Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Pas vitit 1949, kur Shqipëria komuniste prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Titos për t’u lidhur ngushtë me “Baba Stalinin”, nisi epoka e emrave rusë. Gjatë “viteve të mjaltit” me Moskën (1949–1961), shumë familje shqiptare – kryesisht ato me “partishmëri të lartë” ose me fëmijë që studionin në Bashkimin Sovjetik – filluan t’i pagëzonin fëmijët me emra si; Molotov, Vishinsk, Zhukov apo Tamara. Adhurimi për Kremlinin arriti deri në atë pikë sa, kur Stalini vdiq më 5 mars 1953, një familje në një fshat të Vlorës (i njohur atëherë si “Moska e vogël”) hapi dyert e mortit. Djali i shtëpisë, aviator i shkolluar në Bashkimin Sovjetik, ishte martuar me një ruse. Gratë e fshatit, të mbuluara me të zeza, e qanë udhëheqësin sovjetik me ligje: “Derzeza o Stalin / jeshe shok me djalën tim”! Megjithatë, dashuria u kthye në makth në vitin 1961. Kur Enver Hoxha e shpalli Nikita Hrushovin “revizionist” dhe “të shitur për pesë aspra te imperializmi”, familjet me fëmijë me emra rusë u ndjenë në rrezik. Shumë prej tyre vrapuan drejt Gjendjes Civile për t’i ndryshuar ose shkurtuar emrat: Molotovi u bë “Malo”, Vishinski “Visho” dhe Tamara thjesht “Mara”.
Por, si për ironi të fatit, një ngjarje e pabesueshme do të ndodhte në vitin 1969 – kohë kur Tirana zyrtare kishte denoncuar “Traktatin e Varshavës” pas pushtimit të Pragës nga tanket ruse dhe Radio-Tirana buçiste nga kënga e grupit të burrave të fshatit Vranisht të Vlorës, ku thuhej: “Sup më sup të na gjej dallga / ne nuk bënemi si Praga”! Në Iballë të Pukës, një 39-vjeçar guxoi t’i vendoste djalit të tij të porsalindur, emrin: Brezhnjev. Ky veprim shkaktoi alarm të menjëhershëm. Çështja kaloi kufijtë e Pukës dhe përfundoi në tavolinën e Hysni Kapos në Komitetin Qendror të PPSH-së. Ishte e pashpjegueshme: si mundet që një njeri me “biografi të mirë”, dhe shumë i besuar, madje i paisur me armë, si roje stallash, duke bërë dhe zborin në Degën e Brendshme, të pagëzonte të birin me emrin e armikut numër një të Shqipërisë Socialiste?
Po nëpunësi i Gjendjes Civile, si “uli vigjilencën” dhe pranoi ta firmoste atë akt-lindjeje? Çfarë e shtyu fshatarin nga Iballa drejt këtij “provokimi”? Si reagoi fshati dhe çfarë ndodhi me fatin e tij, pasi dosja përfundoi në duart e udhëheqjes së lartë të PPSH-së? Lidhur me këtë dhe të tjera, na njohin dokumentet arkivore të Ministrisë së Punëve të Brendshme që publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, të cilat zbardhin këtë ngjarje të rrallë të ndodhur 57 vite më parë.
KOMUNIKATA OPERATIVE “TEPËR SEKRETE” E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME E DATËS 30 PRILL 1969, KU NJOFTOHET SE NËPUNËSI I GJENDJES CIVILE TË LOKALITETIT IBALLË E PUKËS, KA PRANUAR NJË AKT-LINDJE ME EMRIN “BREZHNJEV”
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 30.4.1969
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 101
DREJTORIA E POLICISË
Ditët e fundit është informuar se nëpunësi i Gjendjes Civile të lokalitetit Iballë, ka pranuar të marrë një akt-lindje me emrin Brezhnjev. Ndaj nëpunësit u muarr masë duke e hequr nga puna. Për këtë çështje, Dega e Punëve të Brendshme Pukë, nuk ka njoftuar Drejtorinë e Policisë.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
SHËNIMI I SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, HYSNI KAPO, NË KOMUNIKATËN OPERATIVE KU ËSHTË RAPORTUAR PËR FSHATARIN NGA LOKALITETI IBALLË E PUKËS, QË I KISHTE VËNË DJALIT TË TIJ, EMRIN “BREZHNJEV”
Mirë këto, po ndaj tij që ka vënë emër Brezhnjev, ç’u bë?! Ku e gjen këtë kurajo ky?!
Hysni Kapo
DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET, ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 15 MAJ 1969, KU JEPEN SQARIME MBI MASAT E MARRA PËR FSHATARIN NGA IBALLA E PUKËS, FRAN UKA, I CILI I VURI DJALIT TË TIJ, EMRIN BREZHNJEV
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Tepër Sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 15.5.1969
KOMUNIKATË OPERATIVE Nr. 113
SHËNIM
Lidhur me njoftimin e bërë nga Drejtoria e Policisë në Komunikatën Operative Nr. 101 të datës 30.4.1969, mbi pushimin e nëpunësit të Gjendjes Civile të lokalitetit Iballë, që ka pranuar të marrë një akt-lindje me emrin “Brezhnjev”, ku Ju bëni shënimin: “Po ndaj atij që ka vënë emrin Brezhnjev, ç’u bë?! Ku e gjeti këtë kurajo ky”?
Dega e Brendshme e Pukës në shkresën Nr.83, dt. 10.4.1969, drejtuar Degës së Parë, njofton se prindi që i vuri emrin fëmijës “Brezhnjev”, quhet Fran Has Uka, vjeç 39, nga dhe me banim në Iballë të Pukës, anëtar i G.B.V., dhe i bronjuar si rezervist pranë Degës së Pukës, me punë roje në Ndërmarrjen e Farnave.
Më parë nga ana e Degës, nuk dihej ndonjë gjë negative për këtë person. Ai u thirr nga Dega dhe pretendon se nuk dinte një gjë të tillë, se nuk duhej t’i vinte fëmijës këtë emër. U vu në dijeni Komiteti i Partisë dhe në demaskimin që i u bë para fshatarëve, dolli se Fran Uka është intrigant, dhe paraqitet në fshat sikur ka lidhje me njerëz të mëdhenj.
Në mbledhjen e popullit, një fshatar i tij gjatë demaskimit i tha se; ti ja ke vënë emrin djalit Brezhnjev, sepse ke mendime që në Shqipëri të vij Brezhnjevi në fuqi dhe atëhere ta kesh mirë e të marrësh post prej tij.
Mbas demaskimit Frano është alarmuar dhe u morën masa për çdo të papritur. Mbas demaskimit iu hoq arma dhe çështja ndiqet nëse ka pasur qëllim në vendosjen e këtij emri.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
PETRIT HAKANI
SHËNIMI I SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH, HYSNI KAPO, NË KOMUNIKATËN OPERATIVE, PAS DEMASKIMIT QË I ËSHTË BËRË PARA POPULLIT FSHATRIT FRAN HAS UKA, PËR EMRIN BREZHNJEV, QË I KISHTE VËNË DJALIT TË TIJ
Boll kaq. Çfarë qëllimi kërkoni? Po të ishte armik i tillë, nuk i vinte emrin dhe ta regjistronte! Memorie.al











