• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, April 15, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pas komandës; zjarr, 16 të dënuarit me vdekje ranë në tokë, por Fejzi Alizotin s’e kapën plumbat dhe kur ai i tha Bedri Spahiut; ma falni jetën, ai…”/ Dëshmia e priftit që asistoi në pushkatimin e tyre

Kalendari Historik 13 Prill
“Mërgim Korçës iu akordua titulli i lartë; ‘Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës’, me urdhër të vetë Enver Hoxhës, i cili në këtë rast…”/ Refleksionet e publicistit të njohur nga SHBA-ës
“Tuk Jakova kishte si qëllim që të rrëzonte udhëheqjen e Partisë dhe të dilte vetë …”/ Dokumentet e panjohura të ish-Sigurimit të Shtetit, për zëvendësin e Enver Hoxhës!
“Nga Fejziu, ministri Zogut që u pushkatua me ‘Gjyqin Special’, te i biri, Rizai, i diplomuar në Oksford, që e varën në litar në Kuçovë dhe…”/ Historia tragjike e sagës Alizoti
“Kur Mehmet Shehu dhe Bedri Spahiu shkuan në burgun e Burrelit dhe i thanë Mirash Ivanajt; besojmë se do i kesh rishikuar pikëpamjet e tua, ai…”/ Historia e panjohur e ish-ministrit të Arsimit të Monarkisë
“Nga Fejziu, ministri Zogut që u pushkatua me ‘Gjyqin Special’, te i biri, Rizai, i diplomuar në Oksford, që e varën në litar në Kuçovë dhe…”/ Historia tragjike e sagës Alizoti

Nga Mërgim KORҪA

                     “DYFYTYRËSIA E BEDRI SPAHIUT, SIPAS KUNDËRTHËNIEVE TË TIJA”!

Memorie.al / Nuk është rastësia ajo që më shtyn mbas shkrimit me titull: “Kur do të shkruhet historia, si edhe njerëzit e përfshirë në të pa zbukurime dhe as pa shëmtime”? – të ndalem dhe të shkruaj për strumbullarin e padisë së ‘Gjyqit Special’, gjeneral majorin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Bedri Spahiun. Ruaj për të shumë kujtime dhe nga ana tjetër di edhe shumë dëshmi për të. Gjithashtu kam lexuar me vëmendje të madhe, si autokritikën e tij publike e, me akoma më të madhe kureshtje, ‘Testamentin Politik’  shkruar prej tij. Do të mundohem të qëmtoj mes tyre domosdo edhe t’i shtroj për diskutim. Në ‘Gjyqin Special’ Bedriu qe prokuror e Koçi Xoxe kryetar dhe dënuan me akuza shumë të diskutueshme e të përgjithshme, koka të inteligjencës dhe patriotizmit shqiptar.  

Po pas  tre vitesh? Në Gjyqin e Koçi Xoxes, Bedriu qe prap prokurori që kërkoi pushkatimin e Koçit, bashkëluftëtarit, bashkanëtarit të Byrosë Politike, e shumë e shumë bashkë të tjera që e lidhnin me Koçin! “Parimor”, mund të thotë ndokush për të. “I pa besë ndaj shokëve”, mendon ndonjë tjetër. “I verbuar në shërbimin besnik ndaj diktatorit”, shton një i tretë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj

“Në 1977-ën, Kardinali Humberto Medeiros i Bostonit dhe Peshkopi ortodoks shqiptar Marko Lipe, bënë një deklaratë për ligjet antifetare në Shqipëri, ku…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

Të gjitha këto janë pikëpamje të ndryshme, dakord. Po vetë Bedriu në ç’rrugë arsyetimi na fut me pohimet e tij? Bedriu pohon edhe në vitet e pleqërisë së thellë, se; “Sikur njëmijë herë të ngjallej Bahri Omari, dhe unë të isha prokuror, me kënaqësinë time do t’a pushkatoja edhe njëmijë herë të tjera, pa urdhrin e Enver Hoxhës”.

Sa mllef shpreh ky pohim dhe nga ana tjetër sa dhimbje shkakton, tek e gjykojmë sot pohimin e sipërm! Mllefi i tij prej inatçiu të pakorrigjueshëm na bën t’a mëshirojmë, (duke u munduar të jemi skajshmërisht të drejtpeshuar ndaj tij), por ama nuk ka se si të mos na e kujtojë për bashkëshoqërim mendimesh, fjalën e urtë të lashtë romake, e cila thotë se; “Errare humanum est, sed perseverare diabolicum”! (Të gabosh është njerëzore, kurse këmbëngulja në gabim, është djallëzore).

E lemë tashti së gjykuari mllefin e tij dhe analizojmë objektin e dhimbjes sonë. Bedriu pohon me gjakftohtësinë më të madhe se do ta ri-pushkatonte edhe njëmijë herë të tjera Bahri Omarin edhe pa urdhrin e Enver Hoxhës. Ky pohim i bërë dhe i përsëritur prej tij, sinqerisht na fut në mendime të thella si t’a ruajmë paanësinë e gjykimit rreth personit të tij. Në faqen 27 të “Testamentit politik” të Bedri Spahiut, të cilin ai i drejton qeverisë me akuzat e tija më 24 janar 1965, ai shprehet:

“Ju padis në vend që t’i zhvilloni hetimet në bazë të sistemit shkencor që është sistemi i Republikës sonë, ju i zhvilloni ato në bazë të sistemit inkuizitor mesjetar, i cili është kategorikisht i ndaluar nga ligjet e Republikës, është cilësuar si faj penal nga këto ligje…” dhe më tutje në sqarimet e tija vazhdon: “Sa shpejt e harruat ku çoi një metodë e tillë në 1946 – 1948”?!

Sa kundërthënës Bedri Spahiu prokuror, si edhe plak, i krahasuar me Bedri Spahinë e burgosur. Përgjatë viteve të burgut, ai kërkon zbatimin e legjislacionit shkencor të hetuesisë, po kur del nga burgu dhe e përsërit me shkrim sërishmi pohimin e tij, sa sadist e po aq kriminal, se si do të vepronte ndaj Bahri Omarit, aty e pranon si normale, se po të jepte urdhër Enver Hoxha, nuk duhet patur as më të voglin dyshim, se ai urdhër makabër inkuizicional  do të zbatohej nga Bedri prokurori!

Analizojmë tashti kur Bedri Spahiu flet për jallan shahitët (dëshmitarët e akuzës gënjeshtare), dhe në faqen 72 thotë se: “Ju keni veç tjerash edhe shembullin e 1948-ës, kur të dënuarit u përdorën si dëshmitarë akuze kundër Koçi Xoxes”. E lexoj këtë kalim dhe sikur dikush m’i heq me dorë dhjetëra e viteve, kaluar gjysëm qindvjeçari, nga shtati si dhe nga kujtesa, e më del përpara sikur t’ishte dje zhvillimi i gjyqit të Koçi Xoxes.

Mbaj mënd shumë fakte që mund të rikujtoja, si p.sh. kur Koçi deklaroi se kish tentuar prerjen e damarëve, që t’u jepte fund torturave e, së bashku me to edhe jetës, po do të ndalem në njërin nga momentet kulmorë që lidhet drejtpërsëdrejti me prokurorin e gjyqit, Bedri Spahiun.

Koçi Xoxe pat deklaruar se shihte qartë që ishte pré e një komploti të kurdisur kundra tij, duke pohuar se kishte qëndruar rreth dy muaj i lidhur, duke iu nënshtruar torturave e, ç’ishte më e madhja, duke i ushtruar trysni të madhe edhe familjes së tij. E Bedri Spahiu, me rrëmbimin e tij karakteristik, i ishte vërsulur duke thënë se ai (Koçi), tashti që iu zbulua plani kriminal, s’dinte se ç’thoshte, se atë, jo torturuar që s’e kishim, por as me borzilok nuk e kishin prekur! Pra krye-hetuesi Bedri Spahiu në këtë rast, me prepotencën që i jepte posti i tij, i bëri të tillë trysni psikologjike të pandehurit Koçi Xoxe, sa që  ai i revoltuar deklaron se nuk do të fliste më asnjë fjalë.

E prokurori i gatshëm replikon duke iu drejtuar kryetarit të trupit gjykues, Frederik Nosit, të mbante shënim se si i pandehuri refuzonte të fliste, se nuk donte të thoshte asgjë për Titon e, kështu t’i dilte zot këtij të fundit (Titos). I kujtoj ato situata e lexoj se si në “Testamentin” e tij Bedri Spahiu vazhdon e thotë: “Ju padis se në praktikën e punës suaj, ju keni zëvendësuar parimin, sipas të cilit hetuesi duhet t’i provojë të pandehurit akuzën, hetuesit”. (faqe 27).

Më poshtë thotë: “… nga pikëpamja e larmisë së metodave kriminale, këta tanët ua kalojnë të tjerëve dhe të gjithë së bashku. Dhe këtë e them unë që kam qenë i burgosur politik edhe në kohën e Zogut, dhe të fashizmit dhe jo vetëm një herë, dhe jo vetëm në një burg!” (fq. 112). E ndërpres leximin i tronditur. Nga njëra anë kam përpara shkrimet e gazetave, që si aktualitet trajtojnë gjetjen e vendit ku janë pushkatuar 17 martirët e ‘Gjyqit Special’.

Nga ana tjetër e kam të freskët leximin me akuzën që i drejton Bedri Spahiu, tashmë i burgosur, qeverisë lidhur me mjetet që përdoren kundra të burgosurve. Por nuk ka se si të mos më kujtohet edhe skena kur logjikës së ftohtë dhe rigoroze të Kolë Tromarës në sallën e gjyqit, përfaqësuesi i akuzës Bedri Spahiu, duke mos ditur se si t’i kundërvihet, bën gafën e cila nuk e besoj se ka precedent në analet e seancave gjyqësore: rrëmben mbajtësen e mikrofonit dhe matet t’a qëllojë të pandehurin Kolë Tromara!

E kjo, në sallën ku zhvillohej seanca e ‘Gjyqit Special’ në praninë e qindra pjesëmarrësve! E unë tashti, mbas dhjetëra vitesh, duke u munduar së bashku me paanësinë më të skajshme, nuk kemi se si të mos i themi vetes: kur në sallë dhe para publikut, prokurori nuk e frenon dot veten dhe vepron brutalisht, vallë ç’dhunë fizike i ka lejuar vetes përgjatë hetuesisë?

Sa kundra-thënës qëndrimet si edhe veprimet e Bedri Spahiut si prokuror i ‘Gjyqit Special’ apo i atij të Koçi Xoxes me Vaskë Kolecin e Pandi Kriston me shokë, krahasuar me predikimet e tija, mbasi diktatori e futi në burg!

Në faqen 90 të “Testamentit Politik”, Bedri Spahiu pohon: “Në jetën e lirë unë kam lexuar vetëm literaturë marksiste, e asgjë tjetër”! (faqe 90). Dhe në vazhdim të po asaj, bën edhe pohimin e dytë; “Tani unë jam vetë një njeri që dua të njoh dhe, si i tillë, unë jam nxënës vetë i botës, i jetës, i njerëzve”. Këto pohime hapin shumë shtigje diskutimi.

Pa dashur të filozofojmë gjatë, shikojmë dy anë të këtij pohimi. E gjithë kultura e tij ishte aq sa kish marrë ai nga literatura marksiste, po ata që u dënuan si armiq të popullit, vetëm se nuk ishin bashkuar me Luftën Nacional-Ҫlirimtare dhe e shihnin se kolaboracioni me kushte me okupatorin, u shërbente më mirë interesave të kombit, ç’formacion kishin?

Ata, jo vetëm marksizmin që e njihnin me themel, por edhe historinë e Revolucioni të Tetorit, me të gjitha pasojat e tija negative ndaj Rusisë, i njihnin më së miri. Ata e kuptonin edhe rrezikun që paraqiste ndaj vendit tonë bashkëpunimi me emisarët e Partisë Komuniste serbe.

Nga ana tjetër, ata i njihnin shumë mirë edhe zhvillimet historike në Ballkan edhe më gjerë dhe i kishin shumë të qarta pikësynimet ekspansioniste serbe. Kështu që fushën e zhvillimeve politike si edhe pikësynimet e sllavo – komunistëve ata i kishin shumë më të qarta se Bedri Spahiu me shokë.

E megjithatë, Bedri Spahiu me gjithë trupin gjykues të kryesuar nga Koçi Xoxe, që ishte me plot kuptimin e fjalës analfabet, i dënuan me vdekje si edhe kalbje në burg ata që mendonin se e keqja më e vogël ishte bashkëpunimi me okupatorin. Në këtë kuadër do të sjell para publikut fjalët e Patër Anton Harapit thënë në fjalimin e tij kur pranoi detyrën e anëtarit të Regjencës:

“Ja pra, se nji  punë e parë u bâ: mbas sa muajsh anarkie, sa të frikshme aq edhe të rrezikshme, sot- mirë a keq – kemi nj Këshillë të Naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeveri, kemi nji autoritet shqiptar. Këtë vepër dikush e shikon me sy të mirë e, dikush me sy të keq, aq sa edhe miq e dashamirë të mi, mrritën me thanë: shka i u desht Patër Antonit me i a hy kësaj pune?! Këtyne due t’i u përgjigjem, jo si zyrtar, por si mik, jo për të përligjë vedin, por për të ndritun mendimin t’êm edhe të tyne.

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojnë se un e mora kët barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e êmja që më shtyni deri ktu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën edhe po u thom se po: manija e Shqipnis, po, qe ajo që më vuni dilemën: a me anarkista, për të bâ gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtarë. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të bâj as njênën e as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njênën dysh: a të bâj nji marrí, tue e pranue kët zyrë, ase të tregoj nji dobësi, tue u largue. Vendosa mâ mirë të bâj nji marri: ase -sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – desha të komprometohem…”!

E solla këtë fragment nga fjalimi programatik i Patër Anton Harapit, që lexuesi objektiv, ai që e ka prirjen të gjykojë paanësisht duke u munduar t’i njohë situatat, si edhe rrethanat e veprimeve me kureshtinë e zbulimit të së vërtetës, në vazhdim të jetë i interesuar e t’a lexojë të plotë fjalimin e këtij meshtari, patrioti dhe eruditi të madh, (të cilin fjalim, së bashku me shkrimin e sipërm, unë do t’ia ve në dispozicion revistës “Kuvendi” për botim).

Për t’a mbyllur me analizën e figurës së Bedri Spahiut, duke u munduar të kundrohen dhe të drejtpeshohen të gjitha të dhënat në dispozicion, ashtu siç shpresoj se do të bëjnë studiuesit e ardhshëm në drejtim të vlerësimit të historisë, si edhe figurave të popullit tonë, por pa i paragjykuar ato, po i sjell lexuesit kalimin me të cilin e mbyll Bedri Spahiu “Testamentin e tij politik”:

“Ju përshëndes sinqerisht, o zyrtarë ligjorë, se unë jam si ai i krishteri që, sa herë që mallkon Zotin, kthehet e bën kryqin, se i kujtohet Satanai. Ju përshëndes sinqerisht dhe me respekt të pakushtëzuar edhe i përfaqësues të mendimeve të kundërta me të miat, se unë jam një partizan i tolerancës në fushën e mendimit”.

Nuk po e rëndoj më lexuesin e t’i a filloj nga komenti i radhëve  të mësipërme autografe të Bedri Spahiut. Po e le t’a bëjë ai vetë, në e paftë të arsyeshme. Por nuk e di pse këto më kujtojnë figurat e skalitura nga Brechti, Shekspiri apo Dickensi, ku ndërthuren parabolat e personazheve si Arturo U (i gjithëpushtetshmi Al Capone, i parë përmes lentes zmadhuese të Chaplinit), me Jagon (personifikimi i dyfytyrësisë veç për hir të xhelozisë pushtetit), si edhe me Uriah Heepin (personifikim i shëmtisë dhe i djallëzimit shkrirë në një).

Për t’a mbyllur edhe me figurën e Bedri Spahiut, do t’i rikujtoj lexuesit një figurë, si edhe një skenë makabre si mbas tregimit të meshtarit, i cili ishte i pranishëm në vendin e pushkatimit: I lidhur qe Fejzi Alizoti me 16 shokët e tij, të dënuar me vdekje nga Koçi Xoxe me pretencë të Bedri Spahiut. “Zjarr” thirri komandanti i skuadrës dhe breshëria e predhave i shtriu për tokë të 17 viktimat. Mbas breshërisë, heshtje. Heshtja e vdekjes.

Dhe heshtjen e theu zëri i mekur i Fejzi Alizotit: “Zoti më mëshiroi. Falmëni tani edhe ju sipas ligjeve ndërkombëtare”. Avitet Bedri Spahiu, e shikon ashtu të shtrirë për tokë të pafajshëm, të pllangosur me gjak e pluhur e të lidhur me dy të vdekur, dhe me zë sadisti që kurrë me gjak nuk u ngop, i thotë: “Nuk njohim ligje ndërkombëtare, ne njohim ligjet tona”! Nxjerr koburen e tij dhe qëllon gjithë mllef atë kufomë, akoma të gjallë”! / Memorie.al  

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 15 Prill 2026

Next Post

“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj

Artikuj të ngjashëm

“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj
Dossier

“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj

April 14, 2026
“Në 1977-ën, Kardinali Humberto Medeiros i Bostonit dhe Peshkopi ortodoks shqiptar Marko Lipe, bënë një deklaratë për ligjet antifetare në Shqipëri, ku…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës
Dossier

“Në 1977-ën, Kardinali Humberto Medeiros i Bostonit dhe Peshkopi ortodoks shqiptar Marko Lipe, bënë një deklaratë për ligjet antifetare në Shqipëri, ku…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur nga SHBA-ës

April 13, 2026
“S’dihet se, Enveri apo Koci Xoxe, apo të dy bashkë, e denoncuan Fadil Hoxhën te OZNA e Jugosllavisë dhe ministri A. Rankoviç, i cili e mori në pyetje Fadilin dhe….”/ Libri më i ri i ish-shefit të kabinetit
Dossier

“Tito ka qenë kundër autonomisë së Kosovës, ai ka akuzuar Kardelin dhe Bakariqin, si arkitektë të kushtetutës së ‘74-ës…”/ Dëshmitë e studiuesit që deglorifikon figurën e ish-kreut të Jugosllavisë

April 12, 2026
“Në atë farë skene të kampit të Spaçit, doli i pari i burgosuri Dhimitër Furxhi, njihej, aktor i vërtetë profesionist, i cili filloi të…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, ish-i dënuar politik
Dossier

“Kur mbarë populli mbante zi për vdekjen e shokut Enver Hoxha, i dënuari Bedri Blloshmi, u tha të dënuarve të tjerë që po hanin bukë…”/ Dokumenti sekret i Sigurimit për kampin e Spaçit, 11 prill ‘85

April 14, 2026
“Kryehetuesi, zotni Qemali, më tha; ‘Fol për Fishtën, thuej të vërtetën, edhe kur të dalësh, thuej asht patriot, asht artist, – e përsëriti me delikatesë, – por…”/ Dëshmia e rrallë e ish-Ipeshkvit të Shkodrës
Dossier

“Ndalimi i fesë në Shqipëri, kaloi pa u vënë re jashtë vendit dhe ngjalli pak protesta, me përjashtim të gazetës së Vatikanit, ‘L’Observatore Romano’…”/ Dëshmia e rrallë e studiuesit nga SHBA-ës

April 13, 2026
“Punë e madhe që vdiq Enver Hoxha, po të kish vdekur më përpara, do të ish gjallë Mehmet Shehu, i cili do të…”/ Dokumentet e Sigurimit për “komentet e elementit armik” në rrethin e Vlorës, 11 prill ‘85
Dossier

“Punë e madhe që vdiq Enver Hoxha, po të kish vdekur më përpara, do të ish gjallë Mehmet Shehu, i cili do të…”/ Dokumentet e Sigurimit për “komentet e elementit armik” në rrethin e Vlorës, 11 prill ‘85

April 12, 2026
Next Post
“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj

“Nëse të binte një makaron në tas, ishe me fat, dreka, në vend të makaronave, kishte oriz, darka çaj dhe kjo bëhej për ta çuar njeriun drejt vdekjes...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit, Gjeto Vocaj

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme