Nga Luan Rama
– Zemërimi i poetit Xhevahir Spahiu për pushimin nga puna të kompozitorit të madh dhe historia e rikthimit të tij në punë –
Memorie.al/ Ndër shumë histori e kujtime të jetës, disa prej tyre nuk kanë nevojë për shumë përpjekje për t’u rikthyer në mendje. Mjafton një fjalë, një fotografi, një këngë, apo edhe disa rreshta të lexuar rastësisht dhe ndien nevojën t’i rrëfesh e t’i ndash me të tjerë, sidomos kur lidhen me emra të mëdhenj të historisë, artit dhe kulturës. Regjisori Mevlan Shanaj është një shembull fisnik, sidomos kur bëhet fjalë për të shkruar për kolegët artistë. E bën me një pasion që meriton të admirohet. Madje, ka shkruar edhe një libër kushtuar shumë prej artistëve që ka njohur apo me të cilët e ka lidhur puna. Dhe me sa mirësi e ka shkruar atë libër! Titullohet “Të fshehta jashtë ekranit”. Njëri prej personazheve të përzgjedhur nga regjisori Mevlan Shanaj për këtë libër, është edhe kompozitori Kujtim Laro.
Rrëfimi për të është plot ndjeshmëri dhe nderim. Këto ditë rilexova një fragment nga pjesa kushtuar kompozitorit, të cilin vetë regjisori e kishte ri postuar në faqen e tij në fb, dhe menjëherë m’u rikthye në mendje një histori imja me artistin, muzikantin, njeriun, mikun e rrallë. Një histori që, në fakt, mori udhë prej poetit Xhevahir Spahiu. Në nderim të kompozitorit që na ka lënë shpirtin e tij të derdhur në muzikën e vet mahnitëse e të pavdekshme, por edhe në respekt të poetit Xhevahir Spahiu dhe regjisorit Mevlan Shanaj, po e publikoj këtë histori, pasi mendoj se ajo nuk më përket më vetëm mua.
Nuk kisha shumë kohë që isha emëruar në detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Ishin ditë të ngarkuara. Përgjegjësitë e një detyre të lartë shtetërore, nuk të linin shumë hapësirë për t’u marrë me gjëra të tjera. Në rend të parë ishin përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Ambasadorëve në NATO, një forum ku do të merrja pjesë pas pak ditësh, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Arta Dade, e cila, si kryetare e delegacionit, ia kishte dalë të përfshinte në kalendarin e punës, edhe takimin me Lord Robertson-in, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Atje do të informonim për arritjet e qeverisë shqiptare në kuadër të procesit të anëtarësimit në NATO. Ishte qershor i vitit 2002. Shqipëria e asaj kohe e kishte anëtarësimin në NATO, një nga përparësitë e saj madhore.
Ishte një proces që kërkonte jo vetëm angazhim politik e diplomatik, por edhe reforma të thella në të gjitha strukturat e shtetit, veçanërisht në Forcat e Armatosura. Nga Brukseli, ambasadori ynë në NATO, Ilir Boçka, na kishte dërguar pyetjet e ambasadorëve. Një libër i tërë me pyetje. Secila prej tyre kërkonte përgjigje të argumentuara, deri edhe në hollësitë më periferike. Ndaj isha tërësisht i përqendruar, pasi takimi ishte i një rëndësie të madhe. Kërkohej seriozitet dhe vëmendje e veçantë. Pikërisht në një nga ato ditë, ndërsa gjendesha në takim me grupin e punës, me të cilin do të shkoja në Bruksel të nesërmen ose një ditë më pas, Flutura, sekretarja e ministrit, të cilën e gjeta të emëruar në atë detyrë nga ministrat paraardhës dhe që e mbajtën edhe të gjithë ata që më pasuan, një zonjë shembullore dhe korrekte, me një përkushtim imponues, më njoftoi se kishte ardhur poeti Xhevahir Spahiu dhe kërkonte të më takonte medoemos.
– “Nuk iki që këtej pa takuar ministrin, sikur të bëhet nami”! – i qe përgjigjur poeti përpjekjes së sekretares, për ta bindur se isha i zënë në një mbledhje të rëndësishme. Xhevon, kështu e thërrasin më të afërmit poetin e dashurive dhe rrebesheve të mëdha, nuk mund ta pengonte asnjë axhendë. As ajo e përgatitjeve për në NATO. M’u desh ta ndërprisja mbledhjen, duke u kërkuar ndjesë të pranishmëve. – “Le të vijë, – i them Fluturës. – Për poetët si Xhevo dyert janë gjithmonë të hapura”. Unë me të njihesha që kur isha student. Poezinë e tij e kisha pasur temë të mbrojtjes së diplomës. Ndaj, pa pritur që ai të hynte në zyrë, ngrihem dhe shkoj drejt derës për ta pritur, siç e meritonte Xhevahir Spahiu. Por nuk ma la as atë mundësi. Hyri gjithë tërsëllimë, si një rrebesh që nuk paralajmëron.
E kuptova menjëherë se diçka e madhe e kishte trazuar. Ishte vërtet i zemëruar dhe nuk kishte ndër mend ta fshihte zemërimin. Kjo i lexohej në fytyrë, në flokët e tallazitur dhe në sytë e mbushur me gjëmime. – “Ore, jeni në vete ju apo jo”?! – shpërtheu, pa pritur as të ulej. – “Po si more, keni pushuar nga puna Kujtim Laron?! E dini ju se kush është Kujtim Laro? Po çfarë është një ministër, apo çfarë janë të gjithë ministrat bashkë me kryeministrin, para një artisti si Kujtim Laro”?!
– “Eja, more Xhevo, eja ulu e të flasim shtruar. Të pimë edhe një kafe, se është një problem që zgjidhet”, – i them, për ta qetësuar dhe për t’i dhënë mundësi të më shpjegohej më qartë.
Unë, natyrisht, e dija se çfarë përfaqësonte emri i Kujtim Laros për muzikën dhe kulturën tonë. Muzika e tij e kishte bërë jo vetëm shumë të njohur, por edhe shumë të dashur për mua. Dija shumë për të. Ia njihja pothuajse të gjitha këngët. Dija gjithashtu se cilëve filma u kishte dhënë përmasa të jashtëzakonshme artistike me muzikën e tij të magjishme. Për të sjellë në vëmendje vetëm disa prej më shumë se tridhjetë e ca filma, po përmend: “Lulëkuqet mbi mure”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “Në fillim të verës”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, e të tjerë.
Në njëfarë mënyre, krijimtaria e tij ishte bërë pjesë e kujtesës sime, ashtu siç ishte bërë pjesë e kujtesës së shumë shqiptarëve. Pra, e njihja përmes veprës së tij, por nuk e kisha takuar asnjëherë nga afër. E dija gjithashtu se për shumë vite ai kishte qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Ushtrisë, autoriteti më i lartë artistik i asaj trupe profesioniste, e cila kishte dhënë kontribute të jashtëzakonshme, në jetën artistike dhe koncertore të vendit. Por nuk e dija se e kishin larguar nga puna. Ndaj, nën peshën e rrebeshit të Xhevos, thërras Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Pëllumb Qazimin. Gjenerali, përveçse një koleg dhe bashkëpunëtor i jashtëzakonshëm, ishte edhe një ushtarak me shumë autoritet, çka bënte që ta donin dhe ta respektonin të gjithë.
Doja të mësoja prej tij se çfarë kishte ndodhur dhe si qëndronte në të vërtetë problemi që e kishte sjellë Xhevahir Spahiun në zyrën time, me gjithë atë zemërim. Gjenerali nuk vonoi të vinte. – “Eja, gjeneral, eja! Eja e shuaje zemërimin e Xhevos, se unë i vetëm nuk ia dal dot! Duhet një gjeneral nga Skrapari që ta zbusë këtë zemërim të një skraparlliu, të derdhur në zyrën time si vetëtimë nga mali i Tomorit”. Ndërsa po mendoja se, duke iu drejtuar gjeneralit edhe si skraparlli, do ta kisha më të lehtë të krijoja më shumë afërsi mes tyre, vura re se në çehren e Xhevos, nuk kishte ndryshuar asgjë! Mali i zemërimit ishte ende aty, përballë.
– “Në fakt, zoti ministër, largimi nga puna i Kujtim Laros, ka qenë një gabim”, – nisi shpjegimin gjeneral Pëllumb Qazimi.
– “Për shkak të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga i gjithë procesi i anëtarësimit në NATO, jemi të detyruar të reformojmë dhe të ristrukturojmë të gjitha Forcat e Armatosura. Ky proces përfshin edhe shkollat ushtarake, Akademinë, Spitalin Ushtarak, Ansamblin Artistik të Ushtrisë dhe Klubin ‘Partizani’, të cilat janë gjithashtu pjesë e strukturës së Forcave të Armatosura. Në këtë kontekst, – vijoi gjenerali, – është shkrirë edhe Ansambli i Ushtrisë”, – duke më sqaruar se kompozitori ishte larguar nga puna, pak kohë para se unë të emërohesha ministër.
– “Po pse, more gjeneral, Kujtim Laron gjetët ju të bënit kurban të reformës”?! – shkreptiu Xhevo. – “Nuk është përgjegjësi e gjeneralit, i dashur Xhevo, – ndërhyra unë. – Por ti mos u mërzit, është një problem që do ta zgjidhim”. Pastaj, duke iu drejtuar gjeneralit, i thashë se duhej të gjenim çdo mundësi për ta ndrequr gabimin e bërë. Pas Gaqo Avrazit, një prej artistëve të parë themelues të Ansamblit, emri i Kujtim Laros ishte sinonim i vetë asaj trupe. Nuk dua aspak të nënvlerësoj emrat dhe punën e të tjerëve. Në atë Ansambël kanë shërbyer dhe kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm artistë, dirigjentë, krijues dhe interpretues ndër më të shquarit e vendit. Secili ka lënë gjurmën e vet. Ndaj, nderimi për Kujtim Laron ishte, në të njëjtën kohë, edhe nderim për vetë Ansamblin, për historinë, traditën dhe identitetin e tij artistik.
– “Xhevo, gjenerali do ta zgjidhë problemin për të cilin ke ardhur dhe Kujtim Laro do të rikthehet në punë”. Edhe pse m’u duk se dallgët e zemërimit të poetit po tërhiqeshin, retë ishin ende mbi të. Tallazi nuk ishte larguar plotësisht. – “Mirë, por kam edhe një problem tjetër”, – vijoi Xhevo, këtë herë me një ton disi më të qetë. – “Shpraze edhe koburen e dytë, po të dëgjojmë”, – i thashë, me sytë të fiksuar mbi ballin e dallgëzuar të poetit. Sepse atë që ka në shpirt, Xhevos mund t’ia lexosh mbi ballë. Balli është ekrani i shpirtit të tij. Grimasat gjithë ekspresivitet janë poezi e një lloji tjetër, ku gjendet i njëjti shpirt që ka në poezitë e tij.
– “Pano Taçit duhet t’i japësh dëshminë e veteranit të Luftës, sepse padrejtësisht ia kanë refuzuar. Ka qenë nga debatikasit e parë të Luftës”! Panon, poetin e lirikës erotike, edhe unë e kisha mik. Disa nga librat e tij i kam me dedikim. Madje, jo me dedikime dosido, por me vargje që buronin nga shpirti i tij eseninian, sa rebel aq edhe i ndjeshëm. Rrëfimit për Panon dhe historinë e librezës së tij të veteranit, do t’i rikthehem një herë tjetër. Ajo që dua të nënvizoj këtu është ndjeshmëria dhe përkushtimi i Xhevahir Spahiut ndaj njerëzve të artit. Një tjetër anë e bukur e karakterit të tij. Dhe vetëm pasi u bind se shqetësimet e tij do të zgjidheshin, Xhevo na hapi udhë që, së bashku me gjeneral Qazimin, të bisedonim edhe për Malindin, për Skraparin e tij dhe Martaneshin tim.
Aty kujtuam edhe një bisedë timen me Et’hem Bakiasin, të cilin e kisha takuar në ditët e para, kur sapo kisha nisur punë në “Zërin e Popullit”. Ai më pati pyetur: – “Edhe ti nga Skrapari je”? – “Jo”, i thashë unë. – “Epo, duhet të jesh nga Vlora”?…– “Jo, jo, jam nga Martaneshi”, iu përgjigja. Pasi heshti një grimë herë, aq sa m’u duk se përgjigjja ime e gjeti të papërgatitur, sepse mbase priste që edhe unë të isha ose nga Skrapari, ose nga Vlora, Ethemi i mirë vijoi: – “Epo mirë, malet njësoj i kemi, njësoj i kemi edhe teqetë dhe luftën njësoj e kemi bërë”. Në bisedë e sipër, Xhevo nuk humbi kohë. I telefonoi Kujtim Laros, për t’i thënë se e kishte zgjidhur problemin dhe se do të rikthehej në punë. Veç ta shihje se çfarë drite iu përhap në fytyrë nga gëzimi që po i jepte një lajm të mirë mikut të tij! Ishte gëzimi i pastër i njeriut që nuk kishte ardhur të kërkonte diçka për vete, por të mbronte një mik dhe një artist të cilin e çmonte thellësisht.
U çel e dritëzua i tëri. – Tani po, – tha, – mund ta pi i qetë kafenë me ju dhe, nëse keni, edhe një gotë raki Skrapari. Kështu u rikthye në punë kompozitori Kujtim Laro. Si një kujtim të atij momenti, unë ruaj në dosjet e mia edhe urdhrin e firmosur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral-major Pëllumb Qazimi, për emërimin në punë të nënkolonel Kujtim Laros. Me rikthimin e tij në punë, nuk u gëzua vetëm Xhevo. Nuk u gëzuan vetëm Kujtimi dhe familja e tij. U gëzuan edhe shumë të tjerë, artistë e ushtarakë. Gëzimi i tyre kishte të bënte shumë më pak me vendin e punës dhe pagën modeste që merrte Kujtimi, sesa me dinjitetin e tij si artist dhe me korrigjimin e një padrejtësie që i ishte bërë, përmes një veprimi administrativ të nxituar. Ishte çështje dinjiteti, respekti dhe vlerësimi për gjithçka ai përfaqësonte.
Ndërsa unë fitova edhe një mik. Dhe çfarë miku! Një artist me emrin e Kujtim Laros, të cilin kush nuk do të dëshironte ta kishte mik? Disa ditë pasi kishte filluar punë, e telefonova dhe e ftova për një kafe. Për të qenë më të lirë me njëri-tjetrin, vendosa të mos e prisja në zyrën e ministrit, por të takoheshim në një nga lokalet e shumta të Tiranës. U ndjeva i nderuar që ai kishte pranuar të vinte të më takonte e të pinte kafe me mua.
– “Nuk ke pse më falënderon”, – i thashë, pa e lënë të shqiptonte as edhe një fjalë falënderimi. – “Përkundrazi, unë duhet të të falënderoj që pranove të rikthehesh. Emri dhe puna jote na bëjnë nder të gjithëve. Me ty ishte bërë një gabim dhe shumë mirë që, falë ‘ndërhyrjes’ së Xhevos, arritëm ta korrigjonim. – Ndaj, falëndero Xhevahirin”, – i thashë duke qeshur.
Biseduam gjatë. Natyrisht, biseda u përqendrua më shumë te muzika. Unë këmbëngulja të mësoja sa më shumë hollësi për procesin e tij krijues, për mënyrën se si lindnin dhe merrnin jetë kompozimet e tij, për muzikën aq të bukur të shumë prej filmave tanë, por edhe për këngët e shkruara mbi poezitë e Xhevahir Spahiut, në veçanti. Kujtim Laro nuk ishte nga ata që fliste për veten. Madje, sa herë përpiqesha ta drejtoja bisedën drejt krijimtarisë dhe vlerave të tij, ai e zhvendoste me këmbëngulje te përgjegjësitë e qeverisë për të hartuar një strategji të mirëpërcaktuar të politikave kulturore. Këmbëngulte se duhej bërë shumë më tepër për ruajtjen e traditës kulturore në tërësi dhe asaj muzikore në veçanti.
Ishte i shqetësuar për të ardhmen e muzikës, të cilën e shihte ndoshta më të kërcënuarën nga depërtimi i gjithfarëllojshëm i modeleve të huaja. Kisha përballë një kompozitor të madh, i cili, në vend që të fliste për veprat e veta, për famën apo për vlerësimin që meritonte, shqetësohej për fatin e muzikës shqiptare. E ndieja se shqetësimi i buronte nga shpirti. Në çdo fjalë që thoshte, prekje të vërtetat e mëdha të një njeriu që i kishte falur popullit e vendit ndjeshmërinë dhe frymëzimin e tij, të derdhur në këngë e simfoni, në muzikën e filmave dhe në tablotë koreografike. I matur, por bindës në këmbënguljen e vet, ndërsa fliste, mua më ngjante sikur këndonte me zërin e plotë, ku spikaste timbrika e një labi që Vlorën e kishte marrë me vete në gjithë qenien e tij.
Folëm gjatë. Natyrisht, unë nuk ngopesha duke e dëgjuar, i përhumbur mes fjalëve që më dukej sikur përziheshin me meloditë e tij. Më foli edhe për rëndësinë që kishte kultura për Forcat e Armatosura. – “Ne do të jemi anëtarë të NATO-s, – më tha. – Por edhe ushtritë e vendeve të NATO-s, kanë trupat e tyre muzikore, kanë orkestra simfonike, ansamble e kore të famshëm. – Një ushtri moderne nuk ndërtohet vetëm me kapacitete mbrojtëse, pajisje dhe teknologji, por edhe me kulturë, traditë dhe formim shpirtëror”, – theksoi me bindjen e njeriut që e ndiente se e drejta ishte në anën e tij. Ndërsa bisedonim, ndjeva se përballë kisha jo vetëm një kompozitor të madh, por një njeri që e kishte kapërcyer kufirin e krijimtarisë së vet. Kujtim Laro e shihte kulturën jo thjesht si një zbukurim të jetës, por si pjesë të qenësishme të saj.
Për të, një ushtri moderne duhej të kishte jo vetëm forcën e armëve, por edhe forcën e kulturës. Teksa e dëgjoja të fliste ashtu shtruar e plot shpirt, kuptova se madhështia e një artisti nuk qëndron vetëm në atë që krijon, por edhe në shqetësimin që ndien për atë që vjen pas tij, për vlerat që duhen ruajtur dhe për atë që nuk duhet të humbasim. Një ministër mund t’i rikthejë një artisti vendin e punës, por vetëm një artist i madh mund t’i kujtojë një ministri, se çfarë vlere ka pushteti dhe ku duhet të ndalet ai. Pushteti ka të drejtë dhe detyrë të reformojë, të ndryshojë e të modernizojë. Por duhet të dijë edhe çfarë nuk duhet të prekë. Sepse institucionet ndryshojnë, njerëzit ikin e vijnë, ndërsa vepra e një artisti të vërtetë vazhdon të jetojë. Siç vazhdon të jetojë mes nesh muzika e Kujtim Laros. / Memorie.al
(Fotokopje e urdhrit të rikthimit në punë të kompozitorit Kujtim Laro, firmosur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Pëllumb Qazimi).














