Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.
Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-kuadër i lartë, i dënuar me burg politik, së bashku me të vëllanë, Ali Kubati, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shok dhe miq të ngushtë të Myslym Ketës), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), etj., etj.
Nga letrat apo raport-informacionet në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, (në vitet 1982-1983), apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës dhe Hekuran Pobratit, kurse në këtë shkrim, kemi përzgjedhur për botim, letrën e ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, nënkolonel Mark Dodanit, (i njohur edhe si skenarist i disa filmave të Kinostudios “Shqipëria e re” dhe shkrimtar e autor i disa librave), e cila është nxjerrë nga një dosje voluminoze që gjendet në fondin arkivor të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ai e informon drejtuesin kryesor të ministrisë së Brendshme, me detaje dhe hollësira, mbi disa nga ngjarjet më kryesore që ai ka pasur rastin të jetë vetëm prezent për shkak të detyrës, apo dyshimet që i kanë lindur për ato ngjarje dhe persona.
Si p.sh. arratisja dhe vrasja tragjike në shpellë me artileri, e kolonel Haxhi Hajdarit, (ish-deputet i Kuvendit Popullor), në 8 prill të vitit 1963, vdekja misterioze e kolonel Myslym Ketës, më 26 shkurt 1966 (ku Mark Dodani, shkruan se ishte ngarkuar nga ministrit Beqir Balluku dhe Kadri Hazbiu, ta eliminonte atë fizikisht, pasi ai kishte kaluar në tradhti dhe donte të arratisej), arratisjen në Greqi dhe misterin e vrasjes së Izet Osmanit, bashkëpunëtorit të Kundëradmiralit të Flotës ushtarake Detare, gjeneral-major, Teme Sejkos, disa prej kombinacioneve që Kadri Hazbiu kishte bërë me agjenturën greke në Jug të vendit, ku implikohej edhe sekretari i Kadri Hazbiut, Xhelal Shaqiri, që u burgos dhe u lirua më pas nga Feçor Shehu, etj. etj. Për më shumë rreth këtyre, na njeh letra e Mark Dodanit, që publikohet për herë të parë në disa numra, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME LETRËN E ISH-OFICERIT TË LARË TË SIGURIMIT TË SHTETIT, NËNKOLONEL MARK DODANI, DËRGUAR MINISTRIT TË BRENDSHËM, HEKURAN ISAI, NË VITIN 1982
Ministrit të Punëve të Brendshme
Shokut Hekuran Isai
Tiranë
I dashur shoku Hekuran
Kështu konkluzionin që zbulimet armike, kishin agjenturë të fortë në radhët tona, e ilustronte praktika e punës edhe me shembuj të ndryshëm, si ky i Nuri Kostës; prandaj Kadri Hazbiu, i cili paska qenë vetë agjent, maste lehtë, pulsin tonë, që megjithëse kishim dyshime të drejta, që zbulimet armike kishin agjenturë të fortë tek ne, Kadriu prapëseprapë, ishte i qetë se kurrë nuk vinte mendja, që kjo agjenturë kishte rreze kaq të thellë, deri te vetë Kadri Hazbiu dhe shokët e tij. – Ndërkohë flitej, se Kadri Hazbiu, kishte shoqëri me ish-agjentin e Zbulimit Grek, Thodhori Vreto, nga Çifliku.
Me këtë delte shpesh për gjah. Më vonë Thodhori Vreto, sa mbaj mend, implikohet si agjent me gradën major i Zbulimit Grek dhe si i tillë, arrestohet. Në hetuesi është zbërthyer, por nuk mbaj mend hollësira. Dihet që Theodhori Vreto, ishte kuadër i yni, në ushtri dhe në pushtet.
Lidhur me kombinacionet që drejtonim kundër Teme Sejkos, me vete mendja, te ish-kunati i këtij, te Rexho Plaku. Ky përpunohej; aktivisht. Teme Sejko, duke patur motrën, grua të Rexhos, niset për në shtëpi të këtij. Punëtori Operativ, i del përpara dhe i thotë Temes, në kokë të vet; “të mos shkonte te Rexhua, se ishte i dyshimtë për spiun, te cilin e ndiqte Sigurimi”.
Ky informacion, sa mbaj mend, i ka shkuar në dorë Kadri Hazbiut, se u lidh me të dhëna të reja që u morën për Teme Sejkon, i cili njoftoi Rexhon, të ruhej nga Sigurimi. Me sa mbaj mend për këtë çështje, dinë hollësira Dhosi Pecani me Flamur Sinoimerin, i pari ish kryetar Dege në Sarandë, i dyti Punëtor Operativ, kurse tani në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit. Mbas këtyre që mori vesh, Rexho Plaku u nis të arratisej përtej kufirit, por u vra si armik i popullit. Kuptuam në atë kohë, që Rexho Plaku ishte në një kanal ilegal, me rëndësi për Zbulimin Grek, por tani me vete mendja që; pse Kadri Hazbiu nuk na orientoi të nguleshim te ky objekt, në vend që të humbnim kohën me atë objektin e rëndomtë, që përmenda ne Mursi.
Të gjithë ne menduam që me Rexho Plakun ishim marrë si duhet. Na u krijue mendimi i gabuar (siç gjykoj tani), sikur gjoja nuk mund të bënim më veprime, kombinacione dhe lojëra të mprehta, si në kohën e bandave, sepse gjoja zbulimet armike, nuk ishte e mundur të tërhiqeshin më në kurthet tona si më përpara, se kishin nxjerrë mësime të forta, kundër Shqipërisë. Ndaj në vend të një pune të mprehtë, prisnim ç’të na jepte hetuesia për të bërë arrestime. Për këtë mendim demoralizues, them se e keqja ishte te metodat me të cilat na qorrollisnin Kadri Hazbiu me Mihallaq Ziçishtin, të cilët ishin në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Çështja e “Kabahetit”, më bën përshtypje tani, për cilin ka qenë interesuar Kadri Hazbiu. “Kabaheti”, jepte disa informata që duheshin verifikuar në periudhën pas demaskimit të komplotistëve me Teme Sejkon, e të tjerë të lidhur me të. “Kabaheti” me objektin, ishin të rretheve Durrës- Tiranë, prandaj kombinacioni u koordinua nga Dega e Durrësit, me Drejtorinë e Punëve të Brendshme, Tiranë. Mua më porositi personalisht Kadri Hazbiu, të ndihmoja për kombinacionin me T.O. (Teknikë Operative), që të delte çfarë kishte për objektin që dyshohej. U ndërtua kombinacioni i “përplasjes” së “Kabahetit” me objektin, në një shtëpi në ambientet e lagjes nga ish-Kisha Katolike (sa mbaj mend), rruga “Konferenca e Pezës”, Tiranë. Këtu isha unë me një Punëtor Operativ, të T.O. të Ministrisë (më duket ishte dhe ai i TO, të Degës së Durrësit).
Nga dëgjimi, dilnin gjëra interesante, implikoheshin personalitete, përmenden që kishte njerëz në Komitetin Qendror Ministra e të tjerë, që ishin të lidhur me jashtë shtetit, në shërbim të të huajve. Informova personalisht Kadri Hazbiun. Ky porositi, t’ia sillnim shiritin ta dëgjonte vetë. Ngarkova shokët e T.O., ta nxirrnin pastër shiritin dhe ta përgatitnin për ta dëgjuar, personalisht Kadri Hazbiu. Ndërkaq nga zyrat e T.O., unë kthehem për Ministri, në pritje që të delte shiriti pastër. Mirëpo në këto çaste, shokët Xhemal Bejto dhe Jorgo Kareco, më sjellin porosinë e shokut Pilo Shanto, që të tërhiqja dosjen e ish-oficerit të Zbulimit Ushtarak, Izet Osmanit, i cili ishte deshifruar si agjent i Zbulimit Grek.
Izet Osmani, i cili edhe sot mund të jetë gjallë, ishte vënë prej kohësh në shërbim të Teme Sejkos. Ky i fundit, kishte legjenduar sikur Izet Osmani, kishte rënë “dëshmor” në Greqi. Bile, Teme Sejko, i solli rrobat nga Greqia dhe rregulloi në rrugë shtetërore, që t’i paguhej familjes, pensioni i “dëshmorit”. Ky kombinacion i Zbulimit Grek me Teme Sejkon, u deshifrua nga ne dhe pikërisht ditën e incizimit të bisedës së “Kabahetit”, me objektin, koinçiduan të dhënat për hyrjen si diversant të Izet Osmonit. Kundër tij lypsej të organizohej kërkim i rreptë, prandaj sipas porosisë që më sollën shokët Xhemal Bejto me Jorgo Karecon, në emër të Pilo Shantos (ish -kryetar i Degës së I-rë), vendosëm menjëherë të merresha me organizimin e ndjekjes së Izet Osmanit.
Ndërkohë Xhemali e Jorgua, më thonë për dosjen e Izetit që ishte në Zbulimin Ushtarak. Vajta urgjent në Drejtorinë e Zbulimit Ushtarak të Llazi Jakova, të cilin e njihja personalisht si kryetarin e Degës për Greqinë, rrjedhimisht mendoja që ky do të kishte edhe dosjen e Izetit. Shkuarja ime te Llazi Jakova, u quajt gabim, se “doli” se doli sekreti para Llazit, i cili duhej të dyshohej, për çështjen e Izet Omanit, paçka se ishte kryetari i Degës, që kishte dosjen e Izetit.
Pa asnjë justifikim, Kadri Hazbiu më komunikoi dënimin disiplinor me 10 ditë arrest, përmes Rexhep Kollit. Rrjedhimisht nuk mora vesh më tej për “Kabahetin”, nëse e dëgjoj ose jo shiritin e tij, Kadri Hazbiu. Ndërsa për çështjen e Izet Osmanit, pasi më dënuan me vërejtje me motivacionin se; kisha dekonspiruar para Ilazi Jakovës, mora vesh si gjithë shokët e mi, që një, ose dy ditë përpara, Beqir Balluku paskësh folur hapur në popull, me rastin e festës se Bogazit të Sarandës.
Beqir Balluku, kishte folur edhe për legjendën e “dëshmorit” në një kohë kur Kadri Hazbiu, më çoi fjalë me rastin e dënimit disiplinor, që mua më shpëtoi pa më dënuar më rëndë, vetëm fakti që kisha detyrë funksionale, të merresha me çështjen e Izet Osmanit. Se për këtë, paskësh patur një marrëveshje midis Beqir Ballukut dhe Kadri Hazbiut, që kushdo që do të interesohej për Izet Osmanin dhe për dosjen e tij, si agjent i zbulimit armik, të merrej i dyshimtë dhe të njoftohej menjëherë Beqiri dhe Kadriu.
Në këtë rast, unë me Llazi Jakovën u paraqitëm te Andon Sheti dhe me këtë te Vehbi Hoxha. Ky me sa duket, njoftoi urgjent Kadri Hazbiun dhe mua më tha të kthehesha në Ministri, se ai (Kadri Hazbiu), do të sqaronte. Ndërkohë, mora me mend se kërkese e dosjes së Izet Osmanit, qenkësh ndryshe nga e banditëve të tjerë, me të cilët merresha normalisht. Tani dyshoj që; Kadri Hazbiu me Beqir Ballukun, kushedi ç’frikë do të kenë patur nga djegia e kombinacionit të Izet Osmanit. Ndryshe (gjithë ai alarm dhe masa që morën kundër meje në vend që të merreshin këto për ndjekjen e Izet Osmanit), ndryshe i kuptoi tani, nga ç’mund t’i kuptoja në atë kohë.
Pa u shkëputur nga periudha e ndjekjes së komplotistëve Teme Sejko e të tjerë, mbaj mend që kur ishim në situatën e dyshimeve për komplotistët në fjalë, Kadri Hazbiu, na “orientoi që duhej të ruheshim nga çorientimi dhe provokacioni, se tanimë dihet që zbulime armike, orvaten çdo orë, çdo çast, të na dezinformojnë”.
Ndaj, këshilloheshim që çdo hap të hidhnim të matur e, gjithë kujdes. Nënteksti i kësaj, siç e kaptova unë Kadri Hazbiun në atë kohë, ishte që Teme Sejko, me të tjerë tradhtar të kategorisë së tij, mund të ishin të mirë dhe ne mund t’u binim në qafë. Më bën shumë përshtypje sot, se atë herë me thënë të drejtën më dukej dhe mua ashtu, kur Kadri Hazbiu duke na folur me kompetencë për veprimtarinë e zbulimeve armike, bëri një krahasim midis zbulimit jugosllav dhe grek. Tha që; ndërsa jugosllavët punojnë trashë, përkundrazi, Zbulimi Grek vepron shumë më hollë.
Ashtu sikundër çmonte Kadri Hazbiu, në drejtim të Zbulimit Jugosllav, nuk kishte pse të merakoseshin aq sa në drejtim të Zbulimit Grek, të paktën para meje këtë përshtypje linin bisedimet e tij. Sot më bëjnë përshtypje, si çdo bisedë tjetër e këtyre armiqve.
Problemet e “Heroit të Popullit”, Lym Keta, mendoi vlen të rikujtohet para jush, nisur nga fakti që për këtë çështje është marrë personalisht Kadri Hazbiu me Beqir Ballukun. Nuk mbaj mend datat, por më duket është para letrës së hapur të Komitetit Qendror më 1966, kur më thërriti në zyrë Rexhep Kolli. Më foli që Lym Keta, kishte përfunduar në armiqësi, kishte vendosur të arratisej jashtë shtetit. Që të evitohej kjo, ngarkohem që ta ndiqja dhe në rast tentative për t’u arratisur, do të organizoja vërtetimin e kësaj tendence. Do të përmbahesha, derisa Lymi të merrte drejtimin për të kaluar piramidën.
Rexhep Kolli, më foli për të dhënat që vërtetonin tendencën e arratisjes së Lymit dhe grupit të tij. Në grup me të përmendi edhe Safet Kurtin. Ky sot A.P., partizan, pensionist (oficer rezervë). Po të tentonte të kalonte kufirin, autorizohesha ta vrisja.
Pasi doja të dija me ç’vendim bëhej ky veprim, Rexhepi më lexoi një urdhër, me firmat e Beqir Ballukut dhe të Kadri Hazbiut, ku vendosej të ndiqej Lym Keta, i cili në çastin e tentativës për të kaluar kufirin, të vritej.
Para Rexhep Kollit, u angazhova për detyrën dhe mora përgjegjësi, që do ta sillja më mirë gjallë. Këtë e miratoi edhe Rexhepi, veçse theksoi që ishte autorizimi për ta vrarë, në qoftë se nuk do të dorëzohej. Kam shkuar menjëherë në vendin nga do të kalonte Lymi. Kam pritur me makinë në dispozicion disa ditë e netë, të ura e Matit. Kisha me vete dy a tre shokë, por këta asnjëri nuk dinin detyrën konkrete. Këtë do t’ua thoja unë në çastin e domosdoshëm.
Mbas disa kohësh (më duket nja rreth dy javë), u tërhoqën masat, se Lymi hoqi dorë nga tendenca për t’u arratisur. Këtë ma tha vetë Rexhep Kolli. Dokumentet që flasin mbi këtë veprim, nuk di nëse ekzistojnë ose jo, por Rexhep Kolli, mendoi se mund të japë hollësira të tjera. Më vonë Lym Keta u vra aksidentalisht (!) sikundër dihet, duke udhëtuar me makinë në rrugën Pukë – Fushë Arrëz.
Për bregdetin Kepi Stillos – Llogara, kam informuar në vitin 1971, me cilësinë e zv-kryetarit të Degës Punëve të Brendshme Sarandë, që nuk ishin marrë masat e nevojshme mbrojtëse. Lidhur me këtë, pasi kisha dërguar në Ministri të dhënat dhe konkluzionet që dilnin në atë kohë, pata rastin që të takoja shokun Xhafer Spahiu, që ishte sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. E informova shokun Xhafer, mbi disa hollësira rreth të dhënave që kishim lidhur kjo dhe me faktin që Flota e 6-të Amerikane, rrinte vazhdimisht në ujërat e Korfuzit, përballë Sarandës. Ndërkohë theksova, që më dukej gabim që baza jonë e Marinës Luftarake, në gjiun e Sarandës, ishte krejt e hapur.
Nuk vonoi veçse disa ditë pas këtij informacioni, kur në Sarandë behu Petrit Dume, Muhamet Prodani, e të tjerë pjesëtarë të Shtabit të Korpusit nga Gjirokastra. Më kërkuan në mbledhje, me emër. Në mbledhje, Petrit Dume pezulloi nga detyra shokun Diogjen Gjergji, me motivacionin se kishte bashkëpunuar me mua pa lejen e Ministrisë. Pastaj i kthyer nga unë, u orvat të më trembë, se kisha gabuar që hyra në punët e tyre. Unë u mbrojta duke përmendur shokun Enver dhe mësimet e tij, që i zbatojmë të gjithë për solidaritet armësh, aq më tepër ne, që ngriheshim edhe tre herë në natë për të dhënat e ndryshme që grumbullonim gjatë kufirit tokësor e sidomos atij detar duke qenë ballë përballë armiqve.
Ndërkohë shtova që; të “më falte” ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm (Petrit Dume), se të paktën për këtë çështje, shoku Diogjen Gjergji, jo vetëm nuk kishte asnjë faj, por përkundrazi, na kishte ndihmuar. Prandaj me ndërhyrjet e mia, e paskam ngatërruar, prandaj i thashë Petrit Dumes, që do t’i drejtohesha Kadri Hazbiut, bile edhe shokut Hysni Kapo, në Komitetin Qendror të Partisë, që të më pezullonin mua, në vend të Diogjenit. Në përgjigje, mbaj mend mire, që Petrit Dume ndërroi ton, aty për aty.
“Hë qerrata, qerrata”, tha me të qeshur dhe shtoi që vërtetë ishte krejt normale, që unë me Diogjenin dhe shokët në Sarandë, të ngriheshim dy a tre herë natën, se fundi fundit, tha Petriti -“strategjia jonë, është e mbështetur në shpejtësinë”. I dha mbledhjes ton tjetër, më qetësoi për Diogjenin, se nuk kishte bërë gjë për ta pezulluar, por, tha që ushtria kështu e ka.
Bile, mua me shokë kryesor në rreth (ishte shoku Telo Mezini sekretar i parë), më mori edhe në një banket që shtruan në Butrint. Pas kësaj, më vjen në Degën e Sarandës, shoku Qazim Kondi, me mendimin që kisha informuar vetëm shokun Xhaferr. U sqaruam plotësisht (me dosjen që e mbaja në kasafortë), qe informacioni ishte dërguar rregullisht dhe në kohën e duhur në ministri (Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit dhe ajo e Kufirit).
Shoku Qazim, u ndje krejt dashamirës për këtë informacion, që me sa dukej, do të më kishin kritikuar si për shfaqje të mendjemadhësisë (se këtë kishte në majë të gjuhës Kadri Hazbiu kundër meje), në qoftë se informacioni nuk do të gjendej i dërguar nga dega në ministri. Pas shokut Qazim Kondi, vjen Kadri Hazbiu. Nuk më foli asgjë për këtë informacion, megjithëse unë prisja të më thonte ndonjë gjë, po t’i kishte thënë Petrit Dume, me të cilin pata debatin që deklarova më lart.
Kadri Hazbiu, porositi (në takimet me të), që kur të vinte Beqir Balluku, të kishim kujdes për çdo gjë, sidomos për shëndetin e tij. Na lajmëroi se Beqiri, do të vinte shpejt. Duhej të krijonim kushte sa më të mira. Theksoi që Beqir Balluku, njëkohësisht kishte të drejtën të ndërhynte në çdo punë tonën, si zv/kryetar i Këshillit të Ministrave që ishte.
Iku Kadriu, erdhi Beqir Balluku. E vetmja gjë që mora vesh, ai kërkonte peshk dhe barishte, si dhe me neve, ndryshe nga Petrit Dume, u soll shumë butë. Nuk më foli asgjë për informacionin që i kisha bërë shokut Xhafer dhe dërguar me shkrim ministrisë, për lënien e bregdetit zbuluar dhe të pambrojtur. Hodhi llafe aty këtu, që bregdeti dhe sikur të maskohej, nuk vlen, se ushtritë armike, përmes mjeteve të tyre të zbulimit, sidomos ato me rreze infra të kuqe, kanë aftësi të mëdha zbuluese, ata na zbulojnë sido që të fshihemi.
Këto biseda, i bënte të hapura dhe atëherë ashtu i kuptoja dhe unë, siç i thonte ai armik, ndryshe nga tani, që është e qartë pse ka folur në atë mënyrë. Këtë problem, nuk e kam ngritur deri tani, se mendoja që Kadri Hazbiu do të ishte në rregull dhe këto gjëra, ai i kishte të njohura, por tani që u vërtetua se është armik i egër, i rrezikshëm, po e evidentoi dhe çështjen që shtjellova më sipër, si çështje me të cilën duken të lidhur, si njeri tjetri. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016