Nga Vepror Hasani
Memorie.al / Tashmë bashkëshortët Namik dhe Pranvera Larti nga fshati Bulgarec i rrethit të Korçës janë të mjaft të moshuar. Kanë vite e vite, që nuk e kanë parë djalin e tyre, Saimir Lartin, ndërsa nuk do të kenë mundësi ta shohin kurrë. Ai u vra në 17 shtator të vitit 1991, nga njerëzit e ish-Sigurimit të Shtetit. Ende nuk janë gjetur autorët e kësaj vrasje, të cilët janë akuzuar edhe për vrasjet e 2 prillit 1991, në Shkodër. Nuk është çudi që të njëjtët njerëz të kenë vrarë dhe Shkëlqim Agollin, drejtuesin e SHIK-ut në rrethin e Vlorës gjatë vitit 1997. Pas 16 vjetësh, kujton e tregon rrethanat e vrasjes së Saimir Lartit dhe arsyet se përse njerëzit e Sigurimit u hakmorën me 21 vjeçarin, babai i Saimirit, Namik Larti, tashmë 66 vjeç…?!
Lajmi i tmerrit…!
“Isha në punë kur mora vesh se diçka e rëndë kishte ndodhur në familjen time. Nuk e dija konkretisht se çfarë, por gjithsesi lajmi më përshkoi gjithë trupin. Dikush më tha se kisha gruan në gjendje të rëndë shëndetësore. Lash punën dhe u nisa për në shtëpi. Gjithçka po më dukej e çuditshme. Në mëngjes, kur isha nisur për në punë, gjithë njerëzit e familjes, i kisha lënë mirë.
Ç’të kishte ndodhur vallë?! Kur mbërrita në fshatin tim, në Bulgarec, ishte ora 19.30 e mbrëmjes, vura re se pranë shtëpisë time, kishte shumë njerëz. Të qarat dhe vajtimet dëgjoheshin që shumë larg. ‘Ndoshta ime shoqe ka vdekur’, mendova dhe përsëri një rrëqethje e dhimbshme, më pushtoi gjithë trupin”, nisi rrëfimin e tij, Namik Larti.
“Jeta jonë kishte pasur shumë halle. Që nga dita që në pushtet kishin ardhur komunistët, kurrë nuk kishim pasur një ditë të gëzuar. Internimet dhe arrestimet, nuk kishin të sosur. Për ata gjithnjë kishim qenë kulakë dhe asgjë më shumë. U afrova tek oborri. Një pjesë e njerëzve deshi të mblidhte veten dhe të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë, ndërsa gratë dhe vajzat, ia dhanë kujës.
‘Çfarë ka ndodhur pyeta’?! Zëri më dridhej, ndërsa gjunjët i kisha të prerë. Kisha ndjesinë se shpirti, nuk do më mbante më. Dikush nxitoi të më thoshte sërish, se kisha gruan të sëmur. U përpoqa të mbaja veten. Prisja ta gjeja të vdekur, të shtrirë në mes të dhomës”, tregon më tej Namiku.
“Kur hyra brenda, pashë time shoqe, Pranverën, që vajtonte dhe ulërinte. Ishte e mbuluar në lot dhe shkulte flokët. Të njëjtën gjë, po bënte dhe ime bijë, Mirela, që në atë kohë ishte 24 vjeç. Vështrova nga im bir Drini, por edhe ai i kishte të mbushur sytë me lot. Në shtëpi nuk ndodhej vetëm djali i madh, Saimiri. Ai kishte shkuar në Greqi, si emigrant, por me atë kisha folur dy – tre ditë më parë dhe më kishte thënë se ishte mirë me punë dhe shëndet.
Atëherë çfarë kishte ndodhur në familjen time?! Në shtëpi gjeta dhe time motër Ruhien, e cila tashmë nuk jeton më, por edhe ajo nuk ishte në gjendje të më shpjegonte asgjë. Të vetmet fjalë që dëgjoja prej saj, ishin, ‘Ç’na gjeti o vëlla, ç’na gjeti’?! U desh të kalonte një çast i shkurtër, kur vëllezërit dhe burrat e fshatit më hoqën mënjanë dhe më thanë të mblidhja veten e, të bëhesha burrë.
Gjithkujt mund t’i ndodhnin fatkeqësi të tilla. Dëgjoja i trembur dhe i tmerruar dhe prisja se çfarë lajmi të zi, do të më thoshin. Dhe lajmi i tmerrit erdhi. ‘Djali yt, Saimiri, ka vdekur në Greqi'”, tregonte mes mallëngjimit, Namik Larti.
“Në shpirtin tim u shkëput diçka e madhe, nuk isha i zoti ta mbaja veten. Kisha duruar me mijëra halle në jetën time, por atë çast, nuk e desha më jetën. ‘Kush të vrau o bir…”?! Kam përshtypjen, se në të njëjtën mënyrë, e qanin edhe gratë që prisnin t’u vinte arkivoli, nga Greqia…”! kujtonte Namiku.
Pse kishte vdekur djali?!
“Lajmi i vdekjes kishte vrapuar dhe kishte hyrë në shtëpinë time, ndërsa arkivoli qëndronte ende atje, në një lagje periferike të Athinës, në Iraklis. Nuk doja të besoja asgjë. Si mund ta besoja vdekjen e tim biri?! Unë vetëm dy-tre ditë më parë kisha folur në telefon me të dhe Saimiri më kishte thënë se ishte mirë. Si mund të kishte vdekur kështu, kaq pa pritur?! Ai ishte djalë i gjallë dhe i shëndetshëm. Nuk kishte vuajtur kurrë nga ndonjë sëmundje.
‘Mos e keni marrë vesh gabim’? pyeta me një shpresë të venitur, duke shpresuar se dikush nga ata që ndodheshin aty, do të më thoshte; ‘Po, Namik, t’i ke të drejtë, lajmi nuk do të jetë i saktë’. Pyeta dhe ngula vështrimin tim te të gjithë. Por askush nuk foli. Djali im kishte vdekur. Gratë dhe vajzat qanin me kuje, ndërsa burrat i kishin sytë të mbushur me lot. Përpiqeshin të mbanin veten, por nuk mundeshin”, vijonte rrëfimin e tij tragjik Namiku.
“Saimiri ishte vetëm 21 vjeç. Për vdekjen e Saimirit, pronarja greke e Saimirit, Katerina, kishte vënë në dijeni Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe kjo e fundit, kishte njoftuar Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Lajmi i vdekjes së djalit tim, kishte mbërritur në Komitetin Ekzekutiv të rrethit dhe që andej në shtëpinë time. Lajmi kishte mbërritur zyrtarisht, ndaj askush nuk shpresonte që Saimiri, të ishte gjallë”, tregonte babai i Saimirit.
Saimir Larti
“Gratë qanin në Bulgarec të Korçës, ndërsa djali qëndronte i vdekur në Iraklis të Athinës. Thuhej se arkivoli, do të vinte të nesërmen. Kishim 4 muaj pa parë fytyrën e tij. Na kishte marrë malli. Tani nuk do të kishim mundësi të dëgjonim, as zërin e tij. Atë çast më kujtoheshin vetëm bisedat, që kisha pasur me atë në telefon. Gjithnjë më thoshte, ‘Baba jam mirë, mos kini merak për mua’.
Kështu i thoshte edhe nënës, Pranverës, motrës, Mirelës, dhe të vëllait, Drinit, por ne gjithnjë kishim merak. Ime shoqe, Pranvera, që nga dita që Saimiri iku në Greqi, nuk fjeti dot asnjë natë. ‘Kam frikë për Saimirin’, më thoshte gjithnjë ajo, njerëzit e Sigurimit, do ta gjejnë edhe atje”, vazhdonte rrëfimin e tij Namik Larti.
“Djali ynë u nis për në Greqi, në të gdhirë të 28 majit të vitit 1991. Kapërceu kufirin në Kapshticë të Devollit, bashkë me disa shokë të tjerë dhe hynë në tokën greke. Nuk mund të qëndronte në fshatin Bulgarec. Ai kishte qenë një nga pjesëmarrësit e rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha, në Korçë. Më kujtohet si sot ajo ditë.
Ishte 20 shkurti i vitit 1991. Ndodhesha në shtëpi, kur dëgjova në edicionin e lajmeve, se në Korçë, ishte rrëzuar monumenti i diktatorit Enver Hoxha. U ndjeva i ngazëllyer. ‘E rrëzuan monumentin e diktatorit’, i thashë gruas dhe dola jashtë për të marrë vesh, nëse këtë gjë e kishin marrë vësh edhe të tjerët.
Befas u kujtova se atje, në Korçë, do të ishte dhe djali im, Saimiri. Që nga dita kur në skenë kishte dalë studentët e dhjetorit, Saimiri ishte i pranishëm në çdo lëvizje demokratike. Kishte qenë në Korçë dhe në 30 dhjetor të vitit 1990, kur kishte ardhur dhe Sali Berisha, për krijimin e degës së Partisë Demokratike. Kishte qenë edhe nismëtar i krijimit të seksionit të PD-së në Bulgarec, së bashku me Ali Agollin, Tomor Zotbejasin, Arben Malon, etj. Lajmin e rrëzimit të monumentit, e kishin marrë vesh të gjithë.
Më treguan se, gjatë rrëzimit të monumentit, ishin plagosur shumë të rinj. Policia kishte tentuar disa herë t’i zmbrapste, por turma nuk tërhiqej. ‘Nuk dihet se çdo të ndodhë më pas’, – po më thoshin bashkëfshatarët! – Thuhet se do të arrestohen gjithë ata që ishin në ballë të turmës, është hapur fjala se Sigurimi i Shtetit, i ka filmuar të gjitha. Madje thuhet se pas mesnatë, do të fillojnë arrestimet. Që të gjitha këto më bënë të nisesha për në Korçë. Desha të dija se çfarë po ndodhte me djalin tim, Saimirin”, kujtonte për parandjenjat e këqija, babai i Saimirit, Namiku.
Policia kishte plagosur djemtë
“Kur mbërrita në Korçë, shkova drejt e në shtëpinë e vëllait tim, Seitit. Më të hyrë brenda, vura re që Saimri ishte aty, së bashku me kushëririn e tij, Oliver Lartin. Im bir, ishte pak më mirë, por Oliveri, ishte i gjakosur. Kishte plagë në të gjithë trupin. ‘U përballëm me policinë, – më treguan ata të dy, – pati shumë të plagosur. Policia qëllonte me armë dhe godiste me të gjitha mjetet, por ishte e pamundur, që të na ndalonte. I hodhëm kavon prej çeliku në qafë dhe pas kësaj, e rrëzuam shtatoren famëkeqe.
E tërhoqëm zvarrë nëpër rrugët e Korçës’. – ‘Ishte një festë e madhe, baba’, tha, Saimiri. Dëgjoja dhe gëzohesha, por tashmë kisha frikën e djemve. ‘Thuhet se në mesnatë do të fillojnë arrestimet’, u thashë të dy djemve, Saimirit dhe Oliverit, por ata nuk donin ta besonin. ‘Tashmë komunizmi u shemb, askush nuk do të guxojë të na bëjë keq’, – po më shpjegonin ata”, tregonte për bisedën e pas shembjes së bustit të diktatorit, Namik Larti.
Por ato që thuheshin kishin qenë të vërteta. Pas mesnatës nisën arrestimet. Njerëzit e Sigurimit të Shtetit, trokisnin portë më portë dhe arrestonin të gjithë ata, që i kishin hedhur kavon në fyt diktatorit. I merrnin zvarrë, i rrihnin dhe i torturonin. Nëpër rrugë, dëgjoheshin të shtëna armësh. Për këtë arsye, atë natë qëndruam aty. Të nesërmen unë dhe vëllai im, Seiti, i fshehëm të dy djemtë në një vend të sigurt”.
Vullnetarët e Enverit
“Ishte gdhirë 21 shkurti i vitit 1991. Njerëzit e Sigurimit ishin tërbuar. Rrëzimi i monumentit, ishte rrëzimi i tyre. Në fshatin Bulgarec, ishin mbledhur mjaft komunistë. Po krijoheshin shoqatat e “Vullnetarëve të Enverit”. Kalonin nëpër rrugët e fshatit dhe bërtisnin, ‘Parti- Enver, jemi gati kurdoherë’. ‘E duam Enverin’. ‘Enveri është i gjallë’. ‘Saimir kulakun, në litar’, ‘Saimir kulakun, në litar’.
‘Nuk i varëm atëherë, por do t’i varim tani’. ‘Në litar të gjithë kulakët’. Situata ishte tepër e vështirë. “Vullnetarët e Enverit”, ishin shfaqur gjithandej edhe nëpër rrugët e Korçës. Me portretin e tij, hidhnin në çdo çast parulla. Një grua bërtiste, ‘Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin’. Një lukuni të çmendurish dhe spiunësh, vërtiteshin nga të gjitha anët”, kujtonte më tej Namik Larti.
“Dola nga shtëpia dhe shkova në punë. Më të mbërritur në Maliq, (atëkohë por dhe gjithë jetën, kam punuar si minator në gurore), Sekretari i partisë më tha; ‘Yt bir, na ka nxirë faqen të gjithëve. Ai së bashku me të tjerët, kanë rrëzuar monumentin e udhëheqësit tonë të dashur Enver Hoxha. Për këtë arsye, – tha sekretari i Partisë, – ne kërkojmë nga ty, Namik, të marrësh portretin e Enver Hoxhës dhe bashkë me të tjerët, ta ngresh lart, atje ku ka qenë monumenti i Enverit.
Kjo do të ketë një domethënie të madhe. Vërtet e rrëzoi i biri, por e ngriti i ati. Do të jesh i nderuar Namik. Shembullin tënd do të ndjekin të gjithë’. Ai mori portretin dhe ma afroi te dora. U zmbrapsa një hap. ‘Të lutem, mos ma afro atë portret’, i thashë. ‘Ai njeri, mua nuk më ka dashur për 50 vjet me radhë, ndaj edhe unë nuk e kam dashur kurrë. Të lutem, ma hiq atë portret, se nuk e duroj dot’.
Pas kësaj dola nga zyra, ndërsa jashtë dëgjoja ulërimat e lukunisë së çmendur që thërriste, ‘Japim edhe nderin, por nuk japim Enverin’. Tashmë isha i sigurt, se njerëzit e Sigurimit do të hakmerreshin ndaj nesh. Të gjitha këto më vinin ndërmend kur dëgjoja gratë, që qanin në shtëpinë time dhe thoshin, ‘Të vranë o Saimir, të vranë o bir'”, vijonte tregimin, Namik Larti.
Në ato ditë të pas rrëzimit të shtatores, për disa ditë me radhë u vendosëm nën kërcënime, por më pas gjendja u qetësua. Vendosëm që Saimirin, ta dërgonim në Greqi, me qëllim që të ishte sa më larg njerëzve të Sigurimit. Që nga dita e shembjes së monumentit, spiunët ishin në kërkim të djemve tanë”.
Saimiri në Athinë
“Gruaja ime qante, duke kujtuar ditën që e kishim përcjellë për në Greqi. ‘Të thash o bir të ruhesh nga vrasësit’, ishte zëri i saj. Siç thashë pak më parë, djali u nis në të gdhirë, të 28 majit. Kaloi kufirin dhe pastaj udhëtoi drejt Athinës. Ne rrinim me gjak të ngrirë. Prisnin një haber prej tij. Kaluan mjaft ditë, kur ai na mori në telefon dhe na tha se kishte mbërritur në Athinë. Kishte filluar punë si kamerier, në një lokal në lagjen ‘Iraklis’ të kryeqytetit. Tha gjithashtu se pronarët i kishte të mirë.
U gëzuam pa masë. Tashmë ai kishte shkuar shumë larg nga syri i njerëzve të ish-Sigurimit, por ishim gabuar. Ata të gjenin në çdo cep të botës që të ishe. E porositëm të na merrte vazhdimisht në telefon dhe ai e mbajti fjalën. Na telefononte shpesh. Kur mori lekët e para, na i dërgoj në shtëpi. Më pas na dërgoi edhe një magnetofon. Përpiqej të na ndihmonte, se në të vërtetë, ishim shumë të varfër. Gjithçka kalonte mirë. Edhe dy-tre ditë, para se të merrja vesh lajmin e vdekjes së djalit, kisha folur në telefon me të”, tregonte Namik Larti.
“Por tashmë ai nuk ishte më i gjallë. Si ishte e mundur vallë?!. E kishin vrarë…?! Por deri atë çast, askush nuk kishte thënë se në trupin e Saimirit, ishin gjetur shenjë plumbash apo thike. Por edhe vdekja natyrale, ishte e pabesueshme. Ai nuk kishte vuajtur kurrë, nga ndonjë sëmundje!
Të gjitha këto i mendoja ato çaste, kur njerëzit që vinin për të më ngushëlluar, më pyesnin, se si kishte ndodhur vdekja e djalit, por unë nuk kisha asnjë përgjigje. Nuk dija asgjë”, tregonte më tej, për orët e pritjes së trupit pa jetë të djalit të tij, Namiku. “Djali na erdhi në arkivol ditën e nesërme. E nxora nga arkivoli dhe e kontrollova në të gjithë trupin. Nuk kishte asnjë shenjë. Vërtet kishte vdekur Saimir Larti”?!
Nis zbardhja e misterit
“Edhe pse kishin kaluar disa ditë nga ceremonia e varrimit, gjendja në familje, ishte mjaft e rënduar. Ime shoqe, Pranvera, vajza Mirela dhe djali im i vogël, Drini, që në atë kohë ishte vetëm 14 vjeç, po përjetonin ditë të vështira. Në të njëjtën gjendje, ishin dhe gjithë të afërmit tanë. Askush nuk besonte që djali ynë, të kishte vdekur. Atë e kishin vrarë, por si, në ç’mënyrë? Ne nuk kishim asnjë shpjegim. Shpirtrat tanë, nuk po gjenin dot qetësi, ashtu siç nuk kanë gjetur as edhe sot e kësaj dite.
40 ditë pas vdekjes së djalit, nisa të hetoja. Mora në telefon pronaren greke të djalit, Katerinën, e cila e njihte mirë edhe gjuhën shqipe. Ajo dinte diçka, por jo shumë. Vdekja e djalit kishte qenë tepër misterioze. Në lokalin e Katerinës, ku Saimiri punonte si kamerier, kishin hyrë dy veta. Ishin të rinj. Pa pretenduar për moshën e tyre të saktë, Katerina tha se duhej të ishin rreth të 30-ve. Dy njerëzit që hynë në lokal, flisnin shqip. Që në momentin e parë, u përpoqën të hiqeshin si patriotë. Për Saimirin, ata dy persona misterioze, ishin të panjohur.
Saimiri nuk kishte më shumë se katër muaj në Athinë dhe njohjet e tij, ishin të pakta. Veç kësaj, ai nuk largohej kurrë nga lokali, me përjashtim të rasteve të rralla, kur takohej me të afërmit e tij nga Bulgareci. Në sjelljen e dy të rinjve, kishte diçka të rreme, veçanërisht përpjekja për t’u hequr si patriotë. Aty u njohën me Saimirin. ‘Unë di shqip, tha Katerina dhe dëgjoja gjithçka flisnin ata, por më pas, u ulën në një nga tavolinat e lokalit. Për sa kohë, ata dy njerëz qëndruan aty, ndoqa çdo lëvizje të tyre.
Nuk e di pse pata përshtypjen, se ata të dy nuk ishin njerëz të mirë. Gjatë kohës që qëndruan të tre bashkë, njëri prej dy të ardhurve, nxori paketën dhe i zgjati një cigare Saimirit, ky i fundit e mori dhe e ndezi. Doja t’i thosha Saimirit, që të mos e pinte atë cigare, por atë çast nuk mundesha. Të gjitha këto ia thashë më vonë, duke e porositur, të mos merrte asgjë nga njerëz që nuk i njihte. Pas këmbimit të cigareve, dy njerëzit e panjohur u larguan nga lokali. Nuk vonoi shumë, – tha Katerina dhe Saimiri po ndihej keq.
Pati një marrje mëndësh, pak më vonë i shpërtheu një hemorragji, që nuk kishte të ndalur. Ra nga tavolina. Dukej qartë se diçka kishte ndodhur me të. E mora dhe e çova me urgjencë në spital. Pas ndihmës mjekësore që mori aty, Saimiri nisi të ndihej më mirë. Nuk deshi të qëndronte më në spital. U kthye përsëri në lokal, por edhe të nesërmen, dukej mjaft i lodhur. Megjithatë, nuk mund të them se u ankua, sepse nuk ishte njeri që ankohej. Pas dy-tre ditëve, ai vdiq. Nuk e di si ndodhi, ai punoi deri në mbrëmje, pastaj shkoi në dhomën e tij, e cila është brenda lokalit ku punonte dhe u shtri për të fjetur.
Vetëm në mëngjes vura re, se ai nuk po delte në punë. Shkova e shqetësuar në dhomën e tij, por atje gjeta një trup pa jetë. Saimiri kishte vdekur. Nuk jam e sigurt të them, se në çfarë ore ka ndodhur kjo. Fill pas kësaj, vura në dijeni një të afërm të Simirit, Arben Malon, që punonte në Athinë, por ndërkohë lajmërova dhe Ambasadën Shqiptare në Greqi. Nuk mund të bëja dot më shumë, dhe çfarë mund të bëja?’. Kjo ishte historia e treguar nga Katerina”, kujtonte rrëfimin e pronares së djalit, Namik Larti.
“Arkivolin e tim biri e solli Arben Malo, i cili është i afërmi ynë, së bashku më dy të tjerë. Arbeni tha se Saimiri, duhej të kishte vdekur pas mesnate, pasi ai e kishte marrë në telefon në orën 00.00 të natës dhe Saimiri i kishte thënë se ndihej mirë e, nuk kishte asnjë shqetësim. Gjithsesi djali ynë, kishte pasur një vdekje tepër misterioze.
Malo bashkë më të tjerët, kishin shkuar dhe në Ambasadën Shqiptare në Athinë, për të kërkuar ndihmë në transportin e trupit pajetë të Saimirit, por ambasadori u ishte përgjigjur prerë. ‘Hidheni ku të doni, ne nuk kemi asnjë përgjegjësi për të. Ai ishte emigrant i paligjshëm’. Të gjitha këto, dhimbjen e papërballueshme, na i bënin edhe më të madhe”, shprehej jo pa zemërim, Namik Larti.
Vrasësit e Saimir Lartit
“Gjithsesi nuk mund të hiqja dorë nga gjetja e të vërtetës për vdekjen e djalit. Fillimisht iu drejtova Ministrisë së Jashtme, ku m’u desh të shkoja disa herë me radhë, në pritje të një përgjigjeje. Kur kishte kaluar mjaft kohë, mora përgjigjen se; ‘Saimir Larti, ishte vrarë nga njerëz të Drejtorisë së Tretë të ish-Sigurimit të Shtetit (Zbulimi Politik). Saimir Larti, është vrarë për motive politike’. Të njëjtën përgjigje mora edhe më vonë, nga të gjitha institucionet ku u drejtova, për të kërkuar ndihmë në zbardhjen e vrasjes së djalit.
Më premtuan se do t’i kapnin autorët e vrasjes së djalit tim, por kjo deri më sot, nuk ka ndodhur. Tashmë kanë kaluar shumë kohë, por unë di se në atë grup vrasësish, ka pasur njerëz edhe nga rrethi i Korçës. Nuk është çudi, që nga të njëjtët njerëz të jetë vrarë edhe Shkëlqim Agolli, drejtuesi i SHIK-ut në Vlorë gjatë trazirave të vitit 1997, i cili u gjet i vrarë në rrethana tepër misterioze në Greqi.
Gjithsesi, ende kam shpresa, se autorët e vrasjes do të dalin një ditë para drejtësisë. Në përvjetorin e pestë të rrëzimit të monumentit të diktatorit, Enver Hoxha, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, e dekoroi tim bir, me medaljen ‘Martir i Demokracisë’. Tashmë këshilli i Qarkut Korçë, ka dhënë miratimin për shpalljen e Saimir Lartit, ‘Dëshmor i Atdheut’. Megjithatë, çdo ditë pres të dëgjoj emrat e vrasëse të djalit tim”, shprehej Namik Larti.
Historia e familjes Larti, që u persekutua egërsisht nga regjimi komunist
Origjina e hershme e familjes Larti, është nga fshati Kolanec i rrethit Korçë. Më pas katër vëllezërit, Ismaili, Avdyli, Pashoja dhe Ahmeti, që në atë kohë mbanin mbiemrin Bazelli, u vendosën në fshatin Maliq. Që të gjithë ishin patriotë. Një pjesë e tyre, do të shpërnguleshin në fshatin Bulgarec, me mbiemrin Larti, duke theksuar kështu origjinën e tyre. Ismaili njihet si nismëtar i hapes së shkollave shqipe, në krahinën e Gorës, ndërsa Pashoja, por edhe Ismaili, kishin luftuar kundër osmanlinjve, si dhe kundër grekëve, në vitin 1916. Ai ishte bashkëluftëtar i Themsistokli Gërmenjit dhe miku i tij.
Fetah dhe Ibrahim Kodra, të afërm të familjes Larti, ishin korrierë të Themistokli Gërmenjit, nga Korça në Vlorë. Deri para pushtimit nga Italia, Pashoja kishte qenë oficer i ushtrisë shqiptare. Së bashku me djemtë e të vëllait të tij, Ahmetit, iu desh të luftonte kundër pushtimit Italian. Që nga viti 1939, ai u vu në krye të çetës nacionaliste të Gorës. Nuk pranoi kurrë të bashkëpunonte me komunistët. Kjo gjë iu kërkua edhe në vitin 1943, por ai përsëri nuk pranoi.
Me krijimin e “Ballit Kombëtar”, Pashoja bashkohet me Baba Zylfon dhe Sabri Panaritin, duke krijuar kështu çetën e tij. E arrestuan në vitin 1945, ku e torturuan mizorisht në birucat e Sigurimit. E dënuan me vdekje. Kur po e çonin në “Tebojë” të Korçës, para skuadrës së pushkatimit, pak më tej “Varreve të Francezëve”, ai u thirri të afërmeve të tij, që po e ndiqnin nga larg; “Mos pini kafe për mua, por nxirrni sheqerka, sepse shumë shpejt do të vijë dita, që komunizmi do të përmbyset”.
Bashkë me Pashon, u dënua edhe nipi i tij Asim Bazelli. Të njëjtin fat do të kishte edhe nipi tjetër, Karafil Larti, gjyshi i Saimir Lartit. U dënua sepse u kishte thënë partizanëve, se tashmë që vendi ishte çliruar, Shqipëria duhej të mbështetje tek Anglo-Amerikanët. Kur u krijuan kooperativat, njerëzve të fisit Larti (Bazelli) u thanë, ju do të futeni në kooperativë, por nuk jeni si njerëzit e tjerë, sepse ju jeni kulakë. Ju nuk keni të drejtë as të zgjidhin dhe as të zgjidheni.
Më pas u arrestua, Petrit Bazelli, Skënder Nevruz Malo, i cili u çmend në burg dhe përfundimisht e çuan në Psikiatrinë e Elbasanit. Po kaq tragjike qe edhe jeta e Skënder Malos, njeri i këtij fisi, i cili desh të arratisej nga reparti ushtarak 2200 (repart i punës së detyruar) në Dushk të Lushnjës, por më të mbërritur në fshatin Rajcë, shumë afër me Qafën e Thanës, e kapën. Nga torturat dhe vuajtjet, u çmend. Petrit Bazelli, u arrestua krejt pa pritur në vitin 1980 dhe u dënua me 10 vjet burg, për agjitacion dhe propagandë. Të gjitha këto do të merrnin fund, vetëm pa shembjes së regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Memorie.al