Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Ja se sa e dëgjonte Partia zërin e masës së punëtorëve! Ky punëtor, e lidhte akuzën e tij, me disa punime të parakohshme dhe me dërgimin në atë zonë të shumë sondave, nga të cilat një pjesë nuk u vunë dot në punë. Ai i cilësonte këto vepra, si të kryera me qëllime sabotimi, pra me vetëdije armiqësore, për të dëmtuar ekonominë e popullit! Enver Hoxha, në fjalën që i drejtonte udhëheqjes, dënonte rezultatet e dobëta në sektorin e kërkimeve, për periudhën 1970-‘75, duke e parë sabotimin, si; “shkelje të orientimeve të partisë”. I pari i Partisë, arrinte deri aty, sa të dënonte edhe shprehje të veçanta, fraza e terma të përdorura nga gjeologët.
Kështu për shembull, ata kritikoheshin për përdorimin e termit; “kërkimin e linzave në ranorët e strukturës së Divjakës për gaz”, apo; “kërkimin e strukturës X”‘ ose të termave “shtratim”, “kurth”, e plot të tjera, si shfaqje të koncepteve të gabuara të gjeologëve. Sipas tij, ato tregonin që nafta e gazi, janë përfytyruar nga gjeologët, në shtratime të veçanta, ndërsa nafta e gazi, cilësonte ai, janë në zona të gjëra. E gjithë nëntoka, e gjithë Shqipëria, sipas tij, ishte një gjol i madh nafte.
E rrjedhimisht, kudo që të shpohej, duhej të dilte naftë, ndryshe kuptohej, që kish sabotim. Për shumë kënd këto konsiderata, janë shfaqje të marrëzisë së tij, për të cilën është folur e flitet gjatë e gjerë, por duhet ndalur e përfytyruar, se ky ishte verdikti i tmerrshëm që diktatori shqiptar, pat shpallur për ne të gjithë! Mbasi kish lexuar disa protokolle të Këshillit Shkencor, Enver Hoxha i dënonte këto shprehje të përdorura nga gjeologët, si koncepte të huaja, të cilat ata i kishin mësuar, nga tekstet mësimore të universitetit apo, nga libra teknikë të literaturës së huaj. Ai nuk kish turp të shfaqej, se po reviziononte kështu dhe shkencën botërore, të gjeologjisë.
Ndër gjeologët e përmendur, si armiq sabotatorë, ishte dhe drejtori i Institutit të Naftës, Beqir Alia. Dënohej pastaj Protoko Murati, një ndër teknikët e parë gjeologë, që krijuan shërbimin gjeologjik të naftës, me specialistë shqiptarë dhe që tani punonte si shef i sektorit të gjeologjisë. Rreshtoheshin dhe gjeologët të tjerë, si; Koço Plaku, Milto Gjikopulli e Dhimitër Stefa. Gjeologut Koço Plaku, me rastin e festave të nëntorit, për punë të shquar studimore në fushën e gjeologjisë së kërkimeve, i qe dorëzuar dekorata e lartë e “Çmimit të Republikës”. Partia tani përmbysi gjithçka dhe e futi emrin e tij, në listën e armiqve.
Përmbajtja e këtij fjalimi, ishte një bombë e madhe për personat që përmendeshin për të keq në të, por njëkohësisht, ajo goditi e tulati, pothuaj gjithë specialistët e veçanërisht, ata të Institutit Gjeologjik. Një gjendje tensioni, frikë e terrori, u krijua tek kuadrot, në të gjitha institucionet e naftës.
Në këtë material, dënohej puna e Piro Gushos, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, i cili kritikohej se; mbante afër specialistët dhe drejtuesit që dënoheshin në këtë material. Atij i përmendej, deri dhe konflikti që kish patur me mua, ndeshje që shkaktoi largimin tim, nga Instituti i Naftës. Këtë radhë, unë atyre u duhesha që të goditnin Gushon dhe ta cilësonin largimin tim, si një veprim të tij armiqësor, që kish dobësuar punën e kërkimeve të naftës dhe ulur efektivitetin e tyre.
Të kish mbetur gjallë Pirro Gushoja, pas dënimit tim, do t’u duhej ta përgëzonin për luftën ndaj meje, por radha e tij, në listën me armiq, që pat përpiluar çmenduria diktatoriale, qe vendosur më herët. Malin e akuzave, ndër të cilat konflikti me mua, ishte nga më të parëndësishmit, Pirro Gushoja, nuk e duroi dot dhe afro dy muaj më vonë, në një nga pushimet e mbledhjes së Byrosë së Partisë së Fierit, qe ngjitur në shtëpinë e tij, kish kërkuar revolverin dhe i kish dhënë fund jetës. Mbas leximit që i bëri Mehmet Shehu, fjalës së shefit të tij, u bënë pyetje e diskutime, nga anëtarët e qeverisë. Në përgjigjet që kërkonin ata, zërat e naftëtarëve dridheshin, buzët u ishin bërë mavi dhe nuk gjenin fare hapësirë të flisnin. Sapo ata fillonin të përgjigjeshin, menjëherë çoheshin anëtarë të qeverisë, i ndërprisnin, u ndërhynin me diskutime, apo pyetje të tjera, gjë që i bënte naftëtarët, të mekeshin e ta humbnin toruan.
Naftëtarët e tronditur rëndë, nuk ishin më ata njerëzit e parë, të gjallë dhe të rrjedhshëm, në të folur. Ata po mbuloheshin nga retë e akuzave, për shërbime ndaj armiqve të vendit të tyre, gjë për të cilën që atë çast, isha i bindur se as edhe në ëndërr, nuk u kishte shkuar në mend! Unë isha tërësisht i mpirë. Nuk e përfytyroja kthesën e papritur, me konsideratat e Partisë, për këta kuadro. Dhe nuk dija çfarë qëndrimi duhej të mbaja, e çfarë duhej të thoja, po të më pyesnin. Unë ata i njihja në punë, me disa prej tyre, kisha ndarë të mira dhe të liga.
Gabime në punën e tyre ata kishin plot, nga ato gabime që kemi të gjithë, kush më shumë, e kush më pak, por që ata të vlerësoheshin me të tillë epitete, as në ëndërr nuk e kisha çuar ndërmend! Të sabotosh, do të thotë të kryesh një akt të vetëdijshëm, për të dëmtuar. Nuk mund të quhet sabotim, një gjykim apo një zgjidhje, jo e saktë shkencore. Në fushën e shkencës, njihen mijëra raste që dhe shkencëtarët e mëdhenj, nëpërmjet dështimesh në eksperimentet e tyre, kanë arritur pastaj sukseset më të mëdha, në dobi të njerëzimit.
Por asnjë nga dështimet, nuk ka qenë fatal për ta. Dhe gjeologët shqiptarë, nuk mund të bënin dallim nga kolegët e tyre, në tërë botën. Këta të fundit, me një teknikë shumë më të fuqishme, arritën suksese në zbulimin e vend-burimeve të rinj të naftës e gazit, nëpërmjet pusesh negative e pastaj edhe pozitive, por asnjë gjeolog i huaj, nuk është dënuar si armik. Për fat të mire, nuk më pyetën, por megjithatë, nuk shpëtova nga telashet, sepse aty nga fundi, kryeministri Shehu, më ngriti në këmbë dhe më urdhëroi në prani të sallës:
Ti, Xhaçka, qysh sot, do të shkosh në Institutin e Naftës. Të ngarkoj me detyrën e posaçme, të marrësh drejtimin e punës Shkencore dhe organizative, deri sa të bëjmë atje emërimet e reja. Dhe aty për aty, njoftoi se; Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Koço Plaku e të tjerët, shkarkoheshin nga detyrat e drejtimit, apo punët që kryenin dhe u ndalohej të paraqiteshin në zyrat e ndërmarrjeve, ku patën punuar. Siç mësuam, qysh atë natë, rreth shtëpive të tyre, qenë vendosur police, që ndalonin hyrjen apo daljen e njerëzve të tjerë në këto familje.
Nga mbledhja dolëm në orët e vona të drekës. Nuk shkova në restorant për të ngrënë, sepse isha i tronditur nga kjo mbledhje shumë e tensionuar, si një gjyq i vërtetë. Të them të drejtën, me vinte keq për ata naftëtarë, që gjithë ato vite të jetës tyre, kishin derdhur lumenj djerse, kishin kontribuar në ecurinë e punëve, që nuk patën njohur çfarë ishte shija e pushimeve javore, apo e festave të ndryshme, por rrojtën e vigjiluan natë e ditë, në ato terrene të vështira, ku ndodheshin puset tona. Në tërësi ata, kishin dhënë një kontribut të dukshëm, në fuqizimin e industrisë së naftës.
Gjatë gjithë rrugës, nga Tirana në Fier, qëndroja i heshtur, më shumë duke pirë duhan. Vazhdimisht më dilnin para syve, skena të asaj mbledhje dhe e kisha vështirë t’i largoja nga mendja. Më kujtoheshin fraza të rënda, nga fjalimi i të parit të Partisë, fytyra të vrara të naftëtarëve, që dënoheshin. Kur vajta në shtëpi, ime shoqe e kuptoi menjëherë që isha shpirtvrarë, e më kërkoi t’i tregoja shkakun. I tregova shkurtazi për mbledhjen dhe për gjendjen e rëndë, në të cilën ndodheshin kolegët e mi, pas fjalimit të Enver Hoxhës.
Iu shmanga çdo komenti dhe parashikimi, që mund ta tronditnin dhe i thashë se tani, unë do të kisha shumë punë për të bërë, më shumë se sa pata bërë, gjatë atyre viteve të fundit. Së bashku me punonjësit e tjerë të Institutit të Naftës, duhej ta shndërronim natën në ditë, të punonim me të gjitha mundësitë, që të bënim gjithçka, për të përmirësuar gjendjen e krijuar dhe të arrinim të zbulonim vend-burime të reja, nafte e gazi, detyrë që na mbetej gjithnjë, si ajo gozhda e ngulur në kokë.
Të nesërmen vajta në Institut, mblodha shefat e sektorëve dhe u fola shkurt, mbi mbledhjen e qeverisë, që qe zhvilluar në Tiranë. E bëra pa përmendur detaje dhe emra, meqë persona të tjerë, do të vinin për të lexuar fjalën e Enver Hoxhës. Atyre u thashë diçka, për personat e shkarkuar të Institutit dhe i njoftova, se isha ngarkuar unë, të drejtoja përkohësisht gjithë aktivitetin e punës shkencore në Institut. Së pari, mora masa për të ndaluar hyrjen e personave të jashtëm në Institut, përderisa të qartësoheshin gjërat, nga kolektivat e punonjësve të sektorëve të gjeologjisë dhe nga organizatat bazë të partisë, që do të diskutonin posaçërisht më në hollësi, punën e njerëzve.
Unë nuk merrja pjesë në këto mbledhje, sepse nuk isha pjesëtari këtij kolektivi, por i sektorit të nxjerrjes së naftës.
Në orët e paradites, erdhën të dërguar nga organet e Komitetit të Partisë dhe zhvilluan mbledhje speciale, me organizatat bazë të partisë dhe me kolektivat punonjëse. Ata lexuan fjalën e Enver Hoxhës, për naftën. Mbas njohjes me letrën, filluan diskutimet, që nisnin si zakonisht me mbështetjen e fjalës së udhëheqësit, për dënimin e asaj që ai e quante; “veprimtari armiqësore”. Ishte afërmendsh e kuptueshme, se asnjëri nuk mund të dilte kundër fjalës së tij. Në këto mbledhje, filloi të pasurohej lista e mëkateve. Njerëzit jepnin dëshmi negative të punës edhe të specialistëve të tjerë, që i shikonin si të dyshimtë, si bashkëpunëtorë të atyre, që tashmë bënin pjesë në listën e afishuar nga kreu i Partisë.
Ishte rasti të merreshin mëritë e inatet, kundër njërit e tjetrit, nën pretekstin që kësaj veprimtarie të quajtur nga Enver Hoxha; armiqësore, t’i shkohej deri në fund. U shoshitën e u tronditën të gjithë sektorët e gjeologjisë të Institutit. Dukej sikur u hodh thirrja: specialistëve po u shkasin këmbët, o burra, t’u japim të shtymen! U panë njerëz, që me kënaqësi merreshin me këto analiza, për t’u ngulur thikën bashkëpunëtorëve, për të mbuluar punën e tyre të dobët dhe për të fituar favoret e Sigurimit të Shtetit. U mbushën dingaz dosjet, me citime nga bisedat e thashethemet dhe me të dhëna biografike të dyshimta.
Por, natyrisht e falë Zotit, kishte shumë njerëz të ndershëm, që u kufizuan me fjalë të përgjithshme. Ata e dinin se askush, nuk mund të dilte në mbrojtje të atyre, që ishin vënë në shenjë. Kjo tek ne, atëherë ishte vetëvrasje. E meqë nuk heshtnin dot, që të mos tërhiqnin vëmendjen me heshtjen e tyre, mundoheshin të gjenin të meta banale të përditshme, që shfaqen në çdo punë.
Ama, ata që kritikonin me zell, nuk u pyetën kurrë, përse kishin heshtur deri tani! Kjo ishte e qartë, sepse askush nuk i kishte parë të metat e punës, si akte armiqësore. Por, meqë udhëheqja e Partisë, krejtësisht për motive politike, pat thënë se; kjo ish punë armiqësore, hajd’ të bërtasim berihaj, tok me të!
Kjo ishte e qartë si drita e diellit, sepse ishte po ky kolektiv, që para pak muajsh, i pat propozuar këta specialist, për t’u dekoruar, për punë shumë të mirë! Kjo ishte bërë tashmë një modë. Regjimi totalitar, diktatura e egër enveriane, i detyronte njerëzit, me të gjitha metodat, t’i thoshin gjërat jo si i mendonin, por ashtu si vinte kërkesa nga lart. Njeriu në atë sistem humb dinjitetin dhe kthehet në një robot që punon sipas një programi, që ia kanë vendosur të tjerët. Kjo shpjegon atë që nga të gjithë ne naftëtarët nuk kish si të mos dënohej kjo e ashtuquajtur veprimtari armiqësore. U mbajtën protokolle të shumtë, u shtuan më vonë edhe njerëz të tjerë si bashkëpunëtorë të të caktuarve armiq.
Natyrisht këto materiale i mblidhte, i përpunonte e interpretonte, si t’ia kish qejfi Sigurimi i Shtetit, që ditë e natë pasuronte dosjet e specialistëve dhe në rast nevoje, kur i kërkohej nga lart, nxirrte armiq të rinj. Kjo ishte praktika e përbindshme e jetës nën diktaturën komuniste në Shqipëri. Njerëzit kështu bëheshin armiq të njeri-tjetrit. Kjo armiqësi e futur me forcë, ishte shfaqje e një terrori të egër, e një psikologjie antinjerëzore. Gjërat nuk ballafaqoheshin realisht, dhe secili bëhej armik për shokun. Këto forma të përdorura në Shqipëri, të cilat sidomos në industrinë e naftës u bënë më të shpeshta e më të ashpra, sollën që për një periudhë, prej disa dekadash, të humbasin edhe cilësitë e mira që njerëzit kishin të trashëguara në shekuj.
Pavarësisht se sa të vërteta ishin faktet që silleshin, ai që i sillte dhe që hidhte më shumë baltë, futej në radhën e të besuarve. Më pas ishte jashtëzakonisht e vështirë, që atë njeri ta largoje nga puna. Kështu jo rrallë, me shfaqje të tilla gatishmërie për të goditur, të tillë njerëz pa vlera karakteriale, e me dobësi të theksuara në punë, u bënë figura tipike, që zinin poste udhëheqje, deri në ministra e deputetë.
Për disa javë, veçanërisht në Institut dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës, situata mbeti shumë e nderë. Specialistët dhe drejtuesit, në shumicën e tyre, ishin të tronditur e të shqetësuar jashtë mase edhe për shkakun se njerëzit që Enver Hoxha kish caktuar për koka turku, i kishin patur miq e shokë.
Pjesa tjetër, edhe pa patur miqësi e shoqëri, brengosej se në kohëra të kthjellëta e pa praninë e terrorit, kishin shfaqur publikisht për ta vlerësime të mira. Tani brenda një dite, u duhej të kthenin gjithçka kokëposhtë. Mbledhjet e kolektivave e të organizatave bazë të Partisë, vazhdonin çdo ditë me orë të tëra. Kritizerët e sëmurë, që gëzoheshin kur ishin para situatave të tilla, dëshironin të zgjeronin më shumë sferën e diskutimeve dhe për të njëmijtën here, nisnin edhe gërmimet në të kaluarën e largëta nga farefisnitë me armiqtë e komunistëve, njerëz të pushkatuar, të burgosur, të arratisur në Perëndim, apo edhe më thellë, monarkistë ose anëtarë të organizatës nacionaliste Balli Kombëtar.
Shumë punonjës, të prekur nga akuza të tilla, detyroheshin edhe një here, të nxirrnin e paraqisnin dëshmi nga qytetet dhe fshatrat e lindjes, apo edhe të banimit të mëparshëm, për qëndrimin e pëlqyeshëm politik të tyre, të familjes dhe i rrethit të gjerë familjar. Disa qanin për akuzat e pa baza që u bëheshin nga kolegët e punës, për çështje biografie, apo miqësi të dukshme me naftëtarët, që po dënoheshin si armiq. Të tjerë vinin në dukje, interpretimet keqdashëse që u jepeshin disa diskutimeve të tyre, bërë vite të shkuara, për punën ose përgëzimeve që u kishin shprehur më parë, me rastin e dekorimeve, naftëtarëve që tani po dënoheshin.
Turbullira nxirrnin shpesh herë në sipërfaqe, proçes verbalet të vjetra mbledhjesh të ndryshme, që në këtë kohë, u shpluhurosën dhe u rilexuan edhe një here, nga komisione të posaçme njerëzish të besuar. Ankesat rridhnin nga që këta proçes-verbale, qenë mbajtur jo nga persona kompetentë e të specializuar, por u qenë lënë në dorë individëve që shpesh herë, qoftë edhe nga lodhja, i patën dëgjuar diskutimet jo saktë, i patën përmbledhur keq frazat e mendimet e diskutantëve dhe si pasojë, kishin ndryshuar dhe thelbin e diskutimeve teknike, të temës që qe trajtuar. Kushte të tilla mjegulle, bëheshin stinë të korrash, për ata që deshin të bënin keq.
Gjatë gjithë ditës, punonjësit e Sigurimit qëndronin në zyrat e Institutit, merrnin kontakt me njerëz të ndryshëm të cilëve u kërkonin opinione dhe informacione për gjithçka thuhej në mbledhjet e kolektivave apo të organizatave bazë. Disa herë sigurimsat shkonin dhe vetë në këto ballafaqime dhe natyrisht, nxirrnin gjërat ashtu siç i dëshironin ata. Ishin të shumtë specialistet, të cilët thirreshin në Degën e Punëve të Brendshme të naftës në Fier. Aty merreshin në pyetje dhe të gjithëve u jepej porosi që të mos i tregonin askujt, se kush i pat thirrur dhe përse.
Një hije e rëndë terrori të egër, mbuloi veçanërisht Institutin e Naftës. Shumë ngjarje apo fakte të tilla e të tjera, janë marrë vesh më vonë, sidomos pas përmbysjes të regjimit diktatorial, tashmë kur njerëzit mund të tregojnë hapur, se çfarë kishte ndodhur me ta në ato vite, pra gjëra që askujt nuk mund t’ia tregonin më parë. Edhe marrëdhëniet e krisura familjare, gjetën terren në këto javë. Një naftëtar kish grindje me të shoqen dhe ndodheshin me të në prag të divorcit.
Në një mbledhje të popullit në lagje, gruaja qe ngritur dhe pat akuzuar të shoqin, se ai nuk blinte, e nuk lexonte veprat e Enver Hoxhës. Kryesia e këshillit të lagjes, pat organizuar menjëherë kontrollin brenda në shtëpinë e këtij naftëtari të vjetër, e kish verifikuar që informata e bashkëshortes, qe e saktë, dhe naftëtari u bë objekt i goditjeve të papara. Ishte fat që nuk u gjend njeri të ngrihej e të tregonte, se ai kish shprehur ndonjë pakënaqësi. Fati i tij mbeti vite të tëra në fije të perit.
Një rast tjetër kuptimplotë: një specialist nga kabinetet e institutit, akuzoi një kolegun e tij për pikëpamje revizioniste. Duke dashur t’i hedhë akuzës një pelerinë teknike përsipër, dëshmoi se shoku i tij i punës, në studimin e tij, kishte përdorur si interpretim metodën e trekëndëshit, për vendosjen e parametrave petrografike të shkëmbinjve, metodë kjo e përdorur nga specialistë të huaj polakë, dhe dilej se qëndronin në kampin revizionist, të udhëhequr nga Moska. Kjo logjikë absurd, vinte si pasojë e asaj që tek ne çdo qytetar i vendeve kapitaliste, apo atyre qe i quanim revizionistë, shikohej pa një pa dy, si armik dhe spiun.
Çdo kontakt apo bisedë me ta ishte mjaft, për të mbyllur jetën në burg. Le të ishin këto shkëmbime përshëndetjesh, mendimesh teknike, apo thjesht shfaqje mirësjellje! Pisllëqet, po dilnin hapur në sipërfaqe. Në dobi të punës dhe atmosferës kolegjiale që po rrënohej, iu kundërvura insinuatave politike, kur bëhej thjesht fjalë për një studim. Në këtë rast, ishte për t’u lavdëruar studimi i këtij specialisti, që po bënte hapa përpara në thellimin dhe ngritjen e nivelit shkencor të studimeve.
Mbas debatesh shumë të ashpra në kabinet, në sektor dhe deri në Këshillin Shkencor, si përfundim, akuza që specialisti “patriot”, i bëri kolegut, doli huq dhe natyrisht ky i fundit, shpëtoi nga përjashtimi prej Institutit, që më vonë mund të vijonte dhe me persekutime të tjera më të rënda. Në mbështetjen time, theksova që çdo punonjës, mund të përfshije në studimet e tij, për qëllimet që mund t’i shërbejnë temës studimore, edhe arritje të specialistëve të huaj, dhe këtë nuk kemi se si ta veshim me qëllime politike, deri në armiqësore, sepse kështu frenojmë ecjen përpara të shkencës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016