare, i përbërë nga; Shefqet Ornaça, Qazim Lusha, Qemal Skënderi dhe Mehmet Bushi, udhëtoi për Zhestov (Gjorçe Petrov të Shkupit), për të biseduar me shtabet e trupave maqedonase.
Si përfundim, u arrit marrëveshja sipas së cilës, të dyja palët nuk do të konfrontoheshin me armë, ndërkohë në Tetovë, do të hynin njësitë e UNÇ-ës maqedonase. Këta të fundit, i premtuan delegacionit shqiptar, se në Tetovë, nuk do të bëheshin arrestime, me përjashtim të atyre që “kishin kryer krime”, të provuara gjatë periudhës së okupacionit.
Ashtu siç edhe pritej, posa u vendosën brigadat partizane shqiptare, njësitë e UNÇJ-së si dhe forcat çetnike, ndërmorën një aksion të ashpër kundër popullsisë shqiptare, që nga Struga e deri në Kumanovë, duke vrarë dhe masakruar qindra shqiptarë të pafajshëm, mijra të tjerë u arrestuan dhe i vendosën nëpër kampet e përqendrimit, nëpër kazermat ushtarake e lokalitete tjera, si në Monopolin e Duhanit në Tetovë, në kazermat ushtarake në Kërçovë e Gostivar, në shkollat e Saraqinës dhe të Grupçin-it etj.
Këto veprime represive, u kryhen me urdhër të udhëheqjes së lartë politike e ushtarake maqedonase. Këtë e dëshmonte urdhëresa e shtabit të Korpusit të XV-të LNÇM-së e 18 nëntorit, në të cilën u kërkohej brigadave partizane, që me datën 19 nëntor, të vendosnin nën bllokadë qytetin e Gostivarit, pastaj të grumbullonin tërë meshkujt e aftë për armë dhe t’i vendosnin nëpër llogore e, në ndonjë ndërtesë të përshtatshme dhe në të njëjtën kohë, të grumbullohej i gjithë armatimi, municioni, si dhe arsenali tjetër ushtarak.
Një ngjarje që tronditi thellë opinionin e gjerë shqiptar, ishte masakra e kryer në fshatin Bllacë të Shkupit, më 18 nëntor nga Brigada e XVI-të, ku, nga të dhënat, tashmë të dokumentuara, rezulton se; u masakruan 111 burra të këtij fshati. Krimet dhe masakrat partizane ndaj popullsisë civile shqiptare, e shtynë nënkryetarin e Frontit Popullor të Republikës Federale të Maqedonisë, Hasan Shukriun, të reagonte. Në një mbledhje që u mbajt më 7 dhjetor 1944, ai vuri në dukje, disa ngjarje të pakëndshme dhe arbitrare, nga ana e forcave partizane ndaj popullsisë shqiptare.
Ai, ndër të tjera, tha se; “në fshatin Sopot të Kumanovës, janë vrarë 66 fshatarë, edhe pse ky fshat, në të kaluarën, u ka ndihmuar partizanëve; në fshatin Malishevë, janë vrarë 42 persona; në fshatin Izvor, 40 vetë; në fshatin Vaksincë, 16 vetë. Në Tetovë janë burgosur 5000 vetë, 17 prej të cilëve kanë vdekur nga uria….etj” Pas këtij referimi të Hasan Shukriut, mbledhja mori vendimin për nxjerrjen e një qarkoreje në të cilën, do të sqarohej se cili mund të burgosej, gjykohej, kontrollohej etj. Kjo rregullore do t’i dërgohej ushtrisë, OZNA-s dhe Presidiumit.
Paralelisht me këto masa represive, pushteti i ri komunist maqedonas, në muajin dhjetor, organizoi tubime në vend-banimet shqiptare, popullatën shqiptare e nxori me dhunë në sheshet e qyteteve, ku mbajtën fjalime edhe disa komunistë shqiptarë. Në janar të vitit 1945, Liri Belishova, anëtare e Byrosë Politike e K.Q. të PKSH-së, e cila mori pjesë në Konferencën e Rinisë Ballkanike në Shkup, mbajti një fjalim në frymën e vëllazërim-bashkimit, pa asnjë fjalë kritike, ndaj sjelljeve të ushtrisë jugosllave ndaj popullit shqiptar.
Ajo deklaroi: “Vëllazërimin tonë me rininë jugosllave, e kemi forcuar në luftën për Dibrën dhe në luftërat e territoreve të tjera të Jugosllavisë,” dhe duke ju kundërvënë; “provokimeve të shumta, për të na detyruar të luftojmë kundër njëri-tjetrit, që ta ngrinim ushtrinë tonë nacionalçlirimtare kudër Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Marshalit Tito. Me gjithë këto përpjekje, ne nuk qëndruam kundër njëri-tjetrit, simpatia dhe dashuria e rinisë shqiptare, ndaj rinisë jugosllave, sot është shumë e madhe”.
Ndryshe nga Liri Belishova dhe komunistët shqiptarë, mendonte inteligjenca e atëhershme shqiptare e cila, e irrituar nga sjelljet barbare të forcave komuniste jugosllave ndaj popullsisë civile shqiptare, e pa të domosdoshme, themelimin e një organizate ilegale shqiptare, qëllimi final i së cilës ishte: “Çlirimi dhe bashkimi i tokave të robëruara shqiptare me Shqipërinë”.
Ndër shkaqet më të rëndësishme, përse inteligjenca shqiptare e Shkupit, vendosi të vepronte ilegalisht, ishin; “mohimi i së drejtës për vetëvendosje, të shqiptarëve në Kosovë dhe në viset Veriperëndimore të Maqedonisë”, si dhe përpjekjet e disa pushtetarëve të qytetit, që në Shkup të mos hapeshin shkolla shqipe, por vetëm ato turke, sepse, sipas tyre, “në qytetin e Shkupit, nuk ka shqiptar, por vetëm turq”.
Shqiptarëve jo vetëm ju mohua e drejta e vetëvendosjes, por atyre ju morën edhe disa të drejta të pakta qytetare e kombëtare që ju ishin garantuar me vendimet e ASNOM-it, siç ishin: përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, pjesëmarrja proporcionale në këshillat popullorë, përdorimi i gjuhës shqipe, përfshirja e barabartë e shqiptarëve në administratën e komunave ku ata jetonin etj. Mohimin e këtyre të drejtave, autoritetet komuniste të Shkupit, e arsyetonin gjoja me “pakënaqësinë e popullsisë maqedonase në viset perëndimore të Maqedonisë”, e cila thuhej se kishte qenë “ dyfish e robëruar gjatë okupacionit shqiptar”, andaj ajo, “ i pranonte me një rezervë të madhe këto ndryshime dhe ndihej si e distancuar”.
Ky qëndrim i rezervuar i popullsisë maqedonase, sipas anëtarit të ASNOM-it, Jordan Ballazheski, kishte ardhur për shkak se; “nëpër objektet shtetërore, krahas flamurit shtetëror qëndrojnë edhe flamujt shqiptarë; Shqiptarët marrin pjesë në mënyrë të barabartë gjatë zgjedhjeve të Këshillave Nacionalçlirimtare, qofshin të qyteteve apo të fshatrave; ata parashtrojnë kërkesën që në plenum dhe nëpër këshillat ekzekutive, të kenë më shumë përfaqësues të tyre; shtrojnë edhe çështjen e vetë administratës, e cila duhet të udhëhiqet paralel me administratën tonë (maqedonase), prandaj kërkojnë edhe numër të njëjtë të nëpunësve në administratë; nëpër institucionet shtetërore në detyrë, kanë ngelë të gjithë nëpunësit shqiptarë të regjimit të kaluar, të cilët kanë ardhë nga Shqipëria e vjetër, etj”!
Sipas Bllazheskit, që të ndërpritej politika “shqiptaro-madhe” në Maqedoni, duhej të ndërmerreshin këto masa urgjente nga ana e Presidiumit të ASNOM-it: “Të shkarkohen nëpunësit shqiptarë të cilët kanë ardhë nga Tirana; turqve t’u jepen më shumë poste dhe të drejta, të cilat tash për tash nuk mund t’u sigurohen nga shqiptaro-mëdhenjtë; njëkohësisht të drejtat dhe obligimet të jepen, jo sipas numrit të popullsisë, por sipas pjesëmarrjes në luftën nacionalçlirimtare”. Memorie.al
Marrë nga koha.mk