Nga Tanush Kaso
Memorie.al/ publikon dëshmitë e panjohura të ish-të burgosurit politik, Tanush Kaso, Kryetar i Shoqatës së Burgosurve dhe Dënuarve Politikë të Shqipërisë, i cili vuajti mbi dhjetë vite në kampet dhe burgjet e atij regjimi, lidhur me veprat e ‘5 vjeçarëve’ ku punuan për vite me radhë si skllevër me mijra të dënuar, duke filluar nga Stadiumi Kombëtar ‘Qemal Stafa” Tiranë, Fermën e Kamzës, Kanalin e Jubës, Kënetën e Maliqit (tre kampe: Vloçisht, Orman-Pojan dhe Nishavec), Aerodromin e Kuçovës, Fermën e Gosës në Kavajë, Kanalin e Bedenit, Hekurudhën Peqin-Elbasan, Rrugën Automobilistike Gramsh-Lozhan, Pallatet “Agimi” në Tiranë, Miniera e Bulqizës, Kanali Peqin-Kavajë, Kanali i Vlashukut në Myzeqe, etj., ku nga kushtet e vështira të punës e jetesës, si dhe torturat e keqtrajtimet, humbën jetën me dhjetëra të dënuar, ku pjesës më të madhe të tyre ende nuk i dihen varret!
“Kur në tribunat e purpurta të kongreseve të Partisë së Punës së Shqipërisë, numëroheshin me krenari veprat e planeve pesë vjeçare, të cilat ajo i quante si të vetat, populli e dinte se shumica e tyre, mbante vulën e djersës dhe të gjakut të të burgosurve politikë, të këtyre “skllevërve të shtetit”, që detyroheshin të punonin pa pagesë, nën kërbaçin e policëve të pashpirt, në vendet më të vështira dhe në kushte tepër të rënda”. Kështu shprehet për Mermorie.al, Tanush Kaso, Kryetar i Shoqatës të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, i cili ka vuajtur për më shumë se dhjetë vite, në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në dëshminë e tij ekskluzive për Memorie.al, zoti Kaso, rrëfen mbi shfrytëzimin që i’u bëri regjimi komunist, të burgosurve politikë, të cilët punuan në veprat më të mëdha, që u ndërtuan në Shqipërinë komuniste duke filluar që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1945, e deri në fundin e viteve ’80. Në shkrimin e mëposhtëm, po botojmë një pjesë të dëshmive së Tanush Kasos, e cila bën fjalë për veprat që ndërtuan të burgosurit politikë deri në mesin e viteve ’50 dhe si u trajtuan ata nga shteti i diktaturës së proletariatit.
1945- Përfundimi i Stadiumit “Qemal Stafa”
Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, të cilin e kishin filluar italianët dhe të lënë përgjysmë, për shkak të Luftës, e mbaruan së ndërtuari të burgosurit politikë, në vitin 1945. Rreth 300 të dënuar politikë, shoqëroheshin çdo ditë me shumë roje të armatosura, nga të dy burgjet e kryeqytetit për në stadium, ku punonin gjithë ditën si kafshët dhe po ashtu ktheheshin në mbrëmje në burg, për të vazhduar të nesërmen dhe për shumë muaj, me radhë, të njëjtin ritual të detyruar. Pas mbarimit të stadiumit, një pjesë e të dënuarve, u dërguan të punonin për krijimi i fermës së Kamzës, ku rropateshin në hapje kanalesh, sistemim tokash etj. Rreth 400 të burgosur të vendosur në kampin e punës së detyruar, të ngritur në disa barake të vjetra ushtrie, pranë fshatit Valias, (12 km. në veri-perëndim të Tiranës) punuan për afro dy vite me radhë të drejtuar e të mbikëqyrur, rreptësisht nga policët dhe rojet, pa kurrfarë orari dhe kushtesh jetese. Në vitin 1946, të burgosurit politikë punuan në ndërtimin e Kanalit të Jubës, në Qarkun e Durrësit. Kampi me 800 të burgosur, u ngrit në afërsi të fshatit Jubë të Durrësit. Ata hapën një kanal të gjatë 5 km. me gjerësi 10 m. dhe thellësi 6 m. Nga kushtet e rënda të terrenit me baltë, pamjaftueshmëria e ushqimit, që përbëhej vetëm nga një supë e 600 gr. bukë misri, si dhe nga torturat e lidhjet pas shtyllave e rrahjeve çnjerëzore, u sëmurën dhe vdiqën njëzet të burgosur politikë.
Tharja e Kënetës së Maliqit
Në vitet 1947-‘52, me qindra të burgosur politikë, punuan për tharjen e Kënetës së Maliqit në Qarkun e Korçës. Në kushte jashtëzakonisht të vështira të një terreni moçalor, me shushunja e mushkonja, pa çizme e mjete të tjera mbrojtëse, me një ushqim shumë të dobët dhe nën trysninë e xhelatëve, që u rrinin mbi kokë, kanë punuar për pesë vite, më shumë se dymijë të burgosur politikë. Ata ishin ndarë në tre kampe: Vloçisht, Orman-Pojan dhe Nishavec, fshatra pranë Kënetës së Maliqit. Komandant i këtyre kampeve, ishte Tasi Marko, një figurë më e tmerrshme se ajo e “SS”-ve gjermanë, vëlla i Rita Markos, funksionar i lartë komunist, që arriti të bëhet anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në këto kampe, janë përdorur tortura nga më mizoret e më primitivet, si: zhytja gjer në fyt, në gropën e nevojtores dhe varrosja për së gjalli në llucën e kënetës. Aty ka pasur shumë raste vetëvrasjesh. Nga malaria dhe sëmundje të tjera, kanë vdekur me dhjetëra njerëz. Gjithsej numërohen mbi gjashtëdhjetë vetë të vdekur. Tharja e kësaj kënete, ishte planifikuar dhe projektuar shumë vite më parë nga italianët. Pushteti komunist vendosi ta realizojë me punën e papaguar të ‘skllevërve’ të vet. Për të drejtuar këto punime që kryheshin në mënyrë primitive, pa mjetet e nevojshme dhe teknikën e duhur, u caktuan inxhinierët më të aftë që kishte Shqipëria, të diplomuar në universitetet më të mira të Europës dhe me përvojë, por që nuk shiheshin me sy të mirë, nga regjimi i komunist i Enver Hoxhës. Kur ata, duke përballuar vështirësitë me një përkushtim profesional, po i afroheshin fundit dhe shpresonin të vlerësohej puna, për çudi Sigurimi i Shtetit, kurdisi për ta akuzën e rreme të “sabotimit ekonomik” dhe i ndëshkoi që të gjithë tepër rëndë, duke filluar nga burgimet e gjata, e deri tek pushkatimet e varjet në litar. Për të ashtuquajturin “Grup i inxhinierëve të Maliqit”, është folur e shkruar shumë në ato vite e më pas. Por, si në romanin “Këneta” ashtu edhe në filmin me të njëjtin subjekt, produkte të “realizmit socialist”, e vërteta tjetërsohet, nuk jepet ashtu siç është, po ashtu siç e lypte skema e caktuar që u pëlqente komunistëve, me “armikun e klasës” dhe “vigjilencën revolucionare”. Për të burgosurit politikë, për punën e tyre prej skllevërish të mesjetës, nuk thuhet asnjë fjalë.
Ndërtimi i aerodromit të Kuçovës
Në vitet 1948 -‘52, me qindra të burgosur politikë punuan për ndërtimin e Aerodromit Ushtarak të Kuçovës. Kampi i të burgosurve politikë, që punonin për ndërtimin e atij aeroporti, ishte ngritur në Urën Vajgurore. Për katër vite me radhë në atë vend, derdhën djersën më shumë se 2.000 të dënuar. Punimet drejtoheshin nga inxhinierë ushtarakë sovjetikë, të cilët u shërbenin synimeve afatgjata për vendosjen e hegjemonisë së shtetit të tyre në Ballkan e më gjerë. Për t’u përmendur është një arratisje masive nga ky kamp. Disa mundën ta kalojnë kufirin jugor dhe dolën në “Botën e lirë”. Të tjerët u kapën dhe u dënuan me afate të ndryshme burgimi apo dhe me pushkatim. Ndërsa në vitet 1949-‘51, u punua për ngritjen e fermës së Gosës në rrethin e Kavajës. Fronti i punës aty përbëhej nga kanalizime dhe sistemime tokash. Kampi ndodhej në afërsi të fshatit me të njëjtin emër, 12 km. në jug të Kavajës. Për afro 2 vjet aty punuan mbi 600 të burgosur politikë, gjithmonë të uritur e të keqtrajtuar. Aty pati 15 të vdekur nga të dënuarit. Në vitet 1950-‘52, u punuan në hapjen e Kanalit të Bedenit, në rrethin e Kavajës. Kampi ngrihej pranë fshatit Beden, disa kilometra në jug-perëndim të Kavajës. Më shumë se 1000 të burgosur politikë për rreth dy vite punuan si skllevër për hapjen e një kanali vaditës 15 km. të gjatë, në një terren kodrinor me shtresëzime shtufi, që vende-vende mundën të çelen me përdorimin e minave, nga të cilat pati edhe aksidente. Nga vështirësitë e jetës dhe puna e rëndë, u sëmurën dhe vdiqën më shumë se njëzet të dënuar. E tmerrshme ka qenë në këtë kamp, vdekja e një mirditori krejtësisht të pafajshëm, të quajtur Nikollë Bardhoku, nga Bushkashi. Vetëm për kapriçon e një polici, ai u zhvesh lakuriq, u lidh pas një shtylle në oborrin e kampit dhe u la nën saçin e diellit përvëlues të korrikut, gjersa trupi i’u bë plagë. Ulërinte nga dhimbjet e kërkonte shpëtim, por askush nuk guxonte t’i afrohej e të pësonte fatin e tij. Të nesërmen vdiq aty, si një shenjtor i lidhur. Komandant i kampit ishte Haxhi Pela, nga Qarku i Beratit. Në vitin 1950, u punua në ndërtimin e trasesë së hekurudhës Peqin-Elbasan. Të vendosur në një kamp pranë Urës së Bonës, jo shumë larg qytetit të Peqinit, punuan për ndërtimin e trasesë së hekurudhës së dytë të vendit tonë, asaj Peqin-Elbasan (që ishte vazhdimi i hekurudhës së parë Durrës-Peqin), 700 të burgosur politikë. Po në vitin 1950, të dënuarit politikë punuan në hapjen e tunelit të Bishqemit, në hekurudhën Peqin-Elbasan (400 m. i gjatë). Për një vit, 900 të dënuar politikë të vendosur në një kamp pranë fshatit Bishqem, që ndodhet rreth 15 km. në perëndim të Elbasanit, punuan për hapjen e tunelit më të gjatë hekurudhor të vendit tonë. Aty mungonte teknika e nevojshme dhe askush nuk kujdesej për sigurimin e jetës së atyre njerëzve në kushtet e nëntokës, ku punohej në mënyrë primitive, me dalta e qysqi. Si rezultat i kësaj pati edhe të vdekur nga aksidentet në punë, për të cilat as përgjigjej dhe as “paguante” njeri. Në vitin 1950, u punua edhe për hapjen e rrugës automobilistike Gramsh-Lozhan. Kampi i të burgosurve politikë që punuan për çeljen e kësaj rruge, ndodhej në afërsitë e fshatit Lozhan, pranë Maliqit. Aty ishin rreth 900 vetë, të cilët bënin çdo ditë disa kilometra më këmbë, të shoqëruar me policë e qenët e kufirit për të arritur deri tek vendi i punës. Lodhja ishte kapitëse dhe trajtimi çnjerëzor. Shumica e tyre ishin çamë, të dënuar vetëm sepse kishin kundërshtuar propozimin e Qeverisë së Hoxhës, që të luftonin kundër shtetit grek për llogari të komunistëve të EAM-it grek. Për këtë qëndrim të tyre, ajo qeveri u’a hoqi përdhunisht shtetësinë greke, të gjithë të ardhurve nga Çamëria, duke u hequr kështu edhe mundësinë e kthimit në trojet amtare.
Miniera e Bulqizës
Në vitet 1950-‘53, të burgosurit politikë punuan për nxjerrjen e mineralit të kromit, në minierën e Bulqizës. Në vitet që pasuan, kanë qenë të burgosurit ordinerë që janë dërguar në minierën tepër të vështirë të Bulqizës, për të nxjerrë nga thellësia e galerive primitive, mineralin shumë të kërkuar të kromit. Por në periudha të caktuara, sidomos në vitet e para, atje kanë qëndruar për një kohë të gjatë edhe kontigjente të zgjedhura të burgosurish politikë, në moshë të re dhe fizikisht të fuqishëm. Nga ashpërsia e klimës, vështirësitë e punës dhe trajtimi çnjerëzor që i bëhej të burgosurve, të cilët punonin ditë e natë me tre turne, ajo minierë ishte bërë një tmerr, një ferr i vërtetë, aq sa emri i saj përdorej nga Sigurimi i Shtetit për të trembur njerëzit. “Kujdes”! – i thonin ata ndonjë personi të padëshiruar, mund të të çojmë në Bulqizë…”. Të tjerat kuptohen vetë. Ka pasur mjaft raste vrasjesh e vetëvrasjesh, si dhe aksidente në punë. Disa i ka zhdukur vetë Sigurimi i Shtetit në thellësitë dhe humnerat e nëntokës, pa asnjë dëshmitar okular. Aty në atë kamp kanë ndodhur edhe shembje të mëdha, që kanë zënë dhjetëra njerëz, e për të cilat shtypi dhe radioja e asaj kohe, mbanin heshtje të plotë, pasi ato aksidente konsideroheshin si “sekret shtetëror”. Më shumë humbje njerëzish ka patur nga të burgosurit ordinerë. Trupat e shumë të vdekurve nuk kanë mundur t’i varrosin familjen e tyre, disa as që janë gjendur dot. Fëmijët e tyre nuk kanë marrë kurrfarë dëmshpërblimi ose pensioni, siç e përcaktojnë konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Janë bërë disa përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar nga ai ferr, për t’u arratisur që andej. Por gjatë 50 viteve, fare pak të burgosur kanë mundur ta kalojnë kufirin. Disa janë kapur e ri dënuar, të tjerë kanë mbetur të vrarë nga plumbat e rojeve e të ndjekësve. Një nga më fatlumët, thonë se ka qenë një djalë trim, nga një fshat i Korçës, i quajtur Isuf Lumi, i cili në një natë të errët e me shi, në vitet e para, mundi ta kalojë rrethimin përmes breshërive të plumbave, e mbas shumë peripecive, arriti në tokën e ëndërruar, në Amerikë.
Kanali Peqin-Kavajë
Në vitet 1952-‘55, të burgosurit politikë punuan në hapjen e Kanalit Peqin-Kavajë, i cili ishte 50 km. i gjatë. Kampi i punës, i ç’vendosur tre herë, gjatë tre viteve, në linjën midis Peqinit dhe Kavajës, kishte rreth 2000 të burgosur politikë, të cilët me një punë tepër të rëndë, në kushte shumë të vështira, me mungesë uji dhe ushqim të keq, hapën kanalin vaditës më të gjatë të vendit tonë. Ashtu si në kampet e tjera edhe këtu praktikohej lidhja nëpër shtylla dhe rrahjet për ata që nuk e realizonin dot normën e punës së detyruar. Ka pasur tre të vrarë nga përdorimi i dinamitit në disa pjesë shkëmbore të kodrave. Aty në atë kamp, nga torturat, uria dhe sëmundjet kanë humbur jetën më shumë se 20 të burgosur. Po kështu në vitet 1952-‘54, u punua për hapjen e Kanalit të Vlashukut, në fushën e Myzeqesë. Kampi u ngrit 10 km. në veri-perëndim të qytetit të Kuçovës, me 1500 të burgosur politikë, të cilët gjatë dy viteve hapën një kanal prej vetëm 2 km të gjatë, por tepër të thellë. Kanali u bë për të marrë ujë nga lumi Devoll, e për të vaditur fushën e Myzeqesë. Pak para përfundimit të punimeve, për shkak të shirave dhe të teknikës së keqe të përdorur, u shemb argjinatura dhe u desh të rifillohej nga e para. Në këtë kamp, veçmas, punonin edhe mjaft robër grekë, ish ushtarakë të ashtuquajtur “monarko-fashistë”, të kapur nga forcat komuniste të EAM-it, gjatë luftës vëllavrasëse të viteve 1945-‘49 në Greqi dhe të dorëzuar prej tyre, qeverisë shqiptare. Më vonë, me kërkesën e qeverisë greke, ata që mbetën gjallë, u riatdhesuan. Nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës së shpëtimit, disa vranë veten. Nga uria, lodhja e keqtrajtimi, si dhe nga sëmundje të ndryshme, kanë vdekur rreth 40 shqiptarë. Numri i grekëve të vdekur nuk dihet me saktësi. Në vitet 1953-‘55, u punua për ndërtimin e pallateve “Agimi” në Tiranë. Rreth 600 të burgosur, të vendosur në kampin nr. 4 në Tiranë, kanë punuar për dy vite rresht për ndërtimin e pallateve “Agimi”, që ndodhen pranë ish “Bllokut të udhëheqjes”. Ajo që kujtohet më tepër nga ky kamp, ishte përpjekja për një arratisje masive, nëpërmjet një tuneli të nëndheshëm të hapur me kujdes e fshehtësi të madhe, të quajtur “Tuneli i lirisë”. Pak përpara vendimit për të dalë andej, u arrestuan organizatorët kryesorë, në rrethana që ende mbeten të paqarta dhe të mbuluara me mister. Ata që u mbyllën në qelinë e vdekjes, ishin: Mark Zef Pali, Isuf Velçani, Abdylla Bajrami, Zyhdi Mancaku dhe Besim Latifi. Këtij të fundit i’u fal jeta. Ndërsa katër të tjerët kur i morën për t’i pushkatuar, u përleshën me xhelatët dhe mbetën aty të vdekur nën goditjet e levave të hekurit./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016