Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së vëllait të Hysni Kapos, Sulejmanit, ish-partizan dhe pas lufte me funksione të larta e të rëndësishme, si në kryeministri dhe Drejtor i Thesarit të Shtetit, të cilit në vitin 1975, ia arrestuan njërin nga djemtë, Alajdin Kapon, që shërbente si oficer marine me anijen “Durrësi” dhe e dënuan me 15 vite burg politik, duke e akuzuar si “kryetar grupi”, për “agjitacion e propagandë, veprimtari armiqësore spiunazhi dhe kontrabandë”. Dëshmia e rrallë e Vladimir Kapos, vëllait të Alajdinit, që e hoqën nga Teatri i Operës ku ai ishte si pianist dhe e internuan në Kuçovë, pasi i dënuan edhe vjehrrin e tij, si dhe dënimet e tjera me nipërit e kushërinjtë e parë të Hysni Kapos që përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Hysniu nuk ndërhyri për asnjë prej tyre…?!
Edhe pse mbante postet më të larta në piramidën e regjimit komunist pas Enver Hoxhës, duke pasur nën kontroll të rreptë partiak e shtetëror organet e Diktaturës së Proletariatit, si Ministrinë e Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Ushtrinë, Gjykatat, Hetuesinë e Prokurorinë, Hysni Kapo nuk mundi të shpëtonte dot nga burgjet e atij regjimi, disa nga nipat dhe njerëzit më të afërm të gjakut tij. Madje në asnjë rast të vetëm ai nuk ndërhyri për t’i shpëtuar ata nga prangat dhe burgjet e gjata ku vuajtën deri në vitin 1990-të. Po cilat ishin arsyet e vërteta që regjimi komunist me anë të Sigurimit të Shtetit, godiste pikërisht të afërmit e njeriut të pushtetshme?! Lidhur me këtë, na njeh me dëshminë e tij ekskluzive për Memorie.al, Vladimir Kapo, djali i vëllait të Hysniut, një nga pianistët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit që ka qenë i internuar në Kuçovë?!
Zoti Vladimir, mund të na thoni se ku ishte shkolluar dhe ku ka jetuar ai?
Pas mbarimit të vitit të tretë të shkollës së mesme në Tiranë, Alajdini shkoi në Vlorë ku asokohe banonte motra jonë e martuar, Flora, dhe aty ai mbaroi maturën. Më pas ai kërkoi vetë të studionte në Shkollën e Marinës Tregtare po në Vlorë ku dhe u diplomua në vitin 1968. Pas diplomimit, Alajdini u emërua si oficer në Flotën Detare Tregtare, ku për 10 vite ai shërbeu në anijen “Durrësi”. Me atë anije ai udhëtoi në disa shtete të Europës, deri kur e arrestuan në 1977.
Si e kujtoni arrestimin e Alajdinit?
Ka qenë pasditja e 30 prillit 1977, kur një “Gaz” i Degës së Brendshme të Durrësit, u ndal përpara hyrjes së pallatit tonë aty tek Kinema “Dajti” ku banonim asokohe. Një prej personave që zbriti nga ajo makinë, trokiti në derën e shtëpisë sonë dhe kur doli Alajdini, i tha: “Hajde se kemi një punë në vapor”. Pa e menduar fare se çfarë e priste, Alajdini u vesh shpejt e shpejt dhe zbriti bashkë me personin që e kërkoi duke hipur në “Gaz”-in që i priste para pallatit tonë. Siç më ka treguar vetë Alajdini, vite më vonë kur doli nga burgu, sapo ai hipi në “Gaz”, atij i vunë hekurat dhe ata persona që e arrestuan, ishin të gjithë shokët e xhaxhait tonë, Enver Kapos, (vëllai i Hysniut) ish/nënkryetarit të Degës së Brendshme të Durrësit.
Kur e mësuat të vërtetën se çfarë kishte ndodhur me Alajdinin?
Ne e mësuam që atë natë, pasi Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Nusret Dauti, thërriti babanë tonë, Sulejmanin dhe i tha se Alajdini, ishte arrestuar nga Dega e Punëve të Brendshme të Durrësit, për veprimtari armiqësore, kundër shtetit dhe anija “Durrësi” ku punonte ai, kishte qenë qendra e asaj veprimtarie. Po kështu ai i bëri të ditur babait se me vëllanë tonë, ishin arrestuar edhe tre kolegë të tij, oficerëve të tjerë të anijes “Durrësi”, të cilët së bashku me Alajdinin, akuzoheshin për kontrabandë, agjitacion e propagandë dhe spiunazh. Këto gjëra ne i dëgjuam më pas edhe nga persona të tjerë.
Si u prit në familjen tuaj arrestimi i Alajdinit dhe babai juaj, Sulejmani, a u takua me vëllanë e tij, Hysni Kapon për atë problem?
Arrestimi i Alajdinit na ra si bombë, sepse ato ditë ai ishte fare i qetë dhe as që mendohej një gjë e tillë. Kjo, jo për faktin se ai ishte nipi i Hysni Kapos, por për arsyen e vetme se Alajdini, ishte një njeri tepër korrekt si në punë, familje dhe në shoqëri. Gjatë asaj periudhe që ai punonte në Flotën Tregtare, babai kishte shkuar disa herë atje, dhe tre ditë para arrestimit, ai ishte takuar me komisarin e kapitenin e vaporit, të cilët i kishin folur fjalët më të mira për të.
Ç’ndodhte në familjen tuaj pas asaj ngjarje?
Pas arrestimit të Alajdinit, babai pësoi një goditje të rëndë shpirtërore dhe vazhdimisht ishte tepër i shqetësuar. Ai nuk fliste asnjë fjalë me ne fëmijët, rreth asaj që na kishte ndodhur dhe çdo gjë ai e bisedonte, vetëm me nënën tonë. As me vëllanë e tij, Hysniun, ai nuk shkoi për të biseduar rreth atij problemi, pasi të tilla i kishin marrëdhëniet në mes tyre.
Si ishin marrëdhëniet në mes dy vëllezërve dhe familjeve të tyre?
Raportet familjare të xhaxhait tonë, Hysniut, me familjen tonë dhe të afërmit e tjerë të tij, ishin shumë të mira. Familjet tona venin e vinin tek njëri tjetri, krejt normalisht, jo vetëm për sebepe por edhe pa ndonjë rast. Kjo edhe për faktin se në shtëpinë e tij, pra xhaxhait, Hysniut, jetonte gjyshja jonë, Mezeja, e cila na kërkonte që t’i shkonim në shtëpi.
Si ju trajtonte Hysniu ju nipave?
Hysniu na donte shumë ne fëmijët dhe veçanërisht ne të Sulejmanit, por dhe Enverit që ka banuar në Durrës. Por Hysniu ua kishte bërë të ditur me kohë vëllezërve e motrave të tij, duke u thënë: “Unë kam 11 motra e vëllezër dhe shumë nipa e mbesa. Për çdo hall e problem që të keni, drejtohuni zyrave të Partisë dhe të shtetit”.
Kur ndodhi arrestimi i Alajdinit?
Në një farë mënyre po dhe nisur nga ky fakt, babai nuk shkoi për t’u takuar me Hysniun, pasi dihej mirë se ata që kishin urdhëruar arrestimin e Alajdinit, e dinin mirë se ai ishte nipi i tij. Ky fakt mbyllte gjithçka dhe shuante çdo shpresë tonën.
Sa kohë qëndroi Alajdini në Hetuesi, si e trajtuan aty dhe a u lejuan pjesëtarë të familjes për ta takuar?
Alajdinin e mbajtën në Hetuesinë e Durrësit për pesë muaj, deri në fillimin e tetorit të vitit 1977, dhe gjatë asaj periudhe atë nuk e keqtrajtuan fizikisht. Por tortura psikike natyrisht që ka pasur ndaj tij. Gjatë asaj periudhe ne nuk kishim asnjë lloj kontakti me të, me përjashtim të një rasti kur i dërguam disa ushqime dhe ndërresa. Vëllai ynë, Fatosi, tentoi një herë të shkonte për ta takuar Alajdinin, por u këshilluam të mos e bënim një gjë të tillë.
Nga kush u këshilluat?
Nuk na u tha kurrë me saktësi, se kush dhe ne nuk mund të pyesnim për atë gjë, por sigurisht që e dinim se nga na vinte ajo këshillë, që në fakt na bëhej për të mos na dëmtuar më shumë.
Për çfarë e pyesnin Alajdinin gjatë hetimeve dhe a ju thirrën ndonjëherë në Hetuesi juve?
Gjatë asaj kohe që ishte në Hetuesi, ne nuk dinim gjë për çfarë e pyesnin, por vite më vonë kur ai u lirua nga burgu, më ka treguar edhe disa gjëra të çuditshme, që nuk kishin lidhje me ato që ishte akuzuar ai. Ndërmjet të tjerash, gjatë hetuesisë Alajdinin e kishin pyetur se kë vlerësonte dhe preferonte më shumë Hysni Kapo nga udhëheqja e lartë e PPSH-së? Gjatë procesit hetimor të Alajdinit, mua personalisht më thërritën disa herë në Hetuesi për të më pyetur, pasi unë i kisha dhënë disa dollarë atij, për të më blerë një filispanjë peshkimi, për djalin e xhaxhait të nuses sime dhe një orë dore, për një shokun tonë që martonte nipin. Të gjitha këto qëndronin dhe ne i pranuam ashtu siç ishin.
Thuhet se para se të arrestohej Alajdini, Feçorr Shehu ka shkuar tek Hysniu dhe i ka thënë: “Ja dosja e nipit tënd, çfarë të bëjmë”, dhe Hysniu i ka thënë: “Në burg, si gjithë të tjerët”. Është e vërtetë kjo?
Edhe ne e kemi dëgjuar këtë gjë, por ajo ka ndodhur jo me Feçorrin, por me Kadriun. Nuk mund të shkonte dot Feçorri tek Hysniu për atë problem para Kadriut.
Ku iu bë gjyqi Alajdinit dhe shokëve të tij e sa u dënuan ata?
Gjyqi ndaj tyre u bë në Durrës dhe ndonëse Alajdini nuk pranoi asnjë nga akuzat që i bëheshin, ai u dënua me 15 vite burg, për “agjitacion e propagandë, kontrabandë e spiunazh”. Tre kolegët e shokët e tij u dënuan më pak, pasi Alajdini u konsiderua si kryetar grupi. Të gjitha këto ne na i thanë të tjerët, pasi asnjë nga familja jonë nuk asistoi në procesin gjyqësor që zgjati disa ditë.
Pas dënimit të Alajdinit, familja juaj a pati konsekuenca?
Që pas arrestimit të Dinit, mua më hoqën nga Teatri i Operës, ku punoja si pianist dhe me që isha kandidat partie, në organizatën e partisë m’u bë një gjyq demaskues, ku më akuzuan si kontrabandist dhe më përjashtuan nga radhët e saj. Pas kësaj më dërguan në Qytetin Stalin (Kuçovë) ,si mësues muzike në një shkollë tetëvjeçare ku punova disa vjet.
Pjesëtarët e tjerë të familjes a patën probleme?
Pjesëtarët e tjerë të familjes sonë nuk i lëvizën, pasi vëllai Fatosi dhe dy motrat ishin të martuara dhe jetonin të ndara nga ne. Por goditja ndaj meje nuk përfundoi me kaq, pasi në atë kohë u arrestua dhe u dënua me 8 vite burg politik, vjehrri im, Koço Nini, që punonte si shef-llogarie në një Kooperativë Bujqësore në periferi të Tiranës.
Çfarë ndodhi me të dhe përse u akuzua?
Ai u akuzua për agjitacion e propagandë, gjoja sikur kishte thënë se dyqanet e shtetit ishin bosh. Dënimi i tij u bë për ta lidhur me personin tim, sikur ai kishte influencuar në veprimtarinë time të “kontrabandës”.
Pjesëtarë të tjerë të familjes së vjehrrit tuaj, pati probleme?
Pas dënimit të tij, u arrestua dhe u dënua me 8 vite burg politik edhe djali i xhaxhait të nuses sime, Taqi Nini, nga Saranda, për të cilin unë kisha porositur Alajdinin, për mjetet e peshkimit. Taqi ishte qejfli peshkimi dhe ai u dënua edhe për armëmbajtje pa leje, për një thikë të vogël, që e mbajnë të gjithë ata që gjuajnë peshk, me grepa. Pas gjithë këtyre që na ndodhën, familjes sonë iu larguan të gjithë miqtë e të afërmit.
Kthehemi te familja e Hysni Kapos, çfarë raportesh pati familja juaj me të pas dënimit të Alajdinit?
Natyrisht që marrëdhëniet në mes të familjeve tona ndryshuan jo për mirë. Pas dënimit të Alajdinit, babai nuk shkonte vetë në shtëpinë e Hysniut pasi nuk donte ta rëndonte atë.
Kur vdiq Hysniu nuk shkuan…?
Babaj, Sulejmani dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sonë, shkuan aty vetëm për ngushëllime kur vdiq Hysniu. Mua dhe disa pjesëtarë të tjerë të fisit tonë që konsideroheshim me njolla në biografi, nuk na lejuan të merrnim pjesë as në homazhe në Kuvendin Popullor dhe as në varrim.
Kush ua komunikoi këtë gjë?
Na u bë e ditur nga xhaxhai im i vogël, të cilin e kishte urdhëruar Kadri Hazbiu, që kishte marrë në dorë gjithçka në varrimin e xhaxhait tone, Hysniut. Dhe ne nuk shkuam dot as në homazhe dhe as në varrim, ndonëse aty ishte kolona e gjatë e njerëzve që e donin dhe nuk e donin atë.
Të kthehemi tek akuzat që iu bënë Alajdinit, a qëndronin ato?
Akuzat që i bëheshin për “spiunazh dhe veprimtari armiqësore” ishin tërësisht të trilluara dhe nuk qëndronin në asnjë rast, ndërsa ato për kontrabandë ishin shumë të fryra.
Po me raste të ngjashme, pra flas për ato të kontrabandës, që dihet nga të gjithë që ka pasur gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, me marinarët dhe ata që punonin në port, dini gjë se si është vepruar?
Në të kaluarën në Marinën Tregtare, kishte pasur plot raste të tilla dhe dënimi më i madh që u bëhej, ishte transferimi i tyre për 6 muaj, në anijet e peshkimit. Ndërsa në rastin e Alajdinit, u fry aq shumë, sa të gjithë ekuipazhin e anijes “Durrësi” e shpërndanë apo e pushuan nga puna, për të krijuar psikozën se ajo anije kishte qenë qendra e veprimtarisë armiqësore dhe e kontrabandës.
Mund të na thoni se për çfarë mallrash kontrabandë bëhej fjalë?
Dinit, iu quajt kontrabandë çdo peshqesh që u ishte dhënë, nga ana e tyre punonjësve të porteve të ndryshme, për t’u futur jashtë radhe anijen. Po ju them vetëm një fakt, kur e arrestuan Dinin, në librezë i gjetën vetëm 60 mijë lekë të vjetra, të cilat ishin kursimet e 10 viteve punë. Dhe ato lekë që nuk ishin shumë për vetë rrogën e madhe, që kishte si oficer marine, Dini i mblodhi pas insistimit të babait, i cili i tha: “Tani që dole në punë me rrogë, hap librezë e mblidh leke, se një ditë do martohesh”.
Ku e vuajti Alajdini dënimin dhe ku punoi pas daljes nga burgu?
Ai e vuajti dënimin në fillimisht në Qafë-Bari e më pas në Ballsh, dhe u lirua në vitin 1984, duke vuajtur 7 vite nga dënimi, pasi pjesën tjetër e fitoi me punë dhe nga amnistitë. Ditën që doli nga burgu, vëllai Fatosi doli e priti te treni Alajdinin dhe e solli në shtëpi.
Ku u sistemua me punë pas daljes nga burgu?
Ai nuk qëndroi shumë kohë në shtëpi, pasi babai i gjeti një punë në Parkun e Spedicionit në Tiranë, si dispeçer. Më vonë, në 1986 ai u martua dhe i dhanë një shtëpi të vogël, diku te Uzina “Traktori”.
Familja e nuses së Alajdini, kishte probleme me regjimin?
Edhe babai i nuses së Alajdinit, (Teuta Ademit), ishte dënuar me dy vjet burg. Që nga ajo kohë marrëdhëniet e Dinit, me familjen tonë filluan të normalizohen, pasi kishte vdekur Enver Hoxha dhe sistemi komunist, diçka po ndryshonte.
Sa kohë punoi Alajdini dhe ku shkoi më pas?
Në Spedicion, Alajdini punoi deri në vitin 1990, kur ai u largua nga Shqipëria me eksodin e parë të anijeve në marsin e ’91-it. Që nga ajo kohë ai jeton e punon me bashkëshorten e tij dhe djalin në Milano të Italisë.
Gjatë kohës që ai ishte në Hetuesi por dhe më pas në burg, babai juaj, Sulejmani, a tentoi të takohej me ndonjë nga udhëheqja e lartë për t’i kërkuar ndihmë?
Për problemin e Alajdinit, babai u takua me Rita Markon, i cili u tregua shumë i gatshëm dhe i premtoi se do ta ndihmonte.
Tjetër njeriu, i kërkoi ndihmë?
Po, më pas babai i dërgoi një letër Adil Çarçanit, ku i shpjegonte të gjitha çfarë kishin ndodhur me familjen tonë, pasi përveç Alajdinit, regjimi komunist i asaj kohe, kishte dënuar në burgje politike dhe disa nipër dhe të afërm të tjerë të Hysni Kapos.
Cila ishte përgjigja e Adil Çarçanit?
Pas kësaj letre, Adili e thirri babanë dhe i tha: “Ç’janë gjithë këto që po më thua mo Sulo, nuk i kemi ditur”.
Njeri tjetër nga udhëheqja e lartë, kontaktoi Sulejmani?
Haxhi Lleshi, erdhi dy herë në shtëpinë tonë, në mënyrë demonstrative për të na dhënë kurajo. Me këta është takuar babai atëhere për punën e Dinit dhe me asnjë tjetër, nuk pati biseduar për atë problem.
Pas vdekjes së Hysniut, çfarë raportesh patët me familjen e tij, Viton, dy djemtë e vajzën e tij?
Po kështu më ka bërë përshtypje fakti se pas asaj që na ndodhi, pra dënimit të Dinit dhe problemet e tjera me krushqitë tona, kur të gjithë na u larguan, fëmijët e Hysniut, Besniku, Vera dhe bashkëshorti i saj, Mehdi Bushati nuk ndryshuan qëndrim ndaj nesh. Na ka bërë shumë përshtypje ky fakt.
Çfarë qëndrimi kishin mbajtur ata ndaj jush, pra pas atyre që ju ndodhën?
Ata kanë mbajtur shumë qëndrim dashamirës ndaj nesh. Madje, kur ndodhi ajo me Alajdinin, ata i kishin thënë hapur në shtëpi Hysniut: “Çjanë këto që po ndodhin me ne?”, dhe ai u ishte përgjigjur: “Shikoni punën, atë e di Partia”.
Çfarë konkluzionesh keni nxjerrë lidhur me arsyet e dënimit të Alajdinit e të afërmve të tjerë të Hysni Kapos?
Për këtë problem, kemi diskutuar shumë me babanë dhe deri sa ishte gjallë, ai ishte i bindur se e gjithë ajo që na ndodhi, bëhej për të goditur e diskretituar Hysni Kapon. Për këtë ata gjenin pikën më të dobët të tij, ku i dhimbte më shumë: Vëllanë Sulejmanin, të cilin Hysniu e dënonte dhe e respektonte më shumë, pasi e kishte në vend të babait. Në biseda të ndryshme që janë bërë më pas me shumë miq e të afërm, ato janë konsideruar si intriga të një pjesë të vogël të udhëheqjes së lartë, që jetonte në “Bllok”, të cilët e shihnin Hysniun, si pasardhës të Enver Hoxhës. Dhe nisur nga fakti se ata e synonin vetë atë vend, e luftonin atë me çdo gjë, që kishin në dorë për të zbehur e njollosur figurën e tij. Ai ishte një sistem absurd, që shpesh hante dhe krijesat e tij.
Peripecitë e familjes së Sulejman Kapos, vëllait të madh të Hysniut
Vladimir Kapo u lind në qytetin e Vlorës në vitin 1942 dhe ai është djali i vëllait të Hysni Kapos, Sulejmanit, i cili ka qenë i dyti nga 13 vëllezërit e motrat e ish-udhëheqësit, të lartë komunist të Shqipërisë me origjinë nga Tërbaçi i Vlorës. Babai i Vladimirit, Sulejmani, ishte më i madhi nga vëllezërit e Hysni Kapos, dhe bashkë me Hysniun ai kishte studiuar në Shkollën Tregtare të Vlorës që në vitet e Monarkisë së Zogut.
Pas vdekjes së babait të tyre, Kapo Abazaj, në fundin e viteve ’30-të, Sulejmani zuri vendin e tij dhe ai u kujdes për të 12 motrat e vëllezërit më të vegjël. Që në vitin 1940, Sulo kishte konkurruar dhe kishte fituar një vend pune në Bankën Kombëtare në Tiranë, por pas dy vjetësh atë e larguan që andej për shkak të vëllait Hysniut, të cilin italianët e kishin të skeduar si eksponent i lartë i PKSH.
Pas kësaj, Sulon e arrestuan dhe e internuan në kampin e Porto-Romanos në Durrës. Pas daljes nga burgu, ai shkoi në Dukat, për t’u strehuar tek e motra e tij që ishte e martuar në atë fshat ku influenca e nacionalistëve të Ballit ishte shumë e madhe. Në atë kohë, “Balli Kombëtar” hapi fjalë se Sulo kishte kaluar në anën e tyre dhe nisur nga ky fakt, i vëllai Hysniu, në një letër i shkruante: “Ku do piqemi do përpiqemi”, duke i lënë të kuptonte se ata i ndante vetëm pushka. Si rezultat i kësaj situate ku u ndodh, Sulo u largua nga Vlora dhe gjeti strehim tek çeta e Haxhi Lleshit në Dibër dhe më pas në Brigadën e Parë të Mehmet Shehut.
Pas mbarimit të Luftës, ai punoi si Drejtor i Bankës në Vlorë, Drejtor i Thesarit të Shtetit dhe për 13 vjet në Zyrën e Ankesave në Kryeministri në Tiranë. Vladimiri është i madhi nga pesë fëmijët e Sulejman Kapos, e pas tij vijnë: Flora, Alajdini, Fatosi dhe Rajmonda, të gjithë të diplomuar në shkolla të larta. Vladimiri i nisi studimet e larta në Konservatorin e Budapestit dhe pas prishjes së marrëdhënie me Moskën, ai u kthye dhe u diplomua në Tiranë për piano. Edhe pse ishte një nga pianistët e parë të diplomuar në Shqipëri, fillimisht ai u dërgua në një shkollë 8-vjeçare në Vlorë, dhe vetëm disa vjet më vonë u emërua në Teatrin e Operës, prej nga ku do ta largonin në vitin 1977, kur i vëllai i tij, Alajdini u dënua për veprimtari armiqësore.
“Dënimet e nipërve të Hysni Kapos, i cili nuk ndërhyri për të shpëtuar asnjë prej tyre”
Alajdin Kapo, nuk ka qenë i vetmi nga nipat e Hysni Kapos që u dënua me burg politik nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Para dhe pas tij, janë dënuar edhe disa të tjerë, nipa dhe kushërinj të parë të njeriut, që për vite me radhë mbajti funksionet më të larta partiake e shtetërore, në regjimin komunist të para viteve ’90-të. Historia e dënimeve të njerëzve të afërm të Hysni Kapos, fillon në vitet ’50-të, kur regjimi komunist arrestoi burrin e motrës së tij, Namik Ali Mëhillin, të cilin e akuzuan për bashkëpunim me Ballin Kombëtar. Por kur nuk ia provuan ato akuza, atë e dënuan për bixhoz. Një nga të afërmit e tjerë të Hysni Kapos, që provoi burgjet e atij regjimi, ka qenë djali i tezes së tij, Myzafer Canaj nga Vlora, i cili asokohe punonte si shofer i Ramiz Alisë. Myzaferi vuajti disa vjet nëpër burgje, pas disa akuzave të sajuara që nuk u provuan kurrë. Disa vjet më vonë, Sigurimi i Shtetit dënoi me burg politik edhe djalin e motrës së Hysniut, Bardhyl Mëhillin, që punonte si shofer në Parkun e Vlorës. Bardhylin e arrestuan në Përrenjas dhe e akuzuan, se kishte dashur të arratisej nga Qafë Thana. Pas dënimit të djalit të vëllait të Hysniut, Alajdin Kapos, ish-oficeri i Marinës Tregtare, që vuajti disa vjet në Qafë-Bari e Ballsh, u arrestua dhe u dënua me disa vjet burg politik, edhe djali i motrës së Hysniut (Afërditës) Vullnet Thanasi, i cili punonte në ambasadën shqiptare në Pragë. Njerëzit e Zbulimit shqiptar e grabitën atë në Pragë dhe e sollën të lidhur në Tiranë, ku ai vuajti në burgjet politike deri në ’90-ën. Nga të fundit njerëz të afërm të Hysni Kapos, që e pësuan nga ai regjim, ka qenë dhe Qemal Abazaj, (kushëri i tretë i tij) ish-oficer kufiri që e çmobilizuan në 1980-ën në Librazhd, pas vdekjes së Hysniut. Qemali mundi të shpëtonte nga burgu, falë ndërhyrjes së Sotir Koçollarit, Sekretarit të Parë të Librazhdit. Në të gjitha ato raste dënimesh të nipave dhe të afërmve të tij, Hysni Kapo nuk ndërhyri asnjëherë që t’i shpëtonte ata./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016