Nga Branko MERXHANI
Memorie.al / I. Gjendja politike ! Në polemikat politike të ditëve të fundit u përmendën shumë emra dhe mbiemra, u bë shumë zhurmë mbi persona, mirë po na u shfaqën shumë pak njohje e kuptime, nuk u bë po thua asnjë sqarim objektiv rreth gjendjes. Me gjithë që kaluan muaj të tërë dhe me gjithë se bisedimet muarën një zgjerim të madh dhe zhurmonjës, me gjith’atë nuk u tha po thua asgjë deri sot, n’emrin e mendimit këtë herë. Sa u përmendën, kanë qenë kaq të kufizuara, të turbullta dhe të varfra, që ësht krejt’ e pamundur për njërin të kuptoje se ç’bëhet dhe për ku shkojmë pikërisht. Nuk na pëlqen aspak të mbarim zhurmën e polemikës politike të gazetave të përditshme, në shtyllat e një reviste kulturore. Sepse na shohim dhe ndjekim nga një pikë-vëzhgimi shum të ndryshme, gjith’atë skenë të pa – shijshme të sharjeve personale dhe të retoris antipathike që nuk ka asnjë përmbajtje të sinqertë substance.
Përkundrejt rrymës së zhvillimit të jetës politike-shoqërore të vendit tonë, rëndësia e katër a pesë personave dhe jetëshkrimet e tyre është hiç. Pika e vëzhgimit t’ onë ësht e vendosur mbi një majë ndërmjet një dheu të rrënuar tej e për tej, i cili fillon të mbrunjë kallëpe të reja dhe kemi për kundruall gjat’ e gjerë një horizont të hapet me gjithë thellësinë e tij të pa njohur e, me gjithë mysteret e veta. Për këtë shkak themi se ndjekim me një farë shqetësimi polemikën politike personale që zhvillohet nëpër shtyllat e shtypit të përditshëm, polemik’ e cila me tendencën që ka marrë sot, nuk kontribuon aspak në ndriçimin e shenjave t’ errta t’epokës, të cilat mundojnë ndërgjegjen t’ onë dhe kanë të bëjnë drejtë për drejtë me interesat më jetike të kombit.
Dhe hidhërohemi sepse asaj polemike politike i mungojnë pikërisht kuptimet e thella, që shfaqin ndryshimet bazale në sistemin e njohjes dhe se pse pjesa kryesore e zhurmës thëthitet prej një demonstrate të disa heroizmave dhe shërbimeve të kaluara, shpjegimi dhe vërtetimi i të cilavet nuk ësht punë e ditës së sotshme, por ësht vepër e historisë. Duke menduar politikisht, d.m.th., duke menduar si një njeri që merr fenomenin e jetës politike shqiptare të 1936-ës si një ngjarje shoqërore që zhvillohet gjallërisht dhe jo si një marrëdhënie e thjeshtë midis personit “a” të mirë e atij “b” të lig, nuk shohim të bëhet një gjë tjetër veçse një falsifikim i nxitur i disa parimeve të varfra, që munden, mbase, të krijojnë një enthuziasëm të përciptë dhe pa themel në një vend ku fryma e zemërimit dhe e dëshpërimit ka arritur në kulm, por kur nuk ësht në gjendje të ndihmojë në zbulimin e shkaqeve, në përcaktimin e qëllimeve dhe të na japë nji drejtim të ndritur dhe shpëtimtar, që të dalim nga gjendja kaotike e gabimeve dhe e mëkateve të pa numrta që u bënë deri dje.
Është nevoja për një përpjekje mendore, të sinqertë dhe të rëndësishme, që të lindë më së fundi pakëz dritë dhe nji fare ndriçimi brenda në kët errësinë. “Epoka e jonë nuk ësht e vetë-kuptuarshme. Ka nevojë për analizë dhe për ndriçim që të kuptohet”, – shkruanim pak kohë përpara në këto shtylla. A jemi duke kaluar vallë një krizë? Dhe ç’lloj krize është kjo vallë? Që epoka e jonë nuk ësht e kuptuarshme, kjo mjafton të dëftojë gjendjen e një krize dhe bile të një krize shum të rëndë. Epokën në të cilën rrojmë, dhe gjendjen e re të cilës i detyrohet veprimi i ynë ose mohimi i ynë ose edhe një trashëgim, e ndjejmë si një gjë të huaj dhe që ndodhet jashtë nesh, dhe ndërsa ajo ësht shprehja reale e jetës s’onë, me gjith atë na jep përshtypjen e një paraziti.
N’epokën t’onë dhe ekzistenca e ides akoma, quhet paradoks. Çdo gjë që nuk analizohet, d.m.th. çdo gjë që nuk gjendet për mbi logjikën e ditës dhe që nuk përgjigjet në kërkimet e jetës së përditshme, cilësohet jo vetëm si një gjë e tepërt, po edhe si një gjë që nuk ekziston fare. Është sikur t’a kemi bërë zakon të rrojmë brenda n’ errësirën dhe e lemë veten t’onë të tërhiqet verbërisht dhe pa vullnet, nga dallga e pa sigurimit, nga kaosi i marrëzisë që mbytë brenda në labirynthin e anestezisë dhe ushqen pa reshtur krymbin e shqetësimeve t’ona. Dhe kështu nga njëra anë politika u shkëmbye në një letëraturë autobiografike banale dhe nga ana tjetër ideologjia rrezikohet të katandisë e të bëhet politikë!…
Epoka e jonë ka nevojë për analyzë dhe për ndriçim. Një epokë që nuk kuptohet vet-vetiu, një krizë që nuk kapet dot, po kalojmë pa dyshim. Dhe ka dy faza te veçanta, dy fronte të ndryshme kjo epokë. E para ësht faza që shpreh nevojat e një paraqitjeje shtetërore më të drejtë dhe më përparimtare të tërësisë s’onë politike, është d.m.th. faza thjesht politik, nga e cila kthehen gjith energjitë, gjithë pasionet, pikërisht sepse kërkojnë të japin një bazë, sidoqoftë, më normale dhe një përmbajtje, sidoqoftë më substanciale n’ organizimin t’onë si Shtet. Kërkojmë të kthehemi në normalitetin e marrëdhënies midis pushtetit e popullit duke kapërcyer taktikën gjysmë-demokratike të përgjegjësisë së mbyllur, që u zbatua deri tani. Kjo tendencë, në qoftë se ësht e sinqertë dhe në qoftë se buron me të vërtetë siç pandehim, nga dëshira të kontribuojë në zhvillimin normal t’organizimit t’onë politik, atëherë mund të na shpjerë në dy lloj përfundimesh:
1) Në stabilizimin e një Autokracie pa mbulesë, me kuptimin modern oksidental të kësaj fjale, si mbas së cilës Autoriteti drejtonjës vjen nga vullneti i shfaqur i popullit, me çdo mënyrë të përshtatshme. Në këtë rast systemi i sundimit gjendet në hasje të drejtë përdrejtëshme e të përditshme me popullin pa qenë në mes një trup ndërmjetës i ushqyer si parazit. Kjo zgjidhje kërkon një fare përgatitje është komplekse, por të paktën është e sinqertë.
2) Në afrimin dhe adaptimin, por të qëndrueshëm drejt sundimit të punës demokratike të vërtetë. Në rasë të tillë duhet të pranohet si bazë zbatimi i plotë i i Statutit që cilëson regjimin t’onë si një regjim Monarki kostitucjonale parlamentare dhe demokratike. Ky adaptim supozon natyrisht. Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të. Kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze dhe e ndërgjegjshme, vullnet i plotë, guxim dhe drejtim me mënt. Dhe përpara çdo gjëje tjetër duhet: Dritë! Këto janë vijat e përgjithshme të problemit politik që bisedohet natyrisht nëpër gazetat – dhe që duhet të marrë formë të prerë për së shpejti.
Dhe brenda kornizës së një bisedimi të tillë nuk ka gjë kaq pa vend dhe pa mënd sa ësht dallimi që bëhet midis të “Rinjve” dhe “Pleqve’: Politika nuk do të thotë ideologji. Politikë d.m.th., thjesht pajtim me Realitetin. Politika nuk bën ideologji. Bën Psikologji. Dhe i përdorë ideologjirat si mbas nevojave që ndjen për realizimin më të shpejtë e më të sigurtë të qëllimit të saj pajtimtar dhe praktik. Ata që në politikë skllavërohen në ideologjira dhe nuk zotërojnë spontanitetin që t’i përdorin lirisht, si mbas rrethanave dhe bile në çaste të caktuara t’i shuajnë krejt nga radhori i veprimit të tyre, ata ngrehin kështjellë n’erë, bëhen viktima të thjeshtësisë së vet ose rrinë ndër ditët si të sotshme, të qetë në shtëpinë e vet dhe këndojnë gazetat vetëm e vetëm që të kënaqin kureshten e vet.
Gjendja Shoqërore
Faza e dytë e epokës që po kalojmë, ësht’ ajo fazë që shprehë problemacitetin e një fenomeni krejt shoqëror, faktorët më kryesorë e së cilës janë konditat fysiko-teknike dhe sociologjike të jetës s’onë kolektive. Fenomeni shoqëror i Shqiptarizmës ësht një fenomen i ri që përpiqet të gjejë udhën e historizimit të tij, mbas dukjes së tij në formë Shteti, krejt të kundërt nga fenomenet shoqërore nacionaliste t’origjinës perëndimore. U bëmë Shtet para se të mërijmë të plotësojmë formimin t’onë si Shoqëri. Ky është shkaku që shteti ynë ka një shfaqje një-anëse paradoksale, dhe ky është kuptim i “Neo-s” që dhamë na në shprehjen shkencore “NeoShqiptarisma”, këtu edhe tetë vjet përpara. Këtu gjendemi n’altarin e kulturës dhe jo në skenën e politikës. Deri në ç’pike mundet të stabilizohet një marrëdhënie midis këtyre dy kuptimeve? Kjo ësht një çështje tjetër.
Ësht çështja e s’ardhëshmes dhe jo çështje e ditës së sotshme, e cila mbushet po thua kryekëput nga nevoja e formimit politik, detyra e parë e të cilit ësht të krijojë një takim të sinqertë dhe reciprok midis Shteti dhe Shoqërisë dhe pushon t’interesohet për zhvillimin e një pike afrimi midis kulturës dhe politikes. E para (Shteti) ësht vepra e njerëzve të veprimit, e dyta (Shoqëria = kultura), ësht vepra e njerëzve të mendimit. Dhe pikërisht rreth kësaj del pyetja e madhe: Pa ndihmën dhe bashkëpunimin e njerëzve të mendimit, a janë vallë në gjendje njerëzit e veprimit vetë të ngrehin jetën kombëtare mbi themele të shëndosha? Jo! Duhet të gjendet mënyra për një bashkëpunim të lirë dhe për një zhvillim të pa-pengimit midis këtyre dy funksioneve që të kryqëzohen përfundimet e të dy lëvizjeve në një njësi praktike, dhe të gjallë, nga e cila duke filluar do t’ecim drejte formës së re shoqërore të jetës kombëtare, do t’ecim d.m.th. drejt ndryshimit shoqëror.
Nga formimi i Fisit në formimin e Popullit dhe këtej pastaj n’atë të Kombit. Duke u frymëzuar nga këto parime siç kemi shkruar edhe tetë vjet më parë në “Demokratin” neve nuk na intereson forma e regjimit, por na intereson sistemi i sundimit. Le të jetë në fuqi çdo Qeveri që të dojë mjafton të jetë Qeveri idealistësh që kanë si program të ndihmojnë me gjithë fuqinë e vet në veprimin dhe zhvillimin e lirë të fenomenit nacionalist të ri, d.m.th., të “Neo-Shqiptarismës” dhe të marrim aktivisht pjesë në kristalizimin e idesë së Kombit. Këtu ësht vendi ku dallimi i ‘ri” dhe i “vjetër” ka një kuptim. Këtu mbi lëmin e fenomenit shoqëror zotëron tej e për tej, frym’ e kundërshtimit, e heterogjenejtetit dhe i objektivitetit. Këtu kanë ngrefur për kundruall llogoret e tyre anëtarët e traditës më njanë, dhe anëtarët e përparimit dhe të ndryshimit m’anë tjatër.
Na s’kemi tradita nacionaliste. Traditat t’ona janë tradita të Familjes, të Fisit dhe më sociale nga të gjitha janë traditat fetare. As njëra nga këto as dhe të gjitha bashkë në grumbullimin e tyre, nuk përfshijnë asnjë bazë synthetike që të kontribuojnë në realizimin e idesë së Kombit. Këto vlera të përçarjes s’onë morale duhet të ndryshojnë formë dhe përmbajtje si mbas nevojave që shfaq Shoqëria e jonë kombëtare që mund të themi deri në një pikë se gjindet sot në shpargënjt e vet.
Ky ësht qëllimi i përpjekjes s’onë. Puna, pra, ësht për një evolucion dhe jo për një revolucion. Përparimi i formimit t’onë shoqëror mvaret nga ndryshimi i koncepcionit, të sistemit dhe jo nga shkëmbimi i thjeshtë personavet. Mvare’t nga reforma e institucioneve t’ona politike si mbas nevojave të reja të jetës. Nji person moralisht më i mirë shpesh here nuk ësht i tillë dhe politikisht.
Dhe detyra e jonë nuk ësht të pohojmë gjithçka që t’arrijmë në fund në një Nihilizm politik, por ësht të krijojmë një mekanismë transformonjëse midis Kaosit të shoqërive shqiptare të vogla dhe të shpërndara dhe të jetës së shoqërisë shqiptare të madhe dhe të bashkuar midis të tanishmes dhe t’ardhëshmes, midis të “vjetrit” e të ‘riut’: Njeriu vetëm mbi historinë mundet të punojë, pa marrë parasysh në se historia ësht nji gërmadhë. Përmbi at themel historik, që ësht detyr’ e jonë t’a ndriçojmë nga gjith’anët, e tij dhe t’a lajmë moralisht dhe materialisht, kemi brezat e djemve që jeta i sjellë në shoqëri, dhe këta do t’i transformojmë në gjeni të rea shoqërore ashtu siç kërkojmë parimet e rilindjes shoqërore neoshqiptare.
Burri i sotshëm ësht i lidhur ngusht me të shkuarën e vet. Dy vese themelore te temperamentit te tij, kryelartsija dhe pertacija, u bashkuan midis tyre dhe e skllaveruan ne vlerat e vjetra qe ka krijuar për personin e vet. Këto gjëra që kutërbojnë kalbësirë dhe që shpërndajnë mikrobin e prishjes e të përçarjes, duken si dëshmonjësit e vetëm të qënjes së tij. I gjenë të dukura, të qeta, t’ujdisura, dhe pandeh se vlen një botë të tërë. Dhe ashtu shikon punën e vet. Nuk shfaq asnjë dëshirë që të fitojë cilësira të reja, të krijoje vlera të reja. Kjo punë do nji përpjekje dhe fundi i fjalës, kjo përpjekje nuk beson se vlen mundimin. Rri i shtruar dhe i qetë mbrënda në burgun e së shkuarës së vet, dhe aspak s’i shkon nga mëndja mendimi për t’ardhëshmen. Për këtë vetëm e tanishmja ekziston.
Por harron se për jashta atyre burgjevet t’ërrta lindin gjenerata të tëra djemsh, që një e vetme prej tyre ësht shum më e vlefshme edhe nga grumbullimi i gjithë brezave të kaluar. Fuqia që do të drejtojë rrymën e ngjarjeve t’ona shoqërore është Rinia e tyre. Do të rrëmbejnë ata ndonjë ditë fuqinë e kontrollimit të mjeteve të erës prej duarve të prindërve të tyre. Shumica e burrave që rrojnë sot janë pleq nga sa tregon mosha e tyre. Por djem janë edhe ata që lindin vonë për t’u rritur mbrënda në nji qark nacionalist të thjeshtë. Këtu gjendet burimi i thellë i kaosit të sotshëm. Këtu gjendet fusha e vërtetë e luftës mbi të cilën na sot çajmë vijat mbrënda të cilave do të luftojnë nesër brezat që vijnë pas nesh…! / Memorie.al
Botuar në Tiranë, më 1936, titulli origjinalit: “Bardh’ e zi”













