Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al/publikon për herë të parë dokumentet e bujshme arkivore me “dosjen e zezë” të marrëdhënieve shqiptaro-kineze të fillimit të viteve ’60-të, ku ambasadori shqiptar Reiz Malile ka informuar rregullisht Komitetin Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhën, Hysni Kapon, etj, lidhur me sjelljet imorale e shtazarake të dhjetra ushtarakëve, kursantëve dhe specialistëve shqiptarë që ishin në qytete dhe provinca të ndryshme të Kinës, të cilët kryenin akte rrugaçërie duke kapur me forcë e duke përdhunuar vajza kineze, kudo që ato ndodheshin, në ara, fabrika, autobus, mbrëmje vallëzimi etj. Dhe kur pala shqiptare donte që t’i procedonte ata për gjyq, pala kineze nuk ishte dakord dhe kërkonte që ata “të bënin autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës….”?!
Pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Tiranës me Kremlinin në fundin e vitit 1961 dhe fillimin e ’62-it, Enver Hoxha dhe regjimi komunist i Tiranës u lëshuan “në prehrin” e Mao Ce Dunit, duke lidhur një aleancë të fortë me vendin e madh komunist aziatik, me të cilin kishin filluar “flirtet” ,që nga fillimi i viteve ’50-të, kur kryetari Mao, konsolidoi pushtetin e tij. Kështu që nga fillimi i viteve ’60-të dhe deri në mesin e viteve ’70-të, kur Enver Hoxha do të fillonte ftohjen me “vëllezërit kinezë” pas vizitës së Richard Nixonit në Kinë, Pekini zyrtar do të ishte një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, jo vetëm në aspektin politik, por dhe në atë ekonomik e ushtarak, duke i akorduar vendit të vogël e të varfër ballkanik, disa dhjetëra milion dollarë ndihma dhe kredi, ku shumica e tyre ishin falas apo me afat të gjatë shlyerje….!
Në ato dy dekada, qeveria shqiptare i mbështeste të gjitha planet e saj pesëvjeçare, vetëm në saj të ndihmave dhe kredive që jepte qeveria kineze dhe në këtë kuadër, përveç industrisë ushtarake si: Uzina e Artilerisë në Tiranë, Kombinati i Armatimeve në Poliçan të Skraparit, aeroportet ushtarake të Gjadrit e Kuçovës, bazave ushtarake detare të Porto-Palermos, Shëngjinit etj., në ato vite u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim pothuaj të gjitha veprat industriale në Shqipëri, si: Uzina e Naftës dhe e Gazit në Ballsh, Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzë dhe Komanit, Kombinati Kimiko Metalurgjik i Laçit, Radio-Televizioni Shqiptar, fabrika e Letrës në Lezhë, Uzina e Telit në Shkodër, etj, uzina e fabrika të vogla në të gjithë Shqipërinë, në të cilat punuan specialistët dhe inxhinierët kinezë me përkushtim dhe korrektesën më të madhe.
Po kështu, për vënien në funksionim të këtyre veprave të mëdha industriale Republika Popullore e Kinës, morri përsipër edhe shkollimin e specializimin e qindra kuadrove shqiptarë, civile dhe ushtarak, në Republikën Popullor të Kinës. Këto tashmë janë të njohura nga brezi që e ka jetuar në atë kohë dhe ato janë të pasqyruara edhe në mjetet e informimit publik dhe propagandës të asaj kohe. Por e gjitha ajo “miqësi e pathyeshme” dhe e ngushtë midis dy “partive motra”, ka pasur edhe anën të errët të saj, e cila është mbajtur e fshehtë dhe nuk është bërë publike në ato vite. Bëhet fjalë për sjelljen imorale dhe qëndrimin e ushtarakëve, kursantëve e specialistëve shqiptarë, kuadro inxhiniero-teknik që asokohe, ishin në Republikën Popullore të Kinës, ku disa prej tyre, janë sjellë në mënyrën më të shëmtuar, duke bërë përdhunime të vajzave dhe grave kineze, kudo ku ato ndodheshin fabrika, kantiere, autobus, stalla lopësh, mbrëmje vallëzimi, ekskursione etj, aq sa një pjesë e tyre, sipas raporteve të “shokëve kinezë” ishin bërë “tmerri i rajoneve…”?!. Të gjitha këto janë të pasqyruara me detaje në dhjetëra raporte e informacione që ambasada shqiptare në Pekin, ia ka dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, me anë të ambasadorit Reiz Malile dhe ato janë parë e firmosur me shënimet përkatëse nga vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo etj. Në këtë “dosje të zezë” të marrëdhënieve shqiptaro kineze, e cila ka siglën “Tepër sekret” dhe përmban një korrespodencë të gjatë me raport-informacione të firmosura, nga ambasadori shqiptar në Pekin, Reiz Malile, atasheu ushtarak Elami Hado, drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, etj, Ku sipas raporteve në fjalë, “vajzat kineze kur përdhunoheshin, nuk bërtisnin, pasi nuk donin që të prishej miqësia shqiptaro-kineze” dhe kur pala shqiptare insistonte, që ata që kishin kryer këto akte të shëmtuara, të procedoheshin penalisht e t’i jepeshin gjyqit, “shokët kinezë” nuk ishin dakord me këtë masë të rëndë, por insistonin që ata “të bënin një autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës”…?! Lidhur me këtë dhe të tjera nga kjo “dosje e zezë”, na njohin disa prej dokumenteve arkivore sekretet, që po publikojmë.
Vijon nga numëri i kaluar
PJESE NGA PROCES-VERBALI I MBAJTUR NE KINE NGA AMBASADA SHQIPTARE DHE AUTORITETET KINEZE LIDHUR ME PËRDHUNIMET…
Këto u shkaktuan këtu në Cun-Cin dhe për këtë neve nënpunësat e Degës së Jashtme dhe drejtoria e uzinavet mbajmë përgjegjësi të plotë.
- Neve i kemi theksuar këto raste në mbledhjet javore të cilët i kemi bërë të rregullta si në uzinën Nr. 2 ku shokët e drejtorisë bashkëpunojnë edhe me shokun Dautaj për çdo çështje.
- Për çështjet e veçanta është biseduar edhe me përgjegjëset, si me Thomajn dhe shokun Sherko gjithashtu dhe për të tjerët. Dautaj i ka kritikuar por edhe shoku Sherko ka bërë një farë pune në këtë drejtim.
Kur erdhi shoku Hado në Cun Cin nuk ishin keqësuar kaq shumë marrëdhëniet me gratë dhe për këto nuk u tha. Kur erdhi shoku Puli ne menduam se përgjegjësat e grupeve e dinin dhe do t’i kenë raportuar atij. P.sh. shoku Sherko i di të gjitha këto raste dhe njëherë kërkoi makinën për të ndjekur disa praktikantë dhe t’i kapte në qytet.
Kur ngjau çështja e B….shoku Dautaj dhe shoku Sherko u shprehën në drekën e shtruar se ky veprim është në dëm të popullit kinez dhe popullit shqiptar. Ne sipas mësimeve të shokut Mao Ce Dun i ndamë mirë çështjet njëra nga tjetra. Ne u shprehëm sipas fjalëve të shokut Mao Ce Dun se nga e keqja del e mira, kështu vepruam por nuk patëm rezultate më mbrapa. Në drekën e shtruar përgjegjësat e grupeve u shprehën se do t’i evidentonin këto raste dhe premtuan se nuk do të ndodhnin më të tilla, të cilat prishin miqësinë tonë.
Për fat të keq edhe më mbrapa u përsëritën këto gabime. Unë mendoj se shoku ambasador dhe shoku Atashe dhe përgjegjësat e grupeve do të na kuptojnë neve drejt. Ne kemi një ide të përbashkët. Ne na prek thellë çdo gabim i shokëve shqiptarë. Veprimet e mësipërme nuk janë të denja, bile disa janë edhe për t’ja paraqitur gjyqit. Kështu miqësia jonë do të forcohet më shumë.
Jam i bindur se shokët shqiptarë që merren direkt me përgatitjen e praktikantëve do të venë akoma më shumë forcat për të kryer akoma me nder. Drejtoria e uzinave dhe personeli inxhiniero-teknik do të vënë të gjitha forcat për përgatitje sa më të mirë të praktikantëve.
U lutem shok në qoftë se do të keni pikëpamje të tjera në lidhje me disa nga këto çështje, mund të na i thoni.
Shoku Nela: Shpreh falënderimet më të thella për punën e bërë nga ana e shokëve kinezë me kursantët tanë, si dhe keqardhjen e thellë për shqetësimet e sjella. Ai tha se aktet e disa kursantëve nuk pajtohen me karakterin e popullit tonë, dhe as me edukatën e Partisë sonë. Ka gabime sërish si ato të vagabondazhit, shkelje të disiplinës dhe të rregullave të fabrikës dhe ndonjë shprehje politike të gabuar, të pa pajtuar me edukatën që na jep Partia jonë.
Ka edhe gjëra të vogla, sidoqoftë shoku Lin nuk bëri keq që i tha. Do të kishte qenë më mirë për gabimet e bëra të ishte sinjalizuar me kohë. Me qëllim që të shikohej gjendja në vend këtu ka ardhur atasheu ushtarak dhe sekretari i parë i ambasadës. Atë ditë ishin me shokët kinez dhe natyrisht ishin të gatshëm që të dëgjonin vërejtjet e tyre si vëllezër të vërtetë. Përgjegjësat e grupeve, në rast se i kanë ditur të gjitha këto kanë bërë gabim që nuk na i kanë thënë. Shoku Reiz theksoj se atë e çudit fakti se gjëra të tilla serioze nuk kanë dalë në qendrat e tjera ku ne kemi studentë dhe kursantë ushtarak.
Lidhur me miqësinë ai tha se miqësia jonë është kalitur kundra armikut të përbashkët, në luftë kundra imperializmit dhe revizionizmit dhe jo një mizë, por asgjë nuk do ta cënojë sadopak atë. Mund të ketë gabime, mungesa, mbeturina mikroborgjeze në individë, por asgjë nuk e prek miqësinë tonë të sinqertë. Partia e Punës së Shqipërisë dhe populli ynë miqësinë me popullin kinez me në krye shokun Mao Ce Dun e ruan si gjënë më të shtrenjtë dhe do ta forcojë atë kurdoherë.
Ne kështu i edukojmë njërzit tanë dhe kështu do t’i edukojmë gjithmonë. Neve do t’i studiojmë materialet e paraqitura nga shoku Lin dhe në mbledhjen e ardhshme do të japim mendimin tonë.
Nën Ministri i Jashtëm, Gen Piao:
Unë kam lexuar materialet e të dy drejtorive dhe të Degës së Jashtëm, unë mendoj se ky material nuk është studiuar mirë. Ka materiale të papërshtatshme. Por gjithë materiali është mbledhur nga burime të mirë informuara. Neve do të mbledhim materiale të tjera. Hiqmet L. futi mizën në gjellë dhe ju tha kuzhinierëve se ju nuk punoni pastër, disa e panë dhe ky është gjest i keq. Shoku Lin dhe se veprimet kanë dëmtuar autoritetin e PPSH-së dhe popullit shqiptar, unë them se për këtë duhet të mendohemi pak, unë mendoj se disa që i kanë parë gjërat mund të mendojnë kështu, por jo të gjithë punëtorët. Edhe unë ju siguroj se këto nuk mund të influencojnë në miqësinë. Miqësia jonë është luftarake dhe do të jetë në shekuj.
Nën / kol. Avdulla Dautaj
Në emër të praktikantëve të dy kolektivave që specializohen këtu në uzinat tuaja, e ndjej për detyrë që të falenderoj përzemërsisht të gjithë personelin inxhinierio-teknik të uzinës dhe punëtorët, komitetin e partisë së uzinës dhe drejtoritë e tyre. Njëkohësisht falenderoj komitetin e partisë të qytetit Cun-Cin dhe degën e punëve të Jashtme për punën e gjithanshme dhe të pakursyer që kanë dhënë për të specializuar brenda afatit dhe më mirë specialistët e ardhshëm të industrisë së mbrojtjes në vendin tonë.
Vlen të theksohet ndihma e paçmuar e shokëve kinezë të cilët nuk kanë kursyer asgjë për të përgatitur shokët tanë në një nivel më të lartë.
Ne kërkojmë falje për disa raste pakënaqësish që janë shprehur nga ana e praktikantëve dhe që nuk kanë pasur bazë.
Këto raste ne i kemi goditur dhe u kemi dhënë sqarime.
Kjo është pikëpamja jonë për sa i përket punës dhe jetesës.
Në fjalën e shokut Li me të drejtë u ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me sjelljet e praktikantëve në marrëdhëniet me popullin dhe sidomos me gratë.
Ne jemi dakord që disa praktikantë në këtë drejtim kanë treguar një sjellje të dobët, por mendojmë se këta janë vetëm një pakicë. Ashtu siç u përmend më lart burimi i këtyre është puna e dobët edukative, e cila nuk ka qenë e mjaftueshme nga ana jonë dhe mungesa e një bashkëpunimi të ngushtë për këtë çështje nga shokët kinezë.
Nga sa tha mbrëmë shoku Lin në lidhje më këto çështje, rezulton se një pjesë e tyre që kanë ndodhur, neve nuk i dimë dhe vetëm mbrëmë i dëgjuam për herë të parë, sado që këto kanë ndodhur para një kohe pak a shumë të gjatë. Nuk ka dyshim se nga praktikantët tanë janë kryer faje të rënda si p.sh. veprimet e kryera nga Pandeli M., Abedin. M., Kozma Sh. etj., etj. Janë pikërisht ashtu siç u thanë në raportin e shokut Li. Veprimet e tyre ne i kemi goditur, duke marrë masa partie dhe duke i kritikuar rëndë para kolektivit dhe dënime të tjera administrative sipas kompetencave tona. Por edhe ne kemi qenë të një mendimi se shokët kinezë për të edukuar njerëzit…./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016