Nga Admirina Peçi
Pjesa e tretë
-Një libër për veprimtarinë kriminale të Hoxhës…!-
Memorie.al / Në librin e tij “Prapaskenat kobzeza të Enver Hoxhës”, botim i vitit 2008, gjeneral-major Ernest Jakova, i bën një skaner gjithë veprimtarisë kriminale të diktatorit Enver Hoxha, si gjatë viteve të Luftës dhe më pas, me instalimin prej tij të një prej diktaturave më të ashpra. Për periudhën e pasluftës, autori ndalet kryesisht e analizon gjendjen në Ushtri dhe prapaskenat në Ministrinë e Mbrojtjes. Libri i tij, si një dëshmitar i afërt në shumë ngjarje të prekura, vlen si një reference e vlefshme për studiuesit, ndërsa për lexuesit, vlen ta rikthejmë vëmendjen tek ky libër sidomos këto kohë, kur po artikulohen mendime për një rehabilitim të figurës së Enver Hoxhës…!
Pasi analizon në tre kapituj të librit, shumë teza që trajtojnë prapaskenat tij në drejtimin e Partisë Komuniste, por edhe të Luftës ndaj okupatorëve nazifashistë, e më tej instalimin e metodave më të egra të diktaturës dhe prapaskenave me grupet armiqësore në ushtri, gjeneral-major Ernest Jakova, shtron në librin e tij, 17 pyetje dhe përgjigje që shumëkush mund ti ketë artikuluar këto tre dekada pas rrëzimit të komunizmit. Dhe në fund të 17 pyetjeve, ai sjell një epilog për çështjen që trajton të përmbledhur në 6 konkluzione.
14. Z. Jakova, a mund të ketë rehabilitim për Enver Hoxhën?
Rehabilitimi parashikohet me ligj. Rehabilitohen ata persona që janë dënuar në bazë të ligjit padrejtësisht. Kështu të gjithë ata që ishin dënuar padrejtësisht nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, janë rehabilituar individualisht me gjyq dhe në mënyrë kolektive, me vendim të Kuvendit Popullor, duke u kthyer atyre edhe dekoratat që u ishin marrë.
Për Enver Hoxhën, çështja qëndron ndryshe: ai nuk është dënuar padrejtësisht asnjëherë për asgjë, nga organet gjyqësore. Pra, Enver Hoxha, nuk ka se për çfarë të rehabilitohet. Përkundrazi, krimet dhe tradhtitë e shumta të tij, që janë të dënueshme ligjërisht, kishin mbetur pa u gjykuar e dënuar për një kohë të gjatë.
Në këto kushte populli shqiptar (sovrani), pasi e humbi durimin, më 20 shkurt 1991, me të drejtë e dënoi rëndë Enver Hoxhën, duke i rrëzuar me neveri përmendoren e tij në “Sheshin Skënderbej” në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Fakti që familja e tij vazhdon të marrë shpërblimin e dekoratave të tij, tregon se Enver Hoxha, akoma nuk është dënuar ligjërisht nga organet kompetente. Përse kjo vonesë, apo lënie në harresë, e pajustifikueshme?!
15. Sa lloje enveristësh ka?
Ka dy lloje enveristësh: 1) nga ata që i kanë ardhur në ndihmë Enver Hoxhës, për kryerjen e krimeve dhe tradhtive të tij, të cilët mbrojnë Enver Hoxhën, për të mbrojtur veten e tyre. 2) Ka edhe nga ata që nuk kanë marrë pjesë në krimet e Enver Hoxhës, por si nostalgjikë, besojnë se bashkë me komunizmin, do të rehabilitohet edhe Enver Hoxha.
Të dy këto lloje enveristësh, njësoj mundohen të mohojnë e të fshehin krimet dhe tradhtitë e Enver Hoxhës dhe ky është një qëndrim negative, që të turpëron. Kurse dënimi dhe demaskimi i krimeve dhe tradhtive të Enver Hoxhës, është një qëndrim pozitiv që të nderon.
16. Të dhënat arkivore a janë gjithmonë të vërteta?
Jo gjithmonë. Për gjërat me karakter politik, arkivat mund t’i ndajmë në partiake dhe jopartiake. Të parat, paraqesin më shumë gënjeshtrën. Të dytat, paraqesin më shumë të vërtetën. E vërteta e plotë paraqitet nga historianë jopartiakë. Historianët partiakë, nuk mund të konsiderohen historianë. Pra, të dhënat arkivore për çështjet e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të pasluftës, të PPSH-së, të “Ballit Kombëtar” dhe të “Legalitetit”, nuk mund të paraqesin të vërtetën, sepse çështjet paraqiten sipas interesave partiake.
Kështu, PPSH-ja, prapaskenat e Enver Hoxhës dhe përkrahjen prej saj të interesave jugosllave në Shqipëri, i fsheh dhe i mohon. Ashtu si “Balli Kombëtar”, fsheh e mohon marrjen pjesë me forca në operacionet e përbashkëta me gjermanin, për asgjësimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ashtu siç fsheh e mohon “Legaliteti” bashkëpunimin e heshtur me gjermanin, për të mos sulmuar njëri-tjetrin.
Në rastin konkret, janë bërë përpjekje që të dhënat e këtij libri, të paraqesin të vërtetën mbasi janë bashkëkohës dhe pjesëmarrës aktivë në ngjarjet dhe e kam vënë veten në rolin e një historiani jopartiak, në trajtimin e çështjeve. Sa e kam arritur këtë, do ta thonë lexuesit.
17. Përse Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, ndërprenë studimet në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” të Bashkimit Sovjetik dhe nuk e përfunduan atë?
Sepse vetë Enver Hoxha, ishte pa asnjë lloj arsimi të lartë dhe nuk mund ta lejonte që këta, të ngriheshin mbi të si ideologë ushtarakë, kur i tillë duhej të ishte ai vetë. Mehmet Shehu, ndërpreu studimet pas gjashtë muajsh, me pretekstin se gjoja do të sulmonte greku. Beqir Balluku, ndërpreu studimet pas një viti, se gjoja ushtria kishte nevojë për të.
Shkollimi i kuadrove të ushtrisë, që ishte nevojë e domosdoshme për fuqizimin e ushtrisë dhe rritjen e gatishmërisë luftarake të saj, binte ndesh me interesat personale të Enver Hoxhës, si i pashkolluar që ishte. Prandaj ai, kuadrot e larta të ushtrisë, nga frika e madhe, i ka konsideruar gjithnjë kundërshtarë të tij dhe siç është thënë më lart, i ka likuiduar duke i cilësuar armiq dhe shpallur veten shpëtimtar të Shqipërisë.
Epilogu
- Enver Hoxha, si udhëheqës i popullit shqiptar, gjatë viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pas çlirimit të Shqipërisë, del se ka qenë “kriminel e frikacak” dhe “tradhtar e faqja e zezë”.
I vendosur në postet drejtuese më të larta: kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare (PPSH-ja), Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe kryetar shteti, si më i papërshtatshmi pro jugosllav, me miratimin e Titos dhe të Stalinit, ai ka luajtur në Shqipëri, rolin e “Kalit të Trojës” dhe atë të “agjentit e të poli agjentit” në shërbim të tyre.
Në shërbim të Titos, ai ka bërë shumë për t’i hapur rrugën aneksimit të Shqipërisë, si republikë e shtatë e Jugosllavisë, e cila nuk u realizua për fajin e vetë Titos. Në shërbim të Stalinit, ai ka vendosur në Shqipëri “diktaturën komuniste”, e cila i ka likuiduar të gjitha “fitoret demokratike” të Luftës sonë Nacionalçlirimtare.
Në rast se një njeri, që vret pas shpine apo me akuza false kuadro të larta të Ushtrisë dhe të shtetit për interesat e tij personale, quhet “kriminel”. Enver Hoxha ka plot të tilla, sa del kriminel përbindësh. Pra, krimet kryesore të tij kanë qenë: a) vrasja pas shpine e Mustafa Gjinishit, Qemal Stafës e shumë kuadrove të tjera të larta me kërkesën e Miladin Popoviçit.
b) Eliminimi i kuadrove kryesore ushtarake të Ushtrisë dy herë: atyre të Luftës për t’u rrëmbyer lavdinë e drejtimit të luftës dhe atyre të pasluftës, nga frika e madhe imagjinare që e kish kapur si frikacak që ishte. c) Burgosja dhe internimi pa afat i qindra mijëra njerëzve të pafajshëm, me gjithë familjet, ku shumë prej tyre gjetën vdekjen. E raste të tjera si këto.
Në rast se një njeri i vjen në ndihmë të huajve në dëm të interesave të vendit të vet, quhet “tradhtar”. Enver Hoxha ka plot të tilla. Pra, tradhtitë kryesore të tij kanë qenë: a) sabotimi i vendimeve të Konferencës së Pezës dhe vrasja pas shpine e Mustafa Gjinishit, në përpjekjet për të bërë të mundur aneksimin e Shqipërisë si republikë e shtatë e Jugosllavisë.
b) Vendosja e diktaturës komuniste në Shqipëri, e cila i likuidonte të gjitha fitoret demokratike të Luftës Nacionalçlirimtare madhështore dhe të lavdishme të popullit shqiptar, me të gjitha pasojat negative të saj, për popullin shqiptar. Dhe shumë të tjera. Pra, krimet dhe tradhtitë e tij karshi atdheut, janë të pleksura midis tyre.
Enver Hoxha, pa arsim ushtarak dhe pa përvojë lufte, nuk kishte drejtuar asnjëherë një repart ushtarak në luftim, me intelekt mediokër dhe frikacak, paaftësi për të mposhtur frikën, që në rast rreziku ishte fshehur, duke lënë Ushtrinë pa drejtim dhe veten pa adresë, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, ishte krejtësisht formal.
Në këto kushte, drejtimi i Ushtrisë në luftë, ishte bërë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, major Spiro Moisiu, bashkë me komandantët e korparmatave: Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tuk Jakova, Tahir Kadareja etj., të cilët me aftësi e guxim, trima heronj të vërtetë legjendarë, bënë të dështojnë të gjitha operacionet e armikut, çliruan Veriun dhe e çuan luftën në fitore, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Ai ishte i paaftë edhe për drejtimin e ekonomisë së vendit. Fliste shumë: “Shkenca”, “Shkenca”, kur shumica e ndërmarrjeve shtetërore dhe shumica e kooperativave bujqësore, dilnin defiçit dhe kërkonin financim nga shteti. Ai prishi edhe oborrin e kooperativistëve, që ishte një marrëzi e tij. Arritjet në ekonomi, kanë qenë aq të vogla sa ai e la Shqipërinë “vendin më të varfër në Evropë”. E vetmja arritje e tij, janë prapaskenat.
Armët kryesore të tij kriminale, kanë qenë: a) Partia të cilën Enver Hoxha, e ka përdorur si “shkopin magjik që bën çudira”: “E bëri Partia” dhe Partia ishte e pagabueshme dhe duke e barazuar veten me Partinë, dilte dhe ai i pagabueshëm. Dhe, ndërsa Shyqyri Ishmi, e të tjerë, para litarit bërtisnin si atdhetarë me shumë krenari: “Rroftë Partia”! dhe “Rroftë Shqipëria”! për Enver Hoxhën, partia ishte “loja”!
b) Prapaskenat që ai kurdiste, të bazuara në përdorimin e mashtrimit e të dhunës, sipas koncepteve të tij kriminale diktatoriale. c) Ligjet e shtetit, duke i bërë të tilla që lehtësonin veprimtarinë e tij kriminale, siç ishte ligji famëkeq i agjitacionit e propagandës.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, ashtu siç e ka emrin, është vepër madhështore e popullit shqiptar heroik e liridashës, i cili iu përgjigj menjëherë thirrjes së “Konferencës së Pezës pluraliste”, duke mbushur me vullnetarë të rinj në vazhdimësi formacionet partizane, mori përsipër dhe e çoi luftën deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Duke e drejtuar atë me bijtë e tij më të mirë që ishin komandantë brigade, divizioni sulmues dhe korparmate, të cilët drejtuan heroikisht, duke arritur rezultate të larta deri në dështimin e të gjitha operacioneve të njëpasnjëshme më të rrezikshme të armikut gjatë dimrit 1943-1944, pikërisht gjatë kohës që frikamani Enver Hoxha, qëndronte i fshehur në malet e Martaneshit dhe e çuan luftën, deri në fitoren përfundimtare, në çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Pra, lavdia e drejtimit të Luftës Nacionalçlirimtare, i përket plotësisht komandantëve të njësive të ushtrisë, trima e heronj të vërtetë dhe jo frikacakut Enver Hoxha, që u fsheh dhe la Ushtrinë pa drejtim. Demaskimi i këtij qëndrimi të tij, ngre lart dhe e bën më të dukshëm rolin e madh të popullit shqiptar, që e bëri luftën dhe të bijve të tij, që e drejtuan atë.
Pra, madhështia dhe lavdia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, e njohur dhe e respektuar nga e gjithë bota, me demaskimin e Enver Hoxhës, ngrihet në një shkallë edhe më të lartë.
3. “Konferenca e Pezës” pluraliste është vepër e patriotit të shquar Mustafa Gjinishi. Ajo, me thirrjen e saj madhështore; “Të gjithë në luftë, kundër okupatorit fashist italian, pa dallim feje, krahina dhe ideje”, i dha hov të madh Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe qëndron madhështore dhe e lavdishme, sa është lufta që ajo frymëzoi.
Enver Hoxha e PKSH-ja, pasi shfrytëzuan në fillim hovin e madh që ajo i dha Luftës Nacionalçlirimtare, më pas kaluan në moszbatimin si duhet, të vendimeve pluraliste të saj, sepse ato do të pengonin realizimin e interesave jugosllave, që kishin për qëllim aneksimin e Shqipërisë, si republikë e shtatë e saj, që përbën tradhti të lartë të Enver Hoxhës, karshi atdheut.
Për rëndësinë e madhe të saj, Konferenca e Pezës, përkujtohet çdo vit më 16 shtator, me Pezën e madhe heroike në mënyrë tepër festive. Kjo ditë feste, është e mbarë popullit shqiptar, që ka realizuar me përpikëri vendimet historike të saj pluraliste. Kjo ditë të kujton edhe Enver Hoxhën, por si sabotator të vendimeve pluraliste të Konferencës së Pezës. Kjo festë, hapet me fjalimin e të deleguarit të qeverisë.
Por, shpesh ndodh që pas tij, liderë të partive të majta të paautorizuar, mbajnë fjalime që stonojnë duke mburrur pa të drejtë, kriminelin e tradhtarin Enver Hoxha dhe duke u brohoritur nga disa njerëz të mbledhur posaçërisht, që dëmtojnë rëndë gjendjen shumë të gëzueshme të festës. Pra, qeveria duhet të marrë masa, që kjo të mos ndodhë më.
4. Populli shqiptar, me shumë të drejtë, më 20 shkurt 1992, përmbysi përmendoren e Enver Hoxhës, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe gjithashtu në të gjitha qytetet e Shqipërisë, si të pamerituara. Për nder të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, e udhës është të ngrihen disa përmendore si vijon:
a) Në sheshin “Skënderbej: të vendosen pranë njëri-tjetrit në grup, monumentet e komandantëve heroikë të njësive që drejtuan luftën dhe e çuan atë në fitore, në çlirimin e plotë të Shqipërisë: Tuk Jakova, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Tahir Kadareja, Petrit Dume, Bedri Spahiu, Qemal Stafa, Nako Spiro.
Monumenti i secilit nga këta të vendoset edhe në qendrën e rrethit përkatës (sasia dhe emrat e tyre janë të diskutueshëm).
b) Për nder të Konferencës së Pezës, në Pezën e Madhe heroike të ngrihet monumenti i ideatorit dhe realizuesit të saj, patriotit të shquar Mustafa Gjinishi. Ky të ngrihet edhe në qytetin e tij Peqin.
5. “Luftë civile” në Shqipëri midis forcave të Ballit Kombëtar dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, nuk ka pasur gjatë gjithë luftës për çlirimin e Shqipërisë, sepse: a) deri në Mbledhjen e Mukjes nuk ka pasur.
b) Pas Mbledhjes së Mukjes e, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë, forcat e “Ballit Kombëtar”, kanë marrë pjesë në operacionet e përbashkëta ushtarake me forcat gjermane, si bashkëpunëtorë, për asgjësimin e forcave të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me qëllim për të marrë pushtetin. Pra, edhe këtu, luftë civile nuk ka pasur.
Ndërsa lufta për likuidimin e forcave nacionaliste të Muharrem Bajraktarit dhe të Gani Kryeziut nga Ushtria Nacionalçlirimtare, në fund të luftës pas bashkëpunimit me ta, në pabesi, ka qenë luftë civile, sepse ata po e luftonin okupatorin.
Në libër, kanë gjetur trajtim demaskues edhe dy prapaskenat mashtruese të “Ballit Kombëtar”: 1) “S’ka ardhur koha” dhe 2) “Bashkëpunimi me pushtuesin gjerman, për të asgjësuar Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe pastaj bashkëpunimi me koalicionin anglo-sovjeto-amerikan, për të marrë pushtetin”.
Të dyja këto ide, të Mit’hat Frashërit dhe “Ballit Kombëtar”, të konsideruara “gjeniale” por, që në fakt ishin “kobzeza” tradhtare, nuk mashtruan njeri, vetëm veten e tyre dhe si të tilla ato dështuan.
Një rezultat të tillë negative, ka arritur edhe “Legaliteti”, me prapaskenën e tij mashtruese, për bashkëpunim në heshtje të fshehtë me pushtuesin gjerman: “Nuk të ngas, mos më nga”, që është e njëjta gjë, tradhti ndaj atdheut dhe si e tillë, ajo mbetet e pajustifikueshme dhe e pa rehabilitueshme.
I drejtohemi “Gjykatës së Lartë”:
Gjykata e Lartë e atëhershme, në shërbim të diktatorit Enver Hoxha, e bazuar në akuzat e tij të padrejta kundër kuadrove kryesorë ushtarakë të ushtrisë, më 1975-1976, ka gjykuar çështjen me diktatin e tij dhe ka marrë masa tepër të rënda, me pushkatim, burgim, internim dhe dëbim me gjithë familje, për të gjithë ata.
Por, nga të gjitha të dhënat e mësipërme, del se likuidimi i kuadrove kryesorë të Ushtrisë, është bërë dhe ka mbetur i pajustifikuar, sepse: a) akuza e “puçit ushtarak”, nga hetimet e hetuesisë dhe të Gjykatës së Lartë, nuk u vërtetua sepse nuk kishte. Ai kishte ekzistuar vetëm në fantazinë e Enver Hoxhës.
b) Edhe akuza e dytë, që u bë pas dështimit të së parës, se kuadrot e Ushtrisë kanë qenë kundër Tezave të Këshillit tw Mbrojtjes, gjithashtu nuk u vërtetua, sepse Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, ishin të bazuara dhe paraqitnin tërësisht idetë e kuadrove kryesore ushtarake të Ushtrisë dhe këta nuk mund të ishin kundër ideve të tyre.
c) Kjo vërteton se Beqir Balluku, nuk ka pasur ide të tjera të quajtura nga Enver Hoxha; “Tezat e Zeza”, kur të tilla ishin “idetë e zeza të bunkerizimit” të Enver Hoxhës dhe ato të pasjes së “dy lloje forcash”, të Mehmet Shehut në Plenumin e 12-të të Komitetit Qendror.
Kështu, të gjitha masat e marra nga Gjykata e Lartë e atëhershme, kundër kuadrove kryesore të Ushtrisë, ishin të pabazuara, të padrejta. Pra e udhës, është që Gjykata e Lartë e sotme: 1) Të rimarrë në gjykim edhe një herë çështjen, për të anuluar vendimet e padrejta të marra karshi tyre.
2) Të gjykojë siç e kërkon drejtësia, veprimet kriminale e tradhtare të Enver Hoxhës. I takon qeverisë shqiptare, që në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, të marrë masat e nevojshme për nderimin e tyre si atdhetarë të shquar që ishin dhe për shpërblimin e familjeve të tyre. Memorie.al
Marrë nga Shqiptarja.com