Nga Dashnor Kaloçi
Memorie.al / Agresioni ushtarak i Bashkimit Sovjetik kundra Çekosllovakisë në gushtin e vitit 1968, ku tanket ruse brenda pak orëve zbarkuan në të gjitha rrugët e Pragës, duke kryer kështu një pushtim ushtarak ndaj një vendi sovran, u bë shkak dhe detyroi udhëheqjen e lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë me në krye Enver Hoxhën, që ta denonconte publikisht atë veprim të Moskës zyrtare në një seancë urgjente të Kuvendit Popullor, ku u mor vendimi për të dalë (dhe de facto) nga Traktati i Varshavës, çka formalisht “de jure”, Tirana zyrtare e kishte bërë që në vitin 1961, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik të Nikita Hrushovit.
Nisur nga kjo situatë tejet e vështirë që po kalonte Shqipëria komuniste, (si dhe vende të tjera të Evropës Lindore dhe Ballkanit gjithashtu), pasi i druhej rrezikut të një sulmi të mundshëm sovjetik, udhëheqja e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhës, (i cili mbante dhe postin e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ushtrisë Popullore), kaloi në situatë alarmi nr. 1 (gjendje lufte), të gjithë repartet e njësitë e armatosura të ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të ministrisë së Punëve të Brendshme, duke bërë gjithashtu edhe mobilizimin e përgjithshëm të Forcave Vullnetare, të cilët filluan stërvitjet dhe zboret ushtarake, në shkallë vendi, nga Jugu në Veri. Krahas kësaj, filloi menjëherë edhe testimi i popullsisë civile të qyteteve dhe fshatrave, për largimin nga banesat e shtëpitë e tyre dhe strehimin nëpër tunele e qendra të fortifikuara, pas alarmeve me sirena që jepeshin herë pas here nga Shtabet e Mbrojtjes së rretheve, apo Komandat ushtarake përkatëse.
Në kontekst të zhvillimit të këtyre ngjarjeve (edhe pse Shqipëria komuniste nuk pati asnjë rrezik nga “ariu rus”), lindi nevoja e tunelizimit dhe fortifikimit të vendit, duke filluar kështu ndërtimin me ritme të shpejta dhe në shkallë të gjerë të tuneleve, jo vetëm për forcat e armatosura, por edhe për popullsinë civile, ku ajo do strehohej në një rast të mundshëm bombardimi, kryesisht nga forcat e Traktatit të Varshavës, apo dhe paktit ushtarak të NATO-s. Ndërtimi i këtyre tuneleve, u intensifikua kryesisht pas vitit 1974-’75, kur Enver Hoxha goditi dhe eliminoi “Grupin puçist në Ushtri”, me në krye ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, ku një nga akuzat kryesore të bërë ndaj tij, ishte dhe ajo që ai; “kishte lënë zbuluar fortifikimin e vendit, dhe ishte pajtuar me ‘Teorinë e rrëshqitjes’, për t’ju shmangur një lufte frontale, duke dalë në mal, për luftën partizane”!
Në këtë kuadër, fortifikimi dhe tunelizimi i vendit vazhdoi me ritme të larta, duke u intensifikuar përsëri edhe më shumë pas vitit 1978-’79, kur Tirana zyrtare prishi dhe ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës, çka automatikisht solli dhe prerjen e menjëhershme të ndihmave ekonomike dhe ushtarake nga ana e Pekinit, i cili që nga viti 1961, e kishte ndihmuar Shqipërinë, jo vetëm në pajisjeje dhe teknikë ushtarake të të gjitha llojeve të armëve, por edhe nga ana ekonomike, duke i akorduar vendit tonë qindra milionë dollarë, me të cilat u ndërtuan veprat më të mëdha të pesëvjeçarëve.
Ashtu si dhe në vitin 1968, (pas agresionit ushtarak sovjetik ndaj Çekosllovakisë), prishja e marrëdhënieve me Kinën, e detyroi përsëri udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës, me në krye Enver Hoxhën, që t’i ri kushtonte një vëmendje të madhe tunelizimit dhe fortifikimit të vendit, duke akorduar shuma të mëdha financiare në buxhetin qeverisë, “për mbrojtjen”! Në këtë kuadër, që në vitin 1979, ministria e Punëve të Brendshme, me në krye Kadri Hazbiun, mori vendimin për projektimin dhe ndërtimin e një objekti sekret nëntokësor, poshtë godinës ekzistuese të Ministrisë së Brendshme, si dhe disa objekteve të tjera në të gjitha Degët e Punëve të Brendshme të rretheve të vendit, në të gjithë Shqipërinë.
Projektimi i objektit të madh nëntokësor, ku do strehohej efektivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në kohë lufte, zgjati disa vjet dhe punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe zgjatën deri në vitin 1985, kur muar në dorëzim nga autoritetet përkatëse të asaj ministrie në atë kohë. Ky objekt që asokohe konsiderohej “tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë”, u bë i njohur për publikun e gjerë vetëm disa vite më parë, dhe është ai që sot ndodhet nën sheshin midis godinës së Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Ekonomisë, i cili njihet tashmë si; “Bunk’Art 2”, një muze historik në qendër të kryeqytetit, që vizitohet gjatë gjithë vitit nga qindra e mijëra turistë, vendas dhe të huaj.
Po kush ishin konkretisht projektuesit dhe ndërtuesit e atij objekti, sa dhoma kishte ai, kush do të strehohej aty? Ku fillonin dhe ku ishte dalja e tuneleve sekrete që do të shërbente për evakuimin e udhëheqjes dhe efektivit të ministrisë së Punëve të Brendshme, në një rast rreziku eventual në kohë lufte? Sa ishte aftësia mbrojtëse e atyre mureve betoni e çeliku, për të përballuar goditjet e bombave të aviacionit armik, etj. etj.?! Lidhur me këto, etj., na njeh ky dokument arkivor që mban siglën “Tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë”, (tashmë i de klasifikuar), i cili është marrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe publikohet për herë të parë në këtë shkrim bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR ME STUDIMIN E GRUPIT TË PUNËS SË DREJTORISË OPERATIVE DHE XHENIOS SË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, PËR NDËRTIMIN E OBJEKTEVE SEKRETE POSHTË GODINËS SË MINISTRISË DHE NË DEGËT E BRENDSHME NË RRETHE
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE SHQIPËRISË SEKRET RËND. VEÇANTË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA OPERATIVE DHE PËRGATITJES E përkohshme 10 vjet
DEGA E XHENIOS Tiranë, më 11.9.1979
NR.202
STUDIM
MBI GJENDJEN DHE MASAT QË DUHEN MARRË PËR VEND-DREJTIMET KRYESORE NË MINISTRI DHE NË DEGËT E PUNËVE TË BRENDSHME
Në bazë të urdhrit të dhënë nga udhëheqja e Ministrisë, për zgjidhjen e problemit të strehimeve mbrojtëse të dikasterit qendror dhe të Degëve të Punëve të Brendshme, u bë studimi i gjendjes faktike të strehimeve, i nevojave në ambiente për kondita lufte për dy kategoritë e Degëve dhe për Ministrinë, si dhe për variantet e ndërtimit të tyre, për çdo rast.
A. Mbi vend-drejtimin kryesor të ministrisë:
Në dikasterin qendror të ministrisë, janë adaptuar një pjesë të bodrumeve të vetë godinës, ku përfshihen 7 (shtatë) dhoma pune, (nga të cilat janë katër dhoma me kalim tek njëra tjetra), centrali, dy dhoma ventilimi, WC-ja, korridoret që lidhin strehimin e ndarë në dy pjesë, si dhe dy daljet rezervë, një nga të cilat përfundon në lulishten e ministrisë, dhe tjetra në kompaninë e shërbimeve të repartit 324.
Në afërsi të vendstrehimit, është ndërtuar dhe një dhomë për vendosjen e grupit elektrik. Aftësia mbrojtëse e dhomave të pjesës së strehimit në zonën qendrore të godinës, është llogaritur për t’i rezistuar goditjes vertikale nga bomba fugase e aviacionit, të kalibrit 250 kg. (kur bomba bie në trotuar, në afërsi të mureve të perimetrale, strehimi i reziston një bombe prej 50 kg.).
Duke u nisur nga organika e kohës së luftës dhe për të siguruar kushte normale pune, mendohet që vend-drejtimi kryesor i Ministrisë, përveç ambienteve në shërbimet, të ketë 41 dhoma pune, të specifikuara si më poshtë:
Për udhëheqjen e ministrisë 3 dhoma
Komitetin e Partisë 1 dhomë
Grupin e punës së Partisë 1 dhomë
Drejtorinë e I-rë 5 dhoma
Drejtorinë e III-të 3 dhoma
Drejtorinë e Policisë 4 dhoma
Drejtorinë Operative 5 dhoma
Drejtorinë e Hetuesisë 3 dhoma
Drejtorinë e Sig. Ushtrisë 2 dhoma
Dega e X-të 2 dhoma
Kuadër-organizimin 2 dhoma
Grupin e inspektorëve 1 dhomë
Administratën 2 dhoma
Degën e Ndërlidhje 1 dhomë
Degën e XII-të 1 dhomë
Komandaturën 1 dhomë
Grupin ekonomik 2 dhoma
SHUMA 41 dhoma
Për ndërtimin e vend-drejtimit me ambientet që kërkohen, mendojmë të bëhet adoptimi i bodrumeve ekzistuese të pjesës qendrore të godinës së ministrisë, ku sigurohen 8 (tetë), dhoma dhe pjesa tjetër të jetë e groposur me 26 dhoma pune, që parashikojmë të ndërtohet në oborrin dhe godinat ku ndodhet sot kompania e shërbimit të repartit 324 (të cilat sipas planit rregullues, duhet të hiqen).
Aftësia mbrojtëse e vend-drejtimit që do adoptohet, nuk mund të realizohet më tepër se nga goditja direkte e B.F.A. (bombës fugase e aviacionit), e kalibrit 250 kg., kurse pjesa e tipit të groposur, mendojmë të kalkulohet për t’i rezistuar goditjes direkte të B.F.A., të kalibrit 500 kg.
Madhësia e dhomave të punës dhe të shërbimit, si dhe kostua e saktë e strehimeve, do të dalin mbas hartimit të detyrës së projektimit dhe projektit teknik. Nga një llogaritje e përafërt, del se; pjesa e vend-strehimit të groposur, kushton 2.000.000 lekë, kurse adoptimi i bodrumit, 350.000 lekë, gjithsej, 255.000 lekë.
B. Mbi vend-drejtimet kryesore të e Degëve të Punëve të Brendshme
Për të siguruar kushte normale pune për kohë lufte, për Degët e Punëve të Brendshme, Shkodër, Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Berat, Fier, Gjirokastër, Sarandë, Peshkopi e, Drejtoria e Punëve të Brendshme, Tiranë, përveç ambienteve të shërbimit, (dhomë filtro-ventilimi, nyje e përpunimit sanitar, dhomë për grupet elektrike, ndërlidhje, mensë, kuzhinë), nevojtoren dhomat si më poshtë:
Për kryetarin e Degës 1 dhomë
Komitetin e Partisë 1 dhomë
Sigurimin 2 dhoma
Seksionin e Përgjith. 1 dhomë
Policinë 2 dhoma
Hetuesinë 1 dhomë
Prapavijën 1 dhomë
Kuadër-organizimin 1 dhomë
Shifrën 1 dhomë
Sekretari e p. sekret 1 dhomë
Informacioni 1 dhomë
Gjithsej duhen 13 dhoma
Ndërsa Degët e Punëve të Brendshme të rretheve të tjera, mendohet të kenë 10 (dhjetë) dhoma pune.
Gjendja aktuale e vend-drejtimeve kryesore e Degëve të Punëve të Brendshme dhe mundësitë për plotësimin dhe ndërtimin e tyre për secilën Degë, paraqitet:
- Janë të pajisura me vend-drejtime kryesore të tip tunel, që lidhet me godinë, Degët e Punëve të Brendshme të Tropojë e Kukës. Në këtë vend-drejtime, për të siguruar kushte normale pune, del e nevojshme që në perspektivë, të shtohen 4 deri në 6 dhoma të tjera, duke përfshirë dhe ambientet mensë-kuzhinë. Vend-drejtimi i Degës së Punëve të Brendshme Tropojë, është në procesin e ndërtimit dhe parashikohet të përfundojë në vitin 1981.
- Janë pajisur me vend-drejtime të tunelizuara në afërsi të godinave: Tepelena 200 m., Gramshi 150 m., Skrapari 50 m, Burreli rreth 400 m., dhe Durrësi 500 m.
Për Degët e Punëve të Brendshme; Tepelënë, Gramsh dhe Skrapar, mendojmë të shfrytëzohen vend-drejtimet ekzistuese, meqenëse janë në afërsi të godinave, duke ju bërë një shtesë në perspektivë, prej 4 deri në 6 dhoma. Këto vend-drejtime janë në procesin e montimit dhe përfundojnë brenda këtij viti.
Në Degën e Punëve të Brendshme Durrës, ku vend-drejtimi rezervë Nr. 1, është relativisht afër, mendojmë që të ndërtohet një vend-drejtim me 7-8 dhoma, duke adaptuar një pjesë të katit të parë të godinës, me aftësi mbrojtëse për t’i rezistuar goditjes direkte të B.F.A.-së, të kalibrit 100 kg.
Në këtë drejtim, kemi parasysh dhe faktin se në territorin e Degës ku mund të ndërtohet vend-drejtimi tip i groposur, ka nivel të lartë ujërash, gjë që rrit koston e tij dhe lë përgjithmonë në evidencë, rrezikun e penetrimit të ujërave në objekt.
- Në gjashtë Degë të Punëve të Brendshme, vend-drejtimet janë adaptuar në bodrumet e godinës së Degës dhe kanë sipërfaqe zyrash e korridori, si më poshtë:
Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë 90 m.2 (7 zyra)
Dega e Punëve të Brendshme Korçë 95 m.2 (5 zyra)
Dega e Punëve të Brendshme Elbasan 67 m.2 (4 zyra)
Dega e Punëve të Brendshme Kolonjë 50 m.2 (5 zyra)
Dega e Punëve të Brendshme Sarandë 45 m.2 (4 zyra)
Dega e Punëve të Brendshme Lushnje 50 m.2 (3 zyra)
Këto vend-drejtime, mbrojnë vetëm nga copërat e bombave fugase të aviacionit, nga një vleftë presioni e valë goditje dhe nga rrëzimet e godinës, janë me dalje rezervë, por të pa pajisura me ambiente instalimi dhe filtro-ventilimi. Mundësia për rritjen e aftësisë mbrojtëse të këtyre vend-drejtimeve, nuk ekzistojnë.
Nisur nga gjendja dhe kërkesat për ambiente pune e shërbimi të tjera me aftësi mbrojtëse më të madhe, mendojmë që të ndërtohen vend-drejtime të reja të tipit të groposur (me përjashtim të Sarandës, ku nuk mund të ndërtohet e tipit tunel).
Aftësia mbrojtëse e këtyre strehimeve, t’i rezistojë goditjes direkte të B.F.A-250 kg. Strehimet ekzistuese do të shërbejnë për një pjesë të ambienteve ndihmëse të vend-drejtimit të ri, për strehimin e togës së shërbimit, ose si dhoma izolimi për të arrestuarit.
Vend-drejtimet rezervë Nr. 1, të tipit tunel të Degëve të mësipërme, (përjashtuar Kolonjën dhe Sarandën, të cilat nuk kanë), janë larg godinës së Degës, nga 1 deri në 5 km.
Theksojmë se kostua e një vend-drejtimi të ri tip të groposur, është rreth 550.000 deri 650.000 lekë.
- Në dhjetë Degë të Punëve të Brendshme, janë ndërtuar vend-drejtime të tipit të groposur, me këtë sipërfaqe:
Dega e Punëve të Brendshme Pukë 20 m.2
Dega e Punëve të Brendshme Shkodër 71 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Lezhë 32 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Rrëshen 36 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Peshkopi 24 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Librazhd 22 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Pogradec 36 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Përmet 30 m.2 (2 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Fier 73 m.2 (5 dhoma)
Dega e Punëve të Brendshme Vlorë 10 m.2 (5 dhoma)
Këto vend-drejtime mbrojnë nga copërat e B.F.A.-së dhe vala goditëse e bombës atomike 3/5 kg./Om2 (në qoftë se këto strehime do të pajisen me dyer mbrojtëse) dhe janë pa ambiente dhe pajisje filtro-ventilimi. Edhe për këto Degë, duhen të ndërtohen vend-drejtime të tjera, tip i groposur, me aftësi mbrojtëse për t’i rezistuar B.F.A.-së të kalibrit 250 kg, kurse strehimet ekzistuese, të shfrytëzohen njëlloj si ato të adoptuarat.
Vend-drejtimet rezervë Nr. 1 të Degëve të mësipërme (përjashtuar Rrëshenin dhe Fierin që nuk kanë), janë larg nga godinat e Degës, 1 deri 4 km. Për Degë si Peshkopia, që parashikohet të ndërtohet e re, vend-strehim të jetë kati i parë i godinës së re.
- Degët e Punëve të Brendshme Krujë dhe Gjirokastër, kanë vend-drejtime kryesore të tipit tunel, me sipërfaqe përkatësisht 96 m.2 (7 zyra) dhe 85 m.2 (2 zyra). Për degën e Punëve të Brendshme Krujë, kemi mendimin që të bëhet plotësimi i vend-drejtimit të ri me ambiente pune dhe shërbimi, ndërsa Gjirokastra të mbetet me këtë vend vend-drejtim, deri në ndërtimin e godinës së re, që është parashikuar të ndërtohet.
- Dega e Punëve të Brendshme Berat në godinën e re, nuk është e pajisur me vend-drejtim kryesor, prandaj del e nevojshme që të ndërtohet vend-drejtimi i ri, i tipit të groposur, me aftësi mbrojtëse për t’i rezistuar goditjes direkte të B.F.A., të kalibrit 250 kg.
KRYETARI DEGËS SË XHENIOS ZV. DREJTORI I DREJTORISË OP. E PËR.
QENDRO KOÇI IDRIZ VLADI
SEKRET RËND.VEÇANTË
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË DREJTUESVE KRYESORË TË MINISTRISË SË BRENDSHME, KU MINISTRI KADRI HAZBIU, KA DHËNË UDHËZIMET PËR NDËRTIMIN E OBJEKTIT SEKRET POSHTË GODINËS SË MINISTRISË DHE DEGËVE TË BRENDSHME NË RRETHE
Ekzemplar i vetëm
E përkohshme 10 vjet
Tiranë, më 11.9.1979
PROCES-VERBAL
I mbajtur sot më datën 5.9.1979, mbi shqyrtimin e studimit:
Të gjendjes dhe masave që duhen marrë, për vend-drejtimet kryesore të Ministri-Degë të Punëve të Brendshme”.
Në mbledhje marrin pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, sh. Kadri Hazbiu, Sh. Agron Tafa, Raqi Iftica, Xhule Çiraku, Avni Buxheli, Idriz Vladi, Qendro Koçi dhe Kudret Çollaku.
Mbasi u diskutua për secilin vend-drejtim, lidhur me perspektivën e zgjerimit ose të ndërtimeve të reja të tyre, shoku Ministër, porositi:
- Për vend-drejtimin kryesor të Ministrisë
Vend-drejtimi kryesor i Ministrisë, të jetë me 30 dhoma, prej të cilave 7 dhoma janë të ndërtuara, 8 dhoma të dalin nga adoptimi i katit të bodrumeve në pjesën qendrore të godinës së Ministrisë, dhe 15 dhoma (pa përfshirë këtu ambientet e shërbimit), që do të ndërtohen në territorin e repartit 324 /A, (Kompania e Shërbimit të Ministrisë).
Pjesa e vend-drejtimit që do të ndërtohet në vendin ku sot është reparti 324/A, t’i rezistojë goditjes direkte të bombës fugase të aviacionit të kalibrit 500 kg., kurse adaptimi i bodrumeve, BFA-së, 250 kg.
- Për Degët e Punëve të Brendshme
1 Durrësi: Të bëhet një strehim i kategorisë së tretë pranë godinës së Degës, me 4 dhoma pune, centrali dhe pjesa tjetër, për strehimin e efektivit.
Pranë vend-drejtimit rezervë Nr. 1, të parashikohen investime, në pesëvjeçarin e ardhshëm, për të ndërtuar një godinë me disa zyra.
- Burreli: Në një të ardhshme me të parashikohet që godina e Degës, të ndërtohet mbi vend-drejtimin Nr.1.
- Elbasani: Të përforcohet ekzistuesi.
4 Shkodra: Të përforcohet ekzistuesi dhe t’i shtohen atij 5 dhoma, të cilat t’i rezistojnë BFA-së 250 kg.
- Vlora: Të ndërtohet një strehim i ri, tip i groposur, me 5 dhoma pune, dhe me aftësi mbrojtëse nga BFA 250 kg.
- Berati: Të ndërtohet një strehim i r ii kategorisë së tretë, me 4-5 dhoma.
- Fieri: Të përforcohet ekzistuesi dhe të shtohen edhe 7 dhoma të tjera, 2 prej të cilave të jenë për Degën e Naftës. Vend-drejtim rezervë Nr.1, të mos ketë.
- Gjirokastër: Të ndërtohet bashkë me godinën e Degës me 10 zyra, me BFA 250 kg. Vend-drejtimi tjetër rezervë, Nr. 1, të mos ketë.
- Saranda: Të mbetet ai ekzistuesi, kurse në Qafën e Gjashtës, të ndërtohet V.D. rezervë Nr.1.
- Peshkopi: Ekzistuesi të përforcohet dhe të shikohet për të plotësuar kërkesat, për strehimin e efektivit.
- Librazhdi: Të mbetet ashtu siç është.
- Pogradeci: Të ngelet vetëm me dy dhomat që po i ndërtohen. T’i bëhet dhe një përforcim.
- Kolonja: Të përforcohet ekzistuesi dhe të ndërtohen edhe 5 dhoma, meqenëse V.D. rezervë Nr. 1, nuk do të ketë.
- Lushnja: Të shihet mundësia e përforcimit të ekzistuesit. Afër vend-drejtimit rezervë Nr. 1, të mos bëhet ndërtesë.
- Puka: të bëhen 4-5 zyra pranë strehimit ekzistues.
- Korça: Të mbetet ekzistuesi.
- Lezha: Të bëhen 4-5 zyra, pranë strehimit ekzistues.
- Rrësheni: Të bëhen 4-5 zyra, pranë strehimit ekzistues.
- Përmeti: Të mbetet ekzistuesi.
- Kruja: Të mbetet ekzistuesi.
- Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë: Të shihet mundësia e përforcimit të V.D. ekzistues dhe të ndërtohen 5 dhoma të tjera, që t’i rezistojnë BFA-së 250 kg. Njëkohësisht u dha detyrë që për vend-drejtimet kryesore të Degëve të Punëve të Brendshme, të parashikohen ambiente dhe instalime filtro-ventilimi, pa nyjen e përpunimit sanitar.
Në një të ardhme të shikohet mundësia e ndërtimit të disa zyrave mbitokësore para vend-drejtimeve rezervë Nr. 1, të Degëve të Punëve të Brendshme. Memorie.al
Mbajtësi i proces-verbalit
Kudret Çollaku
U – pa
ZV. MINISTRI I BRENDSHËM
AGRON TAFA
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016