Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kazhimierzh Mijal, kryetarit të Partisë Komuniste të Polonisë, i cili në vitin 1966, erdhi ilegalisht në Shqipëri, pasi kërkohej për t’u arrestuar në atdheun e tij dhe këtu u prit me të gjitha nderimet, nga udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, që së bashku me Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, shkonin për ta takuar herë pas herë, në dy vilat që atij i’u lanë në dispozicion në qendër të Tiranës dhe në Plazhin e Durrësit, ku shërbenin një personel i madh, ashtu si edhe anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Dëshmia e rrallë e Koci Zengo, ish-punonjës i aparatit të Komitetit Qendror, që ishte diplomuar në Poloni në fundin e viteve ’50-të, i cili u caktua si shoqërues dhe përkthyesit i tij, ku për 12 vite me radhë që Mijal qëndroi në Shqipëri, nuk i’u nda për asnjë çast, madje duke e shoqëruar atë edhe në shumë vizita sekrete, që ai bënte në shtete të ndryshme të botës. Largimi i papritur i Mijalit nga Shqipëria në vitin 1979, pasi marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën, ishin prishur për shkak të qëndrimit dhe rezervat që ai kishte ndaj udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës zyrtare, pas prishjes së saj me Kinën.
“Aty nga mesi i muajit shkurt të vitit 1966, më thirri shefi im Pirro Bita, që ishte Drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe më tha se duhej të shkoja në Portin e Durrësit, për të pritur një nga shokët kryesorë të Partisë Komuniste të Polonisë, i cili do të rrinte për një kohë të gjatë në Shqipëri. Sipas porosisë të shokëve të udhëheqjes, unë vajta dhe e prita në Durrës dhe personi që erdhi, ishte udhëheqësi kryesor i komunistëve polakë, i quajtur Kazhmierzh Mijal, të cilin që nga ajo ditë e shoqërova për dymbëdhjetë vjet me radhë, që ai qëndroi në Shqipëri”. Kështu e kujtonte porosinë që i’u dha nga eprorët e tij, Koci Zenga, ish-punonjës i aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i diplomuar në Akademinë e Sporteve të Polonisë në vitin 1953, i cili tregonte se si e ka shoqëruar në Shqipëri nga viti 1966, deri në 1978-ën, ish-Kryetarin e Partisë Komunistëve të Polonisë, i cili gjatë gjithë asaj kohe, ishte një nga miqtë personal të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, duke qenë fare pranë tyre në protokollin e të gjitha festave, apo pritjeve të ndryshme zyrtare.
Kush ishte Koci Zengo?
Ndonëse me një shtat të lartë dhe fizik prej ish-sportisti, ashtu siç ka qenë në të vërtetë Koci Zengo, i cili është diplomuar në Akademinë e Sporteve të Varshavës në vitin 1953, ai nuk e ka më atë gjallërinë e dikurshme dhe shëndeti i tij i është keqësuar dukshëm, nga një jetë e kaluar plot me strese dhe peripecira, të cilat i filluan pikërisht atë ditë kur miku polak, që e shoqëroi për 12 vjet me radhë, u shpall “agjent i revizionizmit”. I lindur në vitin 1924 në fshatin, Dardhë, të rrethit të Korçës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, Koci Zengo, që në rininë e tij u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe gjatë viteve të Luftës, ishte një nga eksponentët kryesorë të Rinisë Komuniste, të rrethit të Korçës. Në vitin 1949, ai fitoi të drejtën e studimit për të ndjekur Akademinë e Sporteve në kryeqytetin polak, Varshavë, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1953. Kur u kthye në Shqipëri, ai punoi për disa kohë si nënkryetar i Komitetit të Fizkulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë dhe në vitin 1954, atë e thirrën që të punonte në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ai shërbeu pa ndërprerje deri në vitin 1966, kur shefi i tij, Pirro Bita, që ishte Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror, e njoftoi se ai duhet të shkonte në Portin e Durrësit, për të pritur një mik të Shqipërisë, që vinte nga Polonia e largët, ku Koci kishte kryer studimet vite më parë.
Ardhja e Mijalit në Shqipëri
“Në atë kohë të gjithë miqtë e Shqipërisë që vinin nga jashtë, prej atyre që quheshin “partitë motra”, shoqëroheshin nga punonjësit e Drejtorisë të Marrëdhënieve me Jashtë të Komitetit Qendror. Duke qenë se unë kisha mbaruar studimet në Poloni dhe isha një njohës i mirë i gjuhës polake, shefi im Pirro Bita, më caktoi mua që të prisja dhe të shoqëroja Kryetarin e Partisë Komuniste të Polonisë, Kazhimirezh Mijal, i cili mbërriti në portin e Durrësit, aty nga mesi i muajit shkurt të vitit 1966, me një traget që erdhi nga Italia. Sipas porosisë së shefit tim, unë dola dhe e prita në Durrës Mijalin, e më pas erdhëm në Tiranë dhe ai u sistemua në një vilë të veçantë, në Rrugën “Lek Dukagjini”, në afërsi, apo më saktë në krah të vilës ku sot është Ambasada e Maqedonisë. Që në ditën e parë të mbërritjes së tij në Tiranë, atë erdhi dhe e takoi Enver Hoxha me Ramiz Alinë, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe para atij takimi, ata më njoftuan mua për orën kur do vinin. Kazhimierzh Mijal, erdhi si ilegal në Shqipëri, i ndihmuar nga Ambasada jonë në Varshavë dhe shkaku i largimit të tij nga Polonia, ishte se ai rrezikonte të arrestohej, nga që kishte formuar Partinë Komunistë të Polonisë dhe ishte zgjedhur kryetar i saj. Në Shqipëri, identiteti i vërtetë i Mijalit u mbajt sekret dhe ai erdhi me një emër të rremë, me të cilën ne e prezantonim kudo. Emrin e vërtetë të tij e dinin vetëm një numër i kufizuar njerëzish, që ishin drejtues në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror, si Piro Bita e Pirro Koçi, e gjithashtu dhe udhëheqja kryesore me Enver Hoxhën, Hysni Kapon e Ramiz Alinë, e ndonjë tjetër. Që nga ajo ditë e për 12 vjet me radhë që Kazhimierzh Mijal, qëndroi në Shqipëri, unë nuk u ndava për asnjë çast prej tij. Pasi paraqitesha në zyrë në Komitetin Qendror, ku qëndroja vetëm pak minuta, menjëherë shkoja tek vila e Mijalit, për tu angazhuar sipas programit që ai kishte. Ai vetëm gjumin e bënte pa mua. Vila ku u vendos Mijali, ishte rezervuar vetëm për të dhe aty shërbente një personel i tërë që nga kuzhinieri, pastruesja, shoferi, si dhe ushtarët e Gardës, që e ruanin vilën me shërbim të përhershëm. Përveç meje që kisha rolin e shoqëruesit e përkthyesit e isha i detyruar, që të qëndroja në çdo kohë me të, për të siguruara jetën e Mijalit, ishin caktuar dhe dy oficerë të Sigurimit të Shtetit, që na shoqëronin kudo. Po kështu, përveç vilës që Mijalit i ishte rezervuar në dispozicion në Tiranë, ai kishte dhe një vilë tjetër në Plazhin e Durrësit, në afërsi të Hotel “Adriatiku” e cila në atë kohë lihej në dispozicion të miqve marksistë-leninistë, që vinin në Shqipëri, ku dhe aty kishte një personel shërbimi të përhershëm. Në atë vilë Mijali kalonte pjesën më të madhe të muajve të verës dhe nisur nga ky fakt, për shumë kohë, ajo vilë njihej ndryshe nga durrsakët dhe si “vila e polakut”. Përveç vilës së Durrësit dhe asaj të Tiranës, ku Mijali kishte rezidencën e përhershme, ai shkonte shpesh për pushime në Dhërmi, ku qëndronte gjatë”, kujtonte Koci Zengo, atë kohë kur u caktua të shoqëronte mikun polak dhe vilat rezidenciale ku ai qëndroi për 12 vjet në Shqipëri.
Çfarë bënte Mijali në Shqipëri?
“Që nga takimet e para që pata me Mijalin, u mirëkuptuam dhe krijuam marrëdhënie të sinqerta. Ai ishte një tip shumë inteligjent dhe me kulturë të gjerë, e pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke lexuar në studion e punës, ku kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kazhimirezhi ishte një njeri korrekt dhe gjatë gjithë kohës që qëndroi në Shqipëri, ai zbatonte një regjim strikt, me rigorozitetin më të madh. Ai çohej në mëngjes dhe pasi bënte tualetin e nevojshëm, hante mëngjesin dhe pastaj shkonte në studion e tij, në një nga dhomat e vilës dhe studionte deri nga ora tre. Pas kësaj, ai hante drekën dhe nuk ndodhte asnjëherë, që ai ta linte punën para orarit dhe të dilte nga studio e punës, për të ngrënë apo për gjëra të parëndësishme. Pasi hante drekë, ai pushonte, dhe përsëri shkonte në studion e tij ku punonte deri kur vinte ora për të ngrënë darkën dhe për të fjetur, binte gjithmonë në të njëjtin orar. Këtë regjim ditor Mijali mund ta prishte vetëm në raste të veçanta, të cilat i kishte paracaktuar më parë, si kongreset e Partisë, festat zyrtare, apo ceremoni të ndryshme, ku ai ftohej vazhdimisht dhe në protokollin qeveritar e partiak, atij i rezervohej një vend i veçantë, duke e caktuar gjithmonë fare pranë Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë. Lidhjet kryesore Mijali i mbante me Ramiz Alinë, por ai takohej dhe me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon, të cilët sa herë donin të takoheshin me të, më njoftonin mua për të bërë ndërmjetësimin e takimit. Po kështu unë u kujdesa për shtypjen e botimin e librit që Mijali shkroi në atë kohë, duke qëndruar me ditë të tëra në Ndërmarrjen Tipografike, si dhe bëra shpërndarjen e tij në Poloni. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri, pothuaj çdo vit, Mijali bënte punën fizike nga një muaj, nëpër ferma apo kooperativa bujqësore në fshatrat e Tiranës. Përveç kësaj, ai kishte dëshirë për të udhëtuar dhe unë e kam shoqëruar në shumë ndërmarrje prodhimi, uzina, fabrika dhe ndërmarrje bujqësore, pothuaj në të gjithë Shqipërinë nga Jugu në Veri”, tregon Koci Zengo.
Udhëtimet e fshehta jashtë Shqipërisë
“Kazhimierzhi kishte lënë në Poloni, gruan, Jadievgën dhe dy djemtë, Marekun e Pavlin, që ishte diplomuar për Fizikë, për të cilët ai kishte një mall të pa treguar. Nga kjo arsye, ai vinte shpesh në familjen time, duke nxjerrë mallin e familjes së tij, që nuk kishte mundësi ta takonte. Nisur nga kjo, për çdo porosi që ai të kishte por familjen, m’i besonte mua, që herë pas here nisesha dhe shkoja në Poloni dhe merrja takime të fshehta, me familjen e tij, që ndodhej diku në Veriun e Polonisë. Këtë gjë e bënim që të mos kuptoheshim nga shërbimet e fshehta polake, të cilat më ndiqnin vazhdimisht, pasi ishin në dijeni, që unë isha shoqëruesi i Mijalit dhe mbaja gjithë korrespodencën me familjen e tij. Kur kthehesha nga Polonia, me qëllim që të humbja gjurmët, unë bëja dhe disa vizita në shtete të tjera, si në Gjermani, Francë apo Greqi, e pastaj kthehesha në Shqipëri. Përveç Polonisë ku shkoja për të mbajtur lidhjet me familjen e tij, unë e kam shoqëruar Mijalin dhe në të gjitha udhëtimet e tij të fshehta në disa shtete, si në Gjermani, Francë, Itali, e deri në Kinë, ku qëndronim me nga gjashtë-shtatë muaj, ku atë e prisnin me të gjitha nderet e rastit, udhëheqja e lartë kineze, deri tek Mao Ce Duni e Çu En Lai. Në të gjitha ato udhëtime, ne shkonim me dokumenta të tjera të rreme, ku na prisnin vetëm ambasadorët tanë dhe asnjë tjetër nuk kishte dijeni, për lëvizjet tona”.
Përzënia nga Shqipëria
“Mijali pati marrëdhënie shumë të mira me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë, deri aty nga viti 1977, por më pas ato marrëdhënie nisën të ftoheshin dita ditës, deri sa erdhi largimi përfundimtar i tij nga Shqipëria, në korrikun e vitit 1978. Shkaku kryesor i prishjes së marrëdhënieve të tija me udhëheqjen e lartë shqiptare, ishte qëndrimi që Mijali po mbante ndaj Kinës, me politikën e së cilës, Enver Hoxha ishte duke u “divorcuar”. Përveç kësaj, Mijali nuk ishte dakord dhe kishte rezerva dhe për shumë qëndrime dhe veprime të vijës politike, që ndiqte asokohe udhëheqja e lartë shqiptare, për të cilat më hapej vetëm mua, nga besimi i madh që kishte krijuar”, kujtonte Koci, mbi prishjen e marrëdhënieve të Mijalit me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë që e shpalli atë person “non grata” dhe e përzuri nga Shqipëria. Po çfarë i tha ai Kocit para largimit nga Rinasi? Lidhur me këtë, Koci nuk kishte dëshirë të fliste, duke i ruajtur brenda vetes brengat e mikut të tij, si një gjë që i përket vetëm atij, e askujt tjetër, por bashkëshortja e tij, Ollga, si për të na ndihmuar, ndërhyri në bisedë dhe nga tregonte: “Ndonëse Mijalin e kishim si njeriun e shtëpisë, ai nuk na tha gjë për largimin e tij dhe ne e morëm vesh vetëm atë ditë, që Koci u kthye nga Rinasi dhe na tha: “E përcolla Mijalin, përgjithmonë”. Që Kazhimierzhi iku i pakënaqur nga Shqipëria, këtë ne e ndjemë nga qëndrimi, që u mbajt ndaj Kocit, të cilit herë pas here, njerëz dashakeq, e pyesnin se: “ku e kishte mikun”?! Që nga ajo kohë që iku Mijali, Koci dhe ne të gjithë si familje, kemi qëndruar me një ndjenjë pasigurie, se gjithçka mund të ngjiste me ne, dhe këto strese lanë gjurmë të thella, tek Koci, të cilat ai i vuan ende. Aq miqësi të madhe kishim krijuar ne me Mijalin, sa që kur u largua, na u duk sikur na mungonte ndonjë njeri i shtëpisë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016