Nga Eugjen Merlika
NJË HISTORI INTEGRIMI
Memorie.al / Rochetaillèe, është një qytezë e vogël, shtatë km. në jugë të Saint-Etiennit, një nga qytetet e Francës Qendër-Lindore. E vendosur në një ambient të bukur gjelbërimi, mes kodrash të veshura me drurë shekullorë, siç është pothuajse gjithkund peizazhi i Francës, ajo duket si vend pushimesh.
Nga kjo qytezë e vogël, para disa vitesh, u nis një djalosh për të studiuar në degën e matematikës në Universitetin e Strasburgut. Atje ai u njoh me një vajzë, e cila ishte e huaj e vinte prej së largu, nga Shqipëria buzë Adriatikut. Vajza quhej Aida, kishte marrë emrin e një heroine të një opere të Verdit. Rasti e kishte sjellë në atë qytet të famshëm të Francës, ku kishin qendrat e tyre institucione të rëndësishme të Evropës në bashkim si, Parlamenti Evropian apo Këshilli i Evropës.
Vajza, e diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës, fillonte një jetë të re këtu, në zemrën e Evropës karolinge, si kujdestare e një fëmije, prindërit e së cilës ishin funksionarë të institucioneve të Evropës. Krahas punës, do të studionte. Vitet e para paraqisnin vështirësitë e tyre. Vajza kishte mësuar në Shqipëri italishten, anglishten e në muajt e fundit kishte studiuar edhe frëngjishten, për t’u përgatitur për jetën e re që i hapej larg vendit të saj. Në Strasburg, këto gjuhë i përsosi duke bërë studime pas universitare e, duke marrë dëshmitë përkatëse.
Krahas studimeve e punës me fëmijët në familjet e qytetit francez, Aida njohu edhe dashurinë, atë që çuditërisht i kishte munguar në vitet e studimeve në Tiranë. Lioneli plotësonte në përfytyrimin e saj figurën e shokut të jetës. Dashuria e pastër lindi e u rrit në një ambient të lirë, jashtë kornizave të paragjykimeve të çdo lloji, duke gjetur mbështetje tek familja e djalit në Rochetaillèe dhe vajzës në Lushnjen e kampeve të internimit ku, Aida kish kaluar fëmijërinë, deri sa regjimi komunist i lëshoi vendin pasardhësit të tij.
Martesa pati dy festa: njëra në Strasburg mbas zyrtarizimit në Bashki, e organizuar nga familja që, për herë të parë, e punësoi Aidën dhe e dyta në Rochetaillèe, ku u bë dasma e vërtetë, mbas ceremonisë fetare në një kishë të lashtë. Në të dy festat morën pjesë shumë të ftuar, miq e shokë të familjeve organizatore. Në Strasburg, në festën e Aidës dhe Lionelit, ishin të ftuar shumë familje të nëpunësve e funksionarëve të institucioneve evropiane, që përbënin rrethin shoqëror e miqësor të familjes Taylor. Kjo familje nuk mungoi të vinte edhe në Rochetaillèe, për të dëshmuar dashurinë e mirënjohjen për vajzën nga Shqipëria, që kishte dhënë ndihmesën e saj në rritjen e Rebekës, vajzës së tyre.
Në dasmën e organizuar nga prindërit e dhëndërrit, në qytezën e lashtë, u ftuan e patën mundësi të ishin të pranishëm edhe familjarët e nuses. Babai e nëna me vëllanë erdhën nga Lushnja, motrat dhe djali i xhaxhait nga Perugia, ku studiojnë në Universitetin e atij qyteti, halla dhe vajzat e saj nga Milano, duke sjellë si dhuratë fustanin e nusërisë, të porositur në një nga shtëpitë e specializuara për këtë artikull, ndërsa daja nga Nju Jorku ku jeton prej 16 vitesh. Kjo ishte “kolonia shqiptare” që kishte sjellë “Doruntinën” moderne në zemrën e Francës, e që përfaqësonte në atë mjedis qytetar të njërit nga vendet më të qytetëruar e më krenarë për këtë qytetërim, Shqipërinë, me traditat e saj, me historinë e saj të lashtë e të re, me kulturën e saj, por edhe me problemet e saj.
Sa shumë ka ndryshuar bota jonë, bota e shqiptarëve në këta pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Ngjarje të tilla si kjo dasëm ishin të papërfytyrueshme as nga imagjinata më e ndezur e cilitdo qytetari të Shqipërisë jashtë Bllokut e, ndoshta edhe brenda tij, deri pesëmbëdhjetë vite më parë. Kjo dasëm, si shumë të tjera të këtij lloji në ditët tona, është një shembull lidhjeje jo vetëm individësh por edhe popujsh, bërthama të familjeve të përziera, pararendëse të shoqërive të përbashkëta, të institucioneve të një bote të globalizuar. Sa më të shumta të jenë këto martesa, aq më shumë do t’i afrohemi synimit të shoqërisë së hapur, aq më shumë do të rrëzojmë “muret kinezë”, që komunizmi na vuri për të na ndarë nga bota “imperialisto-revizioniste”!
Që në kohën e Mbretërisë së Zogut, filluan martesat e përziera, më shumë me nuse të huaja që dashuroheshin me studentët shqiptarë në Itali, Austri apo gjetkë. Këto gra të huaja, në pjesën më të madhe të shkolluara, i sillnin freski e kulturë familjeve e shoqërisë qytetare shqiptare dhe ishin faktorë zhvillimi të saj. Por diktatura komuniste, që ishte e aftë të imitonte vetëm dukuritë më negative e më të zeza të botës së huaj, i ktheu këto gra në shënjestra të dhunës së saj mizore e, bijt e tyre i trajtoi si qytetarë të kategorisë së dytë, si mish të huaj në trupin e asaj shoqërie. E njëjta dukuri u përsërit me gratë e ardhura nga Vendet e Lindjes, të cilat u detyruan në shumicën dërmuese të rasteve, të ktheheshin nga kishin ardhur, ose të duronin dallimin “racial”, që partia e burrave të tyre ushtronte mbi ta.
Ky është një nga aspektet e shumtë të asaj dukurie kriminale të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që shihte tek çdo i huaj një “rrezik” për socializmin e që, e ktheu Shqipërinë nga Vendi klasik i mikpritjes, në një Soveto të Evropës, të ngjashëm me kampet naziste. Ishte edhe shprehje e vetëdijes së inferioritetit të një klase drejtuese të paaftë intelektualisht për t’u përballur me kulturën e huaj, që mbyllej si iriqi në botën e saj të padijes, duke e mbuluar këtë mbyllje me argumente shterpë të “pastërtisë” ideologjike apo, të pseudo “krenarisë” kombëtare.
Francezët zakonisht janë të ftohtë me të huajt e miqësohen me vështirësi me ta. Ajo mbasdite feste, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, e hodhi poshtë tabunë e ftohtësisë së tyre. Ata u treguan shumë të përzemërt me njerëzit e nuses, komunikuan me ta në gjuhën e tyre apo në anglisht, u munduan të njohin problemet e Vendit të tyre. Në biseda të lira shkëmbyen mendime edhe mbi Evropën, Kushtetutën e së cilës, pak kohë më parë e kishin hedhur poshtë, por integrimin e quanin si mjetin më të mirë për të zgjidhur problemet e panumërta të Shqipërisë. Ata dëgjuan me ëndje meloditë shqiptare që buçisnin nga altoparlanti e morën pjesë të gjithë në vallen e djegies së shamisë së beqarit, si dhe në të tjera valle.
Sigurisht, kjo sjellje mbante kryesisht vulën e respektit dhe konsideratës për nusen e re, e kjo ishte meritë e saj, por tregonte dhe opinionin që ata kishin për shqiptarët. Këtë opinion, jo vetëm francezët, por edhe italianët, gjermanët e popuj të tjerë të Evropës, kur kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me pjesën më të madhe të emigrantëve shqiptarë, e kanë formuar jo në vartësi të episodeve kriminale të vëna në pah nga shtypi, në adresë të banditëve shqiptarë, por në sajë të njohjeve të tyre. Ky opinion, i krijuar tek qytetarët e Evropës në sajë të sjelljes së ndershme të emigrantëve shqiptarë, është shërbimi më i madh që këta të fundit i bëjnë atdheut të braktisur.
Nëse sondazhet e Euro barometrit e nxjerrin Shqipërinë në vendin e fundit të parapëlqimit në Evropë, ky fakt i kushtohet jo paragjykimit për prapambetjen proverbiale të shqiptarëve, por imazhit të zi që klasa politike që gjashtëdhjetë vite e këndej projekton në Evropë e në botë. Është një imazh që vitet e fundit, kur ballafaqimi me botën është bërë më intensiv, është errësuar më shumë. Një kryeministër në një bisedë të regjistruar përdor fjalorin më të fëlliqur që do të bënte të turpërohej cilindo frekuentues mejhanesh, shkon të përfaqësojë në nivelin më të lartë Vendin në një ceremoni botërore në Vatikan, e grindet për vendin që i caktohet, që në një tjetër aktivitet ndërkombëtar, ndër më të njohurit, le pa paguar një faturë prej mijëra dollarësh, duke u bërë problem në shtypin e huaj..!
Përfaqësues të Kuvendit apo të institucioneve të tjera paraqiten në Strasburg apo në Bruksel, duke u sharë me njeri tjetrin e bien në sy për arrogancë e padije…! Drejtues partish që, ende pa u mbyllur kutitë e votimit, improvizojnë konferenca shtypi për të “komunikuar” rezultatet…??!! Një ish ministre e kulturës, në një bisedë televizive me një kolegun e saj të partisë kundërshtare, është e aftë të shpalosë vetëm dhunë gojore pa asnjë argument bindës…! Një Kryetar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në një emision televiziv, nuk përmban dot zemërimin e fyen me fjalën “shërbëtor i Berishës”, kolegun e tij…! Një kastë njerëzish që drejtojnë Shtetin në nivele të ndryshme, nga hiçi sot gjenden titullarë të pasurive përrallore, në sajë të paligjshmërisë që e kanë ngritur në sistem…!
Janë këta vetëm disa shembuj dhe jo më të këqijtë që plotësojnë kuadrin e imazhit të atyre që drejtojnë Shtetin e shqiptarëve. Shqiptarët e thjeshtë, ata që jashtë e brenda Shqipërisë, derdhin djersë çdo ditë për të çuar përpara familjet e jetën e tyre ndershmërisht, nuk njihen në këtë imazh. Ai i ngjason atij që një pakicë e vogël bashkatdhetarësh, kontingjent i krimit, çlirojnë nga kronikat e zeza në gjithë Evropën e më tutje.
Ajo shumica e heshtur, ato gra e burra që me shumë sakrifica, por me po aq dinjitet, janë duke përballuar sfidën e integrimit në shoqëritë evropiane apo amerikano-veriore, ata djem e vajza, nxënës e studentë, që me rezultate të kënaqshme, por edhe me shumë mund, po përgatiten të hyjnë me sukses në një treg ku, konkurrenca është e pamëshirshme, nuk mund të njëjtësohen me ato zonja e zotërinj që sot, përfaqësojnë Shqipërinë zyrtare. Mes tyre ka një hendek që thellohet çdo ditë.
Për t’a mbyllur hendekun ka vetëm një mënyrë, që klasa drejtuese politike të ndryshojë fytyrë. Kjo nuk do të thotë të kryejë një ndërhyrje të suksesëshmë kozmetike, por t’i nënshtrohet një përzgjedhjeje rrënjësorë për t’i kthyer Vendit imazhin e duhur. A do të ketë dëshirën, vullnetin, mundësinë e aftësinë grupi i ri drejtues i Shqipërisë t’a kryejë këtë operacion? Do të jetë shumë i vështirë, për një kompleks motivesh, por jo i pamundur. Do të kërkojë kohën e duhur, por do të shihet që në fillim prirja.
Nëse do t’i arrijë këtij synimi nuk do të ketë bërë vetëm detyrën që i ve mbi shpatulla vota e shtetasve, do të ketë sendërtuar një ideal, të formuluar më shumë se një shekull më parë nga burra që e deshën me shpirt Vendin e tyre të varfër, që u shkrinë për përparimin e tij e, jo për qeset me flori. A do të ketë stërnipër që t’a kenë për zemër atë ideal? Koha, kjo gjykatëse e rreptë dhe e paanshme do të japë përgjigjen e saj e nuk do të vonojë. Ritmet e epokës janë të përshpejtuara e vendimet të paapelueshme.
Historia na ka vënë në ceitnot e lëvizjet në fushën e botës globale duhet të jenë të shpejta e të matura. Urojmë e shpresojmë të jenë ato të duhurat, në të kundërt… lamtumirë Shqipëri…! Memorie.al
Gusht 2005
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016