ATJON ZHITI NË 26 VJETORIN E LINDJES
Atjon Zhiti do të ishte 26 vjeç. Ëndërroi dhe u bë student i ëndrrës më të bukur, që atdheu të ishte gjithnjë e më i begatë, human dhe i qeshur, prandaj dhe shkoi të studiojë filozofi në Milano dhe u bë antar i Parlamentit Europian Rinor, që të sillte “Europë” në vendin e tij, por dhe që Europa të shikonin “Europë” tek ne, siç dhe shprehej.
E dëshpëronte aq shumë varfëria dhe korrupsion dhe padije dhe nisi të shkruajë… për rrugët metaforike të shtrëmbta dhe të errta ku po endeshim. Dhe ato sikur u hakmorën….
Po ëndrra e tij është lart dhe ai e shpërndan nëpër të gjithë gjeneratën e tij… Na dhuroi shumëçka, buzëqeshjen dhe pasionin, bukurinë, shkrimet rinore, që të befasojnë, libra, albume, ishte antari më i ri i Pen Clubit Italian, me emrin e tij jepen dhe çmime ndërkombëtare në poezi dhe filmin për të rinj. Një rrugë në Tiranë mban emrin “Rruga e Atjonit”.
Vërtet ai hapi një rrugë plot dritë për gjeneratën e tij.
Nga dashuria dhe nderimi për “19 vjeçarin e përhershëm”, risjellim tre pjesë nga shkrimet e tij, me titujt tanë të rinj, aktuale për freskinë e mendimit dhe shqetësimet që mbartin.
- FLATRA E THYER QË KËRKON NDIHMË
…një ditë vere do te më ndodhte diçka, e cila do ngelej gjithmonë e gërvishtur në kujtesën time. Isha “mysafir” në shtëpinë e një miku të tim eti dhe papritshmërisht na ndodhi që një harabel a diçka e ngjashme të përplasej në dritaren, nga e cila po vështronim mendimet tona. Zogut të vogël i ishte thyer krahu dhe, po prapë papritshmërisht, zbulova se një nga pasionet e tashmë mikut tim e jo vetëm të tim eti, ishte ornitologjia dhe detyrimisht dinte gjithçka mbi zogjtë e se si të kuronte krahun e atij. Si çilimi më dukej pabesi e madhe ndaj natyrës që një krijesë kaq e brishte të mos lihej e lirë mbas kurave dhe me insistimin e kokëfortit ngulmoja në çrobërimin e tij, aty në çast dhe pa e ditur mora mësimin e parë mbi vendin tim. Me një çiltërsi e thjeshtësi të hatashme m’u shpjegua se do të ishte mizori t’i jepej liria në atë gjendje atij zogu të pambrojtur dhe i pamundur për t’i përmbushur nevojat vetes. Më përpara se liria, duhej ndihma, kurimi dhe kujdesi, mbështetja e plotë si paralirí ose si pjesë e lirisë utilitare. Këtë po e ndjeja si fëmijë, por si më i rritur, e kam të qartë se liria e vendit tim është e para dhe më e çmuara.
Po a jemi gati për atë që duam?
- NË KËRKIM TË…
Shumë kërkues, studiues dhe arkeologë të famshëm, madje çuditërisht dhe Hitleri, kërkonin Agartin, një vend fantastik, ndoshta jo ekzistues, dhe thuhet se portat e kësaj mbretërie ndodhen në Indi. Agarti mendohet se është një mbretëri e nëndheshme e krijuar për njerëz të përsosur për të shpëtuar nga një kataklizëm. Këta banorë me inteligjencën dhe diturinë e tyre të pamasë, nuk bënin luftëra, por ata krijuan një rrjet komunikimi të nëndheshëm.
Agarti është thjesht një mit, është thjesht një kërkim përsosmërie, paqeje që neve njerëzve bashkëkohorë na mungon. Kërkimi i Agartit është thjeshtë një sinonim i kërkimit të vetvetes, sepse të gjithë neve na mungon ajo përsosmëri, pak njerëz ia kanë dalë të gjejnë vetveten, atë përsosmëri ose mund të them se vetëm një njeri ia ka dalë dhe ai është Sokrati me Dajmonin e tij, (δατμον), shpirtin e tij paqësor e të përsosur, megjithëse koha, demokracia, Athina, e cila është shembull i të gjitha qeverive në botë njëkohësisht ishte dhe simbol korruptimi si qeveritë sot.
Si mundi një shëmbëlltyrë si Athina të dëmtonte të Përsosurin? Mirë, e lëmë Sokratin… Kërkimin e Agartit në mënyrë simbolike e ka bërë dhe përfaqësuesi më i famshëm i rrymës filozofike cinike Diogjeni. Ai gjatë ditës shëtiste me disa kandilë të ndezur, njerëzit e pyesnin se çfarë kërkonte e ai përgjigjej:
Njeriun.
Njerëzit për këtë e mendonin si ai ishte i çmendur, por ama ai kishte të drejtë, kërkonte vërtet njeriun e përsosur që ndodhej në Agart. Prandaj Agarti është thjeshtë kërkim i vetvetes, i asaj pastërtie, çiltërsie e përsosmërie. Ajo çiltërsi, pastërti e përsosmëri që te njerëzit e sotëm na mungon.
- SHTETARI PA SHTET
Shumë shpesh në mediat vendase dëgjojmë “personazhet publikë” të flasin për të ashtuquajturën periudhë tranzicioni. Në kushtet që ndodhemi duhet të ketë një debat të hapur e konstruktiv e jo një justifikim ose tinguj për të mbushur fjalimet shterpe politike.
Kjo gjendje e brishtë konsiston në kalimin nga një status i të qenit në një tjetër, në një lak kohor relativisht të shkurtër ose të gjatë që tejkalohet. Në rastin tonë është kalimi nga një regjim diktatorial në një republikë demokratike, ku në të ka patur dhe një minifaze tjetër tranzicioni nga republikë presidenciale në atë parlamentare, totalisht e paparashikuar, në limitet e absurditetit dhe simbol mosfunksionimi.
Tranzicioni në demokraci është një periudhë kohore e dyzuar dhe e paqartë, ku janë braktisur disa karakteristika të aseteve të mëparshëm, por njëkohësisht nuk janë krijuar të reja. Kjo periudhë ka disa faza zhvillimi që kalojnë nëpërmjet konfuzionit institucional, dizinteresit institucional, hipokrizisë institucionale, të cilat përmbajnë një respekt të rremë nga ana e shtetarëve ndaj institucioneve , të cilët sjellin dhe shtetasit në gjurmët e tyre. Gjithçka deri tani është e ditur, por jo e mirëkuptuar.
Kisha marr trenin Tiranë-Durrës për arsyen e thjeshtë se gjithmonë më kishin tërhequr muzeumet dhe kurrë s’kisha parë një repert industrial në një muze ambulant. Në një pikë të “udhëtimit” dhe nuk di se ku, pashë një moçal, i cili me tërhoqi e më bëri kurioz. Doja të dija se si qe krijuar dhe me pak kërkim mësova se procesi i krijimit të tyre quhet eutrofizimi i ujrave, ku pellgjet me ujra të ëmbël, liqenet, kur nuk kanë më fluksin e një lumi ose rrëkeje, pasurohen me nitrat e fosfat, të cilat janë ushqyese per alga dhe mikrovegjetacione që konsumojnë gjithë oksigjenin duke ja mohuar gjithë krijesave të tjera dhe në fund dhe vetë vetes, derisa ekosistemi kthehet në moçal e kurth vdekjeprurës. Gjithsesi.
Para fillimit të konsolidimit real të demokracisë, funksionimit të mekanizmave shtetërore, mendoj se ka një fazë tjetër e të ndërmjetme, që do ta quaja eutrofizim politik dhe ndodhemi pikërisht në të. Moçali ose moçalishtja e politikës.
Ky është një moment shumë delikat e jo si entitet në vetvete. Aty duket fillimi i një pasurimi me substanca të ndryshme, që në të vërtetë përthithen nga pak, nga ana tjetër shkaktohet vdekje e ata pak harrojnë se shuhen bashkë me atë çka krijuan. Politika duket sikur ka mbërritur një periudhë stabiliteti dhe simptomat e tumorit kurohen si të një migrene, pasi nuk është realisht e stabilizuar e bashkë me të dhe vendi, por vetëm shtresa e “politikëbërsave”. Po të vërejmë rreth e rrotull, jo me shumë vëmendje, shohim se ka vetëm një rotacion mbiemrash e jo ndërrime metodash pune e idealesh, të paktën sa për të respektuar denominacionin partiak. Duhet të pranoj ama se çdokush ka ardhur me ide të ndryshme mbi “ç’do bej”, por duhet të pranohet nga ne të gjithë se këto kanë lindur nga intuita të paplota dhe si të tilla janë të pamjaftueshme. Pamja ndryshon, por konsistenca mbetet e njëjta e kjo gjë kuptohet thjesht duke i hedhur një sy realitetit. A jemi në njohje të faktit se nuk janë shtetarët ata që i japin fund periudhës së tranzicionit, por janë shtetasit?
E përsëris: shtetari pa shtetasin është një hiç. /Memorie.al
SKICA NGA ATJON ZHITI
Bashkudhëtarë dhe kryqëzimi i hijeve
“Syri në fletoren time”
“Bashkim duarsh”
“Vorbull e re”
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016