Nga Besim Dervishi
Pjesa e parë
Memorie.al / Njëqind e shtatëmbëdhjetë vjet më parë më 25 korrik 1913, në “Qafën e Martës” në fshatin Backë të Skraparit, u zhvillua një ndër betejat më legjendare të çetave të Skraparit, Kolonjës dhe Korçës, ndaj hordhive andarte greke. Skraparasit, kolonjarët dhe korçarët luftuan krah për krah si burrat ndaj kriminelëve andartë. Po si rrodhën ngjarjet deri në këtë betejë të ashpër. Historia e teorisë së “Megali Idea-s” ka shënuar një nga faqet e saj më të turpshme dhe të urryer, sidomos me masakrat të cilat u bënë në jugun e Shqipërisë në vitin 1913- 1914. Qeveria greke e asaj kohe nuk u mjaftua me marrjen e “Shqipërisë së Poshtme” (siç e quan Epirin e Jugut, historiani John Foster Fraser në punimin e tij me të njëjtin emër, por dhe gjithë udhëtarët perëndimorë në vitet 1800) por pretendonte dhe mbi Kazatë e Gjirokastrës dhe Korçës (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant” të autorit Justin Godart, faqa 259).
Për këtë qëllim Qeveria e Venizellosit ideoi por edhe zbatoi në terren një plan për shkatërrimin e fshatrave shqiptare sidomos në këto dy kaza por edhe në kaza të tjera si ajo e Beratit dhe e Vlorës. Po sipas autorit francez Justin Godart, të gjitha fshatrat e kazas së Korçës dhe Gjirokastrës ishin shqiptare përveç 18 fshatrave në Gjirokastër, të përbëra nga 400 shtëpi.
Por banorët e tyre ishin fermer të thjeshtë të cilët ishin të punësuar nga pronarët e tokave në këto zona (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant”, të autorit Justin Godart, faqa 260). Konferenca e Ambasadorëve në Londër e mbajtur në 1, 5, 8 dhe 11 Gusht, caktoj një Shqipëri të cunguar. Por përsëri qeveria e Athinës nuk ishte dakord.
Kjo konferencë unanimisht vendosi që të hetohej për përkatësin kombëtare në Kazan e Korçës dhe Gjirokastrës nga KNK (Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit) dhe të gjitha këto të dhëna dhe rezultate të hidheshin në Protokollin e Firences (17 dhjetor 1913). KNK rezultatin e të dhënave në terren ku caktoj vijën kufitare nga Shën Naumi – Konispol dhe vazhdon në kodrat Stilo deri në kuotën 254, e hodhi në Protokollin e Firences dhe në datën 13 janar 1914 u njoftua qeveria greke në mënyrë kërcënuese që të largoj ushtrinë e saj nga këto toka.
Ndërkohë ministrat e Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Rusisë informuan Greqinë për vendimin e qeverive të tyre për të dorëzuar ishujt e Egjeut . Por ata i vunë kusht asaj që Protokolli i Firences do të ekzekutohet më parë. Pra Greqisë do t’i jepeshin ishujt e Egjeut kur trupat greke të ishin larguar nga Kazaja e Gjirokastrës, Korçës, Delvinës dhe Ishulli i Sazanit, të cilat i mbanin të pushtuara.
Evakuimi i trupave duhet të fillonte më 1 Mars 1914 dhe të përfundonte më 31 Mars 1914 (shih librin “L’Albanie en 1921. Preface de M. d’Estournelles de Constant”, të autorit Justin Godart, faqa 263- 264 ). Çfarë kishte ndodhur “de facto” në terren? 31 marsi 1914, ishte dita e fundit ku forcat e rregullta të ushtrisë greke, duhet të largoheshin nga Shqipëria.
Por qeveria greke njëkohësisht duke larguar trupat e rregullta të ushtrisë së saj, futi grupe të përbërë nga “Kretian” (ish të burgosur të arratisur nga burgu i Kretës) si dhe ushtarët grekë (dezertorë). Në planin politik Venizellosi nxiti dhe financoj një qeveri kukull epirote, me kryeministër renegatin nga Shqipëria, Jorgji Zeografos, ministër të Jashtëm Aleksandër Kostandin Karapano, si dhe ministër të Luftës kolonelin Dhimitër Daulis.
Në këto operacione u përfshin direkt Peshkopët e Gjirokastrës dhe të Korçës. Më 27 mars, trupat e rregullta të Ushtrisë Greke u larguan nga Gjirokastra ndërkohë që menjëherë në terren ato u zëvendësuan nga trupat të ashtuquajtura vorio – epirote. Turbullira dhe sulme u shënuan dhe në Korçë në 11 prill 1914. Qeveria greke luajti një lojë të fëlliqur në Korçë. Ndërsa qytetin j’a dorëzoj shqiptarëve në fund të marsit 1914.
Ajo në mënyrë tinëzare la një numër të lartë të personelit saj ushtarak në spitalin e këtij qyteti me pretekstin se ishin të sëmurë (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, fq. 139). Nga ana tjetër brenda qytetit ishte një bërthamë e njohur filo greke dhe simpatizant të Greqisë për shkakë se në Korçë ishte dhe gjimnazi grek.
Ky fraksion filo- grek, udhëhiqej nga Kryepeshkopi grek i Korçës, i cili ishte ideatori i komplotit për pushtimin e qytetit të Korçës, si dhe ura lidhëse dhe koordinatori midis ushtarëve grekë që ishin në spitalin e qytetit me simpatizantëve filo-greke (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 140).
Natën e 11 prillit, ushtarët grek dhe bashkëpunëtorët e tyre filluan komplotin. Nga pozicionet e marra ata sulmuan dhe në pak kohë morën ndërtesat kryesore të qytetit. Por shumë shpejt patriotët dhe populli i Korçës u bashkuan në luftë, dhe pas luftimesh të ashpra, i shpartalluan forcat andarte dhe filo- greke. Pas kësaj andartët u përpoqën për t’u hakmarrë për humbjen e tyre duke kryer shumë mizori ndaj popullsisë së pambrojtur. Më agresivi në këto masakra ishte grupi i të burgosurve nga Kreta- Kretianet (shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqa 141).
Një rast të cilin na e tregon autori Chekrezi, ishte ai i Manastirit të Kodrës. 218 persona, pleq, gra dhe fëmijë ishin strehuar në Manastirin Orthodoksë të Kodrës. Andartët hoqën një pjesë të çatisë së Manastirit dhe nga andej filluan të qëllonin me armë zjarri refugjatët e pafat që ishin mbyllur në manastir. Pasi ju mbaruan fishekët andartët hynë në Manastir dhe i therën të mbijetuarit me thika dhe sëpata. Ky ishte një krim i tmerrshëm që vështirë se mund të imagjinohet në ditët tona. Por raportim zyrtar të masakrës, e shkroi gjenerali De Weer i Misionit Hollandez. Ai konfirmoj në këtë raport se kjo ishte masakra më revoltuese në historinë moderne.
Këto mizori barbare dyfishuan guximin e shqiptarëve të cilët e kuptuan tani se kjo ishte një luftë për jetë a vdekje. Bandat ishin fajtore për krimet më të rënda, ato shkatërruan, dogjën edhe plaçkitën vendin, masakruar popullsinë (shih librin “Albania past and present”, Constantin Chekrezi, faqe 142) . Gjatë kësaj kohe gjenerali Papulias, i ushtrisë mbretërore greke, hodhi këmbësorinë e tij dhe artileri kundër shqiptarëve, duke i detyruar ata të ndalen.
Megjithatë, Qeveria greke hodhi poshtë të gjitha përgjegjësitë rreth kësaj ngjarje. Në këto momente Evropa mendonte se ishte e këshillueshme të ndërhyhej dhe u organizua Protokolli famëkeq i Korfuzit, por edhe gjatë këtyre negociatave grekët dogjën Tepelenën dhe Leskovikun. Nën hundën e Komisionit të Kontrollit, rreth tre mijë ushtarë u transportuan nga Korfuzi për në Shqipërinë e Jugut ((shih librin “Albania past and present” Constantin Chekrezi, faqe 143).
Edhe gjatë periudhës maj- korrik 1914 u bënë shumë masakra të llahtarshme. Një nga autorët që i përshkruan me detaje këto masakra, është Kosta Papa nga Përmeti në librin tij me titull “Barbarite Greke në Shqipëri”, botuar në USA 1917: Në këtë punim ai tregon me fakte se në operacione u përfshinë oficer të rregullt të ushtrisë mbretërore: “…Andartët bënë përgatitje për ofensivën kundër Këlcyrës dhe Çepanit e cila nisi ditën e hënë, 29 maj, 1914.
Plani i ofensivës u bë kësisoj: Fjorgakaqi, Jorgollaqi e Qiro Vaso në Miçan, do t’i binin Backës. Kapedan Farmaqi në Malind do t’i binte Koprënckës. Sotir Bubuna në Sevran, do t’i binte Qafës së Rogut. Kapedan Niko Aristidhi dhe trupat e Kocifaqit në Qarishte, do t’i binin Muzhakës. Në ofensivë do të merrnin pjesë dhe Kapedan Psaroj, Papa Jani, Kapedan Zerva, Kapedan Kollovoj, trupat e Karaxhajt me gjithë topa. Ofensiva zuri në orën 0.2 në mëngjes në Qarishte (shih fq. 66). Më tej autori tregon me detaje se topi nga Brezhdani po e bombardonte pa pushim Kelcyren, topi nga Miçani po bombardonte Backen (shih fq. 66).
Në pyllin e Qarishtes u përleshen trup me trup andartët dhe shqiptarët, ku u vranë katër andart dhe katër u plagosën. Shqiptarët u tërhoqën pas disa orë luftimesh të përgjakshme, kjo fal epërsisë numerike të armikut dhe armëve të rënda të cilat zotëronte ai. Atëhere andartët hynë në Backë, Çorovodë, Sevran , Rog, Muzhakë, Çepan, Prishtë, Turbohovë, Vlush, Gjerbës, Spatharë, Vëndresh e të tjerë fshatra, ku dogjën dhe vranë fëmijë, gra dhe pleq. (shih fq. 67). 300 barrë me kuajë dhe karroca i dërguan në Janinë. Me mijëra krerë gjë të gjall, shkuan në Greqi.
Ne Backë u therën 30 gra dhe foshnje, të cilat nuk arritën të shkonin në Zhepovë. 15 gra me djep në krahë i zunë dhe i therën me gjithë foshnjat që kishin. Shqiptarët u demoralizuan se nga një anë kishin andartët, kurse nga ana tjetër bandat esadiste të cilat zunë Beratin. Shumë banorë të zonës së Skraparit shkuan “muhaxhirë” në Berat dhe rrethinat e tij, por dhe atje mundoheshin nga bandat esadiste, shumë nga këta persona vdiqën nga mosushqyerja dhe kushtet e këqija, por ata që mbijetuan vendosën që të ktheheshin.
Mbi 400 fëmijë u kthyen ne Skrapar, të cilët ranë në pabesin e andartëve (shih fq. 67-68). Bandat andarte në shenjë hakmarrje shkuan deri ne Ujin e Zi dhe dogjën të gjithë fshatrat ça qenë rreth e rrotull. 180 fëmijë therën andartët në Lumin e Skraparit (shih fq. 71). Makabritete e gjakësorëve nuk kishin kufij. Këta kriminelë pasi u thyen në Vëndreshë nga çeta e Sulejman Spatharës, u nisën në drejtim të fshatit Spatharë dhe dogjën lagjen Odobash, Kushovalli dhe gati komplet fshatin. Banorët ishin larguar më parë në drejtim të Beratit.
Të vetmin njeri që gjetën në fshat, ishte një grua plak e sëmurë, të cilët andartët e shkuan në hell dhe e poqën për së gjalli. Këto masakra i përmend dhe deputeti britanik i asaj kohe, Aubrey Herbert, dhe njëkohësisht njëri nga miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar (Aubrey Herbert, gazetar dhe deputet britanik. Njihet si një nga propaganduesit më të fuqishëm të çështjes shqiptare. Propozohet për mbret të Shqipërisë para Princ Vidit. Nuk dihen rrethanat e mos pranimit të këtij posti nga ana e tij).
Ja si thotë ai midis të tjerave: “Banorët e fshatrave në jugun e Shqipërisë janë boshatisur dhe shkatërruar nga bandat andarte të udhëhequra nga ish të burgosur ordiner të arratisur nga burgu i Kretës. 60.000 deri 100.000 refugjat nga zona e Korçës, Beratit dhe Skraparit kanë shkuar në Vlorë. Unë kamë marr një letër nga një britanik që ka qenë në Vlorë. Ai thotë se: Nuk mund ta besoj këtë që po shohë këtu. Nuk kamë fjalë të përshkruaj mizorit e tmerrshme që kanë bërë bandat greke në jugun e Shqipërisë. 100. 000 refugjatë janë në Vlorë. Gjithë vendi është shkatërruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë të cilët kishin rënë në duart e grekëve, ishin vrarë të gjithë. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














