Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë se si “festohej” Viti i Ri dhe festat e tjera, në Burgun e Burrelit dhe kampet e burgjet e tjera të regjimit komunist, të Enver Hoxhës para viteve ’90-të. Dëshmia e Qani Beqo Sadikut me origjinë nga fshati Market i Sarandës, i cili kaloi 17 vjet burg dhe tre vite internim, në periudhën e diktaturës, ku pjesën më të madhe të dënimit e vuajti në burgun famëkeq të Burrelit, në një qeli me emra dhe personazhe të njohur, të rezistencës dhe disidencës antikomuniste, si: Kurt Kola, Nuredin Skrapari, Bardhosh Gjonzeneli, Spartak Ngjela, Spartak Bedri Spahiu, Sherif Merdani, Fatos Kërluku etj., me të cilët ai tregon se si e “festonin” natën e ndërrimit të viteve dhe “menynë e pasur”, që ai regjim kishte paracaktuar për të dënuarit politik në raste festash, ku u jepej vetëm dy patate për Vitin e Ri, vetëm atyre që ishin në Kaushin e Tiranës, (Reparti 313) dhe nga një copë hallvë me rastin e 16 tetorit, ditëlindjes së “shokut Enver”, vetëm për ata që ndodheshin atë ditë në spitalin e burgut!
Zoti Sadiku, cila është origjina e familjes suaj?
Unë jam me origjinë nga fshati Markat i Sarandës, ku dhe kam lindur në 14 dhjetor të vitit 1950.
Sa vite keni vuajtur në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës?
Unë kam bërë 16 vjet e disa muaj burg, pra jam arrestuar në korrikun e vitit 1975 dhe jam liruar nga mesi i muajit mars me të burgosurit e fundit. Pra 17 vite burg, duke i mbetur “borxh”, Partisë që më dënoi, gati shtatë vjet e gjysëm burg. Por para burgut kam qenë edhe tre vjet i internuar në Borsh të Sarandës ku dhe jam arrestuar në korrikun e ’75-ës.
Përse ju kishin internuar dhe përse ju arrestuan?
Mua më internuan pasi më kishin akuzuar si një “qytetar i padenjë për normat e moralit socialist”, ndërsa akuza kur më arrestuan ishte për “agjitacion e propagandë, tentativë arratisje, minim të pushtetit popullor, sikur do vrisja ushtarët e kufirit”, etj.
Sa ju dënuan fillimisht dhe ku e keni vuajtur dënimin?
Jam dënuar 10 vite burg, më pas jam ri dënuar dy herë. Njëherë me 7 vite dhe herën e dytë në 1982-in, me 25 vite burg, të cilat i kam vuajtur në Spaç, Burrel dhe Shën Vasi të Sarandës, ku na dërguan në fund të vitit 1990, me rastin e ardhjes në Shqipëri, të Sekretarit amerikan të shtetit, James Baker. Pra Partia, në Borsh të Sarandës më arrestoi dhe në Shën-Vasi, po të Sarandës më liroi.
A mund të na thoni: si kalohej një natë e ndërrimit të viteve në Burgun e Burrelit, ku ju keni vuajtur një pjesë të madhe të dënimit, pra ku ndryshonte ajo natë nga të tjerat?
Nata e vitit të ri në burgun e Burrelit, por edhe në burgjet e tjera si Spaçi, Qaf-Bari, Ballshi, Zejmeni etj., nuk kishte asnjë ndryshim nga netët e tjera. Fare. Pra ishte një natë krejt e zakonshme, sa që shumëkush nga ne të dënuarit edhe mund ta harronte fare që ishte nata e vitit të ri.
Pse, komanda e burgut nuk ju jepte asnjë ushqim shtesë për atë natë si festë që ishte?
Absolutisht asnjë lloje shtese ushqimi. Edhe 31 dhjetori që nga mëngjesi e deri në darkë vonë, vazhdonte me të njëjtin ritual si ditët e tjera. Kjo vlente edhe për ushqimin, pra: supë në mëngjes, supë në drekë dhe tasi me çaj në darkë. Kaq, asgjë tjetër.
Në darkën e vitit të ri nuk shtohej asgjë në racionin ushqimor?!
Përveç tasit të atij që ne i thonim çaj, (pasi vinte i ftohtë dhe vetëm emrin kishte, çaj), ku duhet të kishte 10 gram sheqer dhe një copë bukë nga ajo e drekës, ku pjesa më e madhe e të dënuarave e “asgjësonim” që në drekë, absolutisht asnjë gjë tjetër. Prandaj dhe ju thashë, se ajo natë nuk ndryshonte nga netët e tjera.
Nga ushqimet që mund t’u sillnin familjet, a u lejohej që të festonit vitin e ri me to?
Po me ushqimet që na dërgonin familjet, ne edhe organizonim diçka, sa për ta kujtuar që ishte viti i ri.
Si “organizoheshit” për vitin?
Vetëm me kadaif që na i dërgonin familjet me pako, pra me postë, apo kur na vinin për të na takuar, aty në burg dhe kjo nuk ndodhte shpesh, se familjet tona vuanin edhe për shkakun tonë, jo vetëm nga ana politike, por edhe ekonomikisht. Zakonisht na e sillnin të pjekur dhe të mbështjellë në letër, ashtu siç shitej në dyqanet e tregtisë, ku e blinin dhe ne hidhnim vetë sherbetin. Por kishte raste kur familjet tona na e sillnin edhe të shërbetosur dhe kjo ndodhte kur ato na vinin vetë në takim, se kur na e dërgonin pako me postë, sherbetin ua hidhnim vetë.
Ju me kë ishit në qeli në burgun e Burrelit, kishit ndonjë nga emrat që tashmë janë të njohur….?
Pothuaj të gjithë janë emra të njohur. Unë kam qenë shumë kohë në Burrel, në një qeli me Spartak Spahiun, Nuredin Skraparin, Bardhosh Gjonzenelin, Spartak Ngjelën, Kurt Kolën, Sherif Merdanin, Fatos Kërlukun, etj. Çdo njeri nga ne e ndante me të gjithë shokët e qelisë ushqimin, dhe kjo fillonte dy tre ditë para vitit të ri, dhe vazhdonte dy tre ditë më pas. Pra ditën e parë ne konsumonim ushqimin tim, apo dhe të një tjetri dhe ditët në vazhdim e kështu me radhë. Dhe me mbarimin e ushqimeve të ardhura mbaronte dhe “festa” e vitit të ri. Kaq ishte e gjitha.
Po për festa të tjera, nuk ju jepte komanda e burgut, asnjë lloj ushqimi shtesë. Pra si: 28 dhe 29 nëntori, 1 Maji, etj.?
Absolutisht asnjë lloj ushqimi. Përjashtim bëhej në rastin kur ndodheshim në Kaushin e Tiranës, pra në Repartin 313, siç quhej asokohe Burgu i Tiranës, vetëm aty na jepnin një shtesë të vogël.
Që ishte….?
Është për të qeshur dhe nuk do e besoni kjo që po ju them, por shyqyr zotit janë gjallë, shumë bashkëvuajtës dhe gjithashtu kapterra dhe oficerë burgu, që e dinë këtë gjë. Për vitin e ri aty në kaush, përveç tasit të çajit dhe asaj cope buke, që e ruanim nga dreka, na jepnin “bonus” siç i thonë sot edhe dy kokrra patate të ziera, ku qëllonte që nuk ishin të krimbura apo të kalbura. Kaq ishte e gjitha. Asnjë gjë tjetër nuk na jepte komanda për asnjë lloj feste. Hallva u jepej vetëm të dënuarve që ishin të shtruar në Spitalin e Burgut dhe kjo jepej vetëm njëherë në vit, me rastin e 16 tetorit, ditëlindjes së “shokut Enver”. Pra, po të qëlloje që në 16 tetor të ishte i shtruar në spitalin e burgut, përfitoje një racion hallvë.
Nisur nga fakti se po flasim për ish-të dënuar politikë, a pranonin ata të hanin hallvën për ditëlindjen e “shokut Enver”?!
Për hir të së vërtetës kishte shumë që e hanin, ça do bënin të varfrit, stomaku nuk pyet…?! Por ka pasur edhe të tjerë që e kanë refuzuar atë.
Po ju vetë…?
Unë kam pasur rastin shpesh të jem i shtruar në Spitalin e Burgut dhe e kam refuzuar kategorikisht hallvën, pra asnjëherë nuk e kam pranuar dhe këtë ua thoja hapur.
Nuk kishit frikë se mund t’ju ri dënonin, pasi bëhej fjalë për ditëlindjen e “shokut Enver”?!
Po ça do të më dënonin më mua, unë isha dënuar dhe ri dënuar me 25 vjet dhe më shumë se kaq, nuk kishte ligj që të më dënonin. Por nuk ishte vetëm kjo që më bënte tua thoja hapur, atë që mendoja dhe ndjeja, pasi unë kam folur që në vitet e para të dënimit dhe për këto gjëra jam ri dënuar deri në 25 vjet.
Në atë kohë, janë dhënë disa amnisti, si ajo e vitit 1982 dhe më pas e ’86-ës. Nuk përfituat asnjë vit ulje dënimi?
Nga amnistia e 1982-it, nuk përfitova asnjë ditë ulje dënimi, pasi ajo amnisti specifikonte që të dënuarit me 25 vjet burg, nuk përfitonin ulje dënimi dhe unë sapo isha ri dënuar me 25 vjet. Kështu që nga ajo amnisti isha i përjashtuar jo vetëm unë, por pothuaj të gjithë të dënuarit, që vuanin dënimin në Burgun e Burrelit, nga ajo amnisti aty përfituan vetëm tre veta.
Po nga amnistia e ’86-ës?
Në amnistinë e ’86-ës, përfitova një ulje të vogël por para kësaj a mund t’ju tregoj një ngjarje që ka lidhje me këtë amnisti, kur erdhën nga Tirana dhe komanda e burgut të Burrelit, për të na e komunikuar në qelitë ku ne vuanim dënimin.
Patjetër….!
Pasi na u dha ajo amnisti, erdhën nga Tirana dhe komanda e burgut, për të na e komunikuar uljen që na kishte bërë Partia dhe pasi na lexohej, për çdo të dënuar se sa ulje përfitonim dhe sa na mbetej, na kërkohej të thoshim ndonjë fjalë, pra të falenderonim Partinë. Në kohën që erdhën në qelinë tonë dhe po ju komunikohej ulja se sa kishin përfituar Adem Allçi e Dhori Gërnjoti, që ishin arrestuar dhe vuanin dënimin në burgje, që nga viti 1963 apo ’64 në mos gaboj, kjo shkaktoi disa debate pasi Dhori që kishte punuar në disa punë prapavije, çuditërisht kishte përfituar ulje më shumë se Ademi, që pjesën më të madhe e kishte kaluar nëpër qeli i dënuar, për mosbindje, moszbatim rregulloresh, etj. Ndërsa po diskutohej e debatohej ky problem, po më vinte radha mua dhe unë pyeta mikun tim, Bardhosh Gjonzenelin nga Vlora, se ça do t’u thoja kur të më komunikohej se sa kohë kisha përfituar ulje dënimi, dhe ai më tha: ‘Thuaj: ua kam falur Partisë, nuk i dua”.
Ua tha me shaka këtë gjë Bardhoshi apo….?!
Bardhoshi ma tha me gjysëm shakaje, por unë ua thashë tamam atyre në prezencë të 30 të dënuarave, që ishim aty.
Çfarë ju the?
Sapo ata më komunikuan uljen e dënimit që përfitoja e cila ishte nja tre vjet e tre muaj e disa ditë dhe më kërkuan që të flisja, unë iu përgjigja: “Ua kam falur Partisë dhe shoqes Nexhmije këto që më keni falur, t’i marrin ato, se mua nuk më duhen”. Atyre ju ranë si bombë ato fjalë dhe aq më shumë, se ato po ua thoja në sy të gjithë të dënuarave të tjerë dhe nisur nga kjo gjë, në fillim hezituan dhe nuk po flisnin.
Si t’u përgjigjën më pas, çfarë thanë…?
Në fillim hezituan dhe shikonin njeri tjetrin në sy, pa ditur ça të thonin, por heshtjen e theu komisari i Burgut të Burrelit, Kosta Gramo, i cili m’u drejtua me një urrejtje të paparë duke më thënë: “Maskara, Partia dhe shoqja Nexhmije, nuk kanë nevojë për ditët e tua, se ato do rrojnë sa malet, ndërsa ti do vdesësh këtu, si qen dhe nuk do dalësh kurrë që këtej”. Dhe pas kësaj u larguan që aty…/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016