Nga Dr. URAN BUTKA
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shpallja e vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916, kishte shkakësi historike, rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. Këtë tezë dua të argumentoj në këtë shkrim timin. Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës, u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta”, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare, në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, ajo e fshatrave të Kosinjës në Përmet, ku u therën 75 shqiptarë, mes tyre 27 fëmijë, ploja e Panaritit, 10 korrik 1914, ku u masakruan 374 njerëz të pafajshëm, si edhe shpërnguljet e dhunshme të popullsisë të trevave të Kolonjës, Korçës, Devollit, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës drejt bregdetit, sidomos në krahinën e Vlorës.
Bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, më se 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre , nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive. Një pjesë e këtyre barbarive janë paraqitur nga prifti ortodoks shqiptar Papa Kosta Tomorri Leusa, në librin “Barbaritë greke në Shqipëri”, botuar në vitin 1917, pikërisht në ditët e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.
Komandanti ushtarak Dekuan, i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:
“Zotit Sali Butka
Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë, Melçan.
Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike, për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe independencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin, si vijon:
1 – Autonomia shqiptare e Kazasë së Korçës, brenda juridiksionit të okupacionit francez dhe brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.
2 – Flamuri zyrtar i Kazasë së Korçës do të jetë flamuri i Skënderbeut, me shqiponjën dy krenare.
3 – Gjuha zyrtare do te jetë shqipja, por korrespondenca me autoritetet franceze, do të bëhet në gjuhën frëngjisht.
4 – Do të formohet një këshillë qeveritare me kompetenca të gjera. Të gjitha vendimet do të aprovohen nga një i deleguar i Komandës Franceze, i cili do të quhet delegat këshilltar.
5 – Mbyllja e të gjitha shkollave të huaja.
6 – Do të formohet një polici shqiptare për shërbimet e qytetit dhe një gjindarmëri nën komandën e oficerëve shqiptarë.
7 – Do të formohet një gjindarmëri lëvizëse nën komandën e një oficeri madhor francez, e cila do të bashkëpunojë me repartet ushtarake franceze në luftimet eventuale kundra armiqve.
8 – Të gjitha degët e administratës do të përbëhen nga elementi autokton shqiptar, i emëruar nga këshilla qeveritare me aprovimin e këshilltarit delegat.
9 – Komanda ushtarake aleate merr detyrimin që të mbrojë autonominë e kazasë së Korçës, nga çdo rrezik që mund ta kërcënojë.
10 – U mor gjithashtu parasysh dëshira juaj që i përket mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë në Konferencën e ardhshme të Paqes, të cilën komandanti ia referoi qeverisë, pasi nuk dependon nga kompetencat e tij.
Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.
Me urdhër të Kryekomandantit të Ushtrive Aleate të Lindjes”,
Kolonel Dekuan
Komandant i Qarkut të Korçës
Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major, – i shkruan majorit Masjet, – jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dh eta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja”!
Megjithatë, Sali Butka nuk shkoi në Korçë, qëndroi ende në krye të luftëtarëve, për t’iu gjendur Korçës dhe Themistokliut, në çdo rrethanë, por edhe për të bërë të njëjtat përçapje kombëtare tek autoritetet italiane të pushtimit. Dihet, që Kolonja ishte nën okupacionin italian.
Koloneli Dekuan e vlerëson kështu: “Sali Butka, i vënë në dijeni të ngjarjeve, më ka njoftuar se ai po merrte anën tonë. Nëpërmjet mandatarësh të Këshillit të Administratës, tratativa të reja u zhvilluan për të caktuar masat ushtarake që duheshin marrë me qëllim që ai të mund të shkëputej nga austriakët. Në fakt, ky kryetar trupash nuk ardhi. Do të mësoja më vonë, se ai do të bënte tek autoritetet ushtarake italiane, përçapje të ngjashme me ato që pat bërë në tetor 1916, tek komanda franceze. Sa për mua, unë atë nuk e kam parë kurrë.
A i ka shkelur ai me dashje zotimet e tij, apo nuk ka mundur t’i mbajë? Mbetëm i bindur se alternativa e dytë i përgjigjet së vërtetës. Sali Butka iu bë i dyshimtë austriakëve, të cilët ia nënshtruan një mbikëqyrjeje të rreptë dhe ia morën familjen peng. Sido qoftë, gjatë gjithë kohës, ai do të më preokupojë. Përkundrazi, sekretari i tij Petraq Katro, në vonoi të vinte tek ne, kam arsye të mira për të besuar se ai ka bërë përpjekje lojale për të ndihmuar veprimin e komandës lokale franceze”.
Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun, punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqeverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës”.
Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetë qeveritare të Korçës, për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”.
Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordele tri ngjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi, u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.
Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli: “Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”.
Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë.
Edhe vetë francezët ishin të interesuar për një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë, ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Dekuan. Po ashtu edhe gjeneral Sarrej, i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës, në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia”. Në këtë arritje historike, ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës, si Petro Harizi, Petraq Katro, Dr. Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji etj.
Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan disi ekuilibrat ndërkombëtare, si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë, si Traktati i fshehtë i Londrës 1915 dhe të tjerët më vonë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike pro-greke të qeverisë së Parisit. Kjo gjë ndikoi edhe tek qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë.
Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit. U arrestua nga shërbimi sekret francez themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës Autonome Shqiptare të Korçës, Themistokli Gërmenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxor përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qendrore, më 9 nëntor 1917. Edhe vete Dekuani e vë në dyshim këtë vendim: “Rishikimi i procesit të Themistokliut në Shqipëri, dëshirohet nxehtësisht në Shqipëri. Edhe unë jam njëri nga ata”.
Dhe kështu ndodhi, më pas ai vendim u abrogua. Pas pushkatimit të Themistokli Gërmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare, ndonëse Korça mbeti njëlloj shqiptare, ku valëvitej sërish flamuri shqiptar. Por rreziku i aneksimit të saj nga Greqia, jo vetëm mbeti, por edhe u shtua në mbarim të luftës. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris, aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetruar se shqiptarët e ortodoksë të këtyre zonave ë ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës Ballkanike, nga sundimi otoman. Në fakt i kishte pushtuar.
Po ashtu kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat Italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste, arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni –Venizelos më 29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.
Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët. Kryeministri i Francës, Klemanso, u tregua i gatshëm t’ua bënte këtë blatim dhe kryekomandanti i fuqive aleate, gjenerali Fransua d’Esperay, u tregua i gatshëm t’ua lëshonte Korçën forcave greke. Popullsia e Korçës dhe e rretheve të saj u trondit nga ky rrezik. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe, në shtëpitë e tyre”!
Megjithatë, forcat patriotike të Korçës u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për Shpëtimin e Korçës, që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake. Plaku i Butkës, u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë, me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve. Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik, më 7 shtator 1919, mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon:
”Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë…! Influenca e Sali Butkës, që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë…! Atyre do t’u shtohen vullnetarët të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Më në fund do të arrihej bashkimi midis dy grupeve të mëdha toskë e gegë. Të gjithë njerëzit e Elbasanit do të ndërhyjnë në favor të Korçës”.
Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:
ULTIMATUM
Në emër të popullit shqiptar,
Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.
Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.
Në Korçë.
Komandant,
Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, duke i dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal, është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësa e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtëve! Kjo Francë, për të cilën shqiptarët e Korçës dhe të rretheve të saj kanë luftuar, kanë derdhur gjakun e tyre dhe kanë fituar, u thotë sot shqiptarëve: ne do të ndihmojmë grekët që ata të vijnë qetësisht tek ju, në vatrat tuaja në Korçë, ju mos kundërshtoni, t’i lini t’ju mbysin, ne do të bëjmë sehir!
Në shpalljen e këtij lajmi të trishtueshëm, një numër i madh nacionalistësh shqiptarë kanë ardhur dhe kanë hyrë në radhët tona, nën flamurin tonë. Shpërngulja më e madhe e popullatës tonë fatkeqe ka filluar. Familje të tëra shqiptare, pa mjete dhe të uritura, u detyruan të largohen me shpejtësi nëpër male, që t’u shmangen barbarizmave të hordhive greke, të cilat ju po i prisni. Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi.
Duke parë se deri më sot, drejtuesit francezë të Korçës janë sjellë në mënyrë atërore karshi nesh, ne u detyrohemi atyre mirënjohje, për këtë arsye nuk do të shtiem asnjë pushkë kundra tyre.
Gjithashtu nuk dëshirojmë as edhe një gjakderdhje. Megjithëkëtë, në qoftë se qyteti i Korçës dhe qarku i saj, nuk do të na dorëzohen neve miqësisht dhe në rast se Shtatmadhoria Franceze ju urdhëron të na sulmoni, jo vetëm do të mbrohemi, por edhe do të sakrifikohemi deri në pikën e fundit të gjakut shqiptar, për çlirimin e tokës së shenjtë të atdheut tonë të dashur, të shitur poshtërsisht nga diplomacia franceze armiqve tanë grekër”.
Gjergjevicë, më 12 shtator 1919
Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore
Sali Butka
Komandanti francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.
Kjo ishte një arritje e madhe e forcave kombëtare shqiptare, veçanërisht e qarkut të Korçës. Memorie.al