Dashnor Kaloçi
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kristo Voko, me dokumentin ku është zbardhur biseda telefonike midis bashkëshortes së Tuk Jakovës, Mita Leka Jakova, me të motrën e saj, kompozitoren e njohur, Dhora Leka
R A P O R T
Mbi bisedimin telefonik të Mita Jakovës me Dhora Lekën
Në datën 6.3.1957, ora 18.00, Mita Jakova zhvilloi me Dhora Lekën në telefon këto biseda:
Mita: A ka rënë grip aty, jeni gjë të sëmurë, si është mamaja, nuk do të vijë…?
Dhora: Ka grip, neve nuk jemi të sëmurë, nëna është mirë, mërzitemi për ju.
Mita: Neve mirë jemi dhe këtu ka grip, Dhorë, ke marrë ndonjë lajm andej…?
Dhora: Morra vetëm një shënim, por nuk më lënë të shkoj të takohem.
Mita: More shënim të shkosh në Tiranë, Dhora, po shkove në Tiranë, është mirë të takohesh me ata shokët e Partisë (këtë frazën e fundit, Mita, e përsëriti me intensitet 3 – 4 herë, pasi Dhora nuk e dëgjonte mirë dhe më së fundi, Mita, i tha: lëre lëre, nuk e dëgjon, bile në fillim i tha: “Të takohesh me atë shok” dhe pastaj e kthehu: “Me atë shok të Partisë”).
Mita: Dërgo ndonjë lajm.
Dhora: Mita, ai kërkon të ndahet, nuk më lënë të shkoj.
Mita: Nëna mërzitet?
Dhora: Jo nuk mërzitet, nga data 20 do ta dërgoj andej.
Mita: Pa pushuar gripi, mos e dërgo.
Më së fundi u përshëndetën, duke i premtuar njëra – tjetrës se do të këmbejnë lajme më vonë, por me çfarë mjeti nuk thanë.
Linja kishte shumë zhurmë dhe nuk dëgjohej mirë, u dëgjua që centralistja e Gjirokastrës i tha Dhorës: “Mbaruan minutat” dhe Dhora ju përgjigj: “Mirë, do të paguaj më shumë”.
Biseda u dëgjua me anë të një aparati të tretë prej major Kristo Vokos.
Punëtori Operativ
Kristo Voko
Shënim:
1. Raporti të shtypet në 3 kopje, një të vendoset në dosjen e Mita Jakovës, njëra t’i dërgohet Degës së II-të dhe tjetra Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Gjirokastër.
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Kapiten Nexhip Pajo, me të dhënat e rezidentit të Sigurimit me pseudonimin “Beteja e Seulit”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës
Marrë nga P. Op. Kapiten Nexhip Pajo
Në takim me Rezid. “Beteja – Seulit”
Raport i dt. 20.3.1957
Burimi njofton se ai rreth datës 16 shkurt të vitit 1957, në parkun e makinave të batalionit, ku pastronin automjetet, ishin duke biseduar me ushtarë Jonuz Ymerin e Nimet Bacin dhe ai, mbi pushkatimin e Dali Ndreut me të shoqen e tij. Ndër të tjera, Jonuzi tha se: “Unë çuditem me këta të mëdhenjtë që nuk rrinë rehat, populli u jep lekë sa s’i hanë dot, kurse këta e tradhtojnë”.
Nimeti, pyeti atë; si thoni juve, ç’kanë këta dhe çfarë duan, ai tha: po juve si mendoni, unë tha Nimeti, them se këta janë politikanë dhe nuk duan këtë qeveri. Këtë e thotë dhe Jonuzi, jo more, se Dali Ndreu bashkëpunonte hapët me jugosllavët dhe ishte bërë agjent i tyre së bashku me gruan e tij. Ai tha se; a e sheh sa bukur e di ky, kurse Jonuzi tha që; unë këtë e mësova nga Tuk Jakova.
Ai tha se; Tuku me ty do të llafoset, Jonuzi tha se; jo, ai me mua nuk u llafos, por unë vajta në Berat në nëntor të 1956-ës, për të marrë një familje oficeri që ishte transferuar në Shkodër dhe ai oficeri u njoh me atë shkodranin që ishte civil, të cilin se njoh dhe i tha se; unë shkoj në Shkodër, ai civili i tha se; nëse do të shkosh, ai oficeri i tha se; ja tek e ke shoferin.
Kurse civili tha se më merrni dhe mua për në Shkodër meqenëse shkoni direkt, unë tha Jonuzi, i thashë; si mos të marrim shkodranët, se edhe vetë jam nga Shkodra, nga ai muhabet tha Jonuzi, ai oficeri iku, kurse unë u bashkova me civilin ku në rrugë u takuam me Tukun dhe shëtitëm e vajtëm në restorantin “Moska” e pimë birrë.
Ai i tha Jonuzit; po si të besuam të pinin me ty? Jonuzi i tha se; para se të shoqëroheshim, Tuku druante dhe nuk bënte muhabet, por ai shkodrani hapi muhabetin e Dali Ndreut me gjithë të shoqen e tij, se si u pushkatuan.
Tuku e shikoi në sy dhe nuk i bëri zë dhe unë e pashë tha Jonuzi, se ata nga unë u frikësuan dhe u thashë; nga unë mos kini frikë, mos u druani dhe më njihni e u tregova emrin e babës dhe u thashë se edhe unë jam si juve, në këtë kohë u hodh ai civili dhe tha; ama, djali i filanit je ti, duke thënë se unë e njoh babanë tënd.
Dhe i tha Tukut; mos u druaj nga ky dhe ja filluan muhabetit. Tuku në këtë kohë tha se; unë i thashë Komitetit Qendror se nuk është vija e Partisë ashtu, këtë e thashë dhe e them. Ai civili tha; Ti Tuk, ke bërë gabim se nuk veprohet ashtu si vepruat ju, unë tha Tuku, një gjë që është e drejtë, ja them popullit, Partisë, po si e marrin njerëzit dhe Partia, është diçka tjetër.
Ai i tha Jonuzit; po në ç’mënyrë është diçka tjetër, Jonuzi tha: ai e di, se unë jam shkodran, por atyre s’ua merrja vesh muhabetin. Nimeti i tha; po ata shqip flisnin, Jonuzi tha se; shqip flisnin, por unë s’ua kuptoja dot, e kishin mbi vrasjen e Daliut me të shoqen e tij. Në këtë kohë, mblidhet reparti dhe biseda u ndërpre.
Po me datën 13.3.1957, ora 10 paradite, ai së bashku me ushtar Dhimitër Ruçin, vajtën dhe kontrolluan makinën e Jonuz Ymerit. Jonuzi ishte bashkë me ushtar Sulejman Gabën dhe kishin muhabetin mbi fjalimin e Popoviçit dhe shpjegonin çfarë thoshte gazeta. Dhimitër Ruci i tha Jonuzit; duket ti që ma ke kokën të madhe dhe duhesh të merresh me politikë, Brahim Çela i tha se; ti duhet të merresh me njerëz të mëdhenj dhe se meriton të jesh këtu.
Ai tha; po s’e dini, juve se ky me të vërtetë merret me njerëz të mëdhenj dhe a e dini juve se ky na ka gënjyer dhe një ditë tjetër, duke thënë se; u takuam me Tuk Jakovën dhe bëmë muhabet të vërtetë. Jonuzi tha se; mos më shiko se unë jam ushtar, pse çfarë ka se Tuku punëtor ka qenë dhe pse unë i’u paraqita si i tyre, ai tha se mundet.
Sulejman Gaba tha se; dhe ky kulak ka qenë (për Jonuzin) dhe Tuku kulakët përkrahte, në këtë kohë ai tha; jo more, unë tallem me Jonuzin, se është si hoxha, se edhe Tuku priftërinjtë e hoxhallarët përkrahte, Dhimitër Ruci tha se; ashtu si e bëri, e pësoi.
“Beteja e Seulit”
Detyrë:
- Të marrësh kontakt përsëri me Jonuz Ymerin dhe shiko që qëndrimin e tij në repart, nga bisedat që do bësh me të dhe me Nimet Bacin, mëso nëse do të flasë Jonuzi për Tuk Jakovën dhe çfarë do të thotë, sidomos në qoftë se do të shkoj në Berat me shërbim, a do të takoj Tukun, etj.
- Mëso rrethin e tij shoqëror dhe miqësor që ka në repart dhe jashtë repartit, mëso nëse ka interes të mësojë të dijë mbi sekretin ushtarak dhe në çfarë drejtimi, gjithashtu shiko se si e mban makinën e tij që ka në ngarkim.
Sqarim:
- Ushtar Jonuz Ymeri është shofer në Batalionin Rezervë të Komandës së Përgjithshme me detyrë shofer, ky në këtë repart deri tani ka mbajtur qëndrim të mirë dhe deri më sot nuk kemi pasur ndonjë të dhënë për të.
Tiranë, më 21.3.1957
Punëtori Operativ
Kapiten Nexhip Pajo
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Raqi Zavalani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjilenti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës
Marrë nga P.Op. Raqi Zavalani
Dhënë nga B.p. “Vigjëlenti”
Vlorë, më 4.11.1957
R A P O R T
Prej datës 23 gusht e deri më datën 3 nëntor 1957, janë diskutuar nga ana e Tuk Jakovës e Hulusi Spahiut, duke qenë prezent dhe ai, këto çështje:
Mbi prapaskenën e Beratit: Në Berat Konferenca zhvilloi punimet e saj, në këtë konferencë u morën dhe masa kundër disa shokëve, siç është rasti i Ramadan Çitakut dhe Liri Gegës. Kjo e fundit, gjoja se i kishte zënë vendin Koci Xoxes, por vetë shoku Enver Hoxha, e kishte lënë me atë detyrë, pasi Koci Xoxe ishte në burg.
Këtu me të vërtetë ishte një prapaskenë, në të cilën bënte pjesë dhe shoku Nako Spiru, por në këtë prapaskenë, nuk kanë pasur gisht jugosllavët, pasi aty bënte pjesë Miladini, i cili nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, prandaj këtu nuk ka pasur ndërhyrje nga Jugosllavët. Nakua, mbasi mbaroj Konferenca, tha se na mbeti ky….fjalë fyese për shokun Enver.
Mbi Plenumin e VIII-të. Para se të bëhej Plenumi, thotë Tuku, Partia Jugosllave i çoi letër Komitetit Qendror të Partisë sonë, ku thuhesh se; në marrëdhëniet tona po kristalizoheshin dy vija: vija e parë për marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe vija e dytë për prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, këtë rol për prishjen e marrëdhënieve, e luante Nako Spiru.
Në Plenum doli se në kokën e Partisë sonë, ka pasur një fraksion dhe kjo është e vërtetë, pasi shoku Enver dhe Nako Spiru kanë biseduar me njëri tjetrin, por duke për këtë situatë, shoku Enver ja la të gjitha Nako Spiros, duke mos i lënë afat të gjatë, kështu që u detyrua të vrasë veten. Duke vrarë veten, Nakua i mbuloi shokut Enver marrëdhëniet që ka pasur me Nakon, po të donte Koci Xoxe, ose jugosllavët, atëhere, patjetër do të fitojshin, prandaj nuk ka pasur fraksion.
Mbi Kongresin e I-rë: Në kongresin e I-rë thotë si Tuku ashtu dhe Hulusiu, Enveri ka qenë i izoluar, kjo nuk është e vërtetë, por këtë e ka thënë për t’i ikur kritikës nga masa e Partisë dhe nga ana tjetër për t’ju shmangur autokritikës, mbasi në referatin e Sh. Enver thuhet se vija politike ka qenë e drejtë, kurse vija organizative e shtrembët dhe kjo me qëllim që ti shmanget kritikës nga masa e partisë dhe për të mos bërë autokritikë, po kështu e lidhin dhe të gjithë veprimtarinë e Koçi Xoxes mbi fajet që ai ka bë dhe mbi veprimet ka pasur dijeni dhe sh. Enver, mbasi ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Prandaj dhe kësaj duhet ti bëhesh një analizë e thellë, se kjo nuk zënë vend sot që t’i ngarkohen të gjitha Koçi Xoxes.
Mbi marrëdhëniet me Jugosllavinë: Në vitin 1955 u dukën shenja të përmirësimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë, kurse Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe dritë më shumë për të ecur në këtë drejtim. Mirë po në mos zhvillimin e marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë, një rol negative kanë luajtur Berja e tash, së fundi Molotovi, Kaganoviçi e Malenkovi, kurse në Partinë tonë i pengojnë marrëdhëniet sh. Mehmet Shehu e Liri Belishova.
Këto e akuzojnë Jugosllavinë se nuk ndërtohet socializmi, se ata janë një agjenturë dhe ajo që i prishi më shumë qenë ngjarjet e Hungarisë, kurse nga situate e tanishme del se atje ndërtohet socializmi, se ato nuk janë agjenturë. Kjo vërtetohet me shkuarjen e Hrushovit e Titos në Rumani, prandaj akuzat e bëra kundra lidhjes Komunistëve Jugosllav nga ana e partisë tonë është e padrejtë e pa baza. Prandaj këto marrëdhënie duhet të ndreqen dhe këtë e vërtetojnë me fjalimin e Zhukovit dhe të sh.Enver.
Në prishjen e marrëdhënieve, qoftë Tuku qoftë Hulusiu thonë se faj ka partia e jonë ma tepër. Por sot duhet të rregullohen se kështu e lyp situate./Memorie.al
Datë 4/XI/1957 “Vigjilenca”
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016