Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat mbajnë siglën “Tepër sekret” dhe që i përkasin vitit vitit 1982, ku ndodhen disa raport informacione të anëtarit të Byrosë Politike, Spiro Koleka, sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Vangjel Çerrava, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Korçës, Enver Halili etj., dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me mbledhjet e komiteteve të Partisë së Pogradecit dhe Korçës, Degëve të Punëve të Brendëshme të këtyre rretheve etj., ku ata kishin marrë pjesë si të deleguar të Komitetit Qëndror. Çfarë u diskutua në ato mbledhje ku u analizua letra e Enver Hoxhës lidhur me “Tablonë sinoptike”, për “armiqtë e tradhëtarët, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, etj., si dhe raport-informacione nga instruktorë të Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me letrat denoncuese që kishin ardhur në sektorin që ata mbulonin, për “krerët kryesorë të grupit armiqësor” me në krye Kadri Hazbiun!
Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 40 vjetësh vazhdohet të diskutohet ende, me porosi të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë në mbarë vëndin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej: “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar: “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?! Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentash me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qëndror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendëshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ish-kryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmëndur me dhjetra emra, si; ushtarakë, qeveritarë, funksionarë të lartë partiakë, etj., etj. Po kështu, këto mbledhje u intesifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tre dekada me rradhë kishte mbajtur postin delikat të Ministrit të Brendshëm), Ministri i Punëve të Brendëshme, Feçor Shehu, Ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, zv/ Ministri i Punëve të Brendëshme për Sigurimin e Shtetit, Mihallaq Ziçishti, etj., ku dhe ndaj tyre u përsërit e njëjta tablo, si me ish-kryeministrin Mehmet Shehu. Dhe pas zhvillimit të këtyre mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas i’a kanë dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, Memorie.al disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qëndror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qëndror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty. Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qëndror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendëshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze që Memorie.al e disponon të plotë, në tre numrat e kaluar kemi publikuar raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qëndror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982. Për të vazhduar në vijim, (në tre shkrime rradhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës), lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës, si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj., me punonjës të Sigurimit e persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë. Por siç do të shohim edhe në dokumentin arkivor që po publikojmë në shkrimin e mëposhtëm, akuzat dhe denoncimet ndaj Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, nuk janë bërë vetëm pas arrestimit të tyre në vitin 1982, por ndaj tyre ka pasur informacione, akuza dhe denoncime edhe vite më parë, gjatë kohës që ata ishin ende në detyrë në postet ministrore, gjë e cila vërtetohet më së miri edhe nga dokumenti në fjalë, ku rezulton se Enver Hoxha me anë sekretarëve të organizatave bazë dhe komiteteve të partive që ekzistonin në çdo dikaster, si dhe rrjetit të madh të instruktorëve të partisë që mvareshin prej tyre, “në rrugë partie”, merrte rregullisht raporte, letra dhe informacione të detajuara prej tyre. Pra në një farë mënyre, me anë të këtij “mekanizmi”, Enver Hoxha dublonte Sigurimin e Shtetit, i cili gjithashtu ishte nën kontrollin e rreptë të Partisë dhe çdo informacion, raport, relacion, letra të ndryshme, etj., etj., ishte i detyruar që t’ia niste “në rrugë partie” udhëheqjes së lartë në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Një nga këto raport-informacione sekrete, “në rrugë partie”, është dhe ky që po publikojmë në këtë shkrim dhe që mban datën 5 janar 1982, pra vetëm dy javë pas ngjarjes së ndodhur me kryeministrin Mehmet Shehu, ku instruktori i Komitetit Qëndror, të PPSH-së, K.Z. që mbulonte Sigurimin e Shtetit, ka informuar eprorët e tij, lidhur me një “informacion”, të cilën i’a ka servirur para pak ditësh, një pensionist, I.N. ish-kuadër i Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Informacion i cili bën fjalë rreth një ngjarje të largët të vitit 1973, kur ai shërbente në ambasadën shqiptare në Vienë dhe që sipas tij, “implikonte” kunetërit e Feçor Shehut që asokohe mbanin funksione të larta në Sigurimin e Shtetit, në Ushtri etj, si dhe vetë Feçorin, të cilin e akuzon për “përftime materiale dhe shpërdorim posti”, gjë për të cilën asokohe ai kishte informuar direkt, ministrin Kadri Kazbiu dhe para tij kishte biseduar edhe me vetë Feçorin. Për më shumë rreth këtij “raport-informacioni”, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin po e publikojmë të plotë, por disa emra i kemi dhënë me iniciale, pasi ata janë rastësorë apo viktima të indoktrinimit, intrigave dhe luftës për pushtet në klanet e udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe.
Letra e instruktorit të Komitetit Qëndror të PPSH-së që mbulonte Sigurimin e Shtetit
I N F O R M A C I O N
Sekret
Para disa ditësh shoku I.N. ish kuadër (oficer) në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, tani në pension, kërkoi një takim dhe erdhi në aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë e më informoi mbi sa vijon:
“Në vitin 1973, kur unë isha me punë në ambasadën tonë në Vienë, erdhi për mjekime i quajturi Petrit Çobani, që me sa di unë, është kunati i shokut Feçorr Shehu. Më kishte sjellë një rekomandim nga i vëllai i tij, Hamdi Çobani, që atëhere ishte kryetar i degës së Sigurimit të Ushtrisë në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, i cili më porosiste që të kujdesesha gjatë kohës që Petriti do të qëndronte për kurim. Unë, konform rregullave, e porosita Petrit Çobanin që të mos futej në biseda me të huajt, aq më tepër që ishte vetëm në spitalë. Në atë kohë erdhi nga Greqia një i quajtur Ilia Papas, i cili ka qenë diplomat këtu në ambasadën greke, dhe solli për të vizituar të shoqen në të njëjtin spital – të Feligerit – ku ishte dhe Petriti.
Një ditë shoku Dhimitër Karanxha, ishte atëherë atashe shtypi në ambasadën tonë të Vjenës e merrej edhe me të sëmurët që vinin nga Shqipëria, kur shkoi në spitalë, pa se Petrit Çobani qe takuar dhe bisedonte me Ilia Papasin. Për këtë Dhimitri më informoi mua dhe unë njoftova menjëherë me radiogram shokun Jonuz Mersini, i cili ishte drejtor i Drejtorisë së Zbulimit të Ministrisë së Punëve të Brendëshme.
Përveç kësaj, në një rast pas 10-15 ditësh, unë shkova për ta parë Petritin. E kërkova nëpër dhoma por nuk e gjeta. Më në fund duke kërkuar pashë se ishte ulur vetëm për vetëm me një …..?! E pyeta: po ku je more, se më ranë këmbët duke të kërkuar? Më tha ja dola një çikë e po bisedoj me këtë…….?! Flisnin rusisht. Se ç’ishte ajo………. unë nuk e di. Për këtë rast unë nuk informova se nuk e vlersova.
Kur erdha në Shqipëri pas Pleniumit të V-të të Komitetit Qëndror të Partisë më 1975, reagova dhe kërkova takim me Ministrin shokun Kadri Hazbiu. Pasi më dëgjoi për të dy këto raste për Petrit Çobanin, shoku Kadri më porositi që të bëja një shënim operativ, të cilin unë e bëra. Me sa kuptova unë, ky shënim i kishte kaluar shokut Feçor Shehu, sepse më porosi të tij erdhi në Drejtorinë e Zbulimit e më takoi shoku Lirim Pëllumbi. Ai më pyeti se kush ka dijeni për këtë problem? Unë i thashë se për takimin e parë ka dijeni Dhimitër Karanxha dhe drejtoria që unë e njoftova me radiogram, ndërsa për rastin e dytë, asnjeri. Këto, i’a thashë atij, ia kam thënë dhe shokut Kadri Hazbiu. Kaq biseduam me shokun Lirim Pëllumbi.
Tre-katër ditë pas bisedës me këtë shok, rastësisht u takova në korridorin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme, me shokun Feçor Shehu. Ai më tha: ishe te shoku Kadri dhe bisedove, nuk kishte mundësi të bisedoje me mua? Jam në dijeni të atyre gjërave që i the; ka që qëndrojnë, por ka edhe që s’qëndrojnë. Unë i thashë: mund të vija tek ju, por pse vajta tek shoku Kadri, nuk bëra ndonjë gabim.
-Jo, mirë bëre, më kupto drejt – më tha shoku Feçor, po mund të bisedoje dhe me mua, megjithatë mirë bëre.
Kjo bisedë u bë vetëm për vetëm midis ne të dyve dhe nuk zgjati më tepër se 3-4 minuta. Shokut Kadri unë i pata ngritur edhe një problem për shokun Feçor: më 1972-1973 kur ai ishte Drejtor i Sigurimit të Shtetit, Jetnor Rama, ish – atashe tregtar në ambasadën tonë në Vienë, më tha se kishte marrë porosi në telefon nga Sami Muhameti, që të blehej një veturë për shokun Feçor Shehu, “FIAT”, por jo nga ata të serisë që bleheshin vazhdimisht për vëndin tonë.
Shkuam të dy bashkë në firmën përkatëse dhe muarrëm atë makinë që ka patur më parë shoku Feçor, ndryshe nga “FIAT”-et e tjera. Shokut Kadri Hazbiu unë i thashë se përse duhej blerë kjo makinë e veçantë me porosi të Sami Muhametit, kur të gjitha makinat e tjera bliheshin sipas porosive që vinin në rrugë zyrtare nga Shqipëria. Shoku Kadri më tha se për këtë ke shumë të drejtë.
Kur u takova rastësisht në korridorin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme me shokun Feçor, ai më përmëndi edhe çështjen e makinës dhe më tha se ajo puna e makinës qëndron, po llapin njerzit.
Shokut Kadri i kam thënë atëhere se nuk më pëlqen afiniteti që kishte shoku Feçor Shehu me M.T., ndaj të cilit më vonë Partia ka marrë masat si njeri imoral, sidomos për marrëdhëniet….që ka pasur me vajzën e……., me të cilën u kap…….?!
M.T., edhe pse u dënua, vazhdon përsëri të vejë në shtëpinë e kësaj…., e cila jeton në një apartament afër banesës sime. Këtë e kam parë dhe vetë”.
Lidhur me të gjitha këto, shoku I.N. ruan mendimin se shoku Feçor Shehu është hakmarrë ndaj tij dhe atij i’a dedikon kryesisht masat që u muarrën ndaj tij pas kthimit nga Viena. Në fakt, ai u ndëshkua me masë nga Partia dhe u transferua nga Tirana sepse kishte sjellë shumë plaçka nga jashët shtetit, për çka u aplikuan edhe taksa doganore. Pasi doli në pension u kthye përsëri në Tiranë. Para një viti ka pësuar tronditje psiqike, është kuruar dhe është qetësuar. Por përsëri ka momente nga të vuajtjes nga mania e persekutimit.
Për sa i përket çështjes së autoveturës, edhe unë e di që shoku Feçor Shehu është kritikuar. Por më bën përshtypje se edhe makina që ka marrë kohët e fundit është e një porosie të veçantë, ndryshe nga ato që kanë Ministrat e tjerë, ndonëse janë të një marke. /Memorie.al
5.1.1982 Z.K.
Vijon nesër
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016