Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e Pjetër Pëllumbit, ish-rekordmenit dhe kampionit të Shqipërisë në garën e Atletikës, në vitet ’80-të i cili vinte nga një fshat i panjohur i Kurbinit dhe tentoi të konkurronte te Mjeshtëria Sportive në Tiranë, por nuk e pranuan dhe vazhdoi Politeknikumin “7 Nëntori” ku dy pedagogët Ali Mema dhe Ismet Bellova, pikasën cilësitë e veçanta fizike të tij dhe e dërguan te ekipi i të rinjve “17 Nëntori”. Si arriti ai falë një vullneti të çeliktë dhe stërvitje të madhe të bëhej rekordmen dhe kampion i Shqipërisë, me ekipin “Partizani” ku qëndroi për më shumë se 15 vjet me radhë si efektiv i atij Klubi, me emrat më të mëdhenj të sportit shqiptar…..
Pjetrin s’e pranojnë as në konkurrim te Mjshtëria…?!
Edhe pse Pjetri shquhej midis bashkëmoshatareve të tij, në shkollën 8-vjeçare të fshatit të tij, në orën e Fizkulturës, e vetmja gjë që nuk do t’i shkonte ndërmend kurrë Gjergj Pëllumbit, si prind, ishte ajo që djali mund të merrej me sport?! Kjo, pasi ai e kishte dërguar disa javë më parë, Pjetrin, për të konkurruar në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë, ku nuk e kishin pranuar në konkurs, gjë e cila tashmë ishte harruar dhe meraku i vetëm i tij ishte që: djalit t’i jepte një zanat në Shkollën Teknike të Tiranës.
Bellova dhe Ali Mema, zbuluan talentin e ardhshëm
Por atë që nuk e bënë gjithë juri komisioni me specialistët përkatës të konkursi i pranimit i “Mjeshtërisë Sportive” në Tiranë, do ta bënte një njeri tjetër i sportit, madje një legjendë e futbollit shqiptar me ekipin e “17 nëntori” i Tiranës dhe atë të përfaqësues së Shqipërisë. Ai ishte Ali Mema, asokohe mësues i Edukimit Fizik në Shkollën Teknike të Tiranës, së bashku me kolegun e tij, një emër po ashtu i madh i botës së sportit në Shqipëri, madje nga më të njohurit, komentatori dhe legjenda e mikrofonit, Ismet Bellova, i cili asokohe gjithashtu ishte mësues i Edukimit Fizik në Shkollën Teknike “7-Nëntori” të Tiranës?!
Pedagogeve Mema dhe Bellova, gjatë orës së Fizkulturës, u ra në sy menjëherë fiziku me të dhëna premtuese, për një sportist të ardhshëm si Pjetër Pëllumbi, të cilit edhe mos konkurrimi në shkollën e mjeshtërisë sportive nuk e kishte dekurajuar aspak, kërkonte vetëm të vraponte, gjë që u ra në sy të dy profesorëve të nderuar të cilët ishin mësuar me gjëra të tilla…?!
Me ekipin e të rinjve te “17 Nëntori” i Tiranës, thyen rekordet
Lidhur me zbulimin e tij si talent me të dhëna premtuese në sportin e Atletikës nga dy profesorët e nderuar të Edukimit Fizik te Shkolla Teknike e Tiranës, vetë Pjetri kujton: “Profesor Aliu dhe Ismeti, më nxitën dhe më inkurajuan që unë ta vazhdoja sportin e vrapimeve, duke më thënë se premtoja shumë dhe për këtë, që në ditët e para të shkollës ata u interesuan te shefi i sportit të Atletikës, pranë Klubit “17 Nëntori”, Sokol Morina, i cili kishte biseduar me trajnerët e moshave në këtë lloj sporti, pranë atij klubi. Kështu një ditë kur nuk kishim shumë kohë që kishim filluar shkollën, më lajmëruan se më kërkonte trajneri i të rinjve të “17 nëntorit”, Lyftar Ryta që unë të paraqitesha pranë atij ekipi dhe të filloja menjëherë stërvitjen”.
Kështu e kujton Pjetër Pëllumbi, atë periudhë kohe kur ai filloj për herë të parë stërvitjen me ekipin e të rinjve “17 Nëntori” i Tiranës dhe shkas për këtë do të bëheshin dy mësuesit e tij të Edukimit Fizik, Ali Mema dhe Ismet Bellova. Dy personazhe nga më të njohurit e botës së sportit shqiptar, të cilët shënjuan dhe të ardhmen e djaloshit, që vetëm pak vite më vonë do të bëhej një nga emrat më të mëdhenj të Atletikës shqiptare në garën e Maratonës, gjë të cilën edhe sot e kësaj dite, Pjetri nuk ua harron kurrë dhe u është atyre shumë mirënjohës, për gjithçka bënë për të. Me ekipin e të rinjve të Tiranës, nën drejtimin e trajnerëve, Lutfi Ryta e me vone Shaban Lame dhe Hajri Aliaj, Pjetri u stërvit në garat e 1500 m., 3000 m. dhe 10.000, gara në të cilat ai do të konkurronte me shumë sukses, duke arritur dhe thyer edhe rekordet kombëtare të moshave.
Stazhier në Fush-Krujë dhe nga Tirana shkon e vjen me vrap…
Pas mbarimit të shkollës së mesme te “Polikumi”, Pjetër Pëllumbi u caktua të bënte stazhin në qytezën e Fushë-Krujës pranë SMT-së (Stacioni i Makinave dhe Traktorëve”), pasi asokohe fshati Gurëz i Kurbinit ku banonte familja e Pjetrit, ishte nën juridiksionin e Krujës. Klubi Sportiv “17 Nëntori” asokohe kishte shumë sportistë me emër. Shefi i atletikës së klubit sportiv “17 nëntori” Sokol Morina ndërhyri që Pjetri ta bënte stazhin sa më afër Tiranës. Ndërkaq vazhdonte më me ngulm stërvitjen me ekipin e tij edhe pse i duhej që çdo ditë ta bënte vajtje ardhje nga Tirana në Fushë-Krujë e anasjelltas.
“Nuk kishte rrugë tjetër ose do vazhdoja stërvitjen dhe të arrija qëllimin që i kisha vënë vetës për të pasur rezultate të larta, ose do mbetesha aty punëtor në SMT dhe më pas kush e di se ku do përfundoja…?! Pra, e vetmja rrugë që mund të më çonte diku ishte sporti dhe atë duhej ta vazhdoja me çdo kusht edhe pse me punë isha larg Tiranës dhe ekipit ku stërvitesha. Dhe këtë gjë e zgjidha duke e bërë rrugën nga Fushë-Kruja në Tiranë me vrap, kuptohet jo gjithmonë, por në pjesën më të madhe të kohës”, e kujton Pjetri.
Ushtar në Laç dhe vrapon deri në Krujë
Pas mbarimit të stazhit dy vjeçar në SMT-në e Fushë-Krujës, Pjetrit nuk iu dha e drejta e vazhdimit të shkollës së lartë, për në Institutin e Fizkulturës “Vojo Kushi” ku shkonin kryesisht sportistët, që kishin rezultate premtuese, por as edhe në ndonjë shkollë tjetër, që ai e kërkoi me ngulm?! Duket se ana biografike mund të kishte ndikuar tek kjo gjë, ndonëse babai i tij, Gjergj Pëllumbi, kishte qenë vetë partizan?! Nisur nga ky fakt, ashtu siç ishte rregulli, në vitin 1977, Pjetrin e thërritën që të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, duke e caktuar në Laç, në një repart tankesh ku ushtria ishte tre vjet. “Që në ditët e para të ushtrisë në atë repart tankesh, kërkova që të më lejonin të stërvitesha dhe pas shumë mundimesh, ma aprovuan që unë të vazhdoja stërvitjen. Kjo erdhi edhe pasi aty gjeta një grup shokësh nga qyteti i Laçit dhe rrethi i Krujës, (në atë kohë shërbimi ushtarak bëhej në rrethin tënd), ku shumë prej tyre i njihja, që nga jeta civile dhe më respektonin. Ata ngulën këmbë te komandantët që kishim se ishin gati që ta bënin edhe shërbimin tim, vetëm që mua mos të më pengonin të stërvitesha. I kujtoj me respekt ata shokë të mrekullueshëm si Ilir Sejdo, Paulin Gjini, Aqif Balliu, Pjetër Luli, Sali Musallari, Ndue Toma, Astrit Abeshi, etj., si dhe komandantët e komisarët e mi, si Kadri Subashi, Selim Këlliçi, Pajtim Tefa, etj. Ishin ata që më ndihmuan e inkurajuan, që unë të stërvitesha çdo ditë duke e bërë me vrap një rrugë kodrinore, rrëzë fshatrave dhe qytezave nga Laçi në afërsi të Krujës, rrugë të cilën unë e përshkoja me vrap pothuaj çdo ditë”, kujton Pjetri atë periudhë .
Në Klubin Sportiv “Partizani” si sportist dhe ushtarak
Në repartin e tankeve të Laçit, Pjetër Pëllumbi nuk qëndroi shumë, pasi për një sportist me ato rezultate, kishin shumë nevojë ekipet e kryeqytetit dhe aq më shumë në disiplinën e Maratonës, ku atletët ishin jo në masë, si në garat e tjera. Atë e kërkuan që të shkonte në Tiranë, pranë Klubit “Partizani”! Lidhur me këtë, Pjetri kujton: “Pas disa muajsh që ndenja në repartin e Tankeve të Laçit, falë edhe rezultateve të larta që kisha në garën e Maratonës, me ndërhyrjen e Klubit Sportiv “Partizani” më tërhoqën dhe më sistemuan, në atë klub ku asokohe grumbulloheshin sportistët më cilësore. Kështu tek ekipi “Partizani” unë u stërvita nga Theodhos Duro, Sadik Demiraj, Besim Bekteshi e sidomos nga mjeshtri kampion dhe ish-konkurrenti im, legjenda Ndrek Aliaj. Dhe gjatë gjithë asaj kohe unë nuk i hiqja nga mendja, këshillat e profesor Ismet Belloves, që m’i kishte dhënë që në vitin e parë në shkollën Teknike të Tiranës, kur dhe fillova për herë të parë stërvitjen, me ekipin e të rinjve “17 Nentori”.
Pjetri, një kampion dhe rekordmen i Shqipërisë
Pjetri kujton se në vitet ’80-të ekipi i madh i Atletikës i “Partizanit”, kishte emra të mëdhenj, kampion dhe rekordmenë absolut, si Isa Tare, Fatmir Bajraktari, Ndrek Aliaj, Sadik Demiraj, Aleko Thanasko, Durim Gorishti,Gani Aliaj, Fatmir Dragoj,Ylli Alushi, Servet Banaj, Agron Kasa, Gezim Dushku,Petrit Manaj, Petrit Mehmeti,Bujar Gjoni,Ernest Penc, Mane Luci e të tjerë, që i dhanë nder e lavdi atij klubi në ato vite dhe në gjithë historinë e tij, që nga krijimi e deri më sot. Ndër ta spikati dhe Pjetri si kampion kombëtar dhe duke thyer disa rekorde, si p.sh. ai i vitit 1980-të me kohën 2 orë e 30 minuta e 08 sekonda, rezultat të cilin e përmirësoi, një vit më vonë në 1981-in me kohën 2 orë e 26 minuta e 19 sekonda, ç’ka do t’i jepte atij titullin e kampionit dhe rekordit kombëtar. Kështu falë këtyre rezultateve të larta në atë kohë, Pjetër Pëllumbi u bë një emër i madh dhe për të shkruanin gazetat e kohës, si dhe kronikat radiotelevizive. Kështu djaloshi që vinte nga një fshat i Laçit dhe pa asnjë përkrahje, falë vullnetit të çeliktë dhe një pune sistematike, arriti majat e sportit shqiptar, duke u bërë një kampion. Ai djalosh i imët që dikur imitonte dhe kërkonte të bëhej si Pietro Mena, (legjenda italiane e garave të shpejtësisë 100 dhe 200 metra, ku ishte një kampion i Evropës), arriti të bëhej një “Abebe Bekila” (kampioni botëror i Maratonës nga Etiopia), i Shqipërisë. Dhe nisur nga këto rezultate të larta, Klubi Sportiv “Partizani” e mbajti Pjetrin si sportist dhe ushtarak, kur me rrëzimin e regjimit komunist u detyrua të largohej nga Shqipëria, për në Itali.
Në Itali për 15 vjet si specialist i rehabilitimit fizik
Nisur nga fakti se Pjetri kishte mbaruar dhe ishte diplomuar me rezultate të larta në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, gjatë kohës që ishte pjesë e Klubit “Partizani”, ai vazhdoi më tej duke kryer kurse dhe specializime për “shkencat motorike” dhe për 15 vjet me radhë si pedagog i Rehabilitimit Fizik, në disa klinika të Romës. Gjatë atyre viteve ai pati rastin të njihej edhe me mjaft emra të njohur të sportit e politikës në Itali, të cilët i ofruan edhe vende të ndryshme pune, por ai vazhdimisht e kishte mendjen tek Shqipëria, tek miqtë, shokët, të afërmit e tij, ish-sportistët e ekipit “Partizani”, me të cilët kaloi më shumë se një dekadë në atë Klub etj. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016