Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e shtatë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumë anshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Shefi i qeverisë që hipën, është një person shumë interesant: Peshkop Fan Noli, një politikan shqiptaro-amerikan, me simpati për Bashkimin Sovjetik dhe adhurues i zellshëm i asaj partisë, që e cilëson veten si “demokratike”. Fan Noli, vjen nga një fshat i vogël shqiptarë në Thrakë, është edukuar në Amerikë dhe është diplomuar në Universitetin e Harvardit. Baras me aktivitetin e tij politik, ai është fort i interesuar për literaturë dhe përgjigjet për përkthimet shqiptare, nga Shekspiri, Ibsen dhe Blasko Ibanjez. Në Boston ai themelon një Kishë të pavarur shqiptaro-ortodokse dhe kthehet pas shpalljes së pavarësisë në atdheun e tij, ku arsimi i tij i lartë është shumë i nevojshëm.
Ai është përfaqësuesi i Shqipërisë në Gjenevë dhe mbulon një palë poste ministrore. Duket se në Amerikë ai është influencuar shumë nga idetë komuniste. Masa e parë që ai ndërmerr si shef qeverie, është hyrja në lidhje direkte me Bashkimin Sovjetik. Në Moskë, nuk i kanë braktis fare ëndrrat për Adriatikun dhe autoritetet sovjetike, pranojnë me zell ftesën e Fan Nolit, që të dërgojnë një komision në Tiranë. Por ky flirti me Bashkimin Sovjetik, nuk është fatlum. Admiruesit e Ahmet Zogut, fitojnë prapë terren dhe Ahmet Zogu, pasi Fan Noli mori pushtetin, ishte tërhequr në Beograd, mobilizon me ndihmë jugosllave një ushtri të vogël, shpartallon trupat qeveritare dhe në natën e Krishtlindjeve 1924, marshon brenda në Tiranë.
Fan Noli dhe anëtarët e tjerë të qeverisë, arratisen për në Itali. Fan Noli vazhdon pastaj rrugën për Amerikë dhe atje ai vepron pa ndërprerje, si kundërshtari më i ashpër i Mbretit Zog. Peshkopi i talentuar ka shumë simpatizantë brenda kolonisë së emigracionit shqiptarë në Sh.B.A. dhe thuhet se qëndron në lidhje me rrethet e opozicionit, brenda Shqipërisë. Tani ai me ndihmën e pasuesve të tij, nxjerr një gazetë, ku regjimi i Tiranës, kritikohet ashpër në të gjitha format që i shkon ndër mend.
Masa e parë e qeverisë së Fan Nolit, qe thirrja e një komision sovjetik rus. Akti i parë i Ahmet Zogut, pasi u instalua përsëri në detyrën e tije, të nxjerr nga porta këtë komision. Por kohët kanë ndryshuar pas 1924-ës. Ditën time të fundit, nga qëndrimi në Tiranë, u prit në audiencë të plotë, ambasadori i ri i sovjetëve në rezidencën Mbretërore. Ai banonte në të njëjtin hotel, sikurse dhe unë vetë; i vogël, trashaluq, zotëri me pamje inteligjente dhe në frak, të pa qortueshëm. Prezantuesi për përfaqësuesit e huaj, me një uniformë të bukur dhe kapele me pendë, e mori atë në formë solemne me një automobil të madh dhe të hapur. Trupat parakaluan dhe oficerët mbanin për nderë armët, me krenari të madhe, kur Mbreti i uroi mirëseardhjen në fushën e veprimtarisë së tije të re përfaqësuesit.
Nata e Krishtlindjeve 1924, duket se në rrugën e jetës së Ahmet Zogut, ka ecur në një hulli më stabil. Më 22 janar 1925, Asambleja Kombëtare shpall Shqipërinë Republikë dhe Ahmet Zogun, President të Republikës për shtatë vjet. Por tashmë, pas tre vjetësh, mbaron presidentllëku. Një Asamble Kushtetuese kombëtare e re, u mblodh dhe shpall Shqipërinë, Mbretëri të trashëguar, në gusht 1928. Mbreti i parë i Shqipërisë, është Ahmet Zogu. Më 1 shtator 1928, betohet ai, si Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, betim ky në kushtetutën e porsa themeluar.
Kushtoi vëmendje kësaj: Mbreti i Shqiptarëve. Jo shumë kohë përpara, dërgoi qeveria jugosllave një letër në Tiranë, me adresë: “M.T. Zogu I-rë, Mbret i Shqipërisë”. Letra u kthye prapë, me mbishkrimin shumë domethënës: letër marrësi i panjohur. Zogu nuk është Mbret i Shqipërisë por i Shqiptarëvet. Ky është një dallim esencial. Jetojnë afërsisht po aq shumë shqiptarë në Jugosllavi dhe Greqi, sa në Shqipëri. Qeveria shqiptare kurrë nuk e ka pranuar lënien jashtë territorit të saj, këto vende. Zogu është Mbret i gjithë shqiptarëvet. Deputeti Fejzi Alizoti, u përshëndet tashti afër, me stuhi ovacionesh në parlamentin e Tiranës, kur ai shpjegoi, se duhet të konsiderohet ofendim për Madhërinë e tij, të pranoj letër me titull “Mbret i Shqipërisë”.
Sadrazemi dhe hëna miqësore
Kryeqyteti i Mbretit Zog është i çuditshëm, një shoqëri plot me kontrastet, më të çuditshme midis lindjes dhe perëndimit, një qytet i shëmtuar, nëse do si në shtëpi, të ulëta, të thjeshta por edhe një qytet i bukur, me kujtime të papritura prej kohëve të kaluara dhe me rrethina, që të mahnitin dhe me një atmosferë krejtësisht ndryshe, nga kryeqytetet e tjera evropiane. Unë kam dëgjuar në shumë raste se Tirana, karakterizohet si një katund i gjorë Ballkani, por një kësi gjykimi, zbulon fatkeqësisht vetëm një mungesë ndjenjash, se cila përbën në të vërtetë joshjen e qytetit. Nuk janë shtëpiat dhe rrugët, që i jep qytetit ato karakteristika.
Në qoftë ashtu, karakteristika do të jetë e vërtetë dhe emri i bukur dhe poetik i qytetit, një ironi e dhimbshme. Janë njerëzit, banorët e Tiranës, që i dhurojnë Tiranës gjithë atë forcë magjepse të rrallë, thjeshtësinë, shpesh naivë, por gjithmonë njësoj aristokratë dhe gjithnjë simpatikë. Ata janë të gjithë njësoj, prej lustraxhiut deri te shkëlqesia e tij ministri. Kjo është, sigurisht e vërtetë, se si rregull gjithnjë në radhë të pare, janë njerëzit dhe pastaj vjen ambienti i tyre i vdekur, që i jep komunitetit pamjen e saj të veçantë. Por unë njoh shumë qytete dhe vetëm qytete të Ballkanit, ku shtëpi dhe njerëz, që të dy nuk janë tërheqës, me një harmoni lemeritëse me njëra tjetrën, që të bën të imagjinosh se ambienti i ka formuar njerëzit dhe jo, në të kundërtën.
Në shtëpitë e këqija të Tiranës, mbas kangjellave të thyera të dritareve dhe xhamave të pa pastër, po, bile edhe në ata hotelet e vegjël dhe të krupshëm, jetojnë njerëz të mirë dhe të dashur. Ose ata janë të kulturuar, të njerëzishëm dhe mbajnë rroba të pastra, korrekte, ose edhe të mbështjellur në lecka, të papastra dhe qartë pa dijeni. Por kjo është një dallim specifik, në mënyrën dhe sjelljen tek shqiptari rreckaman dhe tek ai italiani ose francezi. Është një pamje e paharrueshme, të shohësh një shqiptarë të veshur me tesha të shqyera, të shëtisë në një rrugë të Tiranës.
Ai mbanë trupin drejt dhe kokën lart gjatë ecjes, që vërteton se ka gjak luftëtari dhe prejardhje krenare. Ai ka një mënyrë të denjë dhe njerzillëk të natyrshëm, që edhe në Suedi, në shtresat më të mira, mund të jetë një dukuri e rrallë. Në këtë pike, ndryshon ai edhe nga vëllezërit e tjerë të Ballkanit, siç duket prandaj ai për kohë të gjatë, më shumë se ndonjë banor tjetër Ballkani, është izoluar prej saj, që ne e quajmë kohë moderne dhe kulturë moderne. Pra kur unë them, se Tirana ka një atmosferë që ndryshon nga kryeqytetet e tjera, nuk janë alpet që e rrethojnë, gratë e mbuluara, lirshmëria e veshjeve, apo xhamit ose dervishët, që krijon këtë atmosferë. Këtë e zbulon, në biseda paqësore dhe intime me banorët, ose në biseda që zhvillohen rreth filxhanëve te nxehtë të kafes, në një shtëpi private, pas banakut të dyqanit ose në ndonjë restaurant primitiv.
***
Në atë veturën e bukur dhe me shoferin rreckaman, që me mirësjellje si ciceron edhe pa u kuptuar, arritëm pra, zonja ime dhe unë, prej Durrësi në Tiranë, ku menjëherë u përpoqëm të kontrollojmë mundësitë për hotel të qytetit. U duk se, Tirana ka një numër hotelesh të zakonshëm, me karakter Ballkani d.m.th., të papëlqyeshëm, pajisje të ndyta, ku pronarit nuk i duket fare e natyrshme, me dhënë krejt dhomën, vetëm dy personave, por veç një, që plotëson kushtet moderne evropiane: “Kontinental”, në afërsi të rezidencës Mbretërore. Pronari i hotelit është italian, i cili ka sjellë si pasojë, që të bëhet një vend takimi i natyrshëm për koloninë italiane.
Kolonia ka të gjitha arsyet me ndier kënaqësi. Shërbimi është italian, kuzhina italiane dhe pronari, deri në atë gradë italian, sa që pas dy minutash pas ardhjes tone, vizitoi zonjën time me një buqetë të madhe trëndafilash. Ky është një hotel i bukur dhe i rregullt, me banjë, ujë të ngrohët dhe të ftohët dhe një kopsht të vogël, i rrethuar me një mur të mbuluar me copa xhamash të mprehtë. Përveç kësaj, është një hotel origjinal. Burri me uniformën e qëndisur, që është në sportelin e portierit dhe flet rrjedhshëm shqip, frëngjisht dhe italisht, duket sikur është 12 vjeç, por vetë thotë që është 14. Vetvetiu nuk i besuam aspak kësaj të dhëne, të pa verifikueshme të moshës. Nganjëherë kur i papritur hyjë brenda derës hotelit dhe zoti portier, detyrohet të shkitet nga aventura interesante e Konte Monte Kristos, i përkthyer në shqip, ndihesha gati i nxitur të shtrihem poshtë në dysheme dhe të luaj me të, për t’i ndryshuar pamjen e vrenjtur të fytyrës fëminore, që t´i shkrihet pak.
Pra Hoteli “Kontinental”, qe rezidenca jonë gjatë ditëve në Tiranë. Ne e kalonim shkëlqyeshëm, por dalë nga dalë filluam të mërzitemi, me të ngrënit pa nda, spageti dhe kalojmë për të ngrënë në restaurante të tjerë. Përveç saj, doja të dija se sa spageti ha një italian, nga djepi deri në varr? Sa xhiro rreth globit do të mundesh të mbështjellësh me fijet fantastike të spagetit. Por së shpejti sigurisht, do të japin përgjigje statiscientët popullorë edhe për këtë çështje të rëndësishme.
Më në fund ka edhe diçka tjetër, që duhet theksuar përsa i përket këtij hoteli. Unë e konstatova më vonë, se ky pronari i hotelit, ishte i vetmi italian me firmë të pavarur në Tiranë.
Nuk ka fare dyqane, kinema, industri italiane. Me gjithë famën dhe konsekuencat e saj, përveç tjerash se sa fatkeqësisht vartësia, që ka Monarkia e re nga Italia, qeveria ka mundur të mbrojë ndërmarrjet e shtetasve të vet, nga konkurrenca italiane. Që hoteli “Kontinental”, është një hotel italian varet fare thjeshtë, për rrethanat se asnjë tregtar shqiptar, ka marrë përsipër të ndërtoj një hotel të vërtetë, të klasit parë. Ma mirë një hotel italian, se sa asnjë hotel fare. Por nëse një hotel luksoz shqiptar do të shihte ditën, do të jetë mjaft e vështirë për konkurrentin italian, të mbaj koncesionin.
***
Tirana ka 31.000 banor, thotë statistika dhe unë nuk kam në fakt, asnjë të drejtë, të ve në dyshim këtë të dhënë edhe pse mua më duket zor t´a kuptoj, se si është e mundur për të kryer ndonjë numërim efektiv të popullatës në një qytet, ku zor se është regjistruar çdo banor. Por shifra është interesante, t´a shohësh në relacion të shifrës së popullsisë 1920: 14.000.
Pa kërkuar të bie ndërmend një kryeqytet tjetër, Ankara, pikërisht atje numri i banorëve, është rritur në një mënyrë të çuditshme. Përveç të tjerash ka shumë ngjashmëri, zhvillimi midis Tiranës dhe Ankarasë. Natyrisht mund të duket e çuditshme, që nuk u zgjodh Durrësi, si kryeqytet i vendit, që prej shpalljes së parë të pavarësisë shqiptare, me disa përjashtime të vogla, ka qenë selia e qeverive pak a shumë të suksesshëm. Por nga njëra anë, ishte pozicioni i Durrësit në bregdet, i rrezikuar shumë i papërshtatshëm nga ana strategjike, sikurse dhe Kostandinopoja nga e njëjta pikëpamje, ndodhej keq në breg të Bosforit, nga ana tjetër mendonin se qyteti bregdetar i Adriatikut, ruante tepër shumë nga kujtimet e kohës Wiedit.
Mbi Durrësin, kishte rënë një shkëlqim tallje, në sytë të botës. Tirana, shtrihej në mes të vendit dhe një zinxhir lidhje midis pjesëve të veriut dhe atyre të jugut, kishte parakushte më të mëdha, të bëhej selia kryesore e administratës shtetërore. Përveç kësaj në Durrës, ndodhi një ngjarje shumë e trishtuar: malaria. Moçalet e mëdha, rreth qytetit përbënin vatra të tmerrshme malarie, që më në fund këto vjetët e fundit, arritën t´i zhdukin. Gjatë netëve të verës, qyteti mbushej plot me zukamën ogurzezë të mushkonjave. Edhe Tirana në fakt vuante nga malaria, por në një shkallë shumë më të vogël. Dhe kështu vendosën për Tiranën, që në këtë mënyrë e pret një zhvillim i pa imagjinueshëm.
Gjithashtu edhe Tirana, ofron tradicione historike edhe pse jo aq të çuditshme sa Durrësi. Qyteti u themelua në vitin 1600, nga Sulejman Bargjin Pasha dhe në lidhje me zanafillën, ekziston një legjendë e bukur, që në gjene-racione tregohet prej babës tek djali, në fiset e vjetra të Tiranës dhe që përbën një shembull të shkëlqyer, të tradicionit të pasur gojor të vendit. Vetë e dëgjova këtë, nga prefekti i Tiranës, Rexhep Jella, një zotëri i këndshëm dhe që të vetmin dëshpërim në jetë, kishte se ai nuk ka lindur anglez, por që e ka kuptuar këtë rrethanë disfavori, duke e neutralizuar nëpërmjet krijimit të personalizuara të mënyrës së sjelljes dhe pamjes. Ky prefekti i sjellshëm, na kishte ftuar neve për një ekskursion në rrethinat e qytetit dhe gjatë një pauze, në një bujtinë të vogël idilike, ku ne u ngopëm me raki dhe me djathë dhish, tregoi ai edhe me gjeste, historinë e themelimit të Tiranës:
Nga fundi i viteve 1500-ta, në këtë zonë banonte një bej, Sulejman Bargjini, i cili për arsye të kushteve modeste, nuk mund të jetonte tamam si klasë e lartë, prandaj mbante vetëm një shërbëtor, një djalë që quhej Sadrazem. Një ditë shkon Sadrazemi te zotnia dhe i tregon, se ai ka pa një ëndërr shumë të çuditshme. Atij i’u kishte duk se, si hëna e plotë, u ul poshtë prej qiellit dhe i’u përkul mbi sup, se donte që ta shikonte me të vërtetë prej afër, se çfarë fytyre kishte. Sulejman Bargjini, që është një njeri i ditur, kuptoi qartë se Allahu, kishte qëllime të mëdha me hyzmeqarin e tij dhe e këshilloi atë, të niset nëpër botë dhe të kërkoj fatin. Sadrazemi, mori një shumë parash nga zotëria dashamirës, mori shkopin e baritjes në dorë dhe u zhduk përtej shpateve të maleve.
Kaluan vite dhe një ditë të bukur, Sulejmanit i erdhi urdhri, që urgjent të paraqitej tek Veziri i Madh. Një urdhër të tillë nuk mundesh me e neglizhuar dhe me zemër të ngrirë, u nis në një rrugë të gjatë për Kostandinopojë. Kush e di se çfarë mund të ndodhte atje larg, në Bosforin e rrezikshëm? Ndoshta ishte përgatitur fija e mëndafshit. Me këmbë të dridhura, pas një kohe, futet në Pallatin e Vezirit të madh dhe këtu përjeton befasinë e jetës: Veziri i madh s´është tjetër, veçse ish- shërbëtori Sadrazemi, të cilin ai një herë para shumë vjetësh e këshilloi, të dalë dhe ta kërkojë fatin e vet. Si në të gjitha përrallat e bukura, bujaria merr shpërblimin e vet. Sulejman Bargjini emërohet Pashë dhe merr provincën, Sanxhak Ohër, si shpërblim. Dhe në një nga ditët e gjuetisë, në këtë provincë të gjerë, vjen te kjo lugina e bukur, ku shtrihet Tirana e tanishme dhe magjepset nga bukuria e vendit, ku ai vendos të ndërtoj një qytet. Kështu u ngrit Tirana dhe Sulejman Pasha, gjendet i varrosur në xhaminë e bukur në mes të qytetit.
Pasardhësit e tij gjenden edhe sot në aristokracinë e familjeve të Tiranës, kështu përfundoi prefekti dhe boshatisi gotën e rakisë, me një shije kënaqësie, që dha të kuptoj se edhe brenda fisit të prefektit, duhet të ketë disa lidhje të paqarta me këtë Pashën fisnik. Po, është e qartë, se ajo ngritje e papritur e Sulejman Bargjint, qe se ai ishte një burrë me ndjenja jashtëzakonisht të rralla, të bukurisë orientale. Një vend më madhështorë për qytetin e tij, se sa kjo lugina e blertë dhe e ndritur e alpeve, zor se do të kishte gjetur. Si një brez imprensionues rreth shtëpive të bardha dhe minareve të holla, shtrihet një vargmal me majën me dëborë, i cili në perëndim të diellit, të befason me shndërrimin më të bukur të ngjyrave.
Në veri ngrihet mali i Priskës, 1.200 metër i lartë, me shpatin e gjatë drejt Malit Dajti, ngrihet në veri-perëndim me majë 1.400 metër lart. Në jugë dhe perëndim, janë vargmalet më të gjatë, me një lartësi maksimale 725 metër. Nga rrëpirat vërsulen përrenj, që shkëlqejnë, poshtë drejt fushës së madhe të Tiranës. Malet e larta, nuk të mërzisin kurrë. Ato qëndrojnë në një distancë krejt të respektueshme dhe kështu qyteti, merr pamje të gjerë dhe dritë. Tirana është e vetme, midis kryeqyteteve të Evropës për pozitën e saj. Nëse shëtit një darkë pa zhurmën e qytetit, të duket se e kupton ëndrrën e çuditshme, të Sadrazemit. Hëna e madhe dhe kolosale, varet në kupë të qiellit dhe i jep dorën, shumë të nevojshme ndriçimit të dobët të rrugëve. Ajo është aq afër, sa që gati frikësohesh, se majat e minareve të mos e gërvishtin atë floririn e bardhë. Të duket krejt e natyrshme, se mund të kishte pushuar e qetë, për një çast në sup të Sadrazemit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016