Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me siglën “Tepër Sekret” e cila i përket vitit 1982, ku Grupi i Instruktorëve të Ushtrisë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dega e Sigurimit të Ushtrisë, zv/ministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe ministri Hekuran Isai, informojnë Komitetin Qendror dhe personalisht Ramiz Alinë, apo sekretarin e Komitetit Qendror, Simon Stefani (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, pas vdekjes së Hysni Kapos), lidhur me: “veprimtari të ndryshme armiqësore dhe spiunazhi” si dhe ngjarje të jashtëzakonshme të ndodhura gjatë atij viti në disa rrethe të vendit, kryesisht ato që ishin nën vartësinë e Degëve të Punëve të Brendshme të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Pogradecit, Kolonjës etj.
Të gjitha dokumentet e plota me raport-informacionet e përpiluara nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar Komitetit Qendror dhe personalisht Ramiz Alisë e Simon Stefanit, duke filluar nga: Dokumenti me informacionin për ngjarjen e Shkodrës, ku nënoficeri i Regjimentit të Artilerisë Kundërajrore, Hasan Sulejman Hyseni, pasi qëlloi katër herë me pistoletë ndaj komandantit të Prapavijës, oficer Hilmi Gavoçit, u nis në drejtim të fshatit Zogaj, ku i veshur si çoban me dele, kaloi klonin, por mbeti i vrarë në përpjekje me forcat e Kufirit, pasi më parë kishte plagosur nënoficerin e Kufirit, Misto Osmani.
Dokumenti me raport-informacionin e Degës së Sigurimit të Ushtrisë, për muajin tetor 1982, ku 37 persona, (oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjës civilë), “implikohen në ngjarjet armiqësore dhe veprimtari spiunazhi”, etj., si: ish-Komandanti i Korpusit të Shkodrës, Tefik Ruçi me detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare të rrethit, i akuzuar si “agjent i UDB-së”, oficer Nasi Bakuli, efektiv i Grupimit të 8-të të Elbasanit, për “agjitacion e propagandë”, etj., oficer Sami Sokoli, petagog i Shkollës së Aviacionit në Vlorë, ndiqet në përpunim aktiv 2/A, për “veprimtari spiunazhi”, etj., Xhelal Stojku, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, punonjës në Ndërmarrjen e Riparimeve të Ushtrisë, akuzohet se: “është tallur me fjalimet e udhëheqësit kryesorë të Partisë”, “oficeri Beqir Xhaxho, efektiv i Shkollës së Lirë, Demës – Fier…,thotë se këta e vranë vetë Mehmet Shehun dhe e trajtojnë popullin si bagëti, oficer Petro Mile, në Brigadën e Këmbësorisë në Himarë, “ka humbur një dokument sekret me planizimin e shërbimit të Kufirit”, oficer Riza Cara, i Shkollë së Lirë Ushtarake në Melan të Peshkopisë, “ka humbur Buletinin nr. 1 të Komitetit Qendror të PPSH-së”, oficer Petrit Jarnexhi, ish-sekretar i organizatës bazë të Partisë së Shkollës “Skënderbej”, “mbante të fshehura materialet e armikut Mehmet Shehu”, oficer Spiro Adhami, Komandanti i Akademisë Ushtarake, “mbante në kasafortë dokumente të armikut Kadri Hazbiu”, etj.
Dokumenti me raport-informacionin ku për periudhën janar-nëntor 1982, forcat e Kufirit të Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe Sarandës, kanë kapur 16 mjete detare të huaja me 49 persona në bord, (italianë, grekë, australianë, gjermano-perëndimorë, etj.), që ishin futur në ujërat tona territoriale, “gjoja për shëtitje turistike”, vrasja nga forcat e kufirit të dy shtetasve italianë afër pikës ushtarake të Kakomesë dhe Gjirin e Karaburunit, për: “shkelje të kufirit, veprimtari spiunazhi, kontrabandë”, etj., kapja e një numri të madh shkelësish brenda territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, “pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj., me qëllim zbarkimi siç ndodhi me bandën Xhevdet Mustafa”, etj.,
Raport-informacioni për katër sportistët: Ali Kastrati, Arjan Bimo, Halim Durimi dhe Petro Ruci, të cilët i përkasin ekipeve të futbollit: “Partizani”-, “Shkëndija”, “17 Nëntori”, dhe “Flamurtari”-, ku gjatë aktiviteteve sportive të zhvilluara jashtë shtetit, “kanë marrë me vete sasi të mëdha valute, duke blerë mallra të ndryshme dhe gjatë kthimit, janë kapur nga organet tona doganore, i pasi i kanë futur ato kontrabandë”, etj.
Raport-informacioni për ngjarjen e jashtëzakonshme të ndodhur në mesin e muajt tetor të vitit 1982, kur në afërsi të Bazës së Ushtarake të Pashalimanit, “u diktua një nëndetëse e huaj dhe megjithëse Flota Luftarake Detare, mori urdhër ta detyronte atë ta dilte në sipërfaqe dhe më pas ta qëllonte, ajo nuk e kreu këtë detyrë luftarake, për shkak të…”!
Raport-informacioni për oficerin Nasi Bakuli me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës dhe me detyrën e komandantit të Grupit 155 m/m. në Peqin, efektiv i Brigadës së 3-të të Artilerisë në Elbasan i cili “zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe flet me fjalë fyese kundër fëmijëve të udhëheqjes…”, etj.
Raport-informacioni për “veprimin e lëshimit të 70 km. sipërfaqe ujore palës jugosllave në afërsi të Lumit Buna, nga ana e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Nesti Nases, gjë e cila erdhi pas kontakteve të vazhdueshme disa vjeçare ndërmjet komisioneve përkatëse, lidhur me ngjarjen e vitit 1975, kur një anije jugosllave qëlloi anijen tonë “Ismal Mustafa” dhe vrau kapitenin Fran Ivanaj”, etj.
Fondi: KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(GRUPI I INSTRUKTORËVE TË USHTRISË)
Titulli dhe përmbajtja
INFORMACIONE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË DHE GRUPIT TË INSTRUKTORËVE TË KOMITETIT QENDROR,PËR VEPRIMTARI ARMIQËSORE DHE NGJARJE TË JASHTËZAKONSHME
Relacioni sekret i ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Simon Stefani, lidhur me problemin e shkeljeve të kufijve detarë nga shtetas të huaj, në periudhën janar-nëntor 1982
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
EKZEMPLAR NR 3
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E PARË
NR 4879
Tiranë më 27.11.1982
Lënda: Për shkeljen e kufirit detar dhe disa probleme që lidhen me të.
SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT SIMON STEFANI
TIRANË
Gjatë periudhës Janar – Nëntor 1982, nga patrullat e Flotës Luftarake Detare të Vlorës, Sarandës dhe njësitet e shërbimit të pikës së Kalim Kontrollit të Kufirit në Durrës, janë kapur e shoqëruar për në për në portet detare 16 mjete të huaja lundrimi “turistike” me 49 persona, nga të cilët 9 shtetas grekë, 9 shtetas italianë, 17 austriakë, 8 gjermano-perëndimorë, 2 australianë, 1 holandez, 1 tunizian, 1 maroken, dhe 1 tjetër i paidentifikuar.
Prej tyre 34 janë meshkuj, dhe 15 janë femra. Sipas grup moshave ata paraqiten 2 vetë 10-15 vjeç, 24 vetë 20-30 vjeç, 9 vetë 31-40 vjeç, 10 vetë 41-50 vjeç, dhe 4 vetë mbi 50 vjeç. Sipas nivelit arsimor, 9 vetë me fillore, 3 vetë me 8 vjeçare, 14 vetë me të mesme, dhe 22 me të lartë.
Hetimet paraprake për këta shkelësa kufiri, janë zhvilluar në kushte të lira, në ambientet e hoteleve tona, dhe të mjeteve të tyre, me përjashtim të një shtetasi jugosllav dhe 5 shtetasve italianë, të kapur në Durrës.
Pas hetimeve të zhvilluara 4 nga shtetasit italianë, u dënuan me nga 4-5 vjet heqje lirie, me kusht për “shkelje të paligjshme të kufirit tonë shtetëror”, dhe konfiskimin e dy mjeteve të tyre lundruese. Kurse për një femër italiane si dhe për shtetasin jugosllav, u pushuan hetimet për “rrezikshmëri të vogël shoqërore”.
Këta dhe të dënuarit me kusht, u lanë të lirë, duke i përcjellë për në Itali e Jugosllavi, nëpërmjet pikave të Kufirit në Rinas dhe Hot. Për mungesë bindjeje ndaj patrullave për ruajtjen e kufirit tonë detar, dy nga shkelësit e kufirit janë asgjësuar, nga të cilët 1 ishte shtetas italian me cilësinë e kontrabandistit, vrarë në rajonin e Karaburunit në Vlorë, dhe 1 tjetër shtetas i huaj, i paidentifikuar për mungesë dokumentesh, vrarë në 4.11.1982 në afërsi të pikës ushtarake në Kakome të Sarandës.
Nga këqyrja e vendngjarjes, si dhe nga akt-ekspertimi i sendeve të gjetura në vendngjarje, u konkludua se ai ka ardhur ilegalisht nëpërmjet detit me anë të një lanxhe dyvendëshe të prodhimit grek, duke zbritur në territor për qëllime spiunazhi.
Ndërsa shkeljet e tjera të kufirit për mungesë provash, për veprimtari armiqësore kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, janë lënë të lirë të largohen nga vendi ynë me anë të mjeteve lundruese për në vendet nga kanë ardhur.
Shkelësat e kufirit detar janë justifikuar me pretendimet se: “kanë humbur orientimin për shkak të defekteve teknike, humbjes së orientimit, etj. Për t’i rënë sa më shkurt udhëtimit nga portet italiane, për në ishujt grekë ose anasjelltas, etj”.
Në motoskafët lundruese “turistike” italiane, gjermane, dhe australiane, kanë tërhequr vëmendjen tonë pajisjet e pelengimit, ndërlidhjes, fotografimit, e vrojtimit, dhe sidomos shënimet e ekuipazhit Italian, i cili në hartat e punës kishin hedhur kursin e lundrimit në pikat e qëndrimit në afërsi të bregdetit tonë nga Kepi i Gjuhëzës deri në afërsi të Kanalit e Vivarit, në afërsi të të cilave ndodhen reparte ushtarake dhe zona të ndaluara të bregdetit tonë, të cilat janë objekt studimi e vrojtimi për Zbulimet e huaja dhe vende të mundshme për zbarkim bandash.
Gjatë kësaj periudhe, kufirin tonë detar e kanë shkelur në mbi 70 raste, 80 mjete të tjera peshkimi e turistike greke, e me flamujt të shteteve perëndimore, rreth 150 persona që kanë ardhur me drejtim nga Korfuzi dhe kanë hyrë në Gjirin e Sarandës. Pas paralajmërimeve tona ata, janë larguar në drejtim të Korfuzit.
Në disa raste peshkatarët grekë ju kanë kërkuar peshkatarëve tanë në gjueti “për t’u miqësuar si kolegë të një profesioni ju kanë ofruar, çakmakë, stilolapsa, cigare, pije alkoolike, etj.”. Është fiksuar se shkelësat e kufirit detar janë bregëzuar në vende të ndryshme pasi, janë gjetur objekte të ndryshme në ujë. Zonat e imbarkimit të tyre janë Kepi i Rodonit, grykëderdhja e lumit Mat, Karaburuni, Stillo, etj.
Po kështu në këto vende, janë gjetur materiale reaksionare të mbështjella me qese plasmasi të hedhura kundër vendit tonë. Duke u nisur nga më sipër, rezulton se këto shkelje janë bërë me qëllime konkrete diversioniste kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Kjo përforcohet jo vetëm nga numri i mjeteve të lundrimit dhe ekuipazheve të tyre, por edhe nga të dhënat që korrespondojnë organet e Sigurimit me jashtë.
Në situatën aktuale pas zbulimit dhe demaskimit nga Partia të tradhtarëve dhe agjentëve: Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, etj., është mjaft e mundshme që Zbulimet e huaja tatojnë pulsin, njohin situatën për të zbarkuar diversantë, individë e banda të armatosura në bregdetin tonë, ashtu siç vepruan me bandën e Xhevdet Mustafës.
Për këto shkelje e provokacione të tjera në kufirin tokësor me Greqinë, është njoftuar dhe Ministria e Punëve të Jashtme. Gjatë kapjes, shoqërimit, dhe hetimeve, paraprake me shkelësat e kufirit detar, në bazë dhe të porosive të dhëna, nuk ka pasur ndonjë shqetësim në marrëdhënie me ta. Fjeta, ushqimi, dhe karburanti, për raste kur ata kanë pasur nevojë, janë furnizuar me lekë në dorë, me çmimet tona.
Megjithatë, në punën me të kapurit si shkelës të kufirit detar, kanë lindur disa probleme me të cilat mendojmë se kërkojnë zgjidhje:
- Deri tani shkelësat e kufirit detar vendosen në hotelet e turizmit, mjedise këto të papërshtatshme për një punë të efektshme operativo-hetimore me ta. Për rrjedhim nuk bëhet sigurimi i plotë, fizik i tyre, shkelen normat mbi sekretin, nuk zhvillohen hetime me seriozitetin e duhur. Jemi të mendimit që Degët e Punëve të Brendshme Vlorë, Durrës, Lezhë, Pogradec, Korçë, Kolonjë e Gjirokastër, nëpërmjet organeve të pushtetit, të sigurojnë apartamente të nevojshme për këtë qëllim, sikurse kanë disa degë të tjera kufitare.
- Nga kapiteneritë e porteve, nuk i është kushtuar rëndësi ekzaminimit mjekësor të të huajve, gjë që lë shteg për përhapjen e epidemive. Mjekët dhe lokalet e karantinës shfrytëzohen vetëm për ekuipazhet e anijeve të huaja tregtare. Në të ardhmen, është e nevojshme që dhe personat e huaj, të futen portet tona, t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor.
- Nga organet tona në rrethe, dhe kapiteneritë e porteve, në asnjë rast nuk kanë ushtruar gjobitjen kundër këtyre të huajve, të parashikuar nga ligji. Mendojmë që rast pas rasti, dhe në bazë të fajit të kryer, si një masë parandaluese, të aplikohet gjoba ndaj tyre.
- Deri tani mbahen në ruajtje, dy motoskafë të sekuestruar dhe 9 motolanxha e foriborte gome e plastike të gjetura në det nga anijet tona të peshkimit në breg të detit, nga patrullat e shërbimit, e nga banorët, nga të cilat 7 i ka Saranda, 1 Vlora, dhe 3 Durrësi.
Krahas masave nga sektori operativ për zbulimin e shkaqeve të daljes së këtyre mjeteve në tokë, si një mundësi reale për shfrytëzimin e tyre nga bandat e diversantëve për veprimtari armiqësore kundër vendit tonë, mendojmë që për këto mjete të caktohet një rregull, se ku do të ruhen, kush do t’i ruajë, dhe nëse mund t’ju kalojnë për shfrytëzim reparteve ushtarake ose ndërmarrjeve të ndryshme ekonomike.
- Shokët e Marinës në disa raste, pretendojnë se kanë lejuar në mjaft raste të shkeljes së kufirit tonë detar nga anije dhe motoskafë të huaj, të cilët jua janë paraqitur si mjete dhe ekuipazh që shkojnë ose kthehen nga Durrësi me ngarkesë malli për sektorin e Qazim Myftiut.
Kemi mendimin që ky problem, duhet të shikohet me leverdi për mbajtjen hapur ose mbylljen e këtij kanali, sepse shfrytëzohen nga zbulimet e huaja për veprimtari spiunazhi kundër vendit tonë, dhe kontrolli i tyre është i pamjaftueshëm. Memorie.al
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
HEKURAN ISAI
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016