Nga Agim Janina
Pjesa e dytë
Memorie.al / Njohja me Ibrahim Kodrën erdhi si me çdo artist. Fillimisht qëllon të dëgjosh për të e veprën dhe më pas të jepet rasti ta takosh. Artisti jetonte në Itali dhe lajmet për të mungonin, por në takimet me piktorë bashkëkohës me të qëllonte rrallë t’i përmendej emri. Punët nuk i njiheshin. Flitej nën zë se ishin moderne. Në Galerinë e Arteve kishte një peizazh nga Tirana, që pakkush e kishte parë. Zulma e emrit të piktorit vinte turbullt e pleksej me legjenda e të vërteta. Dihej që ishte nga Ishmi, (disa mendojnë se do të thotë “i hijshëm”), ku ishte kaluar fëmijërinë, ndërsa rininë e hershme në Tiranë. I larguar në Itali ishte i munguar i madh. Duke hulumtuar për Shkollën e Vizatimit, emri i tij ishte i pranishëm në çdo bisedë që bëhej me bashkëkohësit.
Njohja e Kodrës me Pikason më ngacmoi dhe më risolli në kujtesë një thënie të vjetër, të thënë nga një piktor, e cila më kishte munduar gjithmonë për vërtetësinë e saj. Thuhej që Pikaso ishte shprehur që Shqipëria është vend ku lindin piktorë. E pyeta.
– “Nuk e di ta ketë thënë këtë gjë. Pikaso ka thënë që Shqipëria ka një popull që ka vuajtur, porse lind me vokacione të ndryshme artistike, – u përgjigj dhe vijoi, – Në Milano ka ardhur edhe Heminguej për të xhiruar filmin “Dielli lindi përsëri” (Il sole serge ancora), bazuar në librin e tij tij. Filmin e kanë muzikuar me këngën shqiptare, që e pruna prej Shqipërie, me partizanë. Kodra zuri të këndojë lehtë:
“Me pjek gruni ka fillue
Tan Shqipnia në këmb është çue.
Shqipni, ti je… none
Plot me partizone
Shqipni, ti je nënë kreshnike
Plot me bollshevike hej”.
Këngës e pëlqyen shumë sa të gjithë gjithë komunistët e dinin përmendësh. Regjisori i filmit është Aldo Vergano dhe u muzikua (kolona zanore) me këtë këngë, një këngë ishte e kapshme. Kur doli libri “Këngët e rezistencës”, kam bërë ilustrimin e kopertinës dhe kanë vënë edhe këtë këngën brenda. Me Heminguejn hëngrëm darkë bashkë. Njeri i thjeshtë, por pinte…! Njerëzit e mëdhenj sa më të mëdhenj bëhen, aq më të thjeshtë janë.
Kodra heshti përsëri. Ne vështruam njeri tjetrin. Ishte një gjë e padëgjuar. Emra të tillë si Pikaso, Heminguej, Kuazimodo, Elyar në Shqipëri ishin mitikë dhe ishte hera e parë që shqiptoheshin me aq lehtësi nga një piktor shqiptar, duke lënë një shije mikluese tek të gjithë. Kodra është frymëzuesi i kolonës zanore të një filmi bazuar mbi romanin e shkrimtarit të madh Ernest Heminguej dhe ai e thoshte këtë fare thjeshtë e pa asnjë mburrje!
Filmi është ribërë edhe nga Holluvudi, ku luajnë aktorë të famshëm si Eva Gerdner e aktorë të tjerë të shquar. Kohë më pas duke gërmuar për këtë fakt, mësova se, poeti Mario De Micheli, do të shprehej se; “Kënga e 25 prillit”, e kemi bërë pikërisht në ditët e kryengritjes, kur partizanët hynë në Milano. Unë këtë këngë shqiptare, e kam mësuar nga një piktor shqiptar, që quhet Ibrahim Kodra, i cili në atë kohë bënte Akademinë dhe që ishte i lidhur me grupin, që vepronte në mes të intelektualëve të Rezistencës”.
Dhe diku tjetër lexohet, që kjo këngë e thjeshtë lindi në ditët e nxehta të luftës, kur partizanët hynë në Milano. Bazohet mbi një melodi shqiptare, intonuar nga piktori Kodra në një bar të lagjes në “Brera”. Mbi këtë melodi u improvizuan tekstet e poetëve të ndryshëm, artistë e intelektualë të pranishëm. Bën pjesë tek; “Këngë të rezistencës italiane”.
Pa na lënë të mbusheshim mirë me frymë Kodra zuri të thotë: – “Eugenio Montale fitues i çmimit ‘Nobel’ (viti 1975), ka bërë një libër, ‘Pesëmbëdhjetë vjet poezi, pesëdhjetë vepra të Kodrës’. Sot jam piktori më e shquar dhe për mua janë shkruajtur gjërat më të bukura; Kodra piktori më i madh i shekullit tonë’, ‘Kodra është simbol i përgjithshëm’, nga Karlo Bon-i, shkrimtar i madh”.
– “Me Salvador Dalin jeni njohur”? – u hodh e pyeti një studente që kishte kohë që po dëgjonte rrëfimin e piktorit.
– “Dali? Posi. Njeri pak… (qesh) ishte ekstravagant…! Kur shkova herën e parë në Paris, pashë katër vetë, që po çonin një bukë të madhe dhjetë metra të gjatë në studion e tij. Ishte e shkruajtur; ‘Bukë për punëtorët’, Dali. (qesh). E përdori në një tablo”.
– A e keni njohur Gorge Braque?
– “Braque nuk e kam njohur. Kam njohur atë që në Francë ka bërë Shkollën e Kubizmit. Ishte edhe Braku, posi. Pikturën e fillova në Milano, por kam qenë në Paris, ku kam parë, kam njohur shumë artistë si; Bretonin, Pikason, Aragonin që kanë bërë pikturë moderne. Pikturën surrealiste e krijoi Andre Masson, ia mori Bretoni, ai shkoi në Amerikë kaloi atje…”!
Kodra heshti përsëri. Renzo Calzavaro ndërhyri, duke thënë që Kodra është takuar e njohur me Afro Basaldella në Pedova. Kur shkonte në Venecia, ishte mik i Tommazo-s, mik i Guttozo-s, piktorë me famë botërore. Maestro ka një gjë të bukur, që nuk flet kurrë keq për piktorët e tjerë. Flet gjithmonë mirë. Megjithatë ka shumë piktorë, jo në lartësinë e tij, që flasin vetëm keq për piktorët e tjerë.
Maestro flet gjithmonë mirë për kolegët e tij. Kjo është natyra e tij. “Pse duhet të flasim keq për të tjerët, që të konfrontohemi me ta”? – thoshte. Koleksioni i Kodrës në Milano është shumë i madh dhe jo vetëm në Milano, por në të gjithë Italinë. Kam shumë gjëra nga Maestro Kodra. Këtu disa kuadro që janë të miat, që ia kam blerë. Kam disa vjet që e ndjek.
Piktori u kthye në bisedë e ashtu shtruar e shtruar vijuam bisedën. Në një çast e pyeta se si i kishte mbajtur lidhjet me Shqipërinë dhe si i vinte ajo në telajo. Buzëqeshi dhe u përgjigj:
– “Shqipëria për mua ka qenë frymëzimi më i madh, sepse gjithmonë kam punuar duke menduar Shqipërinë. E kanë thënë disa kritikë, që punoj si me patur në mendje kostumet, veshjen, jetën e shqiptarëve, tokën, ngjyrat, duke patur para syve gjithmonë kodrat, malet e Shqipërisë, më kujtohet Qafa e Shtamës, ku uji ishte si akull, Mamurras, ajo dita e madhe…! Shqipëria ka qenë gjithmonë në shpirtin tim. Kam lindur këtu, jam rritur në fëmijëri. Janë kujtime me rëndësi të madhe.
Kam marrë nga folklori, nga jeta e popullit tim, kam vazhduar duke pasur gjithmonë frymëzimet më të mëdha. Këshilla ime lidhja me vendin dhe duhet me punuar, duke jetuar me zakonet tona, me folklorin tonë, veshjet tona. Kjo ka bërë përshtypje edhe në punën time. Frymëzimin e marr nga populli shqiptar, pse e kam thënë gjithmonë, le ta dijë bota mbarë, që Kodra është gjithmonë Shqiptar.
Shqipëria ka dhënë piktorë, poetë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj, muzikantë të mëdhenj, ka dhënë projekte të mëdha, ka dhënë çdo gjë. Kur njeriu shikon bambini (fëmijë), që po flenë rrugës, probleme me njerëzit që ecin këmbëzbathur, atëhere të vjen në mendje Madre Tereza, d.m.th., madhësia e saj, nga pikëpamje humane, njerëzore, që ka kaluar të gjitha kufijtë e njerëzimit…. që marshin shpërblimet më të mëdha prej popullit shqiptar e tokës shqiptare.
Kam mbetur shumë i kënaqur për Shqipërinë. Më duket sikur jam në shtëpinë time, se populli shqiptar më ka dhënë ato mjete shpirtërore, sa që sot në se kam një farë emri, ja di popullit shqiptar, ia di edhe atyre që më kanë dhënë mësime për të shkuar përpara”.
– Në pikturë kujt i jepni më shumë rëndësi linjës, ngjyrës apo kompozimit?
– “Kompozimit, se ai është me rëndësi të madhe. Po ashtu edhe forma. Kompozimi është forma. Forma d.m.th., paraqet në art e në poezi mënyrën e shprehjes. Ngjyrat pastaj vijnë vetë”.
– Keni pasur ndonjë ngjyrë të preferuar?
– “Këtë pyetje ma kanë bërë gjithmonë. Kam thënë kudo se kërkoj të paraqes ngjyrat e jetës, ngjyrat bëjnë jetën, ngjyrat e diellit, e ujit, e tokës. Tre ngjyra janë që kanë bërë jetën e njeriut”.
– A mund të flasim që Shqipëria është një vend që ka ngjyra të bukura, një diell të fortë?
– “Po ka shumë ngjyra të bukura, me të vërtetë ngjyra të bukura. Ngjyrat tek ne janë shumë të pëlqyeme… jam i frymëzuar nga këto ngjyra”.
Më pas Kodra zuri të flasë për takimin me shkrimtarin Ismail Kadare.
– “Kadare në ’73-in erdhi në Milano për të më takuar. Me disa shokë të tjerë u bashkuem dhe ndejtëm një natë së bashku. Kadare më tha; ‘Kodra duhet të dërgosh në Qendrën e Kulturës në Tiranë disa katalogë, se nuk të njohin’. I dërgova dhe pastaj më ftuan në Shqipëri. Më kanë çuar në Ishëm. E besa, shkuam edhe në Akademinë e Artit. E besa kena bo shumë…!
Foto Stamo më ka dërguar gjithandej, më ka shëtitur këtu në Tiranë, deri ne Krujë e në Shkodër, pastaj ai bëri një darkë në shtëpinë e tij. Ishte dhe Paskali, i cili tha; ‘Kodra e ve në Katalogun e tij, që profesori im i pari ka qenë Paskali, kjo do të thotë që Kodra nuk e ka harruar Shqipërinë’!
Me thënë të drejtën, para Shqipërisë për herë të parë më ka njohur Kosova. Pse? Një gazetar nga Zagrebi, kishte pjekje me poetin Quazimodo në Milano. Quozimodo ishte me mua, e paraqiti. Ai u çudit. Këta nga Zagrebi e donin Kosovën. Ai bën një artikull në “Telegraf”. Këtë artikull e lexoi drejtori i Bibliotekës së Zagrebit, i cili quhet Aleksandët Stipçeviç.
Ai i njihte profesorët e Kosovës dhe pastaj erdhën me më pa mua në Milano, se ishte bërë intervista për “Rilindjen”. Kështu që me 1955, bëra ekspozitën time në Teatrin e Popullit, afër Bozhurit. Erdhi edhe aktori i famshëm shqiptar, Bekim Fehmiu. I thanë Bekimit se çfarë do të thuash për ekspozitën. ‘Nuk kam fjalë më thanë! Njoh pikturën, por njoh Pikason e Kodrës’! Kështu tha Bekim Fehmiu, që ka bërë ‘Uliksin’”.
– Kur ndodhi kalimi juaj në kubizëm dhe pse?
– “Në vitin 1945 krijuam një grup në Breshia me marrë disa rryma. Ishin atëhere si atraktizma, kubizma e zgjodhëm kubizëm, sepse në kubizëm ka tre dimensione, kurse atraktizma ka dy.
Edhe në Itali duan të bëjnë shumë ekspozita. Arti është i vështirë dhe duhet të marrësh pjesë me gara, me shumë gjëra. Nuk është e lehtë. Në vitin 1938, kur shkova në Akademinë e Arteve, duhet të merrni me mend, se dalin prej Akademisë 50 vetë çdo vit. Në shtatëdhjetë e ca vjet sa bëhen? Është shumë vështirë, sepse shumë kanë dështuar, dhe pastaj bëheshin mësues në shkolla, të tjerë kanë shkuar në shtëpi botuese për të bërë vizatime për librat, ilustrime. Nuk është kollaj besa, duhet me punu shumë”.
Piktori heshti dhe u mbush me frymë. I rreshtova disa pyetje, të cilave ai iu përgjigj shkurt.
– A mund të flasim për ndonjë krizë të artit sot?
– “Po, po ka krizë, sepse bota është e politizuar shumë. Kanë mbyllur galeri, në Paris, në Milano”, – e mbylli Kodra dhe si heshti një çast, vura re se sytë iu lëbyrën e befas nisi të këndojë:
“Rashë e fjeta
S’më zu gjumi
Po ëndëroja përtej lumi
Moj leshverdhë
Që ke lindur në qyteze
Eja, eja do ta marr
Ta kem për fare
Moj leshverdha lozonjare…”!
Filluam të buzëqeshnim dhe Kodra shtoi; “Më donin shumë gocat e Liceut”.
Studentja nuk priti por ia ktheu:
– Keni qenë i butë prandaj?
Renzo Calzavaro ia priti:
– I butë profesori?!
Ky i hodhi një vështrim të shpejtë vajzës së re dhe shtoi me zërin e tij paksa të ngjirur:
– “Kam qenë i butë, i ëmbël…! Kodra, u thonin se isha shumë i bukur. Nuk e dija veten. Në qoftë se jam i bukur, nuk është faji im, po kështu më ka bërë nëna.
– Paskali më ka folur për ju, si një djalë shumë të hedhur.
– “Isha studios i madh…”!
– Dhe që bënit vizatime të bukura.
– “Posi, vizatimet e mia gjithmonë kanë qenë të publikuara nëpër gazeta, në kohën e luftës. Kam punuar shumë. Kur isha i ri 15 – 16 vjeç, autorët që lexonim më shumë ishin Gorki, Esenini, Dostojevski. Kam lexuar shumë libra të ndryshëm, teori nga e gjithë bota. Drejtori i një reviste në Milano, djalin e të cilit e kisha shok dhe u bë filozof më pas, kur shkuam një herë në darkë së bashku, drejtori i thotë djalit, që Kodra është enciklopedi moderne, se di çdo gjë.
Kur më pyesnin për arte dhe për çdo gjë u përgjigjesha menjëherë. Arti është një raport ndërmjet shkencës dhe lirisë. Edhe poezia po kështu është. Poezia sipas Frojdit lind nga brendësia e njeriut dhe do të tregojë realitetin e vërtetë të vetë jetës. Psikopoezia është një gjë tjetër, nuk është që duhet ta shpjegojë, duhet ta kuptojë vetë populli.
Ajo jep vetëm kuptimin ose kur nuk e di se çfarë do me thënë, merret me mend, si për shembull fjala e Mark Antonit në varrin e Jul Qezarit. Duke folur mirë, që thoshte që; Bruto e uomo donore (Bruti është njeri i ndershëm), Bruto e… kështu e Bruto ashtu, që e donte Çezarit, duke folë mirë i dha me kuptuar popullit, pa ditë ai, që nuk ishte i tillë…!
– Jeni marrë edhe me muzikë? I binit kitarës?
– “Po, i bie kitarës, mandolinës. Në Shqipëri në atë kohë shkollat kanë qenë të forta. Në to mësonim muzikë, kitare, mandolinë e, bënin picoli complessi me dajre (komplekse të vegjël)…”!
Kodra ndihet i pezmatuar nga çfarë u shkrua në shtyp prej ndonjë artisti, i cili e goditi për vlerat që ai ka. Një nga menaxherët kishte bërë shumë fjalë dhe ishte shprehur që na ka prishur shumë punë, ndaj edhe gjatë fjalës së tij fillonte citonte, se çfarë kishin shkruar për të.
– “Si vizatues kam qenë më i miri i të gjithëve, kam fituar 200 shpërblime, kupton apo jo? Akademia franceze më ka dhënë mua Medaljen e Arit, i vetmi në Itali, kam emrin në shumë muze, në libra, në enciklopedi më kanë futur…! Kam bërë 6780 vepra. Janë në të gjithë botën, andej – këndej, sepse kisha 12 agjentë që punonin për mua…! Folnin këta njerëzit e mëdhenj, të njohur”.
– A keni miq në Kosovë?
– “Posi. Më kanë pritur shumë mirë. Ishim shokë me Muslim Mulliqin. Gjelosh Gjokaj, Rexhep Ferrin, Xhavit Nimanin”.
– Në Galerisë së Arteve është një mur i bardhë bosh në Galeri, që ka poshtë të shkruar emrin Kodra. A do t’i lini ndonjë vepër?
“Po besoj… po një vepër timen duhet ta kenë…! Kam bërë disa piktura, që ia kam dedikuar Shqipërisë. Njëra është titulluar ‘Shqipëria fantastike’”.
Çudia më e madhe është që sa më të mëdhenj janë aq më të thjeshtë janë.
– A jeni i kënaqur nga jeta?
– “Shumë, shumë i kënaqur”.
– I keni marrë ç’keni dashur?
– “Po besa, – buzëqeshi Kodra e shtoi ngadalë, – nuk kam dashur kurrgjë, m’i kanë dhënë”./ Memorie.al















