Nga Idriz Lamaj
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Nga veprat e apostujve të Shqipënisë etnike
Xhafer Deva
Në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës
Parathënie
Memorie.al/ Ndoshta si shumë të tjerë, edhe unë, shpeshherë shfletoj letrat me miqtë dhe bashkëpunëtorët e mi, që nuk janë më në këtë jetë. Duke i shfletuar ato, për një çast shpalosen kujtime që më duket se disa prej tyre mund t’i shërbejnë historisë tonë. Pastaj, kthehem te vetëdija për gjendjen e e sotme të rëndë në atdheun etnik, shkaktuar nga çatrafilimi i politikës shqiptare, e them me vete: “Vallë, çfarë mund të shërbejnë në këtë kohë të zymtë kujtimet e mia për të tjerët ose letrat e njerëzve të vdekur?”
Pa qenë ndjellës ogurzi i pesimizmit, duke menduar si gjithmonë për një të ardhme më të mirë, kthehem tek detyrimet e mia ndaj miqve të mi dhe si një vëzhgues i akullt i kohës, pa asnjë pretendim shërbimi historik, kur më jepet mundësia e botimit, shkruaj atë që kam në mend, gjithnjë të mbështetur në shkrimet dhe në letrat e tyre. Ky parim ndiqet edhe në këtë libër për Xhafer Devën. Xhafer Devën e njoha në person, kemi këmbyer vizita dhe kemi pasë letërkëmbim të dendur.
Kam kaluar ditë pushimi në shtëpinë e tij dhe kam trashëguar të gjithë korrespondencën e Xhafer Devës me Rexhep Krasniqin, shokun e tij më të ngushtë, për mëse 40 vjet. Mbas shumë vjetësh, bisedova në telefon me të bijën dhe dhëndrin e zonjës Deva. Në bisedë e sipër, duke përfituar nga miqësia e vjetër, pyeta për letrat e tij dhe më njoftuan se të gjitha i kishte Qefali Hamdia, mik i familjes së tyre.
Në qershor të vitit të kaluar (2001) shkova në Kenosha, Wisconsin, mysafir i Qefali Hamdisë, për të shikuar korrespondencën e Xhafer Devës, të cilën ia kishte dërguar zonja Deva vite më parë, kur ajo, për shkak të moshës së thyer, po mbyllte shtëpinë e vet për të vajtur në shtëpinë e 5 së bijës dhe të dhëndrit, zonjës Burgl Dagmar dhe Rev. Dennis Logie.
Mbasi lexova pjesën kryesore të letrave, në ato gjuhë që i merrja vesh, mora me vete më shumë se një mijë faqe të korrespondencës së tij, ku përfshihet një periudhë mbi 30 vjet, 1945 – 1978. Xhafer Deva foli dhe shkroi shtatë – tetë gjuhë. Korrespondenca e tij është: shqip, anglisht, gjermanisht, italisht, frëngjisht, turqisht dhe serbisht. Letrat dhe shkrimet e Xhafer Devës, me përjashtim të atyre me shkronja të turqishtes së vjetër dhe të serbishtes me shkronja cirilike, kryesisht janë të shkruara me makinë, të mbajtura mirë dhe të renditura si mbas alfabetit, me personat që ai kishte të bëjë.
Aty përfshihen edhe letrat e tij familjare. Ai ruajti me kujdes kopjen e çdo letre që dërgoi dhe çdo letre që mori. Zonjës Oswalda Deva, të bijës Burgl, dhëndrit Dennis Logie dhe z. Qefali Hamdia me familje, i’u shprehi falënderimet më të përzemërta për besimin që më dhanë. Me mirënjohje të veçantë kujtoj këtu ndihmesën që më dhanë vëllezërit – Kapidan Nue Gjomarkaj dhe Nikoll Gjomarkaj, në përgatitjen e njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të këtij libri.
Kapidan Nou, përveç vënies në dispozicion të lëndës mbi marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe dërgimin e parashutistëve në Shqipëri e në Kosovë, shqyrtoi bashkë me mua secilin dokument të asaj periudhe, dhe formuluam tekstin në formë bisede; ndërsa Nikolla, deshifroi letrat, transkriptoi dhe përktheu nga italishtja, materialet e papublikuara deri më sot, të cilat u botuan në këtë kapitull.
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë Etnike –
Xhafer Deva në dritën e letrave të veta
Xhafer Deva në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu ajo duhet të vërtetohet dhe t’i dërgohet Konsullatës së Përgjithshme në Napoli, nëpërmjet Departamentit të Shtetit. Nëse do të lindë nevoja për të dhëna të tjera, do t’ju isha shumë mirënjohës sikur t’ia parashtronit ato zotit Hollingshead, ose drejtpërdrejti mua personalisht. Do t’ju isha gjithashtu mirënjohës, për çdo shpjegim që ju do të mund të jepnit për punën, kushtet e punës dhe të jetesës, si edhe për biznesin tuaj, sigurisht në se këto nuk do t’ju shkaktonin humbje kohe dhe as shqetësimin më të vogël. Dëshiroj t’ju shpreh edhe një herë falënderimet më të përzemërta në emrin tim dhe të bashkëshortes, për gjithë sa jeni duke bërë për ne. Zoti Ju dhëntë shëndet dhe ju ruajt nga të gjitha shqetësimet e të këqijat e kësaj bote.
Me shumë dashuri e respekt, i juaj Xhafer Deva Romë, 20 janar 1955.
Më 18 nëntor 1956, Xhafer Deva së bashku me familjen hynë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai zbret në aeroportin e New Yorkut ku e prisnin katër – pesë miq të tij. Ardhja e Xhafer Devës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i gëzoi miqtë, aq i zemëroi edhe kundërshtarët e tij. Editori i gazetës “Dielli”, Qerim Panariti, në një editorial të gazetës, e sulmon Devën si kriminel, tradhtar, nazist, etj. Ai mbasi shkruan se: “Deva duhej të ishte gjykuar në Nuremberg për krime të luftës, shton se, qeveria amerikane duhet ta dërgojë atë në Alkatraz”, një prej burgjeve më të njohura t’Amerikës. Xhafer Deva i përgjigjet Panaritit, në një gazetë të njohur antikomuniste shqiptaro-amerikane, që botohej në Boston:
Zotëri Editorit, ‘The Albanian American’, Boston, Mass. Në fletoren “Dielli” vol. 47, nr. 46, datë 2 janar 1957, në faqen 2, lexova disa shënime mbi të kaluarën dhe veprimtarinë time politike në Shqipëri, gjëra që janë plotësisht në kundërshtim me të vërtetën. Nuk kam qëllim të hyjë në polemikë me editorin e “Diellit”, por për hir të vërtetës, dhe për shkak se kam gëzuar përkrahjen e juaj, si shumë shqiptarë të ikur nga regjimi komunist për sigurimin e një pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke më dhënë mundësinë e kryerjes së formaliteteve të duhura për emigrim, u lutem të keni mirësinë të botoni me rastin e parë në gazetën e juaj sa vijon:
Editori i “Diellit” thotë:
- Habitet se si unë ndodhem në Boston, dhe si autoritetet amerikane kanë mund me lejuar të vij në Amerikë;
- Më vënë në radhën e kriminelëve të Luftës së Dytë Botërore të Gjermanisë dhe të Japonisë të gjykuar prej aleatëve;
- Që gjatë pushtimit gjerman, kam rekrutuar një grup kriminelësh dhe vu këta nën komandën time, për të shkretuar Shqipërinë që bëjshëm e ç’bëjshëm qeveritë e atëhershme, duke qenë edhe një herë kryeministër;
- Ç’faqë mendimin dhe dëshirën që vendi im, nuk duhet të jetë në Boston, por në Alkatraz, burg i famshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
- Nuk kam ardhë në Amerikë, për t’i turbulluar askujt ujët e aq më pak editorit të ‘Diellit’, të cilin nuk e njoh, kurse ai gjoja më njeh. Si njëqindmijë të ikur prej andej perdes së hekurt, edhe unë kam gjetë strehim në këtë vend bujar dhe liridashës, duke plotësuar të gjitha formalitetet e duhura për lëshimin e një vize të emigrimit. Jam më se i bindur se autoritetet Konsullore Amerikane, kanë burimet e veta dhe imtësisht informohen për çdo njeri që dëshiron me ardhë në Shtetet e Bashkuara, dhe që nuk mbështeten në burimet e editorit të Diellit.
- Qysh prej kapitullimit të Gjermanisë, e deri më 1947, kam qenë në Austrinë e pushtuar nga forcat aleate, dhe nuk jam ftuar asnjëherë prej autoriteteve për të dhënë shpjegime rreth veprimtarisë time politike në Shqipëri gjatë pushtimit gjerman, gjë që vërteton se nuk kam qenë në radhën e kriminelëve të luftës, ku editori dëshiron me më pa.
III. Si anëtar i qeverisë së atëhershme të kryesuar prej z. Rexhep Mitrovica, më është besuar dikasteri i Ministrisë se Brendshme, prej shtatorit 1943 deri në korrik 1944. Sa për sqarim të opinionit të ndershëm shqiptaro-amerikan, në këtë kabinet kanë marrë pjesë patriotë shqiptarë të njohur e të nderuar edhe këtu, si të ndjerët: Kol Tromara e Bahri Omari, të dy të vrarë nga komunistët. Në këtë periudhë, nuk ka pas në Shqipëri asnjë njeri që ka bërë dhe ka ç’bërë Kabinetet.
Këshilli i Naltë, i përbërë prej patriotëve më të kualifikuar shqiptarë, si Mehdi Frashëri (sot në Itali), Lef Nosi, Padër Anton Harapi (të dy të pushkatuar nga regjimi komunist) dhe Fuat Dibra, ka vepruar në bazë të Statutit të Lushnjës dhe ka besuar mandatin për formimin e qeverive si mbas ligjeve në fuqi. Rekrutimi i ushtrisë dhe i gjindarmërisë, është bërë prej organeve qeveritare dhe kurrë personalisht nga ana ime.
Me gjithë që editori i ‘Diellit’ i quan kriminelë, unë jam një nga ata që i quaj heroi të gjithë ata që lanë jetën për mbrojtjen e kufijve etnik të Shqipërisë dhe luftuan hordhitë e kuqe sllavo-shqiptare.
- Mendimi i editorit të ‘Diellit’ se vendi im është në Alkatraz dhe jo në Boston, është një shprehje ordinare, e cila nuk meriton përgjigje. Duke shfaqur falënderimet më të shquara, zotëri editor, ju lutem të pranoni nderimet e mija.
Xhafer Deva, Jamaica Plain, 30 janar, 1957.
Shënim: Xhafer Deva u martua në prill të vitit 1952 me zonjën austriake, Oswalda (Huber) Kaiser, e cila kishte mbetur me tre fëmijë jetimë, si pasojë e humbjes së bashkëshortit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata kaluan një jetë shembullore familjare dhe i edukuan fëmijët në shkollat më të mira të vendit. Si shumë personalitete të mërgimit, Xhafer Deva e mbajti familjen e vet edhe me punë fizike. Katër vjet, në New York dhe në Boston, Mass., bëri punë të thjeshta dhe u mor me përkthime për agjenci të ndryshme për të siguruar jetesën familjare.
Në fillim të vitit 1960, u vendos me banim në Calavera County të Kalifornisë, ku punoi në një fabrikë druri, gjë që i kujtonte punën që kishte bërë dikur në sharrat e tij në Luginën e Ibrit. Me 1962 punësohet në seksionin e llogarive dhe të postës në Universitetin e Stanfordit, në qytetin Palo Alto të Kalifornisë. Aty punoi derisa doli në pension, me 1972. Edhe zonja Oswalda punoi në bibliotekën e këtij universiteti për vite me radhë.
Karriera e punës në Universitetin e Stanfordit është një kapitull i veçantë i jetës së tyre. Aty krijuan shumë miq dhe u dalluan për aftësitë e tyre në punët qe bënin. Xhafer Deva mori pjesë në shumë konferenca akademike dhe u cilësua si një ndër analistët më të mirë të kohës. Një dosje e korrespondencës së tij është e mbushur me shkrime, ftesa, falënderime për pjesëmarrje, dhe kërkesa të dhënash rreth zhvillimeve të ndryshme politike në bllokun komunist. Xhafer Deva u ftua dy herë si folës në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point, akademi me famë botërore.
Riorganizimi i ‘Lidhjes së Prizrenit’ në mërgim dhe Kongresi i saj i parë
Nga korrespondenca e Rexhep Krasniqit me Xhafer Devën, kuptohet se në vitin 1962, me iniciativën e ‘Grupit Kosovar’ me banim në New York, bëhen përpjekje të vendosura për krijimin e një organizate politike kosovare të pavarur në botën e lirë, të përbërë dhe drejtuar nga shqiptarët e krahinave të ndryshme të Kosovës, përfshirë ata të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Në bazë të kësaj iniciative, u bë një mbledhje në New York, ku marrin pjesë kosovarë që jetonin në këtë qendër të madhe amerikane. Në atë mbledhje, që u mbajt me 20 tetor 1962, mbas bisedimeve të rastit, u vendos njëzëri themelimi i organizatës në fjalë, e cila siç ishte për t’u pritë, mori emrin ‘Lidhja e Prizrenit’. Grupi fillestar i New Yorkut, i formuar zyrtarisht si i tillë, pëlqeu njëzëri shpalljen e një Projekt-programi që shërbente si linjë veprimtarie deri në mbledhjen e një Kongresi.
Projekt-programi u përgatit nga dr. Rexhep Krasniqi i cili, ishte edhe frymëzuesi dhe përkrahësi i parë i organizimit në fjalë: “Si mbas këtij Projekt-programi, Lidhja e Prizrenit, duke u mbështetur në frymën tradicionale të Lidhjes së Parë historike dhe të Lidhjes së Dytë, ka qëllim kryesor dhe përfundimtar realizimin e bashkimit te popullatës shqiptare prej mëse një milion e giysëm dhe të tokave të tyre nën robërinë jugosllave, me nënën Shqipëri, pra realizimin e një Shqipërie të vërtetë etnike”. Këtë Projekt-program dhe një letër të Dr. Krasniqit, Deva i mbante në një dosje të veçantë, për t’ju treguar miqve se ai nuk kishte qenë i mendimit për riorganizimin e Lidhjes, por kishin qenë të tjerët që kishin gjetur mbështetjen dhe frymëzimin e Krasniqit dhe të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për riorganizimin e Lidhjes.
Xhafer Deva i’u shkruan Rexhep Krasniqit, Iliaz Pekës dhe Ismet Berishës, të mos ndërmerrnin një veprimtari të tillë. I këshillon ata të formojnë një klub me emrin “Lidhja e Prizrenit”, ku kosovarët të njihen me njëri-tjetrin, të zhvillojnë veprimtari kulturore, të lexojnë shtypin, të përcillnin zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, në Shqipëri dhe në mërgim dhe të mos angazhohen në asnjë mënyrë në partitë politike të Shqipërisë së 1913-tës. Ai i shkruan Krasniqit me 17 mars, 1963:
“Unë nuk di si organizohet, si mbahet në këmbë, dhe si funksionon një lëvizje politike kombëtare e llojit të ‘Lidhjes së Prizrenit’ pa intelektualë të mirëfilltë, pa të holla dhe pa asnjë mundësi përkrahje zyrtare të Shteteve të Bashkueme. Edhe në qoftë se sigurojmë një lloj përkrahje nga ky vend, na nuk kemi të holla as intelektualë që të fillojmë veprimtarinë. Ju mund të mendoni si të doni por unë nuk jam i mendimit me ju…” Për t’a bërë fakt të kryer drejtimin e Lidhjes nga Deva, nismëtarët shkojnë tek ai në Kaliforni për vizitë. Me presione miqësore e premtime, se çdo gjë do të rregullohej dhe do të shkonte për së mbarit, më në fund e bindin, që të vihej në krye te Lidhjes. Gjatë bisedës dhe përpjekjes së tij për t’ bindur se nuk duhej ndërmarrë një veprim i tillë, Devën e kishte prekur thellë një thënie e z. Destan Berisha.
Mbasi Mehmet Aga Rashkoci kishte mbaruar fjalët e tij, duke e mbështetur qëndrimin e Xhafer Devës, i drejtohet Destanit: “Po ti Destan, pse nuk flet, thuaj diçka”? Destani i kthehet me dëshpërim të thellë: “Çka të them, bac Xhafer e din se na nuk kemi asnjë njeri tjetër me na udhëheq, na nuk kemi asnjë njeri përveç teje”. Xhafer Deva nuk mund të harronte lehtë datën 26 qershor të vitit 1950, kur midis vullnetarëve të tjerë të vdekjes, ishte edhe parashutisti Destan Berisha, të cilin e kishte rekrutuar vetë dhe po atë ditë, Destani me shokët tjerë, kishte lënë në fushën e nderit komandantin e grupit, Kapiten Riza Osmanin, në një ndeshje të përgjakshme me forcat komuniste shqiptare.
Nuk mund të harronte se Destani pas vrasjes së Kapitenit, i kishte pri grupit, duke kaluar në këmbë Mirditën, pjesët veriore të Shqipërisë, Malësinë e Gjakovës, dhe kishte hyrë në Kosovë. Mbas kryerjes së misionit me besnikëri, kishte kaluar në këmbë, duke përshkuar gati gjysmën e Jugosllavisë, dhe kishte hyrë në Greqi. Deva pranon kryesinë dhe Grupi i New Yorkut, tanimë i entuziazmuar nga premtimi i tij, filloi me shpallje të veçanta dhe në korrik të vitit 1963, nxori në qarkullim një buletin me emrin “Lidhja e Prizrenit”, ku u bëhej thirrje të gjithë kosovarëve në botën e lire, të merrnin pjesë aktive në riorganizimin e Lidhjes.
Thirrjeve serioze, shpalljeve dhe përpjekjeve për të bërë diçka në këtë drejtim, kosovarët i’u përgjigjen seriozisht brenda një kohe të shkurtër dhe u krijuan degë të Lidhjes në Toronto të Kanadas, me 24 shkurt 1963, në Bruksel, me 17 nëntor 1963, në Paris, me 1 janar 1964, në Melbourne të Australisë, me 2 shkurt 1964, në Racin-Milwakee (USA), me 19 prill 1964, në Waldkraiburg e München të Gjermanisë, me 25 prill 1964, në Çikago, me 25 prill 1964, në Stamboll, me 28 Nëntor 1964, ne Kaiserslautern të Gjermanisë, me 7 prill 1965 dhe në London të Kanadas, me 1 janar 1966., etj.
Qendra në New York, duke vënë përfije fuqizimin organizativ të këtyre degëve, të bazuara në frymën e një shoqërie moderne, filloi veprimtaritë e veta në fusha të ndryshme. Në vitin 1963 u dallua për organizmin e një demonstrate të madhe kosovare para pallatit të Kombeve të Bashkuara, me 22 tetor 1963, me rastin e vizitës së presidentit Tito në OKB. Demonstrata u fuqizua me pjesëmarrje masive edhe të mërgatës nacionaliste shqiptare në SHBA. Kështu, për vite me radhë, deri në mbledhjen e Kongresit të parë (26-27 Nëntor 1966) dhe legalizimin e Lidhjes, mund të thuhet se Lidhja bëhet një prej organizatave me të fuqishme politike shqiptare në mërgim. Natyrisht, mbas secilit veprim të saj ishte Xhafer Deva, i cili më shumë miratonte veprimet, se sa merrte pjesë vetë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016