Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Zef Gjeloshit me origjinë nga Tuzi, i cili për t’i shpëtuar persekucionit të regjimit titist, që i kishte vrarë disa nga pjesëtarët e familjes, në vitin 1950, arratiset dhe vjen në Shqipëri. Historia tragjike e Zef Dod Gjeloshajt me origjinë nga Trieshi i Malit të Zi, në një libër kujtimesh të shkruar nga vetë ai me titull: ‘Zëri i kujtimeve’, (me parathënie të shkrimtarit të shquar, Dritëro Agolli), ku pasi përshkruan disa ngjarje gjatë periudhës që jetonte në Jugosllavi, ku pati rastin të takohej edhe me Marshallin Josif Broz Tito kur punonte si vullnetar në ndërtimin e autostradës Zagreb-Beograd, tregon edhe arratisjen e tij se si erdhi në Shqipëri, ku parajsa që kishte ëndërruar, i’u kthye në ferr, duke vuajtur për vite me radhë burgjeve dhe internimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës.
Zef Dod Gjeloshaj, me origjinë nga Trieshi i Malit të Zi, ka qenë një nga ata qindra shqiptarë të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilët në vitet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për t’i shpëtuar gjenocidit dhe përndjekjeve të regjimit titist të Beogradit, lanë vatrat e tyre dhe erdhën në atdheun mëmë, në Shqipëri. Por ëndrra e tyre për një jetë më të mirë në atdheun e të parëve, u shua shpejt si një flluskë sapuni. Në atdheun e tyre ata jo vetëm që nuk i priti një jetë e mirë, ashtu sikur kishin ëndërruar prej kohësh, por atyre i’u rezervua një fat tejet tragjik. Arrestime, burgosje, tortura, internime dhe një kalvar i gjatë vuajtjesh, në burgje e kampet e punës së detyruar, pasi më parë ishin akuzuar si agjentë të UDB-së. Ky fat, ishte parathënë edhe për Zef Dod Gjeloshajn, i cili që në rininë e tij, kur nuk ishte më shumë se 20 vjeç, la familjen e tij në Triesh të Malit të Zi dhe erdhi në Shqipëri.
Historia tragjike e Zef Gjeloshajt dhe familjes së tij në Tuz
Zef Dod Gjeloshaj u lind në vitin 1931 në Triesh të Malit të Zi, në një nga familjet më të njohura të atyre trevave me popullsi etnike shqiptare. Babai i tij, Dodë Smajli, ka qenë një nga burrat më të dëgjuar në të gjithë shqiptarët e asaj krahine, duke trashëguar komandën e të parit të vendit, që e kishin pasur në disa breza burrat e atij fisi. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, familja Gjeloshaj mbajti një qëndrim neutral duke ndihmuar si forcat komuniste të Marshallit Tito, ashtu dhe ato partizane të Enver Hoxhës. Veç kësaj, shtëpia e Dodë Smajlit në Triesh, u kthye në spital partizan për forcat serbo-malazeze dhe ato shqiptare që vepronin në atë krahinë. Me mbarimin e Luftës, familja Gjeloshaj nuk pati ndonjë problem me regjimin komunist të Titos dhe dy nga djemtë e Dodës, u mobilizuan si ushtarakë në radhët e Armatës Jugosllave. Por përplasja e tyre ndodhi në vitin 1946, kur djali i Dodës, Nikolla, që shërbente në Beograd, vrau një oficer serb, dhe nga dënimi me vdekje, ai mundi të shpëtonte pas takimit të babait të tij, Dodës, me Marshallin Tito. Pas daljes nga burgu i Goli-Otokut, Nikolla nuk jetoi shumë dhe vdiq nga torturat që i ishin bërë atje. Ndërsa në vitin 1950, vetë Dodë Smajli u vra në përpjekje me forcat serbo-malazeze, që i kishin rrethuar shtëpinë, pasi ai nuk pranoi të dorëzonte një major serb që kërkohej nga regjimi i Beogradit. Pas vrasjes së Dodës, gjatë atij rrethimi, u plagos dhe i biri i tij, Martini, ndërsa më pas i burgosën dhe djalin tjetër, Noshin, i cili shërbente si ushtarak në Kotorr. Nisur nga kjo situatë ku u ndodh familja Gjeloshaj, djali tjetër, Zefi, u detyrua dhe u arratis nga Jugosllavia dhe erdhi në Shqipëri. Por ai “ra nga shiu në breshër”, pasi në atdheun e tij e priti një fat edhe më tragjik. Pasi u dërgua me mision në Jugosllavi, Zef Gjeloshaj u akuzua si armik i popullit dhe burgos e u internua për disa vjet me radhë në atdheun e tij, duke kaluar një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe peripecish. Ndonëse në vitin 1984, Gjykata e Lartë i’a dha pafajësinë, vuajtjet dhe rininë e humbur burgjeve të regjimit komunist, nuk mund t’ia kthente dot askush.
Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli: ”Zëri i kujtesës” i Zef Gjeloshaj, një libër që na vë në mendime!
Jeta dhe historia tragjike e Zef Dod Gjeloshajt, e cila është pasqyruar mjeshtërisht prej tij në librin “Zëri i kujtesës”, pati nxitur shkrimtarin e shquar, Dritëro Agolli për t’i bërë parathënien, ku ai midis të tjerash shprehet: “Çdo njeri është një histori më vete, histori pune dhe lufte, miqësie dhe armiqësie, dashurie dhe urrejtje. Këto janë ngjarje të jetuara, janë përvoja të jetës dhe të jetesës, që njerëzit nuk i mbajnë për vete, por ua tregojnë shoku-shokut, në fshat, në qytet, në shtëpi, në kafe dhe kudo. Më të çmuarat nga këto histori përhapen gojë më gojë dhe merren vesh nga një qark i gjerë njerëzish. Megjithatë, ato kur nuk shkruhen, firojnë dhe humbin me vdekjen e atyre që i kanë treguar dhe atyre që i kanë dëgjuar. Prandaj thuhet se e shkuara mbetet sido që të shkruhet. Gjënë e shkruar as uji nuk e mbyt. As zjarri nuk e djeg. Zef Dod Gjeloshaj, e ka këtë fat që i tregon dhe i shkruan ngjarjet e jetës së tij dhe për të tjerë mbeten të paharruara. Njeri me përvojë të madhe jetësore dhe shumë të ndërlikuar, njeri që ka shkrirë përvojën me kulturën dhe nga kjo shkrirje ka fituar mençurinë. Ky njeri me emrin Zef Dod Gjeloshaj na jep një libër të rrallë me kujtime nga jeta e tij në marrëdhënie me jetën e të tjerëve të miqve dhe të kundërshtarëve të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, dhe mbi të gjitha, të atdhedashurisë dhe të gjoja atdhedashurisë. Në këtë libër kujtimesh ai kujton peripecitë e tij që fare i ri drejt rrugës së vërtetës, pasi në rini barazon idealin me atdheun dhe këtë e quante të vërtetë. Ky konceptim i së vërtetës pastaj i kushtoi shumë. Siç shkruan në kujtimet e tij, ai arratiset nga trevat shqiptare të Malit të Zi, vjen me mall në Shqipëri, e bëjnë veprimtar të Kominternit, organizatë ndërkombëtare e udhëhequr nga Partia e Bashkimit Sovjetik për triumfin e socializmit në botë. Me këtë mision i riu Zef dërgohet përsëri në Jugosllavi për të mbledhur të dhëna që do të shërbenin për rrëzimin e Titos dhe regjimit të tij. Mos harroni se jemi në vitin 1951, kur Shqipëria kishte dy-tre vjet që ishte prishur me Jugosllavinë e Titos, si gjithë Kampi Socialist, kur Zef Dod Gjeloshaj ishte një djalë njëzetvjeçar, sa unë, por ai në Komintern, unë ende në gjimnaz në Gjirokastër. I fortë ky Zefi. Por unë nuk kam qëllim të përsëris në këtë shënime ato që janë në librin e Zef Dod Gjeloshajt. Unë dua të vërtetoj atë mendim, që përmenda pak më parë, në rininë tonë ne bazonim idealin me atdheun. Kështu djaloshi Zef mendonte se veprimtaria e tij në Komintern ishte punë atdhetare, ashtu siç e mendoja edhe unë. Veçse dua të them se Zefi për këto nocion historik, apo ideologjik, është treguar mjaft i mençëm, për këtë le të citojmë një paragraf nga libri i tij, ku flitet për një takim të veprimtarëve të Kominternit me Cuvahinin, ambasadorin sovjetik dhe Mehmet Shehun, aty nga fundi i vitit 1951: “Si për të zezën time, unë më i riu nga mosha, iu drejtova me një pyetje gjeneralit Cuvahin. Shoku gjeneral, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Bolshevike, shoku Andre Vishinski, në një mbledhje të Kominternit tha: “Titizmin do ta zhdukim, por federatën jugosllave do e mbajmë”. Po qe kështu, ne shqiptarët nga Ulqini dhe Tivari e deri në Luginën e Vardarit, çfarë do fitojmë? Pa u menduar fare, Cuvahini tha: “Këtë e ka thënë shoku Stalin”. Gjerogjiani tundi kokën në shenjë aprovimi kurse Mehmet Shehu, i nevrikosur, siç ishte nga natyra, m’u drejtua mua: “Ti nuk je çliruar akoma nga nacionalizmi borgjez. Ti nuk i paske të qarta se në ç’shekull jetojmë”. Unë u shqetësova, por jo sa të mendoja se ato pyetje do të më kushtonin rëndë në fatin e jetës sime”. Zef Dod Gjeloshaj me mjeshtëri në librin e tij i jep këto prita në rrjedhën e rrëfimit, prita që mundohen të pengojnë liqenin e dashurisë për atdheun. Megjithatë, për atdheun pikëllohesh, por nuk zemërohesh. Zefi, siç e gjykoj unë, ka menduar në kohën e zhgënjimeve, se shteti nuk është gjithmonë atdhe. Në rrëfimin për jetën e tij, Zef Dod Gjeloshaj, pa rënë në literaturizëm artificial, e zotëron mjeshtërinë e kurthit për të kapur lexuesin, zotëron atë që unë do ta quaja zemberek si të orës për të mos mbetur pa kurdisur, me një fjalë që ngjarja të shkojë përpara, që lexuesi të bëhet kurioz e të thotë; çfarë do të ndodhë më tej? Ai që në faqet e para të librit, kur tregon për jetën e tij si nxënës për gjimnazin e Pejës, thotë se e ndiqnin njerëzit e sigurimit jugosllav, ata të UDB-së. Për këtë Zef Gjeloshaj shkruan: “Filluan goditjet kundër meje në Gjakovë. Po arrija në përfundimin se nuk dija shumë. I shkreti Sokrat përse nuk më la një racion helm nga ai që piu kur e dënoi me vdekje për blasfemi grupi i Tiranëve të Athinës?” Dhe më tutje ndodhën shumë ngjarje, shumë peripeci, shumë dëshpërime dhe gëzime. Me një gjakftohtësi të çuditshme, ai jep ngjarjet tragjike, si ajo e helmimit në Burgun e Tiranës, por kjo është gjakftohtësia e revoltës, që thërret të burgosurit e tjerë; ruhuni ju se mua më helmuan! Libri i Zef Dod Gjeloshajt, këtij njeriu që rrjedh nga një familje e madhe fisnike dhe patriotike, tregon lindjen, formimin dhe pjekurinë e një njeriu. Ky libër nuk është shkruar në formën një kronologjie të mërzitshme, por të një lëvizjeje të çuditshme brenda kronologjisë. Autori, fjala vjen, edhe kur ngjarjen e vendos në vitet ’50-të të shekullit të kaluar, ka ndërhyrje për ditët tona, edhe kur rrëfen për një vend ku ka shkuar, na kujton historinë e këtij vendi. Me librin e tij, Zef Dod Gjeloshaj, shquhet për një kulturë të gjerë letrare, filozofike dhe politike. Kjo e bën që të rrëfejë në libër me urtësi të veçantë dhe me ndjenjë admiruese humane edhe ngjarjet më tragjike të jetës së tij. Zef Dod Gjeloshaj, me përvojën dhe kulturën e tij e di se, përveç shqiponjës së flamurit, të gjitha shqiponjat e tjera bëjnë glasa…! (Dritëro Agolli) 13 dhjetor 2006.
Kujtimet e Gjeloshajt: Takimi me Marrshallin Tito
Rreth 10 korrikut të vitit 1950, Tito me Jovankën dhe eskortën e tij, erdhën për vizitë në shtabin e përgjithshëm të autostradës Beograd-Zagreb. Dolën dhe e pritën gjithë kuadrot dhe punonjësit e shtabit. U përshëndet me ne e na dha dorën të gjithëve. Më tepër foli me një sekretare bukuroshe, Mica Antiq, nga plazhi i Opatisë. Jovanka e shihte me një vështrim të egër. Tito pyeste me hollësi Micën për vendlindjen e saj, sepse Tito i dinte ato vende, sepse në fshatin Kumrovaç të Zagrebit, kishte lindur e ishte rritur, pa bërë fjalë për vendet piktoreske dhe plazhet që i kishte merak. Kur na u drejtua neve, me një fjalim të shkurtër na tha: “Shoqe dhe shokë. Është në nderin tuaj që po ndërtoni me sukses autostradën Beograd-Zagreb, që është objektivi ynë kryesor i këtij plani 5-vjeçar. Kjo është përgjigjja më e mirë që populli ynë u jep akuzave dhe shpifjeve të Komin-formës dhe mustaqes së Kremlinit. Kohët e fundit, Stalini helmatisi edhe Gjergj Dimitrovin, por te ne, i hasi sharra në gozhdë. Komin-forma dhe gjithë blloku sovjetik këtë autostradë që po ndërtoni me duar të arta, e quajnë aeroport gjigant për aeroplanët anglo-amerikanë. Ju lumshin krahët dhe ju uroj punë të mbarë”. Tito me pamjen e tij të jepte përshtypjen e një udhëheqësi të rreptë, por të vendosur. Kur bënte sikur qeshte, nxirrte dhëmbët e bukur, midis të cilëve dhe atë të floririt. Si tip kapadaiu, me uniformën e mareshalit, mori me vete dhe komandantin dhe zëvendësin dhe u mbyll në zyrën e Ante Josipoviçit. Ne u shpërndamë në zyrat tona. Me komandantin qëndroi mjaft kohë. Kur u largua, eskorta nuk lejoi takim të dytë me të. I shoqëruar nga komandanti, duket se shkuan në një pikë turistike. Unë që kisha mizën nën kësulë, gjatë vizitës së Titos u përpoqa të mbaj një qëndrim normal, duke duartrokitur bashkë me shokët. Gjatë kësaj kohe, vura re sa gjatë gjithë takimit nuk m’u nda një shtabit i quajtur Rajko Kopricka. Ai më ngjitej dhe bënte sikur më përkëdhelte, duke i çuar duart e veta afër xhepave të mi. Ky ishte një kontroll me lezet i Rajkos, i cili ishte edhe drejtor kuadri. Më vonë mendoja këtë Tito, impozant dhe energjik, që së bashku me Xhavarllall Nehrunë e Indisë, Sukarnon e Indonezisë dhe Gamal Abdel Naserin e Egjiptit, udhëhiqnin “Botën e tretë, botën e paangazhuar”, e që ma tregonte Radule Styenski, shkrimtar revolucionar nga Pipri i Malit të Zi, por që jetonte prej kohësh në Bashkimin Sovjetik, si nënshtetas i tij.
Si erdhi Tito në krye të Partisë Komuniste Jugosllave?
Radule, midis të tjerash, më tregonte: “Tito si nënoficer i ushtrisë austro-hungareze dhe si partizan i revolucionit bolshevik, që nga Lufta e Parë Botërore, mbeti në Bashkimin Sovjetik. Ne në Moskë bënim së bashku jetën e Partisë, ai si mumie i heshtur, ku fjalët i nxirrte sikur i kishte me para, një ditë prej ditësh, për habi të të gjithë organizatës komuniste jugosllave në Moskë, me rekomandim të KGB-së, dhe me vendim të Kominternit, u zgjodh sekretari ynë dhe qysh atëhere nisi t’i hapej goja. Zhdukej me javë e me muaj dhe, për ta justifikuar mungesën e tij, thuhej se shkonte nëpër Evropë, i ngarkuar me detyra nga Kominterni. Madje ai shkonte deri në Amerikën Latine. Ky emërim i papritur ndodhi pasi Stalini i kishte thirrur në Moskë njeri pa tjetrit, dy sekretarët e përgjithshëm të Partisë Komuniste Jugosllave, parti që për kohën ishte nga më të fortat në Evropë. Përveç Jugosllavisë, Titos i’u dha “licenca” edhe për kujdesen mbi lëvizjen dhe organizimin e komunistëve të Ballkanit. Gruan e parë dhe fëmijët i la në Rusi. Madje djali i tij, Zharko, u bë oficer Ushtrisë së Kuqe dhe në betejën e Stalingradit, humbi krahun. Tito u shkollua në Moskë, në shkollën e kuqe bolshevike. Pra ai nga një mekanik, u bë udhëheqës. Pas viteve 1950, kur arriti kulmi i acarimit Beograd-Moskë, udhëheqja e komunistëve dhe e revolucionit spanjoll, Dolorez Ibarruri, shkruante: “Tito aktual nuk është Tito i vërtetë, atë e kapën rob në Luftën e Spanjës dhe gestapoja e Hitlerit e “publikoi” me një major të gestapos gjermane”. Kryegjenerali dhe njeriu më me autoritet i Malit të Zi, heroi i Luftës së Dytë Botërore, mik i Dodë Gjeloshajt, dhe, siç do ta lexoni, (nipi i të cilit, komandanti i Aviacionit të Beogradit, Radomir Mirasheviq), u vra nga UDB-ja bashkë me Dodën. Kur fliste për Titon, gjenerali Gjoka Mirasheviq, thoshte: “Në vitin 1948, unë u pozicionova kundër Titos, duke mbajtur anën e Informbyrosë dhe të Stalinit. Tito më thirri disa herë në zyrën e tij dukë më bindur për “rrugën e drejtë”, e duke më propozuar të ndërroja mendim. Unë i thashë Titos: “Vish opingat dhe shko në Moskë e binde Stalinin për drejtësinë e rrugës tënde. Atëherë unë do të jem me ty”. Tito qeshi me sarkazëm dhe tha: “Të shkoj si cjapi te kasapi? Po a nuk i zhduku me pabesi Stalini dy sekretarët e përgjithshëm të Partisë Komuniste Jugosllave, Gorkiq dhe Petko Miletiq? Më kujtohet një natë Stalini, në mbledhjen e Kominternit në Moskë, kritikon rëndë një shok tonin, aktivist të kominternit që vepronte në Argjentinë. Në mbrëmje e kritikoi dhe të nesërmen në mëngjes u gdhi i vrarë. Stalini si gjakatar, i ka duart e gjata të krimit”. Gjeneralit të moshuar, mosbindja ndaj Titos i kushtoi rëndë, duke e syrgjynosur në kampin sekret të Goli Otokut, që për tmerret dhe torturat, dhe veçanërisht nëpërkëmbjen e dinjitetit njerëzor, u’a kalonte kampeve raciste. Në qoftë se Titos i’a quajnë meritë se i theu hundën Stalinit, ai hapi dhe liberalizoi Jugosllavinë, e bëri për të pasur, saqë bota e quante “Amerika e vogël”. Ai kufizoi etjen për sundimin e serbo-mëdhenjve, duke krijuar dy krahina autonome: në Veri Vojvodinën dhe në Jug, Kosovën.
Përgatitjet për t’u arratisur në Shqipëri
Goli Otoku për Titon do të mbetet një njollë turpi për sundimin e tij të gjatë. Gjenerali Gjoko Mirasheviq sot e ka shtatoren (lapidarin), më madhështor të Malit të Zi në qendër të kryeqytetit, në Podgoricë. Gjoko është me gjak shqiptari, nga barku i Margilajve të Lulnikëve të Trieshit, por lindi në fshatin Dalan afër Podgoricës. Mund të them se gjenerali Gjoko, ka qenë dhe mbetet autoriteti më i padiskutueshëm i Malit të Zi. Autostrada Beograd-Zagreb, sipas urdhrit të Titos është bërë e drejtë pa asnjë kthesë, pavarësisht nga ç’objekte do të shkelte. Kur kaloja asaj rruge, me kujtohej burgu i Mitrovicës së Sremit, ku shumë shqiptarë të arrestuar në Kosovë, i kishin mbyllur në këtë burg të vdekjes prej nga, siç thuhej, asnjë i burgosur nuk dilte i gjallë. Më kujtohet vëllai im, Nikolla, që u torturua deri në vdekje në këtë burg. Po kalonin ditët e korrikut të vitit 1950. Mua më digjej toka nën këmbë. Mora një urdhër shërbimi nga shtabi për në sektorin e Vinkovacit. Sapo futa shkresën në xhep, preva biletën e trenit, jo për në Vinkovac, por për linjën Shamac-Sarajevë-Titograd. U nis amë 19 korrik. Treni fluturonte fushave të Sremit. Kjo shpejtësi u ngadalësua shumë kur po kaloja në luginat dhe malet pa fund të Bosnjës. Në qytetin Zenicë, qendër e madhe industriale e çelikut, qyteti nuk dukej nga tymi i furrnaltave të shumta të shkrirjes së metalit. E dija se në këtë qytet tymi, kralët jugosllavë kishin krijuar një burg me regjim të rëndë. Sigurisht këtë burg e përdorte edhe Aleksandër Rankoviç. Më kujtohet malazezi Jole Markoviq (më vonë president i emigracionit jugosllav në Shqipëri), ishte mbajtur në këtë burg 12 vjet rresht i lidhur këmbe e duar nga mbretëria e Beogradit. Treni dredhonte nëpër tunelet e panumërta përmes maleve të larta. Më dukej sikur treni nuk ecte fare. Sikur të kisha mundësi ta shtyja edhe unë, që bashkë me dy lokomotiva që kishte t’ia shtoja shpejtësinë- të arrinim sa më parë në Titograd, në kufirin shqiptar. Me gjithë padurimin, që nuk më linte të mbyllja sytë, dëshiroja të interceptoja vendet e varrezave masive ilire në hapësirën e Bosnjës. Në mbrëmjen e 19 korrikut arrita në Sarajevë, në këtë qytet të bukur dhe shumë të këndshëm. Më duhej të prisja disa orë në trenin tjetër. Dola të shëtisja pak në qytet. Piva shumë ujë. E ku mos ta pija ujin e Sarajevës? Në asnjë qytet të botës nuk kam pirë ujë më të mirë. Sarajeva mes maleve është plot me dyqane, ku dallohen bizhuteri, kozmetika, si në asnjë qytet tjetër në Ballkan. Nuk kishin faj tregtarët e Shkodrës që lakmonin tregun e Sarajevës. Mos harrojmë se Sarajeva është vendi ku u vra princ Ferdinanti, që u bë shkak për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Hipa natën në tren. Arrita në qytetin në shpate të malit Mostar. Kalova nëpër mend kushërinjtë e nënës sime, vëllezërit Ivanaj, (Mirash e Martin), ku kishin marrë diplomën e pjekurisë me rezultate të shkëlqyera, me gjithë kushtet e rënda ekonomike, duke u detyruar që në kohën e lirë të punonin si argatë për bukën e gojës. Treni vazhdonte punën e vet. Një bashkudhëtar veteran më zgjoi nga dremitja, duke më folur: “Shiko çunak, atje majtas është lugina e Stutjeskës. Aty është zhvilluar beteja partizane më e madhja në botë. Të rrethuar nga nazistët, janë vrarë 6.000 partizanë, 6.000 djem nënash në lule të rinisë. Aty ka mbetur i vrarë edhe nipi im, komandanti i divizionit të këtyre trimave, “Heroi i Popullit”, Savo Kovaçeviq. Në këtë betejë është plagosur Marrshalli Tito. Aty u vra edhe qeni besnik i tij, që i mjekonte plagët me gjuhën e tij”, përfundoi veterani me sytë mbushur me lot. Pas viteve 1992, rikujtoja Bosnjën dhe Sarajevon nuse të bukur, ku bëri masakrat më të mëdha për Evropën, pas Luftës së Dytë Botërore, sadisti dhe gjakësori edhe i Kosovës, Sllobodan Millosheviçi, (qeni i tërbuar). Ai e rrënoi me artileri të rëndë Sarajevën lule, vrau gra e fëmijë me zëvendësit e tij; Mlladiq e Karaxhiç, bëri masakrën më të paparë në Srebrenicë – ku vrau në mënyrën më barbare dhjetëra e mijëra burra, gra e fëmijë të pafajshëm serbë të Bosnjës, vetëm e vetëm se ishin të besimit mysliman. Filozofi francez, Blez Paskal, thotë: “Njerzit s’bëjnë kurrë të liga në mënyrë kaq të plotë dhe me gëzim se sa kur i bëjnë për bindjet fetare”.
20 korrik 1950, në Titograd
Në mëngjesin e 20 korrikut 1950, zbrita në Titograd, në qytetin e vjetër të Diokles, themeluar nga perandori romak, Dioklecani (për të cilin populli vendas thotë se është me prejardhje ilire nga fshati Dinosh). Për Dioklen flet edhe gjeografi Aleksandër Ptolemeu. Para se të zbrisja nga treni po shikoja Titogradin e bukur, të rindërtuar plotësisht nga duart e gjermanëve të zënë rob lufte, qytet që shtrihej në fushën e rrafshët të Qemos e përshkohet nga lumi më i madh i malit të Zi, Moraça, dhe nga lumi i vogël Ribnica, mbi urën e së cilit në qendër të qytetit, u vra pabesisht 90 vjet të shkuara, trimi i Kosovës e i Vlorës, Isa Boletini. Kur po kaloja në mes të qytetit, më bëhej sikur të gjithë njerëzit i kishin sytë tek unë dhe po më vrojtonin. E vërteta ishte se mua nuk më njihte kush në Titograd. Në rrugë takova një vajzë, Lenën, shoqe fëmijërie. Meqenëse ajo po shkonte në Tuz, ku kishte shtëpinë, i’u luta të më lajmëronte Isuf Qetkajn (mësues në Tuz), që të vinte këtu e të më takonte te trieshani Mark Milli, ku unë u strehova. Pa kaluar një orë, i’a behu Isufi. Më foli për situatën, për plagët e marra dhe kockat e thyera nga Sigurimi jugosllav (UDB-ja). Besniku po besnik mbetej dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Isuf Qetkaj, deli djalë, i biri i bajraktarit të Ledinës, dhe nip i derës së parë të Hotit – Delimetaj. Punë minutash bëmë planin – ditën dhe orën e arratisjes urgjente. Unë do të dilja në bjeshkën e Koshticës dhe ai në bjeshkën e tij, në Akull të Ledinës. Në mesditën e datës 22 korrik erdhi Isufi në oborrin tim, hëngrëm djathë të zier dhe pamë se patrulla e kufirit ishte te familja e Nik Gjokës dhe Pashke Loshes, të cilët i’a kishin shtruar me të ngrënë e me të pirë. U siguruam se zona e kufirit tonë ishte e lirë. Duhej treguar kujdes me minat tokësore. Pa u përshëndet me njeri u nisëm. Motra ime e madhe, Palina, që kishte ardh për verim tek njerëzit e saj, me zgjuarsinë e veçantë natyrale që e karakterizonte, e nuhati problemin, na përcolli te dera e na tha: “Po dilni me shëtitë, ju priftë zoti mbarë”. Me shpejtësinë rinore që na karakterizonte, e përshkuam malin e Iballës dhe i’u futën rrëpirave të Sllapit, për të arritur në ujëvarën e bukur të Peruqies të Selcës së Kelmendit.
Kalimi i kufirit për në Shqipëri
Kur kaluam kufirin morëm frymë lirisht, na dukej më i ëmbël ajri i Shqipërisë. Jo vetëm ahet dhe pishat, por çdo ferrë e shkurre shqiptare na dukej si kopshtet e varura të Babilonisë. “Shpejt e kaluam kufirin, Isuf”. “Po’, tha ai, ‘populli thotë: Këmbët e lehta faqja e bardhë”. M’u kujtuan shprehjet e kryegjeneralit rus Suvorov, kur kalonte me armatat malet e Karpateve. Për të arritur sa më shpejtë në betejë, thoshte: “Në këmbët e ushtarëve të mi, varet fitorja jonë”. Kur fliste për zotësinë dhe, shpejtësinë e Gjergj Kastriotit, gjenerali Xhejms Volfi, Heroi i Kebekut të Kanadasë, thoshte: “Skënderbeu i’a kalon të gjithë heronjve të lashtë dhe të sotëm”. Mbërritëm në zyrat e pushtetit lokal në Selcë. Atje gjetëm sekretarin e Komunës, Vat Gjeloshin, një mesoburrë i pashëm dhe shumë fisnik. Ne insistuam që të dorëzoheshim në polici. Shkuam në postë, ku na pritën me përzemërsi. U habitën se si e kishim kaluar kufirin ditën me diell, pa u diktuar nga asnjë palë. Të nesërmen në mëngjes, të shoqëruar me një polic, u nisëm në këmbë për në Shkodër. U lodhëm aq shumë, sa mund ta quaj “Rruga e mundimeve”. Lugina e Kelmendit nuk kishte të sosur, pa lere leqet e Hotit. Në Tamarë doja të takoja kushërirën e nënës sime, Katrinë Marën, por shoqëruesi na tha se nuk kishim kohë. Më vonë u takova me djalin e saj, Zef Bujajn, në “universitetet” e ndërtimit të pallateve “Agimi “ në Tiranë”. Nga Selca në Rrapsh të Hotit, arritëm në mesditë. Shoqëruesi na çoi në Repartin e Mbrojtjes për të ngrënë drekë. Unë ngula këmbë, duke i thënë shoqëruesit se doja të takoja patjetër hallën time, të martuar me Mark Elez Shabajn, një nga shtëpitë më të dëgjuara të Rrapshës dhe të Malësisë. Shkova te halla por mjerisht nuk e gjeta aty, sepse kishin dalë në bjeshkë. Aty gjeta kunatin e saj, heroin e Luftës së Deçiqit dhe të betejave të Sukave dhe të Moksetit, Dedë Elez Shabaj. Në luftërat për mbrojtjen e tërësisë tokësore shqiptare, ky luftëtar kishte humbur këmbën dhe në trup kishte marrë shumë plagë. Në bisedë me mua, ai kritikoi ashpër regjimin në fuqi që ekzistonte në Shqipëri. Fjalët e tij më prekën në shpirt, sepse Shqipërinë e dija si vendin më ideal në botë. Marashi, djali i madh i hallës Zojë, nuk fliste fare. Fjetëm te një fshatar në Budisht. Të nesërmen, u nisëm për në Koplik të rrethit të Shkodrës. Shoqëruesi pothuaj nuk fjeti fare. Vigjilonte sepse kishte përgjegjësi për jetën tonë. Rrugës, takonim vetëm fshatarë me pushkë në krah, por edhe kufitarë e policë. Policët dhe ushtarët ishin me rroba të grisura dhe me arna. Kjo gjë na tronditi shumë. Pesimizmin po e shfaqte haptazi Isufi. Të rraskapitur më në fund zbritëm në Koplik, ku hipëm në makina të rastit. Dega e Punëve të Brendshme të Shkodrës na priti mirë, por specialistët e Zbulimit kërkonin informata nga më të ndryshmet, sa më detyruan t’u them drejtuesve: “Ore, po na mërzisin me pyetje këtë shokët tuaj. Ne nuk vijmë nga shtabi i Goshnjakut dhe i Rankoviçit, por vijmë nga bankat e shkollës”. Zaim Myftari nga Belishova dhe Irakli Kocani nga fshatrat e Vlorës, na mirëkuptuan. Flinim në hotele dhe hanim në restorante. Ndoshta formalisht, por në fakt na thanë: “Keni qejf me qëndrue në Shkodër?” Ne pa u menduar fare, u përgjigjëm: “Jo na çoni te shokët emigrantë”. Pas ca kohësh na e plotësuan dëshirën. E ku do shkonim ne? Na çuan në kampin plot baltë e pluhur të Llakatundit të Vlorës. U mërzitëm sa më s’ka dhe i thoshim njeri-tjetrit: “Kjo qenka parajsa që imagjinonim”? Për fat, në kamp nuk ndenjëm shumë. Vetëm disa muaj. Më vonë mua më transferuan në seksionin e arsimit të Lushnjës, kurse Isufin i cili nuk deshi të punonte si mësues, e çuan në Fier./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016