Nga Timo Merkuri
Memorie.al / Emri i Jusuf Gërvallës, u bë i njohur në Shqipëri vetëm pas vrasjes së tij më 17 janar 1982 në Shtutgart, së bashku me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull, edhe për faktin se për vrasjen, u akuzua direkt UDB-ja Jugosllave. Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo zyrtare informacioni, se: Jusuf Gërvalla ishte një i ri kosovar, aktivist politik, që po organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes, kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin. Madje, pëshpëritej se; arsyeja e vrasjes së tij, “paskësh” qenë fakti, pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë ngjarja, shihej si provë e vërtetësisë së mësimeve dhe porosive të udhëheqjes së vendit, mbi veprimtarinë antishqiptare të shërbimeve sekrete të shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi, për vigjilencë revolucionare”.
I – Pak më vonë, qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit, Jusuf Gërvalla, hynte e dilte shpesh në vendin tonë, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literaturë, informacion ky që mbështeste teorinë se, “Tirana e kuqe”, ishte qëndër e lëvizjes botërore për liri, ndërsa Jusuf Gërvalla, ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip “ilegali”, me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se, “koburja” e tij, ishte pena dhe kitara.
Dikur qarkulloi fjala se ai, ishte edhe gazetar i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë, dhe meqenëse u hodh në qarkullim një fotografi e tij me kitarë në dorë, gazetarit ju shtua edhe emërtimi ”këngëtar”, por, pa u sqaruar, në se ishte këngëtar i muzikës së lehtë, apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i këngëve epike, e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij aspekti.
Veçse ndërkohë, kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh, ishte dhe poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin vlerësuar (ata që i kishin parë), në përputhje me vijën e socrealizmit, instruktorët e parties, morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa krijonte tekstet e këngëve, që këndonte bashkë me shokë, nëpër piknike dhe mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që, Jusuf Gërvalla, të mos prezantohej në popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.
Përkundër frymës zyrtare të kohës, poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin, duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën, si një poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një ligjërim lirik në poezitë e tij, me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë dhe se ai, ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.
Në ato vite, isha me punë në Helshan të Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës, apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e mi poetë, më ranë në dorë poezitë e para të tij. Mbaj mend, që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i dhanë dhe as ata nuk më folën mua, për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit sarandiotë, porsa përmendej emri i Jusuf Gërvallës, si poet, bisedën e mbulonte heshtja. Ishte koha e bashkë-bisedimit në heshtje.
Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të Jusufit. Në heshtje m’i dha ai, në heshtje ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në historinë e letërsisë, që një poet, vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje gjëmimtare.
Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e Partisë, flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e tyre, përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb, kur del gabimisht nga shpella e errët, në dritën e ditës.
Pas një “heshtjeje” të thellë, për “vetëvrasjen“ e ish-kryeministrit të vendit, në mesin e dhjetorit të kaluar (1981), kjo heshtje intelektuale, ishte si dëbora e re, që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e frikëshme.
II – Unë i lexova poezitë e Jusuf Gërvallës, që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk mund të them që u mrekullova. Është më e saktë që t’ju them se, u hutova. U hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat, kishin një si dritësim, në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha, për ta “parë”.
Ndoshta vlen të kujtojmë se, hyrja e poezisë së autorëve kosovarë, te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80-të, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas, me përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur, ishte një dritësim tronditës, në qiellin e poezisë shqipe.
Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri, i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare, në të cilat, ndezja e qirinjve pranë ikonave, të turbullonte pamjen e tyre, veç faktit që asfiksonte të pranishmnit. Në këto kisha vogëlane, dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut, kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët, bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm!
Ndërkohë, hyrja në vendin tone në vitet ’80-të e poezisë kosovare, me metaforat dhe stilin e saj, ishte, si të hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta, te “kishat e vogëla”, duke lejuar depërtimin e dritës dhe ajrit të freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”, atëherë, nisi “herezia” e vërtetë poetike.
III – Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës fliste heshtja dhe “heshtte” propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël rreth 10 vjeçare, e cila i dhuroi një tufë karafilash, prurë nga Gjermania.
(Familja e Jusuf Gërvallës, erdhi ilegalisht nga Zvicra në Greqi dhe hyri në Shqipëri, nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavisë, në datën 30 mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të Kakavisë, kishte marr një ditë më parë një fonogram urgjent nga Tirana, për mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që vinin” nga snaiperat serbë…!)
Menjëherë u përhap lajmi se, kjo vajzë, të cilës udhëheqësi i Partisë dhe i shtetit, i përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti, për të rikujtuar, se kush ishte ky njeri! Emrin e tij, e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori, ndonëse fizikisht të panjohur. Pas këtij informacioni zëulët, populli u elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë. Ishte shpërthimi i parë public, për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës.
(Kjo vajzë e vogël ishte Donika Gërvalla, e cila gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet zyrtare, duke luajtur si flautiste, por identitetin dhe personalitetin e saj, do ta shfaqte të plotë në vitin 1991, kur si studente e Akademisë së Arteve, do të ishte aktive në Lëvizjen Antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë, në pranverën e atij vitit).
Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të kryeqytetit, punëtorë e fshatarë që parakalonin të organizuar, nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së udhëheqjes, brohorisnin për Partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e manifestimeve, kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një event i veçantë, që të rritej edhe më ky tonalitet.
Prezantimi para popullit, i vajzës së martirit kosovar, Jusuf Gërvalla, nga vetë udhëheqësi i Partisë dhe i shtetit, duke lënë të kuptohet se; familja e Jusuf Gërvallës, kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe se këtë mbrojtje, ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një ndjenjë pozitive.
Kështu shpjegohet që, me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet dhe brohoritjet para tribunes, u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë, kuadratet e njerëzve, u prishën dhe u dyndën para tribunës. Kuadrati tjetër, që vinte më pas, shtoi masën e njerëzve dhe brohoritjet para tribunës.
Ndonëse brohoritjet, cilësonin Partinë dhe udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve, me fjalë plot dhimshuri, për “jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se, ato brohoritje dhe duartrokitje, i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë, veçse i gëzohej masës festive të njerëzve, që brohorisnin dhe duartrokisnin.
Në fakt, njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e udhëheqësit, në këtë manifestim, ishte një spektakël i organizuar, me synim për rritjen e vlerës së aksioneve të partisë dhe udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht, paraqiti shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime.
IV – Lajmi i botimit të librit me poezi të zgjedhur, “Dhimbje të ndrydhura“, të krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës, nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien, e ka bërë shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha, është një lajm festiv. Tek i miri, zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës dhe sigurisht, po i vihet në dorë lexuesit një vepër poetike e admirueshme.
Unë e lexova parathënien dhe përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht, disa herë, duke i ftuar miqtë e mi krijues dhe lexues, ta pasurojnë botën e tyre poetike, me magjinë e vargjeve të Jusuf Gërvallës, por ajo që dua të them, specifikisht, është se: këto botime cilësore, kaq shumë të kërkuara dhe të domosdoshme, për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e pasionuar të poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen.
Libra të tilla cilësorë, si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit në Shqipëri, ashtu si dhe librat cilësorë që botohen në Shqipëri, duhet të jenë në duart e lexuesve në Kosovë, e më tejë. Është një letërsi, letërsi shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë, që duhen njohur gjerësisht, nga masa e lexuesve.
Jo më kot fola, për misterin e krijuar për arsye jo letrare, që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës, në fillim të njohjes së tij, nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull”, botuar në Tiranë në vitin 1983, nuk e shpërndau “mjegullën” për arsye se, nuk ju bë propogandimi dhe shpërndarja e duhur, për arsye gjithashtu, jo letrare.
Prandaj miq e vëllezër, na i dërgoni këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla, është edhe yni, sepse siç ka thënë vetë ai: “Poeti nuk është vetëm i një treve, ose vetëm i një populli, poeti është i të gjithëve […] Poetët e mëdhenj të një populli, kanë qenë dhe janë poetë të mëdhenj, për të gjithë popujt”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016