Nga Fatbardha Mulleti Saraçi
Memorie.al / Zonja Ana Daja është një grua që gëzon një shëndet të mirë për moshën që ka, është një zonjë sa e dashur, aq edhe e fortë, plot gjallëri. Gjatë bisedës me të, për vitet e rinisë së saj, ajo rikujton historitë e saja, të dhimbshme, plot vuajtje, me shumë tortura, me një kujtesë të mrekullueshme. Tregon çdo gja, çdo detaj dhe emrat e bashkëvuajtësve, por edhe të atyre që e torturuan. E lindur në Shkodër në vitin 1928, në një familje punëtorësh, babai punonte teneqexhi-llamarinist dhe ata kishin një gjendja ekonomike disi të mirë. Ajo vazhdoi shkollën fillore e gjimnazin, në shkollën shtetërore në Institutin “Donika Kastrioti”. Në vitin 1944, ajo ishte në vitin e pestë të shkollës, mësimi ishte i mbyllur, pasi u bë vetëm tre muajt e verës. Në vitin 1946, ajo kaloi në gjimnazin shtetëror “28 Nëntori” të qytetit të Shkodrës.
Znj. Ana, si e kujtoni Shkodrën në vitet 1945-46 e në vazhdim?
Shkodra ishte e bukur, me oborre plot lule, por u mbush me burgje, ishin rreth 20 të tillë. Në fillim të vitit 1945, filluan me arrestue klerikët e parë. Ne nxënësit iknim nga mësimi dhe shkonim tek kinema “Rozafa”, se aty zhvillohej gjyqi i tyre. Nuk lejohej me hy në sallë (ajo mbushej nga njerëzit e tyre, që ishin me autorizime). Ne shkonim me i pa, e duke dalur prej gjyqit, shumë gra e të reja komuniste, bërtisnin nëpër rrugët kryesore: “Plumbin ballit e në litar, armiqtë e popullit”.
Çfarë ndodhi me ju në fundin e vitit 1945?
Isha vet e dyta në pjacën e qytetit tonë, kisha dalur me ble një copë për fustan. Unë kisha distinktivin e “Bijave të Zonjës”, ndërsa shoqja ime, Marije Prendushi, atë të “Veprimit Katolik”. Në këtë kohë po kalonte grupi i ‘Grave Komuniste”, që bërtisnin: – “Plumbin ballit e litarin fashistëve dhe reaksionarëve”. Në këtë moment, del nga turma Marije Ndoja, e cila erdhi të më hiqte me forcë distinktivin. Unë i’u kundërvura dhe s´e lashë në asnjë mënyrë, të ma merrte atë. Të nesërmen në shkollë na nxorën në karikaturë, duke na tallur me fjalë fyese.
Në vitin shkollor 1946, u bënë shumë sabotime nga antikomunistët. Unë dhe Ernest Përdoda, shpërndanim trakte. Më përjashtuan tre dite nga shkolla, se kisha grisur gazetën e shkollës, ku më tallnin me fjalë fyese. Në atë periudhë vdiq Dom Gaspër Thaçi – Argjipeshkvi i Shkodrës, unë mora pjesë në funeralin e tij. Gjatë funeralit, makina e policisë, kishte bllokuar rrugën, për të mos kaluar karrocat që shoqëronin funeralin, por rinia, që kishin lanë mësimin, e mbartën karrocën me arkivolin dhe e çuan përpjetë, pa pasur nevojë për kuajt dhe vazhduan funeralin.
Në atë kohë në sallën e gjimnazit B.R.A.SH.-it (“Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare”), organizonte konferenca kundër fesë dhe ato i kryesonte Satber Jubani. Unë gjithmonë i kam kundërshtuar, dilja në mbrojtje të njerëzve të fesë dhe të besimit fetar. Një here u bë një mbledhje e madhe, në palestrën e gjimnazit dhe vjen përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Spiro Pano, për veprimtarinë antikomuniste, që u zhvillonte në gjimnaz. Na përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë, mua, Faik Lulin, Njazi Barbullushin, Sandër Gerën, etj.
Ç’ndodhi tjetër me ju në 26 qershorin e vitit 1947?
Në pasditen e 26 qershorit 1947, trokitën në derë, Dylaq Lekiqi me dy policë, të cilët erdhën të më arrestojnë, por me pretekstin se gjoja donin të më merrnin në pyetje. Tek shtëpia e Çurçive, ishte Dega e Punëve të Brendshme dhe aty më futën në një dhomë e më lanë në çimento, ku dhe kalova gjithë natën. Kryetari i Degës së Shkodrës, ishte Zoi Themeli. Nga dritarja e dhomës, pas mesnatës, kam parë Padër Mati Prendushin, me një fanellë gjysëm të shqyer e mbathje të gjata të lidhur me duar mbrapa, në një pemë, mbasi e kishin torturuar.
Filloi një shi i madh dhe atë e lanë të lidhur. Natën e dytë, më futën nën shkallë, në një birucë të vogël. Më thotë Dul Rrjolli: Tash ta kemi gjetur vendin e përshtatshëm. Në atë birucë kishte minj dhe insekte. Ishte një tmerr. Më futën në hetuesi ku gjeneral Zoi Themeli e Fadil Kapisyzi, më thanë: – “Ke organizuar nxënësit e gjimnazit, kundër pushtetit popullor”.
Unë i’u përgjigja: Ne jemi pak vajza tashti, sapo jemi bashkuar me gjimnazin dhe s’pata kur me u njohë me to. Mandej unë kam kohë, që e kam braktisur shkollën, nuk e kam frekuentuar më gjimnazin. Pa mbaruar ende fjalën, ata më thanë: “Ke organizuar funeralin e At Gaspër Thaçit”. Unë u thashë se ato tre ditë, kam qenë e përjashtuar nga shkolla.
Pas kësaj, Zoi Themeli më ra me grusht në fytyrë dhe gishti i vogël i tij më hyri në sy, më dha dhe një shqelm dhe më rrëzoi për tokë. Mandej më çuan në dhomën e izolimit. Më 15 korrik 1947, u ri konstruktua Dega e Punëve te Brendshme, e cila ishte shtruar me çimento dhe mbi atë çimento të lagur, u shtruan dyshekët. Çdo gjë ishte e lagur, e patharë, aty gdhenda në mur datën 15.07.1947. Birucat ishin pa dritë, pa ajër. Dy herë në 24 orë, na lejonin me kryer nevojat vetjake, ujë na jepnin vetëm një herë në ditë.
Një javë më lanë mbi çimento. Më solli familja rrogosta. Muret e dritaret ishin të mbuluara me jorganë, që të mos dëgjoheshin zërat e të torturuarave. Një ditë, hetuesi Fadil Kapisyzi më tha: – “Të tregohesh e gatshme për të treguar krimet që ke bërë kundër Pushtetit Popullor, ndryshe, do të të bëjmë provë korrentin elektrik”. Unë s´fola, s´dhashë asnjë përgjigje. Atëherë hetuesi Fadil Kapisyzi, më vuri korrentin në të dy veshët. Ishte një tronditje e tmerrshme. Pas kësaj, ai më tha: “Ke dashur me vra Dulaqin”.
Si kam dasht me e vra…?! As kam dashur, as më ka shkuar ndër mend që ta vras. Me çfarë ta vras? S’kam ndonjë mjet, iu përgjigja unë. Në pyetje me merrnin gjithmonë në mbrëmje. Një natë, polici Ismail, që ishte i ri, si egërsirë, injorant, i mungonte gishti i madh i dorës së djathtë, më thotë: – “Ngrihuni” dhe më dërguan në një dhomë tjetër, ku sa kam hyrë brenda, më ra të fikët. Banaku dhe dyshemeja ishte e mbuluar me gjak të mpiksur. Erdh P. K. (përgjegjësi i burgut); ai grisi proçes- verbalin e kapiten Kapisyzit dhe më tha: “Tash e tutje ke me pasur punë me mua”.
Ai më pyeti: “Ti ke organizuar funeralin”? Unë i thashë se kam qenë tre ditë me pushim. Ai vazhdoi duke më thënë: “Na trego emrat e nxënësve të shkollës. Duhet ta pranosh akuzën”? Por unë i thashë se s´i njihja ata.
Ç´të bëri më pas Pjerin Kçira?
Ai më ka lidhur në murin mbas dere, m´i lidhi duart me tel, m´i ngriti lart dhe telin e hodhi mbrapa. S´kisha mundësi me lëvizë. Sa herë u hapte dera, më ndeshte e përplasej mbi mua, që isha e lidhur. Në këtë gjendje më mbajtën pesë ditë e pesë netë, pa hëngër e pa pi. Më çuan përsëri në birucë ku më vunë përsëri korrentin. Nga data 1 deri më 15 tetor 1947, më kanë lanë në këmbë, me fytyrë nga muri, pa lëvizur.
Kur u rrëzoja, roja më hidhte kovën e ujit të ftohtë, për të më ngritur përsëri në këmbë. Kështu si unë në korridor, ishin dhe Dom Anton Muzaj (ai që zëvendësoi Monsinjor Thaçin) të cilin e kishin vendosur në shkallën që zbriste në katin e parë, koka i takonte pak përmbi dyshemenë e korridorit, ku ishim ne. Ndërsa Padër Frano Kirin, e kishin lidhur në hekura. Sa herë kalonte roja, aq herë e godiste me shqelma (i ngrati Padër Frano – thotë me lot ndër sy Zonja Ana).
Ushqimin shpesh herë s´na e jepnin, ia hidhnin qenit. Në vendin ku më kishin lidhur, ndodheshin banjot, ku i sillnin të burgosurit me kry nevojat personale. Shpeshherë të burgosur të ndryshëm, kur u jepej mundësia, më ndihmonin. Isuf beg Sokoli, kur kalonte për në banjo, më solli një herë një gotë kos, ma dha me e pi dhe e fshehu shpejt. Po kështu, mundoheshin me më ndihmuar Zef Zorba, Brahim Sokoli, por mungesa e ujit ishte një tmerr.
Një i burgosur i dhomës teme (se ne femrat na kanë lanë në dhoma bashkë me të burgosurit meshkuj), Dodë Zef Tuku, me sillte ujë, ma linte në nevojtore, që të mos e shihte polici. Në mbrëmje, kur polici më liroi duart, që të kryeja nevojat personale, kam pirë ujin me një frymë. Më kanë lidhur me zinxhirë duart dhe këmbët. Më ishin ënjtur këmbët, plasaritur dhe qelbëzuar. Mjeku nuk pranoi të më mjekonte, se desh të më dërgonte në spital. Por s´më dërguan atje. Infermierja vetëm më çau plagën dhe i hodhi jod.
Më dërguan në dhomë ku ishin dy burra. Osman Haxhiu (shumë i moshuar) dhe Dom Zef Tuku. Natën këmbët e mia ishin ngjitur në çarçafët, temperatura ime shkoi 40˚C, s´më banë asnjë mjekim. Në këtë moment, më çuan në katin e parë, ku ishte dhoma e torturave, aty më priste Pjerin Kçira dhe Ali Xhunga, ku më morën në pyetje, duke më thënë: “Na trego se si i ke organizuar grupet”? Unë iu përgjigja duke u thën se s´kam bërë asgjë.
Pas kësaj më vendosën telat e korrentit në të dy veshët dhe më lidhën duart. Disa herë kam nxjerrë gjak nga hundët dhe goja, në moment më ikte kujtesa, kisha zanë gjuhën me dhëmbë. Me futën në gojë një copë leckë, që të mos dëgjoheshin britmat e mia. Më ulën në çimento, më vendosën korrentin dhe në këto momente, shanin me fjalorin më të ndyrë.
Ali Xhunga, sa herë që s´pranoja akuzën, aq herë më godiste me shkelma në shollën e këmbës, që më trondiste të gjithë trupin. Më lodhën aq shumë, sa s´kam qenë në gjendje të eci dhe dy policë me ngjitën në katin lart, për krahësh. Shokët e dhomës kanë qarë, kur më panë në atë gjendje. Përveç torturave të shumta hera-herës, me ndërprisnin ujin, ushqimin dhe thonin: – S´të kanë sjellë gjë familja?
Një herë, shoferi Ahmet Sufi, më lidhi duart e këmbët me zinxhirët që përdorin për rimorkim makinash. S´kisha si lëvizja. Kështu më la të gjithë mbasditen. Kur më morën në pyetje, u thashë:
– S´jam në gjendje me qëndru në karrige, sepse shoferi juaj më ka lidhur me zinxhirë hekuri. (Ata gjoja luanin rolin e të paditurit, ndërsa shoferi më thoshte: – Kam qenë i urdhëruar). Në dhjetor të vitit 1947, më dërguan tek ish-burgu i Gestapos (ish-shkollë), aty gjej një vajzë mirditore, Marije Frisku, mbesa e Dom Rrok Friskut. Mbas shumë kohësh jam takuar me të, në burgun e madh të Shkodrës.
Mbas një periudhe më dërguan tek burgu i Françeskanëve, tek dhoma ngjitur me kompanjelin, pranë kambanës. Roja Hekurani, na kontrollonte ushqimet, por ai ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe na i pështynte gjellët. Dyert e dhomës ishin të ngjyrosura më bojë. Aty kam lexuar tre poezi të Padër Donat Kurtit, i lexova, i mësova përmendësh dhe i kam ruajtur. Shpesh komunikonim me njëri-tjetrin me dy trokitje në mur.
E më thotë: – Jam Pjetri prej Vjerdhe, kam në dhomë Dom Anton Muzaj, ai qëndronte në këmbë dhe ishte sëmurë. Ai thoshte: – S´jam në gjendje për gjyq. Duan që të mohoj fenë e Krishtin. Për fe e atdhe, un s´pranoj ndryshe. Gjyqi u bë me 12 janar 1948. Grupi i të rinjve: Ana Daja, Liza Pali, Viktor Kujxhija..! Një gjyq kukullash, fallco, s´u mur vesht ç´thonin. Vetëm u lexuan emrat e studentëve…; u bënë duartrokitje nga njerëzit e sallës dhe u dha dënimi…! Mua më dënuan katër vjet burg. Nuk mora vesh se për çfarë më dënuan!
Për periudhën që ishit në burg, ç’mund të na thoni?
Në burg na mbanin të mbyllura në qeli dhe na linin të ajroseshim një orë paradite e një orë mbas dite. Në burg punonim, bënim thurje me lesh, punim trikosh, çorapesh, i dorëzonim çdo natë punën e bërë gjatë ditës. Në vitin 1949, filluan me marrë të burgosur nga burgu i madh e i çonin në Degën e Punëve të Brendshme.
Një ditë më morën dhe mua, më mbuluan me batanije, më lanë në një dhomë ku futën dy burra, atyre u thanë: – Mbasi jeni nevojtarë do t’ju gjejmë punë dhe keni me patur privilegje, vetëm firmosni këtu në deklaratë. Ata (hetuesit) më thanë:- Dhe sa muaj burg të kanë mbetur? Unë u përgjigja se më kanë mbetur edhe 17 muaj. Pas kësaj, hetuesi më tha: “Po firmose në këtë deklaratë, mund të bëjmë që të lirohesh sa më parë, me anë të amnistisë dhe nuk ban jo 17 muaj, por as 17 orë”.
Unë u thashë se nuk pranoj në asnjë mënyrë, nuk vej firmë në deklaratë, s´pranoj të bashkëpunoj me ju. Ne, femrat e burgut nuk na kanë dërguar në kampet e punës, por merreshim me pastrimin e ambienteve të policisë. Mbasi e plotësova dënimin e plotë, katër vjet, dola nga burgu. Por më priste burgu i jashtëm, ai i izolimit dhe i survejimit.
Për shoqet e tua bashkëvuajtëse, ç’mund të na thoni, si i kujtoni ato?
Në burg kisha: Adile Hasan Boletini – gruaja e nënkolonel Adem Boletinit (i vrarë në atentat), të cilën e dënuan 5 vjet, për mos denoncim të Jup Kazazit (ishte burri i motrës së saj, që u vetëvra, për të mos i’u dorëzuar komunistëve). Po kështu, Agime Pipa, një vajzë e përkryer në të gjitha pikëpamjet. Shumë e edukuar, e heshtur, e mençur, intelektualja e parë e Shkodrës tonë. E dënuan katër vjet dhe e bëri të plotë dënimin.
Kujtoj Vitore Kuka, vajzë e mirë, arsimtare në Breg të Bunës. Kishte vëlla Zef Kukën, anëtar i Ballit Kombëtar – Shkodër, i pushkatuar nga komunistët. U akuzua për agjitacion e propagandë. E dënuan 5 vjet, të cilat i bëri të plota. Kujtoj Terezina Palin, një vajzë e zgjuar, burrneshë. Arrestimi i saj u bë në Tiranë, për veprimtari politike agjitacion e propagandë, dajat e saj Dedë Thani, Mark Thani, Pal Thani, vdiqën në tortura nga ato që iu bënë në Sigurimin e Shkodrës. Terezina e Liza Pali, mbesat e tij, e kanë ndigjuar dajën Pal, tuj e torturuar. Sa të vështirë e kanë patur këto vajza…! Terezinën e dënuan 5 vjet, që i bëri të plota. Ndërsa, e motra, Liza Pali, u dënua tre vjet për agjitacion e propagandë.
Kujtoj Gjyste Lazrin, nga Fishta (zonë e Zadrimës) të cilën e akuzuan se kishte ndihmuar të arratisurit, ishte gruaja e Vasë Tomës, i vrarë nga komunistët. E kapën Gjysten, e zhveshën, e torturuan për të treguar lidhjet e burrit të saj. Ajo s’pranoi, ishte shtatzënë. Lindi vajzën në burg. Vajzës i’a vunë emrin Vasilika, por ia morën, e dërguan në Befotrof, e aty i vdiq. E kam lanë në burg. Kujtoj tjetër, Dila Zef Doda, nga fshati Hajmel, ishte mirditore. I’a kishin pushkatuar burrin, kunatin dhe ia kishin djegur shtëpinë. Ishte vajza e Bajraktarit të Mirditës, i kishin bërë kulakë. E kishin dënuar 12 vjet. Fëmijët e saj ia rriti e edukoi e ëma.
Kujtoj Bardha Krosaj, një vajzë e shkolluar, e mirë. Ishte nga Kaçinari, Mirditë. Kjo lajmëronte të arratisurit, që mos të dukeshin në atë zonë, se ishte e mbushur me partizanë dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit. Korrieri i ka dhënë letrën, por ai është plagosur nga Forcat e Ndjekjes. Ata i kanë verbuar sytë dhe ia kanë marrë letrën, që e kishte të fshehur në kraharor. Bardha në letër kishte shkruajtur: Zona është e mbushur me njerëzit e Ndjekjes, mos u afroni, se kanë ardhur këlyshët e Stalinit…! Me këtë letër, ka ardhur Aranit Çela dhe hyni në dhomë e pyeti: – “Cila është ajo që ka shkruajtur këlyshët e Stalinit”? – Unë, – iu përgjigj Bardha.
Bardha ishte 19 vjeçe, kur e kishin torturuar në Rrëshen, ka ardhur si kufomë në burg. Familjarët nuk e dinin se ku ishte. Bardha ishte shumë e sëmurë me temperatura e lartë, të vjella, e i filloi sëmundja e tuberkulozit. Kishin urdhëruar të mos i jepej asnjë kurë mjekimi. Ashtu të sëmurë e sollën në dhomën tonë të vogël, ku banonin 14 gra e vajza. I shërbenim e ushqenim nga ushqimet tona (që na i sillte familja). Në momentet e fundit të jetës, e veshëm me pallton e bukur, që kishte kujtim dhe ashtu e morën gardianët e burgut. Vdiq ajo vajzë e re dhe e varrosën tek Varret Katolike të Rrmajit në Shkodër. Kujtoj tjetër, Marije Friskun, mbesa e Rrok Friskut, e dënuar 3 vjet. E burgosën me axhën e saj (vdiq në burg). Kemi pasur dhe një tjetër, Nasibe quhej, s´ia mbaj mend mbiemrin. Ajo ishte nga Tropoja dhe pothuaj nuk fliste fare, ishte shumë e heshtur.
Kujtoj tjetër Drita Kosturin, një vajzë e re, që u bë komuniste në moshën 15 vjeçe, por më pas u bë një antikomuniste. I kaloi jeta në burg dhe internime. U familjarizuam, por ishim të rezervuara nga frika e spiunëve, që shpesh ndodheshin edhe aty ku s´e mendoje. Drita Kosturin e kishin lanë në një dhomë me Hafiz Dërgutin e Gjon Serreqin dhe ajo tregonte se sa herë lutej hoxha në ritualin e faljes, aq herë ulej e ngrihej Gjoni, se ishin të lidhur të dy bashkë.
Zonja Ana, ç’mund të na tregosh tjetër për burgun e Shkodrës?
Në burgun e Shkodrës, Terezina Pali, tregonte se Padër Çiprian Nikën, e kanë dëgjuar duke bërtitur, kur i kanë djegur këmbën me hekur të skuqur dhe i kanë hedhur kripë. Padër Ciril Canin, e kanë rrahur me shkop, saqë ecte me shumë vështirësi, sa me kryer nevojat personale. Profesor Qemal Draçinin e Pal Thanin, (akademist) i kanë rrahur dhe helmuar, e kanë vdekur aty në hetuesi. Myzafer Pipën, avokat, dy këmbët e tij janë djegur me rrëshirën e pishës. E kanë mbytur, sa ai s´ka qenë në gjendje me ecë. E ka vra Elez Mesi.
Kolec Dedën (tregtar i njohur), e kanë hedhur nga dritarja, duke thënë që ka vrarë veten (në fakt dritaret i mbanin gjithmonë të mbyllura). Dr. Spanjollin – e kanë helmuar dhe trupin e hodhën në Zallin e Kirit, ndërsa Sigurimi thoshte sikur gjoja ai e ka pirë vetë helmin! Pjetër Zef Saraçin, e dënuan në birucë, vetëm pse tha një shprehje për të qeshur, për humor. E zhveshën, e lidhën këmbë e duar dhe i hidhnin kovat me ujë të ftohtë…! Zoterinjtë Xhevat Dani e Pjetër Saraçi, i shihnim shpesh duke pastruar oborrin me fshesë dhe shumë punë të tjera.
Ç´ndodhi me ju mbasi dolët nga burgu, si rrodhi jeta juaj?
Unë punova punëtore gjithë jetën në peno-beton. Krijova familje, rrita fëmijë, djalë e vajzë, tashti jam gjyshe.
Zonja Ana, në fund të kësaj interviste, ju uroj shëndet e jetë në udhën e pleqërisë.
Ju falenderoj unë ju zonja Fatbardha, që keni ndërmarrë këtë nisiativë dhe po nxirrini në pah, krimet e atij regjimi, në mënyrë që t’i dinë brezat që do vijnë dhe këto të mos përsëriten ma.
Vetëm pak kohë pas kësaj interviste me znj. Ana Daja, duket se pleqëria e bëri të sajën, pasi në vitin 2006, ajo u sëmur. E lodhur dhe e drobitur nga ato që kishte kaluar e duruar në qelitë e hetuesisë e burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ajo mbylli sytë me 18 korrik 2007. Jeta e saj është shembulli i gjallë i jetës nën diktaturën komuniste, ndoshta unik në të gjitha vendet e Lindjes Komuniste. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016