Nga Prof. As. Dr. Thanas L. Gjika
– PETRAQ KATRO, KRONIKANI I ÇETËS SË SALI BUTKËS, SQARON SHKAQET E DJEGIES SË VOSKOPOJËS MË 1916 –
Memorie.al / Jeta dhe vepra e atdhetarit Sali Butka, komandant çetash që luftuan për lirinë e atdheut kundër pushtuesve turq e, më pas kundër andartëve grekë, është vlerësuar prej shkencës zyrtare shqiptare, si një atdhetar i shquar, bashkëpunëtor i vëllezërve Bajo e Çerçz Topulli, i Mihal Gramenos, Themistokli Gërmenjit, Ismail Qemalit, etj. Mirëpo propaganda antishqiptare e qarqeve shoviniste greke, nuk ia fal Sali Butkës shpartallimin e detashmentit ushtarak grek, të strehuar në Voskopojë më 1916, prandaj ka sajuar shpifje kundër tij.
Fatkeqësisht ka edhe sot shqiptarë, të cilët të ndikuar prej shtrembërimeve që ka sajuar prej kohësh propaganda shoviniste greke, vijojnë të përsëritin në media, nëpër kafene dhe në ndonjë libër shkencor, shpifjenl sikur “Sali Butka më 1916, kreu djegien e tretë të Voskopojës!. Sali Butka u zgjodh komandant i çetave atdhetare të Kajo Babjenit, Qazim Panaritit, Kozma Trebickës, Vasil Tromarës, Hysen dhe Asllan Gurit, etj, dhe drejtoi marshimin drejt Korçës, për tu bashkuar me forcat e Themistokli Gërmenjit.
Detyra e forcave që drejtoi Sali Butka ishte, që bashkë me forcat e Themistokli Gërmenjit, të çlironin qytetin dhe rrethinat e Korçës nga forcat greke, që i mbanin të pushtuara që nga korriku i vitit 1914. Mirëpo, rrugën ua prenë ushtarët e një detashmenti të ushtrisë greke, që ishin strehuar në disa shtëpi grekomanësh, në Voskopojë.
Gjatë viteve 1970-1996, kur punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke studiuar jetën dhe veprat e rilindasve tanë, kisha krijuar bindjen e drejtë, për karakterin atdhetar të Sali Butkës, i cili bashkë me djemtë, luftoi për lirinë e atdheut. Djali i tij i madh, Gani Butka, më 1914, ra dëshmor në krye të batalionit kolonjar, kundër forcave rebele të Haxhi Qamilit, në Pogradec. I kisha kundërshtuar, si në atdhe dhe këtu në emigracion, opinionet e gabuara të disa miqve të mi, të cilët vijonin të ngarkonin Sali Butkën me faj, për disa vjedhje që kishin bërë një a dy anëtarë të çetës së tij dhe sidomos për djegien e Voskopojës, në vitin 1916.
Tani, pasi lexova librin e Petraq Katros, po përpiqem t’i sqaroj edhe më mirë këta miq dhe të gjithë lexuesit, duke recensionuar librin e Pertaq Katros, “Kronikë Historike: KUSH ISHTE SALI BUTKA”, (Tiranë 2020, redaktor Alfred Çako). Titulli i dorëshkrimit, që kishte lënë autori më 1936, ishte “Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës”. Ndryshimi i titullit, u bë për të theksuar karakterin kronikal të librit, pra për të treguar se ky libër mbështetet tek dokumentet origjinale dhe jo thjesht në kujtime dhe interpretime të autorit, i cili kishte qenë sekretari i çetës së Sali Butkës.
Në vitet ‘60-të të shekullit të XX-të, shkrimtari Sabri Godo, duke u mbështetur tek dorëshkrimi i Petraq Katros dhe në disa dokumenta historike, hartoi librin e tij biografik, “Plaku i Butkës”, ku përshkroi jetën e veprën e atdhetarit Sali Butka. Mirëpo e vërteta mbi figurën e këtij atdhetari, nuk zuri vendin e duhur, sepse mjaft lexues, të ndikuar nga propaganda e qarqeve shoviniste greke, përhapën mendimin se shkrimtari Sabri Godo, kishte shtuar nga fantazia e tij, situata e shpjegime personale.
Besueshmëria e dokumenteve që janë shpalosur në librin kronikal të Petraq Katros, është plotësisht e besueshme mbasi dokumentet janë autentike dhe janë dhënë pasi mbesa e autorit, zonja Donika Katro Ristani, ka shpalosur shkurt jetën e intelektualit atdhetar Petraq Katros. Për këtë shtesë që ajo i bëri dorëshkrimit origjinal, do të ketë mirënjohjen e gjithë lexuesve…!
Petraqi u lind më 21 nëntor 1892, në familjen e atdhetarit Spiro Katro, në fshatin Lavdar të Oparit. Kjo familje, ashtu si gjithë oparakët, për nga gjaku, gjuha e zakonet, ishte thjesht shqiptare. Ajo kishte lidhje origjine me familjen e madhe të piktorëve dhe ikonografëve të famshëm shqiptarë, KATRO. Mirëpo Patrikana e Ohrit, duke qenë se kishte si gjuhë zyrtare sllavishten e vjetër, ua përktheu mbiemrin shqiptar “KATRO” në formën slave, “ÇETIRI”. Prandaj ikonat e pikturat e tyre, janë firmosur me këtë mbiemër.
Ikonat e tyre ruhen sot në disa kisha të Beratit, Myzeqesë, etj, si dhe tek Muzeu Kombëtar i Ikonave. Sot propaganda keqdashëse sllavomadhe, i quan ata piktorë maqedonas edhe pse nuk ka mundur ta ndryshojë dot origjinën e tyre, si bij të krahinës së Oparit, kurse propaganda arumune, i quan arumunë nga fshati Grabovë. Piktorët e kishave jetonin me vite, në fshatrat ku pikturonin. Ndoshta në Grabovë, ku jetonte një koloni e lashtë aromune / rëmëne, që fliste gjuhën rëmëneshti, mundet që të kenë lindur një a dy nga piktorët, e brezit të dytë të kësaj familjeje.
Babai i Petraqit jetonte me gjithë familjen në Lavdar dhe që aty merrej me tregtinë e lëndës së drurit në tregun e Korçës e, të Manastirit (Bitolas). Ai mbante lidhje me atdhetarët shqiptarë të qytetit Manastir, si me djemtë e familjes Qiriazi, familjes Gërmenji (Telemakun dhe Themistokliun), familjes Zavalani (Fehmiun), etj. Duke qenë se Spiro Kosturi, ra në sy për shqiptarizmin e tij, forcat antishqiptare e vranë tek Qafa e Bigllës, kur kalonte më 1905, pra po atë vit, kur vranë dhe shkrimtarin klerik, Papa Kristo Negovanin, bashkë me vëllain e tij, Atë Vasilin.
Petraqi, djali i tretë i familjes, u lind më 21 nëntor 1892, mbas vëllezërve Marko dhe Vasil. Mësimet e para i mori greqisht, tek shkolla greke e fshatit, kurse shkollën e mesme me profil tregtar, e kreu në Selanik. Jetimin e vogël e ndihmuan financiarisht dy vëllezërit, të cilët kishin emigruar në Odesë të Rusisë, ku punonin si furrxhinj (rrëfim gojor i Vasil Katros gjatë takimeve që pata me të në vitet 1972-1973 në Korçë, Th. Gj.).
Kur mbaroi këto studime, ekonomisti i ri, zotëronte krahas shqipes dhe greqishten, frëngjishten dhe italishten, por ai nuk qëndroi të punonte në Selanik dhe u kthye në Shqipërinë e sapo shpallur shtet i pavarur, ndonëse situata ishte e trazuar. U vendos në Korçë, ku mori dhe nënën e tij. Këtu ai u lidh me atdhetarët e qytetit.
I frymëzuar nga akti i poetit kryengritës Mihal Grameno, i cili në vitet 1907-1908, ishte bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit, si luftëtar e kronikan i saj, Petraqi 23 vjeçar, iu bashkua çetës së Sali Butkës, në vitin 1915, për të shërbyer me pushkë e penë. Gjatë viteve 1915-1917, mori pjesë aktive në luftimet e çetës, mbajti shënimet e nevojshme për ngjarjet, kopjoi dokumenta, etj. Më tej u rivendos në Korçë, ku u lidh me intelektualët e njohur, si; Milto Sotir Gura, Dhori Fallo, Ilo Mitkë Qafëzezi, Petraq Harizi, Dhori Kotti, pedagogët e Liceut Francez, sidomos me drejtorin, Prof. De Courville, etj.
Gjatë viteve 1923-1924, ishte pronar përgjegjës i gazetës “Zëri i Popullit”. Në vitet 1930-të, shkroi kujtimet e tij për Republikën Shqiptare të Korçës, të cilat i pasoi me kujtimet për jetën e komandantit Sali Butka, të cilat i përfundoi më 1936. Në këtë vit,krahas punës si pedagog i frëngjishtes në klasat e ulta të Liceut Frances, Petraqi vijoi punën edhe si pronar i fabrikës së Kauçukut, ku prodhoheshin galloshe, çizme, opinga, këpucë verore prej llastiku, etj. Mirëpo sukseset e Petraq Katros, donacionet e tij për kishat dhe për të varfrit, pjesëmarrja në takime me nacionalistë dhe në demonstrata antifashiste, shkaktoi urrejtje për të tek autoritetet e pushtimit italian dhe tek Enver Hoxha, kolegu i tij i Liceut Frances, diktatori i ardhshëm.
Karabinieria italiane e arrestoi Petraqin dhe e internoi gjatë viteve 1940-1941, në Noventa, Vicentina, kurse urrejtja e Enver Hoxhës, shpërtheu egërsisht mbas nëntorit 1944. Kur u kthye nga Italia më 1941, Petraqi qëndroi në Tiranë. Aty u afrua me shokët e tij nacionalistë, disa prej të cilëve ishin bashkuar me organizatën atdhetare “Balli Kombëtar”, që kishte krijuar dhe e drejtonte Mit’hat Frashëri. Ai nuk mori pjesë në formacionet ushtarake dhe as në poste drejtuese të kësaj organizate. Vijoi të merrej me fabrikën e Kauçukut, që u bë e njohur me emrin Shoqëria “STIK”.
Qeveria komuniste e dëboi nga Tirana,, në fillim të vitit 1945 si “të padëshirueshëm”. Ia shtetëzoi pasurinë dhe shtëpinë e Tiranës dhe e detyroi të kalonte me banim në Korçë. Ndonëse Petraqi i pagoi të gjitha detyrimet ndaj shtetit si pronar fabrike, organet e Sigurimit të Shtetit e arrestuan bashkë me vëllain e madh, më 19 korrik 1956, kurse vëllain e vogël, e lanë të lirë.
Më 18 janar të vitit 1947, Gjykata Ushtarake e Tiranës, pa pasur asnjë fakt, dha dënimet e veta, për Petraq Katron, 7 vjet burgim dhe për Marko Katron, 5 vjet, me akuzën “armiq të Pushtetit Popullor, që donin të përmbysnin Pushtetin”. Petraqit ia shtetëzuan edhe pasurinë e tundshme dhe të patundshme të Korçës, dhe e dërguan nga burgu i Tiranës, te kampi burg i Maliqit, ku ai vijoi dënimin. Pak më vonë, ia arrestuan dhe bashkëshorten, të cilën e detyronin të pastronte banjat e godinës së Policisë. Djali i vetëm, Piro, mbeti jetim. Nëna u lirua pasi kreu dënimin, por duke qenë tepër e sëmurë, jetoi vetëm dy vjet.
Petraq Katro, pasi kreu vitet e dënimit, u lirua. U vendos në Korçë, ku u mblodh me djalin e nusen e tij dhe me dy fëmijët e tyre: Aurelin dhe Donikën. Në Korçën e viteve 1955-1967, nuk jetonte asnjë nga miqtë e tij. Disa prej tyre nuk kishin lënë trashëgimtarë e, disa të tjerë i kishin fëmijët në Tiranë, ose në emigracion. Më 9 maj të vitit 1967, u shua Petraq Katro 75-vjeçar, i mënjanuar nga jeta dhe i përçmuar prej organeve të pushtetit diktatorial.
Natyrisht kujtimi i këtij intelektuali, do të mbetet i pavdekshëm, jo vetëm përmes pasardhësve, por edhe përmes aktivitetit atdhetar, kujtimeve, letrave, dokumenteve dhe fotografive, që kanë vlera kombëtare…! Pjesa tjetër e librit, parashtron jetën e Sali Butkës, që nga lindja deri në vitin 1936, kur u përfundua libri, dy vjet para vdekjes së heroit Sali Butka, i cili me aftësitë dhe guximin e tij, arriti t’i mposhtëtte kundërshtarët turq, grekë dhe gjeneralët aleatë austriakë e francezë.
Duke qenë se jeta e Sali Butkës, është bërë e njohur prej shumë shkrimeve të historianëve, prej ribotimit të ripunuar të librit biografik të Sabri Godos (2014), dhe prej fjalimeve e artikujve që u botuan me rastin e përurimit të monumentit të tij në Kolonjë, unë do të ndalem kryesisht tek dokumentet, që ka sjellë në librin e tij Petraq Katroja. Këto materiale sqarojnë plotësisht situatën dhe shkaqet pse u krye beteja midis forcave shqiptare të Sali Butkës dhe forcave të detashmentit grek, të strehuara me qëllim që ta kishin Voskopojën si një pikë strategjike të ushtrisë greke, për ta përdorur kundër forcave patriotike shqiptare të Korçës, që drejtoheshin prej Themistokli Gërmenjit.
Kur forcat shqiptare që drejtoheshin prej Sali Butkës, arritën në Lavdar të Oparit, mësuan se në Voskopojë, ishin strehuar forcat e një detashmenti grek, të cilat duheshin larguar nga Voskopoja, për ta pastruar zonën nga mbeturinat e forcave pushtuese greke. Kapedani Sali Butka, i diktoi sekretarit të tij Petraq Katros, këtë letër drejtuar Pleqësisë së katundit Voskopojë:
“Lavdar, më 13 tetor 1916
PLEQËSISË SË VOSKOPOJËS
Me vendim të Qeverisë Shqiptare dhe me urdhër të Komandës Austriake, jemi të detyruar të kalojmë përmes Voskopojës, për të vajtur në Korçë. Prandaj ju lutemi shumë, si vëllezër që jemi, të mos bëni kundërshtime dhe të bëhi shkaktarë, që të bëjmë luftë në mes tonë, pa patur ndonjë dobi, se sapo që të na kundërshtoni, do të jeni përgjegjës, se neve nesër do të vijmë.
Komandant i çetave shqiptare
Sali Butka (d.v.)
Të nesërmen i erdhi S. Butkës përgjigja e hartuar po më 13 tetor 1916, greqiasht, prej komandantit të forcave greke, Kapitenit Theodhoros Maromatis, me emrin e mbiemrin e shkruar prej tij. Ky dokument, riprodhohet në libër, në origjinalin greqisht dhe shqip, i përkthyer prej sekretarit Petraq Katro. Këtu po riprodhoj përkthimin shqip:
Voskopojë, më 13 tetor 1916.
KRYETARIT TË ÇETAVE SALI BUTKA
Letra juaj drejtuar Pleqësisë së Voskopojës, ra në duart tona, e gjetur në xhepat e të dërguarit tuaj. Ju lajmërojmë në formë të prerë dhe kategorike, të mos guxoni të vini për në Voskopojë, ku gjendet ushtëri greke me mbrojtës kombëtarë, se do të gjeni përpara të radhitura sfungjitë greke dhe do të pendohi.
Kryetar i Detashmentit Grek,
Theodhoros Maromatis Kapiten (d.v.)
Kjo përgjigje sqaron se forcat greke, nuk ishin një grup i vogël prej 15-20 vetësh, (si thonë të gënjyerit prej propagandës greke), por një detashment (batalion) i plotë. Këta pasi kishin kapur të dërguarin e forcave shqiptare, ia kishin marrë letrën dhe ia kishin dorëzuar kapitenit grek. Ky, pasi ia kishin përkthyer greqish, hartoi përgjigjen e vet, pa vënë në dijeni Pleqësinë e Voskopojës.
Të nesërmen, sqaron Petraq Katro, Saliu dërgoi letrën e dytë, me Gaqi Leno, nipi i Dhimitër (Bitër) Dallamanga, një nga përfaqësuesit e parësisë së Voskopojës:
Lavdar, më 14 tetor 1916
ZOTIT BITRI DALLAMANGO DHE PLËQESISË SË VOSKOPOJËS
Dje i dërguam Pleqësisë së Voskopojës një letër, por për fat të keq, nga përgjigja që muarmë, kjo letër paska rënë në duar të grekëve dhe na përgjigjet një Kapiten, me mënyrë frikësimi, që të mos guxojmë të afrohemi në kufijt’ e Voskopojës, se do bëhemi pishman. Prandaj po ju dërgojmë këtë letër të dytë, se e kemi për detyrë t’ju sqarojmë dhe t’ju bëjmë të ditur, se në bazë të vendimit të Qeverisë Shqiptare dhe me Lejën e ndihmën e Komandës Ushtarake Austriake, jemi të urdhëruar që të çlirojmë të gjitha vendet e Kazasë së Korçës, me kufijtë e caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, nga të gjithë mbeturinat e ushtrisë greke dhe nga andartët, të cilët vazhdojnë të bëjnë dëme në fshatrat tona, duke munduar popullin e duke plaçkitur.
Prandaj, u vemë në dijeni që të mos tërhiqi na ca pak andarë, që keni aty dhe disa çobenj, që kërkojnë turbullira dhe të guxoni të na kundërshtoni. Çdo kundërshtim, do të jetë në dëmin tuaj, se neve do të vimë me çdo therori, për të vazhduar rrugën tonë për Korçë dhe kështu e plotësojmë misionin tonë të shenjtë. Po të jetë se ju, do të kuptoni interesin tuaj dhe të Voskopojës, duhet të ngrini flamurin kombëtar të Skënderbeut, dhe ju sigurojmë se; nuk do të hyjë në Voskopojë asnjë komit nga çetat tona, përveç Qazim Panaritit me 10 shokë, i cili është urdhëruar që, në marrëveshje me ju, të emërojë një Krahinar vendës dhe një numër gjindarmësh papë, nga fshati juaj për të mbajtur rregullin dhe qetësinë në Voskopojë.
Për çdo kundërshtim, përgjegjësia ju mbetet juve.
Me nderime Sali Butka
Komandant i Çetave Kombëtare (d.v.)
Gaqi Lenoja, u nis nga Lavdari me këtë letër ditën e premte më 14 tetor 1916 dhe u porositi, që përgjigjen ta shpinte në fshatin Gjergjevicë, të nesërmen në drekë, ditë e shtunë më 15 tetor. Mirëpo, si sqaron autori i librit, komandanti grek dhe paria grekomane e fshatit Voskopojë, hartuan përgjigjen greqisht në mungesë të Krye katundarit. Ata kishin vjedhur vulën dhe pasi kishin hartuar përgjigjen si donin vetë, kishin shkruar emrin e mbiemrin e Krye katundarit dhe e kishin vulosur letrën. Po jap këtu variantin e përkthyer shqip prej Petraq Katros:
Katundaria e Voskopojës, më 14 tetor 1916.
Zotit Sali Butka
Muarmë letrën tuaj dhe mësuam se kini vendosur të vini në Voskopojë. Po u lajmërojmë dhe duhet ta dini se, nuk do të lejojmë kurrë, sepse është gjynah, që me këmbët e ndyra të shqiptarëve, të shkelet Voskopoja antike greke. Nuk do të pranojmë kurrë tjatër flamur, përveç atij grek dhe do ta mprojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë.
Katundari i Voskopojës
Lluka Fundo
(Vula e Katundarisë)
Petraq Katro sqaron se; Gaqi Lenoja, ia dorëzoi sipas porosisë Bitri Dallamangës. Aty ndodhej dhe dhaskali grek, Foça Gjeorgjiadhi, që ishte dhëndër i Bitrit. Ky e shpuri letrën, jo tek katundaria e fshatit, por tek komandanti grek dhe paria grekomane. Pas dy orësh, këta formuluan përgjigjen greqisht dhe e nisën po me Gaqi Lenon. Petraq Katroja, vijon sqarimin; se kur Sali Butka ariti në Korçë, takoi lluka Fundon dhe ky i tha se ai nuk ndodhej në Voskopojë, kur ishte shkruar letër-përgjigjja dhe se vulën e katundarisë, ia kishin vjedhur grekomanët e Vosokopojës.
Libri vijon me përshkrimin e ngjarjeve. Shumica e banorëve të Voskopojës, donin që fshati të dorëzohej pa luftë, por ushtarët grekë dhe paria grekomane, vendosën të kundërshtonin. Filloi këmbimi i predhave të pushkëve. Sali Butka, për t’i trembur kundërshtarët, i vuri zjarrin një plevice aty pranë. Nga shtëpia e grekomanit Ilo Ziu, ushtarët grekë hapën zjarr të përqendruar. Këmbimi i të shtënave u shtua. Morën flakë mullarët e barit dhe shtëpitë ku ishin strehuar forcat e detashmentit grek. Flakët dhe tymi shkaktuan turbullirë. Shumë banorë të fshatrave rrotull u turrën dhe u vunë zjarrin shumë shtëpive të tjera. Filloi plaçkitja e shtëpive dhe largimi i voskopojarëve të lemerisur. Vetë Saliut i vodhën levenxën, që mbante mbi kalin e tij aty pranë.
Midis plaçkaxhinjve që filluan sulmuan mbi shtëpitë e fshatit, autori i kronikës, përmend hajdutin me damkë, Malkë Zvarishti. “Me të, për fat të keq, – shton ai, – u bashkua dhe Zenel Braçe, një nga komandantët e çetave të Sali Butës. Forcat greke, pasi u thyen e braktisën në panik Voskopojën. Sali Butka me forcat e tij i ndoqi dhe kur i ariti u hapi zjarr. Në këto luftime u vranë 6 ushtarë grekë, kurse të tjerët u kapën rob dhe u shpunë në Korçë”.
Këto letra me vlerë të madhe dokumentare, dëshmojnë qartë se shkaktarët e vërtetë për djegien e tretë të Voskopojës, nuk ishte Sali Butka, por komandanti i forcave greke, Kapiteni Theodhoros Maromatis, i cili nuk pranoi ta lëshonte pa luftë Voskopojën, si dhe fshatarët fqinjë, që sulmuan për të bërë plaçkë, të nxitur nga lakmia dhe veprimet e kriminelit Malkë Zvarishti. Atdhetari intelektual Petraq Katro, ka meritën se i ruajti origjinalet e këtyre letrave, bashkë me përkthimin shqip të letrave, që ishin hartuar greqisht. Ai i ruajti këto dokumenta në arkivin e tij edhe pasi i riprodhoi në librin dorëshkrim të vitit 1936. Dëshmi e formimit dhe e ndërgjegjes së tij shkencore. Memorie.al