Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Edhe pse kanë kaluar 44 vite nga ngjarja e 26 shtatorit të vitit 1982, kur diku në bregdetin e Divjakës zbarkoi e ashtuquajtura “Banda Xhevdet Mustafa”, si dhe mbi 35 vite nga shembja e regjimit komunist, ku janë bërë publike me dhjetëra e dhjetëra dëshmi e dokumente arkivore për atë ngjarje, përsëri ajo ngjarje mbetet e mbuluar me mister dhe e vërteta rreth saj ende ka mbetur e pazbardhur plotësisht. Madje pa e ekzagjeruar aspak, mund të thuhet se “Banda Xhevdet Mustafa”, është një ndër misteret më të mëdha të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, përgjatë 45 viteve të sundimit të tyre. Pikëpyetjet më të mëdha dhe kryesore rreth saj, lidhen jo vetëm me rolin e Sigurimit të Shtetit në përgatitjen dhe sjelljen e saj në Shqipëri, por edhe me qëllimin apo misionin primar që kishte e ashtuquajtura “Banda Xhevdet Mustafa”! Pra: “vrasjen e udhëheqësit kryesorë të Partisë”, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të asaj kohe, e artikuluar gojarisht dhe shkruar edhe nga vetë Enver Hoxha), por edhe me mënyrën se si u paraqit dhe veproi ajo pas zbarkimit në bregdetin e Divjakës; duke filluar që nga pamja e tyre e jashtme (veshjet dhe armatimi), apo duke eliminuar fizikisht disa persona, të cilit nuk e rrezikonin aspak rrugëtimin e tyre drejt Tiranës, gjë të cilat siç dihet, çoi dhe në dekonspirimin e tyre!
Lidhur me sa më sipër, ka aq shumë pikëpyetje dhe mistere, saqë do të duheshin shkrime të tëra dhe përsëri çdo analizë e bërë, nuk do të ishte shteruese! Madje mund ta shtojë edhe më shumë “mjegullën” që ka mbuluar atë që nga 26 shtatori i vitit 1982, kur ajo zbarkoi diku në bregdetin e Divjakës. Nisur edhe nga kjo, si dhe interesin e madh që ka pasur dhe vazhdon të ketë për të ashtuquajturën “Banda Xhevdet Mustafa”, në vazhdën e dëshmive si dhe dokumenteve arkivore që kemi publikuar në afro 35 vite nga shembja e regjimit komunist, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore të nxjerra së fundmi nga fondi i AIDSSH-së (Autoriteti për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV EQEREM SALIHI, LIDHUR ME VEPRIMET E DEGËS SË PUNËVE TË BRENDSHME TË LUSHNJES, PAS MARRJES SË NJOFTIMIT PËR PERSONAT E VRARË NË ZONËN E DIVJAKËS MË 16 .X.1982 DHE ASGJËSIMIN E “BANDËS”
Disa të dhëna në lidhje me bandën e kryesuar nga Xhevdet Mustafa
- Rreth orës 21 e 30, oficeri Operativ i Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, është njoftuar (me sa mbaj mënd) nga i vëllai i S. Zh., nga Divjaka, i cili kërkonte sqarime: Përse nuk është kthyer vëllai akoma, jemi bërë merak, pasi janë parë duke shkuar në Dajlan me varkë, dhe nuk janë kthyer akoma, i vëllai, S…, R…,B…, E…, A…dhe S…B…!
- Rreth kësaj ore, ka marrë njoftim oficeri operativ i Degës së repartit ushtarak në Divjakë, se varka (që përdoret për plazhin) është gjetur jashtë vendit ky kyçet, dhe se personat nuk janë parë që të kthehen. Motorin e kishin hequr dhe futur brenda në varkë, ose e kishin futur në repart.
- Në linjë të vetme reparti ushtarak njofton për këtë ngjarje Operativin e Ministrisë së Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, i cili i kërkon sqarim Degës së Brendshme Lushnje. Këto i përgjigjen se: Në Divjakë kanë qenë në stërvitje zboristët tanë dhe aty duhet të jenë.
- Nga operativ i Lushnjes njoftohet shefi i Policisë Fane Xhuveli dhe ish-kryetari i Degës Kapllan Shehu. Rreth orës 23.00, Fane Xhuveli vjen në Degë, merr dy Punëtor Operativ, Pëllumb Sinoimerin dhe Edmond Radën, dhe shkojnë në Divjakë për t’u vënë në kërkim të personave të “humbur”.
- Rreth orës 02.30 të datës 26.9.1982, ish-shefi i Policisë merr në telefon nga Divjaka, si ish-kryetarin e Degës, Kapllan Shehu, ashtu dhe Operativin, të cilëve u thotë se:
Ngjarja është serioze, varka është gjetur në vend jo të zakonshëm, shokët akoma nuk i kemi gjetur, mendoj të njoftohet Ministria. Në varkë është gjetur një peshqir me mbishkrim amerikan. Jepet mendimi se mund të jenë “mbytur” dhe nuk dilet me konkluzion se mund të jenë bandë.
- Rreth orës 6-7 të mëngjesit, po të kësaj date, (26.9.1982), është diktuar në dukje “i mbyturi” i parë ish-zëvendës shefi i Policisë R…B…, dhe nga kërkimet edhe dy të tjerët, E… A…dhe S…Z…!
Rreth orës 7 deri në 8 të mëngjesit, është njoftuar për ngjarjen (ndoshta dhe më herët), ish-kryetari i Degës Kapllan Shehu, i cili vjen në Degë, njofton sekretarin e Byrosë së kooperativës së Çermës, të dilni në rrugë, do t’ju jap materialet e plenumit që t’i punoni juve, se unë do shkoj në Divjakë se kam një ngjarje.
- 7. Pasi jam njohur me ngjarjen në Divjakë, prej aty (thotë Kapllan Shehu), jam lidhur me ministrin dhe e kamë vënë në dijeni, ku kamë kërkuar edhe ndihmë, si hetues, ekspertë e tjerr.
- Pasi ka ardhur në Degë, është ngritur Dega në alarm, të cilët u vunë në dijeni për ngjarjen dhe masat që duheshin marrë. U tha se Sokrat Biti nuk gjendet, mund ta ketë rrëmbyer banda.
- Rreth orës 13.00, Xhevdet Mustafa është rrethuar në shtëpinë në të cilin u vra në fshatin Çermë. Ndërsa Sabaudin Haznedari është vrarë më parë në Rrogozhinë, kurse ai tjetri u zu. Duke qëndruar në pritë, kemi dëgjuar këto fjalë, por të pa konkretizuara:
– Ai që u kap ka thënë; “mos më bëni gjë mua se unë jam miku i Kadri Hazbiut”. Flitej sikur Kadri Hazbiu i ra me pëllëmbë.
– Thuhet sikur janë kërkuar edhe kostume kundër plumbit.
– Kur ju bë thirrje nga Kapllan Shehu që të dorëzohej, Xhevdeti tha: “Nuk dorëzohem, unë municion kam plotë, dhe katër orë më duhen, pastaj do mësoni se çfarë do të ndodh! 250 vetë, apo 270 vetë (nuk dihet me saktësi), tha janë nisur për në Tiranë. Thirrje për t’u dorëzuar i kanë bërë edhe të tjerë.
Pas likuidimit të Xhevdetit, u afrua për të parë edhe armiku Kadri Hazbiu. Dukej shumë i shqetësuar.
Këto gjëra janë mësuar nga analiza që i është bërë problemit e pjesëmarrja në të.
Punëtori Operativ
Eqerem Salihi
DOKUMENTI ARKIVOR I HARTUAR NGA KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME TË LUSHNJES, LIDHUR ME PERSONAT NGA DIVJAKA TË E “IMPLIKUAR” ME “BANDËN XHEVDET MUSTAFA”, DHE ROLI I KADRI HAZBIUT GJATË RRETHIMIT TË XHEVDET MUSTAFËS NË ZHAMË
SEKRET
Lushnje, më 23.2.1983
I N F O R M A C I O N
MBI SQARIMIN E DISA LIDHJEVE
Nga verifikimi që iu bë personave të poshtëshënuar, rezulton se:
- Mihal Biti, nga katundi Divjakë i rrethit të Lushnjes, me punë në ndërmarrjen e Bonifikimit. Qëndrimi i tij në të kaluarën, i miri. Ka djalë Sokrat Bitin, ish-polic në këtë Degë dhe aktualisht i dënuar me 8 vjet heqje lirie për shpërdorim detyre dhe si udhërrëfyes i bandës së Xhevdet Mustafës. Aktualisht mban qëndrim indiferent dhe është shprehur se:
“Shyqyr që nuk u ngatërrua gjë me qeverinë djali im Sokrati, të cilin edhe në burgje e trajtojnë mirë”. Mihali ka qenë gjahtar dhe ka dalë disa herë për gjah, kryesisht me armiqtë Beqir Balluku, Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, me të cilët ka pasur shkuarje të mirë.
Për veshjen polic të djalit të tij, Sokrat Biti, thuhet se ka pasur ndërmjetësi nga Rexhep Kolli dhe Feçor Shehu.
- Ismail Ibishi, me origjinë kosovar, ardhur në vitin 1947 në rrethin e Lushnjes, aktualisht i vdekur. Ismaili gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka marrë pjesë në organizatën tradhtare “Balli Kombëtar”. Thuhet se “Balli Kombëtar” i ka dhënë urdhër për djegien e fshatit të Karaman Yllit, por ky nuk e ka kryer atë veprim.
Në kohën që fshati Babunjë u bë kooperativë bujqësore, është emëruar kryetar i kooperativës ku ka qendruar deri në vitin 1959, kohë në të cilën është larguar nga fshati dhe ka ardhur me banim në qytetin e Lushnjes.
Në vitin 1949, është tërhequr……, por në kartelën e tij nuk ka asnjë shënim për kohën e përjashtimit dhe aktivitetin e kryer. Dosja duhet të jetë asgjësuar.
Ismaili ka qenë gjahtar dhe shoqërohej shumë me armikun Kadri Hazbiu. Në ngarkim të pjesëtarëve të familjes së tij, nuk disponohet ndonjë material.
- Ismail Tërnova, me origjinë kosovarë dhe me banim në qytetin e Lushnjes, është shef llogarie në stacionin e trenit, ka qenë A.P. dhe është përjashtuar për thashetheme. Në drejtim të tij nuk disponohet ndonjë material.
- Mustafa (Muç) Kacabuni, nga fshati Kryekuq i rrethit të Lushnjes, vdekur aty nga viti 1978, ka qenë me influencë dhe qehaja i Veis dhe Arif Beut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare bashkohet me krerët e “Ballit” Isa Manastiri e Him Konoshin; në 1943 inkuadrohet me “Ballin”, emërohet komandant toge me gradën kapter.
Mbas çlirimit të vendit, shtëpia e tij është frekuentuar nga armiqtë Mehmet Shehu, Beqir Balluku e Kadri Hazbiu dhe është trajtuar si familje me qëndrim të mirë. Në drejtim të pjesëtarëve të familjes së tij, nuk ka dalë ndonjë reagim.
Armiku Kadri Hazbiu më datën 26.9.1982 ka qenë në vendin ku është rrethuar banditi Xhevdet Mustafa dhe ka qëndruar mbi një kodër në shtëpinë e rrethuar, thuhet se ka dhënë urdhër që t’i jepet një pistoletë gruas së shtëpisë që u rrethua për të vrarë Xhevdetin, por gruaja s’ka pranuar. Ka thirrur disa herë Kapllan Shehun, ish-kryetarin e Degës së Punëve Brendshme, por se çfarë porosie i jepte, nuk dihet.
Kapllani në një rast kur kthehet nga takimi me Kadri Hazbiun, i thërret në emër Xhevdet Mustafës për t’u dorëzuar, por Xhevdeti i është përgjigjur: “U ftofshë! Pse Xhevdeti jam unë…”?! Thuhet, por nuk dihet burimi ekzakt, se kur ka vajtur Kadri Hazbiu në Rrogozhinë, është takuar e një nga pjesëtarët e bandës dhe i ka thënë:
“Pse nuk erdhe në vendin e caktuar”?! – dhe në këtë rast sikur e ka qëlluar njëherë. Në zonën e Divjakës, armiku Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu kanë shkuar vazhdimisht me pretekste gjuetie dhe nuk kanë pranuar të merrnin masa sigurimi në bazë të rregullit për ruajtjen e udhëheqjes!
KRYETARI I DEGËS SË P. TË BRENDSHME
REFAT SADE
DOKUMENTI ARKIVOR I HARTUAR NGA PUNËTORI OPERATIV I SIGURIMIT TË SHTETIT, REFAT MEDIU, ME TË DHËNAT E GRUMBULLUARA NGA DEGA E BRENDSHME E KUKËSIT, LIDHUR ME ATO QË FLITEJ NË POPULL, PËR “BANDËN XHEVDET MUSTAFA”
Kukës 29.1. – 5.2.1983
Dhënë B.p. “Blini”
Marrë P. Op. R. Mediu
Raport i dt. 6.1.1983
Ai njofton se me datën 23.12.1982, është takuar rreth orës 12. me Islam Jaho Dobrushi nga fshati Shemri, tek shtëpia e tij. Gjatë bisedës lidhur me tradhtinë e Mehmet Shehut, Islami tha se; kishte ardhur në Kosovë djali i Zogut dhe kishte folur aty, se ata që u dërguan në Shqipëri (grupi Xhevdet Mustafës), kanë qenë të mijtë”.
Pastaj Islami tha: “Në qoftë se djali i Zogut do nxjerrë përsëri këtej të arratisur, do bëhet name, kanë për të na prish, se këta nuk e lëshojnë kollaj. “Xhevdet Mustafa – vazhdoi Islami, – ka thënë; “Na paç më qafë Kadri Hazbiu, që na ke kërkuar para kohe”!
Qëllimi i tyre – tha Islami; ka qenë që të futeshin në Tiranë dhe të vriteshin udhëheqësin kryesor të Partisë (duke e cilësuar me emër). Ai i tha se; Jo more, se Kadriu nuk i ka njoftuar ata që të vinin si diversantë. Islami u përgjigj: “Po, po, ai (Kadriu), i ka njoftuar se ka ditë që do ta kapnin”!
Në këtë kohë në dhomë erdhën dhe njerëz të tjerë të shtëpisë dhe biseda nuk vazhdoi më.
“Blini”
Sqarim:
Islam Dobrushi është në përpunim aktiv 2/A, si i…..! Është në moshë të vjetër dhe një djalë i tij, Muharrem Dobrushi, është i arratisur jashtë shtetit.
Vlerësim:
E dhëna ka vlerë, sepse objekti zhvillon komente lidhur me dërgimin në vendin tonë të bandës së Xhevdet Mustafës, por B.p. nuk ka mësuar se nga i di objekti këto, kush ja ka thënë, duke u ndruajt të pyesë për këtë, se mos e kuptonte objekti interesimin e tij? Për këtë, B.p. u kritikua në takim.
Detyrë:
Do të bisedosh përsëri me Islamin për librin “Titistët”, duke i thënë se: “Unë nuk e kam gjetur këtë libër, pore e kam dëgjuar nga emisionet e radios dhe më është dukur shumë interesant se demaskonte keq jugosllavët. Në këtë libër fliste dhe për bandën e Xhevdet Mustafës, por nuk zgjatej shumë.
Gjithashtu do të mësosh se nga i dinte Islami se djali i Zogut, (Leka), ka ardhur në Kosovë, si dhe fjalët e tjera për bandën e Xhevdet Mustafës.
Masat operative:
Meqenëse nga lidhjet miqësore të objektit është studiuar e do të tërhiqet në bashkëpunim sekret një kandidat për kontrollin e kontingjenteve, do të synohet se ky kandidat menjëherë pas tërheqjes së tij, do të futet me vijë-sjellje tek objekti i përpunimit.
E dhëna të shtypet në katër kopje, një për objektin Islam Dobrushi, një për Drejtorinë e III-të për Leka Zogun, një për grupin operativ në Ministri, dhe një do të mbahet në Degë, për drejtimin e Kundër Zbulimit.
PUNËTORI OPERATIV
Rafet Mediu
Shoku Ylli
T’u bëhet e njohur shokëve të Kukësit detyra që vë shoku Ministër, dhe të ndjekim zbatimin e saj deri në fund. / Memorie.al
Enver Zeneli
















