Nga Najada Pendavinji
Memorie.al / Marjana Plasoti Rondo, ishte vetëm 2 vjeç kur diktatura komuniste kishte hedhur kthetrat e terrorit duke ngritur sistemin e ndëshkimeve. Ishte viti 1945 kur babai i saj Nikolla Plasoti u arratis i vetëm nga Shqipëria për në Greqi, për të mos u kthyer më kurrë. Pasojat e kësaj arratisje i vuajti ajo bashkë me nënën e saj Jorgjeta Bacu, të cilat përjetuan një përndjekje të pafundme nëpër kampet e Shqipërisë komuniste. Jeta e tyre shkoi mes ndarjeve dhe bashkimeve aty ku mbizotëronte errësira dhe padrejtësia. Marjana Plasoti Rondo, ka vuajtur sistemin e persekutimit që në vitin 1961, teksa studionte në Shkollën Pedagogjike internohet në kampin e Mamurrasit dhe lirohet mbas 30 vitesh në vitin 1988. Sot ajo është 77 vjeç, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga sistemi i egër komunist në mendjen dhe shpirtin e saj ka ngelur ende e kaluara e hidhur dhe pasojat i vuan ende sot, pasi nuk ka mundur të rimarrë shtëpinë e saj të zaptuar nga një ish-oficer dege komunist.
Znj. Marjana, cila është origjina e familjes dhe si filloi persekutimit juaj?
Unë kam lindur në Korçë në vitin 1943. Jam e bija e Jorgjeta Bacu dhe Nikolla Plasoti, me etiketimin “Kulina”. Babai im në vitet 1940-1943, ka qenë pjesë e Luftës Nacionalçlirimtare së bashku me Rita Markon, si partizan me idealin e lirisë dhe mbrojtjen e atdheut. Ai vinte nga një familje tregtarësh të cilët, kishin marrëdhënie tregtie edhe me shtete të tjera si, Italia ku tregtonin bagëti, që rriteshin në Boboshticë.
Por erdhi viti 1945, u vendos regjimi komunist. Një regjim i egër, i pamëshirshëm i cili, solli kudo varfëri shpirtërore dhe pasurore. U aplikua tatimi i jashtëzakonshëm kundrejt tregtarëve ndaj të cilit nuk shpëtoi as babai im. Për këtë arsye ai, ndërmori një veprim ndoshta të pamenduar mire, për pasojat që do kishim. Rendi pas një të ardhme të përsosur, duke lënë pas një të shkuar dhe të tashme të pambrojtur, nën hakmarrjen komuniste. U arratis i vetëm, duke marrë 600 kokë dhenë dhe një shumë parash, për të shkuar në Greqi.
Arriti të kalonte kufirin duke mos u kthyer më në Shqipëri. Asokohe nëna ime ishte vetëm 22 vjeçe, e braktisur nga i shoqi, me një fëmijë të vogël në krahë. Ndërsa gjyshi, Thoma Plasoti, ishte në Itali dhe njëri nga xhaxhallarët, ishte tenor në Tiranë. E gjithë familja Plasoti, u përball me të papriturën e frikshme, që do vinte nga terrori komunist. Menjëherë pas arratisjes së babait, na konfiskuan pasurinë, na nxjerrin nga shtëpia, për të na strehuar nëpër stalla. Pak më vonë na ndajnë.
Ku gjyshin me gjyshen dhe xhaxhallarët, i internojnë në Savër të Lushnjës. Ndërsa mua me nënën, na çojnë në Krujë. Gjatë kësaj kohe ne bashkëjetuam rëndomtë me frikën, pasigurinë, pabesinë, tradhtinë, krimin, ku në çdo moment ekzistonte rreziku për jetën. Unë isha vetëm 2 vjeçe, kur u cilësova “fëmija e një armiku të popullit, e një tradhtari të pafalshëm dhe të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare”. Për komunizmin, ne do ishim pjesa më e shtypur, e përbuzur dhe më e shfrytëzuara e shoqërisë, ku gjithmonë do ishim të kontrolluar e të rrethuar nga spiunë.
Si ishte jeta e një fëmijë i rritur në internim?
Të lindësh, të rritesh dhe të jetosh në një vend komunist ,ishte tepër e vështirë, për më tepër kur i përkisje shtresës së të deklasuarve. Unë u rrita larg vendlindjes, larg shtëpisë, por afër nënës sime, për gati 3 vite në një vend tjetër, në një kamp internimi, siç ishte Kruja. Kruja ishte një kamp i rrethuar me tela me gjemba, i ruajtur nga të katërta anët me roje të armatosura. Këtu kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, madje edhe gjermanë, të cilët i kishin zënë rob gjatë Luftës.
Në këtë kamp gjendej një mjerim i gjithanshëm, të internuar të leckosur, ku ngjasonte me pamjen një Jetimoreje dhe Azili pleqsh të braktisur. Askush nuk arriti ta kuptonte armiqësinë dhe urrejtjen që kishte ky regjim, ndaj krijesave të pambrojtura siç ishim ne fëmijët. Në vitin 1948, këtu u përhap një epidemi e cila shkaktonte vdekje të shumta, që prekte vetëm fëmijët. Në njërën prej ditëve, vjen në kamp një përfaqësues i Ministrisë së Brendshme.
Ne fëmijët në atë moment ishim duke luajtur me atë botën tonë fëmijërore të pafajshme. Na ndalon lojën. Na shikon dhe jep urdhër që ne fëmijët që ishim atje rrotull, të largoheshim nga kampi. Dhe ashtu ndodhi. Unë isha vetëm 5 vjeç, kur erdhi më mori gjyshi nga ana e mamit. Ishte hera e parë që më ndajnë nga nëna ime. Ajo qëndroi edhe 5 vite të tjera në Krujë. Gjatë kësaj kohe, unë pothuajse e harrova fytyrën e nënës dhe u lidha shumë me gjyshen, që po më rriste me aq përkujdesje, me përkushtim, me shumë dashuri.
Ndjeja tamam aromën e një nëne te ajo. Natën e Pashkës, nënën e lirojnë. Malli që kishte për mua ishte tepër vajtues. Sytë e saj ishin të trishtuar, por shkëlqenin kur më pa. Unë thjesht e shikoja por nuk i afrohesha. Lotët e saj nuk shteronin. Më mori pranë vetes, më puthte duart, sytë, ballë, nuk ngopesha me aromën time, më mbante shtrënguar fort pas zemrës së saj. Dashuria e një nëne për fëmijën, është e pazëvendësueshme, gjithmonë do jesh në mendjen, në shpirtin dhe në lutjet e saj.
Nuk mund ta tjetërsoj këtë dashuri asnjë sistem qoftë edhe ai më i egri. Ne gjatë kësaj kohe, kemi jetuar sa afër aq edhe larg shtëpisë sonë. Pasi komunizmi na i mori shtëpinë, duke futur njerëz të tjerë atje, dhe ne u strehuam në bahçen afër shtëpisë, ku ndodhej vetëm një dhomë e vjetër, që ne i themi “ashef”. Ishte një vend i vogël, por që kishte dashuri brenda.
Kur ju internuan më pas?
Kaluan vitet, por komunizmi akoma nuk i kishte larë hesapet me ne. Nuk mund të linte rehat gruan dhe vajzën e “Kulinës” të cilin, donin medoemos ta gjenin dhe ta pushkatonin. Ishte viti 1961, unë vazhdoja studimet në shkollën Pedagogjike. Isha një sportdashëse, luaja basketboll, isha pjesë e ekipit të vajzave të skuadrës së “Skëndërbeut” në Korçë. Në një nga ditët, vjen “Xhip”-si i Degës së Brendshme në shkollë.
Kryetari i Degës, futet në orën e mësimit, ku po zhvillonim lëndën e fizikës dhe e ndërpret atë, me një zë tepër drithërues sa ne, të gjithë u frikësuam. Thërret emrin tim: “Marjana Plasoti”! Ngrihem në këmbë. E çjerr zërin akoma më shumë dhe thotë: “Duhet të vini me ne…”! Nuk e di pse ndjeva se kishim përpara një kalvar të gjatë vuajtjesh. Nuk e di ku ishte faji im?! Çfarë krimi kisha bërë?!
Isha thjesht e bija e një babai që, asnjëherë nuk e kisha patur pranë, madje as nuk e kisha njohur atë. Por që për të tjerët, unë isha e bija e një krimineli, shumë të rrezikshëm. Të gjithë nxënësit e shkollës dolën jashtë, u bë rrëmujë e madhe dhe mësimi u mbyll. Nga ana tjetër, Sigurimi kishte lajmëruar nënën time, për të mbledhur plaçkat se, do shkonim diku tjetër.
Na çojnë të dyjave fillimisht në burgun e vjetër në Korçë, ku kemi qëndruar dy javë, dhe që këtej na transferojnë përsëri, në Krujë. Na strehojnë në shtëpinë e një dëshmori, ku sigurisht kontrolloheshim çdo sekondë e minutë nga Sigurimi. Nuk kishim asnjë mbështetje, nuk na ndihmonte kush, por kishim vetëm njëra-tjetrën. Kur nëna mbaronte punën, uleshim të dyja në një stol dhe mendonim për atë që po kalonim.
Lotët ishin zbrazje e një shpirti plot dhimbje. Qanim me orë të tëra, derisa nëna më thoshte se: “Me besimin në Zot, do kalojë dhe ti do kesh një jetë të pastër, të bukur ashtu siç është fytyra dhe shpirti jot”. Ngriheshim dhe ndiqnim rrjedhën e jetës, na mjaftonte që ishim të dyja. Derisa erdhi një moment ku, mamanë e marrin nga Ministria e Brendshme dhe e çojnë në Tiranë.
I kërkojnë t’i shkruajë një letër babait, të cilën duhet t’ia dërgonte njeriu i saj, pra gjoja njëri nga vëllezërit e saj. Mamaja nuk pranoi, nuk donte të përfshinte dhe vëllezërit në këtë pjesë. Kështu që ata i thonë se, do ju ndajmë nga vajza, njëra në jug dhe tjetra në veri. Dhe ashtu bënë. Mua më çojnë në Mamurras, ndërsa nënën në Degën e Korçës.
Çfarë ndodhi me nënën tuaj? Sa e vështirë ka qenë për të, një jetë e jetuar mes vetmisë, dëshpërimit dhe dashurisë së një nëne për të bijën?
Eh nëna ime e gjorë! Jetoi një jetë tepër të dhimbshme. Nuk i mjaftoi goditja që i dha largimi i babait por, do ndëshkohej ashpër edhe nga sistemi. Do përballej me një hakmarrje të pajustifikueshme. E hodhën mes katër rrugë, e ndanë nga prindërit, do e ndanin dhe nga mua.
Mbijetoi me shumë sakrifica, me mallin që e digjte dhe dashurinë për evlatin. Më e çuditshmja ishte se, ajo arriti të bënte ndarjen e saj nga burri, pra nga babai im. Por për shtetin komunist, ajo vazhdonte të ishte gruaja e “Armikut të Popullit”. Përjetoi vuajtje të shumta… Do provonte edhe qelitë e errëta të hetuesisë.
Çfarë kërkonin prej saj gjatë hetuesisë?
Nënën e shkretë e marrin përsëri dhe kësaj here e çojnë në hetuesi në Degën e Korçës. Qëndroi për gati 6 muaj brenda në qelitë e hetuesisë. Hetues ishte Petro Tasellari, një njeri i keq, pa ndërgjegje njerëzore, i cili ushtroi ndaj nënës sime, tortura çnjerëzore, vetëm e vetëm për t’i nxjerrë informacione mbi babain. Marrja në pyetje, i bëhej orar pa orar, vetëm kur dëgjonte atë zhurmën e hekurave të dritares së dhomës së hetuesisë, çohej dhe përballej me akuza të padrejta.
Pyetjet ishin të pakuptimta. Donin të gjenin nëse ajo kishte pasur ndonjë takim me babain. Madje pjesë e kësaj hetuesi, u bë edhe burri i tezes sime, Naum Veriga, ku sipas tyre, kishte ndihmuar në takimin që ajo mund të kishte bërë me babain. Hetuesi i ballafaqonte të dy, nënën dhe Naum Veriga, njërin tek dritarja e qelisë dhe tjetrin në oborrin e Degës, duke i thënë të dyve gënjeshtra, për të parë se çfarë do pohonin atë në lidhje me babain.
Për dyshimin e tyre, Naum Veriga vuajti 17 vjet burg, duke lënë pas një grua dhe një fëmijë dy vjeç. Nënës i nxorën gati 30 dëshmitarë, por asnjëri prej tyre nuk foli keq për të. Mamaja e mbyllur për një kohë të gjatë në birucë, ishte dobësuar tepër, kishte kaluar në dëshpërim. E mbante gjallë vetëm shpresa se do takohej me mua.
Kur u ribashkuat me nënën?
Gjatë kohës që nëna vazhdonte hetuesinë intensive, unë vazhdoja e vetme internimin në Mamurras. Gjithmonë kisha nga pas spiunët apo njerëzit e Partisë, të cilët më përndiqnin çdo ditë. Madje mund të them një fakt se, në vitin 1963, doli një si amnisti le ta quajmë, ku u liruan të gjitha gratë e internuara këtu në Mamurras dhe vetëm mua më lanë të vuaja e vetme dënimin. Atje kam punuar fillimisht në bujqësi, dy turne, me të internuarit e tjerë, që tanimë u bënë të afërmit e mi.
Më bëheshin duart me flluska nga lopata dhe kazma që mbaja. I bëja me kripë që të mund të përthaheshin. Por më pas, na vunë të punojmë në blegtori. Atje merreshim me rritjen e derrave. Pavarësisht se ishte një punë e papastër, ishim brenda, nuk na zinte shiu apo dëbora. Mbas disa kohësh, vjen në Mamurras përsëri një makinë e Ministrisë së Brendshme, më marrin dhe më çojnë në burgun e vjetër në Tiranë.
Kërkonin sërish nga unë, nëse e kisha takuar babain apo jo. Dhe unë vazhdoja i thoja të vërtetën: se nuk e kisha parë kurrë babain tim. Se dëshira ime ishte vetëm të shihja nënën. Nuk e dija si ishte ajo? Çfarë kishte ndodhur me të? Dhe shumë pikëpyetje që më bënin të ndjeja një dëshpërim për ndarjet tona. Më çojnë prapë në Mamurras, përsëri vetëm. Gjatë asaj kohe mbaj mend që më vjen një letër nga gjyshi, ku thoshte se: “Nënën e kanë dërguar në spitalin e Tiranës, mundohu të shkosh ta vizitosh”.
Ndërsa po lexoja këtë letër, dëgjoj një zë që më thotë: “Marjana! Shiko kush të ka erdhur…”! Ishte mamaja ime në një karrocë me rrota. E kishin sjellë nga Ministria e Brendshme dhe e kishin lënë në mes të rrugës. Ajo kishte kaluar një sëmundje të rëndë. Eh nuk iu duheshe më. Ishte bërë kocke e lëkurë, kishte humbur tepër, ishte torturuar fizikisht dhe pisikologjikisht. Ribashkimi me nënën, ishte vërtet një lutje e pranuar nga Zoti, por edhe shumë i dhimbshëm.
Nuk ngopeshim me njëra-tjetrën, atë natë kemi fjetur të dyja të përqafuara fort. Vitet kalonin dhe ne ishim bashkë edhe pse në internim. Habiteshim se si, Ministria e Brendshme dhe Komisioni i Internim-Dëbimeve, na shtonte gjithmonë e më shumë vitet e dënimit, me nga 5 vjet. Kur as ata, nuk vërtetuan dot fajësinë tone! Atje unë u martova, linda fëmijë me bashkëshortin tim, Jorgo Rondo, i cili, po ashtu, ishte i internuar dhe i persekutuar nga regjimi.
Keni pasur mundësi ta takoni babain tuaj?
Po, e kam takuar babain. Sigurisht pas viteve ’90-të. Pasi në atë kohë, ne nuk guxonim ta kujtonim babain sepse, nëse e bënim këtë, tregonim hapur sipas tyre kuptohet, tradhtinë ndaj shtetit. Nuk e di nëse ishte thjesht kurioziteti, që më shtynte për ta takuar babain, apo dëshira e një bije për ta njohur të atin e saj, pavarësisht gjithçkaje që kishim kaluar. Babai gjatë atyre viteve, kishte krijuar dhe një familje të re.
Ndërkohë që ne jetonim mes vuajtjeve të pafundme, për një veprim që kishte bërë ai. Gjatë bisedës, ai më ka treguar se në vitet e para të arratisjes, ka ardhur në Shqipëri për të na marrë, por nuk na ka gjetur dot, pasi ne na kishin internuar. Dhe se mes shumë mundimesh, ka arritur përsëri t’i shpëtonte kthetrave komuniste.
Me babain kam qëndruar vetëm tre ditë pasi familja e tij nuk më pranoi. Kam vetëm një dhuratë simbolike nga ai, një unazë. Nuk do doja të thoja se ai, ishte fajtori që ne na ndodhën ato ngjarje në jetë. Ndoshta kështu ishte e shkruar të ndodhte. Jetuam në një kohë ku pyetjet, asnjëherë nuk kishin përgjigje.
Jeni liruar në 1988 si e keni përjetuar lirinë?
Po jam liruar në vitin 1988, mbas 30 vitesh internim, duke lënë pas shumë dhimbje. Ndoshta ne u mësuam me atë barrën e persekutimit, jetuam me padrejtësitë që na u bënë. Liria do vinte një ditë por, që do ishte tepër e cunguar për ne. Të drejtat tona do shfrytëzoheshin. Tanimë nuk do kishim një vend strehimi pasi, shtëpinë tonë e kishte konfiskuar shteti komunist. Ku edhe pas viteve ’90-të, ne nuk mundëm ta gëzojmë pasurinë e trashëguar nga gjyshja, e cila atë shtëpi, e kishte sjellë si prikën e vajzërisë.
Edhe shteti demokratik, nuk e nxori qiraxhiun, kryetar Dege i asaj kohe, Petrika Gjoka, nga pjesa jonë, i cili e kishte fituar këtë drejtë nga sistemi komunist. Ai na kishte prishur shtëpinë tonë dhe në bahçen afër saj, kishte ndërtuar një godinë tjetër. Ajo është një tokë e zaptuar pa të drejtë, por vetëm sepse nuk ka ekzistuar në këtë vend dhe nuk ka për të ekzistuar ndonjëherë drejtësia.
Akoma vazhdojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Edhe mbas shumë vitesh demokraci, pas shumë mundimesh, zvarritjesh nëpër gjykata unë kam përfituar vetëm një pjesë së asaj, vetëm 80 metra. Është hedhur çështja në Gjykatën e Lartë, por siç dihet në instancat më të larta të drejtësisë janë akoma ata drejtues pinjollë të atij regjimi, si: Sotir Lubonja, Stavri Kallço dhe Olsi Xhavella. Memorie.al
Marrë nga Kujto.al