Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e tetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Shoku Kadri në autokritikën e tij, nuk hedh asnjë lloj drite në gjithë këto ngjarje të rëndësishme. Kjo na lejon dhe na detyron që të nxjerrim konkluzione që janë shumë të rënda për të.
Një autokritikë që nuk zbulon frymën dhe metodën me të cilën është punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që nuk zbulon synimet dhe rrugën që ka ndjekur udhëheqja e kësaj ministrie, jo vetëm nuk e ndihmon vetë kuadrin por ajo, që ka një rëndësi shumë të madhe është se, parandalon dhe pengon ngjarjet eventuale të këqija në të ardhmen, sepse ne e dimë shumë mirë që lufta jonë do të vazhdojë madje edhe me më shumë intensitet kundër armiqve, por edhe armiqtë mesa të mundin do të na luftojnë me ashpërsinë më të madhe.
Aluzionet që bën shoku Kadri për udhëheqjen e Partisë, prapa të cilave sipas mendimit tim ai përpiqet që të fshihet, duhen hedhur poshtë pa hezitim si të bëra me qëllim jo të mirë nga ana e tij.
Shoku Kadri thotë se u është kundërvënë armiqve Beqir Balluku e Mehmet Shehu, për çështje me rëndësi që ne nuk i dimë dhe për të cilat ai nuk ka folur asnjëherë, as kur u gjykua Beqir Balluku, dhe as tani së fundi që u gjykua Mehmet Shehu. Shoku Kadri, nuk ka thënë asgjë nga këto që pretendon, dhe që mund të përbënin një material me shumë rëndësi, për të zbuluar më shpejt dhe më mirë punën e tyre agjenturore, në rast se do t’i ishin bërë të njohura Partisë.
Në të vërtetë edhe në rastin e Mehmet Shehut, jo vetëm që nuk tha ndonjë gjë më shumë se shokët, siç pretendon dhe Kadriu në autokritikë, por mjaft prej atyre që preku ishin më shumë çështje anësore e të vogla, dhe që nuk ndihmuan për të parë më thellë as punën armiqësore, dhe as për të nxjerrë në pah dobësitë e Sigurimit të Shtetit.
Këtë ai nuk duhet ta bënte aq më tepër, që siç thotë vetë ishte vënë në dijeni që Mehmet Shehu ishte agjent i vjetër. Më tej Kadriu thotë se Mehmet Shehu, kishte mbështetje vetëm tek Feçor Shehu, e tek ndonjë tjetër si ai.
Nëse ishte kështu atëherë, përse ai nuk ja tha Partisë?! Perse nuk nxjerr konkluzione për vete që jo shumë kohë më parë, ai vetë e ka propozuar Feçor Shehun për Ministër të Punëve të Brendshme?! Veç kësaj përse mendon që Mehmet Shehu, nuk do të kishte mbështetje tek të tjerët, kur në të vërtetë ai kishte mbështetje shumë të gjerë tek të gjithë kuadrot kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme?!
As këto ai, nuk ja thotë Partisë. Konsiderata që nxjerr shoku Kadri tani, me një përpunim të tij dhe të kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku, se gjoja punët atje shkonin mirë, se Sigurimi s’kishte ç’të bënte më shumë, se s’duheshin ndjekur të dhënat që kishin lidhje me kuadrot me pozita të larta në Parti dhe në Shtet, se kjo sipas tyre do të ishte veprimtari trockiste, dhe për një kohë u krijua përshtypja se Sigurimi i Shtetit punonte mirë dhe se çdo gjë atje shkonte në rregull.
Këto duhet t’i ishin thënë hapur Partisë, dhe të ishin revizionuar menjëherë pas zbulimit të grupit të puçistëve në ushtri dhe sabotatorëve në ekonomi. Nuk mendoj se pas gjithë këtyre ngjarjeve të rënda shoku Kadri, të ketë vazhduar me pikëpamjen se Sigurimi i Shtetit, çdo gjë e ka shikuar dhe e shikon mirë.
Ai ka parë se punët atje nuk kanë shkuar mirë, por këtë nuk ja ka thënë Partisë se ka pasur ndrojtje. Po nga kush e kishte këtë ndrojtje dhe për çfarë arsye?! Për këtë ai le të përgjigjet vetë por, unë mendoj se ai ka pasur ndrojtje nga vetja e tij dhe nga Mehmet Shehu.
Po pse të mos merren këto gjëra dhe nga një aspekt tjetër, se këto u janë mbajtur fshehur Partisë me qëllim, për derisa nga ana e tij ai nuk jep asnjë shpjegim?! Praktikën e marrëdhënieve me sovjetikët dhe me zbulimet e vendeve revizioniste, të cilëve ai ju kishte dhënë materiale shumë sekrete dhe emrat e zbuluesve tanë, ju kishte dhënë edhe listën e kuadrove tona.
Dhe kur ne u prishëm me ta ai, duhet t’ja kishte treguar me kohë Partisë, dhe aq më shumë kur më vonë mori urdhër për të luftuar kundër Zbulimit sovjetik dhe atyre të vendeve revizioniste. Këto masa duheshin marrë menjëherë që puna jonë të mos dëmtohej dhe lufta ndaj armiqve të ishte sa më efikase.
Viti 1959, ishte ca si vonë për të pasur besim absolut tek sovjetikët, dhe aq më pak te Zbulimi i tyre prandaj, si mund t’ju jepej atyre gjithë ai material që i komprometonte dhe i rrezikonte aq shumë njerëzit tanë që studionin në Bashkimin Sovjetik?! Ata do të vinin në Shqipëri, prandaj nuk kishte nevojë që të merrnin dijeni me hollësi studentët tanë, për hetimin e gjyqeve të Liri Gegës dhe Dhora Lekës.
Madje këto materiale s’janë të lejueshme që t’i njohë kushdo, madje as kuadrot që janë këtu. Edhe gjykimi global që shoku Kadri, thotë se meqë ja kemi vënë ne në lidhje kuadrot tanë Zbulimit sovjetik dhe atyre revizioniste, ata s’kanë faj dhe duhet të rrinë të qetë, është një gjykim që edhe për atë kohë ka qenë tepër i lehtë, jo i dhënë nga një kuadër me rëndësi, siç duhet të jetë Ministri i Punëve të Brendshme.
Normale do të ishte që çështja e këtyre kuadrove të shqyrtohej menjëherë me sy kritik porsa u prishëm marrëdhëniet tona me sovjetikët dhe revizionistët, dhe pastaj të gjykohej për secilin veç e veç. Si mund të merret si një çështje pa asnjë shqetësim, futja në çdo punë të rëndësishme e deri tek ato më delikate të Sigurimit dhe të Ushtrisë, të të gjithë atyre që kishin punuar së bashku me zbulimet e huaja?!
Në fakt siç është vepruar, janë mbuluar gjërat dhe janë penguar kundërveprimet tona. Disa sinjale, filluan që të jepen që në vitin 1975 por, jo nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila as atëherë nuk bëri përpjekje që ti shkonte deri në fund këtij problemi.
Kjo nuk duhej lejuar nga ju shoku Kadri, që drejtonit Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ju, duhet të ishit kërkuesit kryesorë nga gjithë ato kuadro që ishin lidhur për një kohë me zbulimet e huaja, dhe në asnjë mënyrë nuk duheshin vënë në vende kyçe, siç është dhe Shërbimi Operativ i Ushtrisë. Ky gabim, për arsye se ju keni heshtur ka ndodhur në dy raste, gjë që e ka dëmtuar rëndë punën tonë dhe juve ju ngarkon me përgjegjësi të rëndë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Njëri,Shefqet Mezini, është edhe sot Drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Analiza e punës së shokut Kadri, implikon analizën e punës së ministrisë në në çështjet më të rëndësishme të saj e cila, duhet bërë nëpërmjet një procesi sa më të shkurtër për ta spastruar e forcuar këtë sektor si në qendër ashtu edhe në rrethe, dhe kjo duhet bërë pa zhurmë, pa bujë, pa lëshime, dhe me një rreptësi Partie.
Unë mendoj që shokun Kadri e ka penguar ta shikojë me qartësi punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetë niveli i informimit të tij politik e ideologjik, por edhe pre-dispozicioni për konceptimin mikroborgjez dhe praktika liberale në punë.
Këto janë mbështetur më shumë në njohje dhe në gjykime personale, të shikuara në raport me personin dhe kultin e vet, me një praktikë pune shumë të mbyllur që kanë favorizuar fudullëkun dhe kanë krijuar të gjitha këto një terren për të ndihmuar armiqtë, kanë çuar në dobësimin e vigjilencës, dhe në shthurjen e punës që ai drejtonte.
Natyrisht kjo shthurje ka bërë dëme të mëdha në Ministrinë e Punës së Brendshme. Por te ju shoku Kadri, ka edhe ndonjë dozë jo të vogël mendjemadhësie.
Në Këshillin e Ministrave ju, keni bërë shpesh ndërhyrje vend e pa vend, miratoni apo nuk miratoni fjalët e shokëve, jepni vlerësime se kush ka të drejtë e kush jo, tregoheni i paduruar dhe i mërzitur me disa materiale, ose kur nuk ju pëlqen ndonjë gjë ose ndonjë shok, e keni shumë qejf ta shfaqni këtë në mënyrë demonstrative.
Tërë kjo sjellje e juaja nuk ndihmon aspak në forcimin e Këshillit të Ministrave. Ne nga këto prirje e dobësi, kemi vuajtur në të kaluarën dhe nuk do lejojmë që të ndodhin më. Në Këshillin e Ministrave, secili duhet të përgjigjet deri në fund për punën e tij.
Ti kërkohet llogari deri në një dhe për këtë qëndrim të drejtë duhet të luftojmë që të gjithë. Ju keni qënë jashtëzakonisht shumë i shqetësuar për parullat që thoni se ishin përhapur për ju.
Natyrisht Partia sipas rastit, bën punën e vet. Këtë e beri dhe për ju duke ju nxjerrë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik. Pastaj dhe në Pezë ishit në tribunë, dhe u anonçuat si anëtar i Byrosë Politike, dhe në drekë madje u ngrit dhe një dolli nga shoku Prokop për ju, duke t’u përmendur dhe funksioni si Ministër Mbrojtjeje.
Atëherë, çfarë duhet të bëhej më dhe përse të bëhej më shumë?! Parulla, janë hapur e mund të hapen dhe për të tjerë, por në procesin normal të veprimtarisë së Partisë ato sqarohen pa pasur nevojë që të mblidhen agjitatorët e Partisë, siç pretendoje ti në rastin konkret.
Këto vlerësime ti lëmë ti bëjë Partia. Sepse ajo, di ti bëjë më mirë sesa një njeri i nervozuar, siç jeni nervozuar ju në këtë rast. Mirëpo dëmi që i keni bërë ju Partisë është shumë herë më i madh në raport me “padrejtësitë”, që ju mendoni se ju kanë bërë.
Unë, mendoj se shoku Kadri nuk ka bërë një analizë kritike të të gjithë veprimtarisë së tij. Kjo analizë nuk mund të bëhet duke u kapur vetëm tek ca të meta personale, por lidhur me punën që ai ka drejtuar, punë që ka shumë të çara dhe për të cilën ai nuk ka bërë asnjë përpjekje për ta sqaruar.
Në këto kushte edhe unë mendoj se për gabimet që ka bërë, nuk mund të jetë më anëtar i Komitetit Qendror, i Byrosë Politike, edhe as Ministër i Mbrojtjes. Qëndrimi i tij i mëtejshëm në Parti, do të varet nga çfarë do të thotë ai më mirë dhe më qartë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Mendoj se çështja që po analizojmë sot, nuk duhet marrë e shkëputur nga ato që na kanë ndodhur më parë, nga i gjithë kompleksi i grupeve armiqësore që kemi zbuluar dhe deri tek grupi i fundit i Mehmet Shehut.
Mendoj se edhe kjo, është një vazhdimësi e të gjithë grupeve armiqësore por me një ndryshim, që këtë po e analizojmë më vonë. Në këtë kuptim, nuk vlen aspak autokritika dhe përgjigjet jo të sakta e shumë vulgare, ekuivoke, dhe po dhe jo, që po jep ti këtu, shoku Kadri Hazbiu.
Kjo tregon se ti mban rezerva, gjë që e komplikon akoma dhe më shumë pozitën tënde. Tani çdo gjë, varet shumë nga qëndrimi që do të mbash ti në të ardhmen. Se cilat kanë qenë shkaqet që të futën ty në këtë rrugë ti, duhet të na i thuash vetë, por është fakt që në bisedat që kemi bërë bashkë kam vënë re njëfarë ndrojtjeje tek ty, përsa i përket çështjes së hetimit të kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Se pikërisht ti shoku Kadri, ke pasur mendimin që Mehmet Shehu, nuk mund të organizonte një rrjet të tillë agjenturor.
Kur ne propozuam arrestimin e Feçor Shehut, në bisedat që kemi bërë kur ishim bashkë me shokun Ramiz ti, mu duk sikur ngurove dhe shprehe dyshimin se mos Fiqretja na fut në dezinformim. Edhe kur propozuam arrestimin e berberit, po përsëri shprehe mendimin se ishte pak e pabesueshme që Mehmet Shehu e Feçor Shehu, të kishin ndërlidhës një berber, kurse ky vetë këtë detyrë që i kishin ngarkuar, po e pohon tani plotësisht.
Duke studiuar Fondin Nr. 3, Dosjen Operative Nr. 713 të vitit 1960, del qartë se jugosllavët interesoheshin shumë për berberin e Hotel Dajtit dhe kërkonin konkretisht të dinin, nëse ai e qeth ose jo Mehmet Shehun. Kot e kërkonin jugosllavët…?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016