Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Tom Lecit nga qyteti i Shkodrës, i cili u shkollua në Kolegjin e Fretërve Françeskanë të atij qyteti, ku spikati për prirjet e tij në pikturë, skulptorë, muzikë, letërsi etj., në rrethet jashtëshkollore që organizonte Shoqëria “Antonjane” dhe ajo “Bogdani” e Kishës Katolike, ku ai fitoi një konkurs poezie me vjershën “Mendime e vaj” duke fituar një pendë sermi. Angazhimi i Tomës gjatë periudhës së pushtimit të vendit në Lëvizjen Antifashiste, duke qenë pjesë e organizatës së rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar, ku ai pasi morri pjesë në disa demonstrate antifashiste dhe u plagos në këmbë, në korrikun e vitit 1944, ishte efektiv i dy batalioneve, “Qeramudin Sulo” dhe “Besnik Çano”, të cilat shkuan dhe luftuan në Kosovë kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit. Arrestimi i Tomës në vitin 1947, si pjesëtar i organizatës antikomuniste “Bashkim Shqiptar” dhe dënimi i tij me 10 vite burg, pasi u torturua barbarisht në qelitë e burgut të Shkodrës. Si mundi të lirohej ai në vitin 1951 për shkak të gjendjes shëndetësore dhe endja për 20 vite nëpër spitale gjysëm i paralizuar, duke kaluar ashtu dhe të gjithë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Kush është Tom Leci?
Tom Leci u lind në 21 dhjetor të vitit 1923 në qytetin e Shkodrës, në një familje tepër të njohur për traditat e saj atdhetare. Origjina e hershme e tyre është nga Berisha e Kosovës, dhe gjyshi i Tomës, Mark Kola, ishte një nga patriotët e asaj kohe që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878 dhe si personazh do të spikaste në poemën e Gjergj Fishtës “Lahuta e Malësisë”. Babai i Tomës, Lec Marku e vazhdoi traditën e të parëve të tij, duke ushtruar zanatin e kovaçit dhe farkëtarit të armëve, për kryengritësit e Lidhjes së Prizrenit. Leci ishte një artist i vërtetë në përpunimin e hekurit dhe punimet e tij edhe sot e kësaj dite mbahen mënd dhe ruhen në shumë shtëpi të vjetra kosovare. Nëna e Tom Lecit quhej Shaqe dhe ajo ishte një grua fisnike që luajti një rol shumë të madh në edukimin e tij, që kur Toma ishte në moshë të re. Mësimet e para Toma, i mori në qytetin e lindjes në Shkodër, duke studiuar pjesërisht në shkollën fillore të “Dugajeve të Reja” dhe më pas arsimimi i tij vijoi në Kolegjin e Fretërve Françeskanë, ku mësuesit e tij vunë re prirjet e tij për muzikën, pikturën, dhe skulpturën.
Në Kolegjin e Fretërve
Në atë kohë Toma u regjistrua në Shoqërinë “Antonjane” të Kishës Katolike, (shoqëri fetare atdhetare) ku ai, filloi të shquhej për poezi, pikturë, skulpturë dhe dramë. Lidhur me këtë, Tom Leci kujtonte: “Në atë kohë në shkollën e Fretërve ku studionim ne, u bë një konkurs ku morën pjesë me krijimet e tyre më të mira, të gjithë nxënësit e atij kolegji. Në përfundim të atij konkursi, juria që ishte e përbame me profesorët më të mirë të letërsisë, mendoi me ma dhanë mue vendin e parë për poezinë “Mendime e vaj”. Sipas traditës që ishte në atë kohë, mue më akorduan një pendë sermi, të cilën unë e ruaj si gjanë ma të shtrenjtë. Në atë periudhë, pas atij aktiviteti që u zhvillue në zhanrin e poezisë, unë mora pjesë dhe në disa aktivitete të tjera kulturore, që u zhvilluan nga Shoqëria “Antonjane” dhe ajo “Bogdani”, ku unë luajta mbi 50 role kryesore”. Krahas poezisë dhe artit dramatik, djaloshi Tom Leci u aktivizua dhe në bandën muzikore të qytetit të Shkodrës, të drejtuar nga dirigjenti i madh Preng Jakova. Gjithashtu ai ushtroi edhe pikturën, duke punuar në kavaletë dhe telajo me karbon, akuarel, tempera dhe bojë vaji. Shumë nga ato punime që realizoi asokohe Toma i ruante ne shtëpinë e tij, por gjatë periudhës së regjimit komunist, ajo u bastis disa herë nga Sigurimi i Shtetit duke bërë që pjesa më e madhe e tyre të humbte. Por me gjithë ato peripeci, Toma ka mundur që të ruajë disa nga punimet e tij të rinisë, siç janë disa portrete të realizuara për disa atdhetarëve të shquar, si: Hafiz Dërguti, Gaspër Suma, Pal Doda, Dedë Gjo Dashi, etj. Po kështu në shtëpinë e tij gjenden edhe disa skulptura, të cilat shpëtuan nga bastisjet në sajë të përmasave të tyre të vogla.
Eksponent i Ballit në Shkodër
Ashtu si shumë të rinj me bindje nacionaliste edhe Tom Leci ishte një nga ata që priti me zemëratë pushtimin fashist të Shqipërisë në 7 prillin e 1939-ës. Që në ditët e para të prillit ai u përfshi në grupin e njohur të rinisë antifashiste shkodrane, të quajtur “28 Nëntori”. Në atë grup të rinjsh shkodranë, përveç tij militonin edhe Ndoc Jakova, Injac dhe Luigj Toni, etj. Në vitin 1942, ai grup u përfshi në çetat e rinisë nacionaliste së Ballit Kombëtar, organizatë e cila në qarkun e Shkodrës, kryesohej nga Lec Kurti. Lidhur me këtë, Tom Leci dëshmonte: “Me rastin e anëtarësimit tonë në organizatën nacionaliste Balli Kombëtar, në 28 prillin e vitit 1942, ne na u shpërndanë dokumentet e anëtarësimit dhe mua atë teserë me nr. 2, të cilën e ruaj edhe sot në shtëpinë time, ma dha me dorën e tij, udhëheqësi i Ballit për Shkodrën Lec Kurti. Që nga ajo kohë, unë dhe shokët e mi u angazhuam në radhët e Ballit Kombëtar dhe morëm pjesë në shumë demonstratat antifashiste dhe aksione luftarake, që u zhvilluan në qarkun e Shkodrës. Në një prej atyre demonstratave antifashiste të 22 shkurtit të vjetit 1942, unë u plagosa në kambë. Po kështu mora pjesë në demonstratën e 26 korrikut të vjetit 1943 në Shkodër, ku mbeti i vramë kryetari i rinisë së Ballit Kombëtar, Mustafa Dervishi, i cili kishte lënë përgjysmë studimet në Itali dhe ishte kthye në vend. Një vit më pas, ne bamë një mbledhje në kinemanë “Rozafat”, ku u organizue aksioni i vendosjes së pllakës përkujtimore me rastin e ramjes së Mustafa Dervishit. Asokohe unë qesh caktue me drejtue seksionin e rinisë së Ballit Kombëtar, për zonën e Rusit të Vogël, si dhe mora pjesë aktive në çetat e Ballit Kombëtar, duke bashkëpunuar ngushtë me eksponentët nacionalistë, si Jup Kazazin, Dom Zef Shestanin, Ruzhdi Dacën, Ndoc Jakovën, Luigj dhe Injac Tonin, etj”.
Në Kosovë kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit
Lidhur me angazhimin e mëtejshëm me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar, Tom Leci kujtonte: “Në atë kohë unë së bashku me një grup të rinj shkodranë, që ishin antarsue në rininë nacionaliste të Ballit, u bashkuam në dy batalionet balliste “Besnik Çano” dhe “Qeramudin Sulo”, të cilët erdhën nga Tirana dhe u nisën në Kosovë, ku luftuam kundra forcave çetnike të Drazha Mihajlloviçit. Në një nga betejat që zhvilluam në afërsi të Lumit Lim, na mbeti i vramë, shoku ynë prej Tirane, Hamit Troplini, si dhe na u plagos një shok tjetër, i quejtun, Zef Leka. Pas kthimit nga Kosova, unë e vazhdova përsëri aktivitetin tim, duke marrë pjesë në disa mbledhje që organizoi Balli Kombëtar, si ai me zogistët në Gruemirë, në 21 shtator të vjetit 1944, në mbledhjen tjetër që u organizua pas tre ditësh në Koplik, në rrethimin e Domnit më 28 shtator, në mbledhjen e organizueme në Reseke, pranë Urës së Mesit, në mbledhjen e Pukës më 23 tetor, ku një javë më vonë (më 30 tetor) zhvilluam një përpjekje me forcat gjermane që na rrethuan plotësisht. Po kështu në atë kohë unë pata marrë pjesë në takimin që u organizua në shkollën “Pashko Vasa”, ku asistonte vetë Mit’hat Frashëri, si dhe në disa takime që patëm organizua me oficerët misionar britanik që veprojshin në Veri, si majori Nils dhe kapitenin, Heberding”.
Aktiviteti antikomunist në 1944 – ‘46
Mbas përfundimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet, në fundin e vitit 1944, Tom Leci nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, siç ndodhi me shumë eksponentë të tjerë të organizatave nacionaliste të Ballit dhe Legalitetit, por qëndroi në qytetin e tij, në Shkodër, me shpresën e riorganizimit të qëndresës antikomuniste. Lidhur me këtë, Toma kujtonte:”Në atë kohë së bashku me shokët e tjerë bamë propagandë kundra qeverisë së Tiranës, në mënyrë që populli të abstenonte dhe të bojkotonte zgjedhjet e 2 dhjetorit të vjetit 1945, ku regjimi komunist i Enver Hoxhës nuk e lejoi përfaqësimin legal të opozitës. Po kështu më 27 maj të vitit 1946, organizuam funeralin e varrimit të Monsinjor Gaspër Thaçit, që pat vdekë nën torturat e Sigurimit dhe në atë funeral, që i përngjante një mitingu proteste, rinia shkodrane pati rastin dhe tregoi edhe një herë bindjet e saja, kundër regjimit komunist të Tiranës. Në atë kohë unë mora pjesë në organizatën antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, ku u përpoqëm të ri zgjonim ndjenjat nacionaliste, me anë të trakteve që shpërndanim kudo, në të cilat bëhej thirrje për rezistencë kundra “të kuqve”, që kishin intensifikue terrorin tuj vra e burgos njerëz të pafajshëm për çdo ditë. Po kështu asokohe ne bamë përpjekje me organizue rininë shkodrane, në mbështetje të Kryengritjes së Postribës, që për fat të keq u shtyp me dhunë pa mujt me i realizue qëllimet që i kishte vu vetes. Nisun nga ai aktivitet i dendun antikomunist, ne patëm ra në sy të Sigurimit të Shtetit dhe si rezultat i kësaj pune, unë qesh arrestue më 27 tetor të vjetit 1946, pasi më kapën me tradhti, me rastin e betejës së Shllakut kundër forcave komuniste. Që nga dita që më patën arrestue e deri në 19 mars të vjetit 1947, në Degën e Brendshme të Shkodrës, ku ishim të izoluem, njerëzit e Sigurimit na torturuan në mënyrën ma barbare. Pas kësaj date më futën në një birucë ku më mbajshin të lidhur këmbë e dorë në tela”.
Dënimi me 10 vite burg
Në birucën e një prej burgjeve të shumta të improvizuara në qytetin e Shkodrës, Tom Leci u mbaj i lidhur deri në 2 tetorin e vitit 1947 dhe në atë kohë ai u nxor para gjyqit ushtarak. Lidhur me këtë dhe vuajtjet e shumta në kampet e punës së detyruar, Toma tregonte:”Gjyqi ushtarak më dënoi me 10 vite burg politik, duke më akuze për “pjesëmarrje në organizatat tradhtare, të cilat kanë për qëllim përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri”. Pas kësaj, na çuan me vujtë dënimin, nëpër kampe e burgje të ndryshme që asokohe ishin përhap pothuaj në të gjithë Shqipninë. Në vitin 1949, kur vuanim dënimin në kampin e Orman-Pojanit, bamë një organizim të fshehtë për formimin e një komiteti të Ballit Kombëtar, me ripërtëri atë organizatë nacionaliste, ku shumë prej ish anëtarëve të saj gjendeshin në burgjet komuniste. Nga puna e rëndë që bajshin nëpër ato kampe, unë u pata sëmurë keq dhe më shtruan në spitalin e burgut të Shkodrës, ku më mbajtën deri më 28 nëntor të vitit 1951. Në atë kohë më nxorën prej burgut, duke më lirue, pasi doktorët nuk dhanë asnjë shenjë shpëtimi për mue”. Që nga ajo kohë ai vuajti peripecitë të pafundme duke u endur për 20 vite, gjysëm i paralizuar nga spitali në spital, me probleme të shumta të zemrës. Ashtu i sëmurë, Tom Leci mundi të kalonte të gjitha vitet e diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës, duke i shpëtuar rri dënimit me burg, vetëm në sajë të gjendjes së tij tepër të rënduar shëndetësore.
Vazhdon të shkruaj ditarin e 1939-ës
Me shembjen e regjimit komunist, në fillimin e viteve ’90-të, Tom Leci sikur u përtëri dhe ndonëse në një moshë të thyer, ai gjendej në të gjitha veprimtaritë me përmbajtje antikomuniste, që organizuan asokohe, si në manifestimin e madh që u zhvillua në 4 nëntor 1990, për hapjen e Kishës së Vorreve të Rrmajt, në aksionin tjetër që u organizua disa ditë më pas, për hapjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, në hapjen e Katedrales së Madhe, kishën e Shkrelit, Ducajve, Bogës, Bërdicës, Fretënve, Murgeshave etj. Në atë kohë Tom Leci u angazhua edhe si skulptor, duke restauruar disa vepra të artit, që ndodheshin në objektet e vjetra të kultit. Po kështu, Tom Leci u angazhua në organizimin e Partisë së Ballit Kombëtar, për Shkodrën dhe ai mori pjesë në ngritjen e shumë degëve të tjera në qytetet të ndryshme të Shqipërisë. Por krahas këtyre angazhimeve, në ato vite Tom Leci u morr edhe me sistemimin e arkivit të tij, duke nxjerrë mjaft dokumente dhe relike, që ai i kishte fshehur prej vitesh në vende të sigurta, të cilat kishin shpëtuar nga bastisjet e Sigurimit të Shtetit. Kështu shtëpia e tij i ngjante një arkivi dhe muzeu të vërtetë, ku gjendeshin edhe disa relike me vlera të rralla, si p.sh., maska e Padër Gjergj Fishtës e bërë nga Justin Rrota, relike të Marka Kolës, piktura, skulptura, një flamur i demonstratave antifashiste, dorëshkrime të personaliteteve të ndryshme dhe korrespondencat e tij, me eksponentët nacionalist të diasporës, si Lekë Harapi, Bep Lika, Ndoj Prenushi, Palokë Dajani, Zef Shllaku etj., të cilat edhe sot ruhen me fanatizëm nga familja e tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016