Nga Dr. Etleva SMAÇI
Pjesa e dytë
Metamorfoza e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore, nga “oficeri i deklasuar”, tek “oficeri puçist dhe oficeri poli-agjent”, në vitet 1954 – 1983
Memorie.al / Ky punim, synon të analizojë metamorfozën e “armikut të klasës” në radhët e Ushtrisë Popullore, në periudhën kohore 1954 – 1983. Për të realizuar këtë analizë krahasuese, punimi do t’i referohet tri momenteve të rëndësishme, kur Ushtria u bë target për zbulimin dhe eliminimin profesional e, deri në atë fizik të “armikut”. Ushtria Popullore, ka qenë gjatë periudhës së diktaturës komuniste, një ndër mjetet më të rëndësishme ideologjike, në luftë kundër “armikut të klasës”. E megjithatë ajo nuk mundi t’i shpëtonte këtij “virusi”, por përkundrazi, prodhoi modelin e vetë të “armikut të klasës”, që u pa si kërcënim kryesor, për jetëgjatësinë e pushtetit popullor dhe diktaturës së proletariatit.
Përbri emrit të mjekut Vangjel Masha, në fletën e karakteristikës së tij, gjendet shënimi; “Kur u fut, nga kush u fut në ushtri”? Origjina e tij (kombësia greke / minoritar), ishte një tjetër element, për ta shpallur të “papërshtatshëm”. Edhe mjekët ashtu si topografët, ishin parë si të nevojshëm, në kushtet e mungesës së kuadrove të besuar. Po i njëjti argument, u përdorë për lirimin e tyre. Tashmë ushtria, kishte kuadro të besuar, të përgatitur në Bashkimin Sovjetik. Mjekët ushtarakë “të padëshiruar”, viheshin në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në vend të tyre, do të silleshin mjekë që kishin garanci politike.
c)- Simpatizuesit e ‘Ballit’, kulakët dhe fshehja e së kaluarës
Për pjesën e mbetur të oficerëve të listës emërore, arsyeja kryesore e të konsideruarit të tyre si; “të papërshtatshëm”, është fshehja e së kaluarës, në veçanti lidhjet me ‘Ballin’. Disa prej këtyre oficerëve, kanë qenë për një periudhë anëtarë ose kandidatë partie, por janë përjashtuar prej saj, me daljen në dritë të këtyre lidhjeve. Raste të tilla, janë ata të nëntoges Anastas Dhimitrit, Selman Abas Karoshit dhe n/toger, Sabah Xhemal Meçe. Shënimi, këta dy të fundit në fletën e karakteristikës, është; “Jashtë”, që nënkupton largimin e tyre të menjëhershëm nga radhët e Ushtrisë. Spastrimi i Ushtrisë në ‘53 –shin’ në fakt nuk ishte i shkëputur nga periudha e mëparshme, ku Ushtria vazhdimisht kishte prodhuar “armiq”. Ai ishte një zyrtarim me platformë konkrete, i luftës së klasave në Ushtri, për t’u shndërruar në luftën brenda llojit, jo më larg se në harkun e dy dekadave pasardhëse.
Gjeneralët “puçistë”, “armiq të partisë dhe popullit”!
Goditja e bërë në vitin 1974, nuk ishte një goditje e “të papërshtatshmëve”. Goditja ishte e tërë kastës ushtarake shqiptare, ose siç njihet ndryshe; “spastrimi i gjeneralëve”, të cilët e kishin zhvilluar veprimtarinë e tyre “armiqësore antiparti dhe antishtetërore”, duke shfrytëzuar postet e larta që kishin në parti dhe në ushtri.
Figurat e goditura në ’74-ën, ishin të gjithë ithtarë të regjimit komunist, madje pa frikë mund të thuhet se ata kishin çimentuar diktaturën e proletariatit, duke i mëshuar luftës së klasave dhe demaskimit të “armikut” në radhët e Ushtrisë. Ndaj dhe të quajturit “puçistë” (pa kryer asnjë veprim që mund të konsiderohej i tillë), përbëjnë metamorfozën e portretit të “armikut të popullit”, pasi ata jo vetëm ishin kuadro ushtarakë që kishin dalë nga njësitë partizane, por deri në ditën e fundit të jetës së tyre, provuan të ishin besnikë të Partisë dhe u pushkatuarn me fjalën e fundit; “Të rrojë Partia”!
Duke shfletuar dosjet voluminoze që prej aktivit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, të mbajtur në korrik 1974 në Durrës dhe deri në dënimin me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për dënimin me vdekje të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, është e qartë se nuk ka asnjë moment, që këta ushtarakë të lartë të kenë kryer ndonjë veprimtari armiqësore, kundër Partisë dhe Ushtrisë, aq më tepër të pranohet pretendimi, për puç ushtarakë. Përkundrazi, ata ishin idealistë dhe besnikë, gjë që e pasqyron qartë, autokritika e tyre. Për më tepër ata e ndjenin veten, pjesë e pandarë e strukturave politike ushtarake të shtetit komunist.
Materialet e dosjeve hetimore të Sigurimit të Shtetit, janë të mbushura me qindra shënime që nxjerrin qartazi modelin e ri “të armikut të popullit”. “Armiku” që lindi si pasojë e intrigave të brendshme, përplasjeve mes kastës drejtuese ushtarake, “armikut” që u zbulua mbi bazën e denoncimeve dhe demaskimit popullor dhe që më pas u fabrikuan në organet e Sigurimit të Shtetit. (Një fakt të tillë e pranon në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, ish Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino).
Dosja që u paraqit në gjyqin e gjeneralëve puçist dhe që do të shërbente si lëndë e parë akuzash, ishte e mbushur me denoncime nga terreni. Në detyrën e ndihmësit të Hysni Kapos, për të ndjekur verifikimet e ankesave dhe të të dhënave komprometuese për ministrin e Mbrojtjes Beqir Balluku apo figurat e tjera madhore të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, por edhe për zyrtarët e tjerë, apo anëtarë të Komitetit Qendror, prokurorë, e madje gjyqtarë, ai hedh dritë mbi “linjën speciale”, që i shërbente regjimit komunist, për verifikimin e pastërtisë së figurës së funksionarëve të regjimit të lartë komunist.
E megjithëse akuza kryesore ishte ajo e tradhtisë, nga ish- prokurori pranohet se kjo akuzë, ishte formuluar “në terma të përgjithshëm”, pasi denoncimet më të mëdha, lidheshin me degjenerimin moral të figurave qendrore të Ushtrisë dhe abuzime me pasurinë e popullit. Në fakt letrat e ndryshme në adresë të veprimtarisë armiqësore të Beqir Ballukut dhe grupit të tij, paraqesin interes studimi, për të kuptuar se mbi cilat kritere, ata etiketoheshin “armiq të partisë dhe popullit”!
Nga ana tjetër, zinxhiri denoncues përfshiu një rreth të gjerë. Në përfundim të procesit, ata që nisën denoncimet dhe demaskimet, përfunduan të etiketuar si; “armiq”. Shumë interesante paraqitet letra e Tonin Jakovës, për marrëdhëniet e tij me Beqir Ballukun. Ai shpjegon se vizitat e tij në shtëpinë e Beqir Ballukut, kanë filluar pas vitit 1966, duke e konsideruar si “komshi”.
Por ai mohon të ketë patur shoqëri e afërsi të ngushtë familjare. Duke analizuar bisedat e bëra gjatë vizitave, Tonin Jakova shprehet se; “Beqir Balluku, nuk ka shprehur mendime në kundërshtim me vijën dhe qëndrimin e partisë, nuk më ka tërhequr vëmendje ndonjë shprehje e tij. Tani pas demaskimit të tij, si armik i Partisë, kam menduar për të kujtuar ndonjë shfaqje të tij armiqësore, por nuk më kujtohet gjë”. Tonin Jakova, bën autokritikë përmes letrës se; “nën dritën e mësimeve të Partisë dhe shokut Enver, e shoh se duhej të kisha qenë vigjilent, shfaqjet dhe dobësitë e tij, duhej t’i kisha parë me sy kritik dhe të kisha reaguar sado pak.
Unë e kuptoj se kjo është një dobësi për mua, dobësi mikroborgjeze. Kjo do të thotë se unë, nuk i kam patur mirë parasysh mësimet e Partisë dhe shokut Enver, në rastin e marrëdhënieve të mia me Beqir Ballkun. Unë Beqir Ballukun, e kam dënue me urrejtje si armik i partisë dhe i popullit, si komplotist me një veprimtari jashtëzakonisht të rrezikshme, për partinë dhe vendin tonë”.
Po mesa duket rrëfimi i Tonin Jakovës, nuk ishte i mjaftueshëm, ndaj atij ju kërkua të thellohet në autokritikë. Hysni Kapo informon Enver Hoxhën, në lidhje me letrën e Tonin Jakovës. Letra nis me një paradoks; “Tonini e pranon se ka zier raki me kazanin e Beqirit, Ballukut. I thashë që duhet të kishte folur me kohë për gjithçka dinte për Beqir Ballukun, se nuk duhet të kishte pritur t’ja ngrinin të tjerët. Ai duhet të vinte vetë t’i thoshte edhe Komitetit Qendror, gjë që nuk e bëri”. Në datën 6 dhjetor, Tonin Jakova do të bënte një shtesë autokritike, ku do ta plotësonte portretin prej “armiku” të Beqir Ballukut, me të dhëna të reja.
“Kur kam marrë televizorin, më ka dhënë një antenë që e kishte të tepërt, më ka dhënë disa shtylla për hardhitë, një vozë të vogël. Një herë më ka dërguar mish derri të egër dhe peshk. Unë duhet të kisha thënë në hollësi aq sa dijsha, mbi karakterin e tij prej borgjezi, i degjeneruar, që shkelte e merrte nëpër këmbë normat e Partisë. Në këtë qëndrim, ka influencuar mendimi i gabuar që kisha, se të tilla gjëra që dijshe unë mbi karakterin e Beqir Ballukut, për ato që ai bënte diheshin e njiheshin nga shumë të tjerë dhe ishte demaskuar në këtë drejtim.
Unë tani reflektoj se këto mendime që kam pasur, nuk janë të drejta e, kam gabuar. Sepse Beqir Balluku ishte armik dhe si i tillë ai duhet të demaskohet deri në fund, jo vetëm për veprimtarinë e tij armiqësore, në fushën politike e ushtarake por, edhe si një njeri i degjeneruar plotësisht nga ana morale, sepse degjenerimi politik dhe degjenerimi moral, janë të lidhur njëri me tjetrin”.
Letra të ngjashme denoncuese në adresë të të ashtuquajturve “puçistë”, gjenden në arkiv dhe leximi i tyre të krijon përshtypjen se “gjuetia e shtrigave”, ishte e frymëzuar jo nga frika e një puçi të mundshëm ushtarakë (që kishte pak gjasa të ndodhte nga njerëz që zbatonin me përpikëri direktivat e regjimit), por nga rivaliteti mes vetë figurave madhore të Ushtrisë, që krijuan mjedis perfekt të një tragjedie të lançimit si; “armiq të diktaturës së proletariatit, minues të artit ushtarak popullor, disfatistë e kapitullantë, përballë artit ushtarak imperialist dhe revizionistë”.
Në fjalimin e 10 korrikut 1978, Enver Hoxha do ta portretizonte “armikun” Beqir Balluku, si; “tradhtarin” që mbështeste një art ushtarak kapitullues, që bazohej në teoritë e artit ushtarak pro-amerikanë të Çu En Lait (ishte koha kur Shqipëria shpalli mbrojtjen dhe ndërtimin e socializmit, me forcat e veta) dhe Titos, “që synonte t’i hapte portat Natos”. Mes “mëkateve të tjera”, treshes Balluku, Çako dhe Dume, do t’u vishej dhe ajo e poli-agjentëve, “agjentë të sovjetikëve, jugosllavëve dhe kinezëve”.
Spastrimi nga “poli-agjentët”!
Në vitet 1981-’82, ndodhi vrasja e Mehmet Shehut dhe pushkatimi i Kadri Hazbiut. I pari kishte qenë edhe ministër Mbrojtje, i dyti nga ministër i Brendshëm, ministër Mbrojtje. Vetëvrasja e Mehmet Shehut, ishte një alibi shumë e mirë, për spastrimet e radhës brenda Ushtrisë, për të cilën Enver Hoxha kishte dyshime të forta, se kishte qenë nën kontrollin e këtyre dy figurave, të eliminuar si “armiq të popullit dhe poli-agjentë”.
Ashtu si dhe herë tjetër, në të tilla situata, Sigurimi i Shtetit dhe ai i Ushtrisë, u sulën mbi Ushtrinë dhe kuadrot e saj. Skema e zbulimit të “grupit armiqësor”, ishte pothuajse e ngjashme me atë të ndjekur në vitin 1974, me “grupin puçist”, duke organizuar mbledhje me komitetet e partisë, denoncime dhe demaskime nga masat.
Por tashmë objekt, ishte vetë arma e Sigurimit të Shtetit, duke përfshirë këtu edhe degën e Sigurimit të Ushtrisë. Në informacionet mbi gjendjen moralo dhe politike të Ushtrisë gjatë kësaj periudhe, theksohet se; “Ushtria ngelet një objekt i rëndësishëm i veprimtarisë së armikut. Më e përhapur është agjitacioni dhe propaganda. Ajo ka synuar të godasë vijën e Partisë, në politikën e jashtme por, edhe në fushën e ekonomisë, të ulë besimin për aftësinë e mbrojtjes të vendit, mundohet të ngjallë dyshime për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe pasuesve të tij”.
Një ndër arsyet që Ushtria u godit këtë periudhë, ishte dhe frika nga reagimi i atyre që sistemi i konsideronte “nostalgjik” të Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Në një material të përgatitur nga Drejtoria I-rë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që Hekuran Isai i dërgonte Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alia, në lidhje me veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në Ushtri gjatë vitit 1982, jepte të dhënat e mëposhtme statistikore.
“Për vitin 1982, janë ndjekur për veprimtari armiqësore 38 oficerë, 7 oficerë dhe 70 ushtarë). 56% e personave të ndjekur për veprimtari armiqësore në radhët e Ushtrisë, janë ndjekur nën nenin e agjitacion propagandës”! Po ashtu brenda materialit dëshmohet se; “elementi armik në radhët e Ushtrisë, i është kundërvënë materialeve të Komitetit Qendror të Partisë e vendimeve të tij, duke marrë në mbrojtje armiqtë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj.
Biseda me karakter armiqësor të kësaj forme, janë zhvilluar në rrethe të ngushta, në shumicën e rasteve vetëm me bashkëpunëtorë. Kështu që nuk ka patur gjerësi në shtrirjen e personave”. Pra armiku i viteve ‘80-të, ishte një armik shumë i sofistikuar. Ai njihte mirë Ushtrinë dhe armën e Sigurimit dhe kishte vendosur lidhje me agjenturat jashtë vendit.
Sipas informacionit, kjo përbënte edhe një nga shqetësimet më të mëdha, pasi në Ushtri; “ka qenë tendenca e spiunazhit për të cilën janë ndjekur 15 persona. Fakti që kemi evidentuar interesime të përfaqësive diplomatike, për të grumbulluar të dhënë sekrete për Ushtrinë, shoqërime të ushtarakëve me persona me përbërje të keqe politike e, deri biseda të pakontrolluara, diktojnë nevojën që këto probleme t’i ndjekim më mirë se deri tani, në funksion të zbulimit të veprimtarisë së spiunazhit”. Ata që zhvillojnë këtë veprimtari armiqësore janë kryesisht të moshave të reja dhe kuadro të rangjeve të ulta (komandant batalioni e poshtë). Midis tyre ka pasur dhe komunistë.
Kulm i arrestimeve arriti në vitin 1985-1986, ku u arrestuan mbi 20 kuadro dhe nënoficerë të Ushtrisë. Sigurimi i Shtetit, në bashkëpunim me organet e Hetuesisë e të Prokurorisë të asaj kohe, me shpifje, me intriga dhe me burime të sajuara, nga më të turpshmet, arrestuan e dënuan një masë kuadrosh, pa asnjë fakt e argument juridik. Një prej të dënuarve të kësaj periudhe, kolonel Naim Muho, dëshmon se; “Dy muaj para se të më arrestonin, mua më dhanë një dekorate, për ‘Veprimtari të Shquar në Fushën e Mbrojtjes’”.
Vetëm dy muaj pas dekorimit ndaj tij, nisi procesi gjyqësor. Në stilin e Sigurimit të Shtetit, dhoma ku Naim Muho jetonte në Shtëpinë e Oficerëve Lushnje, ishte vënë në përgjim. Shkarkimi i tij nga detyra e komandantit të Divizionit të Lushnjes, ndodhi në zyrën e ministrit të Mbrojtjes, Simon Stefani, në praninë e 4 anëtarë të Byrosë Politike.
Shkarkimi nga detyra u pasua me arrestimin dhe me një periudhë një vjeçare hetimesh, që përfundoi me një gjyq; “me dëshmitarë të rremë e të sjellë për krahu, oficerë Sigurimi”. Muho u dënua me 13 vjet heqje lirie. Por përndjekja e Sigurimit të Shtetit, vazhdoi me familjen e tij, që siç e pohon, përbëhej nga 6 femra, 4 vajza të padala në jetë, gruaja e sëmurë dhe një nënë në prag të vdekjes. E gjithë familja u vu nën hetim, ose siç ai shprehet; “gjithë familja, me spiunë prapa”. Për të kuptuar se deri në çfarë mase, Ushtria ishte objekt i Sigurimit në këtë periudhë (por jo vetëm), flet qartë e në mënyrë tronditëse dëshmia e ish – Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu, që ishte një ndër “elementët armiq”, në vitet 1983-‘86.
Në një rrëfim të dhënë për gazetën “Shekulli” në vitin 2008, ai thotë se; “Në vitin 1982, në një mbledhje të Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes (ku unë isha anëtar; ende nuk ishte marrë masa ndaj meje, pra ende nuk isha spostuar), ku u diskutua problemi i Shefit të Sigurimit të Ushtrisë të asaj kohe, i cili kish qenë mik i Feçor Shehut dhe u dënua, siç ishte zakoni, filluan ta ngacmonin; ‘thellohu, thellohu’ dhe midis të tjerave, ai tha se Feçori, shefat e Sigurimit të Ushtrisë, i mblidhte një herë në muaj, ku u kërkonte llogari se përse nuk realizonin planin e arrestimeve. Kur kam dëgjuar këtë, të them të drejtën jam tronditur shumë.
I bëja pyetjen vetes: Si ka mundësi të bëhen këto me jetën, me dinjitetin dhe me nderin e njerëzve?! E dija që ka plan për grurin, për patatet, etj., por plan për të arrestuar e për të shkatërruar jetën e njerëzve, këtë nuk e perceptoja”!
Përfundime
Për të dhënë një konkluzion mbi metamorfozën e “armikut të popullit”, në radhët e Ushtrisë Popullore, do të citojmë një fragment nga një deklaratë e dhënë në Radio- Televizionin Shqiptar, nga Pjetër Arbnori: “Në qelitë e burgut të Burrelit, ishte pothuaj i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane, ishin komandantët e brigadave, ndërsa jashtë kishin mbetur vetëm disa mumie, të cilëve ende nuk u kishte ardhur radha për t’u izoluar”.
Pra “armiku i popullit”, ishin ata që kishin kontribuar në vendosjen e regjimit komunist, e kishin mbështetur atë për të forcuar themelet, që kishin bërë kurban në këto themele, “të deklasuarit”, me platformën e vitit 1953. Por që me miopinë politike, nuk arritën të kuptonin se mekanizmi i ndërtuar, do t’i kthente nga xhelatë, në viktima, pasi paranoja e diktatorit komunist, që shihte kudo “armiq”, nuk mund t’i shpëtonte ushtarakët e rangut të lartë dhe Ushtrinë. Gjithashtu, “armiqtë” e shpallur në dy fushatat radikale të spastrimeve, ishin armiq të sajuar.
Shumica e dëshmive kundër tyre, kishin dalë nga kritikat, autokritikat e sforcuara apo, nga rrëfimet e shtrënguara të të arrestuarve, nën efektin e torturave çnjerëzore. Ata janë dëshmi e depersonalizimit të ushtarakëve të lartë, të cilët nën akuzat e planifikimit të puçeve ushtarake, apo përmbysjes së qeverisë, ishin alibia regjimit komunist, për të krijuar në popull imazhin se në vendin tonë, vepronin armiq të fshehur, që pengonin ecjen përpara të Socializmit dhe Diktaturës së Proletariatit.
Në këtë mënyrë, spastrimi ushtarak nuk ishte një largim i qëllimshëm i sfiduesve potencialë, ndaj fuqisë së diktatorit Enver Hoxha, por një manifestim i botëkuptimit dhe tendencës së tij, për të nxjerrë në shesh armiqtë e imagjinuar. Dhe goditja e tyre, bëhej në emër të popullit. Mesazhi i përcjellë në popullatë, padyshim ishte me efekt të dyfishtë. Terror, por dhe tjetërsim i individit. Frika se armiku nesër do të ishte ti, çoi në denoncime deri brenda familjes, edhe pse fundi ishte i njëjtë, për të denoncuarin dhe denocuesin. Memorie.al
Lektore në Akademinë e Forcave të Armatosura, Departamenti i Strategjisë dhe Historisë Ushtarake