Nga Gjet Kadeli
Pjesa e njëzetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Dokumenti me vendimin e gjykatës së rrethit të Mirditës, për të dënuarit e kampit-burg të Spaçit, që organizuan dhe morën pjesë në revoltën e 22 majit të vitit 1973, ku Gjet Kadeli, figuron i pari në listë
PËR KËTO ARSYE
GJYKATA DUKE U BAZUAR NË NENET 278 E 279 TË K. Pr. PENALE VENDOSI
Të deklaroj fajtor të pandehurit Gjet Kadeli, Bardhyl Fejzullari, Napolon Kaleci, Sotiraq Simaku, Xhemal Bali, Ferit Avdullari e Hysen Xhani, për krimin e sabotimit duke qenë pjesëmarrës në një organizate kundra pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 72 në kombinim me nenin 76 me 28 të K. Penal i dënon:
- Gjet Kadelin, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë.
- Bardhyl Fejzullarin, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Napolon Kalecin, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Sotiraq Simaku, me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Xhemal Bali, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Ferit Avdullari, me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Hysen Xhani, me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
Deklaron fajtor të pandehurit Gjet Kadeli, Bardhyl Fejzullari, Napolon Kaleci, Sotiraq Simaku, Xhemal Bali, Ferit Avdullari dhe Hysen Xhani, për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor, që ka sjellë pasoja veçanërisht të rënda dhe në bazë të nenit 73/II në kombinim me nenet 28 e 76 të K.Penal i dënon ata:
- Gjet Kadelin, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë.
- Bardhyl Fejzullarin, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Napolon Kalecin, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Sotiraq Simaku, me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Xhemal Bali, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Ferit Avdullari me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Hysen Xhani, me 10 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
Në bazë të nenit 48 të K.Penal në bashkim krimesh i dënon:
- Gjet Kadelin, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë.
- Bardhyl Fejzullarin, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Napolon Kalecin, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Sotiraq Simaku, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Xhemal Bali, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Ferit Avdullari, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Hysen Xhani, me 11 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
Përfundimisht në bazë të nenit 49 të K.Penal ne bashkim dënimesh i dënon:
- Gjet Kadelin, me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë.
- Bardhyl Fejzullarin, me 13 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Napolon Kalecin, me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Sotiraq Simaku, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Xhemal Bali, me 16 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 4 vjet kohë.
- Ferit Avdullari, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
- Hysen Xhani, me 12 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet kohë.
Vuajtja e dënimit për të gjithë të pandehurit, fillon nga data 28.7.1973.
Kundra vendimit, mundet të bëhet ankim ose protest në Gjykatën e Lartë, brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.
Rrëshen me 25.7.1973
KRYETARI I GJYKATËS
Filip Lako
“Sekret”
Krujë më 19/3/ 1974
RELACION
(MBI GJET PJETËR KADELIN)
Gjet Pjetër Kadeli, i ditëlindjes 1942, lindur në katundin Orosh të rrethit Mirditë dhe sot me banim në Mamurras.
Gjeta, për aktivitet armiqësor, si dhe pse ka babën, vëllain të arratisur jashtë shtetit, e me ta ka mbajtur korrespondencë të rregullt, po kështu ka pasur dhe një axhë në burg, Zef Kadelin, të dënuar me 25 vjet privim lirie për takim e ka strehuar të arratisurit, si dhe ka qenë në internim familjarisht, në vitin 1959 është marrë në kontroll operativ 2/B dhe po në këtë vit, Gjeta është dënuar me 3 vjet heqje lirie, për armë mbajtje pa leje. Edhe mbasi del nga burgu, Gjeta përsëri e vazhdon aktivitetin e tij armiqësor, kështu në bazë të të dhënave të B.p. “Mbrehia” e “Çezma e Trojës”, ka kontaktuar me shoferë jugosllav dhe shfaq tendencën e arratisjes jashtë shtetit, kështu në vitin 1967, merret në përpunim 2/A, përpunim ky që vazhdon deri në vitin 1970, kohë të cilën ulet në kontroll operativ 2/B dhe në vitin 1972, merret përsëri në përpunim 2/A, sepse si mbas të dhënave të B.p. “Çezma e Trojës”, shfaqi tendencën e terrorizmit ndaj udhëheqjes së Partisë e shtetit, e dhënë kjo, që me masat e marra nga ana jonë, u vërtetua me një herë me T.O., kështu mbi bazën e kësaj të dhëne dhe materialeve të tjera me forcë ligjore, të grumbulluara në drejtim të Gjetës, në vitin 1972, u sanksionua arrestimi i tij.
Gjatë zhvillimit të proçesit, fajësia e Gjetës u dokumentua me dëshmitarët se vetë nuk pranoi gjë dhe u dënua me 10 vjet privim lirie dhe mbas dënimit, u çua për të vuajtur dënimin në repartin NR.— Spaç ku është edhe sot. Gjatë vuajtjes së dënimit, për agjitacion e propaganda, në burg, Gjeta është dënuar dhe me 5 vjet privim lirie, që duke ja bashkuar të dyja së bashku, ju bënë 15 vjet.
Gjeta, gjatë kohës që ka qenë i lirë, në Mamurras, në bazë të dhënave që disponohen në ngarkim të tij, ky ka zhvilluar aktivitet të përbashkët me Nik Fran Dedën, i cili ka qenë i arratisur në jugosllavi dhe është riatdhesuar në vitin 1962 dhe përpunohej nga kjo Degë si____________________ në përpunim 2/A, po kështu ka mbajtur lidhje me emigrantin jugosllav, Adem Mujo, i cili përpunohej në 2/A ________________ dhe me anë të këtij, Gjeta është munduar që të ndërlidhej me babën e tij, të arratisur jashtë shtetit. Veç kësaj, ka mbajtur lidhje dhe me emigranten Angjelina Sokoli, ardhur në vendin tonë në vitin 1967, tek burri i sajë, Frano Sokoli në Mamurras, ______________________.
Nik Deda dhe Adem Mujo, në vitin 1973, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe kontrabandë, nga ana e kësaj Dege u arrestuan, nga zhvillimi i proçesit në drejtim të tyre e, sidomos Nik Deda, i cili në hetuesi është zbërthyer plotësisht, si agjent i mundshëm në shërbim të Zbulimit Jugosllav, shpjegon se; mua një nga detyrat që më ngarkoi U.D.B.-ja dhe detyrat që më dha më vonë agjentja e U.D.B.-së, për të marrë në lidhje mua, Angjelina Sokoli, ishte që të punoja me njerëzit e pakënaqur dhe të prekur nga pushteti, e midis tyre unë të studioja dhe kandidatë, për t’i vënë në shërbim të U.D.B-së, kështu unë si kandidat të përshtatshëm dhe mbasi i diskutova me Angjelina Sokolin dhe kjo ishte dakord, gjeta Gjet Kadelin, sepse ky, me biseda që bënte me mua, më fliste kundra pushtetit, e për jetën e mirë që bëhej jashtë, kështu Gjetën, unë me Angjelinën e rekrutuam dhe ky ishte dakord që të punonte me neve.
Po kështu Nika, shpjegon se; unë, së bashku me Gjet Kadelin dhe Angjelina Sokolin, lidhur me punën e bërë, i kemi dërguar Zbulimit Jugosllav 2 informacione, njërin nëpërmjet ambasadës jugosllave në Tiranë, të cilin e ka çuar vetë Angjelina, në vitin 1970, mbasi kjo në këtë kohë shkonte në ambasadë se, kishte bërë kërkesë për t’u riatdhesuar në Jugosllavi dhe tjetrin e kemi nisur nëpërmjet tregtarit jugosllav, Gjon Karamani, kushëri i Angjelina Sokolit. Në këto informacione, ne kemi shkruar për gjendjen e keqe të popullit në zonën e Mamurrasit, për zboret ushtarake, tunelet etj.
Lidhur me vënien e Gjet Kadelit, në shërbim të U.D.B.-së, thotë Nika, ka pasur dijeni edhe emigranti Adem Mujo, që edhe ky është arrestuar, sepse mbasi Angjelina u riatdhesua në Jugosllavi, si mua, Gjetën, Kin Bashën, Skënder Berishën, që edhe këta dy të fundit janë arrestuar në grup, me të sipërmit si rezidentura e Zbulimit Jugosllav, na ka mbajtur në lidhje dhe na drejtonte për detyrat që do të kryenim, Adem Mujo. Përveç deponimeve të Nik Dedës, për Gjet Kadelin si pjesëtar i kësaj rezidenture, ka dhënë dhe B.P. “Ardiani” në birucë.
Për Gjet Kadelin, ka folur edhe i arrestuari Adem Mujo, në këto deponime, del vetëm për agjitacion e propagandë, por jo për vënie në shërbim të U.D.B.-së. Ndërsa Kin Basha dhe Skënder Berisha, nuk kanë folur gjë.
Për të vërtetuar dhe dokumentuar thëniet e Nik Dedës në hetuesi, u bë ballafaqimi i Gjet Kadelit, por në ballafaqim, ky nuk pranoi asgjë, bile karshi hetuesit të çështjes, u shpreh duke thënë se; këto gjejini juve, unë për sa më kërkoni, nuk flas as gjë, unë armik kam qenë dhe armik mbetem me juve deri në fund, më tepër se sa më kini dënuar, nuk do më dënoni më.
Duke i vlerësuar në përgjithësi materialet e këtij proçesi, që kemi nëpër duar dhe problemi i Gjet Kadelit në këtë proçes ngelet e pa sqaruar dhe që duhet të sqarohet deri në fund, qenien e tij agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav, nga Dega e I-rë, kur u analizua ky problem, na është vënë detyrë, që dosja e Gjet Kadelit, të tërhiqet nga kartoteka që është e arshivuar dhe t’i çohet Degës së P. Mbrendshme Mirditë, për të vazhduar përpunimin e tij në burg dhe të ndiqet ndërmjet dy degëve, me plane të përbashkëta, për të koordinuar veprimet.
Në këtë relacion duhet të shtojmë, se; me qenë se akoma nga Dega e hetuesisë në Ministri nuk na janë dërguar të gjitha materialet në ngarkim të Gjetës, këto të grumbullohen me një herë dhe t’i çohen Degës Mirditës, për të koordinuar veprimet, si në dërgimin e agjenturës tone, ashtu dhe për masat që do të marrë ajo në drejtim të tij.
SHEFI SEKSIONIT I-rë
Thanas Toto
Dokumenti sekret me planin e masave agjenturore-operative, i miratuar në Degët e Punëve të Brendshme të Mirditës dhe të Krujës, për survejimin e Gjet Kadelit, në kampin-burg të Spaçit
“APROVOHET”
P. KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME
Pandi Kita
P. KRYETARI I DEGËS P. BRENDSHME
Hamit Myhyrdari SEKRET
E përkohshme — vjet
Ekzem. Nr.___
Mirditë, me 10/VI/1974
PLAN MASASH
AGJENTURALO – OPERATIV I PËRBASHKËT, ME DEGËN E P. BRENDSHME MIRDITË, NË DREJTIM TË GJET KADELIT, NË PËRPUNIM 2/A, I DËNUAR NE REP. 303 SPAÇ
Meqenëse i dënuar Gjet Kadeli, aktualisht i dënuar me 15 vjet privim lirie, për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, vuan dënimin në Repartin e Riedukimit 303 Spaç.
Mbasi Gjet Kadeli, nuk është zbërthyer si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav, si në hetuesi dhe gjatë përpunimit të tijë agjentural, në drejtim të tijë, do të merren këto masa agjenturiale – operative.
Në drejtim të objektit Gjet Kadeli, gjatë kohës që ka qenë i lirë në Mamurras, ka mbajtur lidhje me Angjelina Sokoli, emigrante Jugosllave dhe agjente e U.D.B.-së, me Nik Fran Dedën i cili, është arrestuar dhe është zbërthyer plotësisht si, agjent i Zbulimit Jugosllav dhe gjatë proçesit ka shpjeguar se; unë në Mamurras kamë pasur shoqëri me Gjet Kadelin dhe Nik Dedën, shpjegon se; ky, duke qenë njeri i pa kënaqur kundër pushtetit, unë thotë Nika, së bashku me Angjelinën, kemi rekrutuar Gjet Kadelin, në shërbim të U.D.B.-së dhe të tre së bashku, me anë të ambasadës Jugosllave në Tiranë, kemi çuar informacione Zbulimit Jugosllav. Lidhur me këto, që Nik Deda shpjegon në hetuesi, u thirr dhe u ballafaqua me Gjetën, por ky në hetuesi, nuk pranoi gjë. Të bazuar në deponimet e Nik Dedës, të cilat ngelen enigma, për Gjet Kadelin lind nevoja që Gjeta të përpunohet në burg. Për këtë, nga të dy Degët, do të merren këto masa agjenturiale – operative.
I – Dega e P. Brendshme Krujë
- Meqenëse në drejtim të Gjet Kadelit, gjatë përpunimit kur ishte i lirë, kanë dhënë B.p. “Mbrehja” dhe “Çezma e Trojës”, të studiohet mundësia e njërit nga këto B.p. për t’u dërguar me vijë sjellje, tek Gjet Kadeli, në repartin e Riedukimit 303 Spaç dhe kjo bisedë që do të bëhet midis tyre, të dëgjohet me T.O.
Kjo vijë sjellje që do të konsumohet nga ata e B.p. me Gjet Kadelin, të pregatitet nga Dega e P. Brendshme Krujë. Për ardhjen e B.p. për takim me Gjetën, Dega e P. Brendshme Krujë, do të njoftojë 3 ditë para, me qëllim që të merren masa.
E kryen P.Op. Axhem Velia, deri me 30/8/1974
E kontrollon shefi i seksionit, Bashkim Haxhia
- Dega e P. Brendshme, në drejtim të objekteve të përpunimit 2/A “Uriqi”, “Kaprolli”, që janë lidhje të Gjetës, nga drejtimi i B.p. “Adresa”, “Blidu”, të kërkohet se si reagojnë këta për Gjet Kadelin, materialet që do të dalin në ngarkim të tijë, t’i dërgohen Degës P. Brendshme, Mirditë.
E kryen P.Op. A.Velia, në vazhdim
E kontrollon, shefi sek. B.Haxhiu.
- Në drejtim të familjes së Gjetës, me banim në Mamurras, si Zef Kadeli dhe Pashk Kadeli, të drejtohet B.p. “Mbrehia” e “Çezmja e Trojës”, me detyra konkrete, për të mësuar prej tyre se, çfarë thonë për Gjetën, dhe shokët e tijë që janë dënuar për këtë veprimtari.
E kryen P.Op. A.Veliu, në vazhdim
Kontrollon, shefi sek. B. Haxhiu.
II – Dega e P. Brendshme, Mirditë
- Në drejtim të Gjet Kadelit, do të drejtohet B.p. “Sopoti” dhe “Libri”, të cilët janë tërhequr në bashkëpunim me rastin e revoltës, ku ka qenë dhe vetë Gjeta, pjesëtar në këtë revolt.
E kryen P.Op. Fejzi Liço, deri me 20/VI/1974.
E kontrollon, shefi i seksionit Gj. Zefi.
- Të studiohen lidhjet e Gjetës në burg, që janë nga rrethi i Krujës, me qëllim që të tërheqim ndonjë bashkëpunim për ta drejtuar tek Gjeta. Këto lidhje, mbasi të nxirren t’i dërgohen Degës P.Brendshme, Krujë për të bërë studimin e një kandidati të mundshëm.
E kryen P.Op. F.Liço, deri në 30/VI/1974.
P. Brendshme Krujë, deri më 15 Korrik 1974.
E kontrollojnë shefat e seksioneve përkatëse
- Të mbahet në kontroll nga vetë P.Op. korrespondenca e Gjet Kadelit, që zhvillon me familjen e të afërmit e tijë e shokë, si ato që hynë dhe ato që dërgon vetë Gjeta.
E kryen P.Op. F.Liço, në vazhdim
E kontrollon shefi i seksionit, Gj.Zefi
- Në drejtim të lidhjeve të Gjetës, me banim në qytetin e Rrëshenit, për të parë se si reagojnë këta për Gjetën, të studiohet mundësia e drejtimit të ndonjë B.p.
E kryen P.Op. _____________ deri me_______
E kontrollon Zv/Kryetari i Degës
- Analiza e këtij plani, ndërmjet dy Degëve, do të bëhet me 20/XII/1974. /Memorie.al
PUNËTORI OPERATIV PUNËTORI OPERATIV
Fejzi Liço Axhem Velia
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016