Nga Blerina Goce
Memorie.al / Portreti i artistes Gjyzepina Kosturi në një rrëfim nga i biri dhe ata që e kanë njohur nga afër. Kunatës së Drita Kosturit, të fejuarës së Qemal Stafës, e persekutuar nga regjimi komunist, do t’i duhej të përballonte peshën e kryefamiljares, me një burrë të papunë dhe një djalë të burgosur për agjitacion dhe propagandë. Por paradoksalisht, ajo do të mbetej soliste në Teatrin e Operës. Zhani Ciko tregon për njohjen me të dhe pse e toleruan praninë e saj në skenë. Fotografitë e saj duken si të dala nga arkivat e Cinecitta. E bukur, e veshur me stil, me një elegancë të patëdytë, Gjyzepina Kosturi, ishte një nga ato femra, që gjithkush nuk do të mund të mos kthente kokën, kur ajo kalonte në rrugë. Kush me adhurim, kush me qesëndi. E tillë ajo mbeti deri në fund, edhe atëherë kur të qenët “borgjeze” konsiderohej një “damkë”.
Si bashkëshortja e Rexhai Kosturit, vëllait të Drita Kosturit, Gjyzja, siç i thërrisnin shpesh, Gjyzepina Kosturin miqtë, do të detyrohej të ishte edhe gruaja, edhe burri i shtëpisë. Me një burrë të papunë, për shkak të kufizimeve dhe pengesave të sistemit, me një djalë që përjetoi vuajtjet e burgjeve, Gjyzepina Kosturi, do të ishte ajo çfarë bashkëshorti i saj do ta cilësonte, si; “bashkëshorti im” apo, thënë me fjalë të tjera, burri i shtëpisë. Porse, kush e ka njohur Gjyzepinën dhe ka dëgjuar zërin e saj, ka parasysh një grua tejet delikate dhe të veçantë.
Me hijeshi të rrallë për kohën, Gjyzepina Kosturi, ishte ndër të paktat këngëtare lirike të operës shqiptare, që i solli me të vërtetë asaj frymën origjinale. E shkolluar në konservatorin “Santa Cecilia” të Romës, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, duke qenë se Gjyzepina, ishte bija e një familjeje me traditë nga Shkodra. Vajza e Gjokë Mislocës dhe e Paolina Kodhelit (Marubit), ajo ishte mbesa e fotografit të famshëm shqiptar, Kel Marubi (Kodheli).
Përmes dhe përtej fakteve domethënëse, artisti Zhani Ciko, një nga personat që e ka njohur nga afër Gjyzepina Kosturin, vizaton një portret artistik dhe njerëzor, të këngëtares së talentuar. Mik familjeje me të, për shkak edhe të të atit, Mihal Ciko, ai kujton se: “Gjyzja u rrit me përkujdesje të veçantë dhe sensibiliteti në fushën e muzikës e në personin e saj, i kishte spikatur në çdo moment e kudo, në familje, në ambientin shoqëror etj. Ky sensibilitet kurorëzohej me një mirësi, që buronte që nga sytë e Gjyzepinës e gjithë qenia e saj.
Ndërkohë Gjyzepina, u lidh me Rexhai Kosturin, një intelektual i viteve ‘30-’40-të nga familja e shquar Kosturi, tepër e rëndësishme në Tiranë. Drita Kosturi, një nga femrat e avangardës të zhvillimeve politike e kulturore, ishte motra e tij. Rexhaiu, ishte një burrë i formuar në shumë drejtime. Sa herë që binte rasti, ndonëse unë isha fëmijë, në ato ambiente familjare ku zhvilloheshin biseda, ai gjithmonë tregonte një kompetencë enciklopedike. Dinte shumë gjëra, nga më të veçantat, njihte shumë gjuhë të huaja. Mjafton të përmendim që ai ishte përkthyesi i vetëm nga rusishtja i operës “Rusalka”, kur ajo filloi të vihej në Teatrin e Operës. Mbaj mend, kur mblidheshim në shtëpinë tone, bashkë me tim atë dhe Rexhaiu përkthente, ndërsa im atë ia përshtaste gjinisë vokale të operës”, rrëfen Ciko.
Gjyzepina Kosturi mori rrugën e saj, fillimisht në Radio Tirana si këngëtare, ku paraqitej në emisione të ndryshme. Më vonë, krahas mësimeve në Liceun Artistik, në vitin 1951, me hapjen e Filarmonisë, u angazhua pranë saj. “Mbresat i kam shumë të freskëta për mënyrën se si punonte, në atë që sot është teatri eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’.
Në dhomat e vogla të katit të pare, ishin dhomat e solistëve dhe, kur shkoja atje, gjithmonë me tim atë, dëgjoja vazhdimisht zërat e këngëtarëve, që bënin prova për koncerte. Më bënte përshtypje zëri emotiv, i veçantë i Gjyzepina Kosturit. Kishte ngjyrë vokale të patjetërsueshme, që e përdorte me shumë mjeshtëri në funksion të zbërthimit të përmbajtjes. Gjyzepina, më shumë se kushdo tjetër, mësohej me personazhin, të cilin ajo e mishëronte në arie apo vepër skenike”, rrëfen Ciko.
Një natyrë e tërhequr, drejt botës së saj shpirtërore, sipas Cikos, pa ato lajkat që disa prej artistëve të kohës detyroheshin t’i bënin regjimit të kohës, Gjyzepina, nuk e pati të lehtë udhën artistike. Porse talenti i saj, bëri që të interpretonte disa prej roleve më të rëndësishme operistike, edhe për shkakun se, nuk mund të gjenin lehtë një të dytë si ajo. Kështu, Gjyzepina interpretoi në operën e parë, “Rusalka”, rolin e mbretëreshës, në krah të Jorgjie Trujës.
Më pas, ajo interpretoi në operën “Ivan Susan” dhe “Cavalleria Rusticana”. Duke përmendur interpretimin në këtë operë të fundit, që sipas Cikos “nxori kompleksitetin e personazhit që interpretonte”. Nëse do të duhet të sjellë ndërmend Gjyzepinën përtej skenës, Zhani Ciko e kujton si; “një grua e pashme që vishej me shije” dhe që “Gatuante në mënyrë të mrekullueshme”.
Një “Butterfly” 50-vjeçare
Një shfaqje krejtësisht tjetër, ishte paraqitja e saj në operën “Madame Butterfly”, me rolin e Cio Cio Sanit. “Edhe këtu e veshur si një vajzë japoneze, me atë përkuljen dhe gjestikulacionin e zakonshëm të aziatikëve e, veçanërisht japonezëve, vinte me një freski në të gjitha lëvizjet e saj, që ishte krejt e ndryshme, nga ajo e personazheve të tjera, ndonëse ishte në një moshë të avancuar, rreth të 50-ave”, kujton maestro Ciko.
“Nuk kam gjetur ende Tatjanë shqiptare, emocionuese si Gjyzepina”?!
Dirigjenti Ciko vëren se; Gjyzepina interpretoi shumë bukur edhe rolin e Tatjanës tek opera e Çajkovskit, “Eugjen Onjegin”. “Nuk i përkiste shkollës ruse, apo kësaj që interpretohej vazhdimisht te ne. Ishte pjesë e karakterit perëndimor në formimin e saj dhe solli një ‘Tatjanë’ të papërsëritshme në skenën tonë. Më ka qëlluar vite më vonë të drejtoj këtë faqe të ‘Eugjen Onjegin’ dhe e kam përfshirë në një koncert timin, të kënduar nga artiste të tjera bukur, por absolutisht asnjëherë nuk kam ndier atë emocion, kur i vogël, si dëgjues, përjetoja i mahnitur nga arti i Gjyzepina Kosturit”.
Si “u detyruan” t’ia jepnin “Traviatën”?!
Mbresëlënës sipas Cikos, ka qenë edhe realizmi i rolit të Violetës te “Traviata”. ”Ajo e ngriti Violetën në moshë disi më madhore, për arsye se gjithmonë, veçanërisht në atë periudhë ideologjikisht të frenuar, Gjyzepina, nuk ishte e preferuar nga qarqet për disa arsye. Dhe ‘Traviatën’ u detyruan t’ia japin, kur nuk kishte mundësi ta bënte dikush tjetër”
“Stononte në mënyrë të mrekullueshme…”!
Në një moment të jetës së saj, artistja e njohur, pati probleme me dëgjimin. Për këtë arsye, ajo mbante një aparat në vesh, kur këndonte. “Ndonjëherë mund të vëreje dhe ndonjë lëvizje intonative, të pavullnetshme të saj, nga mungesa e orientimit në këto momente, por me të drejtë”, vëren mjeshtri Ciko. “E kishte merak këtë gjë. Një ditë u ndodha aty, kur e pyeti tim atë, pas interpretimit: Si isha, pata probleme?! Dhe ai i tha një frazë që më ka mbetur në mendje: Gjyze, ti edhe kur nuk je tamam në tonin e duhur, atë e bën në mënyrë të mrekullueshme! Ishte njëlloj sikur t’i thoshte: Stonon në mënyrë të mrekullueshme!
Gjyzepina, ishte koshiente për pjesët e saj. Ajo e ruajti zërin e saj të freskët deri në moshë të madhe. Më kujtohet një koncert, ndër të fundit, kur mbi 70 vjeç, këndoi në skenën tonë repertorin e saj të arieve, që ishte shumë i gjerë. Të mahniste me potencën e saj, se besonte te shpirti, emocionaliteti, realizmi i figurës. Për të, figura skenike dhe ajo vokale, ishin një. Është vërtet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës sonë operistike, që ka inspiruar shumë edhe artistët e rinj, që e kanë dëgjuar dhe përjetuar emocionet e saj”.
Volfang Kosturi: “Nëna na shpëtoi nga internimi, pasi ishim me damkën e ‘borgjezëve”!
“Po të mos kishim nënën, do të ishim internuar të gjithë”, kështu shprehet mes të tjerash, djali i sopranos së njohur, Gjyzepina Kosturi. Nipi i Drita dhe Skënder Kosturit, Volfang Kosturi, i cili prej vitesh jeton në Itali, ka shumë për të treguar, kur bëhet fjalë për familjen e tij, e për më tepër, për të ëmën. Ai ruan me fanatizëm çdo kujtim të së ëmës dhe në këtë bisedë për të, ai thekson se, vështirësitë e një jete “nën persekutim”, nuk do t’ia zbusnin ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë artistes Gjyzepina Kosturi.
Z. Kosturi, ç’mund të na tregoni për nënën tuaj?
Mëma mbante gjithë peshën e familjes. Falë mëmës, mbijetuam. Ajo çfarë bënte në ato vite ishte vetëm punë-shtëpi. Ishte grua e bukur dhe punëtore. Duhet të them se; po të mos kishim nënën, do të ishim internuar të gjithë. Na ka mbajtur ajo, nga ana politike.
Përse i kish rënë kjo barrë nënës suaj, po babai?
Im atë, ka qenë drejtor i Turizmit. Më pas u vendos komunizmi, të cilin nuk e ka pranuar asnjëherë, nuk kërkoi asnjëherë punë dhe u rropat. Merrej me përkthime private dhe vizatonte. Kishte dhe shokë të vjetër, me të cilët kishte studiuar jashtë, si: Ali Cungu, Suad Asllani, Emin Toro etj., të cilët vinin te ne dhe luanin brixh. Pra, në familjen tonë luhej brixh. Derisa tim eti, i erdhën punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe i thanë se, nuk duhej të shoqërohet me ta. Që atëherë, për gjashtë vjet, ai nuk doli më nga shtëpia. Derisa vdiq më 27 nëntor 1968, në moshën 62-vjeçare.
Përse familjes suaj i kishte dalë nami si “borgjeze”?
Po, e vërtetë. Klasifikoheshim si familje borgjeze, edhe pse im atë, kishte një vëlla dëshmor, Skënder Kosturin. Mbaj mend se te ne, nuk u ndërprenë asnjëherë miqësitë. Nënvizoj faktin që, nuk është e vërtetë se nëna ime, ishte italiane. Ajo kishte bërë shkollën në Itali, e më pas Konservatorin. Por ajo ka meritë se, nuk e ndërroi stilin. Mbaj mend që dilte gjithnjë, me kapele e gëzof. Kur isha 16-17 vjeç, më thoshin “italian m…”! E vetmja gjë “italiane” jona, ishte se kishim një teze të martuar në Itali, e cila na dërgonte ndonjëherë ndonjë dhuratë apo rroba.
Fatkeqësia jonë, ishte se e kishim shtëpinë në zonën e ish-“Bllokut”. Nëna, kur shkonte me kapele dielli për të bërë pazar (në ato vite nuk ishte e zakonshme të mbaje kapele dielli) e thoshte: “sa të bukura domatet”! plakat e lagjes talleshin dhe i thoshin me përçmim: “Ua kjo”! “Së pari i sheh syri dhe pastaj i shijon goja”, ia kthente ime më. Në familje dinim italisht, por edhe turqisht.
Aq sa për këtë arsye, në vitet ’20-të, na thoshin soji i xhindeve. Baba fliste gjashtë gjuhë të huaja dhe ishte adhurues i Napoleonit. Në familje kishim mënyrën tonë të jetesës “të vjetër”, e të ngrije zërin, nuk diskutohej. Kemi qenë të edukuar. Për këto ishim të cilësuar, të vëzhguar nga sistemi. Por nëna na ka mbajtur ne, tre vëllezër dhe burrin. Na ka mbajtur ana morale dhe kokëfortësia e saj.
Çfarë keni ndërmend, kur përmendni “kokëfortësinë” e saj?
Mbaj mend se, kur ishte 70-vjetori i saj e, do të dilte në skenë, i thanë: “Të mos dalësh me fustan të gjatë”! Ajo ishte aq e bindur në gjërat që donte, saqë refuzoi: “Nëse nuk dal me fustan të gjatë, nuk e dua koncertin. Si të dal me fustan të shkurtër unë, 70 vjeç, në një koncert klasik”?! Kjo çështje shkoi deri në Komitetin e Partisë dhe u desh ndërhyrja e Rita Markos, që ta lejonin të dilte në skenë me fustan të gjatë. Duhet të theksohet se ajo ishte shkodrane, mbesë e Kel Marubit, të cilin e kishte dajë dhe Tonin Harapin e, kishte djalë halle.
Ju jeni nipi i Drita Kosturit. Çfarë tregonin prindërit në shtëpi për hallën tuaj dhe ju vetë si e kujtoni atë?
Drita ishte një idealiste. I hyri komunizmit për ideal. Nga gjithë këto ngjarje, në shtëpi, mëma ruante fotografinë me Dritën. Babai e kishte deklaruar që; e gjithë kjo luftë nuk ishte e vërtetë, ishte komedi. Por nuk është shprehur asnjëherë për Dritën, që ka bërë gabim.
Dihej puna e hallës, që nuk duhej të vinte e, po të vinte, kjo duhej të ndodhte fshehurazi. Por asnjëherë nuk flitej, mbi atë se çka bisedonin mes tyre. Unë kam shkuar një herë, kur isha i ri, për ta takuar në internim. Ajo nuk fliste. Kur ka ardhur halla tek unë, në Itali, në ’92-shin, ishte terrorizuar e nuk besonte që ishte e lirë. Nuk fliste. Vetëm thoshte: Kam qenë idealiste dhe ky idealizëm, më çoi deri këtu!
Në familjen tuaj kishit edhe një të arrestuar, vëllain. Kishte lidhje ky arrestim me Drita Kosturin?
Po, kanë arrestuar vëllain tim, Valterin. Ishte koha kur lufta e klasave, u bë shumë e fortë dhe në 1976-ën, e futën në burg për agjitacion e propagandë. Valteri, merrej me gara me motorë dhe ishte simpatik. Ata gjetën sebepin, për ta futur në burg. E nxorën nga burgu, në ’81-shin. Por nëna vdiq e helmuar, katër vjet më vonë. Nuk e ftonin asnjëherë në festa, nuk i çonin ftesa e gjëra të tilla.
Në kujtimet e miqve
Edhe pse të vënë nën shënjestrën e sistemit, familja e Kosturëve, nuk u mbyll kurrë për miqtë. Tashmë që as të zotët e shtëpisë dhe as shumë prej miqve, nuk jetojnë më, kanë mbetur pas vetëm kujtimet.
Amik Kasoruho: Rexhai Kosturi, dinjitoz deri në fund
Rexhai Kosturi, ishte dhe mbeti deri në çastet e fundit konsekuent i mendimeve dhe i mënyrës së tij të jetesës. Nuk i zgjati dorën askujt dhe aspak, sepse nuk kishte nevojë, por sepse kishte respekt për veten. Nuk i lypi gjë kujt, jo sepse nuk i mungonin shumë gjëra, por sepse atë që ai e mendonte, si më kryesoren për njeriun, dinjitetin, e kishte ruajtur të pacenuar dhe nuk e priste nga të tjerë. Nuk qe një hero, por thjesht një njeri dinjitoz. Dhe të ishe i tillë, kur rreth e rreth priteshin koka, sepse dinjiteti, quhej “lidhje me të kaluarën”, “krenari e kalbur borgjeze” apo “reaksion” ndaj pushtetit nuk ishte pak. Përkundrazi.
Mark Shkreli: Pse na pëlqente shtëpia e Kosturëve?!
Ajo derë e apartamentit të vogël rrinte “gjithmonë e hapur”, jo vetëm për ne të rinjtë (shokët e djemve), por për gjithë ata miq e dashamirë të familjes, që frekuentonin me kënaqësi atë shtëpi, duke gjetur gjithmonë thjeshtësinë, bujarinë. Aty ku në “madhoren intelektuale”, shihej vetëm dinjitet e çiltërsi, aty ku edhe vetëm një copë buke, ishte e ëmbël, aty ku rrëmuja (e natyrshme në dhomat e djemve), kishte ma ngrohtësi se çdo tjetër salltanet dhe neve dilnim, për t’i lënë vetëm “lojtarët e brixhit” në qetësi. Kujtoj sa e sa artistë e intelektualë, që i kam takuar aty e, shumë e shumë njerëz me vlerë që frekuentonin atë ambient, me një admirim dhe respekt, si për Gjyzen, ashtu edhe për Rexhaiun. Memorie.al