Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1979 dhe janë pjesë e një dosje me korrespodencën e gjatë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, në Tiranë dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, me relacione, raporte, informacione, udhëzime, telegrame, etj., lidhur me shërbimin diplomatik shqiptar, që vepronte në shtete të ndryshme të botës. Në dosjen në fjalë ndodhen dy raport-informacione, ku janë shënuar karakteristikat e 50 punonjësve të shërbimit diplomatik shqiptarë, që shërbenin në shtete të ndryshme të botës, si Berlin, Varshavë, Bukuresh, Pekin, Phenian, Budapest, Pragë, Stokholm, Vjenë dhe Beograd. Në raport-informacionin e parë që mban datën 25. 7. 1979, i hartuar nga Palush Semini dhe Esat Riba, (funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë), të cilët kanë shkuar në disa përfaqësi diplomatike shqiptare, të akredituara në vende të ndryshme të botës, ku kanë marrë pjesë në mbledhjet e organizatave bazë, si dhe janë takuar me të gjithë punonjësit e shërbimit diplomatik, që shërbenin në ato ambasada, si: ambasadorë, sekretarë ambasadash, oficerë të Zbulimit Shqiptar (të kamufluar si diplomatë), atashe ushtarakë, të ngarkuar me punë, atashe tregtarë, përfaqësues tregtarë, shoferë, përkthyes, etj., ku bënin pjesë: Dhimitër Karanxha, Idriz Bardhi, Mirjan Beqiri, Piro Vaso, Llazar Muço, Leonard Zisi, Selim Begolli, Simon Çiço, Nasip Kaçi, Idriz Shehu, Simon Poreçi, Perlat Çaushi, Fatbardh Dedja, Ligor Dhamo, Fiqri Doda, Mehmet Bylykbashi dhe Shqipe Bylykbashi,ndërsa në dokumentin tjetër që mban datën 24. 7. 1979, ku ndodhet relacioni i përgatitur nga Kostaq Lazri dhe Peçi Orgocka, (funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme), ndodhen karakteristikat e punës së diplomatëve dhe punonjësve të shërbimit diplomatik të akredituar në disa vende të tjera të botës, si: Jani Polena, Jani Dhimgjini, Perikli Çuko, Ajaz Isufi, Ramadan Stroka, Vasil Zarka, Agim Kasa, Halit Ibra, Ilo Boçi, Ndricim Greça, Mehdi Shaqiri, Robert Dapi, Kujtim Jaho, Maksim Dingu, Vahit Boriçi, Myfit Hazbiu, Beqir Plaku, Sefer Ramaj, Piro Trebicka, Çerçiz Sala, Simon Qirici, Sazan Bejo, Elsa Mëhilli, Sokrat Plaka, Mustafa Kadiu, Idajet Gurra, Polikron Koçi, Jorgo Themeli, Ila Robo, Vait Uka, Valdete Jaho dhe Lumnije Boriçi.
Dokumenti sekret me relacionin e përgatitur nga Palush Semini dhe Esat Riba, dërguar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ndodhen karakteristikat e punës së punonjësve të shërbimit diplomatik shqiptar, të akredituar në Berlin, Varshavë, Bukuresht, Pekin dhe Phenian
MBI GJENDJEN E KUADRIT DHE PROBLEMET QË DALIN NË PËRFAQËSITË TONA NË BERLIN, VARSHAVË, BUKURESHT, PEKIN DHE PHENIAN
Përveç vlerësimit të punës nëpërmjet relacionit, kemi këto mendime për punën e disa kuadrove në veçanti.
- Në përfaqësinë e Berlinit.
1- Shoku Dhimitër Karanxha– i ngarkuar me punë. Është i aftë dhe i përgatitur, organizator i mirë, jep shembull në punë dhe në ngritjen politiko-profesionale. Më tepër duhet t’i kushtojë vëmendje ndihmës konkrete të shokëve, sidomos për zbërthimin e direktivave dhe problemeve të rëndësishme që shtron Partia në këtë sektor është me perspektivë.
2-Idriz Bardhi-shok i mirë, zotëron detyrën e diplomatit dhe të sektorit të tretë. Përballon një volum pune të konsiderueshëm në ambasadë. Ka mbi 6 vjet që punon në këtë detyrë. Kemi mendim, në qoftë se do punojë prap në këtë fushë, mund t’i besohet detyra edhe më të mëdha. U zgjodh përsëri sekretar i organizatës-bazë.
3-Mirjan Beqiri. Ka rreth 4 vjet që punon si diplomat. Mendimi i shokëve të organizatës dhe i jonë, është se duhet të bënte më shumë në këtë detyrë, i ka munguar iniciativa, ka pasë shfaqje indiferentizmi në kryerjen e detyrave. Kjo ka ardhë edhe nga mendimi që të mos shkojë më tutje në këtë fushë. Ka shfaqur dëshirën për t’u pranuar në Parti.
4-Piro Vaso – i ngarkuar me detyrën e atasheut tregtarë. Megjithëse pa-parti, organizata e vlerësoi punën e tij. Na u duk i shkathët e serioz në kryerjen e detyrës. Ka mësuar dhe zotëron mirë gjuhën e vendit.
- Në Përfaqësinë e Varshavës
1-Llazar Muço- me detyrën e të ngarkuarit me punë rishtas. Na u duk shok me horizont në fushën e diplomacisë, korrekt dhe kërkues në marrëdhënie me shokët. E pengon gjuha e vendit, por po punon që ta zotërojë atë.
2-Leonard Zizi – ka mbi 6 vjet që punon me detyrën e sekretarit të III-të të ambasadës. Shok i përgatitur dhe punëtor i mirë, është i aftë të kryejë detyra edhe më me përgjegjësi në këtë sektor, ka kërkuar të pranohet në radhët e Partisë.
3-Selim Begolli – në detyrën si diplomat, ka nevojë të bëjë më shumë përpjekje sidomos në fushën profesionale. Ka bërë përpjekje për përvetësimin e gjuhës vendit. U zgjodh sekretar i organizatës – bazë.
4-Simon Çiço – në detyrën e diplomatit është fillestar, ka nevojë të studiojë, sepse ka nivel relativisht të ulët, gjuhën e vendit nuk e zotëron.
- Në përfaqësinë e Bukureshtit.
1-Nesip Kaçi – ambasador, i zgjuar dhe me partishmëri. Punon shumë vetë, studion, ndihmon shokët, merret mirë edhe me problemet e tregtisë. Është shokë me perspektivë.
2-Idriz Shehu – punon mirë, e njeh detyrën dhe gjendjen e shqiptarëve në Rumani. Është shokë i komunikueshëm por ashtu siç u tha edhe në organizatë, duhet të jetë më i qetë se ka patur shfaqje nxitimi në mendimet apo kritikat ndaj shokëve. U zgjodh përsëri zv/sekretar i organizatës.
3-Simon Poreçi – merret me problemet e tregtisë, është punëtor i mirë dhe i ndërgjegjshëm. Duhet të thellohet në studimin e tregut e të njohë konjukturat e tij. U kritikua për ndonjë rast rrëmbimi, në marrëdhëniet me shokët. Është shokë me perspektivë, u zgjodh përsëri sekretar i organizatës – bazë.
- Në Përfaqësinë e Pekinit.
1-Perlat Çaushi – i ngarkuar me punë. Është shokë që përpiqet shumë dhe e ndjen përgjegjësinë për detyrat e ngarkuara, thellohet në nxjerrjen e konkluzioneve, mban marrëdhënie të mira me shokët. E justifikon detyrën dhe është shok me perspektivë.
2-Fatbardh Dedja – është kompetent për sektorin e ngarkuar, specialist i zoti për njohjen e gjendjes në vend, ka filluar të njoh edhe zonën. Por me qenë se ka mbi 5 vjet që punon në këtë përfaqësi, ka kërkesë të kthehet në Atdhe.
3-Ligor Dhamo – ndjek problemet e tregtisë. Organizata-bazë dhe mendimi i jonë, është shok serioz, i aftë e me kurajo. Megjithëse tani nuk ka detyra konkrete në marrëdhënie me Kinën, po punon e ndjek disa probleme të zonës, në veçanti me Japoninë. U zgjodh sekretar i organizatës – bazë. Duke qenë shokë me aftësi e mundësi të mira, mund të shikohet për ta ngarkuar në detyrë tjetër.
4-Fiqiri Doda – zv/Atashe ushtarak, gjatë këtij viti pothuajse s’ka asnjë aktivitet. Mund të jepte më shumë nëpërmjet takimeve me diplomatët e huaj.
5-Mehmet e Shqipe Bylykbashi – punonjës të tregtisë, pa parti. Në organizatë u thanë fjalë të mira për punën dhe marrëdhëniet në kolektiv. Mendimi i jonë është se, në qoftë se do largohet, shoku Ligor Dhamo, këta të dy mund ta kryejnë mirë këtë detyrë. Veç kësaj, po japin kontribut të mirë në rolin e përkthyesit e leximin e shtypit.
- Në Përfaqësinë e Phenianit.
1-Miltiadh Bode – si ambasador, kemi mendimin se e ka filluar mirë, si në organizimin e punës ashtu edhe në marrëdhëniet me shokët.
2-Ismail Djaloshi – ka mbi 3 vjet që punon si sekretar i ambasadës dhe kryen edhe detyra në fushën e tregtisë. Është njeri i pastër, punëtor i mirë dhe e ka justifikuar detyrën. U zgjodh përsëri sekretar i organizatës bazë.
Për këtë ambasadë dhe atë të Varshavës është urgjent dërgimi i një shoku që të zotërojë gjuhën e vendit.
Edhe një herë theksojmë se, duhet të bëhen përpjekje më të mëdha nga dy ministritë për zbatimin e vendimeve për qarkullimin, lejet, punën prodhuese dhe interesimin për pjesëtarët e familjes që kanë në Shqipëri.
25.7.1979
Palush Semini
Esat Riba
Dokumenti sekret me relacionin e përgatitur nga Kostaq Lazri dhe Peçi Orgocka, dhe Esat Riba, dërguar Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ndodhen karakteristikat e punës së punonjësve të shërbimit diplomatik shqiptar, të akredituar në: Budapest, Pragë, Stokholm, Vjenë dhe Beograd
Disa mendime për kuadrin
Nga mbledhjet e organizatave bazë si dhe nga konsultat e bisedat me kuadrot diplomatë, krijuam disa mendime mbi punën dhe aftësinë e disa punonjësve kryesorë që veprojnë në ambasadat që pamë (Hungari, Çekosllovaki, Suedi, Austri, Jugosllavi).
Natyrisht për 3-4 ditë, është e vështirë që të japësh vlerësime të plota dhe objektive për një numër jo të pakët kuadrosh, por megjithatë, ne do të përpiqemi të japim disa mendime për ta.
- Ambasada në Budapest
1-Jani Polena: Është i përgatitur si kuadër me horizont të gjerë, politikisht i ngritur, ka fituar shpejt përvojën diplomatike, ka punuar mirë në përvetësimin e gjuhës angleze, ka autoritet tek vartësit, është sistematik në punë (tek i vetmi titullar gjetëm skedime të materialeve dhe dokumenteve mbi të cilat ai punon). Megjithëse kuadrot e tjerë i ka të dobët, ai nuk i aktivizon siç duhet ata që t’i kualifikojë në punë, ashtu si dhe për të ulur ngarkesën që ka dhe vetë.
Nga ana shëndetësore nuk e përballon klimën, dhe regjimin e punës. Na ngriti kërkesën për t’u larguar nga detyrat e përfaqësive jashtë shtetit, dhe mendojmë se kërkesa e tij, duhet të merret parasysh, edhe për arsye familjare.
2-Jani Dhimgjini: U zgjodh dhe Sekretar i Organizatës Bazë (megjithëse është në pragun e mbushjes së afatit). Përpiqet që të realizojë detyrat e ngarkuara, njeh relativisht mirë gjuhën hungareze. Është ca impulsiv dhe i rrëmbyer. Nuk ka horizont të gjerë dhe praktikën e kërkuar diplomatike. Duhet të jetë më sistematik në punë, si dhe më këmbëngulës në ngritjen e nivelit të tij.
3-Perikli Çuko: Na u duk i ngathët dhe jo i përgatitur për detyrën që kryen (atashe tregtar). Problemet e tregtisë ai, i njeh përciptazi dhe nuk thellohet në çështje të tilla konjekturale si p.sh., perspektiva e tregtisë me Hungarinë. Në mjaft çështje, na u duk konfuz. Bënte më shumë një punë rutinore. Mirë është që të zëvendësohet.
4-Ajaz Isufi: Zv/Atashe Tregtar. Ishte më i përgatituri, si dhe dinte mirë anglishte e po mësonte dhe gjermanishten. Pavarësisht këtyre ai, nuk ishte i mobilizuar dhe dukej sikur i shmangej detyrave. Na u duk i plogësht dhe jo kërkues ndaj vetes. Ka plotësuar afatin. Mendojmë se duhet zëvendësuar.
5-Ramadan Stroka: Është një nga shokët që ka mbaruar kursin 2 vjeçar të Ministrisë së Jashtme. Megjithëse është pak i përgatitur, ka horizont jo të gjerë dhe nuk bën mjaftueshëm përpjekje për ngritje profesionale. Ka pretendime dhe na u duk mendjemadh. Është kritikuar për refuzimin e detyrave që i janë ngarkuar. Edhe me gjuhët e huaja, nuk ka bërë përparimet e nevojshme.
6-Vasil Zarka: Shofer, me arsim të mesëm, punon mirë, bën përpjekje për të mësuar gjuhën vendase. Na u duk i shkathët dhe i pjekur. Punon për zgjidhjen e mjaft problemeve konsullore. Mendojmë që të qëndrojë dhe ca kohë për të ndihmuar në punë, dhe në perspektivë të kualifikohet në ndonjë kurs për diplomat, duke punuar për t’u pranuar dhe në Parti.
- Ambasada në Pragë
1-Agim Kasa: Bën përpjekje për realizimin e detyrave dhe zbaton drejtë politikën e Partisë. Ka kohë të gjatë në detyra diplomatike, dhe ka fituar përvojë. Por nuk na u duk sistematik në punën e tij, mjaft i butë me drejtuesit, si dhe nuk kërkon llogari për realizimin në kohë të detyrave. Përpjekjet e tij për të njohur gjendjen e Çekosllovakisë, duhet të ishin më të mëdha.
2-Halit Ibra: Është njeri i përgatitur për sektorin që mbulon. E njeh mirë gjendjen në Çekosllovaki dhe ka mësuar gjuhën vendase. Mund të eci mirë. Na u duk me partishmëri e me perspektivë.
3-Ilo Boçi: Njeh mirë sektorin e tij dhe gjuhën çeke pasi, ka studiuar në Çekosllovaki. U rizgjodh si Sekretar i Organizatës Bazë. Është i pjekur profesionalisht dhe punëtor. Thellohet edhe tek ndonjë studim në fushën e tregtisë. Edhe afatin po e mbush dhe, duhet menduar për t’u zëvendësuar me një kuadër të përgatitur, pasi dhe volumi i punës së tregtisë atje, është i gjerë dhe i madh./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016