Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet dhe fondi personal, i ish-sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, prej të cilave kemi shkëputur disa pjesë nga ditari i tij politik që i përket një periudhe kohore që nga fillimi i janarit të vitit 1979, e deri në shkurtin e 1982-it, ku në fokus të shënimeve të tij, janë ngjarjet e zhvilluara në Iran, ku forcat kryengritëse islamike të udhëhequra e të frymëzuara nga Ajatollah Kohmeini që arritën të rrëzonin nga froni Shahun Reza Phalevi, i cili duke pasur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u detyrua që të largohej me avion nga vendi, duke mbërritur fillimisht në Kajro, ku u prit si mik personal nga Presidenti Janvar Sadat e gjithashtu, edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zhehrar Ford, (që ndodhej ato ditë për vizitë në Egjypt), për t’u larguar më pas drejt SHBA-ës. Pas rrëzimit dhe kargimit nga vendi të Shahut Reza Palehvi, në fund të janarit të vitit 1979, në Tehran mbërriti Ajatollah Kohmeini, udhëheqësi shpirtëror fetar i iranianëve shiit, që thuhej se drejtonte revolucionin për rrëzimin e dinastisë së Palehëveve, që nga Parisi, ku qëndronte prej vitesh. Si i ka përshkruar të gjitha ato ngjarje, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, i cili midis të tjerash shprehet: “Shahu, për t’u mbrojtur nga populli, kishte blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një sasi të madhe armatimesh nga më modernet që kanë shitur këto jashtë, kishte krijuar një ushtri prej qindra mijë vetash, me të gjitha llojet e armëve, me avionë, me tanke, me mitraloza, me raketa nga më modernet, kishte ndërtuar shumë aerodrome. Të gjitha këto, bëheshin për të mbrojtur pasuritë e amerikanëve në Iran dhe pasuritë e shahut, si dhe për ta mbajtur popullin në mjerim. Natyrisht, një gjendje e tillë, nuk mund të vazhdonte tërë jetën, megjithëse ndihma materiale ushtarake e politike Shahut, i vinin nga të katër anët e botës. Përveç të tjerëve, edhe perandoria e re kineze, i hodhi trëndafila Shahut. Vetë Hua Kuo Feni, shkoi në Iran dhe me përzemërsinë më të madhe, bisedoi për një: “miqësi madhe e të shëndoshë”, me Shahun e Persisë dhe i uroi jetë të gjatë këtij furnizuesi të fuqishëm me naftë, të miqve të mëdhenj të Kinës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kapitalizmit botëror”.
Ditari politik i Enver Hoxhës
REVOLUCIONI I POPULLIT IRANIAN TRIUMFOI
Lufta aktuale e popullit afgan kundër agresionit ushtarak sovjetik si dhe kryengritja popullore antifeudale e antiimperialiste, antiamerikane e popullit Iranian, duhet të na bëjnë të mendojmë një çikë më shumë e më thellë, nga ana politike, teorike dhe ideologjike edhe për një problem tjetër të madh, që në situatat aktuale e në këtë zhvillim të ndërlikuar botëror po del gjithnjë e më shumë në pah: për kryengritjet popullore me “frymëzim” siç duan t’i përcaktojnë këto lëvizje borgjezia dhe revizionistët vetëm sepse në pararojë të lëvizjes çlirimtare janë vënë popujt myslimanë të vendeve arabe dhe të vendeve të tjera.
Ky është një fakt, një realitet objektiv, në këto vende ka lëvizje kryengritëse. Në qoftë se këto lëvizje e kryengritje të popujve myslimanë do t’i shohim e do t’i gjykojmë në mënyrë shumë sempliste, të sipërfaqshme, si lëvizje me karakter thjesht islamik, pa u thelluar në arsyet e vërteta që i shtyjnë përpara masat e gjera të popujve, mund të biem në pozitat e revizionistëve dhe të imperialistëve, vlerësimet e të cilëve ndaj këtyre lëvizjeve janë denigruese dhe fshehin synime skllavëruese ndaj popujve. Ne, marksistë-leninistët, e kemi gjithnjë të qartë se, feja është opium për popujt.
Në asnjë rast nuk e ndërrojmë pikëpamjen tone lidhur me të dhe nuk duhet të biem në gabimet e “socializmit fetar”, etj. Edhe feja myslimane, është e tillë. Megjithatë aktualisht shohim se masat e gjera të popujve myslimanë, në vendet arabe e në vende të tjera, janë ngritur e po ngrihen në luftë kundër imperializmit e neokolonializmit për çlirimin e tyre kombëtar e shoqëror. Këta popuj, që jo pa qëllim ishin lënë në errësirë në të kaluarën, dhe gjenden akoma sot prapa në botëkuptimet e tyre, tani po i ndiejnë shtypjen e madhe dhe shfrytëzimin e egër që u kanë bërë kolonizatorët e vjetër, që vazhdojnë t’u bëjnë edhe kolonizatorët e rinj e klikat feudo-borgjeze kapitaliste të brendshme. Ata po i kuptojnë arsyet politiko-ekonomike të shtypjes, dhe, pavarësisht se janë myslimanë e të lënë prapa, janë duke treguar një vitalitet të madh dhe po japin një kontribut të rëndësishëm në revolucionin demokratiko-borgjez antiimperialist që i hap rrugën atij proletar.
Janë regjimet shtypëse antipopullore dhe klerikët reaksionarë ata që kanë adoptuar dhe kanë përdorur fenë myslimane për të ushtruar shtypjen shoqërore mbi këta popuj dhe për t’i shfrytëzuar ata në mënyrë më të egër. Pushtetin e tyre gjakatar ata e kanë ruajtur dhe e ruajnë nëpërmjet armëve dhe përkrahjes që kanë marrë nga jashtë, domethënë nga fuqitë imperialiste e neokolonialiste grabitqare, si edhe duke nxitur e duke zhvilluar fanatizmin fetar. Kështu zhvillimi i ngjarjeve po vërteton gjithnjë e më shumë tezën marksiste-leniniste se armiqtë e brendshëm bashkëpunojnë ngushtë me armiqtë e jashtëm për të shtypur popujt e vet dhe se feja përdoret nga ana e tyre si armë për të mbajtur në errësirë dhe për të shtypur popujt. Ngjarjet që po jetojmë tregojnë qartë se popujt arabë myslimanë janë luftëtarë. Kryengritjet e luftërat e tyre antiimperialiste, antikolonialiste dhe antifeudale shoqërohen dhe përfundojnë me përleshje të armatosura.
Këto luftëra e kryengritje e kanë burimin e tyre në shtypjen e egër që ushtrohet mbi këta popuj, në ndjenjat e tyre liridashëse e përparimtare. Po të mos jesh përparimtar e liridashës, nuk mund të ngrihesh në luftë për liri e pavarësi kombëtare, kundër shtypjes së dyfishtë, të brendshme dhe të jashtme. Një shkak tjetër shoqëror e nxitës i fortë për kryengritje anti-imperialiste, antikolonialiste e antifeudale është gjendja e rëndë ekonomike e këtyre popujve, uria dhe vuajtjet që rëndojnë mbi ta. Pra nuk mund të mos marrim në konsideratë zgjimin politik, por deri diku edhe atë shoqëror të tyre. Duke i hedhur një vështrim luftës së popujve me besim mysliman vëmë re se në zhvillimin e saj ka ndryshime të theksuara, ka ngjitje, por ka edhe rënie ose qëndrim në vend, ka amulli që krijohet nga faktorë të ndryshëm e sidomos nga borgjezia pseudo-progresiste që ndodhet, ose vihet në krye të këtyre popujve.
Kështu, për shembull, në Marok ka pasur njëfarë lëvizjeje, por lëvizja antifeudale dhe antiimperialiste e popullit të këtij vendi nuk është në lartësinë e vendeve të tjera, përkundrazi monarkia dhe feudalizmi dominojnë mbi këtë popull me dhunë, me pseudoreforma liberale, por duke përdorur edhe ndjenjat fetare. Në Algjeri populli bëri luftën nacionalçlirimtare kundër kolonizatorëve francezë dhe, megjithëse nuk udhëhiqej nga një parti marksiste-leniniste, por nga borgjezia nacionale, lufta për çlirimin kombëtar përfundoi me largimin e pushtuesve të huaj, veç ajo nuk u çua më tej. Kjo ndodhi sepse borgjezia e re liberale që erdhi në fuqi, edhe pse populli algjerian bëri një luftë të madhe dhe të përgjakshme, pengoi evolucionin përparimtar të vendit, reformat ekonomiko-shoqërore qenë të pjesshme, nuk u çuan përpara dhe vendi ra në amulli politiko-ekonomike në disfavor të masave punonjëse. Në Tunizi, populli duket i përgjumur dhe paraqitet apatik, nuk po shihet që të zgjohet, sido që nuk është dhe aq i prapambetur. Kohët e fundit u fol atje për një lëvizje sindikaliste, u arrestua edhe sekretari i përgjithshëm i sindikatave, po asgjë më shumë nuk ndodhi më tej. Në Egjipt, në vitin 1952, ndodhi, gjithashtu, një revolt. Rrëzimi i Monarkisë u bë pa gjakderdhje. Mbreti Faruk, u dëbua nga Egjipti nga një grup oficerësh. Ata që e shfronësuan e shoqëruan deri në Aleksandri, i dhanë para, e hipën në vapor dhe e ndihmuan që të ikte e të shpëtonte. Me një fjalë i thanë Monarkut të largohej më mirë vetë dhe të shpëtonte lëkurën, se në vend nuk mund të qëndronte më, atje s’kishte më rrënjë. Kështu grupi i oficerëve, me Naserin, Nagibin e Sadatin në krye, bënë si me thënë një ‘colpo di stato’ ushtarak pa gjak, kundër një monarkie krejtësisht të degjeneruar dhe morën në dorë fuqinë. Ç’ishte e ç’përfaqësonte grupi i oficerëve puçistë egjiptianë?
Këta oficerë ishin njerëzit e borgjezisë, përfaqësuesit e saj, ishin anti-anglezë, por midis tyre kishte edhe prohitlerianë. Anvar el Sadati, siç e kam përmendur, deklaron vetë se ka bashkëpunuar me “ujkun e shkretëtirës”, feldmareshalin nazist, Romel. Kjo ngjarje, domethënë dëbimi i Farukut nga froni, u pompua jashtëzakonisht shumë, derisa u quajt “revolucion”, Por nga gjithë kjo populli egjiptian, masat punonjëse të këtij vendi, nuk patën ndonjë përfitim. Pothuajse asnjë lloj reforme nuk u bë në të mirën e popullit. Edhe njëfarë reforme agrare që filloi, përfundoi në favor të feudalëve e të pronarëve të pasur të tokave. Të ri ardhurit në fuqi, nën maskën e unitetit të popujve arabë, u përpoqën të bënin edhe “bashkimin” e Egjiptit me Sirinë.
Po çdo përpjekje në këtë drejtim ishte e kotë, sepse edhe në Siri, në këto kohë, borgjezia kapitaliste në udhëheqjen e shtetit kishte ndërruar vetëm kuajt dhe padronin. Bashkimi Sovjetik imperialist kishte zëvendësuar atje Francën. Ai e sabotoi këtë “bashkim” pa baza dhe nguli thonjtë në këtë vend. Edhe në Libi, siç dihet, në vitin 1969 pati një revoltë; u rrëzua dinastia e mbretit Idriz dhe në fuqi erdhi një grup oficerësh të rinj, me Kadafin në krye, i cili hiqet si anti-imperialist. Këtë revoltë, këtë lëvizje, në fillim ne mund ta cilësojmë si përparimtare, por më vonë kjo lëvizje u topit dhe aktualisht ka rënë në amulli. Kadafi që erdhi në fuqi, i cili e mban veten si kryetar i islamizmit, e shfrytëzoi fenë myslimane për ta paraqitur Libinë si një vend “përparimtar”, bile e quajti edhe “socialist”, por, në realitet, pasuria e madhe e vendit, nafta, po shfrytëzohet për qëllime të mbrapshta, aventureske e shumë të dyshimta.
Natyrisht, për demagogji dhe për arsye se të ardhurat që sigurohen nga shitja e naftës janë me të vërtetë të mëdha, në jetën e popullit, në qytete, janë bërë disa përmirësime, por nomadizmi në shkretëtirë vazhdon të qëndrojë një plagë shoqërore. Kadafi, siç e dimë, ka qenë një nxënës i Naserit si në politikë, në ideologji e në bindjet fetare, ashtu edhe në synimet e tij. Në kryeqytetin e Irakut, në Bagdad, ndodhi më 1958 një kryengritje diçka më e avancuar, më revolucionare, kundër monarkisë, që përfundoi me vrasjen e mbretit Faisal dhe të kryeministrit Nuri Said. Fuqinë atje e morën “komunistët” tok me gjeneral Kasemin, përfaqësues i oficerëve liberalë. Por 5 vjet më vonë, më 1963, atje ndodhi një grusht shteti dhe Kasemi u ekzekutua. Në vend të tij, erdhi në fuqi një oficer tjetër, koloneli Aref. Në vitin 1968, doli në krye gjenerali Al Bakr dhe përsëri në fuqi erdhi partia “Baas”, një parti e borgjezisë reaksionare, feudale e kompradore.
Ngjarjet që po ndodhin në Iran e në Afganistan, përbëjnë një shembull pozitiv për popujt e shteteve fqinje, për Pakistanin, për Arabinë Saudite, për Irakun, për Emiratet e Gjirit Persik. për Sirinë. për Egjiptin e shumë të tjerë, prandaj konsiderohen një rrezik i madh edhe për klikat sunduese të disa vendeve të këtij rajoni. Pra gjithë bota arabe është në lëvizje, në evolucion. Jehona e kryengritjes popullore antifeudale e antiimperialiste e popullit iranian që po e trondit imperializmin në bazat e tij ekonomike dhe në synimet për hegjemoni botërore, shtrihet deri në Indonezi, por atje lëvizja është më e dobët sesa në vendet e Azisë Qendrore, të Lindjes së Afërt e të Mesme, apo edhe të Afrikës Veriore, ku islamizmi si fe është më kompakt dhe pasuritë janë më të mëdha. Në këto rajone ka një zgjim progresist të masave, të cilin, tani për tani, siç po ndodh në Iran, e udhëheqin, në përgjithësi elementë fetarë që dinë t’i shfrytëzojnë ndjenjat për liri të këtyre popujve, ndjenjat e tyre kundër imperializmit shtypës, kundër krerëve monarkistë e klikave feudale grabitëse, vjedhëse e vrasëse të egra të tyre etj., etj.
Prandaj ne duhet t’u bëjmë analizë marksiste-leniniste këtyre situatave. Ne nuk mund të pranojmë e të jemi dakord me zërat që po përhapin propaganda borgjezo-revizioniste, imperializmi amerikan dhe kapitalizmi botëror, sikur Ajatollah Khomeini, iksi apo ipsiloni në Iran, janë njerëz që nuk kuptojnë nga politika, ose janë aq të prapambetur sa kanë qenë Imam Aliu, imam Hasani e imam Hyseini. Kjo nuk është e vërtetë. Përkundrazi, faktet tregojnë se njerëzit si ai dinë ta shfrytëzojnë si duhet lëvizjen aktuale të këtyre popujve, që në esencë dhe në fakt është një lëvizje progresiste, demokratiko-borgjeze dhe anti-imperialiste. Këto lëvizje, në rrugë e me mjete të ndryshme, po përpiqen t’i mbështetin e t’i bëjnë për vete, për qëllimet e tyre, edhe imperialistët e social-imperialistët e ndryshëm. Mirëpo ato aktualisht janë në disfavorin e tyre, janë kundër tyre.
Kjo është aq e vërtetë sa social-imperialistët sovjetikë u detyruan të futnin regjimentet e tyre tankiste dhe dhjetëra mijë ushtarë sovjetikë në Afganistan, të kryenin, me një fjalë, një agresion të hapët fashist ndaj një vendi të pavarur, për të vënë e për të mbajtur në fuqi kukullat vendase të tyre, të cilat nuk ishin në gjendje ta ruanin pushtetin pa ndihmën e bajonetave e të tankeve të ushtrisë sovjetike, të forcave të armatosura të Bashkimit Sovjetik. Kuptohet se kjo ngjarje, ky pushtim i armatosur sovjetik i Afganistanit, do të shkaktonte reagime e shqetësime në opinionin publik ndërkombëtar, do të shkaktonte zemërim të madh e urrejtje te popujt liridashës dhe te forcat përparimtare dhe, nga pikëpamja strategjike, nervozizëm te rivalët e tyre për hegjemoni e sidomos te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në fakt, po vëmë re se këto ditë presidenti amerikan Karter sikur kërkon të lëvizë ca, me sa duket për t’i nxjerrë ndonjë vështirësi Bashkimit Sovjetik dhe të forcojë pozitat e tij që po i dobësohen vazhdimisht, kërkon të marrë masa për të penguar një invadim të mundshëm sovjetik në Pakistan, ose, më mirë të them, të pengojë shfrytëzimin nga social-imperialistët sovjetikë, për qëllimet e tyre, të ndjenjave revolucionare antiimperialiste të popullit mysliman të Pakistanit.
Populli pakistanez ushqen simpati për lëvizjen antiimperialiste të fqinjëve të tij iranianë dhe mund të ngjasë edhe atje ajo që po ngjet në Iran. Pikërisht, për t’i dalë përpara këtij eventualiteti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti i tyre Karter i kanë propozuar qeverisë pakistaneze që të dërgojnë në Pakistan 50 mijë ushtarë dhe të shtojnë furnizimet me armatime, gjoja për të përballuar rrezikun sovjetik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan po ashtu në Kinë ministrin e tyre të Mbrojtjes për të konkretizuar dhe për të aktivizuar aleancën kino-amerikane. Gjatë kësaj vizite, të dyja palët shprehën shqetësimin e tyre për zgjerimin e ekspansionit të social-imperialistëve sovjetikë në këtë rajon dhe, lidhur me këtë, vendosmërinë e tyre për të mbrojtur interesat e vet imperialistë e të njëri-tjetrit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i premtuan Kinës armatime moderne nga më të sofistikuarat. Po a ekziston rreziku sovjetik për Pakistanin? Po, ekziston. Veç në Pakistan zemërimi kundër Zia ul Hakut, i shoqëruar me simpatinë për Khomeinin, mund të shpërthejë edhe pa ndërhyrjen e sovjetikëve.
Vetë Zia ul Haku, për t’i shpëtuar një presioni sovjetik dhe kryengritjes së popullit pakistanez, mund të bashkohet me sovjetikët dhe këta e justifikojnë kështu ndërhyrjen e tyre në këtë vend. Prandaj edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po aktivizojnë paktet e tyre ushtarake me Pakistanin. Karteri përpiqet ta ruajë nga ana e tij ekuilibrin, sepse një ndërhyrje e Bashkimit Sovjetik në Pakistan përbën rrezik për imperializmin amerikan në këtë rajon të botës. Karteri ka e duhet të ketë influencë në Pakistan edhe për arsye se ky vend ka një “traktat të mbrojtjes” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç kësaj, Karteri, në situatat e reja që janë krijuar këto kohë në Azinë Qendrore, sheh edhe rreziqe të tjera, siç është rikthimi në fuqi i Indira Gandit, e cila po ndjek politikën e saj pro-sovjetike. Në rast se sovjetikët do të arrijnë t’i forcojnë pozitat e tyre në Indi, që është në konflikt me Pakistanin, ky i fundit mund të jetë më i prekshëm nga ana e sovjetikëve, me një fjalë rritet dhe bëhet më i lehtë depërtimi i influencës sovjetike atje.
Ja, pra, përse imperialistët amerikanë kërkojnë t’i dalin përpara eventualitetit të një ndërhyrjeje ushtarake ose të rritjes së influencës së Bashkimit Sovjetik në Pakistan. Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara nga mundësia e një presioni sovjetik edhe ndaj Iranit nën pretekstin e ndihmës kundër kërcënimeve që i bëhen këtij vendi nga imperializmi amerikan. Është e qartë se popujt e këtij rajoni janë myslimanë dhe, kur e themi këtë, kemi parasysh faktin që shumica e tyre besojnë, por besimi i tyre është relativ dhe nuk predominon mbi politikën.
Ka atje edhe njerëz përparimtarë që Kuranin dhe fenë i besojnë dhe i respektojnë më shumë si zakon e si traditë. Kur flasim për shumicë dërrmuese, kemi parasysh atë pjesë të popullit, së cilës fenë myslimane ia kanë paraqitur si një fe liberale, përparimtare, që u shërben interesave të popullit dhe se gjithçka që predikohet në emër të saj, “është për të mirën e tij”, mbasi “të marrësh avdes, të falesh, të agjërosh është në të mirën e shëndetit, të forcimit fizik e të kënaqësisë shpirtërore të njeriut” etj., etj.
Me një fjalë njerëzve u thuhet se ritet e kësaj feje “janë të dobishme” jo vetëm për këtë jetë, por edhe për “jetën tjetër”, pas vdekjes. Dhe kjo gjë predikohet hapur. Por mjerimi dhe shtypja, shkolla dhe njëfarë zhvillimi politik, ia kanë tronditur themelet këtij besimi. Në përgjithësi, nga të gjitha këto ngjarje e zhvillime, shohim se si imperialistët, ashtu edhe social-imperialistët, në këto rajone të botës i kanë pozitat të vështira. Është , e kuptueshme që tok me ta të vështira i kanë pozitat edhe kukullat e tyre.
Si për të parët, edhe për të dytët, këto pozita shumë të vështira i shkakton lëvizja revolucionare, përparimtare, anti-imperialiste, antikolonialiste e antifeudale e masave popullore të popujve arabë myslimanë, qofshin ata shiitë apo sunitë. Gjithë kjo gjendje në këtë rajon është pozitive, e mirë dhe flet për një situatë revolucionare, për një lëvizje të madhe të këtyre popujve. Por, në të njëjtën kohë, shohim se bëhen përpjekje nga ana e armiqve të tyre për ta frenuar këtë lëvizje, ose për t’i ndryshuar drejtimin dhe intensitetin.
Këto situata, këto luftëra e këto kryengritje të këtyre popujve ne duhet t’i shohim, pra, si lëvizje shoqërore, revolucionare, pavarësisht se në pamjen e parë ato kanë karakter fetar. e se i ndjekin njerëz besimtarë ose jobesimtarë, por që luftojnë kundër imperializmit të huaj, neokolonializmit apo monarkive ose feudalizmit shtypës brenda vendit. Historia na jep plot shembuj pozitivë në këtë drejtim, kur lëvizje të gjera masash popullore e revolucionare, në pamjen e jashtme, kanë pasur karakter fetar. Të tilla kanë qenë: Lëvizjet Babide në Iran në vitet 1848-1851; lëvizja e Vahabitëve në Indi, që parapriu kryengritjen e madhe popullore kundër kolonizatorëve anglezë në vitet 1857-1859; lëvizjet fshatare në kohën e Reformacionit në shekullin e 16-të, që përfshinë shumicën e vendeve të Evropës dhe sidomos Gjermaninë.
Vetë Reformacioni, ndonëse ishte veshur me petkun fetar, përfaqësonte në vetvete një lëvizje të gjerë shoqërore politike të ngritur kundër sistemit feudal dhe kishës katolike që mbronte këtë sistem. Kur cenohen interesat jetikë të një populli, liria dhe pavarësia e tij, ai ngrihet në luftë kundër kujtdo agresori qoftë, edhe pse ai mund të ketë të njëjtën fe. Kështu ndodhi, për shembull, në Jemenin e Veriut në vitin 1962 kur Naseri dërgoi ushtrinë egjiptiane gjoja për ndihmë. Pas disa kohësh ai u detyrua të largonte nga Jemeni trupat që dërgoi, sepse filloi një konflikt i ashpër midis popullit të këtij vendi dhe ushtrisë egjiptiane, pavarësisht se të dyja palët besonin në një fe. Në Jemenin e Jugut, ku jeton një popull mysliman që beson, ekzistonte një lëvizje revolucionare popullore kundër imperializmit anglez që zotëronte portin e Adenit. Vullnetarisht Anglia, nuk do të largohej kurrë nga porti i Adenit, që përbën një kyç strategjik me rëndësi të madhe në Oqeanin Indian dhe në hyrjen e Detit të Kuq, por ishte lufta anti-imperialiste e popullit të Jemenit, që e detyroi atë të shkulej andej, sepse qëndrimi atje, iu bë i pamundur. Pas kësaj, në vitin 1970 në Jemenin e Jugut u krijua një regjim “demokratiko-popullor”, i cili hyri dalëngadalë nën ndikimin e social-imperialistëve sovjetikë. Lëvizja revolucionare kundër social-imperializmit sovjetik, në mos sot, nesër edhe këtu do të marrë zjarr. Tani në gjithë principatën e Omanit ka lëvizje revolucionare anti-imperialiste e antikolonialiste, si dhe kundër vetë sulltanit sundimtar të vendit.
E njëjta situatë do të ndodhë edhe në Etiopi, në Somali, në vendet e Gjirit Persik etj. Popujt e vendeve të këtij rajoni janë të tërë fetarë, njerëzit atje u besojnë Kuranit dhe Muhamedit dhe çështjen e luftës kundër shtypjes imperialiste ata e lidhin me fenë. Ky është një realitet. Por, gjithashtu, kuptohet se ne nuk mund të dalim në konkluzione se është feja ajo që i shkakton këto revolta dhe këtë zgjim revolucionar. Në asnjë mënyrë. Veçse nuk mund ta injorojmë faktin që këta popuj besojnë në fenë myslimane e, në të njëjtën kohë, luftojnë heroikisht kundër imperializmit të çdo ngjyre, për çlirimin e tyre shoqëror e kombëtar. Në Shqipëri para Çlirimit kishte njerëz që besonin në fenë myslimane, po fanatizëm nuk kishte. Edhe në vendet arabe apo në ato myslimane të Azisë së Mesme, sidomos sot, nuk mund të ekzistojë fanatizmi klasik i dikurshëm. Një fanatizëm i tillë nuk mund të ekzistojë jo vetëm te myslimanët, por as te katolikët, te kalvinistët e shizma të tjera të kristianizmit. Të mos harrojmë epokën në të cilën jetojmë.
Ne nuk mund të mos mbajmë parasysh sot zhvillimin e madh të shkencës, rritjen dhe fuqizimin e proletariatit revolucionar, përhapjen e ideve të marksizëm-leninizmit. Fanatizmin, në kuptimin klasik të tij, sot e nxitin në këto vende krerët reaksionarë fetarë, shërbëtorë të rendit feudal e të monarkive shtypëse të lidhur me ta, që duan t’i mbajnë popujt në errësirë e nën zgjedhë dhe të luftojnë lëvizjet e tyre çlirimtare. Për sa i përket Khomeinit, ky është një udhëheqës fetar, një besimtar i devotshëm, një filozof idealist. Ai mund të jetë edhe fanatik, po shohim se në të njëjtën kohë pajtohet e bashkohet me frymën revolucionare të popullit iranian. Khomeini ka marrë anën e kundërshtarëve të monarkisë. Borgjezia imperialiste, përkrahësit e monarkisë Pahlevi dhe forca të tjera reaksionare në botë thonë se ai kërkon të bëhet vetë monark. Le ta thonë këtë, por është fakt se lëvizja çlirimtare anti-imperialiste, antikolonialiste e antifeudale në Iran është në ngritje dhe Khomeini vazhdon të qëndrojë në pozita të mira për sa i përket kësaj lëvizjeje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016