Nga Skifter Këlliçi
Memorie.al / Një ditë vere të vitit 2010, në shtëpinë time në Boston, ku jetoj dhe punoj prej 24 vitesh, më erdhi me postë një libër, që ma dërgonte miku im, regjisori i njohur Kristaq Dhamo, që jetonte aso kohe në Nju Jork, pranë së bijës, së bashku me të shoqen Dhorkën, historiane e arteve. Libri i shkruar prej tij, titullohej; “Viktor Stratobërdha, 13 muaj kineast”. Qe një e papritur shumë e këndshme, sepse, siç do të rrëfej më poshtë, ruaja edhe unë disa kujtime për Viktorin, këtë kineast të talentuar, mbi supet e të cilit, për disa dekada rëndoi pesha mizore e diktaturës komunisto-enveriste, me internime dhe burgime.
Duke shfletuar librin të pajisur me foto edhe nga veprimtaria krijuese aq e pakët e tij, në fushën e kinematografisë, m’u fanitën disa kujtime të pakta, por kuptimplote, që lidhen me takimet që kisha pasur edhe unë me të, gjatë kohës që Viktori kishte qenë dënuar në Berat në vitet ‘60-të, të shekullit të kaluar, kur unë punoja arsimtar në atë qytet, dhe për të cilat do të rrëfej më poshtë, së bashku me përshtypjet e mia për këtë libër.
Një pasdite, aty nga fillimi vitit 1953, unë atëherë 15-vjeçar, me fëmijë të tjerë, mësuam se nga Bashkimi Sovjetik, kishte ardhur një grup kineastësh dhe aktorësh sovjetikë, për të xhiruar skena të filmit “Skëndërbeu”, ku luanin e dhe aktorë shqiptarë. Ne kishim kureshtje të shihnim, sidomos aktorin e madh gjeorgjian Akaki Horava, të cilin e kishim parë në filmin sovjetik “Gjergj Sakadze”, një hero i Gjeorgjisë së Mesjetës, që do të luante rolin e Gjergj Kastriotit, tonë.
Mësuam se pjesëtarët e grupit bujtnin në hotel “Dajti”, prandaj një pasdite u sulëm andej. Patëm fat, sepse, ndërkohë, pamë disa prej aktorëve që bisedonin në sheshin e vogël të këtij hoteli. Njohëm edhe Horavën, ose më mirë një burrë i ri, që i shoqëronte aktorët na tregoi se cili ishte Horava, sepse ai nuk kishte as mjekër, as mburojë dhe shpatë, siç e kishim parë në film. Madje burri i ri, diç i tha Horavës, që u kthye nga ne dhe na përshëndeti me bujari.
Mësuam se ky burrë, ishte Viktor Stratobërdha dhe punonte me regjisorin e madh madh, Jutkjeviç, emrin e të cilit, e kishim parë dhe në filma të tjerë sovjetikë. Me fjalë të tjera, mësuam se ai ishte ndihmës i tij, në filmin “Skënderbeu”.
Ky ishte takimi imi i parë me Viktorin, emri i të do të bëhej i njohur, vetëm me tre filma të tjerë dokumentarë dhe asgjë më shumë, sepse pas Konferencës famëkeqe të Tiranës në prill të viti 1956, ai së bashku me Nesti Zoton, (atëherë drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re”) dhe me rreth 200 intelektualë të tjerë, ish-partizanë komunistë, drejtues institucionesh të rëndësishme të larta partiake dhe shtetërore, specialistë në fusha të ndryshme, gazetarë profesorë, u dënuan drejtpërdrejt nga diktatori Enver Hoxha, sepse me guxim dhe çiltërsi, siç do të vë në dukje më poshtë, ngritën zërin kundër udhëheqjes së Partisë së Punës, e cila po shkëputej nga masat e gjera të popullit, që po varfërohej gjithnjë dhe më shumë.
Duke lexuar librin e mësipërm të Kristaq Dhamos, mësojmë së një ndër ta, ishte dhe Viktor Stratobërdha, i cili, nga ish-partizan, u bë komunist, shkoi tërë entuziazëm në Bashkimin Sovjetik, për t’u bërë regjisor filmi, u kthye po me atë entuziazëm që andej, pas gjashtë vitesh studimi, me regjisorë nga më të njohurit edhe në botë, Pudovkin, Dovzhenko, Rom, Gerasimov, Jutkjeviç, i cili, ndonëse nuk ishte delegat në këtë konferencë, mbështeti hapur diskutimet e mësipërme, ashtu siç i kishte mbështetur edhe në mbledhjen e organizatës së Partisë së Kinostudios, dhe shprehet kështu në faqet e librit:
“Konferenca e Tiranës ishte përplasja e parë, e të gjithë ish-partizanëve komunistë, idealist, me një realitet që kishte zhgënjyer ëndrrat tona rinore, që na bënë të dilnim malit, për çlirimin e Shqipërisë. Aty, të gjithë ata që nuk donin që të merreshin nëpër këmbë, synimet e larta të luftës së tyre liridashëse dhe demokratike, i bënë “atentatin” e parë, kultit të individit, polarizimit të jetës, dogmatizmit dhe sektarizmit enverist”.
Ndër viktimat e para që ndëshkoi Enver Hoxha pas kësaj konference, ishte edhe Viktor Stratobërdha, edhe sepse pas punimeve të saj, tërë duf, ishte shprehur një kolegu komunist me fjalët: “Atje ia thyen hundët Enver Hoxhës”. I përjashtuar nga partia, dëbohet nga Kinostudioja dhe degdiset …drejtor i së vetmes kinemaje të Beratit. “Ma merr mendja se duhet të jetë një rast i veçantë dhe unikal në rruzullin tokësor, që një regjisor, duke qenë mendërisht dhe fizikisht tepër në rregull, të ketë një jetëgjatësi kaq të shkurtër”, – vë në dukje Stratobërdha, në një letër dërguar Kristaq Dhamos, më 21.12.1998, kur ndodhej i mërguar në Greqi, e cila është përfshirë në libër.
– “Vetëm në një diktaturë si kjo jona dhe që bota nuk arrin ta kuptojë, ndodhin të tilla fenomene”.
Mesditë vere, e vitit 1960. Gazetar prej dy vitesh në Radio- Tirana, së bashku me Petro Kitën, atëherë nëndrejtor i saj, ndodhem në Berat. Ai për një konferencë politike dhe unë për një reportazh. Dhe ja, pas drekës, kur ndodhemi në një kafene, shohim të na afrohet një burrë ende i ri. Takohet me me Petro Kitën. Mezi e njoh. Eshtë Viktor Stratobërdha. (Ishte koha kur diktatura komuniste, nuk i kishte shtrënguar dhe më shumë “burgjitë”, prandaj dhe ata biseduan përzemërsisht, doemos pa përmendur Konferencën e Tiranës, pas së cilës ishte kritikuar nga lart edhe Petroja, si anëtar liberal i Byrosë së Partisë së Radio-Tiranës, që kishte miratuar diskutimin e rreptë të gazetarit Njazi Demi, në këtë konferencë) .
Pastaj Viktori na tregoi edhe kinemanë që që kishte shndërruar në një sallë të këndshme. Asnjë fjalë midis tyre për atë… Konferencën e nëmur, as edhe, siç u mor vesh vite më vonë, për pyetjen më të tmerrshme, që i kishte sugjeruar ai Nesti Zotos, që t’a përfshinte në diskutimin e tij në konferencë: “A ka dijeni Komiteti Qendror, për varfërinë në vend dhe cili është shkaku i kësaj varfërie”?! Me kaq u ndamë nga ai.
Tri vite më pas, Viktori arrin të bëhet regjisor i Estradës së Beratit, që nga më të dobëtat, nën drejtimin e tij, u bë nga më të mirat e vendit. ”Ç’mund të kishte ndodhur?! Rehabilitim? Zbutje e vijës së Partisë? Keqardhje? Asnjera. Gjithçka në vazhdën e politikës së njohur të “shtrëngimit dhe lirimit paksa të vidave” – vë në dukje Kristaq Dhamo, në librin e tij.
Por, ndërkohë që pritet që të mbarojë afati i dëbimit të tij nga Berati dhe të rikthimit në Kinostudio, Viktorit i komunikohet nga Komiteti i Partisë së Beratit, një pesëvjeçar tjetër qëndrim në këtë qytet. Ka një arsye. Në një nga shfaqjet më të suksesshme të Estradës së Beratit, ai ka vënë në skenë një skeç, të marrë nga Estrada e Elbasanit, ku angazhimet e bujshme të fundvitit që nuk realizohen, kthehen në parodi.
Por Viktori, shton një detaj shumë të mprehtë: Angazhimet janë materializuara në një arkivol, që e mbajnë në supe katër aktorë, të shoqëruar nga një marsh funebër. Për më tepër që ato ditë, Berati ishte nderuar me ‘Flamurin e Garave’ të ashtuquajtura Socialiste, ku në fakt të dhënat, si gjithnjë, ishin të fryra, ndryshe nga të vërtetat. “Drejtuesit e partisë së rrethit të Beratit, – shkruan Kristaq Dhamo në librin e tij, – e cilësuan këtë skeç, si denigrim të qëllimshëm të “sukseseve socialiste”. Dhe si pasojë këtu, fillon edhe kalvari i gjatë i punëve të krahut në gurore, pyjore, ndërtim, ndërmarrje bujqësore”.
Me të ashtuquajturin qarkullim kuadri, edhe mua në vitin 1966, më emëruan arsimtar në Berat. Dhe në këtë qytet, që atëherë kishte vetëm një rrugë-shëtitore, ishte e pamundur që një ditë të mos takoja edhe Viktor Stratobërdhën. Ndodhi krejt rastësisht. Një ditë dimri të vitit 1967, në kinemanë e Beratit, ku ai vite më parë kishte qenë drejtor, po shfaqej filmi “Skënderbeu”, në të cilin, siç përmenda më sipër, kishte qenë ndihmës i regjisorit sovjetik, Jutkjeviç. Filmi shfaqej vetëm nëpër rrethe, dhe jo në Tiranë, sepse ishte prodhim …sovjetik, ndonëse ishte realizuar në vitin 1952-’53, në periudhën staliniste dhe ndihmës regjisor, ishte Viktor Stratobërdha. Paradoks qesharak…!
Me të mbaruar filmi, tek po dilnim nga kinemaja, befas u ndodha bri tij. Pandeha se, nuk do të më njihte. Por dy shokë të tij, që e shoqëronin, e kujtuan kush isha. Më mbante mend. Bëmë një bisedë të shkurtër, por kur mendova të ndahesha, dy shokët që nga pamja e jashtme dukeshin punëtorë, me të cilët punonte, më ftuan të gjerbnim kafe bashkë me të. Pranova. Më tha se me kishte ndjekur emisione letrare të Radios, që përgatitja unë dhe më pyeti nëse po shkruaja ndonjë libër. Iu përgjigja se pas disa muajsh, do të botohej një vëllim imi, me tregime. Më uroi të shkruaja më pas, një skenar filmi, siç ndodhi vite më vonë.
Pata dhe raste të tjera të bisedoja me Viktorin, që, me sa mbaj mend, ishte martuar me një vajzë nga nje derë e fisme beratase, por “e prekur”. Sidoqoftë, ndjeja një farë shqetësimi, që këto takime, të cilat dëshiroja t’i kisha më të shpeshta, ata të partisë në Berat, nuk do t’i shihnin me sy të mirë. Por ndodhi diçka që më shqetësoi dhe më shumë. Zakonisht, drekën e haja në restorantin “Berati”, ku drekonin edhe shefi i Degës së Punëve të Brendshme, me zëvendësin e tij, të dy të ardhur nga Tirana, që në biseda me mua, më dukeshin të çiltër.
Dhe ja pas disa ditësh, zëvendësshefi me të cilin ndodhesha vetëm në një tryezë të restorantit, më tha me zë të ulët, që të kisha kujdes për dy gjëra: T’u shmangesha bisedave me Viktor Stratobërdhën dhe të mbaja sa më ulët, volumin e Radios, në dhomën ku banoja, kur dëgjoja lajme dhe muzikë nga RAI.
“Më ka ardhur dhe më ka takuar enkas filani në zyrë, – vazhdoi ai dhe përmendi emrin e një ish-oficeri pensionist që banonte në hyrjen përballë hyrjes ku banoja unë dhe më ka raportuar se ti, dëgjon atë “Radion e degjeneruar italiane”. Veç kësaj më ka thënë, se ti takohesh edhe armikun Viktor Stratobërdha, madje ka qëlluar edhe para pallatit ku banoja. Prandaj edhe një herë, ki kujdes”.
Kështu që nga ajo ditë, unë nuk munda ta takoja më Viktorin, aq më shumë, se ai u caktua të punonte në një gurore larg Beratit, nga ku kthehej shumë vonë në shtëpi. Veç kësaj, unë nga fundi i vitit vitin 1969, u riktheva në Radio dhe pastaj në Televizion dhe nuk pata më rast, të takohesha me të. Mirëpo, në vitin 1972, kur nisi një pranverë e vogël, në artin dhe kulturën tonë, si pasojë e zbutjes të së ashtuquajturës “luftë e klasave”, (për shembull, Festivali i 11-të i Këngës në RTSh), mora vesh se, pa pritur, Viktorin e kishin emëruar sërishmi regjisor, në Estradën e Beratit.
Gjykova me shokë se tashmë kishin marrë fund hallet dhe dertet e tij. Por kjo zgjati pak kohë, sepse pas Plenumit të 4-të Komitetit Qendror të Partisë, siç dihet, Enver Hoxha nisi një kryqëzatë në lëmim e kulturës dhe artit, pastaj kundër kuadrove të lartë të ushtrisë, ekonomisë, që solli si pasojë që Viktor Stratobërdha, në vitin 1975, pas një mbledhjeje demaskuese si armik I popullit, të arrestohej dhe të dënohej me 10 vjet burg, për… agjitacion dhe propagandë.
“Lirohem nga burgu pas nëntë vjetësh, – shkruan ai në letrën drejtuar Kristaq Dhamos, që kam cituar më lart. – Pas kryerjes së dënimit, jetë eremiti. Në ngjarjet e hyrjes nëpër ambasada, (korrik 1990), nuk munda të çaja. Isha i vonuar. Në ‘91-shin marr arratinë, për ku të dalë, por nuk më eci. As me tragetet e marsit. Atëherë, më këmbë për në Greqi”.
Në vitin 1992, kur po shkruaja “Historinë e Radio-Televizionit Shqiptar, (1938-1990), botuar në vitin 2004, u njoha në Arkivin e Shtetit, me dosjen e Konferencës së Tiranës, (4-8 prill 1956), me rreth 400 faqe të shaptilografuara, ku përfshiheshin të gjitha diskutimet e delegatëve pjesëmarrës, në këtë konferencë, shumica dërmuese e të cilëve, kritikuan ashpër udhëheqjen e partisë dhe shtetit, për probleme që janë trajtuar më lart në këtë shkrim.
Mbi bazën e këtyre diskutimeve aq tronditëse, në shkurt të vitit 1995, në një gazetë të përditshme, botova një dossier prej rreth 20 faqesh, që pati jehonë të madhe. Dhe kjo, sepse ishte hera e parë, që tregohej publikisht dhe me fakte e vërteta tragjedia e kësaj konference, e cilësuar nga Enver Hoxha, si; “komplot i përgatitur nga Ambasada Jugollave në Tiranë dhe agjentët e saj renegatë, armiq të partisë dhe popullit”. Dhe ja, disa javë më vonë, më ndali në rrugë një i panjohur. Pandeha se do të më pyeste për ngjarje dhe rezultate sportive, siç na ndodhte jo rrallë neve komentatorëve radiotelevizivë të futbollit.
Por jo. Ai më tha: “Ke shumë të fala nga Viktor Stratobërdha, i cili është emigrant si unë në Greqi. Të kujton me shumë mall dhe të përgëzon për dossierin aq të goditur, për Konferencën e Tiranës. Të përgëzon edhe për dy filmat e Xhanfise Kekos dhe Gëzim Erebarës, me skenarët e t’u, që ka parë në kanalet shqiptare. Kur të vijë ndonjëherë në Shqipëri, ka shumë dëshirë të të takojë”. Por kjo mjerisht nuk ndodhi…! Në vitin 1999, u zhvendosa dhe unë me familjen në Amerikë. Nuk dija si të lidhesha me të. Dhe ja, në maj të vitit 2000, pasi ishte vendosur si emigrant politik në Kanada, mora vesh me shumë keqardhje, se Viktor Stratobërdha ishte shuar përgjithnjë. Ç’përkim i çuditshëm! Kishte lindur në maj të vitit 1925 dhe ishte ndarë nga jeta, në maj të 75 viteve më pas.
“Do të kishte qenë një nga figurat më të më mëdha të kinematografisë sonë, – më thoshte Kristaq Dhamo, në biseda telefonike, ai në Nju Jork dhe unë në Boston, në të cilat bisedonim, kryesisht për kinematografinë. – “Por do të shkruaj për të”. Dhe kështu ndodhi. Kristaqi shkroi për të një libër të vogël, por me vlera të mëdha, të shoqëruar me intervista të botuara në gazeta dhe revista, kushtuar atij, si dhe përshtypje, së pari nga e bija, Flutura, psikologe dhe të shkrimtarëve e artistëve që e kishin njohur nga afër, Dionis Bubani Arian Myrto dhe Xhovani Shyti…!
Shkroi si artisti për artistin, i shtyrë dhe frymëzuar nga dashuria dhe respekti për ato që Viktor Stratobërdha kishte mundur të bënte vetëm për 13 muaj regjisor, siç e ka titulluar librin e tij. Në gusht të vitit të kaluar edhe Kristaq Dhamo u nda nga jeta, por në moshën 89-vjeçare, veç të tjerash, besoj, edhe me kënaqësinë që pas filmave të tij mbresëlënës, na la dhe një libër shumë domethënës në bibliotekën e kinematografisë shqiptare, për Viktor Stratobërdhën. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016