• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, May 1, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Pakti i Romës në janar 1920, nuk qe pengesë që Qeveria italiane, në qershor të vitit 1924, ta ndihmonte kryengritjen e Fan Nolit kundër Zogut dhe…“/ Ana e panjohur e synimeve serbe ndaj Shqipërisë

“Ivo Andriç, u bë ‘de facto’ dhe ministri i Jashtëm i Jugosllavisë, sepse bllokoi promemorien e Dom Shtjefën Kurtit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, kurse Enveri, e pushkatoi dhe e la pa varr…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
Ahmet Zogu dhe Galeazzo Ciano 1938
Personalitete e huaja që vizituan Shqipërinë në vitet 1930 – 1991
“Ndonëse ai nuk e pranoi akuzën dhe megjithëse tre dëshmitarët: Kaliopi Prifti, Nuçi Naumi dhe Ilia Gjino, dëshmuan se Gjergj Bubanin e njihnin si…”/ Refleksionet mbi Gjyqin Special të 1945-ës
“Edhe po të pranojmë se Noli pat njolla, themelimi i ‘Dielli’-t, pranimi n’Lidhjen e Kombeve dhe Autoqefalia, tre veprat e shkëlqyeshme, krejt i’a shlyejn…”/ Shkrim i panjohur i Koliqit
“Mbreti Zog i tha; Ne importojmë nga Italia 34 milionë franga, duhet të shkëputemi nga tutela italiane, lufto, ti, zoti Asllani, që të lidhemi me Çekosllovakinë, Gjermaninë, pasi…”/ Ana e panjohur e diplomacisë shqiptare

Nga Ivo Andriq

Pjesa e dytë

Memorie.al / Sipas pjesës së fshehtë suplementare të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë të 29 shkurtit të vitit 1912, Serbisë iu njoh e drejta e marrjes së territorit turk të deriatëhershëm në veri dhe në perëndim të malit të Sharrit. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që shtetit të vet t′i sigurojnë daljen në det, trupat serbe, më 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe, shkallë-shkallë, e pushtuan tërë Shqipërinë e Veriut, deri në Tiranë e Durrës. Në “Tajmsin” e Londrës, më 25 nëntor, u botua deklarata e Pashiqit, se Serbia e kërkon Durrësin me hinterlandin më të madh.

                                                  Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“’The Christian Science Monitor’, më 19 qershor 1973, jepte mesazhe për ulje tensioni midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, afrimi amerikan-kinez e çarja shqiptare-kineze…”/ Dokumentet sekrete amerikane të vitit 1982

“Dëshmitarët e paktë të mbetur gjallë, thonë se nacionalisti Haki Taha e vrau komunistin Milladin Popoviq, që kishte bashkëpunuar ngushtë me Enverin, pasi…”/ Misteri i vrasjes së bujshme në marsin ’45-ës

V– PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA DEFINITIVE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA

Pas mbarimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak të aleatëve, trupat italiane e pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën veriore, e cila na ishte dhënë me Paktin e Londrës. Vetëm Shkodra kishte mbetur nën pushtetin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane. Për shkak të qëndrimit armiqësor që kishte atëhere Italia ndaj shtetit të Serbëve, të Kroatëve e të Sllovenëve, ne e konsideronim këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë, rrezik më të madh për ekzistencën tonë.

Në tokën shqiptare u zhvillua një luftë e rreptë midis nesh dhe Italisë. Italianët atëhere e iniciuan çështjen malazeze dhe atë maqedonase, si dhe idenë e Shqipërisë së Madhe deri në Kaçanik. Ne zhvilluam kundër tyre aksione herë të fshehta, herë të hapëta, duke blerë me para parinë shqiptare dhe duke proklamuar idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani popujve ballkanikë”.

Pakënaqësia e popullsisë shqiptare, për të cilën e kemi përkrahjen edhe ne, i detyroi italianët që, në fillim të vitit 1920, t′i tërhiqnin trupat e tyre nga viset e brendshme të Shqipërisë dhe të ndaleshin vetëm rreth Vlorës, prej nga, në qershor të po atij viti, u detyruan të tërhiqen dhe të lidhin me qeverinë e Tiranës një marrëveshje për evakuimin e tyre nga tërë territori shqiptar, përveç ishullit të Sazanit.

Evakuimi nga Shqipëria u bë, pra, në sajë të rezistencës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet harruar se Italia, në atë kohë ishte politikisht edhe ushtarakisht shumë e dobët. Edhe sot ka shqiptarë që mendojnë se kur të donin do të mund t′i dëbonin italianët nga Shqipëria. Ky vetëbesim është fatal për ta, sepse nuk po e shohin se Italia fashiste e sotme nuk është ajo që ishte në vitin 1920, nën qeverinë parlamentare të Nitit, të Gjolitit dhe të Faktes.

V – SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE

Meqenëse me evakuimin e trupave italiane nga Shqipëria situata në terren ishte spastruar, Konferenca e Ambasadorëve, në nëntor të vitit 1921, mund të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj special, për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria u pranua edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më tepër pavarësinë e saj.

Para Konferencës së Ambasadorëve provuam kot edhe një herë që ta fitonim të drejtën e korrigjimit të kufirit në drejtim të Shkodrës dhe në drejtim të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike e, për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të komunikacionit. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar që, në kohën e vet, nuk e ka pranuar propozimin për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit pat refuzuar”. Që të mos i lejonim italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufijtë deri në Dri.

Meqenëse ne e përkrahnim gjithnjë idenë për mos-ndarjen e territorit shqiptar, që ishte caktuar në vitin 1913, si dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve ishte e kënaqshme për ne. Ndërkaq, kjo nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë po rëndohen më tutje edhe pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Republika e Mirditës

Ndërsa Konferenca e Ambasadorëve po vendoste për kufijtë e Shqipërisë dhe për organizimin e pavarësisë së saj, nga gjysma e vitit 1921, ne nënshkruam me parinë e Mirditës marrëveshjen për bashkëpunim. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe interesat e së cilës në botën e jashtme do t′i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje e, ne u akuzuam dhe u dënuam para Lidhjes së Kombeve.

VII. – PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA

Pakti i Romës, i janarit të vitit 1924, për nga fryma e vet, ua imponoi Romës e Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë mbi ngjarjet në Shqipëri. Ndërkaq, kjo nuk qe pengesë që Qeveria italiane, në qershor të vitit 1924, ta ndihmonte kryengritjen e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut e as qeveria jonë, në dhjetor po të atij viti, t′ia bënte të mundshme Ahmet Zogut, që, nga territori ynë, të futet në Shqipëri për ta marrë pushtetin.

As Roma, as Beogradi, nuk mundën t′u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptarë, që kërkonin ndihmë për ta mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe që premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë e ndërronin orientimin.

VIII. – PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI

I ndjeri Pashiq, duke u dhënë udhëzime përfaqësuesve tanë për punë në Shqipëri, u thoshte: “ne duam që Shqipëria të jetë e pavarur, por e dobët dhe e parregulluar”. Koha ka treguar se kjo ishte e pamundshme të qëndronte. Shqipëria e dobët dhe e parregulluar patjetër do të kërkonte ndihmë e mbrojtje atje ku mund t′i gjente këto. Regjimi i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, e regjimin të cilin donim ta përmbysnim ne, kërkonte mbrojtje nga Italia.

Shqipëria e dobët dhe e parregulluar, në vitin 1926, kërkoi mbrojtje e ndihmë nga Italia. Ahmet Zogu së pari mori garanci për regjimin e vet, e pastaj, në vitin 1927, pranoi të lidhë Aleancën Ushtarake për 20 vjet, mori me qindra e qindra miliona lireta për punë botore, ia nënshtroi plotësisht Shqipërinë Italisë në pikëpamje ekonomike e financiare, pranoi shumë instruktorë italianë. U krijua, pra, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit ne luftonim në Konferencën e Paqes.

Rreziku më i madh që viteve të fundit na vinte nga Shqipëria, ishin organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksioni irredentist. Gjithkund e shihnim rrezikun nga aksioni italian dhe atë “kufirin ofensivë” kundër të cilit kishim luftuar para aleateve në Paris, kur ata propozonin që Italisë t′i jepej mandati në Shqipëri.

Është me interes të përmendim në këtë vend se vetëm ne kemi protestuar dhe kemi luftuar kundër ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë shtet tjetër ballkanik nuk na përkrahu në këtë pikëpamje. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Për më tepër, Osten Cemberlen, në takimin me Musolinin në Livorno, në vitin 1926, e dha pëlqimin për Paktin e Tiranës. E të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë, gjithnjë e këshillonin Mbretin Zog që të mos hynte në konflikt me italianët.

IX – PAKTI ITALO-JUGOSLLAV I MIQËSISË I 25 MARSIT 1937

Italia e Jugosllavia, duke ndjekur politikë miqësore njëra me tjetrën, mund të merren vesh në lidhje me Shqipërinë, në këtë bazë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë; kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet nga ne; ne duhet ta kuptojmë këtë interes dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është që të mos jetë e rrezikuar në kufirin e Shqipërisë me Serbinë Jugore, as me Kosovën (e banuar me shqiptarë) e, as me Shkodrën dhe Malin e Zi.

Pa dyshim se kjo është marrë parasysh në protokollin e fshehtë të Paktit të Miqësisë kur është paraparë se do të ndalet fortifikimi i mëtejshëm në zonat e Librazhdit e të Milotit. Sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne nuk kemi as nuk dëshirojmë të investojmë farë mjetesh të posaçme.

Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, që e kanë marrë ndaj nesh para dy vjetëve se në pikëpamje politike, ekonomike ose financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë dobish speciale që do ta komprometonin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë pavarësinë e shtetit shqiptar.

Në këtë mënyrë, Pakti i Miqësisë, i 25 marsit 1937, krijoi një “modus vivendi” të durueshëm midis nesh dhe Italisë në terrenin shqiptar, ku, viteve të mëparshme, kishim aq shumë konflikte dhe mosmarrëveshje. Është çështje tjetër se sa në Shqipëri do të mund t′u bënte ballë ky qetësim sprovave të ndonjë situate më të rëndë e, më të ndërlikuar në detin Mesdhe ose në Ballkan.

X – RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS KUOS

Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është shuar. Pavarësia e një shteti ndaj botës së jashtme gjithmonë është nocion relativ. Duke marrë parasysh edhe rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është e zvogëluar. Për Shqipërinë sot nuk mund të thuhet se politika e saj e brendshme dhe e jashtme është e pavarur nga Italia. E megjithatë, në bashkësinë ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet shtet i pavarur. Nga aspekti juridik ndërkombëtar, bregdeti shqiptar nuk është italian, por është nën sovranitetin e një shteti ballkanik.

Italia ende nuk ka shkelur në Ballkan. Ajo ka sovranitetin e vet në një pjesë të territorit të Zarës, por kjo më nuk i jep mundësi për zhvillim të mëtejshëm. Italia ushtron ndikimin e vet në Shqipëri, por nuk ka liri aksioni si në territorin e vet. Shqiptarët, megjithatë, e kundërshtojnë ndërhyrjen e saj, i shkaktojnë vështirësi, e ngadalësojnë.

“Ballkani popujve ballkanikë”

Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani popujve ballkanikë”. Ky parim, në kohën e vet, është përdorur në luftë kundër Perandorisë Otomane dhe Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdori me sukses këtë kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili fuste Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri.

Në aplikimin e këtij parimi, ne kemi parë gjithmonë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim midis popujve ballkanik, për zhvillimin normal të popujve ballkanikë. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan është dere e hapur për intriga e pushtime.

Ekspansioni i Italisë

A është e mundur që Italia, duke u bërë zotëruese sovrane e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, të mbetet vetëm në atë brez të ngushtë bregdetar? Ne nuk kemi besuar para 20 vjetëve, kur fuqitë e mëdha ia dhuruan Italisë Vlorën me hinterlandin. Aq më pak mund të besojmë sot, kur Italia po tregon aq dinamizëm dhe guxim në politikën e vet të jashtme.

Një precedent i rrezikshëm

Marrja e një pjese të territorit ballkanik nga ana e një fuqie të madhe jashtë-ballkanike, pa kurrfarë baze etnike, për të gjithë popujt ballkanikë, pra, edhe për ne, është një precedent i rrezikshëm. Fuqitë e tjera të mëdha, nga drejtimet e tjera, mund të paraqiten me pretendime të ngjashme.

Rasti i Italisë në Shqipëri është posaçërisht i rrezikshëm për ne, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin Italisë iu njoh për herë të parë Shqipëria jugore, iu njoh edhe Dalmacia veriore. Precedenti për ngjalljen e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit e hap derën edhe për ngjalljen e dispozitave të tjera.

Ndarja e Shqipërisë

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t′i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte ne vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë.

Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t′i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.

Kompensimet tona

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t′i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës.

Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.

Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej me lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200.000 deri 300.000 shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj./ Memorie.al

Beograd, më 30 janar 1939

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 01 Maj 2026

Next Post

“Trim i çartur, Adem Allçi, revoltohej me njerëzit e komandës, hipte në tarracë, përleshej e gjakosej me policët, por kur vinte kapter Ali Kurti...”/ Historia e tmerrit të Burrelit, që Arshi Pipa e ekranizoi në SHBA-ës  

Artikuj të ngjashëm

“’The Christian Science Monitor’, më 19 qershor 1973, jepte mesazhe për ulje tensioni midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, afrimi amerikan-kinez e çarja shqiptare-kineze…”/ Dokumentet sekrete amerikane të vitit 1982
Dossier

“’The Christian Science Monitor’, më 19 qershor 1973, jepte mesazhe për ulje tensioni midis Shqipërisë dhe SHBA-ve, afrimi amerikan-kinez e çarja shqiptare-kineze…”/ Dokumentet sekrete amerikane të vitit 1982

May 1, 2026
“Mugosha dhe Miladini, ndikuan ndjeshëm në vendimet e marra nga ana e Enverit dhe PKSH-së, si dhe në Shtabin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare…”/ Refleksionet e studiuesit të njohur
Dossier

“Dëshmitarët e paktë të mbetur gjallë, thonë se nacionalisti Haki Taha e vrau komunistin Milladin Popoviq, që kishte bashkëpunuar ngushtë me Enverin, pasi…”/ Misteri i vrasjes së bujshme në marsin ’45-ës

April 29, 2026
“Për Serbinë e Mesme dhe Malin e Zi, lugina e Drinit është e vetmja rrugë për Adriatik, kurse hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik…”/ Ana e panjohur e Konferencës së Londrës më 1912
Dossier

“Për Serbinë e Mesme dhe Malin e Zi, lugina e Drinit është e vetmja rrugë për Adriatik, kurse hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik…”/ Ana e panjohur e Konferencës së Londrës më 1912

May 1, 2026
“Pas vitit 1945, Prof. Peppo, nuk do t’i përmendte shkrimet e botuara te revista e Koliqit, ashtu siç nuk përmendi njohjen me Lef Nosin dhe…”/ Refleksionet e studiueses dhe historianes së njohur
Dossier

“Një ditë, duke ecur në ‘Rrugën e Dibrës’, në trotuar pashë mësuesin tim të Liceut të Korçës, Enver Hoxhën, i cili më ndali dhe më tha…”/ Dëshmia e rrallë e Arben Putos; Në klasë s’na qëlloi kurrë me pëllëmbë…!

April 28, 2026
“Shqipëria, që është grindur me gjithë të mëdhenjtë; Uashingtonin, Moskën e Pekinin, ngjan si një vend, ku religjioni, vjedhësit e qentë…”! / Shkrimet e shtypit Perëndimor, për “vendin e shqipeve”
Dossier

“Strauss nuk u prit as nga Enver Hoxha dhe as nga Ramiz Alia, po ashtu u evitua pa asnjë argument politik takimi me kryeministrin Çarçani, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e ish-ambasadorit Çaushi

April 28, 2026
“Më 27 prill, Viktor Mayer nga Vjena shkruan: ‘në demonstratat në Kosovë ka të vrarë e të plagosur, një pjesë e funksionarëve jugosllavë kanë…”/ Shtypi evropian për ngjarjet e pranverës 1981
Dossier

“Më 27 prill, Viktor Mayer nga Vjena shkruan: ‘në demonstratat në Kosovë ka të vrarë e të plagosur, një pjesë e funksionarëve jugosllavë kanë…”/ Shtypi evropian për ngjarjet e pranverës 1981

April 27, 2026
Next Post
Denoncimet e B.p. “Shkëmbi”, burgu i Burrelit, ’83: /“Gjet Kadeli, Daut Gumeni, Kapllan Resuli, Bebi Konomi, Luan Burimi, Skënder Shatku, etj., flasin kundër udhëheqësit të partisë, duke thënë…”

“Trim i çartur, Adem Allçi, revoltohej me njerëzit e komandës, hipte në tarracë, përleshej e gjakosej me policët, por kur vinte kapter Ali Kurti...”/ Historia e tmerrit të Burrelit, që Arshi Pipa e ekranizoi në SHBA-ës  

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme