Nga Eugjen Merlika
NË VEND TË NJË TUFE ME LULE
(Kujtimit të një mësuesi)
“Edhe kur kryet të na e mbulojnë thinjat
Ndër mend do të sjellim nji emën nderues,
Emën të dashun porsi fëminija,
Emnin e thjeshtë por të madh, mësues”
Llazar Siliqi
Memorie.al / I kam kujtuar shpesh gjatë jetës sime këto vargje të ngulitura herët, në fillimet e moshës para rinore, kur konceptet mbillen si fara në nji farishte pjellore, mbijnë e vazhdojnë të rriten me kalimin e kohës. Sa më shumë i largohem asaj periudhe, sa më shumë rrjedhin vitet, aq më tepër ata vargje mbeten të freskëta në kujtesën, tashmë të lodhur, nga pesha e viteve e nga bombardimi i pamëshirshëm i botës së larmishme që na rrethon.
Në gjithë kuadrin e zymtë të fëmijërisë e rinisë sime, të kaluara në kampet e vdekjes e t’internimit, në atë morí figurash njerëzore, me të cilat, dashje pa dashje, lidheshin episodet e përditshme të të qenurit, figura të ndryshme, shumica e të cilave vazhdon të projektojë në kujtesë diktaturën, në mënyrë të pavetëdijshme veçohen ato të mësuesve.
Ndoshta n’atë realitet të zymtë e t’errët, kur ballafaqimi me botën ishte një vazhdimësi sinjalesh armiqësore që, çdo ditë, më kujtonin vargun madhor të Dantes: “… Lini çdo shpresë….”, ndër të pakët njerëz, në të cilët nuk shihja egërsinë e sistemit, ishin mësuesit.
Për vetë thelbin e misionit të tyre, ata së bashku me mjekët ishin më pak të prirur për të pasqyruar fytyrën e përbindshme të regjimit. Si të tillë ata mbetën në kujtesë edhe pse ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli që u ndava nga bangat e shkollës.
Shumë prej tyre në vite kanë mbyllur sytë. Shkëputja e gjatë ka bërë që shpesh lajmi i humbjes së tyre më ka ardhur me shumë vonesë dhe keqardhja ka mbetur thellë në zemër e mendime, pa u trupëzuar në një ngushëllim për familjet e tyre. Por më datën 14 shkurt një thirrje nga Shqipëria më lajmëroi se ish-mësuesi im, z. Shefqet Karaj, kishte ndërruar jetë në apartamentin e tij modest e të vjetër, në qytetin e Durrësit.
Diçka më sëmboi në shpirt n’atë çast dhe dhimbja, thellë në vete, më solli para sysh takimin e fundit me të, në tetorin e shkuar, kur ai më paralajmëroi, me qetësi e stoicizëm, fundin e afërt të tij. Sëmundja e gjatë e kishte lodhur fizikisht, kurse gjendja e vështirë ekonomike familjare peshonte mbi humorin e tij të rënduar nga vitet. Por mendimi ishte i kthjellët, bindjet e konsideratat të sinqerta, të brejtura e të ndryshuara, në një pjesë të tyre, nga ndërrimi i kohëve.
Duke biseduar me të më vinte në mëndje figura e një djaloshi të hijshëm rreth 25 – vjeçar, që kisha njohur në të largëtin vit 1956, një fytyrë e qeshur e optimiste për jetën. Ishte mësuesi im i letërsisë, në klasën e parë të të parit gjimnaz të rrethit të Lushnjës. Ishte me origjinë nga Peza. Ishte rritur pa prindër sepse, fatkeqësisht, prindërit ishin vrarë gjatë luftës.
Fëmijëria e rinia e parë kishin rrjedhur konvikteve ku ngrohtësinë prindërore e kishte zëvendësuar propaganda e partisë që synonte, krahas marrjes në mbrojtje dhe shkollimit, t’i edukonte me frymën e saj, si modelet e zgjedhur të “njeriut të ri“. Me diplomën e Institutit dyvjeçar të Shkodrës në xhep, mësuesi erdhi në Lushnjë, qendra m’e madhe e kampeve t’internimit në Shqipërinë e viteve të komunizmit.
Mësuesi i ri u bë anëtar partie, madje thuhej se ishte dhe oficer i Sigurimit të Shtetit, nuk di akoma sa ishte e vërtetë. Nuk dua të hyj në këtë vështrim të jetës, që mund të ketë patur dritë – hijet e tij, por mund të them me bindje se mësuesi djalosh, në marrëdhëniet mësues – nxënës, me mua dhe shokët e mi, t’ashtuquajtur “armiq të klasës”, mbeti thjesht një mësues i mirë, duke marrë përsipër edhe barrën e prindit apo vëllait të madh, të këshilltarit apo shokut.
Ai ishte një i ri, të cilit i pëlqenin librat, e tërhiqte arti i madh, e shikonte botën me syrin e idealistit. Si mësues pati një meritë të madhe profesionale: nxënësve të tij u rrënjosi dëshirën për dije, pasionin për librat, u mbolli farën e vlerësimit të tyre e të kulturës në përgjithësi, futi tek ta konceptin e “ambicies fisnike”, siç e quante ai dëshirën për të treguar konkretisht, vlerat vetjake në studim e nxënie.
Ende, mbas më shumë se një gjysëm shekulli, un ruaj ndonjë fletore të referateve dhe analizë – komenteve, që çdo fund jave ne do të mbushnim mbas leximit të detyrueshëm të një libri. Ishte një përvojë për të cilën, ish nxënësit e tij, i janë ende mirënjohës, mbasi i bëri të dashuronin librin e t’a vlerësonin atë me kokën e tyre. Qe një metodë pune që zbatohej në vitin e parë të gjimnazit e të cilën nuk e kam gjetur n’asnjë shkollë tjetër brenda e jashtë Shqipërisë…!
Jam takuar me mësues Shefqetin mbas gati dyzet vitesh, kur Shqipëria kishte ndërruar sistem e, jetët tona kishin përshkuar hullí krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Ai kishte patur karrierën e tij shtetërore, gjithnjë në fushën e arsimit, ndërsa un kreva “universitetet e mija”, në fushat dhe objektet e ndërtimit të Myzeqesë, për të përfunduar në kampin famëkeq të Spaçit, apo dhjetë vitet e fundit si i internuar në Grabian të Lushnjës.
Botëkuptimet nuk ishin të njëjta, por konsiderata dhe respekti i ndërsjellët kishin mbetur ato të viteve të shkollës, mbasi për ne vlerat njerëzore ishin shumë më të çmuara se bindjet politike. Na bashkonte një përfundim i hidhur, ai i zhgënjimit nga Shqipëria e ditëve tona.
Në këtë përfundim ne arrinim duke u nisur nga pika të ndryshme, nga këndvështrime jo të njëjta, por të dy ishim të ndërgjegjshëm se Shqipëria “demokratike”, me të gjitha të metat e saj, ishte më e mirë se paraardhësja e saj “socialiste” e se përparimi, me të gjithë mangësitë e shanset e humbura, ishte një fakt i vërtetë.
Ndërmjet nesh u ringjall ajo ngrohtësi njerëzore e më shumë se pesëdhjetë viteve të shkuara, kur ai mësues i ri, i rritur jetim, shihte tek një fëmijë 12 vjeçar, jo vetëm nxënësin e tij të zgjedhur, përsa i përkiste rezultateve të studimit, por edhe një gjysmë jetimi, që nga mosha dyvjeçare, nuk shihte babanë se ishte në burg e, për vite nuk kish parë as nënën mbas telave me gjemba të kampeve të punës së detyruar.
Jetimi e kuptonte se ai dhe të tjerë si ai kishin nevojë për një përkëdhelje, për një buzëqeshje, për një inkurajim, për një vështrim miqësor. Ai m’i dhuroi këto kur un kisha më shumë nevojë.
Sot, kur ai nuk është më fizikisht në këtë jetë dua që, nëpërmjet këtyre rreshtave të thjeshtë, të botuara në gazetën që ai lexonte çdo ditë, t’a kujtoj me shumë respekt e dashamirësi, duke i shprehur këto ndjenja të mijat, që besoj se përkojnë edhe me ato të bashkënxënësve të mi, edhe familjarëve të tij si një formë, sado të vogël, ngushëllimi e keqardhje, pjesëmarrjeje të sinqertë në dhimbjen e tyre.
Ju qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë, profesor, i asaj toke që ju, në idealizmin entuziast të profesionit tuaj na mësuat t’a duam shumë e t’i shërbejmë me të gjitha forcat tona për t’a përmirësuar vazhdimisht e për t’i zbukuruar imazhin.
Kujtimi juaj do të na shoqërojë gjithmonë, si ai i një njeriu të dashur, të cilit i urojmë të prehet i qetë në botën e amshimit, në paqen e përjetshme. Memorie.al
Shkurt 2011
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016