Nga Xhevahir Gradica
Memorie.al / Jorgji Spiru, i njohur gjithandej dhe gjithë jetën me emrin Gaqo, u lind në Durrës në vitin 1927. Gaqo ishte vetëm 8 vjeç, kur humb të atin, Jovanin, ndërkohë që në krah të tij, do të vendoset e ëma, Erifili, e cila sakrifikoi jo pak për ta rritur dhe edukuar. Ne vitet e Luftës bëhet anëtar dhe më pas një nga krerët kryesore të DEBATIK-ut, (Djemt e bashkuar, anëtarë të ideve komuniste). Që këndej hidhet në rradhët e Brigadës 23 Sulmuese, formacionet e së cilës luftuan për çlirimin e trojeve në Krujë, Dajt e Shkodër. Me çlirimin e vendit, bëhet pjesë e të rinjve që drejtojnë kurse kundër analfabetizmit, ndërkohë që vet nuk i ndahet leximit, studimit dhe aktrimit.
Gaqo krijon personalitetin e tij, në saj të karakterit të fortë, ndërgjegjes së pastër dhe përkushtimit. Për shkak të pasionit të veçantë, bëhet ndër të parët aktor amator në teatrin e Durrësit, tek kinema “14 nëntori”. Njëherësh vijon studimet e larta në Fakultetin Histori-Gjeografi. Gaqo Spiru i përket plejadës së parë të aktorëve, që themeluan teatrin profesionist në Durrës. Me 11 janar 1953, vihet në skenë komedia e parë “Vajza nga fshati”, ndërkohë që me themelimin e teatrit, më 8 shkurt 1964 vendoset në anën e krijuesve të trupës profesioniste.
Teatri fillimisht e më pas filmi, do të krijojnë personalitetin e fortë të këtij aktori, emri i të cilit do të qëndrojë në listën e më të mirëve aktorë shqiptarë. Për shkak të pjekurisë, të ndihmesës së drejtpërdrejtë në çlirimin e vendit dhe meritave profesionale, Gaqo Spiru emërohet në vitin 1968, drejtor i Teatrit “Alekssandër Moisiu” në Durrës. Qëndrimi i tij në këtë post të vështirë, i jep shtytje të madhe ecjes së estradës dhe teatrit. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të tij, u bë e mundur kapja e rekordit, përgatitja brenda 12-13 ditëve, e shfaqjes së premierës.
Pikërisht në këtë periudhë, e cila përkon me prurjet e reja të artistëve që vinin nga Instituti i Lartë i Arteve, emri teatrit dhe estradës së Durrësit, sa vjen dhe bëhet më i dëgjuar. Rreth kësaj trupe qëndronin emra të niveleve kombëtare, ndërkohë që turnetë në trevat shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi, në vitin 1973, ia zgjerojnë gjeografikisht famën. Gaqo Spiru la gjurmë të forta edhe në kohën që shërbeu si shef i seksionit të Kulturës, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit të Durrësit, me inkurajimin e talenteve të reja dhe mbështetjen e artistëve.
Piktura, skulptura, estrada dhe teatri morën fizionominë dhe mbështetjen e plotë. Përvojë më vete në jetën e tij do të jetë periudha e qëndrimit si pjesë e ekuipazhit të anijes “Durrësi”. Kjo i dha mundësi të shëtisë në shumë porte të Botës, në një kohë që bëri gjetje të ndryshme, për të argëtuar marinarët në udhëtimet e gjata. Kështu, falë edhe njohjes së veçantë që kishte krijuar me drejtues të Kinostudios “Shqipëria e Re”, mori që andej kaseta filmi, të cilat i shfaqte në bazë të një programi brenda në anije. Kjo argëtonte pa masë marinarët të cilët e ndienin thellë mungesën e familjes me muaj të tërë, në udhëtimet përtej Adriatikut.
Artisti
Daljen në publik si aktor e nisi që në moshë fare të vogël. Fillimisht në grupet amatore të krijuara pas Çlirimit të vendit. Aty u shfaq prirja e tij për t’u bërë artist profesionist. Jeta artistike e Gaqo Spiru qëndron mes aktorit të teatrit dhe atij të filmit. Durrësi është qyteti që i dha jetë dhe lavdi emrit të tij. Sa herë që vjen koha për të shikuar pas dhe për të matur rrugën e përshkuar të artit në Durrës që nga koha e hapave të parë të ngritjes dhe konsolidimit të trupës profesioniste, mendja dhe sytë shkojnë tek emrat më të dashur për të gjithë:
Nikolin e Meropi Xhoja, Spiro e Vera Urumi, Todi Thanasi, Teodor Rupi, Vangjel Heba, Gaqo Spiru, Gjergj Vlashi, Lutfi Hoxha…! Janë ata që jo vetëm e ngritën trupën profesioniste, por edhe bënë mrekulli në skenën e estradës dhe të teatrit. Miqtë më të afërt të Gaqos, kanë qenë Nikolin Xhoja, Vangjel Heba, Anastas Bojaxhiu (profesori i parë në Durrës), Marta Burda, Lazer Murati, Kadri Pirro, Todi Thanasi, Milto Profi, për të vazhduar me estradën dhe me emrat e Ramazan Njalës, Spiro Stratit, Aleksandër Pepës, Enver Likmetës, etj.
Dhjetëra role të lozura prej tij në teatër
Në shumë prej tyre në role kryesore. Arkiva e Teatrit “Aleksandër Moisiu”, ka dhjetëra foto në të cilat fiksohet artisti në skenë. Dalja e parë e tij si aktor i nivelit profesionist, i përket vitit 1953 “Vajza nga fshati”, me rolin e Palit. Asokohe Spiru ishte 25 vjeç. Kishte kaluar provë pas prove, me trupën amatore. Njëra pas tjetrës vijnë; “Dasma e madhe”, “Shkarkuesi i parë”, “Dreqnit e Kënetës”, “Dredhitë e Skapenit”, “Ljubov Jarovaja”, “Kërkuesit e lumturisë”, “Çështja Ivanov”, “Biri i humbur”, “Nota zero në sjellje”, “Sëmundje e rrezikshme”, “E deleguemja”, “Votra e huaj”, “Ata u rritën në luftë”, “Ndalesa e fundit”, “Shufra e hekurt”, “Invadimi”, “Jashtë bie shi”, “Hijet e natës”, “Rrugë të tërthorta”, “Pulëbardha.
Role nga më të larmishmet, të cilat u luajtën me mjeshtëri të rrallë. Teatri arriti të jepte 5 e 6 premiera në vit, ndërsa trupa e estradës, po bënte revolucion në anën tjetër, duke e vendosur qytetin e Durrësit, në epiqendër të aktiviteteve kulturore kombëtare. Temat ishin të larmishme. Shumë prej tyre kishin në qendër luftën për çlirim. Të tjerat edukimin qytetar, depërtimin e moralit të ri, luftën kudër paragjykimeve, emancipimi femrës, roli rinisë, jeta në fshat, ngritja e kantiereve…! Për shkak të kulturës së lartë në interpretim, Gaqo Spiru u zgjodh për t’u bërë pjesë e trupave, në realizimin e disa filmave.
Kështu emri tij spikat në rolet kryesore në disa prej tyre si tek “Toka jonë”, me figurën e Metit; “Detyra e posaçme”, me rolin e nënkolonelit; Petro motorist, në “Horizonte të hapura”; gazetari “Përse bie kjo daulle”; organizatori i grupit në burg “Njësiti gueril”; “Nusja dhe shtetrrethimi”…! Pikërisht në këtë periudhë, që nis në vitet 1963 dhe shtrihet për dy dekada, do të ketë fatin të lozë përkrah ikonave të kinematografisë shqiptare, përkrah aktorëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave, si: Marie Logoreci, Roza Anagnosti, Sandër Porsi, Ndrek Luca, Pjetër Gjoka, Ilia Shyti, Lazer Filipi, Pandi Raidhi, Dhimitër Orgocka, Robert Ndrenika, Nikolin Xhoja, Sulejman Pitarka, Vangjel Heba…!
Aktori nga Durrësi bëhet figurë shumë e adhuruar. Regjisorët dhe aktorët panë tek Spiru personazhin e shkrirë plotësisht dhe qetë e pastër në rol. Ky lloj mishërimi, bëri që atij t’i besohen role shumë të veçanta, si në rastin e Metit tek “Toka jonë”, nënkolonelit tek “Detyra e posaçme” etj. Kolegët ruajnë mbresa të jashtëzakonshme, për të në ditët e xhirimeve. Gaqo kishte aftësi të sfidonte çdo gjë: rolin e vështirë, motin e keq, pagjumësinë, lodhjen…! Nuk ankohej asnjëherë. Rolin e merrte shtruar dhe me vullnet, duke depërtuar shumë shpejt, brenda karakterit të personazhit.
Fakti se Spiru e nisi karrierën artistike në teatër, i dha mundësi të shumta, për t’u përshtatur pa shumë vështirësi në rolin e aktorit të filmit. Mjeshtëria për të aktruar në skenë, qe një shans e fat më shumë për të. Kjo e bëri emrin e tij simpatik dhe të adhuruar tek regjisorët dhe aktorët. Loja përkrah Marie Logorecit, e cila tek “Toka jonë” qe Lokja, apo në krah të Ndrek Lucës, Sandër Prosit tek “Detyrë e posaçme” ishte shkollë më vete për aktorin e Durrësit. Gjithnjë energjik, i saktë, i palidhur dhe emocionues, rol pas roli. Memorie.al