Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetetre
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, deklarata, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Proces-verbal
Në Tiranë më 8 janar 1958. Ne hetuesit e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, Irfan Shaqiri dhe kapiten i I-rë, Ferhat Matohiti, morëm në pyetje të arrestuarin Tuk Jakova.
Pyetja filloi në ora 9 e 30.
Pyetja mbaroi në orën…..
Tregimet e të arrestuarit:
Pyetje: Në ç’mënyrë keni menduar ju që në një të ardhme do t’i ngrini një monument Miladin Popoviçit?
Përgjigje: Për këtë çështje unë kam menduar kështu; Kurdoherë në mes të dy partive tona do të krijoheshin marrëdhënie të shëndosha në frymën e internacionalizmit proletar, siç duhet të jenë midis partive dhe vendeve socialiste, që do të krijoheshin mundësitë për t’i vënë në dukej kontributin e këtij personi, dhe në shenjë mirënjohje do t’i ngrinim një monument.
Në konditat kur ne e kemi biseduar politikisht, nuk ishte e përshtatshme për kohën një gjë e tillë, por unë e parashikoja në një të ardhme kur të krijoheshin këto mundësi.
Pyetje: Në procesin e datës 6 janar 1958, keni thënë se; mbaj përgjegjësi për të gjitha ato iluzione që më rrëmbyen, që nga koha e u përjashtova nga partia, deri në ngjarjet e Hungarisë.
Na e shpjegoni konkretisht këtë periudhë.
Përgjigje: Përjashtimin tim nga Partia, unë e kam quajtur të padrejtë, gjithashtu edhe përjashtimin e gruas sime nga Partia e kam quajtur të padrejtë, sepse ajo me të vërtetë nuk ka pasur asnjë faj në këtë mes. Masat e tjera që u morën karshi meje, sikurse: Shkarkimi nga Nën/Kryeministër, më dërguan shef reparti, heqja e gradës, nga gjeneral-letinant në ushtar të thjeshtë, shkarkimi nga funksionet e deputetit, si dhe heqjen e dekoratë së ‘Heroit të Popullit’, i kam konsideruar të padrejta. Po kështu quajta të padrejtë masën që u morr kundër vëllait tim, Frano Jakovës.
Të gjitha këto tek unë influencuan negativisht dhe unë nuk i morra këto si masa me karakter edukativ, por si masa, që sipas mendimit tim, u bënë me rrëmbim, pasi unë e ndjeja veten të pafajshëm dhe nuk i mbajta asnjë rezervë Partisë. Qysh atëhere kuptova gabimin që bëra, por nuk u nisa nga një qëllim i keq për të bërë një gjë të tillë. Kështu, duke qenë në këtë situatë, brenda vetes sime fillova të dyshoj që këto masa të cilat i quaja të padrejta, u bënë më tepër në frymën personale dhe pikërisht mendova që shoku Enver, duke mos i pëlqyer diskutimi im, që ishte dhe një kritikë, influencoi për të bërë një gjë të tillë.
Duke qenë në një pre dispozicion të tillë, lëviza nga faza për të parë zhvillimin e ngjarjeve të mëvonshme në mënyrë reale, objektive dhe në frymën e një pjekurie politike.
Në këtë gjendje, në gushtin e vitit 1955, bëra hapin e parë duke bërë një letër Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku i shprehja se; si ka qenë në të vërtetë, e tërë çështja që ngrita në Plenum dhe pata shpresë se Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, do të influenconte për çështjen time, pranë Komitetit Qendror të Partisë sonë. Unë e shoh se kjo është gabim, por në atë kohë unë nuk e mendova gabim dërgimin e kësaj letre, ose të paktën të kisha bërë një letër për Komitetin Qendror të Partisë tonë, si rregull dhe fundi i fundit, më vonë, mund të bëja një gjë të tillë dhe jo drejt për drejt.
Pas 22 – 23 ditësh, kjo letër m’u kthye pa asnjë përgjigje. Sigurisht u dëshpërova për këtë çështje dhe më vonë mendova se kthimi i kësaj letre, është bërë vetëm për çështje korrektese.
Nga muaji shtator i 1955-ës, pashë në gazetë se nga një plenum që ishte bërë në Hungari, nën kryesinë e Rakoshit, i kërkojshin ndjesë Titos dhe shokëve jugosllavë, për të gjitha ato akuza që janë bërë në procesin e Rajkut dhe se kjo çështje kishte qenë një intrigë e një tjetri në Ministrinë e Brendshme, kundrejt të cilit, ishin marrë masa duke e burgosur. Po gjatë kësaj kohe, u botuan në shtyp lajme që të linin përshtypjen se; në mes Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, po krijohej një situatë e shëndoshë si dhe nga partitë e tjera motra.
Deri në këtë kohë, unë nuk kisha luajtur nga pozita se pavarësisht nga përmirësimi i marrëdhënieve në mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe partive të tjera motra, kundrejt nesh, jugosllavët kanë përgjegjësi dhe se duhet të bëjnë autokritikë për çështjen e ndërhyrjes që kanë bërë në punët e Partisë dhe të vendit tonë në të kaluarën.
Elementi i parë që unë fillova të lëviz nga kjo pozitë, është çështja e Koci Xoxes. Pasi lexova këtë lajm, të Plenumit të Hungarisë, për të parën herë mendova për çështjen e Koci Xoxes, dhe erdha në konkluzionin me veten time, se; në këtë situatë që po krijohej, çështja e Koci Xoxes duhej rishikuar.
Është tamam në këtë kohë, kur morra vesh se Komiteti Central i Partisë tonë, kishte ndërmend të na thërriste mua dhe Bedriut. Kjo çështje m’u duk si një gjë normale, pasi unë e kuptova si një korrigjim që bën udhëheqja, gabimit të saj.
Që Komiteti Central do të më thërrasë, unë e përforcova me rastin e një mbrëmjeje që u bë në 7 nëntor me punëtorët e ndërmarrjes tonë, në të cilën morën pjesë edhe udhëheqësit e Qarkut. Në këtë mbrëmje, shoku Ramadan Xhangolli, sekretar i I-rë dhe kandidat i Komitetit Qendror, u ngrit nga tavolina e tij dhe erdhi në një tavolinë ku isha unë së bashku me time shoqe, Mita, i cili u ul në mes tonë dhe bisedoi me ne në mënyrë të përzemërt. Pas kësaj, të gjithë shokët më përshëndesnin, më fjalë të tjera, tani shikohej një ngrohtësi karshi meje.
Të gjitha këto, më bindën se ky lajm, nuk ishte i thjeshtë por kishte një bazë.
Arsyet që më shtynë mua për të menduar për rishikimin e çështjes së Koci Xoxes, ishin këto:
Koci Xoxja u dënua me akuzën kryesore; si agjent i jugosllavëve dhe në shërbim të tyre.
Si mundet, thash unë, të qëndroj kjo akuzë në këtë kohë, kur marrëdhëniet në mes Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, janë përmirësuar dhe japin shpresa për një përmirësim të mëtejshëm.
Sipas mendimit tim, përpara një situate të tillë, dilte e nevojshme të rishikohej edhe nga ana jonë çështja e Koci Xoxes dhe pasi të rishikohej, unë mendoja se ai mund të rehabilitohej. Megjithëse unë luajta nga ky element, përsa i përket ndërhyrjes jugosllave, unë nuk kam luajt deri në vitin 1956, kur vajti Titua në Moskë.
Në fund të dhjetorit 1955, morra lejen e zakonshme dhe erdha në Tiranë. Këtu jam takuar me Dhora Lekën, e cila në atë kohë kish filluar të kishte kontakte me jugosllavët. Dhora më njoftoi se kishte qenë në Elbasan, e porositur nga jugosllavi Cveto, për të pyetur Bedrinë, se si e shikonte zhvillimin e marrëdhënieve më Jugosllavinë dhe se çmendonte ai në këtë situatë për Koci Xoxen, i kishte kërkuar se; cila ka qenë akuza kryesore dhe nëse kishte Bedriu materiale në lidhje me këtë çështje.
Siç më tha Dhora, Bedriu i ishte përgjigj se; marrëdhëniet me Jugosllavinë, i shikonte si një gjë të mirë për vendin tonë, për çështjen e Koci Xoxes, ishte i mendimit se ai ka shkuar viktimë e situatës dhe duhej rehabilituar, material për këtë çështje nuk kishte dhe se kjo është botuar në gazetë.
Më vonë, kur kjo takohet me Cveton dhe mbasi i njofton se Tuku ka ardhur në Tiranë, ai e porosit që të më pyes mua Dhora, për këto gjëra:
- Çmendoja unë në lidhje me marrëdhëniet me Jugosllavinë?
- Çmendoja unë në lidhje me Koci Xoxen?
- Çmendoja unë në qoftë se kjo udhëheqje do të nxjerr pengesa për rregullimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, ç’mënyrë tjetër zgjidhjeje mendon për t’ja arritur këtij qëllimi?
- Dhe nëse unë kisha nevojë për ndihmë ekonomike?
Unë këtyre çështjeve ju përgjigja kështu:
Përmirësimin e marrëdhënieve në mes Partive, e shikoj si një gjë të dobishme dhe për çështjen e Koci Xoxes, jam i mendimit se duhet të shikohet dhe mund të rehabilitohet, për çështjen se si mund të zgjidhet ndryshe përmirësimi i marrëdhënieve në qoftë se kjo udhëheqje nxjerr pengesa, kam thënë se nuk ka rrugë tjetër, veç në rast se do të këshillohet kjo udhëheqje nga ana e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe në lidhje me këtë çështje, pyes unë, se si Partia Jugosllave, do të justifikojë ndërhyrjen e saj, në Partinë tonë.
Ndërsa përsa i përket ndihmës ekonomike, nuk kam nevojë.
Dhora ja kishte njoftuar këto pikëpamje të miat dhe ai, ndërsa kishte mbetur i kënaqur, që unë mendoja se çështja e Koci Xoxes, duhet të rishikohet, kish thënë se; nuk ishte dakord me mua, që çështja e përmirësimit të marrëdhënieve, në rast se kjo udhëheqje nxjerr pengesa, nuk ka zgjidhje tjetër, përveç këshillimit nga ana e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Në lidhje me pyetjen time, se; si Partia e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, do të justifikoj ndërhyrjen në Partinë tonë, Cvetua, nuk kish mbetur i kënaqur dhe i kishte thënë Dhorës, se; Tuku ruan akoma pikëpamje të vjetra mbi këtë çështje, ai nuk i din marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë në mes të Lidhjes së tyre.
Kur më tha Dhora këto, kësaj i thashë se; nuk jam dakord se si e shtron kështu çështjen dhe as që dua të takohem. Dhora i kishte thënë Cvetos, pa dijeninë time, për letrën që i kisha drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe ai i kishe thënë; mirë ka bërë. Për këtë gjë, më njoftoi më vonë Dhora.
Kur u nisa për në Berat, i thashë Dhorës kështu: Në rast se këtë letër e kërkojnë në ambasadën sovjetike, ti na njofto dhe unë do t’ua dërgoj përsëri, vetëm sovjetikëve. Nga muaji shkurt 1956, në Berat vjen një teto e gruas sime dhe e Dhorës, e cila quhet Evanthi dhe i thërrasin Vana, për të shikuar Mitën, të cilën e kishte dërguar Dhora dhe i thotë Mitës, që më ka porositur Dhora, me të më dhënë atë plaçkën për sovjetikët. Mita më tregoi mua këtë dhe unë i thashë që; të shkonte në telefon dhe të pyeste Dhorën, se me të vërtetë sovjetikët e kërkojnë këtë, apo ndokush tjetër?
Dhora ishte përgjigj se; askush tjetër veç sovjetikët, megjithatë unë prapë nuk u kënaqa dhe nuk pata besim që ta çoj këtë letër nëpërmjet teto Vanës, për këtë porosita Mitën, që të shkoj me teto Vanën dhe letrën po e dërgoj me ty.
Të nesërmen, nisa Mitën me letrën për në Tiranë, duke e porosit, në mënyrë kategorike që letrën ta dorëzojë vetë ajo, vetëm ambasadorit sovjetik dhe në asnjë mënyrë këtë letër, mos t’ja jap Dhorës, në rast se e kërkojnë jugosllavët.
Vajti Mita në Tiranë me letrën dhe doli në realitet, se këtë letër nuk e paskan kërkuar sovjetikët, por Jugosllavi Cveto, me pretekst, se e kërkon Tito letrën, për ta dorëzuar vetë ai, kur të shkojë në Moskë.
Mita i kishte thënë se letrën nuk mund t’ja dorëzojmë jugosllavëve, se jam e porositur dhe po ta dija kështu, nuk kisha ardhur, kështu që të nesërmen, Mita donte të kthehej. Me lutjen e Dhorës, Mita qëndroi edhe një natë te Dhora, pikërisht atë natë, kishte ardhur në shtëpinë e Dhorës, vetë Cvetua. Mita nuk kishte dasht t’i dalë Cvetos, por Dhora kishte insistuar se ata janë komunistë dhe se këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe dhe më në fund, ja kishte mbushur mendjes Mitës, që të dalë në dhomën e pritjes.
Cvetua, e kishte pyetur për mua dhe fëmijët, për shëndetin e saj, pastaj e kishte pyetur për letrën dhe i kishte thënë që t’ja japë këtë letër atij, se e kërkojnë nga lart, pasi çështja ka shumë rëndësi. Mita i kishte thënë që; jam e porositur që letrën t’ja dorëzoj vetëm sovjetikëve dhe pa lejen e Tukut, tjetër kujt nuk mund t’ja jap.
Cvetua i kishte thënë; mirë, pas kësaj kishin kaluar në muhabete të tjera, Cvetua i kishte thënë: “E kuptoj Tuku tani, se kush është Enver Hoxha se nuk e ka njohur ai përpara, si e kemi njohur ne, por besoj se tash që ai i bëri këtë gjë, duhet ta ketë njohur mirë.
Ai është Stalinist, edhe në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ka stalinistë dhe të rinj, janë të ndarë në dy rryma, por atje, po fiton rryma e re, me Hrushovin në krye”.
I kishte folur për kundër Stalinit, në mënyrë përçmonjëse dhe Mita ishte indinjuar. Do të shikoni në Kongresin e XX-të, se atje do të dalë një Beria tjetër. Në fund i kishte thënë Mitës, pse i porositur nga udhëheqja ime, kam disa gjëra me shumë rëndësi, për t’ja thënë vetëm Tukut dhe s’mund t’ja them as Dhorës dhe as ty e dua ta takoj patjetër.
Në rast se Tuku nuk dëshiron të takohet, atëhere, le të caktoj një vend jashtë Beratit dhe atje do t’ja lë unë, ato që dua me i thënë dhe ai përsëri do të më përgjigjet mbas një kohe, tek po ai vend. Në rast se Tuku është dakord që të takohemi, merre Dhorën në telefon atë natë kur të kthehesh, ose të nesërmen dhe kjo do të kuptohet, që ai ka pranuar takimin dhe unë do të vijë të nesërmen mbrëma në Berat, natën në shtëpi.
Kur erdhi Mita në Berat, më tregoi të gjitha këto dhe unë u indinjova shumë nga sjellja e Dhorës dhe refuzova për çka kishte kërkuar Cvetua, nuk e morëm as në telefon dhe as gjë tjetër. Memorie.al
I arrestuari Hetuesit
Tuk Jakova Kapiten Irfan Shaqiri dhe Ferhat Matohiti
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016