Nga Ahmet Bushati
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Cen Taga, trimi prej Krujet!
Me ngjarjet e Kelmendit lidhet edhe emni e jeta e nji krutani trim e patriot, Cen Tagës. Kelmendi nga ana e tij, i detyrohet me mirënjohje. Ky bir i dejë i Krujës kreshnike, kur kishte qenë student në gjimnazin e Tiranës në kohë të okupacionit, kishte pasë braktisë shkollën si shumë të rinj të tjerë, e dalë në mal si partizan. Si i tillë, aq shumë ishte dallue në veprimet luftarake, sa në Krujë do t’u fliste që ai të kishte qenë partizani ma trim. Lufta në mbarimin e saj e kishte nxjerrë oficer me gradë toger.
I ndodhun edhe ai në ngjarjet e Kelmendit, do t’u zhgënjente e do t’u vriste në shpirt për mizoritë e shumta që po kryejshin partizanët. Sidomos do t’u pikëllonte shumë atë ditë të fundit, kur ai i zhvendosun diku jo larg shpellës, kishte ndjekë gjithë skenën e zhvillueme në hymje të saj. I tronditun nga dhimbja për malësorët e premë në besë prej eprorëve të tij mashtrues, kishte braktisë në vend detyrën dhe Kelmendin e hedhë në zonën e tij të Krujës, për t’u bashkue me të arratisunit e atjeshëm.
Thellë në ahishtat e ngarkueme me borë e akull të Qafë Shtamës së naltë e pikërisht në pyjet e Llapushit, ai do të kërkonte e të gjente bashkëqytetarin forcave të Mbrojtjes Popullore, si edhe ashpërsia e madhe e atij dimni, i e patriotin trim e të nderuem, Ibrahim Kupin. Ndjekjet e vazhdueshme prej kishin detyrue qẽ ata nji ditë t’u futshin në qytet të Krujës e pikërisht në shtëpinë e nji qytetarit e mikut të tyne, me emnin Sabri Kau.
Do t’u ndodhshin në këtë shtëpi në kohën që edhe në Krujë, si kudo në Shqipni, po u zhvillojshin “gjyqet e popullit”. Tregojnë krutanët, se si burri i pjekun Ibrahim Kupi, ma se nji herë, e kishte pasë të vështirë frenimin e Cen Tagës, që i veshun si fshatar e i mbështjellë me bomba rreth trupit, kishte pasë vendosë t’u fuste në sallë të gjyqit e të vriste ç’të mundëte: trupin gjykues ma s’parit, mandej të pranishmit që aty u futshin me ftesa e në fund edhe veten.
Nji natë në kohë pranvere, Ibrahim Kupi e Cen Taga kuptojnë se ishin rrethue prej Forcave të Ndjekjes dhe për t’mos i sjellë pasoja shtëpisë ku deri atëherë kishin gjetë bukë e strehë, muejtën me dalë fshehtas prej saj e me tẽ shpejtë me zbrit në nji përru diku aty afër, me drejtim nji shpellë, ku do të bajshin qëndresën e fundit. Asgja nuk do t’i pengonte ata të dy, që mbas nji luftimi të gjatë, t’u vritshin si trima të rrallë që ishin, as edhe kur partizanët të kishin pasë vendosë mes palëve ndërluftuese djalin gjasht-vjeçar të Ibrahim Kupit.
Kapiten Shaban Elezi, nji ndër viktimat e para të tradhtisë!
Terrori e dhuna përditë e ma tepër po e nxijshin atmosferën në Shkodër. Sa të ndigjojshe se u burgos nji iks person, do të ndigjojshe edhe për vrasjen e nji tjetrit, të njohun ose jo. Ngjarje tronditëse do të ndiqshin njena-tjetrën, tue futë shumë frikë e trishtim në popull. Nji gjendje e tillë kishte fillue të gjeneronte edhe tradhti, tue pasë nji prej viktimave të saj ma të para njeriun e detyrës e legalistin besnik, kapitenin Shaban Elezi.
Më 17 janar mbas dreke, tue u pasë rastisë në lagjen “Rus”, – aty ku sot ndodhet shkolla e muzikës – pashë me keqardhje të madhe Shaban Elezin, që po e sillshin të lidhun nga Malësia, ku e kishin zanë. Qamil Gavoçi, që në atë kohë komandonte Forca të Ndjekjes, i kishte pasë futë krahun dhe ecte bashkë me të në kambë, me qëllim që ta shikonte populli. Rreth e rrotull tyne partizanë me automatikë ndër duar, fytyrat e të cilëve sikur tregojshin se u ndjejshin krenarë për suksesin që kishin arritë.
Megjithatë, mue po më hiqte vërejtjen qëndrimi mjaft i natyrshëm e i shkujdesun i vetë Shaban Elezit, gja që veç fytyrës, ia tregonte edhe nji ecje e tij e lirshme. Më shkoi mendja se mos kjo qetësi i vinte prej besimit që ai mund të kishte të Qamil Gavoçi, në besë të të cilit mendojsha se mos ishte dorëzue.
Të nesërmen, gazeta “Jehona e Shkodrës”, për këtë ngjarje, do të shkruente: “… se në katundin Leporosh të Mbishkodrës, ishte kapë prej rreth tridhjetë forcave partizane, me komandant Zenel Muhon, krimineli Shaban Elezi”! E vërteta kishte qenë se Shaban Elezi, ishte kapë në befasi e pa asnji mundësi reagimi, si rezultat i hjeksisë prej anës së dy miqve të tij të ngushtë, vëllazën mes tyne, Nel e Selim Zeqirit, si dhe djalit të të parit me emnin Çelë.
Në krye të nandë ditëve, e pikërisht më 26 janar 1945, do t’u pushkatojshin para Bashkisë tetë burra, mes të cilëve edhe Shaban Elezi, për të cilin që thanë se mbas rrëzimit prej plumbave, ishte pa të tentonte me u ngritë edhe nji herë me njëfarë buzëqeshjet në fytyrë.
Përfitoj prej rastit për të tregue përmasat e persekucionit që pësoi mbrapa familja e tij: Smajli, që në luftën e Koplikut të 1920-ës, bashkë me Shabanin, të vëllanë, kishte luftue me armë për mbrojtjen e tokave tona kundër malazezëve, e që edhe gjatë pushtimit italian, dy vjet do t’i kalonte në burg e internim në Itali, do të vuente edhe burgun e komunistëve, si vëlla i Shaban Elezit që kishte qenë, e nji ditë edhe të vdiste po në burg.
Mund të thuhet pa frikë, se për ata me të cilët ai qe njohë e pat vuejtë, ka qenë njeni prej engjëjve të burgut, ndonëse, siç tregojnë për të, i egër fort në raste luftimi, si dhe në ndonji rast kur ai të kishte dyshue se i rrezikohej jeta të vëllaut, Shabanit, që në çast i ishte pasë ba mburoje. Kur ishim në burg, do të mjaftonte me e shikue në fytyrë Smajl Elezin, për të marrë prej tij menjiherë nji buzëqeshje të sinqertë, që do të shprehte vetëm mirësi. Asnjiherë s’ka muejtë me pasë pamje tjetër ai njeri, për të mbetë në kujtesën e të gjithëve vetëm si i atillë.
Vite ma vonë, të dy të bijtë e Shaban Elezit, Qemali e Ruzhdia, kur t’u rritshin, do të vuejshin përkatësisht dhetë e tetëmbëdhjetë vjet burg, ku ky i dyti do të fitonte edhe nji depresion të fortë psikik, prej të cilit nuk do të shpëtonte ma asnjiherë, ai Ruzhdi gë njihej nga të gjithë sikur kishte ardhë në jetë me prirjen e andrrën e tij të vetme, që veç të këndonte me njatë za të tij sa të ambël aq edhe delikat gë kishte, siç ishte edhe vetë si njeri e konstrukt.
Smajlit i ishte internue familja e djali i tij Ymeri, do të vuante dhetë vjet burg. Nji vëlla i tyne i tretë, Bajrami, do të vdiste i ri, e me atë rast thuhet se në Shkodër që folë se ai nuk vdiq, por plasi. Edhe i biri i tij, Aliu, nuk do të shpëtonte për pa pasë vuejtë pesë vjet burg. Sado që njerëzit ta kenë njohë e vuejtë mynxyrën komuniste, kur mësojnë tragjedinë e kësaj familje të qetë e patriote, mundet që të pyesin:
“Ç’borxh të veçantë u kishte komunistëve kjo familje, qoftë edhe vetë i pari i saj, Shaban Elezi?! A po pse ai, si të kishte krye nji shkollë xhandarmërie qysh mbas Kongresit të Lushnjës, do t’i kishte shërbye me besnikëri e përkushtim shtetit të ri shqiptar, në mbrojtje të rendit e ligjit të tij kudo nëpër Shgipni?! A po pse edhe gjatë periudhës sẽ pushtimit, i përndjekun siç kishte qenë prej italianëve, ai bashkë me familje, do të qëndronte i humbun diku në Malsi, në pritje të ditës kur Shqipnia të rifitonte lirinë?!
A po s’fundi, pse ai gjatë vjetit 1944, tue iu pasë përgjegjë thirrjes sẽ partisë së tij, pra si patriot e legalist, t’ishte vue nën armë në ato kohë me rreziqe të shumta për shtet e atdhe? Po natyrisht, për këto e asgia tjetër, Shaban Elezi do t’u vriste e familja e tij të vuente nji kalvar të pambarim vuejtjesh të mëdha.
Pushkatohen tetë burra para Bashkisë e në prani të popullit!
Megjithëse barbaria komuniste kishte marrë turr e përditë e ma tepër po shpaloste pa maskë e rezervë egërsinë e saj të shfrenueme, nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës e sidomos në ato të qendrës, kishte vazhdimisht lëvizje njerëzish të shumtë. Me që shkollat vazhdojshin të qëndrojshin ende të mbylluna, studentë, përfshi edhe ata universitarë, të kthyem në atdhe për rrethana lufte qysh para dy vjetëve, do të vazhdojshin të ishin “abonentët” e rregullt të pjacës së Shkodrës.
Numrin e tyne do ta shtonte edhe nji masë ish nëpunësish të administratës që priste me u ndryshue, sikurse edhe të papunët e tjerë të shumtë, mes të cilëve edhe pjesëtarë të familjeve pjesëmarrëse në luftë, që kishin dëshirë me qenë të pranishëm në çdo ngjarje, e së fundi, pa përjashtue edhe partizanët e ardhun prej jugut, që përgjithësisht nuk kishin me se t’u merrshin. Nji pjesë e kësaj mase të përzieme njerëzish, do të mbushte sheshin e vogël para Bashkisë edhe në paraditen e 21 janarit 1945, për nji miting të paralajmuem qysh nji ditë ma parë, si “të randësishëm”!
Moti, ndonëse me diell, ishte i ftoftë. Populli i mbledhun në sheshin e vogël para Bashkisë, nuk priti shumë, dhe atje sipër në ballkon u shfaq buzagaz nji oficer me gradë kolonel, që me moshë u dukte ma i madh se zakonisht oficerët e tjerë. Ma për së afërmi atë e shoqnonte Arif Gjyli, që ia paraqiti popullit me emnin Shefqet Peçi, i cili nga ana e tij nisi të fliste me nji oratori të rregullt, tue alternue si mbas rastit edhe tonet, pa i mungue si të thuesh, edhe nji dell frymëzimi, shoqnue me do gjeste mjaft demonstrative, për të cilët kishin nevojë fjalimet e rëndomta të oratorëve të pa përvojë e shkollë të pamjaftueshme të atyne ditëve.
I foli shkurtimisht popullit të Shkodrës për Luftën Nacionalçlirimtare e lirinë e fitueme prej saj, për lidhjet vëllaznore të partizanëve shqiptarë me ata jugosllavë, për idealet e tyne të përbashkëta e për gjakun që ata po derdhshin në të njajtat llogore, e mbasi në pak minuta ai të mbyllte fjalimin me lavdata të pakursyeme për marshallin Tito, në vazhdim, tue marrë nji pamje ma të çelun e si me mburrje e ironi të lexueshme, ai do të vijonte me za edhe ma të naltë: “Kemi sjellur këtu ca spiunë e ca tradhtarë në shërbim të të huajit e që kishin lyer duart me gjakun e bijve të popullit, të cilët do t’i pushkatojmë tani, këtu para jush”; dhe përnjiherë filloi të lexonte emnat e atyne fatkeqëve, të cilët i kishin sjellë mësheftas popullit e mbas shpine të tij.
Kur si mbas radhës ai të shqiptonte nji emën diku poshtë gjysës së listës, nji vajzë e vogël dhetë-dymbëdhjetë vjeçe, që u ndodhte në krah tim, që kishte nji pamje shumë të freskët e të pastër e që edhe veshë ishte bukur, me nji pallto të re në ngjyrë të kuqe, porsa ndigjoi atë emën, shpërtheu në nji të atillë vaj, që besoi se ligështoi të gjithë sa qenë aty rreth e rrotull saj.
Thirrjet e saj me dënesë “Babë, o babë, o babë!”, të mbytuna në vaj, dhe breshnitë e automatikëve që u zbrazën papritmas, banë që turma e tmerrueme, tue lëshue nji si ulërimë të shurdhët, të kërkonte me u largue në panik, pa guxue të sillte kryet kah ata tetë burra, që ende të lidhun shoq me shoq, ishin rrëzue mbi pellgun e gjakut të tyne.
Edhe unë, i penguem prej rrëmujës që u shkaktue, në ikje e sipër e si pa dashje, me atë rast muejta të vërej për shpine nji qytetar, që me nji revole (“Beretë”) në dorë, po gjuente në drejtim të njenit prej viktimave, gjoja që të merrte gjakun e të vllaut të vramë verën e kalueme prej forcave të rendit, dhe po ashtu, syni do të më kapte edhe Qamil Gavoçin, që si mbas radhës, po u jepte të vrarëve nga nji plumb mbas veshit, “colpo di grazia”
Kjo skenë makabre dhe e projektueme me të pabesë prej pushtetarëve komuniste, me qëllim që të terrorrizojshin popullin e Shkodrës, nuk do t’u shlyente asnjiherë prej kujtesës së tij. Qytetarët shkodranë, qysh ateherë e për pesëdhjetë vjet me radhë, do t’i pëshpëritshin në vesh shoqishojt: “Hë, këta i vraftë Zoti, për ç’ka po i bajnë këtij populli”! – pa denjue asnjiherë me u përmende emnin e vërtetë njerëzve të regjimit, masën e të cilëve do ta zëvendësonte vazhdimisht me përemnin diftor; “kta”, me semantikë të fortë përbuzëse.
Ndër të pushkatuemit e asaj dite unë kujtoj Shaban Elezin, Elez Hotin, Ademin, nipin e Hasan Isufit, kapë i plagosun në luftimin e Malit Kolaj pak ditë ma parë, dhe Dedë Shabanin, kosovarin Shefki në shërbim të gjermanëve, ndër tetë që patën qenë gjithsej.
Nji fund i pa merituem, për Sylço Beg Bushatin!
Disa ditë para se partizanët t’u futshin në Shkodër, Xhelali, djali i dytë i Sylço begut, nuk do t’u largonte prej Shkodret me nji autokolonë gjermane, pa kërkue me marrë me vete edhe të atin. Atë ditë, ndërsa minutat e pakta që kishte në dispozicion po iu afrojshin me shpejtësi fundit të tyne, ai i ulun në gjuj para të jatit si para Zotit, do të vazhdonte t’iu luste: “Aman babë, eja me mue! Ti nuk i njeh komunistët, ata të mbysin për gazep, eja me mue”! Sylço begu nga ana e tij, lutjeve të përsëritura të të birit, do t’iu përgjigjte ftoftë e me ton të butë, por të vendosun: “Jam plak e s’janë rrugët për mue. S’mund ta la vendin. Këtu due me dekë”!
Sylço begu me ma shumë se tetëdhjetë vjet mbi kurriz, qysh prej sa e sa vjetësh kishte qenë i pari vendit e ishte pyetë e nderue si asnji tjetër në Shkodër. Rritë e brumosë si mbas normave të rrepta morale brenda nji mjedisi të mbyllun e tepër konservator të Shkodrës, idenë e largimit prej saj, as që mund ta perceptonte. Mandej ai ishte edhe fetar i verbët që besonte në parashkrimin e fatit për çdo njeri. Kështu pra, mosha e mentaliteti i tij, banë që çdo lutje e të birit për t’u largue prej Shkodret, t’ishte përpjekja ma e kotë mbi këtë tokë.
I lidhun fort me Shkodrën si qendër e botës që duhet t’ishte si mbas tij e besimin e patundun në Zotin, në mbramjen e 28 nandorit 1944, ai i shoqnuem prej të vëllaut, Sheuqet beg Bushatit, duel prej shpijet me bastun në dorë, tue u drejtue për te nipi i tij Myfiti, që jetonte i vetëm me t’amën. Kohë ma vonë, vetë Myfiti do të tregonte: “Sa kohë që axha ishte i mshehun te unë, atij s’iu bante vonë për asgja, aq sa edhe gjumin ta bante nji copet.
Për çfarëdo që ndigjonte se ndodhte përjashta, ai do të thonte: “N’dorë t’Zotit, si t’ketë ba emër Ai”! Mundësinë e kapjes së tij prej partizanëve, ai e përjashtonte kategorikisht me arsyetimin: “Ata s’kanë si të më kapin, mbasi unë kam armën me vedi, baj pushkë me ta, m’vrasin, e gjithçka mbaron”!
Sylço begu, edhe pse plak në atë kohë, me përjashtim të një përkuljet të lehtë në pjesën e sipërme të kurrizit të tij të naltë, vazhdonte t’ishte i mbajtun mirë dhe me shumë prezencë. Fytyra e tij e plotë e me trajtë disi të veçantë, me mollza që ende ruejshin ngjyrën rozë, flitshin për nji bukuri të rrallë mashkulli që ai kishte pasë në të rijtë tij e mbrapa, gjurmët e së cilës, ende nuk i ishin shlye prej saj tashma me ndonji rrudhë të rrallë nëpër të.
Në pamjen e tij binte në sy edhe veshja kombëtare që ai e përdorte pa asnji shkelje: Çakçirët prej shajaku të bardhë me gajtana të zez anash, anteria vija-vija e rrasun fort për trup, xhamadani arit mbi të, fesi tonuz në krye me nji tufë thakësh ngjyrë blu që i zbriste deri poshtë nëpër shpinë, brezi shumëngjyrësh që iu sillte disa herë belit të tij, dhe i fundit, bastuni me dorezë prej sermi, që do të përbajshin veshjen e tij sa tradicionale, aq edhe impozante e piktoreske.
Sa herë që atyne netëve t’u ndigjojshin lëvizje të dyshimta rreth shtëpisë ku u ndodhte i mshehun Sylço begu, nipi i tij nga e motra, Fejzi Boriçi, do t’ishte njeriu që vazhdimisht do ta lëvizte prej nji shtëpie në tjetrën dajën e tij të cilin e donte dhe e respektonte pa masë. Disa herë i kishte dalë nevoja Fejzisë ta mbante edhe në shpinë, sepse rrugët me borë e akull dhe të ftohtin e madh, ai plak i ngrimë si dru, nuk do t’i përballonte.
Përmbas Myfitit, Sylço begu do të gjente strehë në shtëpinë e klerikut të nderuem, hafiz Sheuqet Boriçit e mbas disa ditësh tjera, në atë të Xhemil Bushatit me vëllazën, kushërinj të tij besnikë. Këta, të larguem nga shtëpia e tyne e shembun pranë ish-livadhit me municion, vazhdojshin me banue ende në shtëpinë e qytetarit, gjithashtu të nderuem, Jonuz Bërdicës, e cila bashkë me Bushatlijtë, po sfidonte burrnisht çdo rrezik të mundshëm nga ana e pushtetit. I fundit që e strehoi Sylço begun, që Qazim Bushati, kushëri tjetër i tij e vëlla me Bushatlijtë që përmendëm pak ma sipër, i cili në atë kohë po banonte në shtëpinë e Malo Xhabisë, ku Sylço begu vetë ishte dhëndër. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016