Nga NAZMI SEITAJ
Pjesa e parë
Memorie.al / Që kur e pashë për herë të parë skulpturën monumentale të Aqif Pashë Elbasanit, kam mbetur i magjepsur nga ai realizim i ndritur klasik, ku çdo detaj i tij shprehet me një realizëm të kulluar e me ndjesi të ngrohta, teksa dalin në pah, tërë virtytet e këtij mendimtari e rilindasi të madh, thjeshtësia, intimiteti shpirtëror dhe delikatesa e humanistit intelektual, dashuria ndaj vegjëlisë, dëshira për të sakrifikuar dhe për të dhënë çdo gjë për të mirën e kombit (dora e majtë në zemër e me gishtin tregues drejtuar nga flamuri në krahun e djathtë) dhe ëndrra e tij e madhe, që Shqipëria të bëhet një vend i lirë, i pavarur dhe i përparuar ashtu si tërë ato shtete moderne të Evropës së qytetëruar. Atë kohë që u ngrit ky monument, më 25 nëntor të vitit 1995, autori i saj, fare i ri në moshë, ndoshta nuk e ka marrë me mend, se kjo vepër e tij, do të mbetej emblema e qytetit të Elbasanit. Që nga ajo ditë kanë kaluar thuajse njëzet vjet, ndërsa artisti Bujar Kapllani, ka realizuar edhe vepra të tjera, por njëkohësisht ka punuar edhe si profesor i Artit Pamor, në universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Bujar Kapllani, me prejardhje familjare nga Përmeti, ka lëvizur nëpër vende të ndryshme të atdheut, ngaqë të atin e ka patur oficer e kuadro të ushtrisë. Mjafton të përmendim se vitet e fëmijërisë i kaloi në qytetin e vogël të Gramshit, e mandej shkollën e mesme dhe të lartën artistike, i kreu në Tiranë. Në vitin 1987, ai përfundoi Akademinë e Arteve me titullin “Skulptor Monumental” dhe që nga ai vit Bujar Kapllani banon në qytetin e Elbasanit, ku aktualisht është pedagog i artit pamor, në Fakultetin e Mësuesisë, së Universitetit të Elbasanit.
Duke u nisur nga vlerat e tij artistike, nga jeta e tij dinamike, nga ndjeshmëria e shqetësimet e tij ndaj padrejtësive e nga qëndrimet e tij kritike dhe me atë përvojë të gjatë krijimi e pune, për të cilat mendoj e besoj se do të vlenin për artistët e rinj, vendosa t’i marr këtë intervistë, për ta botuar e për ta bërë atë publike.
Bujar, cilat kanë qenë kontaktet e tua të para me artin dhe mësuesit e tu të parë që ju kanë lënë mbresa?
Natyra më ka tërhequr gjithmonë. Pamja e qytetit dhe e njerëzve kanë qenë përherë të rëndësishme, për të hyrë në kontakt me ambientin në atë qytet të vogël, në Gramsh, ku kalova vitet e mia të fëmijërisë. I vetmi piktor i Gramshit në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillim vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, ishte Adem Hoxha dhe mua më bëhej ta shihja si një njeri që zotëronte dhunti të veçanta, në krahasim me njerëzit e tjerë, ndoshta ngaqë neve si fëmijë, na plotësohej prej tij, ndonjë kërkesë si; për të shkruar ndonjë gjë në bluzat tona të zakonshme, për të marrë ndonjë penel, ndonjë shtrydhje ngjyre me të cilat tentonim të krijonim, ndonjë simbol figurativ, brenda natyrës fëmijërore.
Këto janë kontaktet e para me pikturën. E nëse kontaktet e para, janë të barabarta për gjithë fëmijët, dëshirat lindin përsëbrendshmi aty nga pragu i të dymbëdhjetave ose edhe kur i kalon ato dhe bie në kontakt me mësues të talentuar, që e nxitin talentin tënd. E tillë ka qenë mësuesja ime e vizatimit V. Shyqyriu, e cila ishte e përkushtuar në zhvillimin e kësaj lënde në shkollën tetëvjeçare të Gramshit. Kjo mësuese më jepte kënaqësinë e pjesëmarrjes në orën vizatimit, pasi na vinte në provë aftësitë tona për të vizatuar dhe jo të gjithë e kalonin këtë provë. Mua më duhej të punoja shumë, jo vetëm nga besimi i mësueses, por edhe nga kënaqësia që ndjeja, në ato orë të tëra mundimi, për të arritur të vizatoja ato detyra që më kërkonte ajo.
Si një portë e madhe dhe përherë e çelur për të arritur ëndrrën e pikturës, ka mbetur për mua Shtëpia e Pionierit, e cila në atë kohë përjetonte rritje të aktiviteteve kulturore në të gjitha rrethet e saj profesionale-artistike, me fëmijët e Gramshit. Në vitet shtatëdhjetë, i gjithë qyteti pasqyronte një rritje të natyrshme kulturore, sepse aty vinin kuadro të reja, ku kishte edhe artiste nga rrethet e njohura të vendit, e sidomos nga Tirana e Korça. Piktori i parë nga i cili mora mësimet e para, ishte Napolon Sava, ndërsa kurset i zhvillonim me profesorin Leon Çika, i cili sapo mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë, erdhi në Gramsh, ku edhe ofroi një kontribut të jashtëzakonshëm në Artet Figurative të qytetit.
Kurset e të talentuarëve drejtuar nga Leon Çika, kanë qenë një model i paharrueshëm për fëmijët e asaj kohe. Mbaj mend se në atë kohë realizuam vizatime e piktura shumë të bukura dhe në këtë kohë më lindën vizionet e para, për të vazhduar studimet në artet pamore. Me këto përjetime për artin pamor, ishin edhe bashkëmoshatarët e mi pasionantë si A. Qose, B. Ajazi, V. Përfundi, D. Hasa, etj.
Cilat kanë qenë punimet e tua të para?
Nuk mund të bëj dot një prerje të mbyllur, pasi ndoshta punimet e para mund të jenë edhe të menduarit brenda kureshtjes fëminore, gjatë kohës që shikonim e lexonim librat me ilustrime, të cilat kanë forcën e përfytyrimit më tepër të figurave se sa të fjalëve. Kjo mendoj se është magjia e artit pamor, që depërton, pa u kuptuar, vizionin perceptues të një fëmije. Ato mund të jenë jo vetëm në natyrë por edhe në librat, që nxisin tendencën për të njohur, kuptuar dhe praktikuar komunikimin viziv. Mendoj se praktikimi i parë ka qenë përzgjedhja nga mësuesja Sh. Ballaci, kur isha në klasën e katër, për të përgatitur një vizatim për në stendat e shkollës.
Më kujtohet se ishte vizatimi i një rrugice që të çonte në Kalanë e Krujës. Edhe pse ishte një vizatim të cilin po e kopjoja nga një foto e ndonëse qëndrova deri orët e vona për ta punuar, nuk kisha bindje se e kisha realizuar bukur, por të nesërmen mësuesja mbeti e kënaqur dhe, fitova mjaft besim në vetvete. Mendoj se kjo ka qenë përpjekja ime e pare në artin e bukur pamor. Puna e parë nuk mund të jetë privilegji i një rasti të vetëm. Më tepër se sa një punë është fenomeni në hapat e para, ndaj mendoj të shkuarën dhe përjetoj disa momente të ndryshme të angazhimit në artet pamore, në disa raste të ndryshme, të cilat kanë lënë gjurmë në vetëdijen time.
Rasti i parë mund të përmendet edhe klasa e pestë, ku mësuesja e vizatimit në shkollën tetëvjeçare, grumbullonte mbas-dite fëmijët më të talentuar për të bërë kurse të avancuara në vizatime. Ndoshta edhe me një ndjenjë humori, më vinë ndër mend shqetësimet e asaj kohe, të cilat i përjetoja gjatë vizatimit të një kanë qelqi, ku kujtoj se nuk po e vizatoja dot transparencën në dritë-hijeve të qelqit dhe kërkova ndihmën e mësueses, por çdo gjë mbetej aty ku niste në hijet e errëta, ndoshta jo vetëm për faktin se unë nuk po kuptoja shpjegimet që më ofronte ajo, por sot që jam artist, mendoj se për mësuesen duhet të ishte tepër e vështirë modelimi në dritë-hije i një objekti prej qelqi, i cili është një test i vështirë për një profesionist, edhe sot.
Një tjetër rast i parë mbetet i dukshëm kur piktori i qytetit Adem Hoxha, bashkë me dy piktorët e tjerë, Napolon Sava e Leon Çika, ardhur me punë në qytetin e Gramshit, na morën ne fëmijët e rrethit të pikturës së Shtëpisë së Pionierit dhe na ngjitën lart në kodrat e qytetit, për të pikturuar së bashku një peizazh nga natyra përreth. Ideja ishte që ne fëmijët e talentuar, të shikonim si bëhej një peizazh nga piktorët e qytetit dhe njëkohësisht të shfaqnim aftësitë tona, duke pikturuar natyrën. Ata na udhëzonin si të përzienim ngjyrat e ujit dhe si t’i vendosnim krahas njëra-tjetrës në pikturë.
Ajo që mbetet si një mesazh njerëzor i kësaj marrëdhënie brezash, është dashuria dhe respekti i këtyre mjeshtrave, të cilët në formë humori shpreheshin se punët tona ishin “moderne” dhe “më të bukura” se punimet e tyre. Ndoshta profesionalisht nënthonin një gjë të panjohur për atë kohë, që deklamohej si e Realizmit-Socialist, sepse punët e fëmijëve afrojnë në ndjesi me krijimet e rrymave moderne të fillimit të shekullit XX-të, në planin naiv e primitiv. Kjo shaka më bën të qesh me gëzim, për personalitetin e tyre, sa herë që e kujtoj sot. Pra arti në hapat e para, mund të krijojë marrëdhënie të bukura njerëzore edhe më shumë se sa veprat. Ndoshta kjo mund të jetë më e rëndësishme, se çdo gjë përcillet në gjene-racionin shpirtëror të njeriut, në vlerën e absolutes për të mirën njerëzore.
Një nga kujtimet e bukura në fillimet e mia të para, është dalja në natyrë për të pikturuar me piktorin Leon Çika, i cili ishte një profesor i rrallë jo vetëm për fëmijët, por edhe për kolegët e vet. Mbaj mend që të gjithë fëmijët ishin drejtuar nga mali i Tomorrit dhe pikturonin pamjen e tij. Letrën e parë që hodha ngjyrat e malit të Tomorrit, e vura në tokë dhe u largova ta shoh nga larg; atëherë pashë që piktura ime nuk ngjante me atë mal me pamje magjepsëse, ndaj dhe e grisa nxituar, mbasi mbeta i pakënaqur. Profesor Leoni më tha: “Mos u mërzit, se do ta bësh më mirë herën tjetër”.
U ula dhe e nisa për herë të dytë dhe puna po ecte më mire në formë, përmasa e raport ngjyrash. Ishte pranverë dhe bëra një kurorë peme me lule në plan të parë dhe profesor Leonit i pëlqeu, me disa vërejtje për kompozimin e kurorës së pemës pa trungun e saj. U ngrita në këmbë dhe u largova, përsëri e krahasova me Tomorrin në largësi, por përsëri e kuptova që Tomorri ishte më i bukur se piktura ime, ndaj e grisa përsëri. Këtu vjen momenti më i bukur, i cili më hedh në kujtimet e mia me profesor Leonin, si piktor e si njeri. Ai kthehet nga unë, hap krahët me entuziazëm e më thotë: “Të lumtë, ti do të bëhesh artist, përderisa nuk kënaqesh me punën tënde”.
Ja ku erdhi natyrshëm momenti që ju të na tregoni vazhdimësinë e rrugës së artit tuaj nga qyteti i Gramshit, ku ishin hapat e para në pikturë, për të vazhduar skulpturën në Tiranë, si nxënës në Liceun Artistik. Si ndodhi kjo e, si e keni përjetuar këtë moment?
Krejt rastësisht në dukje e gati si një referencë e komisionit vendimmarrës të pranimit në shkollën e mesme artistike në Tiranë, por për gjykimin tim, ishte edhe ndikim i pretendimit të kuadrove të seksionit të arsimit në qytetin e fëmijërisë, në Gramsh, të cilët ishin pa koncepte të qarta kulturore në fushën e artit figurativ. Ata, kërkesën time për të vazhduar shkollën artistike për pikturë dhe konkurrimin në atë shkollë, ku vajta, e konvertuan në objektiv të realizimit të planit të tyre industrial, në punishtet e thuprës e çibukëve, ndaj dhe të drejtën time të studimit në Liceun Artistik të Tiranës, e kushtëzuan me kërkesën e emërtuar për “mjeshtër të punimit me dru”, dërguar Ministrisë së Arsimit e Kulturës.
Sot mendoj të jetë kjo arsyeja pse komisioni i asaj shkolle më kaloi për skulpturë, pasi unë realisht isha i përgatitur në pikturë. Doja të bëja ndërhyrje në drejtorinë e shkollës, që të rishikohej ky emërtim, por ata më thanë se kjo është kërkesa e qytetit nga ke ardhur e, kjo mendoj se më privoi nga një e drejtë, që më takonte, por jo çdo gjë që niset jo për mirë, mund të jetë deri në fund e tillë. Sot unë jam një skulptor, siç mund të isha një piktor dhe pasioni për artin nuk mund të ketë kufij, në çdo lloj dimensioni moral apo profesional. Një fakt më bën përshtypje, se të njëjtat qëndrime u reflektuan në atë qytet edhe kur fitova shkollën e lartë, mbasi këtë herë më krijuan disa kuadrate penaliteti, ku tentuan të më futnin menjëherë në dy tre ditët e para, kur mora lajmin e fitimit të konkursit për në Akademinë e Arteve, por ja që nuk e patën tagrin e duhur dhe moralin e lartë, për t’ia arritur atij qëllimi ogurzi.
Por këtë herë nuk flitej për një rastësi në drejtim të skulpturës, tashmë ishte pasioni im këmbëngulës, që vendoste fatin në konkurrim për të studiuar në skulpturë monumentale. Pasioni e këmbëngulja tek gjithë bashkëmoshatarët e mi, që merreshin me art, ushqehej me fanatizëm për të qenë të sigurt në udhën e artit. Aq sa të qëndrueshme janë cilësitë e artistit, po aq edhe të pashterueshme janë përpjekjet e të paaftëve dhe të jo dashamirësve, për të qenë ata faktorë në punët e përpjekjet e artistit. Ndaj në jetë nuk mund t’i bësh të dyja, ose do të bësh artin ose, në të kundërt servilin ndaj të paaftëve, ngritur mbi pushtete të vockla njerëzore.
Skulptura juaj e parë?
Skulptura ime e parë, pa përmendur punimet e shkollës, por, si krijim-ardhur së brendshmi, nga dëshira ime për të qenë skulptor krijues, është figura e Skënderbeut në këmbë, realizuar në vitin e katërt të shkollës së mesme, kur isha 18 vjeç, të cilën ia kam dhuruar në vitin 2006, një ish-luftëtari të UÇK-së në Maqedoni, me të cilin u njoha gjatë konkurrimit për monumentin e Skënderbeut në Shkup, si një simbolikë, në shenjë respekti për mikpritjen. Kjo skulpturë, që e kisha punuar para 25 vitesh, ishte edhe krijimi im i parë atdhetar.
Po studimet e larta në Akademinë e Arteve ç’rrjedhojë patën?
Periudha, që mbrojta studimet, mbetet gjithnjë në mendjen time me ngarkesa kompleksiteti, midis asaj që duhet të isha si artist dhe asaj që nuk duhet të veproja si artist, për shijen mediokre të një shumice a pakice njerëzish (kurrë s’e mora vesh), që e quanin veten artdashës, por që në fakt me qëndrimet e tyre, shprehnin mosmirënjohje ndaj atyre artistëve, që kërkonin të ishin të pavarur në rrugën e artit. Ky ishte një problem i madh, pasi duhet të ishe në rrugën tënde, por të bëje edhe kritikën mbrojtëse përballë “kompetentëve”, kur ata me një të rënë lapsi, të ngrinin lart apo të ulnin poshtë. Imagjino sot ku një plejadë gazetarësh të demokracisë, kanë marrë këtë laps në duart e tyre, ndërkohë përveç lapsit, kanë marrë edhe gomën fshirëse, që të shënojnë atë që duan dhe të fshijnë atë që nuk e duan “politikanët”.
Pra është dashur shumë punë, jo vetëm për mua e kolegë të tjerë artistë, për të krijuar vepra arti, por edhe nga ana tjetër “kompetentët”, kanë ecur mjaft përpara, pasi kanë shtuar gazetat e mediat jo për të vlerësuar artistët, por për të monopolizuar artin në fokusin e kompetencës së tyre “politike”. I shpreh këto mendime, pasi kam kuptuar tërë këto vite, se arti është zhvilluar vazhdimisht në këtë shtrat të kompetencës popullore-mediatike dhe, në qoftë se sot pas 20 vitesh, më thonë se ke bërë një monument të bukur për Aqif Pashën, kjo është për meritë edhe të atij opinioni të shëndetshëm popullor për punën e artistit, ndërkohë që mediat “heshtin”, sikur para tyre ti ke krijuar një hiç, ndërsa realisht ke krijuar një monument në bashkëkohësi me ta. Nuk bëhet fjalë për ndonjë intervistë, për të kuptuar si u ngrit kjo vepër, por as edhe emri nuk përmendet në mediat “kompetente” të tyre.
Të dy kemi ecur, edhe ne artistët edhe këta “kompetentët” këto vite, por vetëm një gjë është e qartë, se arti i vërtetë është përpjekur gjithmonë të perfeksionohet drejt kulturës popullore dhe shijes moderne qytetare, ndërsa “kompetentët” në emër të këtyre të fundit, vazhdojnë të largohen në drejtim të kundërt në botën abstrakte të varësisë politike, drejt idhujve të rremë me të vetmin qëllim, për të zënë sado pak vend në perandorinë e politikës, në të ashtuquajturën pushtet i katërt. Në këtë sfond sa demokratik nga forma, por jo funksional në përmbajtje, janë ngritur monumentet e skulpturës në këto dy dekada, gjë e cila ka qenë mjaft e vështirë, për të ndërtuar një sistem vlerash. Këtë e them pasi kam ngritur monumentin e Aqif Pashës, të Aleksandër Xhuvanit e, të Edmond Hoxhës në Kosovë, por vetëm kaq mund të them, ndërsa për vlerat e tyre nuk flas dot.
Për këtë mund të flasin “kompetentët” të cilët janë larguar shumë larg prej nesh me abstraksione elektorale, ku arti ju duket si një asgjë e hiç, ndërsa puna jonë edhe pse nuk mund të shprehemi se çfarë vlerash mbart, është krijuar për ndjesitë konkrete të politikës humane, atje ku jetojnë njerëz dhe ushqejnë atdhetari dhe aspiratë qytetare, drejt shoqërisë moderne. Ndoshta kjo panoramë është më evidente në artet monumentale, pasi po aq sa të mëdha janë sakrificat e artistit të përkushtuar, po aq të mëdha janë shanset e përfitimit abuziv të llokmave financiare, që iu fal politika beniaminëve të tyre, edhe për faktin se skulptura monumentale, lë hapësirë për të eksperimentuar, ndërkohë që gjurmët e këtyre eksperimenteve, lënë pasoja në politikën konkrete të qytetarisë dhe demokratizimit të marrëdhënieve funksionale të jetës së vendit.
Në këto marrëdhënie gjysëm eksperimentale të artit me politikëbërësit, ka një gjë të mirë që ia vlen të përmendet, pavarësia krijuese që buron nga vetë perceptimi i brendshëm i artistit.
Një mundësi iluminimi të brendshëm, ka shanse të ndodhë vetëm në përballjen me vështirësitë që e shoqërojnë realizmin e një vepre arti. Një perceptim i brendshëm njerëzor konstaton se artisti mund të ruajë ekuilibrin krijues, jashtë kufijve standardë të perceptuar së jashtmi nga politika, për më tepër, kur edhe vlerësimet ngurtësohen nën efektin e perceptimeve të jashtme të opinioneve klanizuese të artit. Para se të realizoja këto monumente që po flasim, në perceptimin e jashtëm të tyre, opinionbërësit më quanin krijues i talentuar me nota lirike dhe frymë erotike, ndërsa unë së brendshmi, ndjeja se të gjitha këto tipare buronin si humanizëm e dashuri njerëzore, nën efektin e një shtyse të fuqishme të egos profesionale, gjithmonë duke u përpjekur për të vizatuar e modeluar përsosmërisht skulpturat e mia, në mënyrë të atillë që para shikimit të qytetarëve të merrnin notën “vepër e bukur”, por që edhe të shpinin me kënaqësi dhe endje në përmbajtjen e vlerave të tyre humane.
Forca e këtij perceptimi të brendshëm nuk kishte si të mos jepte rezultate në krijimin e monumenteve historike, të realizuara nga unë, të cilat nuk mund të quheshin nga perceptimi i jashtëm i “kompetentëve” as erotike e as lirike, por nën forcën e punës sime profesionale, i kam bërë të heshtin me laps e gomë në dorë përballë humanizmit, respektit dhe dashurisë njerëzore, që përcjellin këto vepra tek njerëzit e qytetarët e republikës sime, ndërsa për “politikanët” mbeten një mburojë e artë në fushatat e tyre elektorale, aq sa të duket sikur monumentet i kanë bërë ata, e jo unë(!!!).
Cilat kanë qenë disa nga vlerësimet që ke marrë në artin tënd?
Unë mendoj se vlerësimet, ndonjëherë, kanë shtysë institucionale, ndaj ne jemi dëshmitarë dhe përjetues të një kohe jo të favorshme për krijimin artistik individual, siç është skulptura monumentale, por edhe për artet në përgjithësi. Kjo jo për arsye se në thelb mungon kultura qytetare, përndryshe do të gabonim, sepse në historinë e artit shqiptar ka plot shembuj suksesi dhe lartësimi të arteve në periudha të ndryshme kohore, ku shoqëria shqiptare ka gjetur misionarët e vet për ri ngritje kombëtare, gjë të cilën e kanë shprehur në cilësinë e veprave artistike të tyre. Realisht ne jetuam në një kohë, kur kjo kulturë nën presionin e një grupi shoqëror të etur për pushtet dhe pasuri, u ndrydh, u trondit, u nënçmua, humbi besimin se e ardhmja i përkiste kulturës, qytetarisë dhe artit.
Kjo kohë matej vetëm me një masë; fitimi i parasë, ky lloj fitimi arriti të vrasë moralin e punës, e cila është mekanizmi kryesor i krijimit të vlerës. Kjo periudhë, pa u zgjatur në ato që thashë më sipër, quhet kaos, por fatkeqësisht jo kaos i mendimeve, koncepteve, krijimeve, prej të cilave mund të ri ngrihej arti me një frymë të re. Ky kaos kishte vetëm një element; interesat e pangopshme të njerëzve pa zanat e profesion, por, që marrin frenat e tenderave të artit. Tenderimi i artit solli edhe shuarjen e zërit të kritikës artistike, pasi kjo quhej promocion dhe reklamë (!?). Asnjë individ nuk mund të ishte altruist për të vlerësuar sukseset e një artisti tjetër, çdo gjë personalizohej si sukses fitimprurës në tenderim. Ky lloj kaosi në konceptimin e vlerave artistike, është shkaku i mungesës së opinioneve të shkruajtura dhe mendimit kritik në art.
Institucionet, që duhet të mbulonin analizën e vlerave, fillimisht ishin formale e më pas ato humbën ekzistencën. Në këtë kaos, artisti edhe kur bën një vepër shumë të mirë, të mirë, të keqe, apo shumë të keqe, kjo nuk përbënte ndonjë rëndësi për institucionin. Artisti ndjehet i vetmuar në kërkim të opinioneve gojore të publikut, të cilat nuk përbëjnë garanci për krijimtarinë e ardhshme organizuar me tenderat e pushtetit, ndërkohë që vlerat reale të tyre merrnin peshën në fjalët e natyrshme të njerëzve që nderojnë artin. Opinionet gojore të publikut janë pa emër, pa numër dhe të pashlyeshme nga ndërgjegja e njerëzve. Unë ndjehem i vlerësuar, që qytetarët e Elbasanit krenohen me monumentin e Aqif Pashë Elbasanit dhe nuk ndjehem aspak humbës (kështu më quajnë eksponentët bashkiakë) përballë tenderave të pushtetit, për artin e miqve të tyre, të cilëve opinioni i qytetarëve të thjeshtë u ka dhënë vlerësimin ashtu siç e meritojnë.
Për më tepër mjaft njerëz të nderuar, si artistë dhe personalitete të kombit shqiptar, më kanë vlerësuar për krijimtarinë time, por kjo mbetet vetëm personale, ndaj dhe nuk më takon që të spekuloj me citimin e tyre, për mua mjafton edhe respekti që kanë qytetarët e Elbasanit edhe përgëzimi i Dhimitër Shuteriqit, i cili e vlerësoi monumentin në komisionin përfundimtar të aprovimit, më mjafton edhe vlerësimi i një të moshuare 80-vjeçare, mbesë e frashëllinjve martuar në Elbasan; ajo kur e pa monumentin më tha: “Ky është Aqif Pasha. Unë kam qenë vajzë shkolle, kur shkëmbehesha çdo ditë në rrugë” (Po kështu u shpreh edhe Dhimitër Shuteriqi). Kjo e moshuar erdhi në studio, përcjellë nga një miku im mësues, Luan Belegu, për të konstatuar nëse e kishta realizuar atë figure në ngjashmëri. Më mjafton edhe vlerësimi i qytetarëve të nderuar si intelektualë dhe artistë në qytetin e Elbasanit; njëri prej tyre, shkrimtari Hyjni Ceka, ka shkruajtur një ese për ngritjen e këtij monumenti.
Ku ndjehesh më pranë me pikturën apo me skulpturën?
Skulptura është profesioni im, për atë jam shkolluar dhe jam rritur duke ushtruar vlerat profesionale të saj, ndërsa piktura është ushqimi i ndjesive mbi dashurinë për natyrën, jetën. Skulptura në pamje të parë ka një mister metafizik, i cili të stërmundon, si nga ana fizike dhe ajo llogjike, por sa më gjatë të rrugëtosh në këtë hermetizim midis ngarkesës fizike dhe organizimit logjik të vlerave plastike, fillon e kupton se ndjesitë e tua bëhen gjithmonë evidente me lartësimin e personalitetit, ku ndërthuren dëshira për jetën, për natyrën, toleranca për kontradiktat e kësaj bote, si dhe adhurimi i atyre vlerave, që në historinë tënde jetësore dhe të kombit ku jeton kanë mundur të krijojnë ndjesi të vërteta njerëzore. Piktura të bën të kesh besim dhe kënaqësi në reflektimin pamor të ndjesive ndaj të bukurës, reales, lojës së ngjyrave të linjave. Piktura është më tepër një kënaqësi të cilën e afron vetë natyra dhe ti veç se duhet ta dashurosh. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm