Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e gjashtë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Ushtari roje, i cili rrinte mbi kokat tona për të na ruajtur se mos bënim ndonjë veprim të ndaluar, mund edhe të ishte krenar që atij i besohej një detyrë e tillë e rëndësishme, dhe ndoshta na shikonte me mburrje nëpërmjet telave me gjemba, ne inxhinierëve të naftës, që na kishte nën këmbët e tij, por ai harronte se me këto gjemba, ishte i rrethuar edhe ai djal i ri, edhe familja e tij, sepse askush prej tyre, si dhe i gjithë populli shqiptar, nuk guxonte të nxirrte as majën e gishtave të këmbëve jashtë telave të tillë, që rrethonin kufirin e tokës sonë amtare. Por fatkeqësisht, ai nuk arrinte ta kuptonte, se ai pushtet që i kish dhënë armën për ta na ruajtur ne, padrejtësisht, e kish kthyer të gjithë vendin, në një burg të madh. Në të, po të kish sy më të mprehtë, do të shihte, se edhe ai rrinte brenda telave të kufirit, qe po kështu ruhej nga shokët e tij ushtarë shqiptarë.
Në ato biruca kishte dhe të burgosur ordinerë, për krime të ndryshme si; vrasje, vjedhje dhe grindje. Shpesh ata shkaktonin zhurmë të madhe, ulërinin dhe prishnin qetësinë e burgut. Dëgjoheshin policë që ndërhynin dhe përdornin forcën për t’ua futur sherrxhinjve kokën në thes. Atyre u merrej fryma e klithnin me të madhe për ndihmë, se po mbyteshin. Këto trazira zgjasnin nga njëherë për një kohë të gjatë, ç’ka e bënin më të vështirë ndjenjën e burgut e atij mjedisi tepër të rëndë, të cilin fatkeqësisht, ne patëm fatin ta kishim për pjesë të jetës.
Për këtë Shërbente një dhomë, ku gjendeshin dy nevojtore të hapura të sistemit të vjetër, apo alla turka, siç i themi ne dhe një lavaman i gjatë prej çimentoje. Në nevojtore nuk gjendej asnjë fije letër higjenike, kështu që pastrimin e bënim duke e larë veten poshtë, duke marrë ujë me dorë nga një kovë, që e mbushnim më parë në lavaman. Ishte një tjetër ndjenjë e neveritshme për ne, që nuk ishim mësuar në atë mënyrë.
Në nevojtore nuk gjeje kurrë ujë të ngrohtë. Dimër e behar, duart i lanim vetëm me ujë të ftohtë e me një sapun rrobash, që qëndronte aty edhe kur bënim pastrimin vetjak. Gjatë kohës që qëndronim në nevojtore, apo në lavaman, dera rrinte hapur dhe ne i kryenim nevojat tona, nën vëzhgimin e policit, i cili qëndronte tek dera, për të na kontrolluar.
Gjatë tërë periudhës së gjatë të hetuesisë, ne bëmë banjo, vetëm katër apo pesë herë. Qysh në birucë zhvisheshim lakuriq, siç na kishte bërë nēna, kalonim nëpër korridorin e ftohtë përpara policit dhe futeshim po në atë nevojtore, ku në një qoshe ishte varur përkohësisht një tub, që zëvendësonte dushin dhe sillte ujë të ngrohtë. Furnizimi me ujë të ngrohtë, shpesh gjatë larjes ndërpritej në mes, sepse ngrohja bëhej nga jashtë në forma primitive dhe ne dëgjonim zërat e ushtarëve, që merreshin me këtë detyrë.
Kjo e ndarë kish dritare, por nuk kish xhama, e për pasojë larja në periudhën e dimrit, bëhej në kushte tē një të ftohti të madh, që bënte trupin të na dridhej si purtekë. Edhe atje nuk kish asnjë lloj ngrohje, kjo nuk ia vlen të përsëritet. Larjen duhej ta mbaronim shumë shpejt, për disa minuta, se na thoshin që nuk kishin vajguri, për të ngrohur më tepër ujë. Tepër vështirë ta imagjinosh, se si mund të qëndrojë njeriu pa u larë me muaj të tërë.
Nuk na ndahej era e djersës së ndenjur, sepse dhe ndërresat e brendshme, i merrnim nga shtëpia vetëm një herë në muaj, kur na i sillnin bashkë me ato pak ushqime që lejoheshin gjatë fazës së hetuesisë. I kam vështirë t’i përshkruaj ato çaste, kur unë lakuriq kaloja para policit, që te veja të lahesha. Të mërzitej gjithçka, por përsëri dëshira për të jetuar ishte e madhe dhe ajo fitonte mbi të gjitha vështirësitë. Kushtet e rënda të burgut gjatë hetimit, më sjellin në mend sidomos tri raste, të cilat do të mbeten të pashlyera në kujtesën time.
Nga të ftohtit që kisha marrë, apo dhe ndoshta nga papastërtitë në ushqim, një herë në mesnatë pata prerje barku. U ngrita dhe i rashë derës që të dëgjonte polici. Ai nuk vonoi të vinte e më pyeti se çfarë kërkoja. I thashë se kisha nevojë tepër urgjente të shkoja në nevojtore, se me kishte zënë barku. Pasi më dëgjoi, ai më tha se do të shkonte t’i telefononte oficerit të rojës, sepse edhe po të deshe të më ndihmonte, polici nuk kishte çelës për hapjen e derës së birucës sime. Vajti dhe unë me vështirësi e dëgjoja shpjegimin e policit në telefon, por pas pak ai erdhi e më tha me keqardhje, se kish marrë urdhër të mos e hapte derën.
– Po unë si të bëj? – i thashë, – kam prerje barku e nuk mund ta mbaj dot! – “Do të vete ta bisedoj përsëri me shefin”, – tha ai. U kthye pas pak dhe më dha të njëjtën përgjigje, duke shtuar se shefi kishte thënë që për të kryer nevojat, kish një orar të caktuar me rregullore. – “Nuk kam ç’të bëjë, – tha polici. – Derën nuk ta hap dot. Nevojën bëje aty brenda në birucë, në dysheme”. Megjithëse ishte i çuditshëm një urdhër i tillë, u detyrova ta bëja nevojën në dysheme, atje ku flija dhe ku shpesh vendosja ushqimin.
Veç kësaj, nuk kisha atje asnjë mundësi pastrimi, jo vetëm për larje, por as për fshirje, pas një diarreje të bezdisshme. U detyrova të vesh mbathjet dhe pantallonat ashtu i ndotur siç isha. Unë dhe rrobat, tani binim një erë tmerrësisht të keqe, por megjithatë, në atë gjendje, u detyrova të shtrihem për të fjetur. Dhoma ishte mbushur e tëra me një kundërmim të padurueshëm dhe ashtu mbeti deri të nesërmen në mëngjes, kur policët më detyruan mua, ta laja dyshemenë e fëlliqur. Mbathjet u shtrëngova t’i heq e të qëndrojë pa to, sepse ne nuk na lejoheshin të mbanim të brendshme rezervë, por pantallonat, s’kisha rrugë tjetër, u detyrova t’i mbaj ashtu të ndotura për afro tri javë, deri sa erdhi dita e caktuar për të marrë rroba të lara nga familja.
Mirëpo ndërresat e pastra që më pat dërguar Zhani, u veshën në një trup të palarë, sepse radha e banjës, më erdhi vetëm pas disa muajsh. Kushdo mund ta marrë me mend, se çfarë kundërmim të qelbur kisha unë për aq kohë. Kurrkush nuk bëhej merak, kurrkush nuk e ndjente vuajtjen time, që nuk ishte aspak e vetmja. Këtë situatë e pata gjatë hetuesisë edhe tri herë të tjera, me të njëjtat qëndrime të poshtra, të policisë së burgut. Një vetmi e plotë dhjetëmujore, një vetmi e çmendur bëhej edhe më shtypëse, kur unë nuk dija absolutisht asgjë për familjen. Nuk dija asgjë se çfarë ndodhte në jetën e vendit, kisha një mungesë të plotë gazetash, lajmesh, bisedash me njerëz, që të mos ishin hetuesi, ose policë.
U zgjova një ditë nëntori me mendimin e parë tek vajza ime, e cila atë ditë kish ditëlindjen. Ishte e djelë e unë i shtrirë po kujtoja këtë datë të shënuar për familjen tonë. Nisa të qaja e vazhdova kështu me orë të tëra, me shpirt të vrerosur për fatkeqësinë që kish pllakosur, mbi jetën e vajzës sime të dashur, që pa pasur asnjë faj, iu bë e ardhmja sterrë e zezë. Në këtë gjendje me gjeti kur hyri njëri nga hetuesit. Ai e kuptoi që unë kisha qarë, ngaqë edhe pse arrita t’i fshija lotët gjatë kohës së hapjes së derës, sytë i kisha ende të skuqura. Më pyeti përse po qaja. Unë i tregova arsyen e vërtetë dhe me këtë rast, iu luta të më thoshte qoftë edhe një fjalë, se si e kisha familjen time dhe vajzën, për të cilën isha aq i brengosur atë ditë. Ai nuk e hapi gojën, por u largua sikur të mos e kisha pyetur fare.
Ishte ama një polic, emrin e të cilit nuk e di, që sillej mjaft i njerëzishëm, kur e pyesja për ndonjë gjë. Atij i vihej re një ndjenjë keqardhje për mua, e nuk e fshihte këtë shenjë të mirëkuptimit njerëzor. Kur ai ishte në shërbim, disa herë më pat lejuar, të ulesha e të mbuloja këmbët me batanije. Një herë e pyeta se kush më sillte ushqimet dhe ai me zë të ulët, plot ngrohtësi, më tregoi se te porta, vinin dy gra, por ai nuk i njihte se cilat ishin ato. Aq dinte dhe aq më tha. Unë i jam mirënjohës këtij ushtaraku të thjeshtë, që me siguri do të kish dëgjuar, se ne ishim njerëz të ndershëm dhe për këtë rrezatonte keqardhje, gjë tepër e rrallë për njerëzit qe shërbenin në organet represive të diktaturës.
Regjimi komunist në Shqipëri, qysh nga viti 1967 i mbylli dhe i rrëzoi të gjitha kishat, xhamitë e institucionet e tjera fetare. Ushtrimi i fesë dënohej me ligj. Ky mendoj se do të ishte rasti më unikal në botë, kur feja ndalohej plotësisht. Si pasojë, ne kishim ndërprerë prej shumë vitesh vajtjen për t’u lutur në kishë, të cilën familja ime, e vizitonte dikur çdo të djelë. Vajtjet në kishë, i mbushnin cep më cep kujtimet e fëmijërisë sime. Veç kësaj, ne kishim në Tiranë, marrëdhënie shumë të mira me familje myslimane dhe e shikonim njeri – tjetrin, si miq e vëllezër. Kështu pas një ndërprerje të gjatë shumë vjeçare, ditën e 29 qershorit, që është dita e Shën Pjetrit dhe njëkohësisht ishte dhe dita e emrit që festoja unë, vendosa t’i lutesha Zotit të Madh.
E vetmja shpresë ishte ndihma e Zotit. E kisha të kotë të përfytyroja ndonjë kishë na ato anë, pasi ato ishin shembur të gjitha. Prandaj, u ktheva me fytyrë nga perëndimi, në drejtim të qytetit të Romës, ku ndodhej kisha e famshme e Shën Pjetrit, e megjithëse me fe, unë isha ortodoks, iu drejtova me lutje kësaj faltoreje katolike, por që ishte njësoj shtëpia e Zotit. Iu luta me gjithë shpirt, të më shpëtonte dhe lutja m’u dëgjua nga Zoti që më të madhërishmen e të Tij, më nxori gjallë nga kthetrat e qoftëlargut. E jo vetëm kaq, por më dha rastin e mundësinë për të krijuar një jetë të lumtur të familjes sime, me ndihmën, dashamirësinë dhe drejtësinë e vendit, më demokratik dhe më human të botës mbarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend që e ka bekuar Zoti, për të mirat që ka bërë.
Hetuesit si njerëz
Kur filluan procesin me mua, ata ishin katër vetë dhe unë shumë vonë ua mësova emrat dhe përgjegjësitë e tyre. Tre prej tyre ishin grupi bazë, që për tetë muaj, në seancat hetimore me mua, punoi pothuaj gjithmonë së bashku. Vetëm në muajt e fundit, pati raste të rralla, që me mua të merrej një hetues i vetëm. Përgjegjës i grupit hetimor, ishte shefi i hetuesisë të Fierit, që nga zelli i tepërt, nuk dërgoi policë të thjeshtë, por erdhi në zyrën time, e m’i hodhi vetë prangat në duar. Ky, siç kam thënë, mbante detyrën e shefit të hetuesisë së Fierit. Kishte një të vetë ndjerë të fryrë, e në fjalët e në ashpërsinë e tij, i shquhej kënaqësia, që pikërisht atij i ishte besuar kjo detyrë e rëndësishme dhe delikate.
Pjesëtari tjetër i grupit hetimor, ishte Pajtim Lame, të cilin Rustemi e kishte sjellë me vete që nga Korça, kur e emëruan shef në Fier. Kushedi sa krime të fëlliqura, i bashkonin këta dy njerëz. Në burg, të dënuar politikë korçarë, të cilët kishin kaluar net të hidhura nën kthetrat e këtyre hienave, do të më tregonin se në zonën e Korçës këta të dy njiheshin si hetues të egër, me të egër se hetuesit vendas korçarë, që kanë mbetur të njohur në historinë e diktaturës vendase. Populli i atjeshëm, ushqente për ta një urrejtje të madhe dhe mori frymë lirisht, kur këta dy hetues ua hoqën që andej. Pajtimi kish një trup mesatar të shëndetshëm, ishte mjaft i ashpër dhe banal në pyetjet e tij këmbëngulëse, me një theks të shquar të të folurit të fshatrave të Vlorës.
Personi i tretë kish ardhur nga Tirana, nga Hetuesia e Përgjithshme e Republikës. Ishte një djalë i ri, i gjatë, me një pamje të ëmbël në dukje dhe quhej Behar. Ky ishte dhe hetuesi, i cili më mbulonte mua posaçërisht. I katërti, që mund ta rreshtoja dhe të parin, ishte me detyrën e drejtorit të Hetuesisë Speciale në Hetuesinë e Përgjithshme dhe qëndroi vetëm në seancat e para. Ai u kthye në Tiranë, sapo unë deklarova nënshtrimin tim. Nga replikat që bëri me mua, ato ditë sa ndenji, mësova se paskej studiuar në Moskë. Ai thosh se më kishte takuar atje, kur isha student, por unë as nuk e njihja e as mbaja mend, ta kisha parë ndonjëherë. Dallimi i tyre vihej re menjëherë edhe në torturat që më bënin.
Edhe këto vërejtje të holla, mund të bëjë trupi i sfilitur i një punonjësi shkencor, i një doktori të shkencave. Që në ditët e para, kur që të katër vërsuleshin mbi mua, që i kisha duart e lidhura dhe më godisnin me grushta, sa njëri e sa tjetri, unë vija re se më i lehti, më pa nerv dhe më pa urrejtje, ishte grushti i Beharit, që ndryshonte si nata me ditën, me egërsinë e papërmbajtur të shefit të hetuesisë së Fierit, Rustem Ajazi. Dhe mund të duket paradoksale, por Rustemi, në shkëndijat e para të transformimeve demokratike, pa kaluar as tre vjet nga dënimi ynë, u emërua në krye të Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës, për gjithë ato “merita” që kishte në veprën e tij prej hetuesi të rëndomtë të diktaturës. Ishin protestat e të burgosurve politikë, që tani po shikonin ca hapësirë me liri të fjalës, që e detyruan qeverinë transitore ta dëbonte Ajazin nga kjo detyrë.
Hetuesit nuk mjaftoheshin me fatkeqësinë që na kish zënë, por shpesh, na rëndonin me fyerje nga më të rënda, të cilat ne nuk ia kishim borxh kurrkujt. Unë e kuptoj që në atë sistem, njerëzit shpesh shprehnin konsiderata që nuk i kishin të tyret, por nuk kishin rrugë tjetër. Kjo ishte shprehja më e rëndomtë e mungesës së lirisë. Regjim diktatorial, i detyronte njerëzit të dyfaqësoheshin, të bënin ato që nuk do ta thoshin. Një njeri, në atë kohë, mund të bënte tërë jetën, një punë që e përbuzte. Kështu edhe hetuesi, mund të qëllonte që të qe angazhuar në këtë punë, që nuk i pëlqente aspak, e ish, ta zëmë, i detyruar të vepronte, siç nuk dëshironte.
Por jo, në përgjithësi kjo dyfaqësi në hetuesit e grupit tonë, nuk vihej re. Tek ata, zelli personal, bashkohej me kërkesat e profesionit kriminal. Tipike në këtë drejtim, ishin Rustemi dhe Pajtimi. Ata nuk mjaftoheshin me rrahjet dhe fyerjet gjatë ditëve të punës zyrtare, por shpirti i tyre, nuk i linte të qetë dhe në ditët e pushimeve. Sidomos ditët e diela, kur në Fier kishte ndeshje futbolli dhe të gjithë sportdashësit, të gëzuar apo të hidhëruar, sipas rezultatit të ndeshjes, ktheheshin nga stadiumi e kalonin në rrugën pranë me vend-ndodhjen e birucave të Degës së Punëve të Brendshme.
Rustem Ajazi, nuk rrinte dot pa u kthyer në birucën time. Ai e dinte që unë vuaja shpirtërisht, që mungesa e lidhjeve me familjen më mundonte, që edhe kthimi i shpenguar i atyre tifozëve nga stadium, më ngjallte zili. Edhe në këto çaste psikologjike të vështira për mua, Rustemi kthehej në birucën e burgut, ku me kishin mbyllur, hapte kapakun e dritares së vockël tek dera dhe pasi më shfaqte atje atë fytyrën e tij të urryer kuqalashe, më urdhëronte të ngrihesha në këmbë. E më thoshte: – “Hë, profesor, ç’kemi? A je mire”? – dhe largohej.
Kjo ishte një sjellje cinike, tallëse, sepse ai kurrë nuk mund të pyeste e as të mendonte për shëndetin tim. Ai kthehej në birucë për të soditur gjahun e tij dhe kënaqej kur më shikonte që unë rrija në një qoshe të birucës, i strukur nga e ftohta apo i zbërthyer nga vapa e madhe. Kthehej vetëm si për të më thënë: “Më shiko mua që shkoj në stadium, e kthehem tek fëmijët e mi, ndërsa fëmijët e tu, po qajnë, pa punë, pa shkollë, pa asnjë të drejtë në jetë”!
Në dy muajt e fundit, jo gjithmonë ishin me domosdo të pranishëm që të tre anëtarët e grupit hetimor. Nganjëherë në të rrallë, punonte me mua vetëm hetuesi që më mbulonte, Behar Selimi. Në gjithë ato javë e muaj shumë të gjatë, që kishin kaluar, kisha vënë re se ky hetues edhe sjelljet i kish më fine, e ndaj meje, nuk shfaqte të njëjtën ashpërsi e egërsi, si kolegët e tij…! Kështu unë mësova se banonte në Trianë, se ish djalë i vetëm dhe jetonte tok me nënën. Një herë, në një çast pushimi të shkurtër, mora guxim dhe i bëra një pyetje intime, që nuk kish brenda, as armiq, as sabotim, as naftë e asnjë pus: – “Përse nuk fejoheni”? Ai më pa me habi, qeshi dhe uli kokën. Bëri një heshtje të shkurtër – e pastaj m’u përgjigj: – “Vajzat, nuk para na kanë qejf, ne punonjësit e hetuesisë”. – Dhe pastaj shtoi me shaka: – “Ose, siç duket, nuk pëlqejnë dhëmbët e mi”!
Kohët e fundit, kur ai ndodhej në dhomën e hetuesisë vetëm me mua, vija re një ton të butë, gati delikat dhe nuk përdorte kurrë dhunë. Ndihej i pranishëm, por tepër i fshehur, një farë respekti, me të cilin kisha shumë shumë kohë, që isha ç’mësuar fare. Këtë e vura re atë ditë, që më hapi një bisedë për një pus nafte në Ardenicë, për të cilin ai më dëgjoi me shumë vëmendje dhe e la tërësisht mënjanë, kërkimin e lidhjeve me sovjetikët. Një herë tjetër, ai me ndroje më shfaqi një konsideratë.
– “Petraq, mua më ka rënë rasti të hetoj shumë të pandehur me akuza të rënda. Kanë qenë specialistë, drejtues e kuadro të rëndësishme partie. Unë po shikoj që ti je, jo vetëm specialist shumë i aftë, por dhe një burrë mjaft i zgjuar. Situata jote është e vështirë. Nuk më ka ndodhur që të ndesh me një të pandehur, që ta kuptojë atë aq saktë”!
Pas kësaj, unë iu luta atij të më sillte një kafe. Kisha muaj të tërë pa futur kafe në gojë. Nuk vonoi shumë dhe një ditë ai më pruri pak kafe të bluar, në një kaush prej letre. E falënderova për këtë gjest të rrallë, për një hetues të çështjeve politike, dhe me shije të paprovuar më parë. Gjatë tërë seancës së hetuesisë, atë ditë, unë fusja në gojë pluhurin e kafesë. Përshtypja se ai ndryshonte si karakter nga dy kolegët e tij të tjerë, m’u përforcua. Prandaj vendosa të bëja një bisedë ku edhe një herë, tërthorazi, t’i lija të kuptonte sinqerisht, se gjithçka që po pranoja, gjithçka që po shkruaja, e po incizoja, ishin trillime e asgjë më shumë dhe po të më ndodhte ndonjë gjë mua, ndofta njëherë ai mund ta thoshte diku, këtë të vërtetë.
Kuptohet që hapur nuk mund t’ia thoja një gjë të tillë, sepse besën nuk ia kisha tërësisht dhe nuk desha të më fillonin torturat nga e para. Dhe një ditë, kur ishim vetëm për vetëm në dhomën e hetuesisë, ndërsa po shkruanim një përmbledhje të sajesave, që deshin një dorë përfundimtare, ai vendosi të bënim pak pushim dhe ndezi një cigare. Me dha një cigare dhe mua. Unë duke përfituar nga ky pushim, e kapërceva kufirin dhe i thashë: Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016