Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatëmbëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën kontroll të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Raqi Zavalani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vigjilenti”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe Hulusi Spahiut në rrethin e Vlorës, ku ata ishin të internuar
Marrë nga P.Op. Raqi Zavalani
Dhënë nga B.p. “Vigjilenti”
Vlorë, më 21.10.1957
I N F O R M A C I O N
Sipas udhëzimeve që m’u dhanë, ai duke i’u përmbajtur këtyre, në fillim fitoi besimin e menjëhershëm të Tuk Jakovës, i cili që në ditët e para më besoi dhe filloi të bisedonte me mua. Ndërsa Hulusi Spahiu, ditët e para u tregua mjaft i rezervuar dhe me dyshime mbi vajtjen teme tek ata, por si qëndrimi i im dhe sidomos qëndrimi i mirë dhe besues i Tuk Jakovës karshi meje, edhe Hulusiu më në fund më besoi se isha i tyre, duke m’u shprehur në këtë mënyrë: “Në fillim kujtova se duheshe të ishe futur te ne me qëllim, se këta (Sigurimi), paguajn çdo gjë vetëm të futin agjenturë tek neve”. Që nga vajtja ime atje dhe deri tani, në përgjithësi, si nga Tuku dhe nga Hulusiu, janë zhvilluar bisedimet e mëposhtme, të cilat janë aprovuar edhe nga ana ime:
– Duke folur për shokun Enver Hoxha, si Tuku dhe Hulusiu, thonë: “Enveri nuk ka luftuar, nuk e ka parë luftën, ai ka ndenjur mbyllur, me tregtarin Xhevdet Selfo, etj. Prapaskena e Beratit, nuk ka qenë asgjë, vetëm se e krijuar nga Enver Hoxha. Ai ka vepruar si i ka dashur qejfi dhe ka vënë në grindje Koci Xoxen dhe Liri Gegën, për vendin e dytë.
– Në Berat, jugosllavët nuk ndërhynë dhe po të donin ata, edhe ndërhynin. Po kështu dhe në Plenumin e VIII-të nuk ka pasur ndërhyrje nga Jugosllavët. Enveri nuk ka qenë i izoluar dhe të gjitha vrasjet dhe krimet që janë bërë në atë kohë, janë bërë me dijeninë e Enverit. Enveri ja mbështeti të gjitha veprimet Koci Xoxes. Nako Spiro u vra se u imponua nga Enveri, Enveri nuk luftoi dhe tani me dallavere po qëndron”.
– Tuka Jakova, duke folur në lidhje me udhëheqësin e Partisë, thotë: “Enver Hoxha dominon në Byro. Enveri sistematikisht kritikon anëtarët e Byrosë dhe këta për të mbrojtur pozitat e tyre, nuk e kritikojnë Enverin. Spiro Koleka është burokrat, ndërsa Pilo Peristeri nuk din asgjë”.
– Ndërsa më përpara Tuku sulmonte shokun Enver dhe shokun Mehmet, kohët e fundit ka arritur në konkluzionin se; me asnjë nga udhëheqja nuk mund të punohet. I duhet vënë fshesa të gjithë Byrosë, që të rregullohet situata. Nuk mund t’i falen krimet që kanë bërë. Duhen vënë njerëz të tjerë të rinj në udhëheqje, nuk mund të punosh në asnjë mënyrë me Enver Hoxhën. Udhëheqja e Partisë u korruptua duke u rrethuar në blloqe dhe më të mira. Është krijuar rreth tyre një situatë mjaft e rëndë.
– Në lidhje me ligjshmërinë socialiste, si Tuku dhe Hulusiu, shprehen kështu: “Tek neve ka pasur dhe ka shkelje ligjshmërie. Sali Ormëni, nuk ka vrarë veten, por e kanë vrarë “këta”. Pushkatimi i Liri Gegës dhe Dali Ndreut, nuk është i drejtë, i gjykuan me dyer të mbyllura se ata s’kishin bërë asgjë. Pajo Islamin, e dënuan me 25 vjet, kot, Zija Dibrën me 10 vjet, kot. Dhora Leka – thotë Tuk Jakova, – megjithëqë ka qenë bashkëpunëtore e jugosllavëve, shumë e dënuan me 25 vjet”.
– Si Tuku dhe Hulusiu, parashikojnë ndryshimin e situatës në Shqipëri dhe rishqyrtimin e çështjes së tyre. Ndryshimin, sipas tyre, e presin me ndërhyrjen e Bashkimit Sovjetik dhe me përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë, sepse udhëheqja jugosllave, nuk do të pranojë kurrë të bashkëpunojë me “këta”. Në rast ndryshimi, thotë Tuk Jakova, Enveri prapë do manovrojë. Do të thotë se; Mehmet Shehu dhe Liri Belishova, më kanë penguar të përmirësojë marrëdhëniet me Jugosllavinë, prandaj për të shpëtuar veten, do të sakrifikojë këta.
– Enveri, thotë Hulusiu, prap do të qëndrojë në udhëheqje, se e duan sovjetikët, po kështu, edhe populli e don. Por kjo do të lejohet se s’ka sesi të bëhen menjëherë të gjitha ndryshimet. Hulusia vazhdon duke thënë se; po të hiqet Mehmet Shehu dhe Liri Belishova, Beqir Balluku do të vihet kryeministër, se Beqiri nuk është i përlyer me gabimet e Mehmetit”.
– Në lidhje me grupin antiparti: “Malenkov, Kaganoviç, Molotov”, Tuk Jakova thotë: “Edhe tek ne ka dogmatizëm në udhëheqje. Udhëheqja e jonë nuk e do të renë. Kërkojnë vazhdimisht të udhëheqin me të vjetrën”.
– Duke folur për shokun Mehmet dhe shoqen Liri, Tuku shprehet kështu: “Mehmet Shehu është mjaft ekstremist dhe karrierist. Liri Belishova është llafazane, çifligare, e cila e nxori Mita Jakovën nga Partia, sikur ta nxirrte nga çifligu i saj.
– Në lidhje me artikullin e shokut Enver me rastin e 40 vjetorit të Revolucionit Socialistë të Tetorit, thotë kështu Tuku: “E bënë artikullin se vjen Zhukovi. Këta janë vjetruar shumë. Me artikullin këta i vunë një arnë gjithë veprimtarisë së tyre të gabuar. Artikulli i Enverit u bë për t’i treguar Zhukovit se ky është qëndrimi jonë”.
– Duke folur për udhëheqësit jugosllavë, Hulusi Spahiu flet me mburrje për ta dhe thotë se; ata janë njerëz të luftës, që kanë luftuar edhe në Spanjë heroikisht.
– Në lidhje me Panajot Plakun, Tuk Jakova thotë kështu: “Panajot Plaku bëri mirë që iku. Po të mos ikte dhe ai do të vuante si neve, madje edhe më keq. Arratisja e Panajot Plakut, i rrëzoi shumë “këta”, se ai dinte gjithçka. Panajot Plaku i goditi shumë rëndë me ikjen e tij, sidomos ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe fitoret ekonomike që reklamonin këta.
– Mita më tha se; Panajot Plaku ka ikur në Amerikë. Masa e internimit të izoluar, më erdhi se udhëheqja e partisë mendoi se mos arratisesha si Panajoti. Po të kem dashur dhe të dua, edhe tani arratisemi. Në një natë të errët, me shira, me tufan, deti deri në brez është dhe ikim. Izolimi im erdhi si rezultat i letrës që i dërgova Komitetit Qendror, të cilët shpërdoruan sinqeritetin tem”.
– Duke folur për Dhora Lekën, Tuk Jakova thotë: “Unë u lidha me Jugosllavët, nëpërmjet Dhora Lekës, ndërsa Mita, morri kontakt direkt me Cveton. Jugosllavët tentuan që unë të takohesha me ta, të bashkëpunoja me ta, por unë s’kam dashur t’u nënshtrohem. Dhora Leka ka marrë materiale nga Bedriu dhe u a ka dhënë jugosllavëve. Dhora gjithashtu i ka kërkuar Franos, materialet e Plenumit të XI-të dhe ai i ka gjet dhe ja ka dhënë, Dhora jua dorëzoi jugosllavëve”.
– Tuk Jakova duke folur për Xhafer Vokshin, thotë: “Xhaferi erdhi më takoi në Berat në vigjilje të Konferencës së Tiranës dhe më tha se shkruaji letër Konferencës, por unë nuk pranova, i thashë që po të më dojë Konferenca, të më thërrasë, të them dhe unë fjalën teme”.
– Tuku thotë se në Plenumin e Komitetit Qendror të vitit 1955, është vendosur që unë do të thirresha në Komitetin Qendror. Këtë e ka thënë Xhorxhi Robo, që punon në aparatin e Komitetit Qendror në shtëpinë e Uan Hilës dhe e shoqja e këtij ja tha Mitës.
– Hulusiu na tregoi se e shoqja e tij i kish thënë se; Tahir Kadareja, para pak kohësh kishte takuar Fuat Asqeriun dhe e pyeti se ku është Hulusiu. Kur Fuati i tha se e kanë marrë, Tahiri e pyeti; pse e kanë marrë, mos ka folur gjë, ose ka pirë, Fuati i tha; nuk e di dhe u ndanë. Hulusiu thotë se së bashku me Tahir Kadarenë, kemi ironizuar vendimin e Partisë për planin 15 vjeçar të ullinjve dhe bletëve. Kemi thënë se ç’janë këto vendime në letër, populli don të hajë sot!
– Në lidhje me Ushtrinë, Hulusiu thotë se; Ushtria është me ne, se aty ka shokë të Luftës, shokë të vjetër. Një oficer i Organizim-Mobilizimit të Ministrisë së Mbrojtjes, që kam takuar kur isha në Tiranë, ku më vdiq plaku, më tha se; Ministria e Brendshme ka më shumë forca se Ushtria.
– Hulusiu thotë se Kadri Hazbiu i ka lyer duart me gjak, unë këtë ja kam thënë edhe në sy atij.
– Kur të tre së bashku vajtëm në Vlorë për t’u vizituar tek mjeku, kur u kthyem, Hulusia tha se; gjatë ditës, këta mund të na kenë vënë edhe teknikën përgjuese këtu. Tuku tha se unë e zbulova teknikën në shtëpinë time, nga një zhurmë që fillova të dëgjoja.
– Hulusiu në lidhje me Sejfulla Malëshovën, thotë se; masa e marrë e marrë karshi tij, ka qenë ekstremiste dhe pas dhjetë vjetëve, prapë atë e lanë ashtu. Sipas Mao Ce Dunit, Sejfullai ka pas të drejtë për pikëpamjet e tija, ndërsa këta i thonin akoma armik./Memorie.al
“Vigjilenti”
Vlorë, më 21.11.1957
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016