Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. Dokumentacioni i plotë, (tashmë i de-klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan atë vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Relacion i ambasadorit shqiptar në Romë, Dashnor Dervishi, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, lidhur me vizitën e Nënë Terezës pranë asaj ambasade, më 7 korrik 1989
R. P. S. SH.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
AMBASADA ROMË
Romë, 7 korrik 1989
Lënda: Informacion për takimin me Madre Terezën në Ambasadën tonë në Romë
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
(Drejtorisë së Parë)
Tiranë
Sot në orën 11.00 erdhi në ambasadën tonë, Madre Tereza e shoqëruar nga dy murgesha. Njëra, i shërbente edhe si përkthyese, meqë ajo nuk dinte shqip.
Që në fillim të bisedës Madre Tereza, tha se dëshiron të shkojë në Shqipëri për të parë varrin e nënës dhe të motrës. Tha se ka dhe një shtëpi, por nuk e dinte se ku ndodhej dhe nëse ekzistonte akoma. Tha se meqenëse nuk kishte ndonjë të afërt për të takuar, e linte në dëshirën e pritësve, për t’i organizuar vizitën në vendin tonë.
Më tej shtoi se do t’i pëlqente që të vizitonte Korçën, Shkodrën, dhe ndonjë vend tjetër që ngjan me qytetin ku ka lindur (Shkupin). Në këto vende, ka dëshirë të vizitojë ndonjë spital, jetimore, azil, dhe varret e të afërmve të saj në Tiranë.
Koha e udhëtimit të saj privat në Shqipëri, do të jetë java e parë e nëntorit, në mënyrë që në datën 13 nëntor, ajo të jetë kthyer nga Shqipëria për në Itali, ku duhet të mbajë një fjalim në Konferencën Ndërkombëtare kushtuar AIDS.
Ajo pyeti për gjendjen e fesë në Shqipëri, nëse kishte kisha ku mund të lutej, ose ndonjë prift që mund të kryente shërbesat fetare, gjatë ditëve që ajo do të ishte në Shqipëri. Pasi u fol nga ana jonë mbi gjendjen e fesë në Shqipëri, Madre Tereza nuk nguli këmbë për sa më sipër, dhe pranoi të vijë me një suore nga Prizreni, por që tani shërben në Evropë në një nga misionet e bamirësisë së saj.
Megjithatë la të kuptohej se ajo shpreson që në të ardhmen, ashtu si në 70 vende të botës (përfshi BRSS) dhe në Shqipëri, mund të krijojë një qendër ku të lërë disa nga suorat e saj për bamirësi.
U pyet nëse kishte ndonjë kërkesë të veçantë për vizitën që do të bëjë. Tha se do të dëshironte që të qëndronte në një hotel ose shtëpi të veçuar, pa bujë e pa publik, të hajë e të pijë gjëra të ftohta, dhe kryesisht vetëm.
Datën e vizitës së saj në Shqipëri e la të papërcaktuar përfundimisht. Tha se nesër do të niset në Afrikë dhe së andejmi në Kalkutë, prej nga suora Serenës, që rri në Romë, do të na shkruajë për datën e nisjes dhe do na dërgojë pasaportën e saj e të shoqërueses, për të marrë vizën.
Madre Tereza, na falenderoi për pritjen dhe nderimet që i’u bënë, dhe veçanërisht për gatishmërinë që po tregohet për vizitën e saj në Shqipëri, për të parë varret e të afërmve.
AMBASADORI
(Dashnor Dervishi)
Relacion i ambasadorit Dashnor Dervishi nga Roma, për ministrin e Punëve të Jashtme, Reiz Malile, lidhur me kërkesën e kineastes me origjine kanadeze që kërkonte të shoqëronte Nënë Terezën gjatë vizitës së saj në Shqipëri
R. P .S. SH.
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
AMBASADA ROMË
Romë, 8.8.1989
MINISTRISË SË JASHTME
( Shokut REIZ MALILE )
TIRANË
Sot në mëngjes, u paraqit në ambasadë prodhuesja e kinematografisë, Jeanette Petrie, me origjinë kanadeze dhe banuese në New York. Ajo, shoqërohej nga dy suora të Nënë Terezës. Pasi dorëzoi një videokasetë mbi jetën dhe veprimtarinë e saj, kërkoi që ta shoqëronte atë gjatë vizitës së Shqipëri.
Me qenë se ishte e pajisur me pasaportë amerikane, i thamë vështirësitë që dalin në këtë drejtim. Ajo u lut që të shihej pozitivisht kërkesa e saj pasi, e ka shoqëruar Nënë Terezën në çdo vizitë. Tha se ka shtetësi kanadeze dhe nxjerr pasaportën kanadeze, do të vijë përsëri ditën e premte.
Lutemi të na njoftoni nëse keni ndonjë porosi të veçantë për të.
Dashnor Dervishi
Artikujt e gazetës “Zëri i Popullit” dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare më 15 gusht 1989, lidhur me vizitën në Shqipëri të bamirëses së njohur, Nënë Tereza
“Zëri i Popullit” 15.8.1989
Mbërriti në Tiranë për një vizitë private, Nënë Tereza.
Mbërriti në Tiranë për një vizitë private bamirësja e njohur shqiptare, mbajtësja e çmimit Nobel për paqe, Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu).
Ajo erdhi në Shqipëri me dëshirën dhe mallin për të parë vendin e vet, si dhe për të bërë homazhe në varret e familjarëve të saj në Tiranë.
Nënë Tereza, ka lindur në Shkup në vitin 1910 nga prindër shqiptarë. Pasi mori arsimin përkatës, punoi disa vjet si mësuese në Kalkuta të Indisë. Më vonë i’u përkushtua tërësisht, veprimtarisë së saj bamirëse në dobi të njerëzve të sëmurë, të varfër, të braktisur, viktimave të luftës, dhe fatkeqësive natyrore në Indi si dhe në shumë vende të botës.
Për veprimtarinë e saj vetëmohuese e plot sakrifica ajo, është nderuar me çmime të larta nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 1979 asaj, iu dha çmimi “Nobel” për paqen.
Në aeroport ajo u prit nga Kryetari i Kryqit të Kuq shqiptar, Ciril Pistoli, nga Kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, e të tjerë.
ATSH
NËNË TEREZA: BASHKOHEM ME DHIMBJEN DHE FATKEQËSINË E POPULLIT TUAJ
Nënë Tereza, njihet gjerësisht si një nga themelueset e krye murgesha e Urdhrit të Bamirësisë. Ju kujtojmë lexuesve se në gusht të 1987 kjo grua e palodhur vizitoi për herë të parë, BRSS me ftesë të Komitetit Sovjetik të Mbrojtjes së Paqes dhe Kishës Ortodokse Ruse. Ajo shkoi në rajonet që u dëmtuan nga avaria në centralin atomik të Çernobilit.
“Bashkohem me fatkeqësinë dhe dhimbjen e popullit tuaj, tha në bisedën me korrespondentin e gazetës “Izvestia”, Nënë Tereza”. “Pasi mësova për tërmetin e tmerrshëm në Armeni, unë ndjeva një dëshpërim të thellë. Më lindi një dëshirë që unë nuk mund ta mposhtja, për të vajtur në Bashkimin Sovjetik. Unë, u luta për shpëtimin e njerëzve. Në veprimtarinë e urdhrit tonë, kryesorja është dhënia e ndihmës me veprime konkrete, sidomos kujdesi për të sëmurët dhe të plagosurit.
Murgeshat bamirëse janë gjithmonë në shërbimin e atyre që vuajnë. Kudo që do ndodhë tragjedia në tokë, ne duhet të jemi aty dhe të ndihmojmë pa interes. Shpresoj se pas meje kjo çështje mund të diskutohet sepse, do të vijnë mjekët dhe infermieret murgesha të urdhrit të bamirësisë sonë. Ato do të sjellin me vete, ngrohtësinë dhe dashurinë shpirtërore. Njerëzit kanë nevojë më shumë për dashuri sesa për bukë. Megjithatë ne do u japim ndihmë edhe në ushqime.
Nënë Tereza krahas vizitës në Armeni, do të zhvillojë këto ditë bisedime dhe do të nënshkruajë një marrëveshje me Komitetin Sovjetik të Mbrojtjes së Paqes, për punën pa shpërblim të motrave të saj murgesha në BRSS. Tashmë është marrë miratimi në parim i Ministrisë së Shëndetësisë së BRSS lidhur me punën e tyre, psh në qendrën pan sovjetike për traumat e shtyllës kurrizore dhe ato në kokë.
Nënë Tereza i’u përgjigj thirrjes për të punuar vetë personalisht në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti në Armeni. Ajo ka shprehur dëshirën që gjatë vizitës të punojë në një nga spitalet e Moskës ku janë shtruar të plagosur nga Armenia. Ajo, e quan detyrë të saj të ndihmojë dhe të kujdeset për ta në të ardhmen.
(Marrë nga gazeta “Izvestia” datë 17 dhjetor 1988)
Shkrimi i gazetës sovjetike “PRAVDA”, lidhur me vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri më 18 dhjetor 1989
NJERËZIT KANË NEVOJË PËR BAMIRËSI
Në Moskë mbërriti Nënë Tereza një nga themelueset dhe krye murgeshat e urdhrit të bamirësisë.
Veprimtarja e njohur shoqërore, mbërriti në BRSS me ftesë të Komitetit Sovjetik të Mbrojtjes së Paqes, lidhur me tërmetin në Armeni dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për punë pa shpërblim në një nga spitalet e Moskës, të katër murgeshave të Urdhrit të Bamirësisë.
Nënë Tereza (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu) është murgeshë e Kishës Katolike Romane në Indi. Me ndihmën e këtij urdhri janë ngritur e ngrihen, shkolla për të varfër, jetimore, azile, etj. Veprimtaria e urdhrit, shtrihet në 87 vende. Në vitin 1979 Nënë Tereza, laureohet me çmimin Nobel të Paqes për veprimtarinë e ndihmesës së njerëzve që vuajnë. Ajo është doktore e Shkencave Teologjike. Vitin e kaluar Nënë Terezës iu dha medalja e artë e nderit “Luftëtarja e Paqes” nga Komiteti Sovjetik i Mbrojtjes së Paqes.
“Respekti dhe dashuria për njeriun, s’ka gjë më të mrekullueshme” shprehej ajo. “Nuk duhen harruar ata që vuajnë, e që janë sëmurë. Dashuria e njeriut për njeriun, shprehet sipas pikëpamjes sonë, në veprime të vogla por aktive, lidhje plagësh, rregullim jastëku të të sëmurit, dhënie ushqimi një familje të uritur, etj. Me një fjalë kjo është dashuri e shprehur me veprime. Kështu mendojnë të gjitha murgeshat e urdhrit tonë që punojnë në dhjetëra vende të botës. Njerëzit kanë nevojë jo për deklarata bamirësie por për vepra të mira”…
Bisedimet e para për nënshkrimin e marrëveshjes u zhvilluan në Komitetin e Mbrojtjes së Paqes. Nënë Tereza shprehu dëshirën për të punuar dy ditë në një nga spitalet e kryeqytetit. Sot e ftuara së bashku me dy ndihmëset e saj, niset për në Armeni, që t’ju shprehu ngushëllimet e simpatinë njerëzve të goditur nga fatkeqësia.
ATSH
(Marrë nga gazeta “Pravda” datë 18 dhjetor 1989)
Shkrimi i revistës jugosllave “Novoje Vremja” për Nënë Terezën më 4 shtator 1987, ku ndodhet dhe një biografi e gjatë e saj
NËNË TEREZA: DASHURIA SHPËTON BOTËN
Fjala “bamirësi” është zhdukur kaq shumë nga leksiku ynë sa në vetë tingëllimin e saj ka diçka arkaike. Duke u sulur drejt kozmosit, duke njohur universin në makro dhe mikro nivelet e tij, duke na u marrë mend nga arritjet, ne kemi lënë në plan të dytë universin Brenda nesh. Kemi harruar se jo vetëm truri dhe dora, por edhe shpirti i njeriut gjithashtu është rezultat i një procesi të gjatë të evoluimit. Gradualisht, fillimisht me ndrojtje, ne i përfshimë ndjenjat e thjeshta njerëzore në kategorinë e “sentimenteve”, të panevojshme të lirë, ato do të mund të ndikojnë për keq në vendimet racionale, qoftë personale qoftë shtetërore.
Përfytyrimi i rrënjosur fort se atdheu socialist ka për detyrë të kujdeset për çdo pjesëtar të vet që nga lindja deri në vdekje në bashkëveprim me plogështinë morale, lind pikërisht atë inerci sociale që është bërë nga problemet e sotme të perestrojkës.
Sa e fortë është te ne dëshira për të kapërcyer Brenda vetvetes plogështinë e mallkuar para fytyrës së padrejtësisë ose të fatkeqësisë dhe sa fort na mban ne akoma shprehja për të justifikuar me thënie e shpëtimtare “E çfarë kam unë në dorë?” ose “Kujt i takon ta bëjë”.
Unë e nisa nga bamirësia që i kundërvihet indiferencës dhe inercisë sociale. Si shkas më shërbeu ardhja në vendin tonë e nënë Terezës dhe biseda me të, e shkurtër, por që të fut në mendime të thella për shumë gjera.
Kush është kjo nënë Tereza?
Është krye murgeshë e Urdhrit të Bamirësisë të themeluar po prej saj. Doktore e Teologjisë, laureate e çmimit “Nobel” të Paqes në vitin 1979 për “Veprimtari në ndihmë të njerëzimit që vuan”.
Tronditesh kur e sheh për herë të parë – sa e dobët dhe e vogël kjo plakë me fytyrë prej fshatareje të nxirë dhe plotë rrudha! Sikur mos të kishte veshur sarin e bardhë indian me bordurë blu, veshje e murgeshave të Urdhrit të Bamirësisë, ajo nuk ka asnjë dallim nga babkat (plakat) tona, që i gjen duke u përkundër në autobusët e linjave tona të gjata, nëpër rrugët e mbushura me pluhur të fshatrave: midis këmbëve trasta të mbushura plot, duar që pushojnë rëndë mbi gjunjë.
Çfarë duarsh ka nënë Tereza – të mëdha duke pasur parasysh shtatin, që kanë parë mjaft punë, të fryra! Vallë kështu i kanë duart doktorët e teologjisë, laureate e çmimeve “Nobel”? Ajo qesh në përgjigje – të qeshurën e ka të gëzuar, të sinqertë. Vallë u lejohet murgeshave të qeshin? Vallë a nuk duhet ato të ecin me sy të ulur duke luajtur me tespihe gjatë gjithë kohës? Tespihet në fakt i ka në duar…
“Ne gjithçka e bëjmë me duart tona”, thotë ajo. “Le të jetë ndihma më modeste, por e dhënë me një dashuri të madhe. Madje edhe thjeshtë buzëqeshje, sepse është një shenjë e dashurisë ndaj njeriut. Dora e zgjatur, sepse ajo është simbol i dashurisë.
Njerëzit kanë nevojë për dashuri, çdo njeri do të dashurojë dhe të dashurohet do të dijë se ai dikujt i nevojitet, se ai dikë mund ta quajë të vetin kurse ne sot nuk kemi as kohë për ta parë tjetrin; për këtë arsye një buzëqeshje e dashur është një dhuratë e madhe, simpatia- një dhuratë e paçmuar.
Ajo tregon një histori, së cilës i pëlqen ta përsërisë shpesh: në një rrugë të Londrës ajo pa një njeri të zymtë dhe pasi iu afrua, e kapi për dore. “Kishte një dorë të ftohtë”, thotë nënë Tereza. “Ai u trondit i befasuar dhe tha:’kisha kohë pa ndjerë ngrohtësinë njerëzore”.
Nënë Tereza flet për gjërat më të thjeshta dhe me fjalët më të thjeshta; ajo ka të drejtë për këtë thjeshtësi të pakufizuar. Të vërtetat e mëdha janë të thjeshta deri në banalitet. Por prirja ndaj tyre nuk është banale.
Nënë Tereza ka lindur në vitin 1910 në Shkup në një familje shqiptare. Emri i saj i lindjes është Anjeze Gonxhe Bojaxhiu. Gjuhë amtare quan serbishten dhe kupton mjaftë mirë rusishten. Luftërat ballkanike dhe më pas Lufta e Parë Botërore, e kaluan vendlindjen e saj në një vend tjetër, ndërsa familjen e saj e shpërndanë nëpër botë. Anjeza u gjend në Irlandë. Qysh e re, ajo hyri në urdhrin katolik “Motrat irlandeze Loreto”. Në vitin 1929 ajo shkoi në Indi si motra Tereza dhe nisi të japë gjeografi në shkollën misionare për vajza.
Por misioni i saj i vërtetë i bamirësisë nisi në ferrin e lagjeve të varfra të Kalkutës, në fillim vetëm, me pas me ndihmën e nxënësve të saj, të cilët më vonë u bënë murgesha të Urdhrit të Bamirësisë. Nënë Tereza mblidhte nëpër rrugë njerëzit që jepnin shpirt jo vetëm ata me shpresë, por edhe pa shpresë.
Në fillim ngrinte një strehë për ata që jepnin shpirt, më pas për jetimët dhe fëmijët e braktisur si dhe spitale e shkolla. Tani në 77 vende të botës punojnë 2.800 murgesha të “Urdhrit të Bamirësisë”. Ka në Indi një zakon të tillë: tek njeriu me shpirt të madh vinë për ta parë njerëz, qoftë edhe nga larg. Kjo quhet “Darshan” – këqyrje. Mendohet se ai që këqyr, qoftë edhe pak, në fund të fundit përfiton nga cilësitë shpirtërore të atij njeriu.
Diçka të ngjashme me “Darshanin” unë provova kur pashë filmin dokumentar “Nënë Tereza”. Shihja duart e nënë Terezës që me shkathtësi dhe për një kohë të gjatë i bënin masazh gjoksit të një fëmije, të nxjerrë nga Bejruti i rrethuar dhe fytyra e shtrembëruar nga një grimasë e tmerrshme nisi të zbutej, ndërsa në sytë e errët shfaqet një shprehje e ndërgjegjshme…!
Pamjet ndjekin njëra- tjetrën, në Etiopinë e shterur nga thatësira, në Guatemalë pas tërmetit, në ferrin e lagjeve të varfra amerikane, përsëri në Bejrutin e shkatërruar nga bombardimet, ku nënë Tereza mblodhi dhe arriti të shpëtonte për çudi 60 fëmijë të gjymtuar dhe të sëmurë. Njëra pas tjetrës kalojnë makinat me flamujt e vegjël, por edhe të mëdhenj, të kryqit të Kuq – që gabimisht të mos hapte kush zjarr. E atje nënë Tereza, të cilën nuk e njihje dot: dukej më e madhe në përmasa, jepte urdhra, që zbatoheshin menjëherë nga ndihmëset vullnetarë që fëmijët të ngarkoheshin sa më shpejt nëpër makina!
“Unë jam mjaft mirënjohëse për këtë dhuratë të mrekullueshme”, tha nënë Tereza në konferencën e shtypit; “për ftesën për të vizituar BS-në. Unë kam ëndërruar për këtë vizitë prej shumë vjetësh dhe ja sot, falë zotit, unë jam këtu midis jush. Zoti e krijoi njeriun për një qëllim – që ai të dojë dhe ta duan. Sot në botë ka shumë të uritur, shumë të pa strehë, uria nuk është vetëm për kafshatën e bukës, por edhe për ngrohtësinë e përkëdhelinë, ndërsa mungesa e strehës mbi kokë është edhe ndjenjë se je i panevojshëm dhe i braktisur. Sado e tmerrshme që ishte uria në Etiopi, ne atje ndamë ushqime dhe arritën të shpëtonim shumë vetë. Por si mund të shuash vuajtjet e të vetmuarve, të padëshiruarve, të privuarve, të sëmurëve me leprozë ose me sëmundjen e re të tmerrshme SIDA, të të gjithë atyre që shoqëria i ka flakur si të panevojshëm. Ja kjo është uria e sotme. Ne dhe ju kemi për detyrë të tregohemi bamirës ndaj këtyre njerëzve. Mund të mos synosh vepra të mëdha, mjaftojnë edhe të vogla, por me zemër dhe dashuri.
Unë kam shkuar në fshatra ku ishin vendosur njerëzit që ishin prekur nga avaria e Çernobilit dhe që ishin detyruar të linin vendlindjet e tyre. Unë isha e lumtur kur pashë se me sa kujdes dhe vëmendje ishin rrethuar ata. Mua më treguan se si në atë fatkeqësi të tmerrshme të gjithë u sulën drejt tyre për t’i ndihmuar. Është e mrekullueshme dashuria me të cilën vijnë njerëzit për të ndihmuar në rast fatkeqësish”.
Duke dëgjuar fjalët e nënë Terezës, të thjeshtë e të sinqerta, edhe unë kujtova Çernobilin, fatkeqësisht që goditi dimrin e kaluar Gjeorgjinë, ato situate kur, sapo bëhej thirrje se duhej ndihmë, nga i gjithë vendi ofrohej ndihma njerëzish, parash dhe veshjesh të ngrohta. Ndoshta ne kemi nevojë për bamirësi. Duhet të bëjmë më shumë vepra të mira e të nevojshme, të punojmë duke vënë në shërbim gjithë shpirtin tonë. T’i hapim rrugë ndjenjës së lartë të simpatisë jo nëpër rrugët e ndryshme burokratike, por siç na i kërkojnë zemra, traditat shekullore të bamirësisë për të mirën e njeriut, pra për të mirën e shoqërinë tonë. Nuk duhet të harrojmë se bamirësia ndihmon edhe ata që kanë nevojë për të, edhe atë që e jep me shpirt të pastër.
Ne të gjithë ju gëzuam krijimit të Fondit sovjetik për fëmijët me emrin e Leninit. Përse të mos mendohet për krijimin e një fondi bamirësie, anëtarët e të cilët një ose dy orë në javë të shkojnë të japin ndihmën e tyre në spitalet, në azilet, në jetimoret, të vizitonin të vetmuarit dhe të sëmurët? Përfytyroni sa njerëz me gëzim do ta bënin këtë. Ka mjaft të drejtë nënë Tereza të duash është lumturi.
- “Dashuria nuk mund të kufizohet vetëm në vendin tënd ose në ndonjë vend tjetër, në të gjithë jemi të lidhur me njëri – tjetrin, i takojmë njëri-tjetrit dhe e kemi për detyrë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Këtu qëndron kuptimi i luftës për paqe dhe njerëzimi kurrë nuk ka pasur aq shumë nevojë për paqe se sa tani”, thotë plot bindje nënë Tereza.
Ajo e quan Indinë atdhe të saj të dytë, ndërsa njerëzimin familjen e saj. Për nënë Terezën kjo nuk është një frazë – fraza të bujshme nuk i nxë goja e saj – kjo është kredoja e saj e konfirmuar me punën gjatë gjithë jetës së saj. Ajo që ka parë kaq shumë vuajtje dhe dhimbje u drejtohet gazetarëve:
“Ju duhet të përpiqeni të shkruani për bukurinë e jetës, që t’u ngjallin njerëzve gëzim, dashuri dhe shpresë, pasi njeriu lind që të jetojë në gëzim dhe paqe. Paqe në shtëpi dhe paqe në botë”. Është e vështirë të transmetosh forcën e bindjes së nënë Terezës në atë se dashuria do ta shpëtojë botën. Siç thotë ajo: ne, ndoshta, kemi nevojë më pak për bukën e gojës, sesa për dashuri, bamirësi dhe mëshirë. Memorie.al
(Marrë nga revista”Novoje Vremja”, datë 4 shtator 1987, shkruar nga Marjam Sallganik).
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016