Nga Elisabeta Ilnica
Intervistë me autoren Majlinda Nana Rama, pas daljes së romanit të saj, “Zonja me të kuqe”
Memorie.al / E kuqja tërheq gjithmonë, edhe kur bëhet fjalë për një titull libri. Pas një vargu botimesh në poezi, eseistikë, studime letrare, etj, Majlinda Nana Rama, i rikthehet romanit. Gazetarja dhe shkrimtarja Rama, para disa vitesh, ka sjellë librin e ri “Zonja me të kuqe”, ku në qendër të tij është një “damë e lajthitur”, që quhet Jasmina. Pse autorja mendon se, kush më shumë e kush më pak, është pak Jasminë.
Znj. Rama, pas një vargu botimesh në poezi, eseistikë, roman, studime letrare, i riktheheni romanit. Pra, vjen së fundmi për lexuesin “Zonja me të kuqe”, që në fakt tanimë e dimë që Zonja është Jasmina. Cila është kjo grua në roman?
Jasmina e romanit “Zonja me të kuqe”, është rasti më flagrant i fatit të nëpërkëmbur të një gruaje, e cila nuk shihet përtej pamjes së leckosur. Për këdo ajo mund të jetë një lypëse, një varfanjake dhe as më shumë e as më pak, se sa një e çmendur. Por Jasmina, është çdonjëra nga të shumtat femra, që etiketohen, paragjykohen, anatemohen nga masa, pa kurrë-farë vrarje ndërgjegjeje.
Ajo bëhet një botë e trazuar dhe mbetet e tillë, pikërisht për shkak të gjurmëve, që i lë e shkuara dhe e tashmja. Pra, Jasmina është si Jozef K., i “Procesit” të Kafkës, tepër e pavetëdijshme për fajin e saj që jeton, në një botë të mbuluar me velin e fasadës së moralit fals.
Thuajse përherë, edhe në jetën reale, njeriut i shfaqet një mbështetje që e ngushëllon. A i gjendet Jasminës një e tillë, apo mbetet e vetme në sfidën e madhe të njerëzimit, sfidën e përballjes me jetën?
Romani “Zonja me të kuqe”, ka në qendër një romancë dashurie, në përmasa të ethshme mes Jasminës dhe Iliazit. Pra, në gjithë atë zallamahi etjesh, për të poshtëruar një qenie të pambrojtur, shfaqet një burrë, një njeri që merr përmasat e mbi Himalajeve, që kapërcen telin me gjemba të paragjykimit të thellë shoqëror dhe depërton në thellësi të kësaj krijese.
Ai i zbulon gurë më gurë, thesaret e një bote pambarim… dhe imagjinoni…. të botës së flakur tej, të botës së lënë në rrugë, të botës së vrarë çdo ditë, të botës pa ëndrra. Ky është super burri, një kryeprokuror, që i dëshmon botës mbarë se vlerat ndër burra ekzistojnë.
Ky roman, a ka një shtrat real, apo është produkt imagjinate, siç ndodh përherë nga njerëzit e letrave, që përdorin imagjinatën për të dhënë mesazhin që duan për botën në përmirësim?
Çdo gjë që shndërrohet në rrëfim, buron nga pak nga realiteti i secilit prej nesh dhe realiteti i njërit, ndryshon me realitetin e tjetrit, për shkaqe të ndryshme, si: vendosjeje, perceptimi, botëkuptimi, mënyre jetese, lidhje me njerëzit, fuqi, socializmi, etj.
Romani “Zonja me të kuqe”, është në fakt, produksion realo-imagjinativ, për vetë arsyen se ka patur një personazh real, nga i cili ka marrë spunto, për të vijuar më tej me thërrmija të imagjinacionit autorial. Sepse, tek e fundit, kjo është magjia e artit të shkruar. Ajo të rrëmben dhe pastaj autori bëhet vasal i rrjedhës. Pra, shkruesi gjendet shpesh brenda një rrethi vicioz, i zënë në kurthin e narracionit, gjatë shtjellimit të fabulës.
Prandaj i keni dhënë një mbyllje gati – gati tragjike romanit. Pse kjo zgjidhje? Ndoshta lexuesi do të donte një mbyllje tjetër, më të lumtur.
Unë e thashë, pak më parë, që rrëfimi të ikën nga duart. Nuk mund ta kontrollosh subjektin, për aq kohë sa subkoshienca jonë vepron në bazë të asaj që shpirti ynë, arsyeja jonë, sheh dhe do. Pra, në këtë kontekst, unë, për t’i dhënë frymëmarrje kësaj gruaje, me fëmijëri të palumtur, me rini që s’e jetoi kurrë, pra, me jetë të palumtur në rritje, kam rënë në atë grackën e dëshirës për ta parë të lumtur me vajzën e saj dhe gjërat që i kanë munguar gjithë jetën.
Nuk mund ta mbyllja me happy end, assesi. Me këtë mbyllje të rrëfimit, kërkoj që shoqëria të lëviz, pasi mbyllja e romanit, ashtu sikurse drama e personazheve, janë copëza të së përditshmes sonë. Janë më mijëra ato gra që vuajnë, sepse bota përtej tyre, s’do t’i njohë, s’do t’i pranojë, s’i konsideron. Pra, edhe kur gruaja është e gatshme të prijë për t’u përballur me sfidat shoqërore, kjo shoqëri nuk është gati ta pranojë, sepse udhëhiqet nga paragjykimi.
Sa e vështirë është të strukturosh një roman? Kam parasysh edhe romanin e parë tuajin “Perandorët”, një roman që bëri jehonë të madhe një vit më parë dhe që kishte një mori personazhesh, ngjarjesh, situatash, fabulash?
Struktura romanore, sipas meje, nuk ka skema, porse atyre individuale, që bëjnë dallimin e një stili të shkruari nga një tjetër. Romani “Perandorët”, ishte roman i vështirë për t’u shkruar, sepse ndërtohej mbi një linjë qendrore që ishte shtyllë kurrizore e romanit dhe shumë linjave dytësore, që mbaheshin lidhur mes vetes nëpërmjet një konstruksioni të brendshëm. Ndërsa romani “Zonja me të kuqe”, është krejt tjetër.
Ka një linjë, rreth së cilës vërtiten zhvillimet. Ka më pak personazhe. Ka shtjellim me të thjeshtë. Në të jepen natyrshëm, ndjenjat, emocionet, përjetimet, nuancat e ditës, inspirimet, dëshirat. Në këtë roman, nuk ka vend për dekoracione për aq kohë sa vetë libri, në tërësinë e vetë, është një kushtrim për një reformim të mentalitetit shoqëror, për mënyrën se si e sheh gruan, si qenie, së pari.
Në përvojën romaneske shihet që vetëm njëri personazh është ai që mbulon gjithë romanin. Në fakt, si mundet që një emër të tërheq lexuesin për ta zhytur në libër?
Secili nga ne, është Një. Edhe personazhi i qendërzuar në roman, mund të jetë vetëm një, që jep e merr në rrethana të shumta, mjafton që këtij personazhi, t’i gdhenden tipare të detajuara, pra të penelohet portreti. Me një përshkim psikologjik në thellësi dhe raporte të skicuara qartë me të tjerët, që janë personazhet episodikë apo në hije, del në pah gjithë kumti i prozës së gjatë. Por, sipas meje, asnjëherë nuk mund të ecet në bazë të modaliteteve karakteriale, të përcaktuara nga autori. Personazhi lind dhe bëhet.
Pra, thënë me fjalë të tjera, ky libër është një Roman për Gruan?
Në këtë rast, mendoj, do shkonte për shtat motoja; “Gruaja për gruan”. Unë i kam besuar gruas si qenie. I kam besuar shpirtit të saj, botës së pafundme që ajo bart dhe në shumë raste e kërkoj zgjidhjen tek gruaja. Duke e ditur që është një vokacion përfaqësues, dëshiroj ta kthej atë në promotore të lëvizjeve dhe për këtë, revolucioni duhet të filloj mes nesh (grave). Në një shoqëri ku mungojnë politikat sociale për të mbrojtur të drejtën e secilit, por sidomos gjinisë së brishtë, duhet që vetë këto të fundit, t’ua imponojnë të tjerëve statusin e tyre, në këtë ujëvarë të mjegullt shkëmbore.
Çfarë mendimi keni për letërsinë sot? Po për lexuesin?
Shkruhet dhe kur shkruhet ka edhe inflacion. Siç shprehej poeti spanjoll Visente Aleihandre; “Nëpërmjet qenies së vet, poeti bën thirrje për komunikim… sepse poezia parakupton të paktën dy njerëz”, pra letërsia, si e tillë nënkupto dualitetin autor-lexues. Mendoj se duhet gjetur “thembra e Akilit”, së pari nga autori, pastaj lexuesi, sidomos ai elitar, di të gjejë shtigjet e depërtimit te letërsia e fisme.
Që të shmangen dhe të mos implikohen në tema aktuale të ditës, shumë autorë marrin në shqyrtim temat e së shkuarës, po ju keni menduar t’i referoheni kësaj skeme?
Nuk e kam menduar, por këtë punën e “implikimit” do ta kisha justifikuar para 20 e kusur vitesh. Në letërsinë socrealiste, mund të bëhej praktike letrare, marrja me emra e personalitete të së shkuarës për arsye madhore, që kishin të bënin me ideologjitë e kohës e të tjera si këto (megjithëse, edhe pikëpamjet historike, sido që të ishin, duheshin interpretuar në vijën e inspirimit të teorive të atij sistemi). Por, sidoqoftë mbetej e justifikuar, letërsia e pa dokumentuar e aktualitetit.
Por sot, kur bota demokratike është e hapur, do të ishte mëkat që të mendohej po njësoj. Sot, janë rrugët e lira për të lëvruar atë letërsi që ndien se duhet të lëvrosh. Mendoj se t’i trembesh të vërtetës, është njësoj si t’i fshihesh çdo çast jetës. Në besimin tim, ka qenë e ngulitur ideja, që, nëse je konformist me atë që të ofrohet, nuk mund të bëhesh shkrimtar, as gazetar.
Meqë dolëm te gazetaria, përveç jetës shkrimore, ju mbani lidhje ende me gazetarinë. Varen nga njëra tjetra këto dyja? E ndihmojnë apo dëmtojnë?
Unë besoj se janë fusha që ndërveprojnë. Letërsia, arti krijon mundësi komunikimi, ndërsa gazetaria, bëhet urë komunikimi për komunitetin. Pra, në thelb, të dyja janë produksione që komunikojnë me masën, duke u bërë pjesë e së përditshmes njerëzore, me gëzimet, ndjenjat dhe dhimbjet e gjithsecilit. Por, është mirë kur gjenden të dyja bashkë, sepse atë që s’e thua me njërën, e thua me tjetrën, sidomos në një vend ku absurdi, vërtet, nuk njeh kufij.
Shkrimtarët dhe politika. Si i shihni këto raporte?
Që të merresh me politikë, të bësh edhe letërsi, nuk besoj se ka gjë të keqe. Ato, edhe teorikisht, nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën. Madje, mendoj se një politikan që shkruan, ka më shumë shanse, për të qenë politikan i suksesshëm. Kjo për faktin se bota shkrimore, paraqet tek lexuesi i tij, atë pjesë të shpirtit që politika s’ja lejon ta shpalos.
Të merresh me artin e të shkruarit, është magji që së pari të pasuron si individ dhe së dyti, të bënë protagonist të zhvillimeve sociale, ekonomike e politike në vend. Arti i fjalës, mund të rrëzojë pushtete. Por, nëse për politikën do shprehesha: “Pas secilit sukses, gjendet një dëshpërim i fshehur”, për letërsinë do të thosha: “Çdo arritje, ka një kosto dhe një gëzim”. Besoj që këto të dyja, kanë ndryshim të madh.
Biografia: MAJLINDA NANA RAMA
Majlinda Nana Rama, ka lindur në Tepelenë, më 27 maj 1980. Në vend-lindje ka marrë dhe mësimet e para, e ato të mesme. Gjatë viteve 1998–2002, ka kryer studimet e larta për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe dhe më pas, në vitet 2009-2012, ka kryer fakultetin e dytë, atë të Shkencave Politike, në degën “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Më vonë përfundon studimet Master Shkencor për “Shkenca Politike dhe Juridike”. Ka punuar si Administratore e Shërbimit Social. Më vonë ka punuar si mësuese e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Prej vitit 2004 dhe aktualisht jep kontributin e vet në mediat pamore dhe ato të shkruara, ku evidentohet puna disavjeçare, si drejtore Informacioni në TV Rajonal “Apollon”, Fier. Ka punuar si gazetare e TV “Ora News”, Tiranë. Nga viti 2006 dhe aktualisht punon si gazetare e gazetës “Panorama”, Tiranë. Është themeluese dhe botuese e gazetës “Ora Juaj”. Është autore, skenariste, dhe drejtuese e qindra emisioneve sociale, kulturore dhe politike. Nga viti 2011, po ashtu, punon në Bashkinë Fier. Është Presidente e Fondacionit Kulturor; “HARPA”.
Bibliografia:
Ka botuar:
1- “Merrma lotin peng”,(poezi, 2004), red. Izet ÇULI
2- “Hënë e qiellit tim”, (poezi, 2006), red. Xhezo CANE
3- “Por gjyqi vazhdon”, (prozë, 2006), red. Bujar RAMA
4- “Perandorët”, (roman, 2014), red. Behar GJOKA
5- “Kritika Letrare”, (Studime, kritikë, 2014), red. Ali ALIU
6- “Zonja me te kuqe”, (roman,2015), red. Kim MEHMETI
Ka në proces:
1- “Kina në ekonominë globale”, (studim)
2- “Gjeopolitika e Kosovës, si shteti me i ri ne rajon”,(studim)
3- “Shënime Letrare”, (kritika, ese, recensione, publicistikë).
4- “Lirika erotike ne vargun popullor”, (Studime, analiza).
Të tjera:
Është përfshirë në Enciklopedinë e Tepelenës, në vitin 2006. Më vonë, në dy Antologjitë Poetike Ndërkombëtare “Korsi e hapur”, me 270 autorë nga vendi e bota, njëri botim i vitit 2008 dhe tjetri botim i vitit 2010. Në vitin 2015, në Antologjinë e krijuesve tepelenas.
Majlinda është anëtare e W.P.S. (Lidhja e poetëve bashkëkohorë të botës). Është redaktore dhe recensente e dhjetëra librave të autorëve të ndryshëm në prozë, poezi dhe së fundmi në studime.
Është pjesëmarrëse në disa Konferenca Shkencore Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Është themeluese dhe Drejtore e Panairit Mbarëkombëtar të Librit në Fier. Është themeluese dhe drejtore e eventit “Personalitetet e Vitit” dhe çmimit “HARPA”
Krijimtaria e Majlindës, është vlerësuar nga kritika letrare, ndërsa është promovuar në mbi 10 shtete të Europës, si: Kosovë, Maqedoni, Gjermani, Francë, Zvicër, Austri, Belgjikë, Poloni, Holandë, Hungari, Spanjë.
Vlerësime:
Është fituese e Çmimit Special Letrar, në Konkursin Ndërkombëtar “Muza Poetike 2012”.
Është vlerësuar me ‘Çertifikata Nderi’ nga Lidhje Ndërkombëtare te Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve.
Është vlerësuar me ‘Çertifikatë Mirënjohjeje’ nga Unioni i Gazetarëve.
Ka fituar çmimin “Njeriu i Vitit 2014”, nga një votim, organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Treva e Krahësit”.
Është fituese e Çmimit te Lartë “Naim Frashëri”, çmim i dhënë në Institutin Albanologjik, Prishtinë, në vitin 2014.
Është fituese e disa trofeve dhe Anëtare Nderi e disa organizmave dhe lidhjeve letrare në botë. Memorie.al